Nga Leonora Laçi
Prokurori përsëriti akt-akuzën.
Memorie.al /U pyet i pandehuri, Dom Ndoc Sahatçija dhe tha: Pjesërisht, akuza asht e vërtetë dhe pjesërisht jo. Unë ç’kam ditë dhe ç’kam ba, i kam thanur në proçes dhe jam dakort me të. Unë kam mbaruar Theollogjin e Fillozofin qysh në vjetin 1932, në Shkoll të Jezuitve dhe profesor kemi pasur Valentinin, Andreinin, Padër Gjadrin, Petris, Bekali dhe Padër Faustin e të tjerë, dhe ma te shumtën kan qenë të huaj dhe ndodheshin me mision për edukatën t’onë, me përgatit Klerin Katolik, sidomos neve xhakojve.
Këta si Italian, punonin edhe në ketë drejtim, në favor t’Italis, dhe gjuhë në shkollë kishim Italishten. Në shkollë, kemi bërë hartime, krejt me fryme fashiste, si; “La Nuova Italija”, dhe një tjetër, mbasi Kolegji ynë, konsideroheshin si një shkollë Italiane.
Tash me kujtohet se, thema e dytë, ka qenë fluturimi i depidevos dhe tregonte heroizmin fashist. Kolegji i jonë, merrte subvencione nga Roma dhe nga Ipeshkvija dhe Vatikani dhe prej bamirësve. Italia e jepte ketë ndihmë, për politikën e vet. Me parë, Kleri subvencionoheshin prej Austrisë, por kur u shkatërrua Austria, Kleri u lidhë me Italinë për t’a pas një mbështetje ekonomike, dhe Kleri donte me pasë influencën Italiane, dhe në kohë të Zogut, filloj aktivitet në favor të përgatitjes terrenit për ardhjen e fashizmit.
Nga Papa, ka pas ardh enciklika dhe fliste për komunizmin ateist dhe e quante si një rrenim për familje dhe thoshte se ky; ekziston në Rusi dhe është kundra Zotit, dhe pas mendimit t’em, mbasi e kisha këndua edhe rivistat, më dukeshe e vërtetë, si sistem shoqëror, nuk kish të drejtë, me e çue zanin, por ishte jashtë kompetencës, por si fetar, e ngritëm zanin, mbas urdhrit të Papës.
Neve kemi qenë të influencuar prej enciklikes të Papës. Në Rusi, klasat e ulëta, e donin ketë regjim dhe provën ma të madhe, Rusia e ka dhenë në luftën kundra fashizmit, Italian e Gjerman dhe propaganda që bëhej kundra sajë, nuk ish e vërtetë. Papa, mundohesh të shuante komunizmin në botë, por kondra fashizmit, nuk ishte, sa do që ishin dy sisteme shoqërore, por Papa, me fashizmin, ishte lidhur dhe luftonte komunizmin, me gjithë që Papa duhet t’ishte në klasën e ulët. Kleri, ka bërë predikime në këtë drejtim dhe Kleri rronte mirë, kurse populli vuante.
Unë jam bërë prift, në kohë të Zogut. Neve në Lezhe, pas çlirimit’ s’kemi bë gjë në favor të këtij Pushtetit, por kemi ndjekur rrugën t’onë, me luftue Pushtetin. Para ardhjes së fashizmit, enciklika ka ardhur Ipeshkevis (delegatit apostolik), dhe Ipeshkv, ka qenë Monsinjor Bumçi dhe Monsinjor Gjini, ka qenë zëvendës dhe Prendushi, dhe kjo u ka ardhë të gjitha Ipeshkvijve, mbasi u shtyn dhe u përkthye dhe u nda në pjesë. Kur është bërë ngjarja e 9 shtatorit, kam ndodhur në Troshan dhe atje e morra vesht. Veprimtarin t’ime, s’e konsideroj kurrë tradhti.
Ju kënduan thënjet që ka bëre në Seksjon dhe i vërtetoj.
U pyet i pandehuri, Monsinjor Frano Gjini dhe tha: Akuza ka disa të tepërme, por ka dhe disa që i kena ba. S’e kam marrë para, është e vërtete, se kam punuar për fashizmin, jo. Para çlirimit, nuk kam punuar për pregatitjen e terrenit për ardhjen e fashizmit.
Universitetin e Theollogjis, e kam mbaruar në Shkodër sot 20 vjet dhe kam qenë me shërbim në Kurbin, Derven, Durrës, Shene-premte, Perlat dhe qysh prej vitit 1930, jam Ipeshkvi i Mirditës. Regjentit Delegatit Apostolik, jam emëruar në Nëntor të vjetit 1945. Miqësi personale, me Zogun, nuk kam pasë, por kam vajtur dhe jam njohur, për të ndihmuar popullin e Mirditës dhe me ka dhënë, 150.000 kuintal bereqet.
Subvencion nga Austria kemi marr, pastaj u shkëputem mbasi humbi luftën dhe u lidhëm me Italinë. Për ardhjen e Italisë, nuk kam ditë gjë, as qe kam punuar. Kur kam qenë në Orosh, në vjetin 1936, kan ardhë turista Gjerman dhe kur i kam pyetur në se ishin nazista, ato më thanë se po dhe unë kisha inat kundra tyre. Ardhjen e fashizmit, e kam marrë vesh me 5 prill 1939, por më parë nuk e dinja.
Me datën 6 prill, në kish u kam thanë se kush tradhton Atdheun, tradhton vedin. Ditën që erdhi Italia, isha në Shkodër. Melonin e kam njohur gjith’ashtu dhe Rrokun dhe Jakomonin. Me Melonin, jam njohur qysh në vjetin 1920, në Durrës, por, nuk kam pas lidhje politike me të. Enciklika e Papës, ka ardhë në vjetin 1936 dhe Ipeshkëv ka qenë Thaçi.
Unë varesha nga delegati Apostolik, Sinjor Donati dhe ma dërgoj për t’a punuar në masë Enciklikën, por unë nuk urdhërova t’a punonin, se atje nuk njihesh fare komunizmi. Marksizmi, nuk njeh gjë tjetër, përveç çar shef e prek me dorë, zot e fe nuk njeh. Ne luftojmë ateizmin. Kur kam qenë në Tiranë, jam takuar me nji Ministër Amerikan, me të cilin isha njohur nga Monsinjor Thaçi dhe kjo ka ngja në kohën e Zogut.
Nuk asht e vërtetë që të kem qenë agjent i Zogut dhe i Jukës. Unë, merrja 10.000 lireta për vedi e 18.600, për famullitar dhe i ndanja si mbas rendësis famullis. Këto pare, m’i jepnin për të simpatizuar për të, por i urreja. Klerik si Dom Lazer Shantoja, dhe Bernardin Palaj, kan simpatizuar Italianët. Klerikal Italianë, kanë ardhë për seminare dhe dikush fliste për Italinë e, dikush jo, por un s’dij me hollësi, mbasi kam qenë jashtë Shkodrës.
Enciklika në Mirditë, nuk asht punuar. Organizata fetare këtu, janë formuar rrethi Kathedrat, ‘Dombocho’, ‘Antoniane’, por këto u kthyen ne organizata politike. Si përgjegjës, ka qenë Monsinjor Thaçi dhe gjatë kohës fashizmit, nuk kam dhënë asnjë kontribut, në favor të tyre. Dhe popullit i kam treguar se; s’jam i kënaqur dhe s’kam punuar, për fashizmin, as për Ball as për Legatitet. Nuk kam pasur lidhje me Mark Gjon Markun dhe as me njeri tjetër.
Gjatë okupacionit Italian, kemi bërë mbledhje në Arqipeshkvi dhe Thaçi tha; të bënim telegram dhe e dërguam dhe nji delegacion në Tiranë, për t’i shfaqur urimet Luogotences dhe në ketë komision, ishe dhe unë. Kjo ka ngjarë, mbas 22 ditësh që kish hyrë Italia. Në Komision, kanë qenë personat që shënohen në procesin hetimor. Kemi bëre edhe mbledhje të tjera, por vendime politike, nuk kemi marrë. Padër Fausti, tha të dorëzonim Administratën, shqiptarëve të Seminarit dhe e muerri Padër Karma.
Kur kam qenë në Orosh, kan ardhë oficerë Italian, por nuk u kam dhenë informata, por i kam mbajt për bujtje e për me ngrënë dhe ata më kan folur mbi pasurit e Mirditës, mbi tok e nëntokë. Unë shpirtërisht, i urreja Italinë fashiste. Italia më ka dhenë dekoratën e ‘Urdhrit të Skënderbeut’ dhe ketë, u ja jepte atyre që donte të bënte për vete, dhe ketë radhë u dekorue dhe Thaçi e Volaj.
Kapitullimin e Italisë, nuk e pritëm me keqardhje, por ardhjen e Italisë e Gjermanisë, e pritem keq. Kleri, si mbas mendimit t’em, s’ka punuar me Gjermanët. Padër Antoni bashkëpunonte me okupatorë, gjith’ashtu edhe Shestani e të tjerë. Pader Antoni, emëroi Thaçin regjent, se ai ja dha pëlqimin-dhe në ketë mbledhje, kemi qen dhe neve Provinçialët dhe Delegati Apostolik, por unë, kam kundërshtue. Me 6 gusht ‘44 kemi bërë një mbledhje në Ipeshkvi, por jo për punë politike. Unë, s’kam qen i lidhur me Gjermanët, as me Anglezët.
Nji Kolonel Inglez, i varruem në dorë, ka pas ardhë në qelë dhe e kish prit prifti, se unë isha në Lezhë dhe i kish thënë për zbarkimin e Anglo-Amerikanëve në Francë, por jo për në Shqipëri. Kur u dogj shtëpia e Gjon Marka Gjonit, ika gjashtë dit dhe pastaj u ktheva. Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, për nxjerrjen e okupacionit jashtë, me pëlqeu, por e dija se brenda kish edhe komunistë dhe si doktrinë, e urreja komunizmin, si ateist.
Në Orosh, kam qëndruar deri në dhjetor të vitit 1945, kur atëherë u bëra, Regjent Delegat Apostolik. Thaçi vdiq me 26/5/1946 dhe unë atëherë, isha Regjent Delegat Apostolik. Organizatën Demokristiane, e kam ndier me anë te Radios, por unë nuk kam bërë mbledhje për Demokristianen, mbasi unë s’dij gjë fare. Nuk kam krijuar Komitete e, N/Komitete të Demokristianes.
Në Rubik, kam shkuar 3 herë. Në mbarim të Frorit 1946 dhe me 29 Maj 1946, dhe më 27 Gusht 1946, ka qenë dhe Bernardin Palaj e Gurashi, por bisedime politike, nuk kemi bërë. Zef Haxhin, nuk e njohë. Në lidhje me çështje politike, kam biseduar me Gurashin, tue e than unë, fjalën dhe i kam thënë për disa fshatar e punëtor qe pse punojnë ditën e djelë dhe ai me tha se janë fukara. Për zbarkim të Anglo-Amerikanëve, kemi fol mbasi më ka pyetur, por me kriminelë, jo.
Ballafaqim kam bërë, por s’jan të vërteta. Preng Lezajn, e kam pas në Famulli dhe mbas këtij, kam pas Gjon Hotin. Ato që thotë Preng Lezaj, nuk janë të vërteta dhe ky është kundërshtar i yni. Mbledhje, nuk kemi bërë kundra Pushtetit. Në vjetin 1946, kam kërkuar vetzëvendesimin t’em, nga Vatikani, se s’isha për ketë punë, se nuk më ka pranuar Pushteti, këtë kërkesë, i’a kam paraqitur vetëm Vatikanit dhe jo Anglo-Amerikanëve. U kam shkruar famullitarëve, që të mos përzihen në politik.
Në Kallmet, ka ardhur Dulo Rrjolli dhe kanë qenë famullitar dhe u kam thënë të mos marrin pjesë në punë të Pushtetit, pa lejen t’eme. Për “Bashkimin Shqiptar”, s’kam dijeni. Nuk di gjë për Komitetet e Demokristianes, as për Komitetin e Përbashkët. Unë kam mallkuar një katundar, se kish zbatuar tokën e kishës.
Prenk Lezaj, ka qëndruar 15 dit dhe takim me t’arratisurit, nuk kam pas. Nuk kam punuar për kundra Pushtetit, as kam përmend zbarkimin e Anglo-Amerkianve. Për votimet e 2 Dhjetorit, kam thënë atje ku është populli e, jam edhe unë, po vet, nuk kam votuar. Ngjarjen e 9 Shtatorit, nuk di gjë.
I pandehuri, Ndoc Sahatçija, tha: Prenk Lezaj, më ka thënë se; është takuar me t’arratisur dhe kishin bërë mbledhje në Mal t’Oroshit. I pandehuri tha: unë s’dij gjë, as kam marrë pjes. Padër Karma, me ka thanë; a don me qit xhakoj për verë dhe i kam thanë; mbaji aty. Frrok Dedën, nga Fani, e kam pasur shërbëtor. Dom Markun, nuk e kam çuar gjëkundi. Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoj.
Ju kënduan ballafaqimet dhe i mohoj. U pyet i pandehuri, Dom Tom Laca dhe tha: Unë s’jam përzier kurrë me politik. Organizatën Demokristiane, se pari e kam ndier, kur është bërë gjyqi. Fakultetin e Theollogjis, e kam mbaruar në Romë. Me qeverinë e Zogut, s’kam pas bashkëpunim. Melonin, e kam parë për së largut. Un subvencion, kam marrë 20 a 22 napolona në vjet dhe më parë ketë subvencion, e merrnin nga Austria dhe pastaj nga Italia. Unë di se Bernrdin Palaj dhe te tjerë, kanë punuar për Italinë.
Unë s’kam punuar për fashizmin dhe për gjermanët. Për Klerin, nuk di gjë. Unë, kur ka takuar rasti, kam ndihmuar Lëvizjen e Nacional-Çlirimtares, si Gac Mazin, e të tjerë. Shoqëritë ‘Antoniane’ e të tjera, kan qenë fetare, për ndonjë njeri prej këtyre, ka punuar për punë politike, por unë vet, jo. Unë kam qenë sekretar i Arqipeshvit dhe në vitin 1945, kam shkuar në famulli dhe kur ka renë Musolini, jam ndodhë në Katundin Trush dhe kur jam kthyer, me kanë thënë se është bërë një mbledhje n’Arqipeshkvi, ku kishin marr pjesë, Thaci dhe disa civilë.
Ditën dhe orën e sipërme, trupi gjykues, u formua si më parë duke qenë gati Prokurori, Kapiten Namik Qemali dhe Sekretari Shaban Dautaj. U suellën të pandehurit nga burgu.
Prokurori bëri pretencën me shkrim, dhe përfundimisht, kërkoj që të pandehurit, të cilësohen fajtor, si mbas nenit 2 dhe 3, të pikës 1,2,7,8,14, të Ligjës Nr.372 dhe në baze të nenit 4, po të kësaj Ligje, kërkoj dënimin e të pandehurve, si vijon:
Për Monsinjor Frano Gjinin, Dom Nikoll Dedën, Padër Mati Prendushin dhe Dom Tom Lacën, me vdekje.
Për Padër Gjon Karmën, me 20 vjet privim lirie e, punë e detyruar.
Për Dom Ndoc Sahatçin, me 15 vjet privim lirie e, punë te detyruar.
Për Padër Mhill Miraj, me 10 vjet privim lirie e pune e detyruar.
Për të pandehurin Zef Haxhin dhe Dom Nikoll Shelqetin, me nga 5 vjet privim lirie e punë te detyruar.
Për të pandehurin Zef Pllumbin, me 3 vjet privim lirie e, pune të detyruar.
U pyetën të pandehurit, për herë të fundit, me radhë:
I pandehuri, Padër Mhill Miraj, tha: Unë e kam thënë në proces. Vendimit i rri, por kam ndihmuar partizanët Jugosllav e, Shqiptarë dhe për shumë raste të tjera, kam dhenë ndihma njerëzve të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, tjetër nuk kam për të thënë.
I pandehuri, Dom Nikoll Shelqeti, tha: Para perëndisë e robit, nuk jam për një dënim të tillë, se s’kam bë gjë, por përkundrazi njerëzve të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, i kam udhëheq e ndihmue dhe kam predikue, në favor të qeverisë.
I pandehuri, Zef Pllumbi, tha: Njato shkrime qe kam bë por jo për propagande dhe nuk kam sjellë dëm as pushtetit dhe lyp mëshirë.
I pandehuri, Zef Haxhija, tha: Më vjen shumë keq, të pësoj një të vogël dënim, për një akuzë të Demokristianes, që unë nuk kam qenë, por vetëm viktim, e Gjergj Volajt, por nuk kam pasë pjesë, prandaj kërkoj, pafajësinë.
I pandehuri, Dom Ndoc Sahatçija tha: Vendimi i drejtë dhe i lehtë, se ndoshta është marrë parasysh edhe sinqeriteti im, para gjyqit, por shumë partizan, si Ndoc Mazi e Gjylbegu, kanë pasë bazat tek mua, dhe mbas çlirimit, kam inkurajuar punët vullnetare e parimet e sistemit të ti, me gjithë se neve, kemi bërë edhe agjitacion, të kundërt. Kam ofrue Oficerave të Lëvizjes, strehim e ushqim e, pritje, lutem mëshirë dhe lehtësim, me qenë e mundur.
I pandehuri, Padër Gjon Karma tha: Sikurse kam dëftue edhe në proces dhe para gjyqit, nuk di se kam bë veprim kundra Pushtetit. Kur më ka rënë rasti, për të folur për pushtet, kam folur në favor (kam predikuar për të). Nuk kam sabotuar reformat, por, përkundrazi, e kam këshillue popullin, të shikojë punën e vet. Thesh gjyqi, roftë e qoftë, vendimit duhet me i ndejnë.
I pandehuri, Dom Tom Laca tha: Unë s’jam përzier kurrë në politikë. Unë jam tepër i trembur, që të kem qenë në Demokristiane. Unë, së pari e kam ndier atë emër, kur u bë gjyqi. Unë s’kam bë gjë, kundra Shtetit e Popullit. Kur më ka rënë rasti, kemi ndihmuar njerëzit e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Unë, s’kam ditur kurgja, për Komitet, se nuk kam pasë as prirje dhe ky ndëshkim, është i tepërt, lyp mëshirë.
I pandehuri, Dom Nikoll Deda, tha: Më duket mue ndëshkimi Prokurorit, i rëndë, se përveç mbledhjes rastësisht, me Pjetër Deda e Cin Serreqi, tjetër s’kam ba, por siç thashë, këto kanë qenë të rastit. Subvensionet i kam marrë, me titullin “Ndihmë Kultit”. Pregatitja e terrenit, për ardhjen e Italisë, nga unë ose nga Kleri, nuk është e vërtetë, as për fashitizimin e popullit.
Unë, kam shkue tek Jakomoni, e të tjerë, me lyp ndihma, për ngritjen e Kishës. Nuk kam qenë i lidhur me Gjermaninë, por kam dhenë bukë, edhe njerëzve të lëvizjes Nacional-Çlirimtares, por edhe gjermanëve, për hospitalitet, si shqiptar. Unë, nuk e konsideroj veten fajtor. Rroftë Shqipëria. Me dashtë Zotin, me gjithçka dhe shoqin, si vedin.
I pandehuri, Padër Mati Prendushi, tha: Unë, nuk kam pas dijeni për Partin Demokristiane. Sa për kundra pushtetit, jam krejt i bindur se; s’kam bëre asgjë, por për ndihma, kam dhënë njerëzve të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, dhe i kam strehue, si; Injac Ndojën e Çesk Kabashin, i kam mbajt një muaj ne Kuvend, po të isha kundra, nuk e çaja kokën kurrë. Nuk kam dhëne asnjë direktivë, ose udhëzim, kundra Pushtetit, po të dal një, jam gati. E ndiej veten të pafajshëm. Roftë Shqipëria e Shqiptarët. Dhe në deksha unë, nuk prish punë. E di se jam i pafajshëm.
I pandehuri, Monsinjor Frano Gjini tha: Dëshmia e Preng Lezajt, është fallco, se nuk është e vërtetë. Nuk është e vërtetë edhe ajo e Padër Gurashit, që t’i kem thënë unë, me bë sabotime në punëtori, por vetëm i kam thënë se; pse punojnë të Dielat, që është dite feste?! Për Demokristianen, nuk di gjë për të, as për program, as që kam qenë pjesëtar i saj. Sa për ndihmën e luftës Nacional-Çlirimtares, është e vërtetë se nuk kam ndihmue, se kam pasë mbi krye Gjon Markagjonin.
Mbas çlirimit, kam strehue edhe ushqyer tre Batalione Ushtarë, të Luftës Nacional-Çlirimtare, përveç ekipeve të ndryshme. Nuk kuptoj kërkesën e Prokurorit, sikurse kam kenë krejt organizator. Sa për Dom Sahatçin, që thotë për mue, ky thotë kot. Katundarin, e kam mallkuar në baze të Statutit Kishtar, se kishte marrë tokën e Kishës, dhe kur është bërë ligja, nuk kam folur, por i kam denoncuar të gjitha edhe ullinjtë. Nuk kam sabotuar Pushtetin. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016