Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ Publikohen fotot e rralla dhe të panjohura të familjes së njohur Koliqi, me origjinë nga Shiroka e Shkodrës, ku edhe sot banojnë disa prej pasardhësve të atij fisi të famshëm, ku të parët e tyre janë marrë me tregti me Venetikun, Malin e Zi, etj, dhe pinjollët e tyre u shkolluan e u diplomuan në universitetet më të njohura të Europës. Nga Roza, një prej femrave më të emancipuara shkodrane, ku thuhet se mori frymëzim, Kol Idromeno, për realizimin e tablosë “Motra Tone”, te Dom Mikeli që studioi fillimisht në Fakultetin Politeknik të Milanos e vëllai, Ernesti, me prindërit, Shan dhe Age (e Cuk Simonit), si dhe vëllezërit e motrat e tyre, Leci, Guljelmi, Margerita, Viktori dhe Terezina ….
Memorie.al publikon disa foto të rralla dhe krejt të panjohura të familjes, Koliqi. Familja Koliqi thuhet se është vendosur në fshatin Shirokë të Shkodrës, nga fillimi i viteve 1700 dhe aktiviteti i saj kryesor ishte peshkimi, por dhe tregtia me Malin e Zi, Venetikun etj, çka bëri që ajo familje të fuqizohej ekonomikisht dhe nga fundi i shekullit të XVIII-të dhe fillimi i shekullit të XIX-të, të ndërtojë edhe disa shtëpi, në qendër të qytetit të Shkodrës, të cilat ndodhen edhe sot, si pronë e trashëgimtarëve të tyre, me mbiemrin Koliqi.
Fotot e publikuara nga Gjon Tonin Koliqi janë shkrepur ndër vite nga Marubët e famshëm dhe ato kryesisht janë pjesë e arkivit familjar të tij (Gjon Tonin Koliqit), si dhe një pjesë tjetër të nxjerra së fundmi nga arkivi i Fototeka Marubi, në qytetin e Shkodrës.
Në foton kryesore (ku duken shumë anëtarë të familjes Koliqi), e cila mendohet të jetë bërë vetëm pak kohë pasi Marubët e famshëm, kishin hapur studion e tyre, në qendër duket Pjetër Koliqi, një nga të parët e kësaj familje, (Gjyshi i Toninit, babait të Gjon Koliqit), i cili edhe pse i besimit katolik, në foto ka dalë me festen e Turqisë, gjë e cila në një farë mënyre asokohe tregonte edhe bashkëjetesën ndërmjet tre religjioneve në qytetin e Shkodrës. Bashkë me Pjetër Koliqin, aty kanë pozuar edhe me radhë pjestarët e tjerë të kësaj familje.
Fotoja në fjalë duket se është kompozim, (ashtu siç ndeshim jo rrallë edhe më foto të tjera të familjeve shkodrane, Daragjati, Suma, Pistulli, Krroqi, Çoba etj), pasi të ulur në karrige qëndrojnë brezi i tretë i familjes Koliqi, në këmbë sipër tyre janë brezi i dytë dhe ulur fëmijët e vegjël. Ajo që vihet re në këtë foto, është dhe veshja e pjesëtarve të familjes Koliqi, ku një pjesë janë me veshje popullore qytetare shkodrane, kryesisht gratë e moshuara dhe pjesa tjetër me veshjet klasike me kostum, kollare apo papion, gjë e cila në një farë mënyre tregon edhe gjendjen e mirë ekonomike të kësaj familje.
Pothuaj njësoj me këtë foto është edhe ajo ku ka dalë familja e Dom Mikel Koliqit, Kardinalit të parë shqiptar pas rrëzimit të regjimit komunist, ku në qendër të saj janë prindërit, Shani dhe Ageja ( e bija e Cuk Simonit), ndërsa anash tyre, djemtë dhe vajzat e tyre, si Ernest Koliqi, dhe vëllezërit e motrat e tjerë, Leci, Guljelmi, Margerita, Viktori dhe Terezina. Dom Mikeli që ndodhet i ulur në krah të vëllait Ernestit dhe në anën tjetër të nënës së tij, Ages, dallohet aty edhe nga veshja e tij me veladon si meshtar katolik.
Një foto e rrallë është edhe ajo ku dalë Mikel Koliqi, i veshur “alla-franga” e cila i përket periudhës së viteve ’20-të, kur ai pasi mbaroi një shkollë teknike në Bari të Italisë, vijoi më pas studimet në Fakultetin Politeknik në Milano, që e ndërpreu më vonë për t’i përkushtuar studimeve për Teologji dhe Filozofi, në seminarin papnore po në Milano.
Po kështu një foto fare e panjohur është dhe ajo e vëllait të Dom Mikelit, Ernestit, shkrimtarit, studiuesit, publicistit, poetit, prozatorit, etj, i cili në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë, shërbeu edhe si ministër Arsimit, foto e cila mendohet se i përket periudhës së rinisë së tij, kur ai studionte në Kolegjin Jezuit Arici në Breshia.
Një foto tjetër që paraqet mjaft interes, është dhe ajo e Roza (Rozalina) Koliqit, e konsideruar si një prej femrave më të emancipuara shqiptare në periudhën e Monarkisë së Zogut, foto e cila thuhet se ka marrë frymëzim i famëshmi Kol Idromeno, kur bëri tabllonë “Motra Tone”.
Ndër fotot e tjera shikojmë edhe atë ku duket një nga ndërtesat e Koliqve ku ata ushtronin aktivitetin e tyre tregtar dhe në faqen anësore të saj, shkruhet: SHITES PIJET GJON KOLIQI, ndërtesë e cila ndodhet edhe sot në qendër të qytetit të Shkodrës, si pronë e Koliqve dhe ajo ka qenë projektuar nga i famëshmi, Kol Idromeno.
Një foto tjetër është dhe ajo ku ka pozuar Gjystina Koliqi, (gjyshja e Gjon Tonin Koliqit), e bija e Katrinëës dhe e Shtjefën Ingris, austriakut që solli fabrikën e parë të këpucve në qytetin e Shkodrës në fillimin e shhekullit të XIX-të. Veshja e saj si nëpër sallonet mondane të Evropës, dallon nga ato të femrave të tjera të këtij fisi, edhe për shkak të kulturës dhe një deji gjaku të saj austriak.
Një foto tjetër është edhe ajo ku duket një ndërtesë e vogël buzë ujit të liqenit të Shkodrës, ku është shkruar PESKALBA, e cila ka qenë një ndërrmarje private që merrej me tregtinë e peshkut, ku Gjon Koliqi, ka qenë ortak me një shtetas italian dhe me Dan Hasanin, një tjetër personazh i njohur për aktivitetin e tij si tregtar, të cilin e shohim edhe në një nga këto foto ku ka dalë ulur në karrike.
Përveç fotove të vjetra që paraqesin dinastinë e Kolqive, aty shohim edhe ato të brezave të mëvonshë, si p.sh. Tonin Koliqi (babaj i Gjonit), i cili ka dalë në vitet ’50-të me tre shokë të tij orkestrantë në një nga lokalet në qëndër të Tiranës ku asokohe luhej muzikë.
Po kështu Tonin Kolqi ka dalë duke u takuar dhe me Papa Gjon Palin e Dytë, gjatë një vizite që ai bëri në Vatikan në vitin 1994, si shoqërues i Dom Mikel Koliqit, kur ai do të shpallej Kardinal, titull që ia akordoi dhe ja dha vetë Papa Vojtila, në shenjë respekti edhe për vuajtjet dhe qëndresën e tij në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Në fund të këtij seti fotosh, shohim dhe ato të Gjon Koliqit me bashkëshorten e tij, Irma Dibra apo dhe atë me djalin e vogël të porsalindur, Xhuzepe, të bëra në fundin e viteve ’80-të kur ato sapo u martuan dhe ata të dy si çift patën bekimin dhe uratën e Dom Mikelit që sapo kishte dalë nga burgjet e regjimit komunist. Edhe pse të bëra pothuaj gati një shekull më pas, fotot në fjalë dallojnë me ato gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre të shkrepura prej Marubëve të famshëm, jo vetëm nga cilësia e saj, por nga veshjet etj etj./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016