Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Thanas Papës me origjinë nga fshati Paftal i Beratit, i cili pasi mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, duke qenë shok klase me emra të njohur si: Dhimitër Buda, Jorgji Gjinari, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Gjinovefa Heba, Kujtim Spahivogli, etj., në vitin 1954 fitoi një bursë shtetërore dhe shkoi për të ndjekur studimet e larta pranë Institutit “RJEPIN” të Akademisë së Arteve të Bukura të Leningradit, të cilin e mbaroi me ‘Medalje ari”, duke realizuar si punë diplome. ‘Skënderbeu mbi kalë”, punë që u derdh në allçi dhe u mbajt në fondin e asaj akademie, si dhe kartolinë postare në Rusi.
Kthimi i Thanasit në Shqipëri dhe emërimi i tij në Institutin e Monumenteve të Kulturës, pranë sektorit të Artit Mesjetar ku ngjiste poçet e thyera, që zbulonin ekspeditat arkeologjike dhe divorci me gruan ruse, Valentina Cvetkova, e cila pas presioneve të shumta, që i bënin bashkëshortit të saj, njerëzit e Sigurimit të Shtetit dhe organet partiake e shtetërore, u detyrua që të nënshkruante divorcin dhe të kthehej në atdheun e saj, së bashku me vajzën e vogël dy vjeçare.
Peripecitë e shumta që e ndoqën Thanasin për shkak të hijes së ish-bashkëshortes së tij ruse, duke e dërguar për shumë vite si punëtor në prodhim edhe pse ai ishte diplomuar me “Medalje ari’ në Leningrad.
Student në “Rjepin” të Leningradit
Thanasi u lind në vitin 1931, në fshatin Paftal të Beratit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Babai i tij, kishte mbaruar “Normalen” e Elbasanit, dhe për disa kohë në fillim të viteve ’20-të, ishte zgjedhur sekretar i Shoqërisë ‘Bashkimi”, duke qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Avni Rustemit. Thanasi, pasi mbaroi shkollën unike në Berat, në vitet 1945-’47-të, fitoi një bursë shtetërore dhe erdhi në Tiranë, për të vazhduar Liceun Artistik. Në klasën e tij asokohe mësonin, Dhimitër Buda, Jorgji Gjinari, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Shaban Hadëri, Gjinovefa Heba, Kujtim Spahivogli, etj., emra që më pas do të bëheshin artistë nga më të njohurit, që kishte Shqipëria. Thanasi, ishte një ndër nxënësit më të talentuar të Liceut në degën e vizatimit dhe nisur nga kjo, mësuesi Dhimitër Çani, që i jepte atë lëndë, insistoi, që Thanasi të vazhdonte më tej studimet e larta. Pas mbarimit të maturës, vetëm Thanasi dhe Jakup Keraj, mundën të fitonin nga një bursë shtetërore, për të vazhduar studimet e larta në institutin “Rjepin” të Leningradit. Lidhur me këtë, Thanasi kujton: “Nga ne nxënësit e degës së vizatimit, Ministria e Arsimit na dha të drejtën për të vazhduar studimet e larta, me bursë shtetërore në Bashkimin Sovjetik, vetëm mua dhe Jakup Kerajt. Pasi, plus lëndës së vizatimit, ku ne paraqiteshim më mirë, kishim dhe notat në lëndët e tjera shumë të mira. Kështu në vitin 1954, udhëtuam në Bashkimin Sovjetik, për të filluar studimet në institutin “Rjepin”, të Akademisë së Arteve të Bukura të Leningradit, sot (Shën Petersburg) i cili ishte krijuar 220 vjet më parë. Në atë institut, unë studiova për 6 vjet dhe në vitin e fundit, kur erdhi koha për mbrojtjen e diplomës, unë zgjodha për të punuar ‘Skënderbeun mbi kalë’. Pasi e paraqita projekt-diplomën, skulptori i famshëm, Manizer, që ishte zv/Presidenti i Akademisë dhe kryetari i komisionit të vlerësimit të diplomave, tha: ‘Ajo që kërkon të bëjë Thanasi, është jashtë të gjitha mundësive të një studenti’. Por unë, ngula këmbë se do ta realizoja atë projekt dhe kështu m’u aprovua. Punën e realizimit të ‘Skënderbeut mbi kalë’, që kishte një lartësi mbi dy metra, e fillova në muajin tetor të vitit 1956 dhe e përfundova, në qershorin e vitit 1957, duke punuar 12 deri 14 orë në ditë. Në qershor u bë mbrojtja e diplomave dhe kryetar i komisionit, ishte skulptori i famshëm Tomsky, i cili kishte realizuar bustin e Stalinit në Tiranë. Vlerësimi i punës sime ishte maksimal dhe komisioni foli me superlativa duke e konsideruar atë, si punë të shkëlqyer. Ai mori vendimin që ajo punë, të derdhej në bronz, por ajo nuk u arrit të bëhej, pasi ishin harxhuar të gjitha fondet e Akademisë, sepse atë vit ishin festimet e përvjetorit të Revolucionit të Tetorit. Pas kësaj, ‘Skënderbeu’, u derdh në allçi në dy kopje”.
Fiton ‘Medalje ari’
Për të asistuar në mbrojtjen e diplomës së Thanasit, kishin shkuar shumë nxënës dhe pedagogë rusë, kurse aty mungonin shokët e tij shqiptarë dhe punonjësit e ambasadës, ndonëse ishin lajmëruar se: Thanas Papa do të merrte medaljen e arit për punën e shkëlqyer, që kishte bërë. Lidhur me këtë, Thanasi kujton: “Bashkë me mua, u vlerësua me medalje ari edhe studenti rus, Evgeni Nikollaeviç dhe në atë akademi 220 vjeçare, kishte dhjetë vjet, që nuk ishte dhënë asnjë medalje ari. Gjatë ceremonisë, skulptori i famshëm Kerbel tha, ‘Unë nuk kam ardhur rastësisht këtu në këtë mbrojtje diploma, me këto dy lulëkuqe që simbolizojnë dy vendet mike, Shqipërinë dhe Bashkimin Sovjetik’. Më pas monumenti i Skënderbeut, u ekspozua në galerinë e artistëve të rinj, në ekspozitën e përgjithshme të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Gjithashtu ajo u ekspozua dhe në Galerinë e Moskës në vitin 1957, me rastin e Festivalit Botëror të Rinisë. Përveç këtyre ekspozimeve, ai monument u bë kartolinë dhe u shpërnda në të gjithë Rusinë, kurse një kopje e asaj, u derdh në allçi dhe u soll në Tiranë”.
Por gjatë viteve që Thanasi ishte student në atë akademi, ai paralelisht vazhdonte dhe një institut tjetër, dhe lidhur me këtë ai dëshmon: “Kur isha në vitin e dytë të fakultetit, me insistimin e një pedagogu rus, u regjistrova në Institutin e Mbrojtjes dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës. Gjatë asaj kohe që studioja aty, më dhanë për të punuar disa punë në periferi të Leningradit, në një godinë aristokrate, të cilën e kishte marrë përsipër që ta restauronte Inspektorati Shtetëror për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës së Leningradit, në bashkëpunim me shkollën ku studioja unë. Aty, unë u mora me restaurimin e disa luanëve, që ishin në portat kryesore të asaj godine. Dhe për të më ndihmuar, merrja shokët e mi studentët shqiptar, të cilët i paguaja rregullisht, pasi unë merrja një pagë të kënaqshme, për katër vjet që punova aty”.
Në Shqipëri, ngjit poçet e thyera
Pak kohë para se Thanasi të mbronte diplomën e dytë, ai u martua me një vajzë ruse, të quajtur Valentina Ivana Cvektova, e cila u diplomua për Gjuhët e Lindjes dhe bashkë me të, erdhi në Shqipëri. Lidhur me ardhjen në Tiranë dhe “vlerësimin” që i’u bë diplomës së tij, Thanasi kujton: “Kur erdha në Tiranë, takova zv /Ministrin e Arsimit, Pipi Mitrojorgjin, i cili më tha se nuk kishte vende pune për skulptor dhe unë u dërgova për të punuar në Universitetin e Tiranës, pranë Muzeut Arkeologjik, në sektorin e Artit Mesjetar. Aty, unë bëja një punë fare të rëndomta, duke ngjitur poçet e thyera, që gjendeshin në ekspeditat e ndryshme arkeologjike. Nisur nga kjo, pas katër vjetësh, në prillin e vitit 1960, e braktisa atë punë në shenjë proteste, pasi doja të punoja në profesionin tim, ku kisha shumë porosi dhe kisha mundësi të nxirrja rrogën time. Rektorati i Universitetit, u revoltua shumë nga veprimi im dhe më hodhi në gjyq, për braktisjen e punës. Pas kësaj ata më regjistruar në një inventar të imët, të gjitha plaçkat e mia, pasi u vendos që unë duhet të paguaja të gjithë bursën shtetërore, që kisha marrë për 7 vitet e studimit. Ky vendim më pas u pezullua dhe më dërguan si pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Me prishjen e marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, në dhjetorin e vitit 1961, pas shumë presionesh që më bënin, duke më thirrur çdo javë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, më detyruan të divorcohesha nga gruaja ime, Valentina Cvetkova, që punonte si mësuese e gjuhës ruse dhe me të cilën kisha dhe një vajzë, 2 vjeçe. Ngaqë rrija tepër i mërzitur, nga ndarja me Valentinën, Sigurimi i Shtetit më survejonte rregullisht. Këtë gjë, fillimisht e mësova nga shoku im i ngushtë Guri Madhi, i cili kishte një vëlla, në organet e larta drejtuese të Sigurimit të Shtetit në Tiranë. Më kujtohet se aty nga dhjetori i vitit 1962, kur Guri erdhi në studion time dhe pasi pimë një shishe vere, ai më tha: ‘Thanas, mbyll gojën, që nga ky moment, ti nuk do të flasësh, nuk do të dëgjosh dhe nuk do të shikosh’. Po të mos më kishte thënë ato fjalë Guri, unë do të kisha përfunduar burgjeve, sepse pas asaj filluan të më diskreditonin nëpër mbledhje të ndryshme, si në qendrën e punës, në lagje etj., për të vetmen gjë, pse kisha pasur gruan ruse”.
Nexhmije Hoxha: shko në prodhim
Peripecitë e Thanas Papës nuk përfunduan edhe pas ndarjes nga gruaja e tij ruse, por hija e saj do ta ndiqte pas, për shumë vjet me radhë. Për këtë gjë, ai tregon: “Mbas letrës së hapur të Komitetit Qendror të PPSH-së, në 1966-ën, mua më thirrën dhe më thanë, që të shkoja në Berat, për të punuar si punëtor në prodhim. Unë natyrisht, nuk kisha dëshirë që të largohesha nga Tirana dhe për më tepër nga profesioni im. Për këtë i kërkova takim Nexhmije Hoxhës, që asokohe mbulonte artin e kulturën dhe i thashë që të rishikohej mundësia, që unë të punoja në profesionin tim të skulptorit. Ajo ma preu shkurt duke më thënë: ‘Të shkosh në Berat, atje ku të kanë caktuar, sepse të gjithë nuk do të bëhemi skulptorë’. Pas kësaj, unë përsëri nuk pranova që të shkoja në Berat dhe në vendin tim atje dërguan, shkrimtarin Fatmir Gjata. Për këtë refuzim që bëra, më dërguan si punëtor në fonderinë e Uzinës “Dinamo” në Tiranë, ku punova për pesë vjet, deri në 1971-in. Në këtë vit, më caktuan që të organizoja nga ana teknologjike, Fonderinë për Derdhjen e Monumenteve, në të cilën punova edhe pesë vite të tjera, deri në 1975-ën. Atje, çdo gjë e nisa nga e para, duke i kursyer shtetit, miliona lekë me derdhjen në vend, pasi më pare, ky proces pune bëhej jashtë vendit. Pas vitit 1975, më dërguan në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku dhashë mësim deri në vitin 1990-të, deri sa dola në pension”.
Fitues i çmimeve ndërkombëtare
Edhe pse Thansi u detyrua dhjetë vjet që të punonte në prodhim, me gjithë sulmet e padrejta, ai nuk e lëshoi kurrë daltën nga dora, por vazhdoi që të punonte në heshtje në studion e tij. Ai, ka marrë pjesë në të gjitha Ekspozitat Kombëtare, që janë organizuar para viteve ’90-të, duke fituar dy çmime të para, katër të dyta dhe një të tretë. Gjatë karrierës së tij artistike, ka realizuar mbi 200 punime, nga të cilat 140 janë të njohura dhe të regjistruara, në Sektorin e Studimeve në Galerinë Kombëtare të Arteve. Po kjo galeri në fondin e saj, ka 6 skulptura të Thanasit, ndërsa 10 të tjera, janë të vendosura në muzeume të rretheve, kurse 38 basoreliev dhe statuja, janë të vendosura në pjesë të ndryshme të vendit. Po kështu, Thanasi ka marrë pjesë me punimet e tij edhe në ekspozita ndërkombëtare, si: në Moske, Bukuresht, Sofje, dhe Aleksandri, ku fitoi dhe çmimin e tretë, me monumentin “Zgjimi i Afrikës”. Për këtë çmim shtypi ndërkombëtar e ngriti në majë, për profesionalizmin e tij. Ndonëse Thanasi, ka 28 skulptura në vendet e ish Bashkimit Sovjetik, si dhe i vlerësuar si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të skulpturës shqiptare, ai u përndoq, u godit dhe u la në hije, për arsyen e martesës me gruan e tij ruse, Valentina, të cilën mundi ta rri shihte dhe ta takonte në vitin 1991, së bashku me vajzën e tyre, tashmë 30 vjeçare. Shkak për këtë takim u bë bashkëshortja e dytë e Thanasit, arkitektja e njohur, Shpresa Papa, e cila të gjitha kursimet që ata i kishin mbledhur me mund e sakrifica, që nga fillimi i viteve ’80-të, kur u martuan dhe krijuan familje, ia dha Thanasit dhe e nxiti që ai të shkonte në Moskë, për të takuar Valentinën dhe vajzën, me të cilat ishte ndarë përdhunshëm nga regjimi komunist, 30 vite më parë. Tashmë në moshën të madhe dhe me një jetë plot privacione, Thanas Papa, së bashku me Shpresën ndjekin me kënaqësi punët e dalit të tyre, Besit, gjithashtu një nga skulptorët më të talentuar të brezit të ri, pas viteve ’90-të (i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë), si dhe vajzës së tyre, arkitekte./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016