Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
“Raport-survejimi i “Nuredinit”, Berat, 1955
Memorie.al/publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formularë dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.), që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën vëzhgim të rreptë?!
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Nën/Toger Qemal Ahmeti, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës e familjes së tij në rrethin e Beratit, si dhe bisedat që ai zhvillonte me njerëzit që punonte dhe takonte
Dhënë nga B.p. “Luarasi”
Marrë nga P.Op. Nën/Toger Qemal Ahmeti
Raporti i datës 15.11.1955
Burimi na njofton se në datën 2 tetor 1955, paradite, me rastin e regjistrimit të popullatës në shtëpi ku banon ai, kishte vajtur Tuk Jakova, i cili kishte prurë me vete një lojë shahu dhe kishte lozur me Dake Sherifin, (Sportistin), në kohën që loznin këta, ndodhej edhe Andrea Duri dhe Jani Panajoti, në shtëpi e kishte ftuar Dake Sherifi, i cili i kishte thënë: se nuk kemi ndonjë lojë shahu për të kaluar kohën dhe Tuku i kishte thënë se; kam unë e këtë çështje atij ja kishte thënë Dake Sherifi, e kur u kthye ai nga shërbimi, i gjeti ata të tre në bisedë e sipër. Të sipërmit në këtë kohë, bisedonin për punë sporti.
Ai shpesh takohet me Tukun, por nuk bisedon përveç një salutim, me të shoqen e tij, Nita, takohet shpesh dhe bisedat e tyre janë më shumë për çështje lojnash sportive, si dhe kur ai kthehet nga zyra ajo i kërkon gazetën.
“Luarasi”
Detyra:
- Meqenëse Tuku ka vajtur në shtëpinë e tij për të lozur shah, ju dha si detyrë që në ditët e pushimit, meqë se edhe B.p. dinë të loz shah, të kërkojnë që të lozin së bashku me Tukun.
- Gjithashtu ju dha si detyrë që me të shoqen e tij, Nita, të mbajë lidhje meqë ka muhabet dhe sa herë që ajo kërkon gazetën, B.p. t’ja japë.
Masat Operative:
Të shtypet informata në dy kopje dhe t’i jepen shefit të Seksionit të III-të.
Punëtori Operativ
Qemal Ahmeti
Berat, më 15.11.1955
Dokumenti me relacionin e Drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut të Beratit, Nën/Kolonel Zylfi Saliu, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
Tepër sekret
Berat, më 13.12.1955
R E L A C I O N
MBI PËRPUNIMIN E TUK JAKOVËS
Siç kemi ngritur edhe në relacionin e dërguar nr. A 428/ Res personal, datë 1.10.1955, për përpunimin e Tuk Jakovës, kemi marrë një sërë masash duke e rrethuar me agjenturë.
Nga agjentura që kemi shënuar në relacionin e mësipërm, kanë marrë lidhje të rregullta me të, B.p. “Vigjilenca” dhe “Nuredini”, të cilëve Tuku ka filluar t’u flasë dhe deri në një farë shkalle u beson, kurse agjenti “Maja e Leklit” dhe B.p. “Luarasi”, që banojnë në një nga dhomat e ndërtesës ku banon edhe Tuku, marrin me të kontakte të shpeshta, sepse dhe Tuku u shkon në dhomën e tyre për të luajtur shah me ta, por deri më tani, nuk ka filluar që t’u flasë ndonjë gjë të rëndësishme, veçse flet për çështje të thjeshta, si sporti etj.
Nga përpunim i i deritanishëm që i kem i bërë, na kanë dalë këto të dhëna rreth tij:
Nga kontrolli postar, na del se në një letër që i shkruante Tuku, Frano Jakovës në Gramsh, ndër të tjera i thoshte:
Këtu në Berat drejtoj punishten e marangozëve me një rrogë 4.500 lekë bruto në muaj. Zanatin nuk e paskam harruar dhe jam në gjendje që ta drejtoj këtë punishte.
Më poshtë vazhdon: Me shtëpi jemi sistemuar dhe banojmë në dy dhoma 4 x 3 dhe një farë kuzhinë të vogël, që nuk më nxe mua dhe Nitën (për të shoqen). Duke fol për përjashtimin e së shoqes nga Partia, thotë: “Edhe Nitën (Dhimitrën), e përjashtuan nga Partiua dhe tash jemi burrë dhe grua pa parti. Ti Frano, mos u mërzit por qëndro si burrat, ashtu si u ka hije komunistëve, unë e quaj veten komunist pa parti dhe punoj me ndërgjegje ashtu siç kam punuar gjithmonë, shërbej popullit sa më mirë që të mundesh sepse ai është qëllimi i çdo komunisti të ndershëm.
Duke e mbyllur letrën, Tuku e përfundoni me këto fjalë: Puthi fëmijët për mua dhe ju thuaj se; xhaxhi dëshiron që t’ju shikoj në Tiranë, atje kur ju shkonit gjithnjë sa më parë.
Më datën 14.10.1955, Tuku merr përgjigjen e letrës nga Frano Jakova. Ky i fundit në letrën e tij, duke i fol për konditat e jetesës, i thotë ndër të tjera: Pothuaj se jetojmë në të njëjtat kondita, veçse ti je në qytet dhe unë në katund. Më parë kemi pas jetuar në një farë hani, një dhomë që më kujtonte Tepelenën, atje u futëm përkohësisht, por nuk dukeshin shenjat e largimit prej saj, deri sa morëm një masë energjike dhe diplomatike, e cila detyroi udhëheqjen e vendit të më sistemoj këtu ku jam.
Duke i fol për mënyrën e jetesës, Franua, thotë: “Jetesën nuk e kemi dhe aq të keqe, kjo i dedikohet punës, ose më mirë me thënë zanatit të Maries, rroga jeme shërben sa për të marrë ushqimet, me pague huanë shtetërore, ndonjë borxh të paradhënieve të tërhequra me rastin e transferimit nga Tirana dhe qiranë e shtëpisë me drita, pastaj me i ra karadyzenit. Më vjen pak keq për fëmijët, por tekembramja, le të mësohet me privacione, se jeta është e gjatë dhe jo gjithmonë shesh me lule. Ka një të mirë që e kanë kuptuar situatën dhe janë mësuar me këtë gjendje.
Duke i fol për punën e tij që bën, Franoja vazhdon: “Unë jam shitës në repartin e ‘Reciprokut’, aty mundohem t’i shërbej popullit sa më mirë. Kam sadisfaksion se populli është i kënaqur nga puna jeme, flasin me simpati për ndershmërinë time dhe për trajtimin e mirë që ju bëj. Drejtoria më ka falenderuar për punën, më ka nxjerrë dy herë të dalluar dhe këtë muaj më ka shpërblyer me 1.000 lekë. Kjo më duket si lojë fëmijësh, që del shitës i dalluar, pa kuptim.
Ky dallim për mua është i shtrenjtë, kjo tregon ndershmërinë time ndaj çështjes dhe vendosmërisë me i shërby kësaj çështje në çdo rrethanë. Unë nuk i shmangem kurrë kësaj çështje dhe kam forca e durim e guxim me vazhdue të shërbej gjithë jetën në këtë të drejtë. Më poshtë vazhdon: “Edhe Mitën e përjashtuan nga Partia. Për mua nuk ishte diçka e papritur, unë e dija se edhe thëniet e padrejta për punën e organizatës, nuk do të shpëtojnë.
Unë për vedi, nuk kam bërë asnjë apel. Më ka shërbyer ardhja në Gramsh, me njoh mirë jetën dhe me jetu më afër fëmijëve dhe familjes. Këta janë njerëzit me të cilët kaloj më tepër kohë, njëkohësisht edhe lexoj literaturën artistike, mund të them, se kam mbaruar së lexuari një volum.
Meqenëse Tuku, siç u theksua edhe më lart ka filluar të mendojë se ai kontrollohet nga organet e Sigurimit, mendojmë të themi se; aparati i survejimit kur Tuku ose e shoqja e tij vijnë në Tiranë, të drejtohet kundrejt tyre me kujdes të madh, se ka rrezik që ai të kuptojë ndjekjen që i bëhet.
Këtë çështje e bazojmë në faktin se ai vetë i tha B.p. “Nuredinit”, në Qytetin “Stalin” se Sigurimi më kontrollon, se qeveria don të dij se çfarë bëj unë. Rreth të rejave që do të na dalin për të në vazhdimësi, do t’u njoftojmë.
Drejtori i Punëve të Brendshme të Qarkut
Nën/Kolonel Zylfi Saliu
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, Toger Llazar Minai, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Malariku”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
Marrë nga Toger Llazar Minai
Dhënë nga B.p. “Malariku”
Datë 22.5.1955
R A P O R T
Më datën 10.5.1955, ai u takua me Kol Mirash Noshin, nga katundi Palaj Shosh, i cili i tha se Tuk Jakovës i ka shkuar një letër e lëshuar nga tre shtete për me u bë agjent i UDB-së dhe Tuku këtë letër porsa e ka marrë, është detyruar të nënshkruaj dhe të pranoj e të bëhet agjent i UDB-së. Ai person që i ka çuar letrën Tukut, më ka lut edhe mua për të qenë agjent i UDB-së, për rrethin e Dukagjinit, por unë, kur mësova se po ja çonte letrën Tukut, u frikësova dhe nuk e pranova një gjë të tillë, unë e pyeta atë njeriun se si nuk ke frikë me ja çua këtë Tukut, por ai më tha se; i kam çuar edhe herë të tjera dhe po të më presi mua, shkon dhe vetë ai më parë.
“Malariku”
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, Kapterr i I-rë Tefik Xhuli, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
R A P O R T
Më datën 4.12.1955, duke u gdhirë e djelë, në orët e para të mëngjesit, doli nga shtëpia e Tuk Jakovës, ai vetë me mikun e tij që e ka kushëri, emrin e tij nuk munda ta vërtetoj se cili është, por që ky ka ardhur nga Tirana për miqësi tek buja e tij, Elisabeta Gjergo, shoqja e Nën/Drejtorit të ‘N.I.L. Prodhime’ Kristaq Gjergos.
Kapterri i I-rë
Tefik Xhuli
Berat, më 4.12.1955
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Arqile Gjançi, lidhur me ndjekjen dhe survejimin e Tuk Jakovës në rrethin e Beratit
R A P O R T
Më datën 15.12.1955, Ramiz Shtëpani, ka shkuar në N.I.L. Prodhime të Ndryshme dhe është takuar në orën 8.00 me Tuk Jakovën dhe bisedonin që të dy, hynë brenda në zyrën e tij. Biseda nga ana ime nuk dihet.
Ramiz Shtëpani, është në Ministrinë e Industrisë në Tiranë dhe ka ardhur me një ekip në qytetin e Beratit.
Punëtori Operativ
Arqile Gjançi
Berat, më 15.12.1955
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Qemal Ahmeti, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Lauruesi”, lidhur me ndjekjen dhe survejimin e Tuk Jakovës në rrethin e Beratit
Dhënë nga B.p. “LAURUESI”
Marrë nga P.Op. Qemal Ahmeti
Tepër sekret
R A P O R T
Burimi na njofton se tek shtëpia e Tuk Jakovës, hyn dhe del Jani, (Tekniku i Punishtes së Rakisë) N.I.L. Prodhime të Ndryshme), ku bisedon me Tukun dhe të shoqen. Vizitat i bën shpesh herë në mbrëmje, Tuku për miqësi i ka falur një cigarishten të cilën ja ka marrë drejtori, Andrea Duri.
Kujtim Jorgaqi, ka blerë një pallto të madhe nga Tuku dhe kur i tha Janit, se nuk mund të plotësojë paratë menjëherë, Jani i tha se; bisedoj unë me ta dhe t’i paguaj kur të duash. Edhe Jani kishte biseduar me ta dhe me të vërtetë me të shoqen e cila i tha Kujtimit, se bisedova me Janin. Në shtëpinë e Tukut, hyn shpesh herë dhe major Rustem Harizi, së bashku me të shoqen i cili vjen pothuaj çdo mbrëmje, ose vete Tuku te ai (së bashku me të shoqen).
“LAURUESI”
Berat, më 12.12.1955
Detyrat:
- Të vërtetohet se çfarë mbiemri mban Jani, gjithashtu të shikohen nëse i sjell gjë nga punishtja raki Tukut, etj.
- Përveç personave që the më sipër, kush hyn e del te Tuku.
Masat Operative:
- Të shtypet raporti në dy kopje dhe t’i jepet njëra shefit të Seksionit të III-të në Drejtori. Memorie.al
Berat, më 12.12.1955
Punëtori Operativ
Qemal Ahmeti
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016