Nga Najada Pendavinji
-Dëshmia tronditëse e Fejzi Zenelakut: “S’kisha një kore buke, pasi familja ime ishte e varfër dhe s’më erdhi asnjëherë në burg, kam provuar tortura nga më të tmerrshmet-
Memorie.al / S’kisha një kore buke, torturat ishin nga më të tmerrshmet. Kur vinte koha që të arrestuarit mund të shkonin te rafti ku linin ushqimet e ardhura nga shtëpia, polici nuk ndalonte fare te Fejzi Zenelaku sepse, e dinte që ai nuk kishte asgjë. Por ai, që të kishte një justifikim për të dalë, ndonjëherë linte një kothere bukë “sa maja e thoit”. Kështu ishte të vije nga një familje e varfër, si e tija, që nuk kishte asnjë mundësi për t’i dërguar ushqime në burg. Fejzi Zenelaku, provoi peshën e rëndë të prangave, kur ishte vetëm 17 vjeç, sepse kishte menduar të arratisej, pa e vënë kurrë në praktikë planin e tij. Kaloi shtatë vite pune të rëndë dhe urie të vazhdueshme në burgje, ku megjithatë, gjumin e bëri të qetë, sepse kështu fle dikush “që e ka ndërgjegjen e pastër”!
Z. Fejzi, cila është historia juaj dhe si e përse jeni dënuar?
Historia ime fillon nga viti 1964, isha në moshën 17-vjeçare, kur u njoha me jetën prapa hekurave të kryqëzuara të burgut komunist. Ashtu si mijëra shqiptarë, të cilët provuan sistemin e dënimeve dhe ekzekutimeve të këtij regjimi i cili, nuk i zgjidhte viktimat e tij, qofshin ata fshatarë, punëtorë, intelektualë, gjeneralë, gra e fëmijë, edhe unë u gjenda fare rastësisht, brenda persekutimit dhe urrejtjes komuniste.
Dënimi im, vjen si pasojë e tentativës për arratisje jashtë vendit, më saktë e një mendimi apo ëndrre, për t’u larguar nga Shqipëria e varfër dhe e izoluar e asaj kohe. Them e një mendimi pasi, nuk u realizua si veprim dhe u la në heshtje, derisa erdhi momenti që u zbulua nga Sigurimi i Shtetit i cili, nuk të lejonte as edhe të ëndërroje.
Kështu që jam dënuar me 8 vite burg, për tentativë arratisjeje jashtë vendit e cila, mund të them që në atë kohë, ishte një nga akt-akuzat më të rënda pasi, nuk mund ta pranonin dhe lejonin që të largoheshe nga Shqipëria Socialiste.
Thjesht vetëm se kishit menduar arratisjen…?!
Po…siç ju thashë edhe pak më lart, në ishim tre shokë shumë të rinj në moshë, unë adoleshent, ende pa mbushur 18 vjeç, nga fshati Ponçarë i Devollit, ku aty në kooperativë, nuk e gjenim veten, punonim shumë dhe vetëm për bukën e gojës, por edhe kjo me racion. Duke parë fshatin fqinj Shatë, përtej kufirit, që nuk i kalonte 30 shtëpi, njëra më e mirë se tjetra, me asfalt, ku hynin dhe dilnin mbi 100 makina luksoze në ditë, që për atë kohë, ishte e paimagjinueshme dhe e krahasuar me fshatin tonë, i cili edhe pse ishte 5 herë më i madh në numër, ia kalonim vetëm me gomerë, pra ishte një dëshirë për të parë më shumë.
Të gjitha këto, por edhe shumë gjëra të tjera të ndaluara në atë sistem, na bënin që të mendonim se këtu te ne, ka diçka që nuk shkon, e se duhet bërë çdo gjë, për të dalë nga ajo gjendje, duke mos e përjashtuar mundësinë, për të kaluar kufirin. Ky mendim dhe kjo ëndërr, vazhdoi me javë dhe muaj: aq sa i afroheshim me sy atij fshati, aq edhe i largoheshim, gjersa një ditë, kur u kujtuam se familjet tona mund të kishin pasoja, madje të rënda, hoqëm dorë përfundimisht.
Vendosëm që të durojmë gjersa të piqeshim dhe të rriteshim edhe ca. Dhe më pas të shkonim në ndonjë ndërrmarje shtetërore, ku rroga do të ishte më e mirë. Por nuk e dinim që regjimi komunist kishte aftësinë që të hynte kaq thellë, sa të dëgjonte zërin e mendimit dhe të frikësohej në mënyrë paranojake nga një grup adoleshentësh nga fshati, shumë të varfër, kur ne nuk kërkonim asgjë tjetër, veçse një punë më të mirë, pa dëmtuar asnjeri.
Kështu që pikërisht ato ditë ku ne vendosëm që të hiqnim dorë, në 30 korrik 1964, kur isha duke u kthyer nga fusha ku korrja grurë, pashë dy makina të Degës së Brendshme të rrethit dhe gjithë ata oficerë e civilë të panjohur, si dhe në distancë bashkëfshatarët të zverdhur, si pa gjak në fytyrë.
Më thanë se duhet të shkoja me ta vetëm për një sqarim. Kur hyra në makinën e madhe e të mbuluar, vura re se ishin edhe dy shokë të tjerë: njëri që punonim bashkë, por që nuk kishim lidhje fare dhe tjetri që kishim biseduar për arratisjen, Pëllumb Malka. Megjithëse gati po errej, vura re që nuk qëndruam në lokalitet siç na u tha në fillim, as në Bilisht, por u ndalëm në Korçë, te Dega e Punëve të Brendshme, ku menjëherë filloi hetuesia…!
Çfarë ndodhi gjatë hetuesisë?
Unë isha tepër i vogël në moshë për të kuptuar se çfarë ishte në të vërtetë hetuesia e asaj kohe. Nuk po kuptoja çfarë po ndodhte pasi, na thanë se na morën vetëm për sqarim, që zgjati për gati 1 muaj e gjysmë. Kur ndaluam në Degën e Brendshme më bënë një kontroll të imtësishëm, ku më gjetën një gazetë “Zëri i Rinisë” të asaj kohe, 50 lekë dhe një gjysmë krehëri. Më dhanë dy batanije dhe më plasën në qelinë nr. 3.
I lodhur, i dërrmuar pasi kisha realizuar dy norma, por mbi të gjitha krejt i pafuqishëm, më kishte zënë gjumi dhe kushedi se kur do isha zgjuar, sikur mos të ishte hapur dera. “Çohu”,-më thanë dy policë. “Çfarë kini ore”?! “Eja, të kërkojnë lart në zyrë”. Kur hyra në zyrë, gjeta përveç një civili trupmadh që, me sa mora vesh më vonë, ishte Jani Naska, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme edhe një oficer madhor.
Më ulën në një stol dhe të parat pyetje që më bënë ishin: “Na thuaj Fejzi, sa vjeç je? Çfarë ke në familje? Po të afërm”? Atëhere, unë u mendova dhe e dija që atyre do i’u pëlqente ajo që i’u thashë, pasi vija nga një familje simpatizante e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Dhe iu përgjigja: Xhaxhi im ka qenë partizan dhe ishte dhe komunist, dajallarët kanë qenë pjesëmarrës me Lëvizjen Nacionalçlirimtare e, deri te vetja ime, si anëtar i Bashkimit të Rinisë, sportist e punëtor si asnjë tjetër.
“E pra,- më tha ai,- prandaj dhe ne na vjen keq e nuk duam të të sakrifikojmë, por edhe ti duhet të na ndihmosh ama”. “Më thoni si”? “Po, ja, të na thuash ç’të lidhte puna me djalin e Ismail Malkës, i cili ishte dënuar si kundërshtar e armik i Partisë! “Nëse na i thua këtë, – tha kryetari i degës Jani Naska, – për kokë të fëmijëve atëherë do shkosh në shtëpi”.
Ndërsa ai thoshte këto, unë arsyetoja se kjo tolerancë ndaj meje, do të kthehej në brutalitet dhe ashpërsi ndaj shokut. U burrërova dhe i thashë që jemi bashkëmoshatarë e, pavarësisht se ka qenë në internim e i kujt ishte, ishim shokë.
Këtu u nxeh situata dhe oficeri që ishte në krah të Jani Naskës, u ngrit në këmbë e, më futi gishtat e të dyja duarve në flokë, më tundi për një moment. “Jo, lëre”,- tha kryetari i Degës. “Mirë Fejzo, të ofrova një mundësi. Nuk do të përfitosh, puna jote”, tha ai. Kaq, mbaruam. I ra ziles, hynë policët të cilët më çuan përsëri në qelinë nr. 3.
Kisha dëgjuar se, kush e ka ndërgjegjen e pastër edhe “pa jastëk nën kokë, fle si shqerë”. Kështu ndodhi edhe me mua. Të nesërmen rreth orës 10:00, më çuan në një zyrë tjetër, ku përballë, kisha një burrë të shkurtër, paksa trashaluq, tepër simpatik.
–“Pa hë, mo’ Fejzo ç’po ndodh kështu me ty”?, më tha e më pas vazhdoi: “Nuk dënohet njeriu për një fjalë goje o jo, aq më tepër që i riu, është si veriu. Pa më thuaj do iknit vërtet, gjoja për një jetë më të mirë, apo vetëm aludonit”?! “Në fakt ne kishim hequr dorë me kohë nga ai mendim dhe e lamë që kur të rritemi edhe ca të shkojmë në një ndërrmarrje shtetërore”. “Vetëm kaq”?! -tha zyrtari i panjohur. “E dhimbshme, por duhet të hedhësh një firmë”, vazhdoi ai
Ashtu bëra, duke e kuptuar disi se kisha firmosur për një të ardhme tepër të vështirë. Ditën tjetër, përballem me hetuesin e çështjes sime. Duke parë raportin e ditës së kaluar, ai e kishte të qartë ecurinë e situates, në të cilën ndodhesha dhe më thotë: “Pra ke firmosur që së bashku me djalin e Ismail Malkës, Pëllumbin, kini ëndërruar një botë tjetër, gjoja më të mirë”. “Është e drejta e secilit të thurë ëndrra”, ia pata unë, paksa i tronditur.
“Ëhh! Veç kësaj, ti ke konsumuar edhe veprën penale të agjitacion-propagandës”. Nuk është e vërtetë, ia pata me neveri. “Atëherë shiko këtu, ke thënë se: Jeta në Amerikë bëhet më e mirë, se punëtorët aty paguhen më shumë se në Shqipëri dhe se njerëzit aty hanë në restorante, bukën nuk e paguajnë fare”. ‘Këtë e thonë të gjithë’, iu ktheva unë. “Si të gjithë ore, e kupton çfarë po flet”?! ‘Të gjithë, duke të përfshirë edhe ty shoku hetues’, vazhdova përsëri.
Këtu ai u bë si i marrë e, u mat të më godiste me një thupër të metaltë që, me sa duket ishte kastile për kësi rastesh, por u përmbajt. Mbas tri ditësh, më futën në qeli një të burgosur ordiner nga qyteti, në mënyrë për të marrë ndonjë informacion, por ai, më tregoi për çfarë kishte ardhur atje dhe më tha se:
“Nëse ke ndonjë gjë me zarar, mos ma trego fare, pavarësisht çfarë thotë qeveria. Se unë e di që ju që ju akuzojnë për politikë jeni njerëz të mirë, të veçantë që ju duhet hequr kapela. Kështu thotë vazhdimisht babai im”. Kaluan katër ditë dhe e hoqën nga unë.
Ju kanë torturuar gjatë hetuesisë?
Dhuna e përdorur ndaj të dënuarve, pra ndaj nesh, bëhej në forma nga më të ndryshmet. Kështu që edhe ndaj meje, ka pasur tortura, por jo drejtpërsëdrejti. Mbaj mend gjatë hetuesisë, na jepnin një herë në 24 orë ushqim dhe na lejonin vetëm një herë për nevojat tona personale. Isha i uritur, i rraskapitur, pasi buka që sillnin ata, nuk më ngopte asnjë vakt.
Familja ime ishte e varfër, nuk më ndihmonte dot me ushqim, ashtu siç ndodhte me të burgosurit e tjerë, të cilët ushqimin e sjellë nga familjarët, e ruanin për më vonë te një raft. Prandaj, si një justifikim për të dalë jashtë, vendosa që të lija edhe unë një kothere buke në atë raft. Kur erdhi momenti i ajrimit, polici nuk ndalon te qelia ime, pasi e dinte fare mirë që unë s’kisha asgjë për të marrë…!
Por unë me atë zërin tim të dridhur, i them: kam edhe unë diçka. Kur shkoj atje kontrollova, por nuk po e shikoja. Ngulmoja të gjeja bukën time, e cila ishte sa “maja e thoit”. “Shpejt”, thotë polici, duke e parë çfarë po kërkoja, më drejtohet: “Eh more ti, i thua vetes politikan…”! Ishte hera e dytë që po e dëgjoja këtë fjalë, me një konotacion të rëndësishëm.
Ndërkaq, ai rrëmben një gjysmë buke të gatuar vetë dhe ma lëshon në duar. “Merre…”! Unë mbeta me mëdyshje duke i thënë: Nuk është e imja. “Ti nuk po e vjedh, unë po ta jap”. E mora, shkova në qeli, por kafshata e parë që futa, më ngeci në grykë. Ia ktheva përsëri, duke vajtur te vendi me duar bosh, por me ndërgjegje të pastër.
Kujtoj një rast që mbaj mend, një të burgosuri i cili, bëri 11 muaj hetuesi intensive, kur gjatë kohës që ai ishte i lidhur në karrige, në xhepin e xhaketës së tij, kishte gjetur strehë miu i cili, ishte shumuar edhe me minj të vegjël.
Ai qëndroi për gati një kohë relativisht të gjatë me minjtë të cilët, e shoqëronin gjatë kohës së marrjes në pyetje. Këto ishin vërtet situata të cilat tregojnë më së mirë, sesi njeriu kthehet në një gjendje tepër mjeruese nga ai sistem diktatorial.
Si u zhvillua gjyqi juaj?
Pas përfundimit të hetuesisë, u zhvillua gjyqi me dyer të hapura. Pjesëmarrës ishin familjarët e mi, njerëz të tjerë dhe trupi gjykues, ku gjykatëse ishte Eleni Selenica. Në këtë gjyq, dolën dy dëshmitarë. I pari ishte sekretar partie në fshatin tonë dhe i dyti ishte shoku, me të cilin ne kishim biseduar në lidhje me arratisjen, që na kishte spiunuar te Sigurimi i Shtetit.
Ishte e vështirë të dëgjoje dëshmitë e dy njerëzve të cilët na njihnin fare mirë, sidomos shoku, i cili mendonte si ne, por doli kundër nesh. Fjala që tha dëshmitari i parë ishte: “Di që Fejzi Zenelaku, ka qenë punëtor i mirë, aktivist i rinisë, sportist i mirë, por kohët e fundit u vunë re shenja mendjemadhësie dhe kryeneçe”! Jam dënuar me 8 vite burg, për “tentativë arratisjeje jashtë vendit”!
Tani, sistemi komunist ishte i ngritur në atë mënyrë që, të gjente sa më shumë njerëz të cilët vinin Partinë mbi gjithçka, pra mbi jetën, familjen, shoqërinë, lirinë. Shoku që më spiunoi, edhe sot e kësaj dite, nuk më ka dalë përpara dhe të më tregojë arsyen pse, por kam pasur një bisedë me gruan e tij, e cila më ka komunikuar se ai është penduar…! Më mirë vonë sesa kurrë, por humbi marrëdhënia dhe shoqëria jonë, vetëm e vetëm për disa përfitime të cilat, mund të të përdhosin vlerën dhe dinjitetin njerëzor.
Ku e vuajtët dënimin?
Pas mbarimit të gjyqit, na çojnë në kaushet brenda të cilëve ishin 16 burra, dhoma që shërbenin për të mbledhur të dënuarit, që do shpërndaheshin nëpër kampet e punës së regjimit komunist. Këtu mbaj mend që më kanë futur në një nga birucat e Korçës të cilat, ishin vërtet të tmerrshme, për gati 5 ditë.
Atje gjeta një ish-veteran lufte, Stavri Çuti, i cili kishte marrë shtatë plagë gjatë Luftës dhe ishte dënuar me 7 vjet burg, për “agjitacion dhe propagandë” ishte i moshuar.
Birucat ishin të ftohta, në këmbë nuk rrije dot pasi të zinte koka në shkallët që ndodheshin në mes, por as nuk shtriheshe dot pasi, biruca ishte bërë me gur prej lumi, aq ftohtë ishte. Nga këtu, fillimisht më kanë çuar në kampin e Laçit, ku kam qëndruar për gati dy vjet dhe aty kam punuar suvaxhi.
Atje në Laç, kam gjetur intelektualë, priftërinj katolikë, zv/ministra, drejtorë të periudhës Monarkisë, etj. Ishte krijuar një ambient burrëror, ku bëhej moral, ku luhej shah, lexoheshin libra dhe ne të rinjtë frymëzoheshim nga ata. Të tillë ishin: Tomor Dosti, Luan Koka, Bardhosh Gjonzeneli, etj.
Prej sa të dënuarish përbëhej ai kamp?
Kampi kishte gjithsej rreth 1000 burra të cilët, punonim sipas rastit, edhe me dy turne. Duke qenë se unë isha një djalë fshati, që dija vetëm të punoja tokën, atje gjeta një kolektiv mbështetës, prej të cilëve u edukova me frymën e leximit të librave dhe intelektit.
Ata theksonin gjithmonë se; leximi të shijon, ndryshe kur je i lirë dhe ndryshe në burg, por unë nuk e bëja dot këtë dallim, pasi atje ishte e hera e parë që shihja kaq shumë libra dhe njerëz të cilët mësonin edhe gjuhë të huaj në mënyrë autodidakte.
Gjithashtu, kam parë që intelektualët e burgosur shfrytëzoheshin për përkthimin e librave të autorëve më të mirë artistikë, por edhe atyre që kishte nevojë regjimi. Libri të krijonte një “aromë lirie” sa ne, filluam që të thërrisnim njëri-tjetrin me pseudonime, kryesisht me emrat e personazheve të librave që lexonim. Shiko, kontakti ynë me librat, vinte në disa mënyra: ishin librat e lejuar nga komanda të cilat, gjendeshin në bibliotekën e kampit të Laçit dhe tjetra, futja e librave në mënyrë të fshehtë nga të burgosurit.
Kjo kategori libri të shijonte më shumë, pasi ishin vepra të shkrimtarëve të mëdhenj dhe nuk kishin karakter propagandues. Ishte e vështirë t’i fusje, por akoma dhe më e vështirë ishte t’i ruaje nga spiunët e Sigurimit të Shtetit të cilët, iu druheshin librave dhe inteligjencës së lirë të njeriut.
Gjithashtu në këtë kamp, ishte futur edhe aparat filmi, ku ne shikonim filma si të uritur, në një kohë që në fshat, rrinim me opinga të grisura dhe jo më të shikonim filma. Këtu në Laç, u njoha me Esat Elezin, nga Kukësi, i cili më ndihmoi me libra shkollorë, për të përfunduar shkollën e mesme në burg.
Ashtu siç ndodhte rëndom, në çdo kamp apo burg të regjimit, nëse të fusnin në shënjestër, të shtrydhnin mirë dhe nuk i shpëtoje dot kthetrave të tyre. Edhe këtu e njëjta gjë ndodhte. Pas Laçit më çojnë në Elbasan, ku kam punuar në ndërtimin e Fabrikës së Çimentos. Nuk qëndrova shumë aty dhe pas kësaj, më çojnë në Spaç, atje ku përjetova tmerrin e punës në galeritë e kampit.
Keni punuar në minierë dhe si ishin kushtet atje?
Isha në moshën e duhur sipas tyre, për të punuar në galeri, kështu që e kam provuar edhe punën si minator në galerinë e kampit, e cila ishte rraskapitëse. Por mua nuk është se s’më interesonte, pasi më duhet të punoja që të mbaja veten sepse, vija nga një familje tepër e varfër, e cila nuk ushqehej dot për vete, jo më të më kishte dhe mua përgjegjësi.
Kështu që, duhej të realizoja normën. Kishte raste që ne të burgosurit, nga puna e rëndë, nuk mundeshim të realizonim normën dhe si pasojë prishej cikli i punës. Qëndrimi me turne në punë, ishte tepër torturues. Ka pasur raste që kanë ndodhur edhe aksidente të cilat, vinin edhe si pasojë e lodhjes, por sidomos kur nënvlerësoheshin rregullat e sigurimit teknik, nga ne të burgosurit.
Po në kapanonet ku flinit, sa veta ishit?
Në vitin 1971 kur shkova unë në Spaç, ishin 5 kapanone të ndërtuara me parafabrikate pupuliti, ku secili kapanon kishte brenda 200 deri në 1000 veta.
Ka pasur tortura atje?
Përsa u përket torturave që ndodhnin në kamp, më është fiksuar një rast ku, një shokun tonë e kishin goditur policët pasi, nuk kishte pranuar të hynte në galeri, ai ishte Bajrami nga Berati. E kishin gjakosur sa nuk dallohej nëse ishte ai apo jo. Jua përmenda këtë situate, për vetë faktin se kjo dhunë e ushtruar ndaj atij, shërbeu që të burgosurit politikë, të ngriheshin në revoltë, duke tentuar të shkulnin edhe gardhin e rrethimit të brendshëm.
Kjo situatë mund të them se i përngjante revoltës së madhe të ’73-it. Komandanti i kampit, Çelo Arrza, mori masa duke qetësuar të burgosurit. Kampi i Spaçit, ashtu siç mund ta kenë përshkruar edhe shumë të burgosur të tjerë, është një nga kampet më të tmerrshme të atij sistemi edhe pse ushqimi ishte i mirë, puna, dhuna dhe keqtrajtimi ishte i rëndë.
Më thoni një poezi që e keni realizuar gjatë viteve në burg?
Të jetosh nëpër burgjet e regjimit diktatorial, kërkon forcë të pathyeshme të cilën, mundohesh ta gjesh kudo, kërkon të kapesh diku për të qëndruar gjallë. Dhe ju e dini që shumica nga ne të burgosurit, gjenim frymëzim, shpresë tek zhanri më i zakonshëm i krijimtarisë, që ishte poezia. Atje mund të shkruaje çdo gjë, mbi ato që po përjetoje në një çast, mbi ato që shikoje dhe mbi të gjitha mbi jetën e rëndë të burgut e cila, do peshonte mbi supet e mia edhe pas mbarimit të dënimit.
Kështu që një pjesë e mirë e poezive, që unë kam botuar sot, sidomos libri i parë, janë shkruar gjatë kohës që kam kaluar në burgun e Spaçit. Duhet ta dini mirë që, ishte e vështirë fshehja e tyre nga strukturat gjurmuese, vëzhguese dhe hetuese të sistemit. Prandaj nga frika e gjetjes së tyre, mundohesha t’i mësoja përmendësh. Disa të tjera i shkruaja në fletët e cigareve dhe i fshihja në jakën e xhaketës.
Si e kujtoni lirimin?
Lirinë njeriu e çmon dhe ia di vlerën, vetëm atëherë kur ka qenë prapa hekurave ku, edhe fluturimi i një zogu, i duket një mrekulli. Për ditën e lirimit, kam mbresa të veçanta pasi, e kam pritur me shumë dëshirë, por mund të them me plot bindje se, nuk ndjeva ndonjë gëzim të veçantë. Mund t’ju duket e pabesueshme, kjo që po ju them, por për mua ishte kalimi nga burgu i vogël i Spaçit, në “burgun e madh Shqipëri”.
Pse e them këtë? Sepse humbja e lirisë nuk vjen si pasojë e mbylljes në një vend të quajtur burg, por edhe nga izolimi, brenda një vendi komunist, ku liria ishte e privuar që në ngjizje. Ditën kur unë do lirohesha, e kishin marrë vesh edhe shokët e mi dhe, për t’u çlodhur, ndërhynë duke biseduar me doktorin e kampit, i cili dihet ishte i burgosur, për të më dhënë një raport mjekësor.
Ai e lëshoi raportin, por në ditën e katërt na ndodhi një incident: dikush kishte raportuar në komandë në lidhje me raportin fals. Kështu që vjen mjeku ushtarak, për të vlerësuar gjendjen time fizike. Doktori i kampit, më lutet duke më thënë: “Mos më lër në baltë”. Për të mos u zbuluar, më thotë që i duhet të më bëjë një gjilpërë pasi, dënimi do të ishte i rëndë për të.
Këtu dyshova dhe po mendoja me vete se do më bënin diçka në prag të lirimit, pasi nuk mund ta imagjinosh dot se, çfarë mund të të ndodhte nga momenti në moment, nga ata. Por gjatë gjithë jetës sime nuk kishte pësuar asnjeri gjënë më të vogël për shkakun tim, kështu që nuk mund ta lejoja dhe mendova: le të ndodhë ç’të ndodhë, për hatrin tim mos të vuajë njeri.
Shkova në infermieri, e bëra gjilpërën dhe gjendja ime u përkeqësua, por brenda 1 ore u normalizua gjithçka, shpëtuam të dy. Jam liruar në vitin 1971, duke u kthyer përsëri në vendlindjen time, Ponçarë, atje ku më prisnin familjarët e mi dhe ku do përballesha me jetën e pas burgut…! Memorie.al
Marrë nga Kujto.Al