Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëdhjetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Meqenëse në një burg, mund të kishin përfunduar njëherësh më shumë se një pjesëtar familjeje, i ndanë edhe këta, njërin në një cep, tjetrin në skajin më ekstrem. Kështu, para familjarëve dolën pengesa të reja; për t’i mbajtur me ushqim e veshmbathje, tashmë nevojiteshin më tepër sakrifica, më tepër kohë, më tepër njerëz dhe më tepër të ardhura monetare. Këtë ndihmë “vëllazërore”, të udbashëve serbë, e quajtën organizim. Tani do flasim se si lindi në burgje, termi “riorganizim”. Kjo, për të cilën fola më sipër, ish vetëm zanafilla e këtij procesi.
Sepse eksperiencën e fituar ndër vite nga ish shokët e armëve, tashmë armiq për vdekje, këta të Sigurimi i Shtetit, e aplikuan në praktikë. Nxënësit u treguan më të shkathët e më novatorë, i tejkaluan ku e ku edhe profesorët – tyre. Përsosën më tej mekanizmin që përvetuan dhe ua përshtatën atë, kushteve të reja. Me instalimin e kampeve të punës, organizuan grupe të dënuarish nga rrethe të ndryshëm, të cilët i çonin në këto terrene të rrethuara me tela gjembaç, për të shfrytëzuar badihava krahun e punës.
Nën shembullin e nazistëve, fillimisht kampet u përdorën për plotësimin e nevojave më të domosdoshme, si të thuash, ato të dorës parë. Si nisje, nevojiteshin godina për strehimin e rojtarëve të tyre; pra, i ndërtuan banesa të reja. Por meqë të burgosurit ja morën dorën zanatit dhe xhelatët ja panë hairin punës qelepir, vazhduan më tej ritin shfrytëzues. Duheshin bonifikuar kënetat e moçalet, duhej trasuar hekurudha Tiranë-Durrës, duhej modifikuar fusha e aviacionit në Urë-Vajgurore, patjetër duhej edhe një aeroport i ri pranë Tiranës që Udhëheqësit e Mëdhenj, t’i qaseshin kampit socialist; pa po, nevojiteshin kanale kulluese dhe vaditëse në Vlashuk e Beden, etj., etj., me radhë…!
Dhe kush më mirë e më lirë se të dënuarit politikë, mund t’i bënte këto?! Më prapa, kjo vazhdë e pandalshme, vazhdoi me fabrika e me kombinate, me miniera e me pallate, deri sa u shua regjimi. Angaria e përditshme me orar të zgjatur, udhëtimet rraskapitëse në këmbë, shpesh edhe mbi dy orë larg barangave të fjetjes, ngarkuar me vegla pune mbi shpinë; mungesa e theksuar e ushqimit, e veshmbathjeve, tej lodhja për shkak të moshës, mungesa e kushteve higjeno-sanitare, sëmundjet ngjitëse që bënin kërdinë; gjithë këto të këqija bashkë, i detyruan të burgosurit të rrisnin solidaritetin mes tyre.
Grupe të dënuarish, mbasi kalonin në një burg apo kamp, shpesh edhe në një brigadë apo në një kapanon, kohë të gjatë së bashku, miqësoheshin tepër; më të kamurit ndihmonin me ndonjë ushqim, më të vobektët; më të fuqishmit iu bëheshin krahë të moshuarve dhe të sëmurëve të realizonin normën, që t’i shpëtonin ndëshkimeve. Jetesa në grup, nxiti bashkëpunimin, rriti besimin deri në atë shkallë, sa në rrethe të ngushta shoqërore, bënin edhe plane arratisje, ndoshta jo të tërë, por një, dy, tre dhe të tjerët që ishin në dijeni të aktit, s’ndiheshin, apo për më tepër, jepnin kontribut në plotësimin e ëndrrës së bashkëvuajtësit.
Tentativa arratisje kishte patur herë pas herë, paçka se më të shumtat të dështuara: tuneli i burgut të Tiranës, në fillim vitet pesëdhjetë, përfundoi me ri dënimin e një grupi të madh, me afate të gjata; aq sa tre nga protagonistët e asaj ngjarje të bujshme, Besim Latifin, Qani Mulitën dhe Zihni Dervishin, do t’i gjeja në Reps, do kalonim pesë vite bashkë dhe, mbasi do më lironin mua, do ngeleshin sërish atje! Por ndonjëra rezultoi e suksesshme, si rasti i fushës aviacionit në Berat, ku një grup i organizuar u arratisën, të mbështetur edhe nga shokët që s’kishin ndërmend të iknin, por që shkaktuan zallamahi, për t’iu dhënë kohë bashkëvuajtësve të largoheshin sa më shumë, nga ndjekësit.
Kjo tentativë e suksesshme, që përfundoi me arratinë jashtë kufirit të disa të dënuarve, si Nezir Danushi, etj., dhe me pjesën tjetër që iu bashkëngjitën luftëtarëve në male, për rrëzimin e sistemit komunist, (kryengritja e Zhapokikës e drejtuar nga Kalem Plashniku dhe miqtë e mi, Baba Bajram Mahmutaj dhe Skënder Alia, që bënë mbi tridhjetë vite burg), iu dha një mësim shembullor kapove të Ministrisë Brendshme e, drejtuesve në burgje. Që nga ajo kohë, për të rritur survejimim mbi grupet që mund të organizoheshin apo, edhe individë të veçantë që mund t’iu dilnin duarsh e, të mendonin arratinë, filluan të aplikonin riorganizimin.
Edhe pse më prapa, nga kuturisës të veçantë apo edhe grupe të kufizuar në numër, s’kanë munguar tentativat për arratisje, përgjithësisht ato kanë dështuar, o që në burg, të denoncuar nga informatorët e Sigurimit të Shtetit, ose edhe kur kanë arritur të largohen nga rrethimi me tela gjembaçë, janë kapur në terren nga Forcat e Ndjekjes apo grupet e armatosura të Forcave Vullnetare e territorialë; rrallë ndonjëri arriti të kapërcente kufirin shtetëror. Pra, për të shprishur konfiguracionet e këtyre grupimeve apo, shoqëritë e ngushta që i konsideronin pothuaj grupazhe, herë pas here, aplikonin riorganizimin. Riorganizimi mund të ishte ekstrem, domethënë transferim nga kampi në burg apo, në një kamp tjetër e anasjelltas dhe riorganizim i pjesshëm, apo specifik.
Në rastin e riorganizimit ekstrem, kur të dënuarit ndaheshin, rrallë rastiste të ri takoheshin sërishmi, sepse njëri përfundonte në lindje, tjetri në perëndim. Ndërsa riorganizimi specifik, konsistonte thjeshtë në shkatërrimin e konfigurimeve të brendshme në kapanonë, në brigada, në frontet e punës ose, mund të bëhej vetëm për një nakatosje elementësh, me prejardhje nga krahina të ndryshme dhe me bindje të kundërta politike, që mos të arrinin të gjenin gjuhën e mirëkuptimit me sho-shoqin, jo më t’i besonin njëri tjetrit, të fshehta me rrezik.
Ndodhte shpesh që dy kundërshtarë të ndanin kufirin shtatëdhjetë centimetërsh dhe, edhe pse armiqësia mes tyre njihej ashiqare, komanda këmbëngulte dhe i detyronte të bashkëjetonin, frymë më frymë. Në këso rastesh qëllonte që dy “armiqtë” të pajtoheshin, të afronin qëndrimet, madje ndonjëherë të vëllazëroheshin deri në probatinllëk. Kjo mënyrë sjellje, i linte organizatorët meskinë me gisht në gojë. Por ka patur edhe raste tragjike, kur gjitonllëku ka përfunduar me viktima dhe organizatorët fërkonin duart të kënaqur, që ia mbërrinim synimit. Por kur aplikonin riorganizimin specifik, qëllonte të të sillnin shok krahu, një hajdut, një pisanjos, një spiun, një imoral, etj., sipas dëshirave dhe orientimit të operativit të kampit.
Ishe i detyruar të duroje! Të duroje dhe të rezistoje! Përgjithësisht, kur parapërgatitnin riorganizimet, punonin qethaz. I përpunonin listat në fshehtësi të plotë, si në ilegalitet. Një grup i kufizuar personash, besnikë të komandës, strukeshin skutave më të errëta të Zyrës Teknike. Por gjithsesi, lajmi i kapërcente filtrat e imta të sekretit, e nëpërmjet valëve infra të shkurtra të radio burgut, merte dhenë. Përgjegjësi i Zyrës Teknike, apo spiunët që i ftonin të jepnin opinione për individë apo grupe që duhej të shprisheshin, kishin miq të afërt e të besuar që iu tregonin, këta po kishin miqtë e tyre më të ngushtë që i vinin në dijeni dhe kështu, thesi shpohej e poçja nxirrte erë, pa u bërë ende fakt i kryer, lajmi delte.
Pavarësisht nga kohëzgjatja e implementimit, periudha e thashethemnajës mjaftonte të viheshin në lëvizje miq e shokë, të lidheshin aleanca të reja dhe kur ky riorganizim përditësohej, grupet ishin rikrijuar dhe vendet e fjetjes ishin ripërcaktuar sërish. Përveç angarisë, që të shkaktonte bartja e plaçkave nga njëri kapanon në tjetrin, grupet shoqërore s’pësonin ndonjë dëm kushedi sa! Po mbushja rreth gjashtë muaj në Reps. Dashje pa dashje, në atë hapësirë të kufizuar, kisha njohur pjesën më të madhe të treqind burrave, që vuanin dënimin aty.
Me shokët në punë shkoja mirë, u mësova edhe me qyrekun, edhe me rregullat. Tashmë ngricat dimërore kaluan e, moti po ngrohej. Vërtetë pranvera erdhi me vonesë, me shumë lagështi, por me kalimin e javëve, moti ndryshoi, dita u zgjat dhe dielli ngrohte goxha. Kur na krijohej mundësia, zinim ndonjë rrëzë të nxehtë e shulleheshim, për të larguar reumatizmin. Por sa më tepër zgjatej dita, aq më shumë na u shtuan angaritë. Tashmë policët s’kënaqeshin më me tetë orë punë; kështu, dhjetë-dymbëdhjetë orë, na ikte në kantier. Shumë të dënuar të shkrehur fizikisht e të sëmurë kronikë, që s’arrinin të plotësonin normën, përfundonin të lidhur me tela pas shtyllave, në “Udhën e Golgotës”.
Kish gati një muaji që dëgjoja të pëshpërisnin për një riorganizim të pritshëm. Ndiqja reagimet e pleqve por ata s’flisnin për këtë. Ndaj një ditë s’m’u ndenj, e pyeta fqinjin tim: – “Xha Esheref, kam dëgjuar të përflitet poshtë e lartë për riorganizim”! “E di, a i ke dëgjuar edhe ti? – Llafet e burgut si pordhët e murgut, or cull”! – ma preu vrullin ai. – “Mbase, po në dalshin të vërteta, do më prishnin shumë punë”! – “Pse bre, njitu ku je, a kishe me dal ma herët kah burgu”?! – i nervozuar la mënjanë thikën e imët e po u frynte me gjithë bulçitë, ashklave të bushit që po gdhendte.
– “Jo, po do më largonin prej jush”! – thashë si me ankim. – “Hajd e burr, pse ban si f’mijët! E ku kan me t’çue, bre? Njitu, në kët dy dylym vend, kem me mbet”! – iu shrfyu ashklave dhe shtoi: – “Veç kan me na ndrrue strofkën! Ani, tash po vjen vera, ene shtazët e ndrrojnë folenë”! – “Or mixhë, jemi në burg, këtu”! – “E mandej”?! – “Më nevojiten miqtë”! – iu përgjigja patetik. – “Or mec, ti tash je ba profesor e s’t’hyjmë ma n’punë na zhgorrot”! S’e prisja të shprehej kështu, ndonëse e kuptoja që e bënte sa për syxhihane, sepse përbrenda shpirti i fliste ndryshe. Kaloi ca kohë; s’e hapa më këtë temë, nga droja se mos më kthehej më ashpër.
Kur një mbrëmje dëgjova dy fqinjët e mi, tek llafoseshin pikërisht për temën që isha interesuar unë pak ditë më parë. Ata më pandehën në gjumë e flisnin me pëshpërima. Gjithsesi, i dëgjova qartë edhe pse me krye nën jorgan. Xha Esherefi: – “Or Vask, a ke ndi për do lëvizje në kamp”? Vaska – “Po Sheref, ka ditë që po flitet dhe ku ka zë, s’është pa gjë”! Sherefi – “Or, që kan me e ba kët, e dij, se kanë mot-mot pa e ba, po druj për çunin, duhet m’i gjet vendin”! Vaska – Fola me Dautin dhe Rizanë edhe ata ishin në dijeni e më thanë se paskan biseduar me Zefin, Markun, e ca shokë të tjerë.
Sherefi – “Ash zavall i madh kjo punë, or Vask”! Vaska – “Sido të vejë, në çdo kapanon e kemi nga një mik”. Sherefi – “E di bre, s’na lajn n’batak ata! Por jena msue me kët cull, e kem si f’min tonë”! Vaska – “Ke të drejtë, s’na vjen mirë të na i largojnë, po jemi në burg, lum miku”! Sherefi – “Njiashtu asht”! Vaska – “Rëndësi ka, ta sistemojmë pranë miqve tanë”! Sherefi – “Po qe besa, kam me fol ene vet me Zefin e Hafëzin! Hajd natën”! – “Natën”! E ndoqa bashkëbisedimin me dhimbjen e birit për atin, kur e sheh në siklet. Nga ajo ditë, dashuria m’u dhjetëfishua.
Deri atë kohë, isha ende më i vogli në moshë, rrjedhimisht edhe më i ledhatuari nga gjithë të moshuarit. Ngaqë u kisha hyrë studimeve me pasion, gëzoja edhe simpatinë e intelektualëve, që më ndihmonin me çdo mjet. Me gjithë hallet që u kishin rënë mbi krye, ata gjenin kohë të qederoseshin më tepër për fatin tim, se për kusuret e tyre. Ju falemnderit! Ajo që u përfol gjatë, ndodhi shumë shpejtë. Një të dielë, mbas apelit të mëngjesit na kumtuan nëpërmjet tellallit, urdhrin e riorganizimit.
Dikush nga Zyra Teknike, lexoi një listë të gjatë emrash, më pas e vari atë në një stendë xhami. Kishin mbushur disa fletë, në krye të së cilave, njoftonin të gjithë personat që gjenin emrin, se do të sistemoheshin në iks, apo ypsilon kapanon. Mes të tjerëve, ish edhe emrin im. Më duhej të braktisja vendin ku po bëja muaj dhe të sistemohesha në kapanonin numër një, që i binte të ish ndërtesa e parë, në të majtë të hyrjes së kampit. Ishte kapanoni i ngulur në tarracën poshtë dusheve, më i papërshtatshmi nga gjithë të tjerët. Lartësia e çatisë prej eterniti, barazohej me nivelin e tarracës së dytë. Në verë atje ishte buacë, ndërsa në dimër, të merrte frymën igrasia. Këtë kapanon e kishin pagëzuar me emrin përbuzës, “Kapanoni i rrozhgove”.
Vetëm kur u sistemova në të, e kuptova domethënien e këtij paranomi, atje kishin grumbulluar gjithë të moshuarit e të sëmurët e kampit, të rinj kishte pak, ose aspak. Nuk e di tamam, në qe rastësi apo, kombinacion i llogaritur nga të tjerët; si më çoi pikërisht në vendin ku kish fjetur miku im, Sulo Gorrica, që qe liruar para nja dy muajsh. Asnjëherë s’e mora vesh të vërtetën, por të jem i sinqertë, as e vrava ndonjëherë mendjen për ta mësuar, sidoqoftë shtrova jatakun në vendin boshatisur dhe që nga ajo ditë, u pasaportizova banor i rreshtit të parë i “Kapanonit të rrozhgove”. Me t’u rehatuar, vëreva rreth e rrotull. Qarkohesha vetëm nga pleq.
Por ajo që do më bënte përshtypje të veçantë në ditët në vazhdim, kur i njihja më nga afër bashkëbanorët e rijnë, ishte prezenca e pothuajse e klerikëve që gjendeshin në Reps. Po i paraqesë sipas renditjes së vendvendosjes: Në shtratin poshtë, në krahun e majtë të hyrjes, duke u nisur nga balli i kapanonit, renditeshin me radhë: At Zef Pllumi dy vende tej meje, iballasi mustaqemadh, Çun Mëhilli; shok krahu me të dhe me mua, tjetër prift, Dom Ernest Trashani; në anën tjetër të jatakut tim, një plak rondokop kolonjar; më tej edhe një tjetër kolonjar dhe fare pranë derës, përgjegjësi i fjetinës Petrit Hoxha, një veteriner elbasanas.
Rreshti aty ndërpritej, për të vazhduar më tej, matanë derës. në anën e kundërt sëriteshin rreth njëzet pleq të tjerë. Përballë nesh, në distancën e një krahu të shtrirë, në katin e parë ishin radhë: Hafëz Sabri Koçi karshi At Zefit; Myfti Faik Hoxha, Haxhi Xhevdet Alla dhe varg pas tij, profesor Hodo Sokoli; përballë meje, patrioti Bajram Hoxha; agronom Mihal Cerja dhe një skotë minoritarësh shule. Në katin e dytë, mbi ne: i pari mbi At Zefin, Baba Bajram Mahmutaj – rradhë, Dervish Meleq Hasa, Rustem Gojka, Qani Mulita, Hebib Munishtirri, bektashinj që ishin edhe gjysëm patriotët e mi, nga Skrapari. Në katin e dytë përballë, pranë murit: At Stavri Pilafi, mbi shtratin e Sabriut, pas tij Hirakli Sirmo, më pas i kishin bërë vend At Vaskës, riorganizuar bashkë me mua dhe me radhë, një grup çamësh, me në Lutfi Sejkon e Maksut Xhumakën.
Këta ishin ata që tash e mbrapa, do ndaja frymën në fjetinë dhe atë kohë të lirë që na mbetej, deri në një riorganizim tjetër. Sidoqoftë, do ndihesha sërishmi i përkëdhelur i fatit, më kishin ndarë me dy pleq të dashur, kisha fituar dy të tjerë, që më pritën me të njëjtën dashuri! Në një krah kisha sërish një prift, veçse tani katolik dhe në tjetrin një xha Esheref, veçse nga jugu. Përballë dhe lartë, në të dy rreshtat, grupin më të shquar të klerikëve të atyshëm. Falenderova Zotin, po edhe pleqtë e mi, për këtë kombinacion të mrekullueshëm.
Me të mbaruar vrojtimin, mbasi fiksova me sa munda ata që tashmë do ishin bashkëkrahësit e mi, tentova të hyra në bisedë me plakun në të djathtë: – “Xhaxha, nga të kemi”? – “Nga Kolonja”! – “Përse të kanë dënuar”? – “Se deshi Zonja”! Heshta, s’po iu besoja veshëve. Përgjigjet e shkurtra të këtij plaku zevzek, s’më hapën shteg për t’u shtytur më tej. “Boll, ky qenka noksan plak! Mbase do jetë i shkarë nga kallaballëku! Ç’të harxhoj frymën me të! Pa rri rehat, pa ngrënë ndonjë mufkë”! dhe zhyta kokën mes duarve e, u mblodha në guaskën time.
Plaku, një topolak buçko, i veshur me shajake të trasha leshi, tani kur temperatura shënonte goxha nxehtë, rregulloi qylafin e zi prej bellushi mbi kokën e zbardhur, u koll si të donte të qëronte zërin dhe u kthye ndaj meje, me një kuti sedefi në dorë: – “Djalkë, pa dridhe një duhan”! – më zgjati kutinë. S’doja ta ofendoja, për më tepër “shyqyr që foli”, ndaj e mora, shfletova një fletë nga defteri, e mbusha me duhan dhe e drodha pa këmbyer llaf, pastaj ja ktheva me dorë në zemër. Ai nxori nga xhepi i jelekut çibukun, e mbushi, e ngjeshi duhanin me gishtin e madh, mandej tërhoqi nga xhepi tjetër një gjalm meshini, në majë të të cilit varej një çakmak prej gëzhoje kundërajrori. E shkrepi, një gjyryk flake dhe tym i zi, gati sa si përcëlloi mustaqet dhe vetullat e bardha, pastaj ma ndezi edhe mua. Me kryet ulur, thithi çibukun.
S’di në mendonte apo m’u bë mua, sikur ish futur në të thella.
U kollit nja dy herë, si ta kish mbytur tymi i hidhur i duhanin që kërcente e nxirrte shkëndija nga gryka e llullës. Hoqi sërish qylafin e zi dhe kruajti çaçkën e kokës. Në çastin kur isha krejt i shpërqendruar, dëgjova të më pyeste: – “Ore, mos je ai çuni i Sulos nga Berati, ti”? – foli dhe sytë i kish ngulur në postiqen ku ish ulur. E mbodha shpejt e u ktheva nga plaku: – “Po! Jam nga Berati, po s’jam i Sulos! Sulua dhe im at, janë miq”.
– “Jo bre, s’thashë se je tamam i Sulos, po ai që mbante Sulua afër”? – heshti pak, pastaj vijoi: – “Ore djalkë, qëparzi sikur më pyete, pa këmbyer duhan? Mos e bëj gjene me të tjerë, këtë”! – thithi çibukun e shfreu tymin. – “Se e di si është puna? Burrat ulen, këmbejnë duhanë e, pastaj nisin muhabenë. Po të kripi, shtyhesh më tej, nuku të ngjiti, ti në hallin tënd, tjetri në të tijin. U mormë vesh”? – “Më fal, kur ju pyeta s’kisha synim t’ju fyeja”! – i kërkova ndjesë.
– “Jo bre, jo! Nuku e kisha për vete, unë jam plak njeri dhe nipnë e kam më të madh nga tinë, po duhet ta kesh terbiet”! – thithi sërish çibukun, ca shtëllunga tymi i dilnin nga fyejt e hundës, si vrunduj tramundane dhe formonin rreth kokës së bardhë, një si aureolë shenjtori. – “Or çun, po të panë se je kalli pa bereqet, ta vunë tamburanë këtu”! – heshti dhe nxirrte shtëllunga tymi, mendueshëm hoqi sërish qylafin dhe krruajti çaçkën e kokës: – “Pa thuamë pak nashtithi, kush je, nga vjen dhe ça njerëz ke”?
I tregova shkurt, kush isha, nga vija dhe farefisin. Ai më dëgjonte dhe thithte thellë çibukun e trashë që i kish ngjeshur një dorë duhan. Kur e mbaroi, e shkundi në dërrasën përfund shtratit, hoqi sërish qylafin dhe kruajti kokën; duket e kishte ves. – “Nashti vërmë veshnë! Unë jam Dhimitraq Marko! Miço më thonë, vllah nga Kolonja. Bashkë me vëllazërinë time, kam qenë më i kamuri i sojit, kam patur pesë tufa. E di tinë që një tufë ka te afër treqind krerë”?
Tunda kryet, me një shenjë që s’tregonte as pohim, as mohim. – “Kështu de, unë që thua tinë, kam patur rreth njëmijepesëqind krerë dhenë. Pa po, kam patur edhe pesëdhjetë kuaj e mushka, se jeta e vllehëve pa to, bënet e vështirë. Ne bredhim gjithë vitin stan më stan, pa duhen drutë për baxhon, pa duhen transportuar bidonët e qumështit nga vatha në baxho, pa duhet nasqerisur leshtë, pa duhen lëvizur robtë, gratë, fëmijët dhe pleqtë e gjinisë, e kupton që pa kuaj e mushka jemi kot! Atje ku zija vend unë, ngriheshin njëzet tenda, o djalkë! Dhe jo dosido, po çadra mbreti, bre! Ja për atë Zot, në të gënjefsha! Edhe Zogu ka bujtur në tendat e mia! Kam qenë ‘Çelik’ unë, o djalkë! S’kam qenë ndonjë çapaçul hendeku, po mik me Salih Butkën e, me gjithë kapedanët, deri te kajmekami, pa po edhe me gjithë të mëdhenjtë e qishës, deri te Epitropi i Kosturit! E more vesh?!
Nashti meqë po ngasim llafnë, jemi ngulur atyre anëve që kur s’mbahet mend. Pa kanë kaluar andejza me perandorira e monarqira, me sulltanë e me mbretër dhe me të gjithë, grurë e kemi pasur. Ata mbret në punët e tyre, ne mbret në tënën! Tungjatjeta ata, tungjatjeta neve! Jep e merr e merr e jep, e kemi shtytur me breza, secili zot mbi tufën e vet! Ne kullotnim bagëtitë tona, ata qeverrisnin të tyret! Pa, t’i kam bredhur nja pesë shtete, mal më mal e mera më mera dhe s’na rrëfente kush sinoret. Or, për shën Mëri, askujt s’i jepja hesap!
Kam shtatëdhjetë vjet që udhëheq kallaballëkun tim dhe tufat e mia të bagëtive. Pa, kam ndërruar gjithë ato dovlete. Pa po, të kamë parë nizamë e korofillakë, ushtarë me dollakë të frëngut e të junanit, të nemces e të talianit dhe asnjë s’nakatosej në punët tëna. Po t’iu duhej gjësendi, mish, djathë, gjalpë, gjizë, bylmet, lesh, lëkurë; tring paratë, i blinin me napolona flori. Ja, për atë qishë të shenjtë! Po të erdh e t’u prish dynjaja, o djalkë! Se nga na mbiu një farë sinapi, që vinin me dyfek në krahë dhe hanxhar në dorë, të merrnin bagëtinë dhe të na i mbushnë xhepat me ca copa karte, që iu thoshin reciproke; “mbas lufte do t’iu shlyejmë dyfish!” kështu na premtuan.
“Po ç’punë kam unë me luftën, or të kam rixha, kam një kallaballëk për të ushqyer”! ua ktheja. Po ata s’dëgjonin nga ai vesh, pa, po nevrikoseshin dhe dorën në dyfek; ama po të qe për dyfek edhe unë kisha plotë, po ku t’i shpija gratë dhe kalamajtë! Kështu, i pranoja copat e kartës. Hajd, mendoja, ta kem mirë s’i dihet mbase vijnë në dovlet! Jarabi, m’i lajnë mbas lufte! Ama, me shpirt lusja: kurrë mos e prufshit kokën e, mos ua pafsha surranë! Do tinë, fituan qafirët”!? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016