Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Sokrat Dodbibës, intelektualit të njohur nga qyteti i Elbasanit i diplomuar në Austri, i cili gjatë periudhës së pushtimit gjerman të vendit, shërbeu si ministër i Financave në disa kabinete të qeverive të asaj kohe. Kujtimet e avokatit të tij, Dr. Spiro Stringa dhe mbrojtja e famshme që ai i bëri në Gjyqin Special duke përdorur deklaratën e Mitrush Kutelit lidhur me kundërshtimin e Dodbibës për t’ua kthyer forcave gjermane arin që ata kishin depozituar pranë thesarit të shtetit shqiptar në Tiranë…
Pse e pranoi Dodbiba postin e Ministrit
Lidhur me të kaluarën e Sokrat Dodbibës dhe arsyet se përse e pranoi ai postin e Ministrit të Financave gjatë periudhës së pushtimit gjerman të Shqipërisë, avokati Spiro Stringa në Gjyqin Special midis të tjerash u shpreh: “Para se të hyj dhe të analizoj veprimtarinë e Sokrat Dodbibës, desha të ndalem dhe të bëjë një përshkrim të gjendjes ku ndodhej Shqipëria në atë kohë që Sokrati, pranoi postin e Ministrit të Financave. Kur kapitulloi Italia, u ringjallën shpresat për një Shqipëri indipendente. Në atë kohë mbas një periudhe shtypëse, të gjithë shqiptarët e ndershëm kërkuan që të merrnin frymë lirisht dhe të shkëpusnin të gjitha lidhjet me Italinë. Ashtu si të gjithë intelektualët e ndershëm dhe patriotë edhe Sokrat Dodbiba, kërkoi që të bënte diçka, por pa menduar se në portat e Shqipërisë, po qëndronte një armik akoma dhe më i fuqishëm dhe më i rrezikshëm se i pari. Të shtytur vetëm nga qëllimi i mirë, të imedizimuar nga flaka e atdhedashurisë, të pasionuar gjer në palcë për një pavarësim shqiptare, u hodhën me mish e me shpirt, në marrjen pjesë në punërat shtetërore. Ishte jo interesi, ishte zëri i ndërgjegjes që i shtynte mos me qenë apatik, në një kohë të kritikueshme, ishte mirëbesim, qoftë i gabuar, që i bënte me veprue në interesat e larta të Kombit, që kërkonte që ndokush ta udhëhiqte n’ato çaste të vështira të jetës së tij. Ishte një vetëmohim të merrje përgjegjësia të rënda në atë kohë, të cilat që në fillim dukeshin të pakapërcyeshme dhe që të thëthinin në vetvete. Mirëpo dikush duhej të dilte në skenë, qoftë dhe me konsekuenca të rënda për përgjegjësinë që do të merrte përsipër. Edhe Sokrati doli së bashku me të tjerët, në kohën e fashizmit ai u persekutua prej tyre dhe u pushua nga puna. Sokrati ishte një tip me sensibilitet të lartë dhe proletar i mendjes. Ai punonte për të fituar por nuk kishte trashëguar ndonjë titull nobiliteti. Sokrati nuk ka pasur preçesion ekzakt në punërat që pati marrë përsipër. Ai nuk gjykonte se guximi i tij ishte tej fuqisë reale që ai kishte në ato momente, për arsye se ai i ishte përveshur punës me të vetmin qëllim për të bërë diçka të mirë. Si bir i këtij vendi, Sokrati shpresonte të bënte diçka, jo për krenarinë e tij personale dhe titujt e lavdërimit, por vetëm e vetëm me qëllimin fisnik, për të mirën e Shqipërisë. Sokrati ishte mësuar me qenë i sinqertë por nuk e dinte se politika nuk asht ashtu siç e mejtonte dhe se ajo punë nuk i përshtatej lojalitetit të tij. Në atë kohë që ai e pranoi atë detyrë, të gjithë ishin të sunduar nga një psikozë që të shkëpusnin prangat e robërisë. Ata kërkonin me pa, duke pasë sytë e mbyllun. Ishte kaosi i mbrendshëm i krijuem nga përmbysja e Imperos që shtynte secilin që kishte një pozitë me bë diçka. Po kështu edhe Sokrati nuk kishte qëllim me marrë kolltuqe, por e pranoi atë detyrë vetëm nga pasioni me shërbye në interes të Kombit. Sokrati e dinte se nuk ishte politikan dhe nuk kishte ndonjë rreth ndaj të cilit të zhvillonte ndonjë aktivitet, por se hyri në atë punë me bindje vetëm e vetëm me ndihmue Kombin. Pra tek Sokrati mungonte qëllimi i keq. Me rastin e kapitullimit të Italisë, Shqipëria u ndodh në një situatë shumë kritike: o me pas nji qeveri qoftë dhe formale, ose me pranue një okupatë ushtarake të përgjithshme gjermane. Në atë kohë kurkush nuk merrte përgjegjsina, për shkak se quhesh kompromis, me që gjermanët kishin shpallun se nuk do të trazoheshin në punët e mbrendshme të Shqipërisë. Prevaloj kësodore teza: ‘Të shpëtojmë të mundurën”. Kështu u shpreh avokati Spiro Stringa para Gjyqit Special lidhur me arsyet sepse klienti i tij Sokrat Dodbiba e pranoi postin e Ministrit të Finacave në periudhën e pushtimit gjerman të Shqipërisë.
Stringa: “Pse duhej krijuar qeveria”
Pasi avokati Stringa, argumentoi arsyet sepse Dodbiba e mori atë post qeveritar, ai e vazhdoi më tej fjalën e tij të mbrojtjes duke argumentuar se cilat ishin anët pozitive të qeverisë shqiptare nën pushtimin gjerman, në të cilën bënte pjesë dhe klineti i tij Sokrat Dodbiba. Lidhur me këtë në mes të tjerash Dr. Stringa u shpreh: “Pasi Dodbiba dhe Ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar të asaj kohe e pranuan postin që u ishte ngarkuar, ata filluan nga puna dhe në atë kohë u krijua një Komitet Ekzekutiv, në të cilin Sokrati nuk mori pjesë. Kjo gjë vërtetohet edhe nga telegrami që disponoj unë dhe që i bashkëngjitet kësaj mbrojtje. Në atë Komitet Ekzekutiv u rrahën mejtimet dhe u shpall Indipendenca e Shqipërisë. Po kështu u liruan të burgosurit politikë nga të gjitha burgjet dhe nga fushat e përqendrimit dhe u thirr një Asamble për të aprovuar apo jo veprimet e Komitetit Ekzekutiv. Në Asamble u aprovua shpallja e Independencës, u vendos neutraliteti i Shqipërisë, u zgjodh Këshilli i Lartë i Shtetit dhe nga gjiri i Asamblesë doli Parlamenti. Këto veprime që u bënë në atë kohë gjejnë aprovimin e dhe nga pikëpamja e së Drejtës Ndërkombëtar, ashtu edhe nga ajo e së Drejtës Konstitucionale, për arsye se Shteti asht shoqëria e rregullueme politikisht për me ia mbërrit një qëllimi të përbashkët dhe ka bazën në natyrën e njeriut, i rrethuem gjithmonë nga nevojat urgjente. Shteti nuk asht baras me qeverinë dhe as nuk mundet me u mejtue. Teoria e anarkiste që kërkon zhdukjen e qeverisë, asht e parealizueshme, me që duke u zhdukun qeveria, do të asgjësohet koncepti i Shtetit. Cilado qoftë forma politike e një vendi, atë që e drejta ndërkombëtare kërkon, ashtë qenia e një qeverie, mbasi me anën e veprimtarisë bahet i dukshëm Shteti. Shteti asht një unitet, jo vetëm i konceptuem dhe abstrakt, por i jashtëm edhe i dukshëm dhe Shteti transformohet nga një koncept abstrakt në një ent konkret, me anë të organeve të tij, ndërsa janë të përdoruna në një nga funksionet e ndryshme të Shtetit. Pra, nevojë e domosdoshme e një qeverie, jo vetëm nga pikëpamja e nevojave të përditshme, por edhe e së drejtës, imponohet. Një nga veprimet e Komitetit Ekzekutiv që u krijua në atë kohë ishte dhe abrogimi i Statutit t’okupatorit fashist, duke ri-vumn në fuqi Statutin e 1928-ës”, përfundoi në mes të tjerash avokati Stringa, lidhur me akuzat që i bëheshin klientit të tij Dodbiba, nga prokuroria e Gjyqit Special, se pse ai kishte marrë pjesë në qeverinë shqiptare nën pushtimin gjerman.
“Implikimi në 4 shkurtin e vitit 1944”
Më pas në mbrojtjen e tij avokati Spiro Strina u përqendrua lidhur me akuzat që prokuroria e Gjyqit Special bëri ndaj klientit të tij Dodbiba, e cila e akuzoi atë se kishte marrë pjesë dhe kishte bashkëpunuar në masakrën e 4 dhe 27 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë, ku gjermanët dhe Xhaferr Deva ekzekutuan 82 qytetarë tiranas. Lidhur me këtë akuzë, midis të tjerash avokati Stringa u shpreh: “Sokrati akuzohet se ka bashkëpunuar me terroristët në masakrat e 4 dhe 27 shkurtit 1944. Nga gjithë rrjedhimi i gjykimit del se këto dy data të tmerrshme të jetës së popullit shqiptar, nuk janë pjella e qeverisë, porse e personave të caktuem: Xhaferr Deva me shokët e tij. Nuk mund të dyshohet se fakti qëndron kështu, për arsye se si nga deponimet e dëshmitarëve t’akuzës ashtu dhe nga ato të mbrojtjes, si nga apollogjia e të gjithë të pandehurve, rezulton në mënyrë bindëse dhe të padiskutueshme, se 4 e 27 shkurti janë pjellë e instiktit kriminal t’atyneve që lyen duart me gjak shqiptari, t’atyneve që për egoizma personale, për me shti ndër thonj gjithë fuqinat Shtetnore, banë të derdhet gjak i kuq vllaznor në këtë Tiranë martire. Sokrati njihet këtu në Tiranë njerëzor e vëllazëror dhe jo si “sadist”, sepse këtë gjë nuk ja len edukacioni i tij familjar, kultura e tij, përkundrazi, ku ka mujtun ka bë vepra të mira, duke u fshijtë lotët atyne që vuejshin. Këto fakte vërtetohen me ndërhyrjet e shpeshta që Sokrati ka bë për lehtësimin e ndonjë vuajtje, ose zhdukjen e saj, siç theksohet nga dëshminat që bashkëparaqesim, ku del personaliteti njerëzor i Sokratit. Sokrati nuk asht as i Ballit dhe as i Legalitetit dhe këto fakte dalin në shesh gjatë rrjedhimit të gjyqit, dhe për ma tepër i pandehuni Nedim Kokona ka deponue: ‘Sokrati dhe Rrok Kolaj, s’kanë qenë të rreptë kundra Lëvizjes dhe Sokrati ka kundërshtue dhënien e të hollave Ballit”.
“Konflikti me gjermanët për arin”
Pas argumenteve të shumta që avokati Stringa shtroi në atë gjyq lidhur me të kaluarën e ish-Ministrit Dodbiba dhe arsyet e pjesëmarrjes së tij në qeverinë shqiptare të asaj kohe, ai më pas u ndal në veprimtarinë konkrete të tij gjatë ushtrimit të detyrës si Ministër në dikasterin e Financave. Një nga argumentet më kryesore që paraqiti ai lidhur me veprimtarinë e Dodbibës, ishin përpjekjet që ai bëri me autoritetet gjermane të Tiranës, për t’u ndaluar atyre marrjen e thesarit të shtetit për nevojat që ata kishin në Shqipëri. Lidhur me këtë në mes të tjerash avokati Stringa u shpreh: “Sokrati në veprimtarinë e tij si Ministër i Financave ka qenë kundër inflacionit, por megjithëkëtë rrethanat pruen një zmadhim pasi gjermanët mbasi grabitën 120 milion franga ari (shqiptare) nga Banka d’Italia, i sollën këtu duke dashur që t’i mbajnë vetë. Por mandej ia dorzuen qeverisë me një konditë që kurdoherë që të donin, t’i merrnin mbasi i konsideronin si ‘plaçkë lufte’. Në nëntor të vjetit 1943, Sokrati bahet Ministër i Financave dhe gjermanët kërkuan përsëri 30 milion franga ari, për çdo muaj, por se Sokrati u kundërshtoi. Çdo pagim që u asht bë gjermanëve nga nëntori i vitit 1943 e deri në korrikun e vitit 1944, u asht ba me imponim, saqë koloneli Richard i asht kanosun me kobure në dorë. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij në atë post Sokrati nuk ka dhanë ma tepër se 4-5 milion në muej, kundrejt 30 milion që pretendonin gjermanët. Me këtë politikë Sokrati mujti me evitue vumjen në qarkullim të markut gjerman të Luftës, gjë që do të ishte katastrofale për ekonominë e vendit, duke u zhvleftësue fare frangu shqiptar dhe me markun që do të vinin në qarkullim do të merrnin gjithë mallin që kishte Shqipëria dhe do ta dërgonin në Gjermani ashtu siç ka ndodhur me shtetet e tjera të okupueme. Iu përmend Sokratit gjatë gjykimit se i kishte dhënë organizatës “TODT” 5 milion franga shqiptare, por se ky fakt nuk i përshtatet së vërtetës, me që këtë shumë e ka dhënë Komiteti Ekzekutiv. Asht fakt i pakontestueshëm se gjermanët kanë sjellë në Shqipëri rreth 500-600 mijë napolona ari flori, edhe një operacion i tillë edhe për një profan që nuk merret me çështjet ekonomike, bind se ka qenë në dobi të vendit. Kjo shumë të hollash nuk ka të bëjë aspak me Thesarin shqiptar në Romë, i cili përbëhet prej shufrash ari. Pra nga kjo pikëpamje Sokrati nuk mund të ketë përgjegjësi, për çka i vërvitet në të tilla terma. Gjatë gjykimit akuza i përmendi emisionin e bankënotave të reja, por se Sokrati këtë e ka kundërshtuar, dhe gjermanët pa e pyetun fare kanë dasht të veprojnë por se bankënotat nuk u vuen në qarkullim dhe kësodore vendi nuk pati ndonjë dam. Gjithçka thashë ma nalt, rezulton në mënyrë të kjartë nga dishmija e dëshmitarit Zotit Dr. Dhimitër Pasko, i cili i treguar prej nesh si dëshmitar, nuk mujti me u paraqit në gjyq për shkak se ndodhesh në Korçë me mision zyrtar, por pati mirësinë me na lëshue një deklaratë të cilën ia bashkëngjisim kësaj mbrojtje, dhe Gjykata mund të marrë vizë se si qëndron gjithë aktiviteti i Sokratit në Ministrinë e Financave. Asht fakt i pakontestueshëm se një pjesë e molos së Durrësit u prish nga gjermanët, por se ky veprim asht krye pa dijeninë e qeverisë shqiptare, fakt ky që vërtetohet me shkresën që i asht adresue Gjykatës s’Uej nga Ministria e Punëve të Jashtme. Sokrati nuk asht nazist, në këtë kuptim që vërtetohen me dëshminë e dëshmitarit Koço Lipivan,i ashtu dhe me deklaratën e zotit Dr. Dhimitër Paskos, mbi të cilën besoj se s’duhet të dyshohet, jo vetëm për edukacionin e tyne, por edhe për pozitat shoqënore që kanë sot. Ja ky është Sokrati me plot kuptimin e fjalës dhe jo ashtu siç don ta paraqesë akuza me ngjyrën ma të zezë si një njeri që kapardiset në kolltukun e tij vetëm e vetëm për interesa personale. Prandaj për arsyen e naltpërmëndur, kërkoj që Sokrat Dodbiba të deklarohet i pafajshëm përsa i përket të gjitha akuzave dhe tue qëndrue vetëm ajo e qenies Ministër, por në kushtet që zhvillova ma nalt dhe për konsekuencë ndëshkimi i tij eventual të jetë proporcional me fajin e qenies vetëm Ministër dhe përfundimisht ku ndëshkim asht amnistue me faljen e dhënë në 28 nëntor të vitit 1944”. Kështu e përfundoi mbrojtjen e tij avokati Dr. Spiro Stringa për Sokrat Dodbibën, ish-Ministrin e Financave gjatë periudhës së pushtimit nazist të Shqipërisë të cilin Gjyqi Special në marsin e vitit 1945 e dënoi me 20 vjet burg për të vetmin fakt se kishte qenë ministër në kabinetin nën pushtimin gjerman?!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016