Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Pjesa e tetë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Rukije Bushati
(1875 – 1959)
Njerëzimi u mbetet përherë borxhli nanave. Jeta asht e tillë që me disa asht dorështrënguar e me disa të tjerë dorëlirë në atë çka u afron. Ata që e njohën Nanë Rukijen ose Hanko Kijen, e përfytyrojnë kështu: me trup mesatar, pak si të mbledhur, jo aq nga mosha se sa nga ndrojtja e përhershme. Degërmia gjithmonë e pastër borë fshihte flokët, veshët, qafën e një pjesë të ballit. Fytyra e saj e bardhë, e pastër dhe e lëmut ku nuk kishte asnjë rrudhë, ruante gjurmët e një bukurie të pazakonshme.
Lindi në Ulqin dhe u rrit në Shkodër. Mbas përfundimit të Mejtepit, mësimet e fesë lanë gjurmë të thella në shpirtin e saj të ndjeshëm. Falë këtyre ndjenjave ajo gjeti një mbështetje të fuqishme ngushëllimi për t’i bë ballë jetës së trazueme familjare. I shoqi e la të vejë herët, por vuajtjen ajo e mbajti përbrenda. Një dhimbje tjetër e madhe dhe e paharrueshme qe vdekja papritmas në një dasëm e të vëllait të madh, të cilin ma vonë do ta kujtonte me fjalët “jetëshkurtri vëlla”.
Deri më 1930-ën ajo jetoi në shtëpinë e të kunatit, Sylçe Bushatit, mbas saj në vete. Më 1940, i biri, Myfiti, shkon me studime në Itali, por shëndeti nuk i prin, prandaj mbas 2 vjetësh kthehet. Motiv i fortë ishte edhe detyrimi që ndjeu për t’i shërbye atdheut, që ishte shkelë nga këmba e të huajit. Me këtë rast solli nga Italia një ciklostil, duke e kthye shtëpinë në një bazë nacionaliste. Nuk vonoi dhe u rreshtua në ‘Ballin Kombëtar’. Tashti Nana Kije edhe e kishte djalin, edhe s’e kishte. Për disa kohë (1943), u ilegalizue. Nana Kije u dha bukë dhe u dha strehë disa kushërinjve e shokëve të tyre komunistë. Nuk mund të dilte ajo nga kryerja e detyrave të mikpritjes.
Nga ana tjetër, ajo ishte e bindur se ata ishin të mashtruar. Pabesia e tyre do të dukej menjëherë mbas “çlirimit” të vendit. Dhjetor 1944. Në shtëpinë e saj gjen strehë Sylçe beg Bushati, por nuk vonoi shumë dhe operacioni i spastrimit, i drejtuar prej Mehmet Shehut, do të sillte arrestimin edhe të djalit, dhe të dhëndrit. 30 vjet burg për djalin. Filloi të luhej ajo dramë e gjatë për këtë familje, ecejaket nga Shkodra në burgun e Tiranës, në kampet te Ura e Bonës, në Maliq, në Beden…! Vite të tana. Zemra e saj prej nane prej një dekadë ndjeu dhimbje të thekshme.
Ankth të përhershëm e mall të parrëfyeshëm, por gjithnjë me qëndrim dinjitoz, me vetëpërmbajtje…! Peripecive të halleve të burgut, iu shtua halli tjetër. Mbasi iu konfiskua shtëpia, ajo shkoi të jetojë në një fshat ku banonte në atë kohë dhëndrri, me familjen e të cilit jetoi derisa vdiq.
Djali iu lirua i sëmurë e invalid. Disa muaj para lirimit të tij kishin burgosë edhe dhëndrin, që e konsideronte si djalin e vet, kështu që u interesua edhe për të. Për të siguruar triskat e bukës, të birit iu desh të bëjë gjithfarë punësh të rënda. Ashtu edhe të bijës, baltave të Bërdicës. Nuk duhet harru se ata ishin në krye të listës kur bëheshin shkurtimet e fuqisë punëtore. Kjo e detyroi plakën e shkretë që të mos çonte kryet nga çekerku, ku endte fije pambuku për fabrikën e tisazhit. Pati gëzimin e fejesës së të birit, por nuk e gëzoi martesën e tij, sepse mbas dy operacioneve të rënda, vdiq më 1959. Jeta e saj qe shumë e kursyeme në gëzime, por tepër dorëlirë në trazime.
Shaqe Logoreci
(1890 – 1953)
Lindi dhe rriti 9 fëmijë. Falë traditave familjare të saj dhe të burrit, i edukoi me ndjenjën e atdhedashurisë. Përveç pjesëmarrjes në demonstratat e vitit 1939 kundër fashizmit italian, ma vonë ata u inkuadruan në grupime nacionaliste, ose propaganduan çështjen kombëtare. Filipi qe anëtar i kryesisë së Ballit Kombëtar, kurse Antoni nëpërmjet Radio Londrës i bënte thirrje popullit për qëndresë. Dyert e burgjeve fashiste do të hapeshin për Filipin dhe Gasprin. Ma vonë ata do të dilnin në mal. Nana Shaqe, jo vetëm që kishte dijeni për veprimtarinë e fëmijëve që qenë burrnue para kohe, por me sa mundte edhe i ndihmonte, pavarësisht nga rreziqet që mund të kishte.
Fatkeqësitë, në kuptimin e plotë e të egër të fjalës, filluan pas ardhjes së komunistëve në fuqi. Shtëpia filloi të “boshatisej”. Filipin, ndonëse të sëmurë rëndë, ia arrestojnë dhe me akuzën si antikomunist dhe nacionalist i flaktë, ia dënojnë me 7 vjet burg. Djalin tjetër, Gasprin, ia mobilizojnë brigadat partizane kur marshuan për Jugosllavi, e prej andej mezi solli kryet. Zefi u detyrua të emigronte. S’e dinte ajo e shkretë se as atë, as Antonin nuk do t’i shihte ma. Lotët e ndarjes ishin me të vërtetë të hidhur. Lot të tjerë do të derdheshin prapë: nxjerrja nga shtëpia, konfiskimi i pasurisë, mohimi i punës, censurim i letrave…! Djali duhej ndihmu në burg. Aty, atij, pas një infektimi, do t’i këputnin krahun…!
Kushtet e vështira ekonomike do t’ua shkallmonin shëndetin të gjithëve. Shtrimet në spitale u banë të zakonshëm. Filipi, Rroku e Vitoria provuan edhe sanatoriumin…! Fukarallëku ishte ulë këmbëkryq në sofër. Nana e 9 fëmijëve pothuajse ishte vetëm: disa në spitale, disa me punë larg shtëpisë, dy të emigruar… Për këta sidomos e merrte malli. Çdo natë ulej e ndigjonte me zë të ulët BBC, prej nga vinte në veshin e saj zani i të birit. Ishte i vetmi ngushëllim i saj. I dukej se i kishte në dhomë, sikur i qanin hallet njëri-tjetrit. Kur emisioni mbaronte, ajo përkulej paksa e puthte radion.
Çdo natë kështu. Kishte të drejtë ai, i biri, që në Londër librin e tij e kishte titulluar: “Shqipëria – Të harruarit e gjallë të kësaj Europe”. Mendonte nanë Shaqja fëmijët e saj, zemra i copëtohej kur shihte përndjekjen që u bëhej. Me një mal vuajtje, mbylli sytë në moshë relativisht të re. Zoti nuk e dënoi ma shumë, sepse nuk shikoi t’i vdiste djali, Filipi, mbas një viti, e ma vonë edhe vajza…
Qamile Myftija
(1903 – 1974)
Edhe për Qamile Myftinë, jeta erdhi plot peripeci mbas vitit 1944. I shoqi, Salih Myftia, i nderuar në rrethin e besimtarëve myslimanë e në popullin e Shkodrës (ishte eksponent i organizatës së Legalitetit), mbasi kishte provuar internimin e fashistëve italianë, qe detyruar të arratisej në fundin e nëntorit të zi të atij viti, duke lanë gruan e shtatë fëmijët (nga 3 – 13 vjeç). Si fillim ajo pësoi paraburgimin 5-javor. Mandej shpronësimi e të tjera…! Pas katër vjetësh, djali i saj 17 vjeçar, nga bankat e gjimnazit u përplas qelive të Sigurimit, për të provuar torturat e tij e ma vonë edhe pesë vite burg. Ishte ende herët…! Viti 1962 do t’i jepte një goditje edhe ma të rëndë. Djali tjetër, Mithati, që ishte nga natyra shumë i ndejshëm, duke mos duruar persekutimin, kalon në krizë nervore. Një djalë në burg, një tjetër në Spitalin Psikiatrik, burri në arrati. Për çfarë të mendoje ma parë? Prapë, kishte edhe ma zi…! Atë vit, ajo dhe dy djemtë e mbetur internohen. Ishte 60 vjeçe e do t’i duhej të nxirrte bukën e gojës, duke bë punë të ndryshme bujqësore. Si shumë shoqe të saja…! Me mendimin se një ditë do të kthehej në shtëpi, me mendimin se i biri do të shërohej.
Vetëm ai të shërohej, ani pse në barakë mungonte pothuaj çdo gjë, ani pse nuk kishte forca për të përballuar punën e rëndë. Nuk i shkonte mendja se djalin, pasi do t’ia ndërpritnin kurën, do t’ia përplasnin baltave të Myzeqesë, aty ku ishte edhe vetë. A mund ta duronte zemra e saj e lodhur këtë gjendje? I duhej. Djali kishte nevojë ma shumë se kurrgjë për fjalën e saj të ngrohtë, që vetëm nga thellësia e shpirtit të saj mund të delte. Ajo i dha qetësinë, ngrohtësinë, butësinë.
E i dha edhe besimin për një ditë ma të mirë, i hapi horizontin, i tha të shikonte përtej, në kaltërsinë që do të vinte. Nuk do të ishte ma e mirë gjendja ekonomike edhe kur do të ktheheshin nga internimi. Të gjithë në punë krahu, të gjithë në punë të rënda. Ndonëse të kulturuar, sepse ata nuk e kishin heqë librin nga dora, nuk mund të gjenin punë ma të mirë. E nana e vuante edhe këtë. Vuanin sidomos persekutimin e njerëzve të veshur me pushtet. Sa herë u vinte rasti. Vuante sidomos Mithati. Atë e vriste edhe keqardhja e dashamirëve, deri një ditë, që me vetëdije mbylli jetën e vet nën rrotat e një kamioni.
Historia njihte këso rastesh, por përgjithësisht nuk ishte marrë me botën shpirtërore të nanave që duhej të përballonin dhimbjen që vinte mbrapa. Pas pak vdiq edhe vetë. “Nuk vdiq. Ajo plasi”, – do të thoshte e bija. Dhe kishte të drejtë.
Marije Ndokëillia
(1919 – 1975)
Ajo mbeti që në moshë të njomë jetime. Ishte nga qyteti i Korçës dhe qe rritë në një familje klerikësh me tradita atdhetare e kulturore. Vuajtjet shpirtërore, që ishin aq të natyrshme me vdekjen e nanës së saj, ia fisnikëruan edhe ma shumë shpirtin. Qe shumë e urtë dhe e dashtur me njerëzit; shpirt njeriu siç thuhet.
Martohet me Pashuk Ndokëillinë nga Shkodra, që njihej për kulturën e thellë dhe sferën e gjanë të interesave, e që kishte mbetë i vejë me dy fëmijë, Antonetën 8 vjeçe e Ilian 5 vjeç. Marija, apo Rija, si e thirrte rrethi i ngushtë, u bë kështu njerka e këtyre dy fëmijëve të gjetur. Nuk ishte si ato njerkat e përrallave. Ajo u bë nana e dytë e vërtetë. Gjithë shpirtin e saj njerëzor, e derdhi te ata vogëlushë, që prisnin aq shumë nga ajo, duke e shikue me ata sy të zgjut e kërkues.
I deshi dhe e deshën. I hartoi dhe e hartuan, u soll si nana e tyre e vërtetë dhe ata e respektuan. Sakrifikoi për ta dhe ata e kujtojnë. Kjo ishte Rija. Ma shumë jetoi me Ilian, pasi Antoneta vazhdonte shkollën e ma vonë do të fillonte punën larg shtëpisë. Ndonëse tepër i ri, Ilia iu kushtua çështjes kombëtare. Si antifashist ai luftoi kundër tyre. Shumë herë shtëpia iu bastis e ishte ajo, Rija, që fshehte çdo gjë komprometuese. U shpëtoi fashistëve, por jo komunistëve.
Në janar 1945 arrestohet dhe i japin dënimin prej 15 vjetësh. U dënua kështu e gjithë familja. Të gjithë i ndjenë pasojat e egra të diktaturës së re, që i tregoi dhëmbët që në fillim.
Gjeografia e lëvizjes së të burgosurit përmban shumë emra kampesh, aq të ndigjuar për tmerret e jetueme (Shkodër – Maliq – Beden – Orman – Pojan – Peqin – Beden – Lekaj – Gocë – Lapardha – Vlashuk – Levan – Shtyllas…). Vende ku të burgosurit të kujtonin skllevërit e lashtësisë. Punë shumë e ushqim pak. Ishte dora e Rijes, si ajo e Zotit, që e shpëtoi Ilian. Ajo iu gjet pranë gjithmonë në çdo kamp, duke i dërguar ushqime për të mbajt trupin e zanin e ngrohtë të familjes, për t’ia mbajt moralin të naltë. E kudo ndodhur. Pa llogaritë vështirësitë, pa llogaritë fyerjet e oficerëve e të njerëzve të shitur për 30 aspra, që ia quanin djalin “armik i popullit”, pa llogaritë shëndetin e saj që sa vinte e binte. Pa i treguar kujt për këtë vuajtje. Gjithmonë me kurajë, gjithmonë me sy të qeshur, me dhimbjen e ndryeme thellë. Nuk qe veç Ilia që kishte nevojë për ndihmën e saj. Edhe e bija kishte nevojë për mbështetje, se, edhe pse me një fëmijë të porsalindur, e kishin transferuar në Krujë. Duhej mbajt edhe shtëpia, duhej të ishte edhe burrë, mbasi Pashukun ia kishin degdisë në thellësi të Pukës. Të gjitha këto u “rregjistruan” në shëndetin e saj, derisa një ditë u paralizua. Jo pak, por 12 vjet. Mandej teposhtja erdhi me vrull: në fillim i këpusin njërën këmbë, ma vonë edhe tjetrën. Në fund erdhi vdekja, duke krijuar një boshllëk në zemrat e njerëzve të saj, që mund të mbushej, sikurse ndodhi, veç me mirënjohjen e thellë të të gjithëve.
Rozë Çefa
(1900 – 1994)
“Në prehrin e nanave lindin kombet”, pat thanë dikur Napoleoni. Rozë Çefa përfaqëson ato nana shqiptare, që realizuan detyrat e tyre, plot zell e virtyt e në të njëjtën kohë, plot vuajtje e shqetësime të pambarim. U rrit në një familje atdhetare, ku buka nuk mungonte, por edhe ku luksi nuk njihej. Duke ndjekë shkollën pranë murgeshave stigmatine, asht një nga themelueset e Shoqnisë “Bijat e Zojës”. Ishte veç 14 vjeçe, kur, me shumë shoqe të saj, interpretoi në dramën “Prej robinje në liri”. Frymën atdhetare e interesat intelektuale ua mëkoi, së bashku me bukën, fëmijëve të vet. Gjatë luftës së ashtuquajturën nacionalçlirimtare, familjarisht u inkuadrua në krahun nacionalist, të përfaqësuar nga Balli Kombëtar.
Pasojat nuk vonuan të vijnë. Vitin 1949, djali i madh, Tishi, e kaloi nën torturat e hetuesve komunistë, por nuk u përkul. Nuk u përkul as ajo, ndonëse mori vesh për dënimin me 20 vjet. “Nuk e ka dënue Zoti, por robi, mos u mërzitni, se nuk ka me ndejë aq”, – u dha zemër fëmijëve të mërzitur. Vite të tana, mandej, gjithnjë e ma e moshueme, me strajca në dorë, brodhi rrugëve të Shqipnisë, duke u ndalë herë në një stacion e herë në një tjetër, aty ku e vuante dënimin i biri: Fier – Vlonë – Ura Vajgurore – Radostinë – Shegan (“O Zot, kush thotë se Shqipnia asht e vogël?”… ) – Vladushk – Kanali i Myzeqesë – Korçë – Bulqizë – Tiranë. E ku nuk shkoi, duke trokit në ato dyer të zeza prej hekuri …! Ishte e tmerrshme, të shkruaje atëherë në strajcë, krahas emrit e mbiemrit të të burgosurit, edhe fjalët “Armik i popullit” (Ndryshe nuk mund t’i binin në dorën e të birit ushqimet).
Ndodhte edhe të mos e takonte. Ashtu e lodhur, ishte e detyrueme të ndigjonte: “Nuk e ke këtu. Asht në birucë, se ka kundërshtue. “Ose: Asht në birucë e ndoshta edhe ka vdek”. Një ditë në Burgun e Tiranës i thanë: “E kanë transferua në Vlorë.” Niset e shkreta nanë, duke maskuar sa mundet ato fjalët e mallkueme “Armik i popullit” (edhe halli i shoferëve… ). Ma në fund mbërrin. “S’e ke këtu”- i thonë atje. Kthehet. Rrugës sheh një makinë me të burgosur.
Duket se dikush i bën me dorë. Merr vesh se po shkonin për në Bulqizë. Vrap për atje. Ec e ec, ashtu me sy ulur e me mendje te Zoti. As në Bulqizë nuk e gjen. Një polici, kur merr vesh peripecitë e saj, i vjen keq e i thotë: “Moj plakë, në Tiranë e ke. Aty kërkoje se të kanë rrejtë, mbasi nga Burgu i Tiranës nuk asht transferue kush.” Edhe një herë për atje, ku ma në fund e gjen. “A nuk ka vuajtë edhe Zoja për të Birin”? – do të tregonte ma vonë.
Kështu për 15 vjet, derisa i biri lirohet duke sjellë me vete sëmundjen e rëndë. Ishte Nanë Roza, që do të bënte çmos t’ia shëronte me fjalët e ngrohta, me optimizmin e lindur, me natyrën e qeshur. Ashtu e njohin të gjithë, sidomos komshitë. Fukarenjtë, që lypin, kurrë nuk i ktheu, por iu mbushi duart me çka iu ndodh. “Po ti moj Rozë, ke pak për vete”, – i thoshte ndokush. “Kush ka pak e falë, përgjigjej ajo, ka meritë ma shumë.” Njëzet vitet e fundit, nga vuajtjet e gjata, mbeti e paralizuar. E mbasi pa edhe një herë çeljen e kishave dhe ardhjen e demokracisë, mbylli sytë e kënaqur, mbasi të gjitha detyrat i kishte krye, ashtu si edhe qe mësuar qysh e vogël…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016