Dashnor Kaloçi
Pjesa e nëntëmbëdhjetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Dokumenti sekret me relacionin e oficerit të lartë të Sigurimit të Shtetit, major Fadil Kapisyzi, lidhur me akuzat e tij për veprimtarinë armiqësore të Tuk Jakovës që nga viti 1944
Relacion në lidhje me veprimtarinë armiqësore të Tuk Jakovës
Në lidhje me tradhtinë e Tuk Jakovës, poshtë radhis disa fakte të cilat ia kam shkruar si organizatës së Partisë në vjetin 1951, por jo në këtë frymë edhe me këto konkluzione që nxjerra sot kur Tuk Jakova mban vulën e tradhtisë, armikut të Partisë.
Dyshoj se Tuku nuk është një devjator i thjeshtë që ka gabuar, por një element i implikuar në grupet reaksionare katolike të Qarkut të Shkodrës. Këto dyshime më lindin sot duke analizuar veprimtarinë e Tuk Jakovës në Qarkun e Shkodrës.
Për ta bërë më të qartë hipotezën e mësipërme, e quaj të nevojshme të them disa gjëra për Partinë “Demokristiane” të Shkodrës, duke u mbështetur mbi të dhënat në procesin hetimor të vjetit 1947 kundër kësaj organizate dhe të dhëna të tjera që paraqiten për herë të parë.
Ky proces, procesi i ‘Demokristianes’ nxori në shesh krijimin dhe veprimtarinë e Partisë ‘Demokristiane’. U krijua fill mbas çlirimit si pjellë i një punë përgatitore të “Veprimit Katolik”.
Shtoj se “Veprimi Katolik”, është ngrit dhe drejtua nga Kleri Katolik, nën maskën e një shoqërie fetare qysh në kohën e Zogut, duke u shtri në të gjitha shtresat dhe klasat e masës katolike dhe këtë rast përfshiu në gjirin e vet të gjitha shoqëritë dhe grupet ekzistuese të asaj kohe, si: “Shoqërinë Antonjane”., “Rrethin Don Bosko”, “Shoqërinë Bogdani” dhe “Bijat e Zojës së vjetër”.
Partia Demokristiane krijon degët e veta, një ndër të cilat “Bashkimi Shqiptar”. Kështu e ka cilësua në proces-verbalin e tij, Patër Rrok Gurashi, i cili shton se ngritja e një organizate me emër të tillë asht bërë me qëllim që të përfshijë në gjirin e vet edhe elementët myslimanë.
I riu Sami Repishti, anëtar i një grupi social-demokrat ka pohue para hetuesisë, rreth lidhjeve që ka pasur me eksponentin e ‘Demokristianes’ Patër Gjon Shllakun nga i cili asht udhëzuar.
Burimet e mësipërme konkretizojnë se ‘Demokristian-ja’ ka pasur lidhje me bandat e armatosura që kanë veprue nën drejtimin e saj.
Famullitë janë kanë bërë qendra strehimi dhe furnizimi për bandat. Gjithashtu ‘Demokristian-ja’ ka organizue ngjarjen e 9 shtatorit 1946, e cila vërtetohet nga proceset e dy eksponentëve të ‘Demokristianes’, Monsinjor Volaj dhe Patër Rrok Gurashit.
Asht krijue një komitet i përbashkët me ‘Demokristianen’ dhe Ballin Kombëtar, janë caktuar komandantët ushtarakë dhe objektet e sulmit dhe si datë sulmi është caktuar data 18 shtator 1946, lidhur kjo me provokacionet greke.
Ngjarja zhvillohet jo më datën 18 shtator, por më datën 9 shtator 1946, me iniciativën e Jup Kazazit, pa dijeninë e ‘Demokristianes’. Jupi një gjë të tillë e bënte për ambicie dhe me shpresë se do të ishte në gjendja me e marrë qytetin dhe me e mbajt këtë vetëm me forcat e tij, deri në ditën e sulmit të përgjithshëm.
Hollësitë rreth kësaj çështje të pasqyruara nga proceset, figurojnë në një relacion që i asht dërgua në vjetin 1947 Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimit të Shtetit, nga ana e seksionit të Sigurimit të Shkodrës.
Shtoj se nga kontrolli i bërë në Kishën e Fretërve, gjetën armë të fshehura në sasi të madhe brenda dhe në oborrin e Kishës.
Që Kisha si kokë drejtonjëse dhe qendër spiunazhi asht vërtetue edhe gjatë Luftës. Kisha, në dukje paraqitej si institucion që qëndron larg politikës dhe këtë e pasqyronte me parullën e famshme: “Mbi çdo politikë dhe jashtë çdo politike”, ndërsa në fakt, në për të gjitha organizatat, në pushtet dhe në qendra spiunazhi, futën element klerikë nën petkun zyrtar të Kishës.
Kështu p.sh., Dom Lazër Shantoja, një eksponent i fashizmit, Patër Anton Arapi, regjent, Dom Alfoins Tracki në Gestapo, Patër Lek Luli, eksponent i Legalitetit, Dom Zef Shestani, eksponent i “Ballit Kombëtar”, Dom Nikoll Gazulli, eksponent i ‘Nacional Indipendentes’, dhe Dom Luigj Pici, anëtar i Këshillit Nacional-Çlirimtar për Qarkun e Shkodrës.
Të gjithë me përjashtim të këtij të fundit, mbledhin element nga të “Veprimi Katolik” dhe i hedhin në organizatat ku bënin pjesë këta. Pjesën dërmonjse ndër këta e përbënte “Balli Kombëtar”.
Asht interesant, se deviza “Nacional-Çlirimtare” nga ana e Kishës, konsiderohej si lëvizje komuniste, komunistët konsideroheshin si të pa fe dhe si të tillë, ishin dhe të mallkuar.
Si shpjegohet atëhere që Dom Luigj Pici, jo vetëm që nuk mallkohet dhe të hidhet jashtë radhëve të Kishës, por përkundrazi, mbahet në lidhje të ngushta nga Argjipeshkvia, i cili i përcjellun nga partizanët, zbret herë pas here në qytet, duke asistuar në mbledhjet periodike të Argjipeshkvisë.
Faktet treguan ma vonë se ky (Dom Luigj Pici), kishte qenë element armik dhe patjetër edhe spiun. Mbas çlirimit ky u vra në rezistencë e sipër që bani me armë në momentin e paraqitjes së njerëzve të Sigurimit, që shkuan me e arrestue.
Këto që u thanë dhe shumë fakte të tjera, paraqesin veprimtarinë armiqësore të Klerit Katolik, influencën e tij të madhe të ushtruar në masën katolike dhe vështirësinë e shkëputjes së këtyre të fundit nga kjo influencë, sidomos të atyre që janë përshkruar në shkollat e klerit.
Raportet e Tukut me Klerin Katolik dhe besnikët e tij, janë si ma poshtë:
Tuku siç dihet, në pragun e çlirimit vjen në Shkodër me cilësinë e Komisarit të Korparmatës së III-të dhe në të njëjtën kohë ishte edhe si anëtar i Komitetit Qendror, i cili si i tillë, ishte i interesue direkt për sistemimin e kuadrove.
Kështu shohim se fill në ditët e para të çlirimit zbritet Komiteti Qarkor i Luftës, duke u zëvendësuar me element të tjerë. Një ndër personat që ngrihet në Komitetin e ri asht dhe Gjovalin Luka.
- Në Këshillin Nacional-Çlirimtar të Qarkut, rreshtohet si anëtar i këtij Këshilli dhe këshilltari i Argjipeshkvisë, tregtari Pjerin Simoni dhe Luigj Simoni, ish-Konsulli i Nderit për Çekosllovakinë, Zef Haxhija, e të tjerë.
Në rrethin e Qendrës, emërohen si anëtarë Këshilli, Loro Kovaçi, anëtar i “Shoqërinë Antonjane”, i cili me okupimin e Shqipërisë, e kërkon me forcë zyrtare ngritjen e Partisë Fashiste, e cila ende nuk ishte formuar dhe djali i tij për mbas çlirimit, arrestohet për faje kundër-revolucionare, i implikuar në një grup të organizuar. Luigj Mjeda, caktohet anëtar i Këshillit, besnik i Klerit dhe spiun i Gestapos, për këtë të fundit, arrestohet dhe dënohet, e të tjerë.
Kështu Tuku, duke qenë oportunist deri në palcë dhe i sëmurë me frymën e Klerit Katolik, në vend që të ndërtonte Pushtetin Popullor, ai Pushtetin e ngarkoj me njerëz anti-popullorë, si tregtarë, priftërinj, spiun, e të tjerë katolikë fanatik.
- Me krijimin e Komandë së Qarkut, emërohet komandant Gaspër Pali, ish-nënkolonel i Ushtrisë së okupacionit, anëtar i Komitetit Qendror të ‘Ballit Kombëtar’, me tendenca klerikale të theksuara, vëlla i Paulin Palit, që u pushkatua në vjetin 1948, si pjesëtar i ‘Demokristianes’, bashkëpunëtor i Riza Danit, i arrestuar me rastin kur po tentonte të ikte në Itali.
Shtoj se në muajin dhjetor të vjetit 1944, organizata e Jezuitëve “Bashkimi Shqiptar” përhapte traktet e para në qytetin e Shkodrës. Tuku me t’u kthyer nga Tirana ose njetit nga ku ishte, vihet në dijeni të arrestimit dhe urdhëron lirimin e tij të menjëhershëm.
- Djali i Kol Bibë Mirakës, Ndoc Kola, arrestohet jo si djali i Kol Bibë Mirakës, por për aktivitetin e tij kundër-revolucionar që ka kryer ai vetë. Edhe ky posi i pari, lirohet me urdhrin e Tuk Jakovës. Ma vonë, Ndoci arratiset dhe në krye të një bande të armatosur, vazhdon veprimtarinë kriminale deri në vjetin 1951, kohë në të cilin vritet.
- Organet e Sigurimit të Shtetit në vjetin 1945-1946, kërkojnë me arrestue Noc Gerën, sekretarin personal të Llesh Marashit dhe si korrier në mes të Lleshit dhe majorit anglez, Hill. Organet e Sigurimit hetojnë dhe kërkojnë arrestimin e tij, ndërsa Kol Jakova, (meqë Tuku në atë kohë ndodhej në Tiranë), refuzoi dorëzimin e tij, me pretekst se do ja dorëzoj Tukut në Tiranë dhe ky i fundit të bënte ç’të dojë me të. Në fakt edhe kështu u bë. Noci vajti në Tiranë, por nuk u arrestua, i cili akoma dhe sot ndodhet i lirë dhe me punë pranë në Teatrin Popullor. Patjetër duhet të jetë i kategorizuem.
- Ngrihet Shtëpia e Kulturës në Shkodër dhe në drejtimin e saj caktohet Gjovalin Luka dhe ndihmës i tij, Patër Gjon Shllaku, ish-drejtor i Shoqërisë “Antonjane”, eksponent i Partisë Demokristiane, i cili për aktivitetin e zhvillue në këtë drejtim në vjetin 1946, pushkatohet.
Gjatë kohës që ky ishte në këtë funksion, vihet në skenë drama e Patër Gjergj Fishtës, “Juda Makabeje”, me përmbajtje të theksuar reaksionare, e cila në fund mbyllet me mallkimin që i bën Juda Makabej popullit të Izraelit.
Për mbas këtij rasti, përgatitet melodrama “Ruba e kuqe” e autorit Dom Ndre Zadeja. Autor në këtë kohë ishte i arrestue dhe mbas do kohe u pushkatare si agjent anglez. U desh një ndërhyrje e fortë për ndalimin e shfaqjes. Vepra kishte një farë përmbajtje patriotike dhe në këtë kohë autori i veprës akoma nuk ishte demaskua para masës si element armik, pra shfaqja jepte kuptimin sikur goditja që i bëhej Dom Ndre Zadejës, ishte e padrejtë.
Kështu, Patër Gjoni në sajë të postit që iu dha, u përpoq ta kryente misionin e vet si element i “Demokristianes”,
- Në qershor-korrik të vjetit 1948, në Shkodër shpërndahen trakte me përmbajtje drejtue kundër Partisë sonë, duke e akuzue se gjoja Partia jonë, ka devijue nga rruga e marksizëm –leninizmit, duke shpif gjithashtu se “elementëve katolikë, po ju bahet një trajtim i keq”. Në korrik të po këtij vjeti, pjesëtarët e tij arrestohen.
Në të bënin pjesë: Pjerin Kçira, Gjovalin Mazrreku dhe Lin Çollaku, dy të fundit me gradën kapter dhe i pari aspirant, efektiv të seksionit të Sigurimit të Shtetit të rrethit të Qendrës, nxënës të Jezuitëve.
Gjithashtu edhe Zef Bardhoku, ish-oficer i çmobilizuam. Kur arrestohet Pjerin Kçira, element kryesor i këtij grupi, i thotë nanës të shkoj me i tregu Tukut, nuk dihet se ç’i premtoj Tuku kësaj.
Për vajtjen e saj te Tuku, Drejtoria e Sigurimit asht njoftue me anën e një radiogrami nga Seksioni i Sigurimit të rrethit, kopja e të cilit duhet të jetë patjetër pranë Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Shkodër, kjo ka qenë në korrik-gusht 1948.
Duke shikuar Tukun sot, si njeri që nuk ka qenë kurrë dakord me vijën e Partisë, i sëmurë nga një frymë lokalizmi borgjez, me dozë të theksuar klerikale, që mohon rolin e komunistëve shqiptarë në formimin e Partisë t’onë, dyshoj se në këto trakte Tuku duhet të ketë dorë dhe ja sepse:
- Nuk shpjegohet fakti se këta elementë me kulturë të përgjithshme dhe ideologjike të kufizuar, nuk ishin në gjendje t’i bënin një analizë punës dhe vijës së Partisë në mënyrë autonome dhe të diskutonin për probleme ideologjike. Kjo mendoj se dikush duhet t’i ketë udhëzua dhe ky mendoj se duhet të jetë Tuku.
- Këto anëtar të thjeshtë partie, diskutojshin për gabimet që bëheshin në Partinë tonë, në një kohë kur letrat e V.K.P. së nuk ishin shpallun dhe klika e Koci Xoxes nuk ishte demaskuar. Mendoj se të dhëna duhet t’ju ketë dhënë Tuku, i cili duhet të ishte në dijeni të ndryshimeve që po bëheshin në partinë t’onë.
- Akuza që i bëhej Partisë mi trajtimin e keq kundër elementit katolik, sëmundje kjo nga e cila vuante edhe vetë Tuku. Pjerini, megjithëse i ri në moshë, me Tukun ka pasur njohuri intime, i cili siç i tha ma sipër, me rastin e arrestimit, kërkoj ndihmën e Tukut.
- Procesi i zhvilluar në drejtim të tyre, sipas mendimit tim nuk ka qenë i plotë. E them këtë, sepse ky grup është gjykuar në një kohë mjaft të gjatë mbas Kongresit të parë të P.P.SH.-së. Hetimet janë zhvilluar në një kohë kur organet e Sigurimit të Shtetit, po goditeshin për gabimet e tyre, që po pësonin edhe ndryshime.
Kështu që puna e këtij grupi paraqitet në gjyq pa kokë dhe çdo gjë u përqendrua rreth këtyre katër personave. Megjithëse personi kryesor, Pjerin Kçira, asht pushkatue, i cili kishte mundësi me dhanë shpjegime të sakta rreth personit shtytës, por nuk ekskludohet rasti që edhe këta të tjerët të jenë në dijeni dhe të jenë në gjendje me dhanë diçka në këtë drejtim.
Lidhur me sa më sipër, që ma forcon dyshimin mbi implikimin e punës së tij armiqësore, janë edhe deponimet e diversantit Xhetan Daci, i cili në lidhje me deponimet e tij për ardhjen në Shqipëri, thotë ndër të tjera që; kishte për mision edhe për t’u takuar me Tukun. Xhetan Daci nga ana e diversantëve njihej si njeri kurajoz, i besës, e të tjera.
Këto i janë paraqitur udhëheqjes me anë të një relacioni nga ana e Degës së Hetuesisë aty. Dega duhet ta ketë patjetër kopjen e atij relacioni. Memorie.al
Fadil Kapisyzi
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016