Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetegjashtë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Dhora Lekës nga ana e dy hetuesve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri dhe kapiten i I-rë, Ferhat Matohiti
Proçes – verbal
(Dëshmia)
Në Tiranë, më 15 janar 1958. Neve hetuesit e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri dhe Kapiten i I-rë, Ferhat Matohiti, morëm në pyetje, të dënuarën Dhora Leka.
E dënuara Dhora Leka u vu përpara përgjegjësisë penale, në bazë të nenit 228 të Kodit Penal, në qoftë se bën deponime të rreme, ose kufizohet në deponimet e saj.
Morra njoftim
Dhora Leka
Pyetje: Në procesin tënd hetimor, keni treguar mbi aktivitetin armiqësore në lidhje me Tuk Jakovën. Na tregoni edhe njëherë këtë?
Përgjigje: Me Tuk Jakovën, unë aktivitetin tim unë e kam filluar që nga koha që ai doli nga Plenumi i Komitetit Qendror. Tuku më thirri në telefon dhe më tha që unë të shkoj në shtëpinë e tyre.
Kur vajta në shtëpi, ai më tregoi se kundrejt tij ishte marrë masë, për arsye se kishte bërë gabime kundër Partisë dhe për këtë shkak, ai duhesh të largohej nga Tirana për në Berat dhe unë duhet të interesohesha për plaçkat.
Në mbrëmje, mbasi mblodhëm plaçkat, Tuku kur mblodhi librat, grisi disa letra të cilat unë nuk e di se çfarë ishin, veç më tha se; është bërë gabim, se nuk është bërë inventar, se që kur i kam marrë në dorëzim këto libra, kanë qenë të Koci Xoxes dhe disa të Sejfulla Malëshovës.
Kur Tuku me Mitën, shkuan në Berat, unë i shoqërova dhe atje qëndrova dy ditë. Për vajtjen time atje, unë morra leje nga Foto Stamo si pushtet dhe si parti, nga Fatmir Gjata.
Kështu, në organizatë mua m’u hoq vërejtje për shkak se unë vajta të shoqëroja Tuk Jakovën. Në muajin gusht 1955, vjen Mita nga Berati dhe takohet me mua, e cila kërkoi që të bisedonte një çështje.
Unë pranova dhe ajo tregoi se; Tuku kishte përgatitur një letër për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe se këtë letër, ajo ishte e porositur që t’ja dorëzonte ambasadorit sovjetik në Tiranë.
Ajo nuk më tregoi se çfarë përmbante letra, veçse unë shkova në pazar, bleva zarfin, e shkrova në rusisht dhe mësova Mitën, se si ajo të shkonte në ambasadë.
Sipas porosisë time, Mita vajti në ambasadë dhe letrën ja dorëzoi sekretarit të parë të ambasadës sovjetike, kur u kthye Mita nga ambasada, ajo afërsisht më tregoi përmbajtjen e letrës.
Gjithashtu, Mita më tregoi se në kopshtin e shtëpisë së tyre në Berat, Tuku me Mitën kishin biseduar gjerësisht, çështjet që Tuku shtroi në plenum dhe se si i ishin marrë për mendimet e tija. Në këtë mënyrë, edhe Mita ishte e bindur për padrejtësinë që i ishte bërë Tukut.
Nga tregimet që më bëri Mita, nga letra që i drejtonte ai Bashkimit Sovjetik, si dhe nga përmbajtja e saj që afërsisht ma tregoi, edhe unë u binda se Tuku ishte goditur padrejtësisht.
Më 7 nëntor 1955, mua më erdhi një ftesë për mbrëmjen që jepej në ambasadën sovjetike dhe këtu gjatë dansit, erdhi më morri për kërcim Rexhep Xhika, gjatë këtij kërcimi, më pyeti për Tukun dhe unë i thashë se; u godit për arsye se ngriti disa çështje në plenum (çështjet, nuk ja kam treguar kësaj here).
Ai më tha se i vinte shumë keq për Tukun, se kishte një konsideratë të madhe për të dhe e njihte qysh në grupet komuniste në Shkodër, më tha se kishte parë motrën time në rrugë, shumë të dobët, më porositi që t’i jepja të falat dhe në qoftë se kishte nevojë për ndonjë send.
Unë i thashë se ata nuk kanë nevojë, por ai insistoi që këtë t’ja thojë unë motrës sime. Kur unë u ktheva në shtëpi, këto ja thashë Mitës dhe ajo më tha se; mos na nxirr telashe.
Me ardhjen e artistëve jugosllavë, unë u ngarkova që t’i pres dhe kur u dha një pritje nga ministri i Legatës Jugosllave, Ajtiç, unë këtu kam biseduar me të rreth Tuk Jakovës:
Në fillim më bëri komplimente rreth aktivitetit tim, me rastin e artistëve jugosllavë, më pyeti në lidhje me Tukun, se përse është dënuar, i tregova sepse ishte dënuar dhe shtova se; masat ishin të padrejta, biseda ime bazohej në letrën që Tuku i kishte drejtuar ambasadës sovjetike, si p.sh. i thashë se; Miladini ka pasur rol të madh në organizimin e Partisë, në lidhje me kultin e personit që Enver Hoxha thotë, se është themeluesi i partisë, ndërsa si sekretar, ai është zgjedhur në Labinot më 1943-in.
Ajtiçi, më tha se; së shpejti do të bëhet Kongresi i XX-të dhe do të ketë gjëra me rëndësi.
Në një nga takimet që kam patur me Cveton, ky më shfaqi dëshirën se donte të dinte opinionin e Tukut në lidhje me marrëdhëniet me Jugosllavinë. Kur erdhi Tuku për Vitin e Ri 1956, i thashë mbi bisedimin që kam pasur me Cveton, me Ajtiçin dhe i kërkova se ç’mendonte ai për këtë dhe Tuku më tha: Çështjet me Jugosllavinë do të zgjidheshin nëpërmjet një revolucioni që duhej të behej në Jugosllavi dhe ishte optimist se marrëdhëniet me Jugosllavinë do të përmirësoheshin shpejt.
Këto gjëra unë ia thashë Cvetos, mendimin e Tukut, ai më tha që; nuk mendoja se Tuku të jetë kaq naiv. Nga fundi i janarit 1956, erdhi Mita në Tiranë dhe kjo më tregoi se Tuku kishte vajtur në Elbasan, kishte qëndruar një natë me Bedriun dhe në fund kishin arritur në konkluzione të njëjta.
Mitës unë i dërgova haber me kushërirën time, Evanthi, që të merrte letrën që Tuku kishte përgatitur dhe Mita nuk e kishte dërguar me këtë, por erdhi vetë më vonë dhe më tregoi edhe bisedën me Bedriun që kishin bërë në Elbasan.
Kur erdhi Mita, i thashë se letrën nuk e duan ata të Bashkimit Sovjetik, por njerëzit e Legatës Jugosllave. Ajo insistoi që të mos ma jepte, pas pak erdhi Cvetua dhe me pak hezitim, nga ana e Mitës, ai u takua me Mitën, e cila refuzoi që t’ja jepte letrën, veç i tha që; mund t’i tregonte përmbajtjen e saj.
Ai nuk deshi dhe kur doli më tha se; për ne, ka rëndësi se çfarë qëndrimi do të mbaj Tuk Jakova me jugosllavët, d.m.th., me neve. Në këtë kohë, unë i thashë se letrën e kam kopjuar unë, të cilën ja kam dhënë Cvetos.
Nga Gjirokastra jam takuar tre herë me Tukun në Berat. Në rastin e parë, kam bërë këtë bisedë: I tregova mbi zhvillimin e Kongresit, masat që ishin marrë për mua, çështjen e Komitetit të Partisë se kush u përjashtua, në përgjithësi mbi situatën politike dhe bisedën e fundit që kisha pasur me Cveton, se çështja e Shqipërisë nuk mund të shkëputet nga çështjet e krejt Demokracive Popullore dhe se kjo punë do të mbarojë brenda 4 – 5 muajve.
Unë megjithëse isha larguar nga Tirana, do t’i mbaja në korrent me lajme dhe se po të ishte ndonjë lajm i mirë, do t’i lajmëroja në telefon, në parullën: “Si janë fëmijët me shëndet”.
Herën e dytë, kam biseduar këto gjëra: Unë erdha nga Gjirokastra për në Tiranë, ndalova një natë në Berat dhe Tuku më porositi që të interesohesha për të marrë vesh ndonjë gjë, d.m.th., ndonjë lajm.
Kur u ktheva, komentuam vajtjen e Hrushovit në Jugosllavi, për letrën që Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ju kishte dërguar partive të tjera, për qëndrimin në Jugosllavi dhe për ardhjen në Shqipëri të Furcevas.
Komentuam fjalimin e shokut Enver në Kore dhe më tha Tuku se; megjithëqë ata kanë kaluar nëpër Moskë, përsëri janë në pozitat e vjetra.
Kemi biseduar problemin e Republikës VII-të dhe të Divizioneve e Tuku thosh se këto kanë qenë probleme imagjinare dhe nuk kanë më bazë. Po kështu, edhe për politikën ekonomike që janë investuar pare në objekte jo rentabël.
Këtu, më ka treguar se një komunist, Sokrat Bufi, ka dërguar në Komitetin Qendror një letër, ku thotë se; shoku Mehmet Shehu është agjent i Berias. Në këtë rast, unë morra vesh se Tuku ishte pothuajse, i një mëndi mendimi me Bedri Spahiun.
Në rastin e tretë, kur erdha nga Gjirokastra, shkova te Tuku dhe e informova mbi gjithë situatën që unë kisha dëgjuar në radio, kur u ktheva nga Tirana në Berat, me Tukun bisedova këto gjëra:
I tregova simpatinë që kishin për Tukun, hapëm radion dhe dëgjuam kortezhin e Rajkut dhe lidhur me këtë, bëmë komente edhe për Koci Xoxen, tha Tuku kështu: kështu do ta varrosim ne në Tiranë dhe varrin e din Bedriu. Këtu u bisedua lidhur edhe me ndarjen e përgjegjësive.
Tuku më tha se; në udhëheqjen të Partisë nuk e bëj dot, por mirë do të ishte për punë shtetërore, këtu bëhej aluzion për kryeministër. Kishte arritur në pikëpamjen e Bedriut, se ai ka të drejtë kur thotë, se; Enveri është pengesë për mirëqenien e popullit, se Mehmetin, mund ta sakrifikojë Enveri.
Më tha se; kur ka qenë në Këshillin e Ministrave, unë kam kundërshtuar në lidhje me objektet si: Cërriku, etj., që nuk kanë qenë rentabël, por, m’i kanë kundërshtuar. Tuku ishte për industrinë e lehtë të konsumit të gjerë.
Në rastin e fundit që jam takuar me Tukun, kam vajtur me nënën time, e kam informuar rreth fjalimit të Titos në Pulje, në lidhje me kontradiktat që ekzistojnë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, lajme këto që i kisha marrë nga Cvetua, i cili më tha që; duhet ruajtur koka.
Me nënën i kam dërguar lajme se më ka thirrur Kadri Hazbiu dhe që nuk i kam treguar asnjë gjë./Memorie.al
Dëshmitarja Hetuesit
Dhora Leka Irfan Shaqiri dhe Kapiten i I-rë, Ferhat Matohiti
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016