Nga Idriz Lamaj
Pjesa e dytë
Memorie.al / Një prej njohësve më të mirë të veprimtarisë historike të “Vatrës”, i cili shërbeu në gjirin e saj 60 vjet, shkroi afër 40 vjet më parë: “E premtja e zezë 7 Prilli 1939 i gjeti vatranët të ndarë keq: me dy ‘Vatra’ dhe dy ‘Diellë’! Pasi u shkel Shqipëria prej ushtrisë italiane dhe humbi lirinë e saj kombëtare, erdhi bashkimi i të dy ‘Vatrave’ menjëherë dhe u bë prap një ‘Vatër’ dhe me një ‘Diell’. Aherë qe shpresa e madhe për bashkimin e të gjithë Shqiptarëve patriotë të Amerikës rreth ‘Vatrës’, por më kot. Kuvendi i vitit 1940 zgjodhi Faik Konicën për kryetar të ‘Vatrës’, i cili pas zaptimit të Shqipërisë prej Italisë, u lajmërua zyrtarisht nga autoritetet qeveritare të larta, se detyra e tij si ministër i Shqipërisë në Washington mori funt.
Për arsye jo të kthjellëta mirë, ‘Dielli’, organ i ‘Vatrës’, botonte kritika të ashpra kundër Mbretit Zog, i cili ishte refugjat në London me gjithë Familjen Mbretërore. Ajo gjë gëzoj armiqtë dhe dëshproj shumë ‘Vatranë’ dhe Shqiptarë të mirë”. (Refat Gurazezi: “Atdheu”, fq. 3, gusht 1968, New York).
Pas lamtumirës së Nolit me eulogjinë e famshme para kufomës së tij (Faik Konicës) dhe përcjelljes për në banesën e fundit, përpjekjet e “Vatrës” për mbrojtjen e interesave kombëtare, vazhdojnë mbi të njëjtën platformë politike.
VEPRIMTARIA DIPLOMATIKE E NJË AMBASADORI PA KREDENCIALE
Më 15 janar 1943, një muaj pas vdekjes së Faik Konicës, Udhëheqësi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, i cili ishte edhe Kryetar nderi i “Vatrës”, Peshkop Noli dërgoi në Washington ambasadorin e ri. Këtë ambasador të pa shtet dhe të pa qeveri, ish Kryeministri i Shqipërisë, e pajisi me këtë kredencial historik:
Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë
Boston, Massachusette
“Mbajtësi i kësaj shkrese, z. Petro Kolonja, 37 Marland Road, Worcester, Mass., dhe 1530 Sixteenth Street, Washington, D.C., është emëruar prej Madhërisë së Tij Mbretit Zog i Shqipërisë, si përfaqësues i Tij në Washington, për të zëvendësuar të ndjerin Faik Konica, ish – Ministër i Plotfuqishëm i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i besuar me mision të veçantë për të siguruar njohjen zyrtare të qeverisë shqiptare në mërgim nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Çdo përkrahje që t’i jepet z. Kolonja do të vlerësohet lartë nga mbar populli shqiptar.”
Peshkop F. S. Noli
26 Blagden Street,
Boston, Mass.
Përfaqësuesi i Mbretit Zog u vendos në Washington, në të njëjtin apartament ku banoi dhe punoi për vite me radhë i ndjeri Konica. Në fillim, ai gjeti mbështetjen e plotë të sekretares së ish-ministrit të Legatës Shqiptare, zonjës Charlotte Graham. Kolonja shkruan në disa shënime kujtimesh të pabotuara:
“Zonja Graham më ndihmoi shumë, më siguroi apartamentin, më dorëzoi librin e Konicës me telefona e adresa dhe makinën e tij të shkrimit. Ajo më solli edhe disa orendi shtëpiake, të cilat më hynë në përdorim edhe pasi solla në Washington time shoqe me fëmijë”.
Një javë pas arritjes në Washington, Kolonja njoftoi 24 ambasada të huaja, me këtë shkresë:
“Shkëlqesi, kam nderin t’ju njoftoj se jam emëruar Përfaqësues i Mbretit Zog të Shqipërisë në Washington, për të zëvendësuar të ndjerin Faik Konica, ish-ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kapacitet do t’ju isha shumë mirënjohës nëse me jepni një intervistë në kohën tuaj më të përshtatshme. Në këtë mënyrë do t’ju shprehja falënderimet dhe respektin tim në person”.
Me nderime, Petro Kolonja
Përfaqësues i Mbretit Zog në Washington
Shtëpisë së Bardhë, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Luftës dhe zyrave të tjera kompetente amerikane, Kolonja u dërgoi letra me përmbajtje të ndryshme. Në secilën letër vuri në dukje deklaratën e ministrit Hull të 10 dhjetorit 1942, kërkoi njohjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare në mërgim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasadorit turk, Kolonja i dërgoi një letër të veçantë falënderimi për denoncimin që shteti turk i bëri Italisë me rastin pushtimit të Shqipërisë. Një letër të tillë i dërgoi edhe ambasadorit egjiptian në Washington.
Ndërkaq, ambasadorit britanik i shkroi një letër të përzemërt, në të cilën thekson miqësinë e vjetër anglo-shqiptare dhe përkrahjen e Britanisë së Madhe, dhënë Shqipërisë në kohë të vështira. Në letër shpreh shqetësimin rreth deklaratës së ministrit Eden, dhe kërkon që qeveria britanike të njohë sa më parë integritetin tokësor të Shqipërisë. Ai shkruan:
“Shqiptarët janë tepër të shqetësuar nga deklarata e ministrit të jashtëm britanik, i cili lë hapur diskutimin e kufijve të Shqipërisë, të cilët janë vendosur nga një komision ndërkombëtar”.
Hapat e parë diplomatikë Kolonja i bëri në bazë të udhëzimeve të Nolit dhe të reagimit të tij ndaj deklaratës së ministrit britanik. Një muaj më parë Noli i kishte dërguar ministrit të Jashtëm amerikan këtë letër:
“Është tepër poshtërim për një Peshkop të besimit në fenë e Krishtit, kur mendon se vendet tona të mëdha të krishtera demokratike, luajnë çdo lloj dredhie politike për të kënaqur agresorin italian, ndërsa ato dy shtete të guximshme muhamedane (fjala është për Turqinë dhe Egjiptin, I.L.) nuk përfillën Musolinin në kulmin e fuqisë së tij, ndaj të drejtave të shkelura të popullit të vogël shqiptar. Më vjen keq që vendet tona të mëdha të krishtera, nuk tregojnë guximin e duhur moral të krishtërimit.
Besoj se nuk ka garanci më të mirë që mund t’u jepet shqiptarëve se sa njohja zyrtare e një qeverie shqiptare në mërgim nën drejtimin e Mbretit Zog dhe siguria e tërësisë tokësore të Shqipërisë brenda Lidhjes së Kombeve të Bashkuara. Një garantim i till është i domosdoshëm për të eliminuar dyshimet e ngritura nga z. Eden në deklaratën e tij në Dhomën e Komunave, në të cilën thuhet qartë se në Konferencën e Paqes duhet diskutuar çështja e copëtimit të Shqipërisë midis fqinjëve të saj, grekëve dhe jugosllavëve”.
28 Nëntori 1943, shënon një demonstrim serioz amerikan në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Shoqata “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”, shtroi një darkë përkujtimore për 31-vjetorin e Shpalljes të Pavarësisë Shqiptare, në të cilën merrnin pjesë afër 120 veta. Në darkë ishin disa ish-diplomatë, katër-pesë senatorë e deputetë dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Jashtme dhe të ushtrisë amerikane. Megjithëse këta të fundit ‘nuk merrnin pjesë në emër të qeverisë’, lenin të kuptohej se mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, nuk ishte temë tabu në diplomacinë amerikane.
Kryetari i Shoqatës, ish- ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Charls C. Hart, hapi mbledhjen me këto fjalë: “Jemi mbledhur këtu për të demonstruar publikisht miqësinë tonë ndaj Shqipërisë dhe popullit të shumëvuajtur shqiptar. Mbretin e Shqiptarëve dhe ish Kryeministrin e Shqipërisë (fjala është për Nolin, I.L.), me të cilët fola në telefon, i urova në emrin tonë për 28 Nëntorin, duke shprehur bindjen e plotë se së shpejti, populli shqiptar do të kremtojë Festën Flamurit të vet në një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe me kufijtë shtetëror të paprekur nga askush”.
Të nesërmen, Kolonja i shkroi Nolit me entuziazëm rreth fjalimeve të mbajtura në darkën e shtruar nga “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”. Ai citoi në letër edhe disa folës të tjerë të cilët përkitën në veçanti mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Më 1943, thellohen intrigat politike midis organizatës “Shqipëria Lirë” dhe Federatës “Vatra”. Grupi shqiptar në Londër dhe Kostë Çekrezi, kërkojnë heqjen dorë nga formimi i qeverisë nën drejtimin e Mbretit Zog. Në vend të qeverisë, ata propozojnë krijimin e një Komiteti. Sipas mendimit të tyre, vetëm rreth një Komiteti mund të realizohej Fronti i Përbashkët dhe bashkimi i shqiptarëve në mërgim.
Ky propozim i kundërshtuar nga “Vatra”, vë Çekrezin në lëvizje. Ai zhvillon një mbledhje të organizatës së tij në Detroit dhe menjëherë deklaron në gazetën “Liria” se “protokolli i bashkimit u nënshkrua në Detroit”, pasi në mbledhje merrnin pjesë edhe dy degë të “Vatrës”. Përfaqësuesi i një dege të “Vatrës”, në atë mbledhje, Refat Gurrazezi, pendohet dhe i telefonon Nolit në Boston.
Gurazezi shkruan për reagimin e Nolit: “Nga zëri i tij m’u dukë, mjaftë i dëshpëruar dhe kish të drejtë. Më mbajti lartë nga një gjysëm ore në telefon, dhe para se të me thosh ‘natën e mirë’ më tha këtë: ‘Thuaju atyre shokëve të Detroitit, se sido që të bëhet, qoftë monarki, qoftë republikë ose komunizëm, s’ka vend për Çekrezin në Shqipëri”! (R. Gurazezi “Atdheu”, 3 gusht, 1868).
“Vatra” mbajti qëndrim të palëkundur politik deri në shtator të vitit 1944, kur themelohet në Shqipëri qeveria e dal nga Fronti Nacionalçlirimtar. Kolonja vazhdoi veprimtarinë e tij intensive gjithnjë në kontakt me Nolin dhe me ministrin e Oborrit Mbretëror në Londër. Shkroi, përktheu, ndoqi me vëmendje dredhitë politike greke e jugosllave dhe raportoi e reagoi menjëherë ndaj tyre.
Ambasadori atdhetar, i pa kredenciale, i ngarkuar me mision të veçantë nga “Vatra”, Noli dhe Mbreti, shkarkohet nga detyra me këtë telegram: “Siç është njoftuar me kohë çlirimi i atdheut sjell në përfundim misionin tuaj. Ju falem nderit, Sotir Martini, Londër 22 shkurt 1945, ora një e mëngjesit.”
Ish përfaqësuesi i Mbretit, i tërhequr në heshtje nga “Varta”, për vite me radhë, vazhdoi fushatën politike kundër regjimit komunist në Shqipëri. Ai banoi në Washington deri në fund të vitit 1956.
Përfundimisht: Qeveria shqiptare në mërgim, bashkimi i shqiptarëve të Amerikës rreth Federatës “Vatra” dhe Fronti i Përbashkët, për të cilët u bë aq shumë fjalë, nuk u realizuan kurrë. Konica dhe Noli gjatë pushtimit të Shqipërisë bënë përpjekje të gjithanshme për sigurimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe përfshirjen e saj në aleancën e luftës antifashiste.
Ata ndikuan thellë në diplomacinë amerikane për realizimin e qëllimeve të tyre kombëtare. Përfaqësuesi i Mbretit Zog në Washington, Petro Kolonja, gjatë atyre viteve të mjegullta, u tregua diplomat i shkathtë. Me ndërgjegjen e tij atdhetare, ruajti balancat politike shqiptare në mërgim, përcolli me vëmendje çdo veprimtari politike ndërkombëtare dhe njoftoi menjëherë Mbretin Zog në Londër dhe Peshkop Nolin në Boston. Udhëzimet e atyre që e vunë në krye të detyrës i zbatoi me përpikëri dhe ndershmëri të pashoqe.
Analistë jugosllavë pohojnë se deklarata e Ministrisë Jashtme Britanike (1942), në të cilën lihej hapur diskutimi për copëtimin e Shqipërisë në Jug, ndikoi thellë në përforcimin e pozitës së komunistëve jugosllavë te komunistët shqiptarë. Për këtë nuk duhet të çuditemi, po të shikojmë me vëmendje përkrahjen politike dhe ushtarake që i dha qeveria britanike Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe Mareshalit Tito, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Qëndrimi i qeverisë amerikane ndaj tërësisë territoriale të Shqipërisë, ndryshoi rrënjësisht nga qëndrimi britanik. Megjithëse për shqiptarët nuk ishte një qëndrim i qartë, sjellja e urtë e qeverisë amerikane me grekët dhe vënia në heshtje e pretendimeve të tyre ekspansioniste linte të kuptohej drejtpërsëdrejti, se politika zyrtare e Washingtonit ishte kundër copëtimit të Shqipërisë.
Shoqata “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”, i bëri sfidë të shkëlqyeshme lobizmit grek. Kryetari i Shoqatës, Ch. Hart, ishte mik dhe mbrojtës i vendosur i interesave të larta kombëtare të popullit shqiptar. Qeveria amerikane vazhdimisht këshillohej me të për çështje shqiptare. Gjatë luftës, z. Hart mbajti lidhje të ngushta me “Vatrën”.
“Nuk është aspak ekzagjerim, po të nxjerrim përfundimin se gjatë Luftës së Dytë Botërore “Vatra” qe e vetmja organizatë shqiptare, i vetmi grupim shqiptar që u orientua drejt politikisht”. (Prof. Beqir Meta: Kontributi i “Vatrës” për çështjen shqiptare, “Dielli”, Janar-Mars, 2003). Merita për këtë orientim të drejt politik iu takon Faik Konicës, Fan Nolit, Petro Kolonjes dhe miqve amerikanë të Shqipërisë. Memorie.al