Hasan Minga
Hilmi Saqe
Memorie.al/Çështja çame lindi si problem i mprehtë në marrëdhëniet në mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë që me Kongresin e Berlinit, më 1878 u përligj mbas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër 1913, ku Çamëria dhe vende të tjera të Shqipërisë u shkëputën me pa të drejtë, duke kënaqur me aneksimet e tyre, shtetet fqinje. Që nga viti 1913, Çamëria është e pushtuar nga Greqia. Marrja e krahinës së Çamërisë, kësaj barriere për Greqinë, i hapi dyert pretendimeve absurde të shovinizmit grek për të marrë hapësira të tjera shqiptare.
Çështja çame është një tragjedi kombëtare jo vetëm në njerëz, por edhe në territore. Tragjedia çame është një padrejtësi që kërkon zgjidhej. Në skajin më jugor të Shqipërisë së sotme shtrihet krahina shqiptare e Çamërisë ose siç quhet sot pjesërisht nga administrata greke, Thesproti. Ajo shtrihet në pjesën më jugore të trevave etnike të Epirit të Jugut të banuara prej shqiptarëve që nga antikiteti (nga koha Pellazgjike-ilire), e deri sot. Ajo përbëhet nga një popull e vazhdimësi territori. Këtë e dëshmojnë autorë të lashtësisë, enciklopedia e madhe greke si dhe shumë autoritete shkencore botërore. Këtë e vërteton prezenca e gjallë, faktori njeri, shqiptarët në gjuhë, kultura dhe tradita.
Popullsia e Çamërisë ka qenë homogjene, shqiptare 99 % në qytete dhe 100 % në fshatra. Historikisht përkatësia fetare e krahinës së Çamërisë ka kaluar një proces të gjatë ndryshimesh të diktuara nga rrethana të caktuara historike. Nga paganizmi në lashtësi, në katolicizëm në shekujt e parë të erës së re dhe deri në shekullin e 13-14-të (prezencën e besimit katolik në Çamëri e dëshmojnë emrat e shqiptarëve në atë kohë, sidomos princërve të saj, si Pjetër Losha, Gjin Bue Shpata etj., si dhe emrat Gjin, Gjon, Marka, Lek, Pal etj.). Në këtë periudhë (shekulli i 13-14-të), si rezultat i dyndjeve bizantine në krahinën e Epirit (invazionet greko-serbe), kjo krahinë kaloi në ortodoksizëm. Deri në shekullin e 17-të dhe fillim shekullin e 19-të, popullsia e kësaj krahine ishte e besimit ortodoks. Mbas kësaj periudhe filloi procesi i islamizimit të shqiptarëve. Si rezultat i këtij procesi, sipas të dhënave statistikore të administratës turke, 50 % e popullsisë shqiptare u kthye në besimin islam dhe 50 % ruajtën besimin ortodoks. Rreth këtyre shifrave, në dëm të etnisë shqiptare është spekuluar deri më sot. Regjistrimi i vitit 1910 i administratës së turqve të rinj, dëshmon se në këtë krahinë jetojnë 83.898 shqiptarë myslimanë dhe ortodoksë. Ndërsa vjetari statistikor i qeverisë greke të vitit 1930, shënon se në Çamëri banojnë vetëm 26.000 shqiptarë, duke mos përmendur shqiptarët ortodoksë të cilët i konsiderojnë grekë.
Si rezultat i spastrimeve etnike (gjenocidit), që u bë në vitin 1944-‘45 në krahinën e Çamërisë u dëbuan me dhunë 25.000 shqiptarë myslimanë, të cilët gjetën strehë në Republikën e Shqipërisë, ku jetojnë edhe sot. Kjo popullsi sot kap shifrën e 250-300.000 vetë. (regjistrimi i vitit 1991), shifër kjo që shpjegohet me natalitetin e lartë të kësaj popullate mbas gjenocidit. Ndërkohë që në Çamëri (Thesproti, Greqi), komuniteti autokton i shqiptarëve të besimit ortodoks , kap shifrën e 250.000-300.000. Ky komunitet sot nuk guxon të vet deklarojë identitetin e vet, si rezultat i politikës mohuese e asimiluese që ndjekin qarqet greke ndaj prezencës së etnive të tjera në territorin grek.
Një hartë demografike e misionit anglez në Londër, ku theksohet se në Çamëri në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, 75 % e popullsisë ishte shqiptare, është një dëshmi autentike e burimeve serioze perëndimore për prezencën shqiptare në këto zona. Dëshmi e pakontestueshme për prezencën e shqiptarëve ortodoksë sot në Çamëri (Greqi), është gjaku dhe lidhjet e hershme fisnore që kanë me ta çamët myslimanë, sado që të përpiqen ta mohojnë këtë qarqet greke. Me vendimi të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, kjo krahinë i’u shkëput trungut amë dhe i’u aneksua shtetit grek. Me gjithë rezistencën dhe kundërshtitë e veta historike, popullsia autoktone e Çamërisë ju nënshtrua fatit tragjik të saj, duke u konsideruar si minoritet etnik shqiptar në Greqi. Fati i minoritetit shqiptar të Çamërisë përbën një tragjedi jo vetëm në territore por edhe në njerëz.
Politika dhe qëndrimi zyrtar grek ndaj minoritetit etnik shqiptar në Çamëri
Mbas aneksimit të Çamërisë më 1913 e deri më sot, popullsia e saj gjatë këtyre viteve nën sundimin e shtetit grek, nuk ka gëzuar asnjë të drejtë njerëzore e kombëtare që i takon. Qarqet zyrtare greke, mbështetur në konceptimin absurd të mohimit të ekzistencës së grupeve etnike në territorin e vet, kanë ndjekur një politikë shovene të detajuar në dy drejtime.
- Ndaj shqiptarëve të besimit ortodoks, politikën e asimilimit, duke i privuar çdo të drejtë etnie, kulturore apo gjuhësore, duke i konsideruar grekë, pra, ngatërronin me qëllim fenë me kombësinë. Veprimet që e bëjnë edhe sot ndaj shqiptarëve, duke pretenduar se të gjithë ortodoksët janë grekë.
- Ndaj shqiptarëve të besimit islam aplikuan politikën e gjenocidit dhe shfarosjes duke mohuar gjithashtu etninë. Në shumë raste me qëllim i kanë konsideruar turko-çam dhe jo shqiptaro-çam. Kjo tragjedi e projektuar afro një shekull më parë, nga Greqia ja arriti qëllimit në fund të Luftës së Dytë Botërore më 1944-‘45, kur bandat kriminale të gjeneralit famëkeq Napolon Zerva, realizuan spastrimin e plotë etnik të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë.
Gjenocidi grek në Çamëri
Për të realizuar synimet e veta grabitqare, qarqet zyrtare greke asnjëherë nuk respektuan popullatën shqiptare të Çamërisë, duke u treguar mosmirënjohës ndaj ndihmesës së vyer historike që ky popull dhe kjo krahinë i kanë dhënë historikisht në shekuj për popullin grek.
- Së pari, fill mbas aneksimit ajo nënshtroi me dhunë popullatën e pafajshme shqiptare duke vrarë me pabesi 72 burra nga paraja e kësaj krahine më 1913, ne vendin e quajtur Selan, Paramithi (Ajdonat), të cilët kishin shkuar për bisedime me palën greke, si dhe dhjetëra e dhjetëra njerëz të tjerë të pafajshëm. Për të ndaluar persekutimet e qeverisë greke kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë, më 8 qershor 1913, patriotët çamë në një protestë drejtuar qarqeve evropiane, kërkuan që të ndalen masakrat dhe persekutimet ndaj tyre.
- Së dyti, “ajo që tmerroi çamët si veprim vdekjeprurës ishte përpjekja satanike e qeverisë greke më 1923-‘24, për të përfshirë edhe çamët myslimanë midis turqve myslimanë që banonin në Greqi, të cilët si mbas marrëveshjes së Lozanës, janar 1923, midis Turqisë dhe Greqisë, do të shkëmbeheshin me grekët e Anadollit”. Qeveria greke, duke shkelur në mënyrë flagrante këtë marrëveshje, nuk ju përmbajt deklaratës së përfaqësuesit të saj në Lozanë, Kaklamanos, më 19 janar 1923, ku deklaroi se: qeveria e tij nuk kishte aspak ndërmend të fuste në shkëmbim “myslimanët me origjinë shqiptare”. “ndërsa janë bashkëluftëtarë me turqit, nuk janë aspak bashkëkombës të tyre”.
Komisioni greko-turk (mars 1924), vendosi kundrejt popullsisë shqiptare të Çamërisë, një realitet etnik dhe historik që njihej edhe nga pala greke, të mos zbatoheshin as njëlloj procedurash apo formalitetesh në kuadrin e shkëmbimit të popullsisë greko-turke. Në kundërshtim me realitetin historik dhe marrëveshjet e arritura, qarqet zyrtare greke detyruan me forcë këmbimin (si skllevërit zezakë të mesjetës), të çamëve, që arrinin në disa dhjetëra mijra vetë duke realizuar në atë kohë një pjesë të planit të hartuar për një spastrim etnik në “minoritet” autokton në trojet e veta.
- Së treti, me ardhjen në fuqi të qeverisë fashiste të Joani Metaksait më 1930, gjendja e popullsisë shqiptare të Çamërisë u rëndua edhe më shumë. Kjo qeveri, zbatoi një politikë të diskriminimi të paparë. Vazhdoi kolonizimin me grekë me qëllim ndryshimin e raporteve të popullsisë. Ndërrimin e emrave shqip të vendbanimeve të shqiptarëve, me emra grekë. Aplikoi një gjenocid të vërtetë: arrestime, internime,m konfiskime të pasurisë. Ky program thellohej hap pas hapi, duke e bërë jetën e shqiptarëve të padurueshme.
- Së katërti, gjendja në Çamëri u bë më e turbullt dhe më e rëndë sidomos në prag të Luftës së Dytë Botërore. Në prag të pushtimit të Greqisë nga Italia fashiste, qeveria greke bëri mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë për luftë. Shqiptarët e Çamërisë si mbështetës të këtij shteti kërkuan të mobilizohen, por në vend të armëve, i’u dhanë kazma dhe lopata, duke i çuar në prapavija për të bërë punime të dorës së dytë. Qeveria greke, me këtë veprim mosbesimi të demonstruar hapur, ofendoi rëndë gatishmërinë e çamëve dhe i distancoi ata nga detyrat qytetare me qëllim të paramenduar, për t’i akuzuar më vonë çamët myslimanë si bashkëpunëtorë me pushtuesin.
- Së pesti, në prag dhe me fillimin e luftës Italo-Greke, nga frika për çka kishin bërë ndaj popullsisë së pambrojtur, duke u bërë pre e vrasjeve, grabitjeve, përdhunimeve nga bandat kriminale greke. Me pushtimin e Greqisë kur u kthyen nga internimi, çamët me shpirtin e tyre të durueshëm, për të mos acaruar dhe mos e thelluar mynxyrën që po u kanosej, nuk ndërmorën asnjë veprim hakmarrjeje, por zgjodhën rrugën e pajtimit. Këtë e dëshmojnë vetë historianët seriozë, grekë të ndershëm dhe qytetarët e tjerë të kësaj krahine.
Gjenocidi i pashembullt dhe dëbimi me dhunë i shqiptarëve etnikë (myslimanë) nga vendbanimet historike
Më 27 qershor të vitit 1944, në krahinën e Çamërisë, ndaj popullatës shqiptare myslimane, filloi akti i fundit i gjenocidit, që çoi në spastrimin etnik të kësaj popullate martire. Bandat kriminale të shovinizmit grek derdhën mbi këtë krahinë mizoritë më të pashembullta të njerizimit. Barbarizmat ndaj kësaj popullatë të pafajshme kalojnë çdo cak njerëzor. Vrasje, përdhunime, groposjet për së gjalli, prerjet e organeve të ndryshme trupore si hundë, vesh, organe gjenitale etj, grave me gji të prera e të masakruara, fëmijë të djegur në furra, gra shtatë-zana me bark të çarë, janë pamjet e tmerrshme të krimeve zerviste.
Në qytetin e Paramithisë, ditën e martë më 27 qershor 1944, që është dita e “Shën-Bartolomeut”, për të gjithë Çamërinë, brenda 24 orëve u vranë mbi 600 burra, gra e fëmijë. Në Filat, gjatë periudhës qershor 1944-mars 1945, u masakruan dhe u vranë 1286 persona, në Gumenicë u vranë 192, në Margëlliç e Pargë 626 persona etj. Ka me qindra të tjerë të paidentifikuar e të zhdukur pa lënë gjurmë. Janë grabitur të gjitha llojet e orendive shtëpiake në masë (fshatrat e Çamërisë kanë qenë të njohura për pajiset e shtëpive) etj.
U shkatërruan 68 fshatra; u dogjën dhe u rrënuan 5800 shtëpi; u shkatërruan të gjitha objektet e kultit si dhe u grabitën pasuritë, pronat e këtyre kulteve (mbi 80 xhami). Terrori ishte i përmasave të tilla, sa që popullsia shqiptare myslimane u detyrua të braktisë trojet e të parëve të tyre mijëravjeçare, duke gjetur strehë në Republikën e Shqipërisë. Përmasat e kësaj tragjedie dhe qëllimin e saj e dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme edhe misionet anglo-amerikane, që vepronin në atë kohë një Greqi dhe një Shqipëri.
Përpjekja për ta ndërkombëtarizuar çështjen çame
Mbas dëbimit të dhunshëm, emigrant çamë që rezultonin me nënshtetësi greke e kombësi shqiptare, u organizuan menjëherë në Shqipëri nën drejtimin Komitetit Antifashist Çam, sensibilizuan organizmat e ndryshme ndërkombëtare si dhe shtetin amë, lidhur me tragjedinë dhe kërkesat e tyre të ligjshme. Qeveria e re shqiptare pas luftës i’u drejtua Konferencës së Paqes në Paris dhe Konferencës së Ministrave të Jashtëm të Fuqive Aleate, jo vetëm duke pasqyruar gjendjen rrëqethëse të çamëve, por edhe duke kërkuar kthimin dhe ri pronësimin e tyre. Dhe kjo ishte drejta e tyre e ligjshme që mbrohej edhe nga vendimet e atëhershme ndërkombëtare për të drejtat e pakicave kombëtare.
Tabloja e mjerimit të çamëve dhe kërkesat e tyre u parashtruan edhe në Konferencën e Parisit (1946), prej Ministrisë së Jashtme Shqiptare. Përpjekjet më të mëdha për ta ndërkombëtarizuar problemin dhe për të tërhequr përkrahjen e Fuqive Aleate, i bëri Komiteti Antifashist Çam, si përfaqësuesi më i drejt për drejt i popullit. Janë të shumta memorandumet dhe telegramet e protestës që u ka dërguar Fuqive Aleate dhe forumeve përkatëse, si Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Londër, Uashington e Moskë. Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut etj./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016