Nga Ben Andoni
Pjesa e parë
Memorie.al / Në ditët e fundit të dhjetorit 2003, Terezina Summa, e njohur si një mjeke e shquar kardiologe, në qytetin e saj në Shkodër, botoi librin e jetës, “Familja Summa”. Një histori e shtrirë në 2 mijëvjeçare, e njërës prej familjeve më të vjetra të historisë kombëtare. Nga kjo familje, kanë dalë shumë konsuj, tregtarë, klerikë, mjekë dhe luftëtarë. Ata kanë qenë nga tregtarët e parë në Milano dhe në Shkodër dhe luftëtarë të së resë ngaherë. Flitet për Familjen e njohur Summa, paraardhësit e të cilëve, përmenden që në shekullin e XIV-të. Demetriues Summa, stër-stërgjyshi i tyre baron, mundi Stefan Dushanin e madh në vitin 1331. Më pas, ata “fshihen” në histori dhe në shekullin e XVII-të, përmenden si tregtarë. Kjo familje do të vazhdojë të prodhojë pastaj, pa u reshtur: Diplomatë, priftërinj, tregtarë dhe mjekë. Kanë lidhje të ngushtë me Papët e Romës dhe me heronjtë shqiptarë si Skënderbeu. Bëmat e tyre, do të përshkonin kontinentin, teksa ata u atashuan pranë personazheve të mëdhenj të kohës, si Caresha e Rusisë; apo ndërsa udhëhiqnin kryengritjet. Një pinjolle 80 vjeçare e tyre, Terezina Summa, e ka sjelle kujtimin e tyre në ditët e fundit të vitit 2003, me një monografi të shkëlqyer, një model shkrimi për pak familjet e Mëdha shqiptare të mbetura.
Janë disa familje në Botë, që kanë për detyrë që të vazhdojnë një rrugëtim të gjatë. Gjaku i fortë dhe destini hyjnor i bëjnë të pathyeshëm, ndërsa rrebeshet e historisë thjesht i vadisin rrënjët e tyre. Të tilla familje numërohen me gishtat e dorës, ndërsa për një vend janë nga xhevahiret, me të cilat krenohet. Dhe, që në rast rreziku i duhet t’i mbajë si hajmali, për të vazhduar mbijetesën.
E tillë është Familja Summa në Shqipërinë e Veriut në Shkodër. Një qelizë që ka zënë jetë që nga viti 1331 dhe që vazhdon të jetojë sot në disa kontinente. I pari i tyre, Baroni i San Sergios (Shirgji i sotëm, pranë Bunës), Demetrius Summa, e ka pasur të paimagjinueshme, se çfarë vrage do të linin në histori pinjollët e tij.
Por, vazhdimësia duket se është hyjnore. Ai, në kohën e tij, mundi rivalin më të madh të kohës, Stefanin Dushanin, mbretin e famshëm serb, që kohë më vonë do të fuste në zotërimet e tij të gjithë Ballkanin. Familja Summa duket se reziston bashkë me të gjitha bashkë-vendasit e tyre, që flisnin të njëjtën gjuhë dhe ndanin të njëjtat shqetësime. Që nga ai vit, trashëgimtarët e Summajve nuk përmenden shumë, përveç se në vitin 1600 me Kolë Summën.
Ai përmendet si tregtar i nderuar dhe një pasanik i madh i qytetit të Shkodrës dhe Ulqinit. Pasardhësit e tyre do të vazhdojnë me emra të tjerë të nderuar, që do të jenë nga të gjitha profesionet e nderuara të kohës. Nga fotografitë, që janë ruajtur në shtëpi dhe që kuptohet se përfshijnë një trashëgimi të paktën 100 vjeçare, të ndjekin vështrime burrash me veshjet më moderne të kohës, në studiot e fotografëve të ndryshëm në Vjenë, Milano, Piza, Padova, Raguza etj.
Pjesë nga libri “Familja Summa”.
Që 13 vjeç e ka bluar në mendje, Terezina Summa, historinë e Familjes së saj, me të cilën pa dashur është përshkruar dhe një pjesë e historisë së vendit. Kur libri është botuar këndshme nga “Florimont”, ai ka zënë një vend të nderuar, në mes të pak botimeve të këtij lloji. Falë përkushtimit dhe profesionalizimit të lartë dhe pavarësisht pasionit amator të autores.
“Kur më vdiq halla, unë isha edukuar me tregimet e saj të mahnitshme, për fisin. Që atëherë, kisha dëshirë të madhe, që të mos e lija fisin tim të humbte”, ka thënë autorja e këtij libri.
“Ky punim asht thjesht nji pasqyrë, ku mund të admirohet e kaluemja e të parëve tonë dhe të sillemi të kontrollojmë vetveten, qi të mos devijojmë, por të ndjekim më përkushtim shembullin e traditat e familjes sonë shekullore dhe të lidhemi me të sikur shermasheku me lisin, deri në vdekje”.
Këtë punë, që e ka nisur i vëllai i saj Agustini, “i aksidentuar” në kushte ende të panjohura për familjen. Këtë kujdes të tij, Terezina e vazhdoi duke mbledhur dokumenta të ndryshme për Familjen e saj. Që nga Arkivi i Shtetit dhe duke vazhduar me trashëgiminë fantastike të arkivit-thesar të Familjes Summa.
Pas shumë viteve, këtë pasion, kardiologia 80 vjeçare, e ka përmbushur me shumë përkushtim, duke dhënë një libër, që ka parametra të mirë profesionalë. Ajo vetë ka nguruar në vlerësim dhe me modestinë e fisme, i është shmangur në libër, lavdeve pakuptim të fisit të saj. Në fakt, një detyrë, që do të dukej e tejkaluar, po të mendosh back-ground e njerëzve të saj. Libri përmban origjinën e familjes, lidhjet e saj me Papët dhe Kastriotët, Pemën gjenealogjike të familjes.
Në libër zenë vend Summajt, si diplomatë; Lëvrues të gjuhës shqipe; Luftëtarë; Profesionet e tyre; Shtëpitë; Jetët private dhe persekutimin dhe në fund edhe Varrin ose jetën e amshuar. Librin e ndjek një bibliografi e pasur, që i jep vërtetësi dhe shumë seriozitet botimit, që i ka marrë autores së nderuar rreth 40 vjet përpjekje të pareshtura.
Hija e tyre
Hija e fisit Summa (Suma do të thirrej në vitet e diktaturës), do të kalonte shumë mbi ngjarje të kohës. Ata, si pak kush, kanë lënë gjurmët e tyre në historinë kombëtare vazhdimisht. Kanë qenë luftëtarë, lëvrues të shqipes, diplomatë të nderuar, tregtarë, mjekë dhe klerikë të njohur.
Cilësirat më të mira të racës, që shtoheshin me shkollimin e mirë dhe gjendjen ekonomike, i bëri ata, që të aktivizoheshin në shumë fusha njëkohësisht. Lirshmëria e të folurit në disa gjuhë, kontaktet e mëdha me Perëndimin, trashëgimina, ishin elementë që i dallonin nga bashkëkohësit e tyre në periudha të ndryshme.
Kjo i bëri ata, që të vlerësonin vendin e tyre Shqipërinë, si një vend, që duhet të kishte dinjitet.”Edhe kur qenë prelatë dhanë shembullin e tyre të përvujtnisë, edhe kur qenë tregtarë dhanë shembullin e bamirësisë, edhe kur qenë politikanë u përpoqën për një moral politik”, shton autorja e librit, Terezina Summaj.
E gjithë kjo trashëgimi nuk mund kurrsesi që t’i shpëtonte udhë përshkruesve të huaj. Historianët e mëdhenj Jirecek dhe Shuflaj, apo klerikët si At Valentini do t’i përshkruanin gjatë në librat e tyre, pinjollët e ndryshëm Summaj. Ndërsa, Lir dhe të tjerë do të pikturonin disa prej tyre.
Historia e panjohur
Mbiemri “Sumë” ekziston si fjalë e rrallë dialektike në folklor dhe ka kuptimin majë kodre, ndoshta nga burimi latinisht “majë e lartë” (summa) apo me një kuptim tjetër, kësaj radhe ushtarak: “Autoriteti, komanda e lartë”, vëren autorja. Vijimësinë shqiptare të fisit, ajo e argumenton me toponimin “sumë”, që është e përhapur në Shqipërinë Veriore, si në Drisht, Nënshat, Zadrimë, Barbullush, Krujë, Blinisht, Velipojë e tutje.
Autorë, që nga Barleti i famshëm deri tek Noli e Kristo Frashri, prekin dendur prejardhjen e këtij fisi. Në “Acta et Diplomata”, në një dokument të 14 prillit 1332, thuhet se “Demetrius Summa quidam natione haud dubbie albaniensis” (Demetrius Suma padyshim shqiptar). Shuteriqi gjen një material tjetër për vitin 1300, kur përmend përsëri ata.
Madje, ai gjen se Dom Nikollë Summa, është ambasador i Gjon Kastriotit në Raguze. Shuflaj i vendos Summajt, si familje patrice nga qyteti i Drishtit (Drivastos Antica) me kryevend Sumen. Shuflaj vetë mbante lidhje me Balshajt e Zetes, Dukagjinet e Lezhës dhe me Familjen Summa, në bregun verior të Bunës. Që në vitin 1368, pjesëtarë të familjes Suma, jetonin në Shkodër dhe ishin të ardhur nga Drishti.
Kurse Jirecek, shkruan autorja, një mediavalist i shquar i historisë së shqiptarëve, emrin e Familjes Summa e përmend thjesht si emër romak. “Ajo që i vë vulën shqiptarësisë se fisit Suma për këtë periudhë është Papa Nikolla V-të, i cili më 20.09.1451 emëronte Nunc Apostolik, françeskanin e shquar shqiptar, Eugjen Summën”, vëren autorja.
Summa-jt përmenden në regjistrin e Kadastrës së Shkodrës dhe në Krisobulen e Decanit, që në 1355, si shqiptarë. At Zef Valentini, cilëson se ky fis e mban origjinën nga Drishti me tri degë: Dega Mirditë, Pult e Postribe; b. dega Bregu i Bunës (Shirgj e Barbullush); c. dega Tuz-Grudë. Lidhja e tyre me Papët është e kahershme dhe po ashtu dhe me Kastriotët.
Papa Nikolla i V-të me 1451-in dhe Papa Kalisti III-të dërgojnë pranë Gjergj Kastriotit, diplomatin e tyre në veshje të Nuncit, Komisarit Apostolik e Inkuizitor të Përgjithshëm “fratin Eugje Summën, shqiptar me fis e gjak”. Ky mbahet si një nga pinjollët më të nderuar të fisit, jo vetëm për shkak të ofiqit, por edhe personalitetit të tij.
Pas tij, vijojnë klerikë dhe diplomatë të njohur. Pa vazhduar një linjë kronologjike të tyre, gjë të cilën e ka bërë mjeshtërisht autorja, Summa-jt ishin diplomatë shumë të njohur. Jakov Suma i paraqitet Carinës së Rusisë më 1759-ën, ku i kërkon që shqiptarët të bashkohen nën flamurin e Rusisë. Ky personazh i njohur, është zëvendës konsull i Venedikut në Shkodër.
Ai është i zgjedhur nga Kara Mahmut Bushatliu. Kola, i vëllai i tij, ishte zëvendës konsull i Britanisë në Shkodër. Të njëjtën detyrë ka kohë më vonë dhe nipi i tij, djali i vëllait, Antonio. Kola, një nip tjetër, është po konsull i Britanisë së Madhe në Shkodër. Kështu vazhdojnë Ndreka dhe të tjerë, por për Venedikun.
Pa asnjë dyshim, për shkak të shkollimit, ata janë edhe lëvrues interesantë të gjuhës shqipe dhe kjo përmendet nga autorë të ndryshëm. Të cilët kanë parë se në arkiva ruhen edhe letrat e tyre korrespondenciale. Ato i përkasin gjysmës së parë të shekullit të XIX dhe janë letra të brendshme të familjes Suma.
Familja, ndërkohe, ka nxjerrë luftëtarë të ndershëm dhe shumë patriotë; aq sa ka edhe tregtarë të nderuar dhe shumë mjekë me emër, ku e fundmit nga më të përmendurat, mbetet edhe autorja e librit, Terezina Summa.
Nga hapësira, ku qëndron sot në Perash, shtëpia e pasardhësve të Summaj-ve ka shumë dritë. Një dritë natyrale, që duket se shkon me dritën e madhe hyjnore, besimtarët e së cilës Summaj, shkojnë jetën kahmote. Këtu jeton Doktoresha Terezina dhe Henriku, vëllai i saj më i ri. Në këtë shtëpi ka një “thesar” vlerash, dijesh, por më shumë dashurish. Ku më e madhja është ajo për Zotin ose për binomin, që ka mbajtur derën e fisit gjithkund hapur “Fe e Atdhe”.
Terezina del vetë për të hapur derën dhe për të përcjellë miqtë, që e nderojnë. Shtrëngimi i dorës së saj, të duket se, të afron me një pjesë të historisë së Shqipërisë, që ti e prek. Pastaj mbyllet dera…dhe Familja Summa vazhdon të jetojë historinë e saj të përditshme mijëvjeçare. (Fund-dhjetori 2003-Shkodër)
Pse e shkrova historinë e Fisit?
Flet Terezina Summa, autorja e librit kushtuar fisit të saj. Si e mbajti të pashuar dëshirën për 40 vjet dhe si arriti, që të përfundonte kardiologia 80 vjeçare, librin kushtuar “Fisit Summa”.
Terezina Summa është një grua e bukur, që i ka kaluar kufijtë e 80 viteve. Në Shkodër e njohin për një nga mjekët më të mira kardiologe dhe një nga pasardhëset dinjitoze të Familjes Summa. Pjesa më e madhe të cilëve tashmë janë në histori, apo kanë filluar jetën e vërtetë në amshim.
Që 70 vjet të shkuara, në kokën e saj fisnike, është mbështetur një ëndërr, e cila mori jetë, vetëm në vitin 2003: Botimi i historisë së familjes së saj. Ajo e kurorëzoi këtë histori, të nisur nga i vëllai i saj i ndjerë, Agustini, të cilit i ka kushtuar edhe librin e jetës “Familja SUMMA”.
Terezina ka mbajtur gjallë traditën e familjes, teksa ka këmbëngulur për dhjetë vjet me radhë, vetëm për të fituar mundësinë e shkollës së lartë në mjekësi. Dhe, si ndodh me pasionet e mëdha: Ajo nuk dështoi, por i dha Shqipërisë dhe qytetit të saj, një nga doktoreshat më të mira kardiologe.
Ëndrra e dytë ishte thirrja e gjakut, që ajo e materializoi me librin e fundit. Me këtë, ajo i ka bërë homazh përveç fisit të saj dhe racës shqiptare, për të thirrur në apel bërjen e punëve të tilla. Ku modestia dhe nderimi për paraardhësit është homazh se pari për Shqipërinë.
Njeh mirë pesë gjuhë (Italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht dhe rusisht) dhe ka një kulturë të trashëguar dhe që e fiton për çdo ditë, me shumë përkushtim. Terezina ka treguar me këtë libër, se ç’mund të bëj një njeri i sërës së saj. Fatkeqësisht, këta njerëz janë të pakët dhe kjo e bën ndërmarrjen dhe qenien e saj të nderuar, për çdo kohë të respektuar.
Zonja Terezina, sa vite ka që fle në mendjen tuaj, ideja e një libri të tillë?
“Që në moshë shumë të re. Domethënë… kam kenë nja 13 vjeç, kohë kur me ka vdekur halla. Ideja ishte për me mbajt mend, me ba që të përjetësohet origjina, dhe me ba që familja jonë të njihet, se kush jemi. Dhe, mos me kenë si ato familjet, pra, që të mos hupi dhe të mos harrohet si familje. Idenë më parë e ka pasur dhe vëllau jem, Agustin Suma.
Ky biles, ka punuar në Muzeumin e qytetit. Kujtoj se, në çlirimin e vendit nuk i jepte fonde Komiteti, sepse ishte viti 1945, dhe ai vetë, duke mos iu dhënë ato fonde, mori një dhomë tek halla jonë, në shtëpinë e Bep Murzhanit, dhe atje hapi muzeumin e parë. Kuptohet se u bë drejtor i tij. Ai ishte muzeumi i parë i Shkodrës, historik dhe etnografik.
Ky është marrë me etnografi më shumë, por edhe me histori dhe ka qenë në Itali. Ishte i pasionuar pas muzeumit, por ka qenë avokat me profesion. Në kohën e Luftës, ne kishim frikë se ishte viti 1943-1944, prandaj e kërkuam që të kthente në Shqipëri. Atje, atij, i takoi me ndejt vetëm dy-tre vjet. Ne i kemi mbajt ende librat e tij”.
Përveç jush e kishte edhe Agustimi këtë ide?
“Agustini e kishte pasur më përpara këtë ide, unë thjesht vazhdova punën e tij. Ai vdiq “aksidentalisht”, në një aksident të provokuem, nga 1949-ta. Mua më kishte mbetur një peng, sepse edhe ai kishte grumbulluar diçka. Ai punonte me pasion vetë në muzeum dhe punonte dendur në arkiva. Madje, unë dokumentin për Jakov Sumën, e kisha prej tij. E kam marrë nga Arkivi i Shtetit. Është e regjistruar në faqet e para të librit”.
Kur nisi të skicohej libri, kur filluat, që të hidhnit shënimet dhe strukturën e tij?
“Në kohën e Partisë së Punës. Por, vetëm se ishte një ide, sepse unë nuk kisha si më thënë dhe nuk mund t’ja besoja kurrkujt, për me i dhënë materialin tem. Të gjithë kohën, jam përpjekur për të grumbulluar e grumbulluar, gjithmonë e më shumë material. Kjo ishte disi e kollaj me u ba, sepse ishte një punë familjare dhe kisha edhe kushurijt e mi që ndihmonin.
Nga këta ishte edhe Karlo Suma, që ka dashur të bëjë diçka. Unë vetë kam studiuar shume dhe shkoja hulumtoja shume libra, pasi e kam pasur pasion si njeri. Nga ana tjetër, doja me plotësu edhe dëshirën e vëllait tem, Agustinit. Edhe ai vetë donte të bënte një libër”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016