Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetetre
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
- Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
- Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU ENVER HOXHA: Veprimtaria e Koci Xoxes, e udhëhequr nga Aleksandër Rankoviç, ishte një metodë pune trockiste pasi ai, duke qenë në shërbim të jugosllavëve, krijonte kartela të rreme, të falsifikuara, për udhëheqësit e Partisë dhe Popullit, për të përgatitur më pas eliminimin e tyre moral dhe fizik. “Siç gjykoj unë tani, – thotë Kadriu në autokritikën e tij, (se mos e akuzonin si trockist) – veç të tjerave, mbi mua kanë ndikuar dhe presionet e armiqve që më rrethonin dhe që kam i kam pasur në vartësi si, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Zoi Themeli, Mihallaq Ziçishti, ashtu si dhe ata që më drejtonin në rrugë operative shtetërore, si Mehmet Shehu e Beqir Balluku, dhe së bashku me ta dhe këshilltarët sovjetikë që, ishin futur në çdo sektor të Ministrisë së Brendshme.
Këta, – thekson Kadriu, – sabotuan në shpinën time dhe nga ana tjetër bënin presion të vazhdueshëm për gjoja kujdesin që duhet të kishim për të mos rënë në trockizmin e metodave jugosllave, në ndjekjen dhe vlerësimin e të dhënave që çonin drejt dyshimeve armiq, të kamufluar mirë e në vende me përgjegjësi. Ky presion nuk bëhej vetëm mbi mua, por mbi të gjithë njerëzit e Sigurimit të Shtetit”.
Unë po e pyes shokun Kadri, se: përse e pranoi presionin e këtyre armiqve, dhe pse nuk zbatoi vijën e Partisë, që ai të vinte në Komitetin Qendror e të na i sqaronte këto gjëra?!
Sipas pikëpamjes së Kadriut, del se po të dyshonim tek ndonjë personalitet, i cili merrej me punë armiqësore, nuk u dashka të kallëzohej për arsye siç thotë ai, se mund të binim në metodat trockiste të Koci Xoxes.
Ky mendim nuk është një mendim partie, por përkundrazi ky shuan luftën e klasave dhe u lejon mundësinë disa personaliteteve, të zhvillojnë punë armiqësore ndaj Partisë, ashtu siç ngjau. Kjo, është përsëri një metodë pune trockiste, madje armiqësore ndaj Partisë dhe Socializmit.
Prandaj është një shfajësim dhe koncept i gabuar i Kadriut dhe i bashkëpunëtorëve të tij, që e kanë pasur këtë mendim. Por ne e pyesim shokun Kadri, se a ka pasur sinjalizime për personalitete që merreshin me punë armiqësore dhe ai, nuk i ka treguar?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Të përgjigjem, shoku Enver?!
SHOKU ENVER HOXHA: Po.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, nuk di.
SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë është e qartë, lëre, ti e paske aplikuar bukur këtë metodë trockiste. Ti mund të vije e të më thoje mua, që jam përfaqësues i Partisë se, Beqir Balluku ka qëndrime të gabuara, mund të shkoje te Adili dhe t’i thoje që, Mehmeti nuk është në rregull, po kështu mund të shkoje dhe te Ramizi, etj.
Por ti, nuk e bëre këtë. Kjo më mirë vonë se kurrë duhet të na thuhet. Thashë pak më lart se, sa kemi futur gishtin në dokumentet e Ministrisë së Brendshme dhe rastësisht shohim për shembull se, Hulusi Spahiu, ka deponuar në hetuesi, në vitin 1956, se ai ishte një nga organizatorët e Konferencës së Tiranës. Ai, kishte folur më përpara me Beqir Ballukun, Kiço Ngjelën, Rrahman Përllakun, etj.
Tani, të pyesim shokun Kadri shiheshin apo fshiheshin këto deklarata për personalitete të larta të Partisë dhe Shtetit?! Pse nuk shiheshin, ose të themi më mirë pse fshiheshin?! Është e mundur që për kuadro me kaq rëndësi, në momentet që po kalonin Partia dhe vendi ynë pas Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, dhe pas ngjarjeve në Poloni e Hungari, ti të mos i kesh lexuar këto deponime në këto situata?!
Këtë unë, nuk e besoj. Pra një koncept i tillë, që të mos diktosh dhe të mos i vësh në dukje Partisë, aktet e dyshimta dhe armiqësore të një personaliteti është krejtësisht i huaj për ne.
Kjo do të thotë, ti lësh këta të veprojnë, siç u la Beqir Balluku, t’u krijosh këtyre kultin e individit në fakt me këtë tradhtar, që u la anëtar Byroje e Ministër për kaq vite derisa Partia e zbuloi dhe e demaskoi dhe jo Sigurimi i Shtetit, jo ti si Ministër i Brendshëm, as Mehmet Shehu që na hiqej si ushtarak dhe që mbante “lidhje të ngushta” me ushtrinë, jo për t’i shërbyer interesave të larta të Partisë dhe Popullit, por planeve kriminale prej tradhtari e krye agjenti të imperialistëve e revizionistëve.
Pra të lësh të veprojnë në kokën e Partisë e të Shtetit, në kundërshtim me ligjet dhe normat e kësaj udhëheqjeje ky, nuk është një mendim marksist por antimarksist. Në një letër që më shkruaje para 3-4 ditësh më thoje se, të kujtohet që Teme Sejko ka deponuar për Panajot Plakun, që ky i fundit u fut njëherë ilegalisht në Shqipëri nga Konispoli, i shoqëruar nga vetë Temja. Ai, erdhi deri në Pashaliman dhe pasi e la Teme Sejkon, u fut në një shtëpi ku, ishte një oficer sovjetik i Bazës së Vlorës, dhe bashkë me të edhe Arif Hasko.
Që Panajot Plaku, ka ardhur në Shqipëri, ne jemi vënë në dijeni, por seç bëri, nëse u takua me oficerë madhorë si Arif Haskoja, nuk na është raportuar as në formën e dyshimit, siç po na e paraqet tani në letër, shoku Kadri. Por as në 1973-1974, kur u zbulua grupi puçist, kjo gjë nuk u ngrit për Arif Haskon dhe ndaj tij nuk u mor asnjë masë penale, veçse sa u nxor në pension.
Ja dhe një shembull tjetër i zbatimit të konceptit antimarksist, që të mos i vësh në dukje Partisë, aktet e dyshimta armiqësore të një personaliteti, të cilën e kish bërë normën e vet, Kadri Hazbiu.
Por duhet të themi se kështu siç po tregojnë faktet, nuk është vetëm punë koncepti por, veprimtari e fshehtë armiqësore pas shpinës së Partisë. Vetë çështja e procesit të Teme Sejkos, është e mbuluar me mister. Në “Tablonë Sinoptike të veprimtarisë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”, unë shpjegova se nuk e kam të qartë komplotin e Teme Sejkos, dhe ç’rol ka luajtur Mehmet Shehu në të.
Na ishte thënë se ky ishte një komplot, i organizuar nga Zbulimi amerikan, jugosllav, dhe grek, të cilët do të koordinoheshin me e Flotën e VI-të amerikane të Mesdheut. Në kongresin e IV të Partisë, folëm për këtë komplot. Sovjetikët bënë sikur u alarmuan, madje Gomulka, propozoi që të çojmë një komision nga ‘Traktati i Varshavës’, gjë që ia hodhëm poshtë. Ç’ maskaradë!
Në letrën tënde Kadri, u shpejtove të më sqarosh gjithë problemin e Teme Sejkos, duke mos harruar që të bësh dhe disa provokacione. Me të vërtetë kjo letër, ma sqaroi problemin, por jo në atë drejtim që doje ti. Tani s’kam më dyshime dhe e kam të qartë atë që fsheh ti, që ky komplot i Teme Sejkos ishte organizuar nga këshilltarët sovjetikë, nga Mehmet Shehu, nga Beqir Balluku, e këta dy kryesorët, ti nuk i zë me gojë në letër. Tani po e sqaroj, nuk e vë në dyshim qenien e Teme Sejkos si agjent të amerikanëve, jugosllavëve, dhe grekëve, dhe as qëllimet e tyre.
Por në ato momente historike, as nuk mund të bëhej fjalë për ndonjë ndërhyrje greke apo jugosllave, e aq më tepër të Flotës së VI-të Amerikane, kur në Pashaliman ndodhej Flota Sovjetike. Le të mos harrojmë që ishin në vitin 1960, kur me sovjetikët, ishim me shpata zhveshur.
Ata po e ndjenin fundin e tyre në Shqipëri, dhe ja kishin frikën dëbimit të Flotës së tyre Detare nga Vlora. Ne, po përgatisnim sulmin në mbledhjen e Bukureshtit, si dhe në mbledhjen e 81 Partive në Moskë. Ata, na kërcënuan me shumë mënyra madje, në një letër, na thonin që të shuanim shkëndijën që në Bukuresht.
Por duke parë vendosmërinë tonë, ata organizuan me agjenturën e tyre, Mehmet Shehun, Beqir Ballukun, e kompani, të ashtuquajturin Komplotin e Teme Sejkos, se gjoja vendi ynë do të sulmohej nga Flota e VI-të amerikane, e mbështetur nga grekët dhe jugosllavët. Me pak fjalë sovjetikët na thonin: “Mos bëni shakara, se sulmi është gati për të shkatërruar Shqipërinë, dhe ju na e keni nevojën”.
Ky ishte versioni i vërtetë i komplotit të Teme Sejkos që ti Kadri, as nuk e zbulove atëherë kur ishe ministër i Brendshëm, dhe as nuk e zbulove tani që, u godit veprimtaria armiqësore e Mehmet Shehut, por ke mbushur letrën me dhjetëra e dhjetëra fjalë të tipit: “mesa më kujtohet” e, me supozime të ndryshme, madje edhe trillin se gjoja unë të kam aprovuar ty dhe bandës që radhit ti në letër, legjendën e çuditshme dhe shumë të dyshimtë të Teme Sejkos me këshilltarët sovjetikë, në një kohë që unë po u përgatisja varrin revizionistëve sovjetikë, kur në Dajt, po shkruaja raportin që do të mbaja në mbledhjen e Partive Komuniste e Punëtore në Moskë.
Ti më shkruan në letër, se unë të thirra në Dajt. Kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është shkruar në ditarin tim, ku thuhet: “Dajt, 27 korrik 1960. Erdhën Beqiri me Kadrinë dhe më raportuan për çështjen e Teme Sejkos me kompani”. Pra ti, nuk ke ardhur vetëm tek unë, dhe as të kam thirrur. Më 28 korrik, keni arrestuar Teme Sejkon.
Pra ardhja juaj në Dajt, kishte si qëllim marrjen e miratimit të arrestimit të Teme Sejkos, dhe jo për arsyen e një farë legjende. Në asnjë fletë të ditarit tim, gjatë gjithë vitit, nuk bëhet fjalë për ndonjë legjendë, prandaj unë e konsideroj si një provokim tëndin, këtë variant, që kishit kurdisur ju me Mehmet Shehun, e Beqir Ballukun, e jo me mua e as me dijeninë dhe miratimin tim.
Legjenda për komplotin e Teme Sejkos, i ngjan shumë legjendës që kurdisën titistët me Koci Xoxen e Beqir Ballukun, se gjoja po kërcënoheshin nga një sulm grek, dhe se prandaj duhet të vinin divizionet jugosllave “për të na mbrojtur e shpëtuar”.
Nga të gjitha këto që po analizojmë, unë nxjerr konkluzionin se Kadri Hazbiu, mban rezerva. Ai që për shumë vite, ka qenë në Ministrinë e Brendshme i rrethuar nga këta armiq të egër, si është e mundur që të mos nuhaste asgjë nga veprimtaria e tyre armiqësore e agjenturore?!
Në dy tre letra, sidomos në një letër të fundit që më shkruan ti Kadri, më thua që Partia dhe unë të kemi besim te ty, sepse ti ke qenë dhe je besnik i Partisë dhe i imi. Mua më duket se të tilla deklarata, edhe mund të bëhen por, edhe mund të mos bëhen.
Më mirë është që të gjykojë Partia, në bazë të punës së gjithsecilit, sesa është besnikëria e njërit dhe e tjetrit ndaj Partisë. Besnikëria ndaj Partisë, është besnikëria ndaj normave të saj, është zbatimi i tyre me përpikëri në mënyrë të vazhdueshme e vigjilente, pasi vetëm kështu provohet besnikëria ndaj Partisë.
Duhet të ta themi Kadri, se ky besim nga unë dhe shokët, është dobësuar shumë ndaj teje. Prandaj ti, duhet të japësh prova, dhe të punosh me vullnet të madh, e të ecësh gjithë jetën në interesin e Partisë, pasi këto gabime të rënda që ke bërë e masat që do të duhet të marrim, janë një sinjal alarmi për armiqtë të cilët, do të përpiqen që ta dëmtojnë Partinë, nëse ti nuk je i bindur dhe i qartë për gabimet që ke bërë, e për vendimet që do merren karshi teje.
Këtë çështje, duhet ta marrësh me seriozitet të madh e me gjakftohtësi, në asnjë mënyrë të mos bësh marrëzira, por të përballosh jetën nga e para, dhe të luftosh të gjithë ato mbeturina të vjetra familjare e fisnore, apo shokë të sëmurë, nga simpatia që mund të vërtiten rreth teje, e të nxisin për të të thënë se, ty të qenka bërë një padrejtësi.
Nëse do të veprosh kështu siç po të këshilloj, atëherë ti do ta meritosh atë dorë që do të të japi Partia, dhe do ti shërbesh asaj sa të kesh jetën. Por po të bësh të kundërtën, Partia do të marri masa të rënda, pa pasur frikë nga askush. Interesat e Partisë e të vendit, ne do ti mbrojmë me fanatizëm. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016