Nga Luljeta Progni
-Historia e trishtë e familjes së përkthyesit të njohur, Bujar Doko, që pas dënimit të tij, u burgosën edhe e ëma, me të motrën, 15 vjeçare-
Memorie.al / Donika Doko, 15-vjeçarja e cila kaloi një vit hetuesi në korridoret e errëta të Sigurimit të Shtetit, ishte e bija e Sanije Dokos, e dënuar gjithashtu si “armike e popullit” dhe e motra e Bujar Dokos, përkthyesit të famshëm, që u burgos në moshën 21-vjeçare…! Kjo është vetëm një pjesë e vogël nga historia tronditëse e familjes Doko…! Ulur mbi një karrige në oborrin e shtëpisë, në rrugën “Gjon Muzaka”, Sanije Doko, ishte kërrusur mbi një letër, që po e lexonte me padurim. Me sytë të trembur, por edhe me një farë krenarie, ajo as që po e vinte re, se para saj ishte shfaqur bija e vogël, Dodona (Donika Doko) që sapo ishte kthyer nga shkolla. Vajza u afrua dhe e hodhi vështrimin drejt e tek ajo letër, ku ishte përqendruar aq shumë e ëma. Sanija brofi në këmbë dhe tentoi ta largojë letrën nga sytë e së bijës. Por Dodona, e kishte lexuar tashmë letrën, aq sa të kuptonte se atje diçka shkruhej për të vëllanë, Bujar Dokon.
Prej ditësh, Dodona qante pa pushim në krevatin e saj, nga malli për të vëllanë, Bujarin, i cili nuk vinte më në shtëpi, si çdo darkë e, nuk kish kush e përkëdhelte të voglën e shtëpisë…! Bujari, ishte njeriu më i dashur për Dodonën. Bujar Doko, kishte pak kohë që ishte arrestuar.
Ishte viti 1946, koha kur diktatura po vriste e burgoste, pa mëshirë, qindra djem e vajza, burra e gra, kundërshtarë të regjimit komunist, etj. Bujar Doko, ishte një ndër djemtë më të shkolluar e, të kulturuar të kryeqytetit, dhe tamam për këtë arsye, ai duhet të ishte pas hekurave të burgut, si kundërshtar i regjimit komunist, që sapo kishte vendosur diktaturën më të egër në Shqipëri.
Donika Doko, ose Dodona, siç i thërriste Bujari me përkëdheli, e vuajti shumë burgosjen e të vëllait, ndaj dhe kërkonte me doemos, të dinte se çfarë shkruhej në atë letër, për të. Pas disa debatesh, Sanija e lejoi Dodonën, ta shohë letrën. Dodona ishte vetëm 15 vjeç. Letra ishte një tekst shumë i rrezikshëm për të, dhe në fakt, ajo letër, do t’i paracaktonte një rrugë të vështirë, shumë të vështirë, për një vajzë ende të parritur.
Ishte një trakt ku përshkruhej gjyqi i të vëllait, Bujarit dhe dhjetë shokëve të tij, antikomunistë, atje ku djemtë kishin rezistuar ndaj torturave e, ndaj akuzave të padrejta të prokurorëve gjakatar, kishin kundërshtuar me guxim sistemin komunist dhe për këtë arsye, ishin dënuar me burg. Në trakt, lavdërohej qëndrimi i tyre dhe theksohej se vendimi i gjyqit ishte i padrejtë. Ky tekst, e kishte mbushur me shpresa, 15-vjeçaren Donika Doko. Në kundërshtim me këshillën e së ëmës, ajo e mori traktin dhe e fshehu në një prej fletoreve të saj.
Donika ishte një ndër nxënësit e Liceut Artistik të Tiranës, që ishin të dënuar të mos bëheshin pjesë e organizatës së rinisë. Si shumë të tjera vajza të liceut, nuk e kishte marrë dot triskën e rinisë dhe kjo ndarje, e kategorizonte atë si pjesë e shtresës së “armiqve të popullit”.
Miqësitë e saj në shkollë, ishin të pakta. Siç e përshkruan edhe në dëshminë e saj, ajo qëndronte vetëm, nuk kishte shoqe, madje nuk afrohej as me të tjera shoqe të grupit të “armiqve të popullit”, atje ku i kishte caktuar regjimi.
Kishin frikë të rrinin bashkë, se mund të akuzoheshin për aktivitet, kundër pushtetit popullor. E megjithatë, Donika do ta gjente mundësinë ta ndante me të tjerë, traktin e mbështetjes për të vëllanë, Bujar Doko. Fati i keq, e çoi në vendin e gabuar.
Donika e ndau traktin, me një vajzë e cila e çoi drejt e tek zyrat e Sigurimit të Shtetit. Tamam këtu, nis kalvari i saj, kalvari i një fëmijë, që do të rritej nëpër hekurat e burgjeve komuniste…! Dodona u arrestua, në prill të vitit 1946, sapo kishte mbushur 15 vjeç.
Në shkelje flagrante të lirive dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të të miturve, Donika Doko, përfundoi në hetuesi, e arrestuar si “armike e popullit”, duke u akuzuar për “agjitacion e propagandë, në përpjekje për të rrëzuar pushtetin popullor”.
Fëmija para hetuesit!
Një vajzë e vogël, e imët, me sytë e bukur, por pa shkëlqim, e llahtarisur nga errësira që mbulonte korridoret e Sigurimit të shtetit… kishte mbërritur e prangosur në një prej zyrave famëkeqe, ku e priste hetuesi hijerëndë, Maqo Pecani. Ishte ora 10, ditë e hënë, më 24 prill të vitit 1946.
Dodona rrinte e trembur përballë hetuesit, i cili e pyeste atë, për veprimtarinë armiqësore, duke e kërcënuar se; nuk do të dilte kurrë prej atyre hekurave, nëse nuk do të rrëfente bashkëpunëtorët. Dodona e vogël, nuk kishte çfarë të tregonte, më shumë se sa kishte bërë, një trakt në mbrojtje të të vëllait, që e kishte ndarë me një vajzë tjetër, tek e cila kishte besuar.
Përgjatë një viti hetuesi, Dodona, do të përballej në mënyrë të pazakontë, me egërsinë e regjimit diktatorial, që s’po kursente askënd, as fëmijë si ajo. Në të njëjtën kohë, kur ajo qëndronte në hetuesi, në një tjetër qeli, gjendej e ëma, Sanija, e cila gjithashtu, ishte arrestuar për traktin në mbështetje të të birit.
Ai gjendej në një tjetër qeli, në tjetër burg. E gjithë familja pas hekurave. Një ndër historitë më tronditëse të viktimave të regjimit komunist. Arrestimi ishte vetëm fillimi i një kalvari që do t’i përndiqte deri në fund të jetës.
Dokumenti me proces-verbalin e hetuesisë, ndaj Donik Doko
“Sot në orën dhjetë, ditën e hënë, i vjetit njëmijë e nanqind e dyzetë e shtatë, në seksionin e Sigurimit të Shtetit, Tiranë, përpara meje, nënkolonel Maqo Pecani, merret në pyetje e quajtura Donika Doko, e bija e Xhaferrit dhe Sanijes. Nuk di nëse ndonjëri nga prindërit, të ketë qenë i dënuar nga gjyqet, deri tani.
Përgjigjie: “Quhem Donika Doko, kam lindur në vitin një mijë e nandqind e tridhjetë e një, në Tiranë, me banim të përhershëm në Tiranë, Rruga “Gjon Muzaka”, numër pesëdhjetë e tetë. Jam shtetase shqiptare dhe rrjedh nga shtresa e mesme. Kam kryer shkollën fillore në Tiranë, në vjetin një mijë e nandqind e dyzet.
Kam qëndruar dy vjet pranë familjes dhe pastaj kam filluar të ndjek shkollën e mesme, Liceun dhe jam në klasën e katërt të liceut Tiranë. Nuk jam dënuar ndonjëherë, prej ndonjë gjyqi, jam beqare…!
Është e vërtetë që në muajin prill të këtij viti, kam patur një trakt në dorë, i cili fliste kundër dënimit të vëllait tim Bujarit, prej gjyqit të popullit. Trakti fliste edhe për shokët e vëllait tim, që u dënuan bashkë me të, si; Petrit Toto, Kujtim Koculi e, të tjerë.
Trakti fliste kundër vendimit, duke e quajtur të padrejtë dënimin e tij e, të dhjetë të tjerëve, trakti shpjegonte se të gjithë të akuzuarit, kishin mbajtur qëndrim të mirë në gjyq, si nacionaliste… kishin sharë Partinë Komuniste… e të tjera…!
Unë e kam parë një ditë traktin, në dorën e nënës time, Sanije Dokos, kur po e këndonte. Në atë kohë, isha kthyer nga shkolla dhe e pyeta nënën, se çfarë po këndonte. Më tha se ishte një letër. E pyeta se kush ia kishte dhënë, dhe më tha se, e kishte gjetur në oborr. Ia mora dhe nisa ta këndoj dhe më pas, e futa në një fletore. Nëna më këshilloi të mos e merrja e, të mos ia jepja as njeriu, por unë nuk e dëgjova.
Nuk më kujtohet mirë data, por mbaj mend se pas pak ditësh ia dhashë në dorë T. Tasit që ta lexonte. Ia dhashë, sepse vetëm për atë e dija, se kishte njerëz të saj në burg. Nuk pata bisedë me të, dhe nuk e mbaj mend, a ma ktheu traktin, apo jo, por mbaj mend, që më tha: “Ç’janë këto budallallëqe, mua nuk më duhen këto”.
Unë kam parë vetëm këtë trakt dhe nuk e di nëse mamaja ime, ka parë të tjerë dhe nuk di nëse motra ime, Lumturija, ka pasur dijeni për këtë trakt e, as babi im. Unë nuk kam folur kurrë kundër pushtetit popullor, me asnjë shoqe, si në shkollë, dhe jashtë saj.
Unë nuk e kam triskën e rinisë dhe qëndroj vetëm, e pashoqëruar me askënd, por as me të tjerët, që nuk e kanë triskën e rinisë. Nuk kam tjetër për të thënë. Thëniet e mija janë të vërteta dhe pasi i këndova, jam gati t’i firmos”!
Kjo është dëshmia që ka dhënë Donika Doko (Dodona) para hetuesit Maqo Pecani. Pas një viti hetuesi, ajo u dënua me një vit burg. E ëma, Sanije Doko, u dënua me 3 vite burg. Donika, u dënua më pak se e ëma, për shkak të moshës së saj, të mitur. Dodona i mbushi 16 vjeç, në qelitë e Sigurimit të Shtetit, nën presionin e hetuesve të pashpirt, larg nënës së saj, larg të vëllait e, pjesës tjetër të familjes.
Pas një viti, Dodona u lirua nga burgu. Të tjera beteja kishte përpara. Për shumë vite, iu desh të endej sa në një burg, në një tjetër, në përpjekje për të mbajtur shpirtin gjallë, të ëmës Sanije e, të vëllait Bujar Doko. Jashtë hekurave të burgut, Dodona ishte gjithsesi, e burgosur me damkën e “armikut të popullit”./Memorie.al
(Marrë nga Kujto.al)