Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes Bejleri, me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës, ku i pari saj, Tasim Bejleri, pasi ishte diplomuar për Ekonomi në Stamboll, i’u përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit në nëntorin e 1912-ës dhe u kthye në atdhe duke shërbyer si përgjegjës i Financave në Prefekturën e Gjirokastrës etj. Angazhimi i të pesë fëmijëve e Tasim Bejlerit në Lëvizjen Antifashiste në qytetin e Shkodrës, shtëpia e tyre në lagjen Zdrale, u bë një nga bazat më të fuqishme të komunistëve në atë qytet, ku si rezultat, tre vëllezërit dhe dy motrat Bejleri, u arrestuan nga gjermanët dhe njëri prej tyre, Agimi, u internua në kampin e Prishtinës. Dëshmia e Teuta Bejlerit, për fatin e familjes së tyre në regjimin komunist të Enver Hoxhës, ku ndërsa ajo me motrën dhe dy vëllezërit, Fatriun e Agimin, u shkolluan dhe u rregulluan në punë të mira, vëllai i madh i tyre, Isai, u arrestua në vitin 1958 dhe u dënua me 16 vite burg politik, pas një procesi të montuar të Sigurimit të Shtetit dhe fati i tij tragjik, pas daljes nga burgu, ku vdiq në mjerim i braktisur nga të gjithë.
Babai i Isait, me Ismail Qemalin
Sipas dëshmive të Teuta Bejleri Tare, babai i saj, Tasimi, i cili kishte mbaruar Fakultetin Ekonomik të Stambollit dhe kishte punuar për disa kohë në Izmir, u kthye në Shqipëri aty nga viti 1910. Tasim Bejleri kishte një miqësi shumë të ngushtë familjare, me dy vëllezërit Myfit dhe Eqerem Bej Libohova, që nga koha që ata ishin bashkë në Turqi dhe ata u bënë shkak, për ta marrë Tasimin me vete, kur u kthyen në Shqipëri. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në nëntorin e vitit 1912, Tasim Bejleri u thirr nga Ismail Qemali dhe u emërua si përgjegjës i Financave në Prefekturën e Gjirokastrës dhe për atë emërim, u bë garant Myfit Bej Libohova, i cili mori një nga portofolet e Qeverisë së Vlorës. Lidhur me këtë, Teuta Bejleri dëshmon: “Babai, Tasimi ishte një njeri shumë strikt në punën e tij me financat dhe për korrektesën e lartë, që ai kishte treguar në detyrë, atë e kishin mbajtur në administratën e Stambollit, nga ku ai u largua vetë dhe erdhi në Shqipëri në vitin 1910. Pasi babai u emërua si përgjegjës i Financave të Prefekturës së Gjirokastrës në Qeverinë e Ismail Qemalit, ai vazhdoi të punonte edhe pas rrëzimit të asaj Qeverie, si në periudhën e qeverisjes së Princ Widit e më pas, duke lëvizur nga Gjirokastra për në Korçë dhe Elbasan. Babai u mor vetëm me profesionin e tij të ekonomistit dhe nuk u përzje asnjëherë në punët e politikës, gjë e cila bëri, që ai të vazhdonte të punonte për një kohë të gjatë në administratën shtetërore, pa e ngacmuar njeri. Edhe pas rikthimit të Zogut në pushtet, ai u emërua si Drejtor i Financave në Prefekturën e Korçës dhe për punën korrekte, që ai bëri atje në vitin 1929, Mbreti Zog e caktoi për të punuar po me të njëjtën detyrë, në Qarkun e Shkodrës. Pasi u caktua me punë në Shkodër, ai u vendos familjarisht në atë qytet, në atë kohë babai kishte mbi dhjetë vite që ishte martuar me nënën tonë, Siadetin, e cila ishte nga familja Zhuzhuni, një nga më të pasurat e Libohovës”.
1937, Isai me grupet komuniste
Isa Bejleri u lind në vitin 1919 në qytezën e vogël të Libohovës dhe ishte fëmija i parë i Tasim Bejlerit, nga tre djem e dy vajza që kishte ai (Isai, Fatriu, Agimi, Musaferi dhe Teuta). Pasi ndoqi disa vite mësimet në Liceun e Korçës, me transferimin e familjes, Isai vazhdoi gjimnazin e Shkodrës së bashku dhe me dy vëllezërit e tjerë më të vegjël, Fatriun (1923) dhe Agimin (1927), kurse dy motrat Musaferi dhe Teuta, u regjistruan dhe vazhduan mësimet në kolegjin e Françeskan. Lidhur me veprimtarinë e Isait në atë qytet, e motra Teuta, dëshmonte: “Që kur ishte në bankat e gjimnazit, Isai u lidh me Grupin Komunist të Shkodrës, që asokohe udhëhiqej nga Zef Mala. Që kur ishte i vogël në qytetin e Korçës, Isain e mbante pas vetes, Zai Fundo, i cili shpesh herë i jepte dhe literaturë komuniste, për ta shpërndarë nëpër miqtë e tij. Pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës, Isait i doli e drejta për të ndjekur studimet e larta në Itali, por duke parë gjendjen e vështirë ekonomike të familjes, ai i kërkoi babait që ta fuste në punë, me qëllim që të ndihmonte sadopak me të ardhurat, që do fitonte. Babai nuk i’a prishi dhe e rregulloi që të punonte si asistent i avokatit Ferdi Kumbaro, me familjen e të cilët, ne kishim një miqësi të ngushtë, sepse dhe ata ishin nga Libohova. Në atë kohë në qytetin e Shkodrës kishte dhe disa familje të tjera libohovite, si ajo e Mustafa Pipës, Ferdi Kumbaros, Rexhep Bakos dhe Muntaz Shehut, me të cilën ne kishim miqësi të ngushtë. Pas vdekjes së babait në vitin 1933, familja jonë mundi që të jetonte disi, nga pasuria që kishte trashëguar nëna jonë nga familja e saj Zhuzhuni, ku vetëm nga shitja e një çifligu, ata kishin marrë 30 kg flori”, kujtonte Teuta.
Arrestohen nga gjermanët
Gjatë periudhës së pushtimit fashist, tre vëllezërit Bejleri dhe motra e tyre Teuta, u lidhën ngushtë me Lëvizjen Antifashiste dhe shtëpia e tyre, u bë një nga bazat më të fuqishme të komunistëve. Lidhur me këtë, Teuta Bejleri tregon: “Shtëpia jonë e madhe aty në lagjen Zdrale (ua kishim marrë me qera familjes Mema), u bë një nga bazat më të fuqishme të Lëvizjes dhe gjatë viteve të Luftës, aty u strehuan shumë nga shokët kryesorë të Qarkorit të Shkodrës, si: Qamil Gavoçi, Bilal Parruca, Kristo Themelko, Vasil Shanto, etj. Aty nga viti 1943, shtëpia jonë ra shumë në sy të gjermanëve, pasi përveçse aty strehoheshin shokët kryesorë të Qarkorit, bëheshin dhe mbledhje të ndryshme. Gjermanët kishin informata të sakta se shtëpia jonë ishte kthyer në një bazë e fuqishme e komunistëve, ata erdhën dhe na arrestuan, mua së bashku me tre vëllezërit, Isain, Fatriun dhe Agimin. Po kështu, në atë kohë përveç nesh, u arrestua dhe kushërira jonë, Nezaqet Bejleri (vajza e Sefedinit) Gjatë kohës që ne ishim të arrestuar, nëna jonë, Siadeti, njoftoi kushëririn tone, Eqerem Telhajn, i cili në atë kohë ishte në Tiranë me detyrë në Këshillin e Lartë të Shtetit. Eqeremi erdhi në Shkodër dhe pasi ndërhyri tek gjermanët, ata na liruan mua, Fatriun dhe Isain, kurse Agimi u internua në Kampin e Prishtinës, nga ku u lirua më pas dhe shkoi partizan në Brigadën e 18 Sulmuese. Ndonëse Isai kishte marrë pjesë si aktivist me grupet komuniste, që nga koha kur ishte në Korçë me Zai Fundon, e po ashtu dhe në Shkodër me Zef Malën, ai nuk u bë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste si unë, Fatriu dhe Agimi. Isai ishte shumë liberal dhe ai kishte një admirim të veçantë për nacionalistët dhe për këtë ai u ndikua shumë nga miqësia që kishte me Myzafer Pipën dhe Ferdi Kumbaron. Gjatë viteve të luftës, Isai vinte shpesh në Tiranë dhe shkonte për të takuar Mit’hat Frashërin në librarinë e tij, për të cilin ai kishte një simpati të veçantë. Gjatë asaj kohe që Isai u lidh me Mit’hat Frashërin, ai shkonte dhe takohej edhe me Musine Kokalarin dhe dy vëllezërit e saj Vesimin dhe Muntazin me të cilët ne kishim krushqi”.
Arrestimi i Isait, 20 vite burg
Pas mbarimit të Luftës, familja Bejleri pati marrëdhënie mjaft të mira me regjimin komunist, pasi ajo kishte qenë bazë kryesore në periudhën e Luftës. Lidhur me këtë Teuta kujton: “Nisur nga kontributi që ne si familje dhamë për Luftën edhe u shpërblyem. Unë pasi punova për disa kohë në aparatin e Kryeministrisë, më pas kam punuar si shefe-Kuadri në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ndërsa Agimi, që kishte qenë i internuar në Kampin gjerman të Prishtinës, shkoi për studime në Pragë, pasi u diplomua për Inxhinieri Termike në vitin 1951, u kthye në Shqipëri dhe punoi në Ministrinë e Industrisë dhe si pedagog në Universitetin e Tiranës. Po kështu dhe vëllai tjetër Fatriu, pasi mbaroi Institutin për Gjuhë-Letërsi, për shumë kohë punoi si gazetar në ATSH, “Zëri i Popullit, “Bashkimi” dhe në revistën “Shqipëria e Re”. Ndërsa Isai që ishte vëllai i madh, pas mbarimit të Luftës, qëndroi në Shkodër ku dhe punoi si shef-llogarie në Konsum. Në vitin 1945, Isai së bashku me Ferdi Kumbaron, vazhduan të mbanin shoqëri të ngushtë me Myzafer Pipën, i cili doli si avokat mbrojtës të atyre që u konsideruan si “kriminelë lufte”. Pas arrestimit të Myzaferit, i cili vdiq në hetuesi, Isai erdhi në Tiranë dhe punoi po si shef-llogarie, në një ndërmarrje Tregtare deri aty në vitin 1958, kur dhe do të fillonte tragjedia e tij, e cila e ndoqi deri në fund të jetës. Në tetor vitit 1958, Isain e lajmëruan që të shkonte me shërbim në qytetin e Shkodrës dhe sipas urdhrit, ai vajti në atë qytet dhe atë natë shkoi për të fjetur në shtëpinë e njerëzve të bashkëshortes së tij, tek familja Kastrati, e cila është tepër e njohur. Në mbrëmjen e 9 tetorit, nga ora dy e natës, shtëpia u rrethua me forca të shumta policie të Degës së Brendshme dhe tre oficerë, që hynë brenda me zhurmë të madhe, i vunë prangat duke i komunikuar “Në emër të popullit je i arrestuar”. Gjatë hetuesisë, Isain e akuzuan se ai kishte shkuar në Shkodër, për t’u arratisur dhe në gjyqin që iu bë në Tiranë, i nxorën një dëshmitar të rremë, (shkodran) i cili deponoi sikur Isai i kishte dhënë shumë para, për ta ndihmuar që të kalonte kufirin. Isait as nuk i kishte shkuar kurrë në mënd, për t’u arratisur, sepse ai kishte gruan dhe katër vajza, por atë skenar atij i’a inskenoi një ish-shok i tij, të cilin gjatë Luftës ne e kishim mbajtur me bukë në shtëpi. Arsyeja kryesore e arrestimit të tij, ishte se regjimi komunist, nuk ia fali Isait miqësinë e ngushtë, që ai kishte pasur me Myzafer Pipën dhe krerët e tjerë nacionalistë. Nga që ishte brengosur shumë nga hetuesia e gjatë, në gjyq Isai deklaroi se ishte kundërshtar i regjimit, duke thënë se: nuk e kishte dashur kurrë komunizmin. Pas kësaj ai u dënua me 20 vite burg dhe pasi vuajti 16 vite në kampe të ndryshme, u lirua në vitin 1974 dhe jetoi krejt i vetëm, në një bodrum të Tiranës, duke punuar si hamall në stacionin hekurudhor”, kujtonte e përlotur Teuta Bejleri Tare.
Saga e familjes Bejleri
Familja Bejleri e cila është me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës, ka qenë e njohur si një nga familjet më të pasura të asaj qyteze në Jug të Shqipërisë, pas asaj të bejlerëve të Libohovës, që mbajtën për mbiemër emrin fshatit të tyre. Duke ndjekur gjurmët e fisit Bejleri, nga të parët e saj është njohur, Tefik Bejleri, (gjyshi i Isait), i cili kishte studiuar në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, në Stamboll, ku u diplomua për Drejtësi dhe më pas shërbeu si gjykatës në Stamboll dhe Janinë. Tefiku, kishte dy vajza dhe dy djem: Abedinin dhe Tahsimin. Djali i madh, Abedini, pasi studioi në Universitetin e Stambollit, pranë Fakultetit Ekonomik, u emërua në administratën shtetërore osmane dhe punoi për një kohë të gjatë në sistemin Doganor. Abedini, ishte martuar me një vajzë nga fshati i tij, Libohova dhe ai nuk u kthye kurrë në Shqipëri, por jetoi në Izmir, ku dhe vdiq në vitin 1956. Djali tjetër i Tefikut, Tahsimi, (babai i Isait), pasi mbaroi gjimnazin e njohur “Zosimea” në Janinë, fitoi një të drejtë studimi dhe ndoqi mësimet në Fakultetin Ekonomik, të Universitetit të Stambollit. Pas diplomimit, ai punoi për disa kohë në administratën shtetërore të Portës së Lartë, si financier në sistemin Doganor, në qytetin e Izmirit dhe në Stamboll. Njëra nga vajzat e Tefikut, u martua në Vlorë në familjen, Telhaj dhe nga ajo martesë asaj i lindi një djalë që u quajt, Eqerem, i cili u diplomua në Itali pranë Akademisë Ushtarake në Modena. Pas diplomimit Eqeremi u kthye në Shqipëri dhe shërbeu për disa kohë si Prefekt i Shkodrës, ndërsa në periudhën e pushtimit të vendit (1939-1944), ai erdhi në Tiranë, ku u zgjodh në Këshillin e Lartë të Shtetit. Eqeremi u largua nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944, së bashku me disa nga eksponentët kryesorë të organizatave nacionaliste, Balli Kombëtar dhe Legaliteti dhe u vendos në Itali ku jetoi deri në vitin 1999. Vajza tjetër e Tefikut, ishte martuar në Delvinë me Jaho Çininë, pinjoll i një prej familjeve më të mëdha të Jugut të Shqipërisë. Ajo jetoi vetëm pak vite në atë familje, pasi pas vdekjes së të shoqit, u kthye pranë familjes së saj në Libohovë dhe nuk u martua më./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016