Nga Dashnor KALOÇI
Pjesa e parë
Memorie.al / Situata tejet e vështirë që po kalon vendi këto ditë si pasojë e motit të keq, nuk është një “muzikë” e padëgjuar për Shqipërinë. Përmbytjet, dalja e lumenjve nga shtrati dhe dëmet e konsiderueshme në toka bujqësore, shtëpi banimi, biznese private, ekonomi e infrastrukturë, duket se ndjekin të njëjtin “refren” prej dekadash. Historia po përsëritet madje deri në detaje: plot 41 vite më parë, pikërisht në 7 janarin e vitit 1985, një mot i ngjashëm polar “gjunjëzoi” vendin, nga jugu në veri. Në atë kohë, dëmet ishin tragjike – jo vetëm në shtëpi banimi, fshatra të tërë nën ujë, toka bujqësore e blegtori, rrjeti energjetik dhe telefonik i shkatërruar, por edhe me dhjetëra jetë njerëzish të humbura nga orteqet dhe ngricat. Aq alarmante ishte situata, saqë Enver Hoxha, ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore, thuhet se ndiqte personalisht situatën çdo ditë dhe dërgoi me urgjencë në zonat më të goditura, disa nga ministrat dhe gati gjysmën e anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, si; Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Prokop Murra, Pali Miska, Muho Asllani, Simon Stefani etj. Dokumentet arkivore dëshmojnë për një mobilizim të jashtëzakonshëm, ku nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Degëve të saj nëpër rrethe, raportohej me dy deri në tre komunikata operative në ditë, mbi gjendjen në të gjitha rrethet e vendit.
Ndërsa natyra ndjek ritualin e saj shekullor, koha për qeverisjen tonë, duket se ka mbetur në vend. Dokumentet arkivore me siglën “Sekret” (të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme), dëshmojnë se pikat nevralgjike të vitit 1985, janë po ato që lëngojnë edhe sot: Veriu dhe Lindja: Bllokimi i rrugës së Vermoshit dhe rretheve Mirditë, Pukë, Kukës, Has, Tropojë e Peshkopi. Zona e Lezhës dhe Kurbinit: Tale, Gjorm, Adriatik, argjinatura e lumit Drojë dhe fusha e Thumanës. Shqipëria e Mesme dhe e Jugut: Kthesa e Murrashit, malësia e Gjinarit, dhe zonat përgjatë lumenjve Devoll, Shkumbin, Osum, Vjosë e Seman, e hidrovoret e tyre. Nga juglindja në jugperëndim: Nga Korça e Erseka, deri te lumi Drino në Gjirokastër apo, Bashaj-Matogjin në Vlorë.
Në këtë hartë të vjetër e të re të përmbytjeve, vetëm një qytet bënte përjashtim në janarin e vitit 1985. Sipas komunikatave të Ministrisë së Brendshme: “Durrësi nuk ka asnjë problem”! Sa më sipër etj., bëhet e ditur përmes këtij cikli shkrimesh me dokumentet arkivore dhe faksimilet e fotot përkatëse, që Memorie.al publikon për herë të parë, duke hedhur dritë mbi një nga dimrat më të egër të shekullit të kaluar dhe ngjashmërinë tronditëse me sfidat që na përndjekin edhe sot.
RAPORT- INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME, MBI MOTIN E KEQ ME RESHJE TË DENDURA SHIU DHE DËBORE QË PËRFSHIU TË GJITHË SHQIPËRINË MË 7 JANAR 1985 DHE DËMET E SHKAKTUARA NË RRETHE TË NDRYSHME NGA PËRMBYTJET, BLLOKIMET E RRUGËVE NACIONALE, ORTEQET E DËBORËS ETJ.
S E K R E T
Ekzemplar i vetëm
Tiranë, më 8.1.1985
INFORMACION
PËR DISA DËME TË SHKAKTUARA NGA RESHJET E MOTIT TË KEQ TË 7 JANARIT 1985
Sipas informacioneve të marra nga Degët e Punëve të Brendshme, më 7 janar 1985, si rezultat i motit të keq nga reshjet e shiut dhe të dëborës, ka pasur disa dëmtime, siç janë përmbytjet e shtëpive dhe të tokave, bllokime të rrugëve automobilistike etj., të cilët në bazë rrethi po i përmbledhim si vijon:
TROPOJA
Janë bllokuar të gjitha rrugët e komunikimit të brendshme dhe ato me rrethe të tjera. Autobuzët e linjës Tropojë – Tiranë, nuk janë nisur, po punohet për hapjen e rrugës. Në kufi nuk ka probleme shqetësuese. Ndërlidhja telefonike dhe me radio, kanë funksionuar normalisht.
MATI
Deri në orën 20.00, ishte bllokuar Batrri për pjesën Luçan – Batër. Në Batër është dëmtuar nënstacioni elektrik i furnizimit me energji elektrike i kampit (djegur transformatori i fuqisë). Kampi ka pasur mungesë të energjisë elektrike dhe të llambave elektrike. Trashësia e dëborës në këtë zonë ka arritur deri në 2 m. Rruga Burrel – Bulqizë, kalohet me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë. Me masat e marra u sigurua furnizimi me energji elektrike dhe me motor dhe iu çua një kontingjent me llamba elektrike nga Burreli. Makina me miell, deri në orën 20.00, kishte mbërritur afër Luçanit.
PESHKOPIA
Trashësia e dëborës ka arritur deri në 1.5 m. Si rezultat i saj, rruga Bulqizë – Peshkopi, kalohet me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë. Po merren masa për të përmirësuar gjendjen. Në disa fshatra nuk ka vajtur shtypi për katër ditë dhe nuk ka energji elektrike. Në Lurë është dëmtuar një stallë. Ndërlidhja me postat Cerjan dhe Rapdisht, nuk punon. Në kufi probleme shqetësuese nuk ka.
SHKODRA
Në rrugën këmbësore Pukë – Koman, është gjetur i vdekur nga dëbora, brigadieri i minierës së Palajve, Gjon Lulashi. Në linjën elektrike Shkodër – Vau i Dejës, janë rrëzuar tre shtylla elektrike. Ka mbetur pa energji, uzina “Drini”. Në Dukagjin nuk ka ndërlidhje telefonike. Janë të bllokuara rrugët Koman-Dukagjin dhe Tamarë – Vermosh. Më datën 6.1.1985, qyteti i Shkodrës ka pasur mungesë të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm, por me masa e marra gjendja është stabilizuar. Në kufi nuk pa patur probleme shqetësuese.
PUKA
Rrugët me rrethe fqinje janë të bllokuara. Shtatë autobuzë kanë mbetur të bllokuar në pika të ndryshme, si vijon: autobuzi i linjës Kukës – Tiranë, në Gojan, autobuzi Kukës -Tiranë, në Gjegjan, autobuzi Tiranë – Kukës, në Qafë Mali (Lajthizë), autobuzi Tiranë – Kukës, në Shkozë, një autobus i Pukës, në Rrapë, dy autobuzë të Pukës, në Luf. Të gjithë pasagjerët janë strehuar në fshatrat Fushë – Arrëz dhe Pukë. Po punohet për hapjen e rrugëve të bllokuara. Si rezultat i kohës së keqe, një fshatar nga Bugjoni u gjet i vdekur nga orteku i dëborës më datën 7.1.1985, dhe po këtë fat do të kenë pasur dhe dy të tjerë që ishin bashkë me të, por nuk janë gjetur.
KUKËSI
Dëbora ka vazhduar të bjerë edhe gjatë natës. Rrugët Kukës – Fush – Arrëz dhe ajo me Tropojën e Peshkopinë, janë të bllokuara. Po punohet për zhbllokimin e tyre. Në Shikaj, Domaj, Pusi i Thatë, Çajmatrash, janë rrëzuar 7 stalla nga pesha e dëborës, si rezultat i së cilës kanë ngordhur vetëm 8 dhi. Kooperativistët kanë marrë masa për riparimin e stallave. Në kufi nuk ka patur probleme shqetësuese.
ELBASANI
Janë bllokuar rrugët Gjinar – Bukonik dhe Kallogjer. Po punohet për zhbllokimin e tyre. Mungesa furnizimi nuk ka. Në Papër dhe Peqin në disa ngastra ka pasur përmbytje, por pa dëme.
FIERI
Janë përmbytur 2625 ha grurë, 1573 ha foragjere, 1289 ha tokë e pa mbjellë, 10 ha me perime, 30 ha me bathë dhe 3 stalla. Sipas ekonomive bujqësore, gjendja paraqitet si vijon:
- Cakrani ha grurë
- Pojani 110 ha grurë, 10 ha perime
- Semani 131 ha grurë, 33 ha foragjere
- Zharza 120 ha grurë, 40 ha foragjere
- Agimi 120 ha grurë, 33 ha foragjere 30 ha bathë
- Sukstruma 25 ha grurë, 60 ha tokë e pambjellë
- Kumani 60 ha grurë, 30 ha tokë e mbjellë
- Krapsi 3 ha grurë, ha tokë e mbjellë
- Veria 80 ha grurë, 128 ha tokë e mbjellë
- Frakulla 12 ha grurë
- Bishani 100 ha grurë, 60 foragjere, 130 ha tokë e mbjellë
- N.B. “Çlirim” 546 ha grurë 347 foragjer. 291 tokë e mbjellë
- N.B. “Semani” 120 ha grurë
- Gërxhallia 34 ha grurë
- Hoxhara 1004 ha grurë, 980 foragjere, 645 tokë e mbjellë
- Roskoveci 150 ha grurë
- Levani 80 ha foragjere
Një stallë delesh në Bizhan, dy stalla lopësh në Veri dhe Cakran. Dëme në bagëti nuk ka. Janë përmbytur 113 shtëpi banimi, nga të cilat 109 në qytetin e Fierit dhe 4 në Roskovec, 63 prej tyre kanë Baraka, kurse 47 shtëpi. Sipas lagjeve, ato u përkasin: Lagjja “1 Maji” 66 baraka, “Apollonia” 5 shtëpi, “15 Tetori” 3 shtëpi, “Kastrioti” 16 shtëpi, “Liria” 9 shtëpi, Roskoveci 4 shtëpi.
Niveli i ujërave të lumenjve deri në orën 20.00 ka qenë në rritje dhe i është afruar niveleve kritike, p.sh., Vjosa ka arritur në 4.87 m., kundrejt 5.5 të vlerës kritike, Semani nga 4.4 m. që është niveli kritik, ka arritur në 3.9 m. por më vonë që reshjet u ndërprenë, ranë dhe nivelet e tyre. Me masat e marra, puset e naftës që ishin të stakuara, u rivunë në gjendje pune. Shtabi i rrethit po merr masa për stabilizimin e gjendjes.
SKRAPARI
Janë dëmtuar vetëm dy shtëpi banimi në fshatin Luadh, dy familjet e tyre janë strehuar te bashkëfshatarët e fshatit. Rruga automobilistike Potom – Gjerbës, është e bllokuar.
RRËSHENI
Janë të bllokuara rrugët automobilistike për në Klos, Spaç, Kaçinar e Kurbnesh. Në Klos janë dëmtuar dy magazina dhe një shtëpi banimi. Është prishur 10 kv. me bimë medicinale. Probleme të tjera nuk ka.
PËRMETI
Është dëmtuar stalla e mushkave në Katundisht, ku kanë ngordhur dy mushka dhe janë plagosur katër të tjera. Në Xhanaj nga era janë dëmtuar 200 kv kashtë. Në parcelën e Kaludhit mbi lumin Vjosa, nga era e fortë është rrëzuar një mushkë dhe është dëmtuar Shtëpia e Kulturës e fshatit Vinokash.
LUSHNJA
Janë përmbytur 2630 ha tokë të mbjellë, nga këto Divjaka 1200 ha me grurë, Bubullima 400 ha me grurë, Tërbufi 800 ha me grurë, Çermani 100 ha me grurë, Ndërmarrja Bujqësore “Fitore” Fier -Shegani 60 ha me grurë, Ndërmarrja Bujqësore Rremas 40 ha me grurë. Niveli i ujërave të lumit Seman ka qenë në rritje dhe u është afruar niveleve kritike. Në Tërbuf ka pasur 13 cm. dhe në Karavasta 20 cm. rritje, kurse Shkumbini e Semani, përkatësisht 31 e 35 cm. rritje.
KRUJA
Janë evidentuar 540 ha tokë e përmbytur, prej tyre:
- Sektori Mamurras 30 ha grurë, 37 ha foragjere
- Sektori Mamurras/1 40 ha, grurë, 40 ha foragjere
- Thumana 20 ha grurë, 130 ha foragjere
- Adriatiku 50 ha foragjere
- Gjorëm 180 ha, grurë,120 ha foragjere
Niveli i Hidrovorit, nga – 20, ka arritur në – 40 cm.
VLORA
Raporton së në fshatin Bashaj – Smokthinë, ka pasur rrëshqitje toke dhe janë rrëzuar dy shtëpi, ndërsa gjashtë të tjera, ka rrezik të shemben më vonë. Janë marrë masa për strehimin e banorëve të tyre tek shtëpitë e fshatarëve. Në fshatin Qeparo, thonë se ka dëmtime në agrume, por shifra ekzakt nuk dihet. Niveli i Vjosës është ngritur në 4.87, kundrejt kritikut prej 5.5 m.
LIBRAZHDI
Ka të bllokuar rrugët Qurisht dhe Steblëvë – Fushë -Studen. Në kufi nuk ka probleme.
Lezha, Gramshi, Korça, Erseka, Gjirokastra, Saranda, Berati, Tepelena dhe Durrësi, nuk kanë patur ndonjë problem shqetësues apo dëmtime të kësaj natyre.
Shënim: Sipas njoftimeve të fundit, ora 06.00 e datës së sotme, makina me miell dhe sende të tjera, mbërritën në Batër. Linjat telefonike në të gjitha rrethet funksionojnë normalisht, me përjashtim të linjës telefonike të Beratit dhe Shkodrës, por ekziston mundësia e lidhjes me to në rrugë të tjera. Në hidrovorin e Fierit, nga 7 pompa funksionojnë vetëm 4, sepse janë djegur motorët.
OFICERI I GATISHMËRISË SË PËRHERSHME
RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME I DATËS 9 JANAR 1985, MBI SITUATËN TEJET PROBLEMATIKE QË MBIZOTËRONTE NË TË GJITHË VENDIN, NGA MOTI I KEQ
S E K R E T
Ekzemplar i vetëm
Tiranë, më 9.1.1985
INFORMACION
Koha e keqe ka vazhduar me reshje të shumta në të gjithë vendin. Në zonat malore ka patur dëborë. Trashësia e dëborës në Tropojë arriti në 1.7 – 2 metra, në Kukës 1.2 – 2 m., Peshkopi rreth 1 m. Në zonat e tjera ka patur shira të shumtë, veçanërisht në zonën Përmet – Gjirokastër, ku ka patur stuhi. Vjosa arriti në 6.28 m. në zonën e Tepelenës, kurse Drini iu afrua 30-35 cm. zonës kritike, në zonën Tale-Balldren të Lezhës.
Si rezultat i kohës së keqe janë bllokuar rrugët për në Tropojë dhe Kukës, kurse autobuzët e linjës së Peshkopisë, kanë mbetur në Shupenzë dhe Melaj. Njerzit janë shpërndarë nëpër fshatra për të kaluar natën. Janë dëmtuar dhe nuk punojnë rrugët Përmet-Leskovik dhe Vlorë – Selenicë. Ka patur përmbytje në zonën e Vlorës dhe Fierit. Në Fier janë përmbytur 7374 ha tokë, prej të cilave 2988 ha me grurë, 2431 ha me foragjere, 1915 ha tokë e pa punuar, 10 ha perime dhe 30 ha me bathë.
Në Vlorë janë përmbytur 30 ha tokë me grurë, 23 ha foragjere, 20 ha fidanishte etj. Janë dëmtuar shtëpi, stalla, bagëti etj. Në Bishan të Vlorës, rrëzuar një shtëpi, në Risili dy shtëpi. Në Fierzë, një ortek dëbore zuri 10 vetë, ku gjeti vdekjen 1 person, kurse në Pukë nga orteku i dëborës vdiqën 5 vetë. Janë dëmtuar 6 stalla në Kukës dhe 5 në Përmet. Janë dëmtuar linjat e ndërlidhjes Korçë-Pogradec (afër Zervaskës), si dhe disa linja telefonike në postat kufitare, zona e Dragobisë Tropojë, zona Zapot – Shishtavec Kukës, Cerjan – Rabdisht – Gjinovec Dibër, Qarishtë –Librazhd, Udënisht – Qafë – Thanë Pogradec, Llongo – Kakavijë Gjirokastër.
Është dëmtuar linja elektrike në Turaj Kukës, janë rrëzuar 12 shtylla të centrifuguara elektrike. Është zbuluar nga era kapanoni dhe kuzhina në postën e Leshnicës dhe janë thyer xhamat e dëmtuar dyer e dritare në postën e Konispolit. Në përgjithësi gjendja e furnizimeve është e mirë, përjashto Shupenzën e Peshkopisë që kishte mbetur pa miell, (në vend shkoi kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe kryetari i Degës së Brendshme dhe problemi u zgjidh). Në Fier e Vlorë u ngritën dhe shtabet, për të marrë masat e nevojshme për gjendjen e krijuar.
OFICERI I GATISHMËRISË SË PËRHERSHME
HASAN LEKA
RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME I DATËS 9 JANAR 1985, MBI SITUATËN TEJET PROBLEMATIKE NË TË GJITHË VENDIN NGA MOTI I KEQ DHE VDEKJEN E 23 PERSONAVE NGA ORTEQET E BORËS NË RRETHIN E PUKËS DHE PESHKOPISË
I N F O R M A C I O N
Si rezultat i rënies së orteqeve të dëborës prej datës 3 deri më 9.1.1985, kanë gjetur vdekjen gjithsej këta persona: Hil Mala, Gjon Kamberi, Drane Kamberi, Filip Bregu, Pal Malaj, Zef Smajli, Pal Balaj, Lug Mahmuti, Zoje Marku, Lazër Përgecaj, Liperi Kola, Drane Përgeci, Mara Pali, Shkurte Përgecaj, Pashk Qerimi, Ludovik Qerimi, Gjin Pjetri, Dedë Kola, Mark Marashi, Kol Staka dhe u plagosën rëndë Rrok Ndou dhe Dul Ndoja. Kjo ka ndodhur në Pukë në zonën e Iballës.
Në Tropojë në datën 9.1.1985, trashësia e dëborës ka shkuar 1.75 m., rrugët nuk funksionojnë në të gjithë drejtimet.
Në Kukës nuk funksionojnë të gjitha rrugët.
Në Tiranë, si rezultat i rënies së dëborës, është zënë rruga e Qafë-Krrabës, rruga Tiranë- Dajt deri në Linzë.
Në Dibër si rezultat i orteqeve të dëborës në datën 9, gjetën vdekjen Rabije Piraj nga fshati Lugjan, Sali Deda nga fshati Gurë-Lurë dhe Xhelal Hysa nga fshati Lajshkizë./ Memorie.al
OFICERI I GATISHMËRISË SË PËRHERSHME
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

















