Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al/Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, (njëkohësisht mbante edhe funksionin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit) dhe si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.
Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSh-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së për propagandë, artin dhe kulturën), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Drejtorisë së Dytë të Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gardës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Myftar Tare, (ish-kolonel dhe zv/ministër për Zbulimin Politik, i arrestuar në vitin 1949 dhe nxjerrë në lirim), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Halil Zeneli (ish-kolonel i Sigurimit dhe kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe), Ilo Manushi (oficer madhor dhe drejtor i Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Mark Dodani (ish-nënkolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit dhe zv/kryetar i Degës së Brendshme Sarandë), Xhemal Bejto Fasllia, (ish-gjykatës dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme), Ibrahim Kubati (ish-agronom i diplomuar në Bullgari, drejtor i rezervateve të gjuetisë në disa rrethe të vendit, ku shkonte udhëheqja e lartë e PPSh-së për gjueti, i burgosur politik), Ali Kubati, (ish-oficer i Zbulimit Politik në disa shtete të botës dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, i burgosur politik), Nexhip Pajo, ish-oficer i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, etj.
Nga letrat apo raport-informacionet në fjalë të dërguara në adresë të Grupit Operativ Special pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo personalisht ministrit Hekuran Isai, në vitet 1982-1983, në numrat e kaluar, kemi publikuar letrat e Liri Belishovës, Hekuran Pobratit, Xhule Çirakut, Mark Dodanit, Ibrahim Kubatit dhe Nexhip Pajos, kurse në këtë shkrim, po publikojmë letrën e ish-oficerit të lartë të Sigurimit të Shtetit, kryetarit të hetuesisë pranë Ministrisë së Brendshme, gjeneral-major Nevzat Haznedarit dhe vartësit të tij, hetuesit Raqi Zavalani.
Në letrën e tyre ata bëjnë një pasqyrë të hollësishme për ngjarjet kryesore me të cilat ata ishin përballur që nga viti 1950 e deri në ’82-in, duke filluar nga grupet e diversantëve që kishin zbarkuar asokohe në Shqipëri, si: Zenel Shehu, Hamit Matjani, Halil Branica, Tahir Premçi, etj., si dhe duke evidentuar “veprimtarinë armiqësore” të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Mihallaq Ziçishtit, etj., apo dhe të një sërë funksionarësh të lartë, që ishin dënuar nga Partia, si Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Dali Ndreu, Liri Gega, Teme Sejko, Panajot Plaku, Taho Sejko, Tahir Demi, Halim Xhelo, Kadri Hoxha, Zenepe Ashiku, etj. Për më shumë rreth kësaj, etj., na njeh dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze (që gjendet në fondin arkivor të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), i cili publikohet për herë të parë (bashkë me faksimilet përkatëse), nga Memorie.al.
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E DY FUNKSIONARËVE TË LARTË TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, NEVZAT HAZNEDARI DHE RAQI ZAVALANI, PËR “VEPRIMTARINË ARMIQËSORE” TË KADRI HAZBIUT, FEÇOR SHEHUT, MIHALLAQ ZIÇISHTIT, ETJ
SEKRET
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 5.11.1982
Lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me veprimtarinë armiqësore të armiqve Kadri Hazbiu, Mehmet Shehun, Feçor Shehun e Mihallaq Ziçishtin, japim disa sqarime që mendojmë se kanë interes për t’u mbajtur parasysh dhe konkretisht:
Shoku Nevzat Haznedari sqaron:
Kur u kap diversanti Hetem Çako, unë nuk kisha ardhur akoma në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe nuk di asgjë për të. Unë erdha në Ministri në maj të vitit 1950. Kur u kapën diversantët Zenel Shehu, Hamit Matjani, Halil Branica, etj., mua m’u ngarkua të proçedoja Hamit Matjanin dhe mendoj se detyrën e kreva mirë, mbasi Hamit Matjani, si më kujtohet, deponoi si për veprimtarinë e tij, gjatë kohës së ‘Ballit’ në Shqipëri, për krimet që kishte bërë këtu, për një përpjekje që kishte bërë dhe u plagos, për kohën që qëndroi në Greqi dhe për veprimtarinë armiqësore të tij si diversant, i dërguar nga Greqia, për më shumë se 15 herë.
Gjatë hetuesisë, u pyet e tregoj me hollësi edhe për bazat që kishte përdorur në Shqipëri. Gjate proçesit, mbaj mënd, mua dhe Siri (Çarçanin), ish-në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm, na thirri në shtëpi armiku Mehmet Shehu, i cili kishte përpara proçeset e Hamit Matjanit, e të tjerëve, të cilët i kishte marrë nga Kadri Harbiu.
Na kritikoi se nuk ishte punuar mirë dhe mbas disa ditësh, më thirri mua në zyrën e tij në Ministri, së bashku me Kadri Hazbiun dhe duke më kritikuar përsëri për punë të dobët me Hamit Matjanin, më urdhëroi që proçesin, për t’a vazhduar, t’ja dorëzoj shokut Aranit Çela, i cili në atë kohë ishte Zv/Kryetar i Degës së Hetuesisë. Shoku Aranit, e përfundoi proçesin dhe kreu njëkohësisht edhe detyrën si Prokuror, kur u gjykuan këta diversantë para popullit.
Në lidhje me arratisjen e Tahir Preçit, që u arratis nga burgu me policin Gani Rosa, unë nuk jam marrë. Me këtë problem, merrej konkretisht sektori operativ, shoku Pilo Shanto, por kam mësuar, sidomos nga deponimet e policit Gani Rosa, që u kap i gjallë, që Tahir Preçi, mbahej në një dhomë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, jo i mbyllur, por me polic tek dera.
Tahir Preçi, e mashtroi policin, siç depononte Gani Rosa, duke i premtuar se në Greqi është një person që ka lënë pasuri, me mbiemër Rosa dhe po të shkonte Ganiu në Greqi, do të siguronte këtë pasuri. Gani Rosa, qe bindur dhe të dy dolën nga dera e Drejtorisë së Tiranës, pa u kontrolluar e ndaluar nga rojet, arratisën në drejtim te Dajtit (Shëngjergjit). Gani Rosa u kap i gjallë, ndërsa Tahir Preçi u vra, Në atë kohë flitej se Tahir Preçi, për shërbimet e mëdha që bënte, trajtohej mirë, aq sa thuhej se çohej edhe në kinema, për të parë filma.
Për proçesin e “Larry Postit”, unë nuk kam patur rastin të merresha, por unë mbaj mënd, që mbas dënimit te “Larry Postit”, ky është izoluar në burgun e vjetër dhe shkruante. Këto shkrime se kush i ka marrë, unë nuk e di, por kam dëgjuar se ato i shkonin Thoma Karamelos. Dali Ndreu dhe Liri Gega ishin në përpunim dhe ndiqeshin nga Sigurimi, Dega e II-të, drejtimi antiparti.
Këta, në pragun e Konferencës së Tiranës u hodhën në aktivitet të hapur, takoheshin me persona të ndryshëm dhe dihej që Liri Gega, krijoj lidhje me funksionarë të legatës Jugosllave, me Sekretarin e parë te kësaj ambasade, Svetozar Koçiç, nëpërmjet të një jugosllaveje, Perga Frashëri, e martuar me Veli Frashërin, i cili ka të bëjë me Fiqrete Shehun.
Këta vepronin aq hapur, sa Liri Gega, në biseda me elementë të tjerë antiparti, thoshin se do të bëhem prokurore për të gjykuar këta (udhëheqjen). Këto të dhëna, i bëheshin të njohura me hollësi udhëheqjes së Ministrisë, si Kadri Hazbiut e Mihallaq Zicishtit, por nuk u orientua asnjëherë për goditjen e tyre, vetëm kur Daliu e Lirija, si mbas një informate që u muar brenda ditës, nga B.p. “Vullneti”, që këta do të arratiseshin nëpërmjet Dibrës, në Jugosllavi, u vendos arrestimi i tyre, në Sllovë të Peshkopisë. Po të qe se këta do të arrestoheshin në Tiranë, me siguri do t’u gjendej një dorëshkrim i madh, me përmbajtje armiqësore, që kishin marrë me vete për në Jugosllavi, kopjen e të cilit, ja kishin dhënë Svetozarit, ndërsa kur u arrestuan në Sllovë, ky material nuk u gjet.
Megjithëse të dy këta u arrestuan në Sllovë, si erdhën në Tiranë, Liri Gega u mbajt në burg, ndërsa Dali Ndreu, u internua për një kohë në Ballsh dhe më vonë u arrestua. Mbaj mënd, se kur Liri Gega ishte në burg, ka ardhur atje Kadri Hazbiu dhe e ka takuar. Nuk më kujtohet, që si Liri Gega dhe Dali Ndreu, të kenë folur për ndonjë person, e të mos jetë shënuar në proçes. Mbaj mënd vetëm faktin se Liri Gega dhe Dali Ndreu, nuk u zbërthyen plotësisht gjate hetuesisë.
Mirë do të jetë që për këtë, të bisedohet me hetuesit që i kanë hetuar. Unë, në periudhën e Konferencës së Tiranës, kam qenë në Degën e Hetuesisë dhe nuk di si punonte Drejtoria e Tiranës, në drejtim të elementit antiparti, por kam dëgjuar se Drejtoria e Tiranës, nuk ndjehej shumë në atë kohë, megjithëse flitej që elementë të ndryshëm armiqësore, flisnin poshtë e përpjetë, për gjëra me përmbajtje armiqësore në frymën e Kongresit XX-të, por më shumë aktivizohej në këtë drejtim, ish-Dega e II-të e Sigurimit të Shtetit.
Zakonisht, siç ka qenë rregulli, implikimet që dilnin nga proçesi Dali Ndreut dhe Liri Gegës, i kalonin sektorit operativ, dhe konkretisht, ato duhet të jenë Arkivin e Ministrisë, ndoshta edhe ne sektorin përkatës. Para Konferencës së Tiranës, ne shikonim dhe merreshim vazhdimisht të dhëna, që punonjësit e Ambasadës Jugosllave, ishin në lëvizje dhe takoheshin me persona të ndryshëm, ndër të cilët edhe kuadro.
U morr vesh në atë kohë, që Svetozar Koçiç i cili, ishte Sekretar i Ambasadës dhe që ka qenë këshilltar në Degën e Sigurimit të Ushtrisë, ku Kadri Hazbiu ishte kryetar, takohej në “Dajti”, në “Vollga” e në rrugë, me shumë njerëz, ndër të cilët me Stavri Xharën, Llambi Ziçishtin, Rexhep Xhiha shkonte në “Vollga”, e takonte gjithashtu me persona të tjerë. Në këtë kohë, para Konferencës së Tiranës, në Tiranë vinte Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Kadri Hoxha, etj., dhe takoheshin me turli njerëzish.
Të gjithë këto të dhëna për Kadri Hazbinë, për Mihallaq Ziçishtin, dhe patjetër dhe për Feçor Shehun, ishin të njohura, por asnjë herë nuk u ndal ndonjëri prej tyre për të marrë masa. Mbaj mend, siç thuhej atëhere, Zenepe Ashiku, ish-delegate në konferencë, takohej rrugës me Rexhep Xhihën, i raportonte këtij mbi punimet e Konferencës në shtëpinë e Zija Dibrës dhe me gjithë se kjo dihej, prapë në drejtim të tyre, nuk u muar asnjë masë.
Masa u morën vetëm kur elementi antiparti u shpartallua në Konferencën e Tiranës, me ndërhyrjen e udhëheqjes kryesore të Partisë. Lidhur me proçesin e Teme Sejkos, mendoj të kihen parasysh këto gjëra: Teme Sejko, Tahir Demi, e Taho Sejko, ishin kryesorët në këtë veprimtari armiqësore, por nuk u arrestuan këta të parët; më parë u arrestuan në Konispol, lidhjet e tyre, mesa mbaj mënd, nga fundi korrikut të vitit 1960 dhe mbas 10 a më shumë ditësh, u arrestua Teme Sejko a Tahir Demi.
Kur u bënë arrestimet në Konispol, ka ardhur edhe Mihallaq Ziçishti, gjithashtu ai ka shkuar edhe në Elbasan, për të arrestuar Tahir Demin, Gjatë ditëve, mbas arrestimit të personave në Konispol, Teme Sejko u mor në survejim nga Halim Xhelo. Temja gjatë këtyre ditëve, u takua në Elbasan me Tahir Demin, hoqi familjen nga Llogaraja, e çoi në Durrës dhe nga Durrësi, në Pogradec. Duke vepruar kështu, për mendimin tim, Tahir Demi dhe Teme Sejkua, rregulluan qëndrimin e tyre në hetuesi.
Teme Sejkon në fillim në hetuesi e mora unë, por pa e pyetur fare, vetëm sa bëra dokumentin e parë proçedurial dhe këtë dokument, pa e nënshkruar unë, vetëm se është shkrimi im, më thërret Kadri Hazbiu dhe më urdhëron që Teme Sejkon, ta procedojë Halim Xhelua, sepse Temja, veprimtarinë armiqësore e ka zhvilluar në ushtri dhe Halim Xhelua është Kryetar i Degës së Sigurimit të Ushtrisë.
Si e mbajti një kohë Halim Xhelua Teme Sejkon, përsëri me urdhër të Kadra Hazbiut, proçesi i Teme Sejkos, ju dha për ta vazhduar deri në fund, hetuesit Ferhat Matohiti. Ferhat Matohiti, vazhdoi hetuesinë edhe me Taho Sejkon, vëllain e Teme Sejkos. Ditën e parë ose të dytë, ka ardhur së bashku me Kadri Hazbiun në burg, Beqir Balluku dhe morën takim me Teme Sejkon. Beqiri i tha që të tregojë, dhe sidomos e porositi që të tregojë për agjenturën, pasi Teme Sejkua kishte qenë dhe Shef i Zbulimit në Ushtri, para se të vinte Komandant i Fllotës.
Teme Sejkua, deponoi lidhur me Panajot Plakun, se si nëpërmjet një letre që kish marrë nga Haki Rushiti, ishte lidhur me Panajot Plakun, para se Panajot Plaku të arratisej, i cili ish-rekrutuar ne Brigade të I-rë, nga Dushan Mugosha. Temja tregoi që Panajot Plaku, i sjellë nga diversanti Izet Osmani, i cili ish-legjenduar si i vrarë, por që Temja dha sqarime, se ai ishte i gjallë, hyri në Shqipëri, në Elbasan dhe ne Vlorë.
Në Elbasan ishte takuar me Tahir Demin dha në Vlorë diversanti Panajot Plaku dhe Izet Osmani, ishin lënë në afërsi të shtëpisë, ku më vonë rezultoi se atje banonte sovjetiku. Këtë verifikim e kam bërë unë, duke marrë Nikolla Bashon, ish-një nga shoqëruesit e Panajot Plakut, i cili më çoi në Elbasan, në shtëpinë e Tahir Demit dhe në Vlorë, në shtëpinë e sovjetikut. Unë nuk dija as shtëpinë e Tahir Demit, as të sovjetikut, por nga verifikimi që bëra më vonë, rezultoi se ishin këto.
Gjithashtu Teme Sejkua, deponoi se Panajot Plaku ish takuar, kur Temja e mori në kufi si diversant dhe e solli në thellësi, ishte takuar tek ura e Rrogozhinës edhe me Koço Tashkon. Këto takime, i raportoheshin Kadri Hazbiut, i di edhe Shoku Rexhep Kolli, sepse në proçesin e Teme Sejkos, Rexhepi qëndroi i pandarë. Por një ditë që më thirri shoku Hekuran Isai, dy ditë përpara se Kadri Hazbiu të përjashtohej nga Partia,(aty ishte Kadri Hazbiu dhe Shoku Rexhep Kolli), unë e përmenda këtë fakt, por Kadri Hazbiu, tha që nuk duhet të ketë qenë Koço Tashkua, mbasi Koço është njeri pa rëndësi.
Jo, iu përgjigja unë, para shokut Hekuran, Koço Tashkua mund të jetë pa rëndësi për neve, por jo për sovjetikët. Kadri Hazbiu u hodh e tha tekstualisht kështu: “A mos është takuar me Mihallaq Zigishtin…”?! Këtë shprehje të Kadri Hazbiut, unë e dëgjova për herë të parë. Për ç’farë dilte për sovjetikët, nuk mbahej shënim, por i raportohej gojarisht, si Mihallaq Ziçishtit, ashtu dhe Kadri Hazbiut, por në drejtim të sovjetikëve, asnjëherë nuk jepeshin udhëzime për të vepruar më tej. Proçes-verbalet e këqyrjes të vendit të ngjarjes (për verifikimin e shtëpisë si Tahir Demit në Elbasan, e të sovjetikut në Vlorë), në Elbasan e Vlorë të mbajtura nga unë, ndodhen në dosjen hetimore të Teme Sejkos.
Teme Sejko dhe të tjerët, u dënuan publikisht në Kinema “Brigada”, më duket në muajin maj të vitit 196l. Morën pjesë dhe korrespondentë të huaj, ndër të cilët më kujtohet, se ishte këshilltari ushtarak sovjetik i Ministrisë së Mbrojtjes. Pas dënimit me vdekje, Teme Sejko dhe Tahir Demi, me urdhër të Kadri Hazbiut dhe patjetër edhe të Mihallaq Ziçishtit e Rexhep Kollit, u mbajtën për më shumë se 10 ditë të izoluar në fshehtësi të madhe, në burgun e vjetër, me qëllim, që të vazhdonin të tregonin gjërat që nuk kishin treguar.
Përgjegjësi i rojeve ka qenë shoku Qemal Birçe. Ata, nuk pyeteshin, por vetëm shkruanin. Këto shkrime, mbas ekzekutimit të tyre, i solli në zyrë tek unë Qemal Birçe dhe unë ja dorëzova Mihallaq Ziçishtit. Me sa mora vesh, ata nuk kishin shkrojtur asgjë më tepër, nga sa kishin deponuar në hetuesi dhe në gjyq. Këto shkrime, duhet të jenë në dosjet e tyre hetimore. Mbas 10 ditë a më shumë, nuk e mbaj mënd mirë, Teme Sejko, me urdhër të Kadri Hazbiut, u nxor nga burgu dhe u çua afër fshatit Marikaj, në një shtëpi në majë të një kodre, të rrethuar me pemë.
Aty ardhi Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, unë dhe Qemal Birçja dhe shoferi Jorgo Bimo, i cili ka vdekur. Teme Sejko, u torturua dhe iu kërkua që të fliste. Ai nuk foli asgjë. Unë nuk e mbaj mënd, por si më tha këto ditë Qemal Birçe, aty, pak më vonë kish ardhur edhe Kadri Hazbiu, i cili ishte takuar me Mihallaqin dhe Rexhepin dhe mbas largimit të Kadriut, Teme Sejko, u muar në makinë, gati i vdekur, i lidhur me litar dhe u çua në drejtim të rrugës së Dajtit, ku u ekzekutua.
Në vendin e ekzekutimit, unë mbaj mënd që ka qenë Qemal Birçe, shoferi, Mihallaqi, Rexhepi dhe unë, ndërsa kur na thirri Shoku Hekuran, Shoku Rexhep tha; se është kthyer në rrugë, pa ardhur në vendin ekzekutimit. Kështu tha edhe Shoku Qemal Birçe, që shoku Rexhep ka qenë vetëm në vendin ku u torturua, por nuk ka qenë në vendin e ekzekutimit të Temes, por Qemali thotë; se nuk kam qenë edhe unë, ndërsa unë mbaj mend se kam qenë, dhe që vendin e ekzekutimit të Teme Sejkos, thotë Qemali, ta kam treguar unë.
Vehbi Hoxha u implikua në proçesin e Beqir Ballukut. Edhe ky ishte njohur me antitezat e përgatitura nga Beqir Balluku. Vehbi Hoxha ish ngarkuar që t’i studionte dhe t’u jepte dorën e fundit materialit të zi të Beqir Ballukut si njeri specialist. Me porosi të Feçor Shehut, sikurse edhe të tjerë, Abdi Mati, etj, janë thirrur e pyetur. Kështu u pyet nga unë në një zyrë këtu në Ministri. Proçes-verbali duhet të jetë në fashikullin e implikimeve. Qëllimi ishte, mesa mbaj mënd, që këta të dilnin dëshmitarë në gjyqin e Beqir Ballukut, por Vehbiu më duket se nuk doli.
Mbaj mënd gjithashtu, se kur e pyeta Vehbinë që të tregonte se çfarë dinte mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, ai në fillim hezitoi të fliste, por kur e pyeta konkretisht për antitezat, ai foli ato që janë fiksuar në proçes verbal. Lidhur me tërheqjen e disa personave në bashkëpunim, me sa mbaj mënd, është vepruar kështu: S.M., të cilin unë nuk e njihja fare, e ka tërhequr Kristofor Mërtiro, më duket së bashku, me Çome Asimaqin, në Lushnje me porosi te Feçor Shehut.
Në lidhje e mbante Kristofori. Gjithashtu është tërhequr në burg, mbas dënimit V.K. dhe mbahej në lidhje nga Kristofori. Me porosi të Feçor Shehut është tërhequr nga unë dhe Kristofori, Asllan Haka dhe me porosi te Feçorit, e ka mbajtur në lidhje Kristofori. Gjithashtu me porosi te Feçor Shehut është tërhequr nga unë dhe nga Çome Asimaqi, Afron Çeli dhe është mbajtur në lidhje nga Kristofori. Mbaj mënd, që Skënder Konica, kur u dërgua në Memaliaj, i dërgoi një letër Kadri Hazbiut. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016