Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzetenëntë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Maqo Çomo: – “Drejtë, s’donte ndonjë aftësi të veçantë të bëje ministrin, mjaftonte të zbatoje urdhrat e të mëdhenjve dhe të kërkoje llogari për realizimin e tyre, poshtë në bazë. Në mbledhjet e kabinetit, flitej më shumë për politikë se për realizime apo mosrealizime planesh, direktivat vinin nga sipër, planet dyvjeçarë dhe pesëvjeçarë, dërgoheshin të detajuar. Nuk e di saktësisht kush merrej me planifikimet, sidoqoftë në mos dërgoheshin të gatshëm nga Bashkimi Sovjetik, hartoheshin nga specialistët e tyre që ishin atashuar pranë ministrive tona.
Kështu, ministri mbetej rol honorifik, por poshtë në popull pak binte në sy kjo dukuri. Unë u përpoqa të isha një ministër bujqësie i rregullt, mundohesha të jepja më të mirën e mundshme. Nuk abuzova kurrë me detyrën, ndaj bëra miq pa numër në popullin e thjeshtë, askush s’druhej të trokiste në derën e zyrës sime. Përsa kohë qeshë në detyrë, s’pati probleme të mprehta dhe si pasojë, më vlerësonin pozitivisht. Por kjo ishte njëra anë e medaljes, ajo që dukej, ana tjetër, varej tërësisht nga aferat që luheshin në kulisat e politikës së madhe.
Mbasi në Bashkimi Sovjetik u dënua kulti i individit dhe rrathët koncentrikë të kësaj lufte po përhapeshin me shpejtësi në gjithë Europën Lindore, udhëheqësit tanë rrezikonin t’iu shkiste tabani nën këmbë, ndaj shpejtuan të shmangnin përmbysjen. Natyrisht, si përherë në momente kruciale, duhej gjetur një shkak dhe disa devijatorë, për t’ua hedhur atyre mbi shpinë fajin e dështimeve të njëpasnjëshme në politikën e jashtme, në atë të brendshmen, në ekonomi, etj., dhe në këtë rast u erdhi radha Koço Tashkos dhe gruas sime.
Nxitën një furtunë imagjinare me sharje dhe trukime, gjoja qenë zbuluar në kokë të udhëheqjes, ca rrjete spiunazhi, dhe kaq i mjaftonte Sigurimit, për të nisur valën e arrestimeve në stil të gjerë. Për të kompletuar grupin, u shpikën deviatorë dhe elementë kriminalë të implikuar me demek, kundër zbulimet e fuqive armike. Besoj këto i di, s’është nevoja ta tjerr më gjatë, rasti i Teme Sejkos, fletë vetë. Normalisht goditja e sime shoqeje, ishte padyshim goditje edhe për mua, si burri i saj, po dhe për rrethin familjar dhe miqësor.
Kështu, një ditë të bukur më thirrën Byroja Politike, pothuaj të njëjtët që lidhën krushqinë para një dekade. Më vunë para alternativës: “O prish familjen e dëno gruan, të ruash pozitat e privilegjet e deritanishme, o me bashkëshorten dhe në rrokullimën theqafëse, bashkë me të”! Sigurisht u gjenda para dilemës nga zgjidhja e së cilës varej fati im dhe i fëmijëve të mi, i farefisit dhe i gjithë atyre që në një farë mënyre, e kishin lidhur të ardhmen e tyre pazgjidhshmërisht, me fatin tim. Të thashë, e kisha kuptuar prej kohe lojën e pandershme që zhvillohej në shpinë të figurave kukulla, të pushtetit.
Ngjarjet e mëparshme, ndëshkimet ekzemplar të ish shokëve të mi të Luftës dhe të punës, që nga Koci Xoxe e Pandi Kristo, tek Tuk Jakova, Bedri Spahiu e kompani, më kishin pajisur me eksperiencën e duhur. Sado pa mëshirë, ta dënoje të afërmin tënd, s’mund t’i shmangeshe dot valës goditëse të luftës së mëpasshme, ndoshta mund ta vonoje paksa, po jo t’i shpëtoje. Me ndërgjegje të plotë, bëra zgjedhjen time, ndoshta jo më të mirën, po më të drejtën. I dola në krah shoqes sime të jetës dhe mëmës së fëmijëve të mi.
Iu thashë pak a shumë kështu: “Të nderuar shokë, kur u martova me Lirinë, pothuaj më detyruat me zor, tani që më kërkoni të prish familjen, mbetet në vullnetin tim. Ju e akuzoni time shoqe, se ka tradhtuar Partinë, ndoshta edhe ka ndodhur, por mua si burrë dhe fëmijët e mi si nënë, nuk na ka tradhtuar kurrë, ka qenë grua besnike dhe nënë e përkushtuar”!
Në këtë mënyrë, paravendosa fatin tim. Përfundimisht, më shkarkuan nga detyra, demek për paaftësi dhe më qarkulluan drejtor ferme. I shqetësuar prisja zhvillimet e mëtejshme, pra fundin e pashmangshëm, burgun”.
Ilia: – “Po më prapa, a je bërë pishmend për rrugën që zgjodhe”?
Maqua: “Forma si e pritëm arrestimin, pa kundërvepruar, tregon se jemi katandisur në ca kavie të pandërgjegjshme, eksperimentale. Në një farë specie pa tru, thjeshtë në ca ëndërrimtarë, që presim me shpresë se mos kasapi, do na lerë edhe ca kohë të vegjetojmë, pavarësisht se fundi që na pret, është i njëjtë për të gjithë. Nuk shtyhet kështu, duhet ndërgjegjësuar populli për qorrsokakun ku jemi zhytur e duhen projektuar rrugët e shpëtimit”!
Ilia:– “Sigurisht ke të drejtë, po rruga e shpëtimit s’mund të jetë individuale”.
Maqo: “U nanuritëm në ëndrrat e rinisë, gjoja me triumfin e komunizmit do shpëtonim prej varfërisë ekstreme, ku ishim fundosur nga shfrytëzimi i bejlerëve dhe agallarëve, e tjera përralla si këto. Po tani? Kanë kaluar kaq vite dhe fukarallëku është disafishuar, terrori ka përfshirë edhe më indiferentët. Kthen kokën prapa, sheh rrugën e përgjakur dhe mijëra viktima pa motiv. Trurin e kombit e eliminuan, birbot na sheshin mend tribunave, vend e pa vend!
Secili nga ne duhet të pyesë veten: Këtë ëndërronim netëve të acarta, nën borë e shi? Për ç’farë sakrifikuam deri dhe jetën? Përgjigja vjen vetiu: jo! Jo! Nëse dikur në fshat ishte një bej apo një aga, prapë bujku ndihej zot në pronën e tij. Ndërsa sot, kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, disa qindra bejlerë e agallarë të kuq dhe gjithkush ndihet i zhveshur nga prona, i rrezikuar për kokën. Këtë deduksion kam nxjerrë nga praktika e këtyre viteve. Kam reflektuar mbi iluzionet e rinisë. Tashmë që realiteti na fshikullon fytyrën, s’kam ndërmend të bëjë strucin.
Padyshim, për të dalë nga ky qerthull i përgjakur, ku na kanë zhytur edhe me ndihmën tonë, duhen përpjekje të jashtëzakonshme. S’është e lehtë të arrihet kjo. Çmenduria komuniste, ashtu si amoku, ka molepsur gjithë një popull, ka droguar mendjet dhe zemrat e rinisë, do duhen vite që të intoksikohen nga kjo substancë toksike, ndoshta pas vdekjes sonë. Patjetër jam pishmend për rrugën që ndoqa, po sa vlerë ka! Jemi të dënuar të çajmë mes përmes serën e valë të FERRIT, po paguajmë papërgjegjshmërinë tonë! Po ç’kusur ka brezi i ri”
Dukej, ky burrë ish zhgënjyer thellë në bindjet e tija utopike, kërkonte të lehtësonte shpirtin nga barra e fajit por ndoshta ishte zgjuar ca si vonë nga gjumi letargjik. Ishte nga të paktët ish-pushtetar, që i kishte dalë pija e kuqe.
Riorganizimi
(Apo hiqja Lenkës dhe verja Prenkës!)
Jeta në burgje e kampet e punës së detyruar, rrokullisej si një makth i përditshëm. Torturat; linçimet publike; me hunj; me zorrë llastiku të mbushur me rërë, apo të ndarë në metra; lidhjet pas shtyllave elektrike me tel bari. Pastaj dhomat e izolimit dhe dënimet me tridhjetë ditë, dhe sa mbyllej muaji, pas ditës së parë të lirimit, ri dënim me një muaj tjetër dhe më pas me një tjetër dhe me një tjetër, sa shpesh i ndëshkuari “harrohej” në biruca, me muaj e me vite. Rasti i Tomorr Allajbeut – afër katër vite izolim të pandërprerë, apo i Pal Zefit, që u bë shkak për zemërimin e bashkëvuajtësve dhe për shpërthimin e Revoltës së Spaçit, më 21.05.1973. Kështu, burgosën edhe vetë burgun…!
Arsenalit të dhunës fizike i bashkëngjitnin edhe forma të tjera torturash, si ato psiko-mekanike e psiko-kimike. Në bllokun e parë, përfshiheshin kontrollet vend e pavend: kontrollet e shpeshta fizike, kontroll te porta hyrëse-dalëse, kontroll në frontin e punës, kontroll në kapanon, kontroll në banjo, kontroll në kuzhinën private, kontroll te berberi, kontroll në radhë për apel, kontroll te dentisti, kontroll…, kontroll…, kontroll…, madje kontroll edhe në gjumë!
Mjaftonte t’ia thosh truri një polici, se me demek në kamp kishin futur apo, kish sinjal se mund të fusnin diçka të palejueshme, sipas përcaktimit të rradakes tij, niste kontrolli! Ose një spiun për të justifikuar dopio- racionin e bukës dhe super-garuzhdën e supës, të raportonte se gjasme kish nuhatur që dikush po përgatiste mjete për arratisje; sërish kontroll. Apo, thjesht për sport, një oficeri t’i tekej të bënte pak gallatë, që të shtynte njëzete katërorëshin e shërbimit: prapë kontroll!
Mënyra më e këndshme, ajo që iu jepte maksimumin e kënaqësisë estetike, ishte momenti kur shihnin të drobitnin e të mundonin gjer në shterim forcash, armiqtë e pushtetit popullor. Për dëmet materiale, pasojat psikologjike, rrëmujën dhe pështjellimi që linte pas kontrolli, as e çante njeri kokën. Në bllokun e torturave psiko-kimike, futeshin: dushet e detyruar me ujë të ftohtë, në palcë të dimrit; kryqëzimi jashtë në mes të sheshit, zbathur, zhveshur, nën stuhitë e borës, nën rrëketë e shiut, në pikë diellit në behar apo në ngricën e akullt në dimër; detyrimin me dhunë të gëlltisje insekte apo kafshë të ngordhura, si; miza, vemje, krimba, minj, jashtëqitje humane e shtazore, etj.
Rasti i plakut kuksian, Arif Muja, që në biruca e imponuan të shtin në gojë një mi të ngordhur, indinjoi hidhët të dënuarit politikë, sa qenë në prag të një revolte të re. Dezinfektimet periodike të kapanonëve, kur mendonin se në to kishte bërë strehë parazitët, ishte torturë mbi tortura, që e praktikonin kohë e pa kohë, për shkaqe nga më banalet. Kështu, bie fjala, kur dikujt nga policët e shërbimit të brendshëm i kruhej koka apo, thjeshtë dyshonte se një plesht që gjente në teshat, mund t’i ish ngjitur gjatë orarit të shërbimit, ndonëse parazitin mund ta dsh marrë në kasollen e dhive të veta apo në shtëpi, në kaliven e qenit; në sheshin e kampit zbarkonin disa dhjetëra sanitarë me maska dhe një kapicë thasësh me dizifektant.
Mandej pluhurosnin gjithë shtretërit dhe komplet territorin, veprim që shkaktonte një gjullurdi të përgjithshme dhe që pasohej më tej, për një javë rresht, me trallisje, teshtima, shtërzime, të vjella, zali, dhimbje koke, etj. Por rastet më depersonalizuese, fyese deri në përdhunim mendor, ishin kontrollet e dhunshëm truporë. Na urdhëronin shpesh, të zhvisheshim dadac, siç na kish bërë nëna. Ndonjë lamash i dënuar, i shoqëruar me policë na këqyrte imtësisht, nga koka të këmbët, në kishim zënë parazitë.
S’kish tallje më të kobshme, kur shihje zagarët t’iu hidhnin në surrat burrave pleq me një barrë mustaqe, morrat që fshihnin në qeska. Mandej i detyronin të parakalonin në revistë nudist, para mexhlisit. I linçonin, iu merrnin erzin, i telendisnin para gjithë kampit. Pastaj i veçonin nga të tjerët dhe ashtu lakuriq, i dezinfektonin me D.D.T.
Burrat namusqar, të prekur në sedër nga ky trajtim mizor, s’arrinin ta kapërdinin korinë dhe, o binin shakull, të helmuar nga vreri fiziko-moral, o pësonin tronditje psikike. Në këtë pikë të “spektaklit”, policë e spiunë gajaseshin, ndërsa ne të tjerët, të ngujuar në pozicion gati-tu, na impononin të ndiqnim këtë tablo të dhimbshme, përçmuese e poshtëruese. Ashtu të kripur kokë e këmbë, me pluhurin e hirtë duhmë-rëndë, cullakët mjeranë iu shëmbëllenin ca fantazmave, të dala prej mullirit të blojës.
I linin për orë të tëra; në verë, në shullë; në dimër, në ndonjë skutë, në mëshirën e erës dhe llohës, deri sa të “ngordhnin” parazitët. Të vrerosur nga mëria, të turpëruar nga lakuriqësia, të trullosur nga efektet mbytëse të avujve të fosforit, vinte një moment që trazoheshin ndjesitë dhe vepronin ligsht mbi psikikën. Poshtërimi ndikonte negativisht në përkeqësimin e shëndetit mendor të fatzinjve, që shpesh përfundonin në marri. Të gjendur para skenave përdhunuese, gati të gjithë pësonim të njëjtin shok. Mirëpo ky synim, përmbyllte qëllimin final të xhelatëve; që duke rritur mundimet, iu shtonin vuajtjet “armiqve të Partisë” që t’i shkallmonin psiqikisht.
Fundja, kjo terapi i lumturonte!
Në kampet-burgje, zakonisht kapanonët i ndërtonin me lëndë drusore, i vishnin anash me tabak pupuliti dhe për çati, iu hidhnin ca pllaka eterniti prej asbesti. Materialet difektoze, përveç se të ftohta apo të nxehta sipas stinës, ishin kthyer në vendstrehimin më ideal për parazitët e të gjitha llojeve, ndërsa azbesti i çative, në rrezatuesin më të rrezikshëm kancerogjen, të të gjitha formave.
Jetesa në grupe masivë, shpesh tetëdhjetë dhe njëqind vetë në një godinë, ku secilit i takonte jo më se shtatëdhjetë centimetër gjerësi dhe njëqindenëntëdhjetë centimetër gjatësi ose, e kthyer në njësi sipërfaqe, njëqindetridhjetetre centimetër katror vend, por këto përmasa edhe mund t’i ngushtonin, me shtimin e numrit të të dënuarve, bënte që sëmundjet të përhapeshin më shpejtësi drite.
Mandej shtohu të sipërpërmendurave edhe mungesat e shumta sanitare, si për shembull, gjashtë pizga çezmash, nga të cilat vetëm katër nxirrnin ujë, kazanët antihigjienik me llamarine oksidabël, sapllaket kancerogjene prej kutish konservash mishi, që përdornim për t’u larë, plus banjat me gropën erë qelbur, ku demantonin jashtëqitjet treqind burra, merret lehtë me mend, se ç’higjenë mizerje ekzistonte atje. Papastërtitë dhe pocaqillëku, zotëronin tej e ndanë, territorin.
Kjo gjendje kolapsi kish bërë që shumë të dënuar të humbnin interesin për pastërtinë. Gjithsesi, këta ishin minoranca, sepse pjesa dërrmuese, qenë ndërgjegjësuar për vendin ku i kishin ndryrë, për neglizhencën absolute të autoriteteve, ndaj mblidhnin mendjen e përkujdeseshin të ruanin higjienën personale edhe në ato kushte mjerane. Përpos këtyre, për të mbajtur nën kontroll të rreptë e të përhershëm, zhvillimet e brendshme në burgje, aplikonin edhe metoda të tjera shtojcë. Një nga këto forma torture të kamufluar, ishte riorganizimi.
Por ç’përfaqësonte riorganizimi dhe pse e klasifikoj metodë torture? Për t’i dhënë një përgjigje të qartë kësaj pyetje, do më duhet të kthehem paksa pas, në historikun e viteve të para, e në vazhdim. Fillimisht burgjet s’ishin mirëfilli burgje. Por ca ngrehina të improvizuara e të përshtatura për këtë qellim; si kazerma ushtarake, stalla bagëtish, zyra shtetërore të lëshuara e të degraduara, objekte kulti të sekuestruara për të torturuar fetarët, etj., të cilave iu kishin ndërruar destinacionin, për të ngjeshur në to, sa më shumë njerëz.
Brenda tyre mungonte çdo arredim i domosdoshëm, për jetesë minimale. S’kish kuzhinë për të gatuar, s’kishte as shtretër, as shtresa, as mbulesa; mungonin çezmat dhe banjot, ku duhej të përmbushnin nevojat jetike, një numër i papërcaktuar të ndaluarish e të dënuarish. Të izoluarit, përveçse iu duhej të strehoheshin në skuta të ngushta, ku shtriheshin dhe ngriheshin në krahun që i zinte, në mungesë të nevojtoreve, detyroheshin të kryenin nevojat vetjake, në qypa apo teneqe kolektive e, të duronin me ditë, aromat e rënda të jashtëqitjeve të tyre.
Qysh nga ajo kohë ka mbetur shprehja: “Të pafsha të dhjesësh, në qyp apo teneqe”! si një mallkim, për dikë që doje ta shihje në burg. Por nëse në ato ambiente mungonte, gjithë ç’nevojitej për jetë normale, s’mungonin asnjëherë prangat, zinxhirët, kularët, litarët, hanxharët, hallkat, kaskat, kamxhikët, zorrët e mbushura me rërë, të ndara në rripa, rripat me tokëza të rënda, shkopinj gome dhe druri, hunj, kopaçe, shufra hekuri dhe purteka shelgu, etj., pra, një arsenal i tërë aletesh torture.
Qindra të ndaluar i nxorën kufoma nga ato ngrehina; të vdekur nga huri, nga uria, nga etja, nga të nxehtët, nga të ftohtët akullimë të qelive; shtohu këtyre edhe ata që i zhytën dhe i mbytën në gjirizet e pëgërë të haleve; mandej shumë e shumë të tjerë, që të gjendur nën trysninë e dhunës shtazarake, s’e përballuan dot presionin dhe zgjodhën vetëflijimin, duke u kuluvarur me gjuhën jashtë, ndër kafazet e dritareve apo, duke u vërvitur nga lartësitë e shkallareve, apo nga ballkonet e godinave të hetuesive.
Këto viktima të fshirë tashmë nga defterët e Degëve të Brendshme apo, të fshehur qëllimisht nga vetë personeli i burgjeve që atë kohë, nuk figurojnë asgjëkundi. Në bilancet vjetore, këta fatzinjtë i raportonin të vrarë në tentativa arratisje, apo thjeshtë: vdekur nga shkaqe natyrale. Por rrëfimet gojore të asaj pakice që iu mbijetuan torturave, ndonjëherë edhe pohimet me dashje apo pa dashje, të punonjësve te shërbimit të policisë burgjeve që, o për mëshirë, o më tepër për mburrje, kanë rrëfyer për këto makabritete, të cilat gojë pas goje, kanë mbërritur deri në veshët tanë.
Arrestimet e para të kundërshtarëve politikë, nisën pa u larguar ende pushtuesit sepse gjatë Luftës, në mungesë të kontrollit mbi territorin, aplikuan vetën dënimin kapital; kush zihej, vritej, ndonëse krimi për të cilin akuzohej viktima e radhës, s’përbënte delikt penal. Më pas në zonat e çliruara (lexo të pushtuara), ku komunistët vendosën pushtetin, burgjet apo objektet që u përshtatën si të tillë, funksionuan mbi kapacitetin normal. Brenda një hapësire, të themi për pesë vetë, u ndrynë njëzetë. Në këto ambiente, s’kishte kushte jetese, në mungesë të nevojtoreve, të mirë e të ligë, duhej ta bëje në enë teneqeje. Mungesa e ajrit të asfiksonte, sëmundjet infektive bënë kërdinë. Njerëzit vdisnin kot më së koti, për shkaqe fare banale.
Kush pat fatin t’i shpëtonte kosës së vdekjes, gjithsesi s’dilte pa gjë, përfundonte, o në çmendinë, o në spital, natyrisht kur e çonin atje. Eliminimet masive, ishin në interes të komunistëve, sepse kështu, dilnin dyfish të fituar; edhe armiqtë iu rralloheshin pa u rropatur me gjyqe, edhe shpenzimet për roje dhe toga ekzekutimi, shkurtoheshin. Metodat shfarosëse i dhanë efektet qysh në krye herë, dhjetëra fatkeq u shuan brenda një periudhe të shkurtër, të tjerët u gjymtuan përgjithmonë fizikisht ose mendërisht dhe si të tillë, u bënë të parrezikshëm dhe u neutralizuan.
Ndërkaq, këto forma sigurimsave të ardhshëm iu vlen si shkollë, ku u trajnuan në praktikë për teknologjinë e dhunës që mësonin në teori por, edhe si një shoshë që veçoi “zëmër-lepujt”, nga ata që më pas do bëheshin “dora e zezë” e regjimit. Për mënyrën se si trajtoheshin të burgosurit e parë politikë, do flas kur të vijë radha. Meqenëse në çdo qendër qarku, gjendej një burg, shpesh dhe më tepër se një; në vitet e para, gjithë të ndaluar i përqendruan në to. Burgjet i mbushën dingaz, po shteti nuk garantonte asgjë.
U mbetej familjeve të mendonin për mbijetesën e të afërmve të vet; t’u siguronin që nga ushqimi, veshmbathjet, shtresat, mbulesat. Natyrisht, barra e rëndë që iu ra mbi shpinë, i vuri në provën e sakrificës sublime. Ndonëse në vështirësi për vete, thanin gojën e fëmijëve, që të mund t’i mbanin me frymë të dashurit në burg. Iu përgatisnin ushqimet, mbushnin bohçet me tesha të lara dhe ua çonin në dyert e burgut. Kur i lejonin edhe nga dy herë në ditë.
Për këtë shfrytëzuan afërsinë e burgut me banesën e tyre, ose të miqve me banim në qytet, kur vetë rrinin larg. Kjo formë organizimi, ishte trashëgimi e lashtë, qysh nga koha e hapsanave të perandorisë turke, që në një farë mase i favorizonte të ndaluarit, sepse gjithmonë do kishin diçka për të ngrënë, do kishin ç’të vishnin; kur s’kishte njëri, do kishin të tjerët dhe të gjithë halloseshin. Kështu, kur dilnin, nëse do kishin fat t’iu mbijetonin torturave dhe s’do ishin të piketuar, për t’u zhdukur, shëndeti i tyre nuk ish katandisur në atë derexhe, që do dëshironin dhunuesit.
Natyrisht komunistët tanë zbatharakë, kur shihnin të ndaluarit që hanin dhe pinin edhe aty ku gjendeshin, s’ndiheshin mirë. Kërkuan ndihmën e sivëllezërve të armëve, udbashëve jugosllavë, të cilët të pajisur me eksperiencën djallëzore, për të zhdukur sa më shumë “shiftarë”, iu ofruan metoda torturash klasike dhe moderne. Qenë udbashët ata që iu polli mendja metodën sfilitëse, transferimet jashtë territoreve të vendbanimeve. Për shembull, duke çuar shkodranët në Durrës, durrsakët në Korçë, korçarët në Vlorë, vlonjatët në Shkodër, beratasit në Gjirokastër, gjirokastritët në Tiranë, tiransit në Kukës e, kështu me radhë, rrisnin cilësinë e vuajtjeve, për pasojë edhe numrin e vdekjeve. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016