Nga Qerim Lita
Pjesa e parë
DOKUMENTE / Kur e gjithë bota raportonte për demonstratat e 1981-shit
Memorie.al / Në analizat dhe komentet perëndimore, ngjarjet në Kosovë, si zakonisht janë vendosur në kontekstin e situatës së përgjithshme në Jugosllavi, Ballkan e më gjerë. Lidhur me këtë, janë ripërtërirë spekulimet e vjetra për të ardhmen e Jugosllavisë “post-Titos” dhe për implikimet e shumta të ngjarjeve të Kosovës, në marrëdhëniet midis blloqeve në rajonin e Ballkanit…! Dhuna dhe terrori policor-ushtarak jugosllavë mbi demonstruesit shqiptarë në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1981, tronditi opinion e atëhershëm demokratik perëndimor. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si “Amnesty International”, “Komiteti për Botën e Lirë” e të tjera, tashmë Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, e vendosën në mesin e atyre vendeve, që shkeleshin të drejtat dhe liritë njerëzore.
Këto organizata, Jugosllavinë më nuk e trajtonin si anëtare e Bllokut Lindor, por si një vend ku tashmë ekzistonte tendenca e totalitarizmit, represionit dhe shtypjes së demokracisë, me vlerësimin se në të ishte duke u krijuar një “internacionale e zezë”. Rëndësi të veçantë këtyre demonstrative, i kushtoi edhe shtypi botëror, në radhë të parë ai perëndimorë.
Sektori për veprimtari informative dhe propagandistike pranë Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, më 12 qershor të vitit 1981, hartoi dokumentin me titull; “Informatë analitike mbi reagimet ndërkombëtare ndaj ngjarjeve në Kosovë”, i cili ruhet në Arkivin e Sllovenisë në Lubjanë, fondi Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Sllovenisë (1589).
Dokumenti prej 16 faqesh, krahas pjesës hyrëse, ndahet në pesë pjesë të veçanta. Pjesa e parë dhe më e rëndësishmja, ndalet në reagimet e shtypit demokratik të shteteve perëndimore, ndërsa pjesa e dytë, në atë të shteteve lindore. Në pjesën e tretë dhe të katërt, përcillen reagimet e shtypit të vendeve të pa inkuadruara dhe të Republikës Popullore të Kinës, dhe pjesa e pestë, i kushtohet reagimeve dhe propagandës së udhëheqjes së atëhershme komuniste shqiptare.
Siç do të shohim në vazhdim, udhëheqja e atëhershme komuniste jugosllave, akuzonte shtypin perëndimor në përgjithësi, e atë gjerman, austriak, belg, zviceran, suedez, si dhe shtypin e djathtë italian në veçanti, për siç thuhej: “…shprehjes së tendencave jokorrekte, madje edhe të shkrimeve jo-dashamirëse për ngjarjet në Kosovë dhe situatën në Jugosllavi…”.
Më tej, në dokument thuhet se kjo pjesë e shtypit perëndimor, kërkesën e “nacionalistëve shqiptarë”, për krijimin e Republikës së Kosovës, e konsideronte si të arsyeshme dhe të drejtë. Pra, për këtë pjesë të shtypit perëndimor, alternativë e vetme për Kosovën, ishte dhënia e statusit të Republikës. Meqenëse dokumenti nuk është botuar deri më sot, si dhe peshën historike që e ka ai, e pashë të arsyeshme që i njëjti, të botohet (në dy vazhdime) në gazetën shqiptare “KOHA” të Shkupit.
INFORMATË ANALITIKE MBI REAGIMET NDËRKOMBËTARE NDAJ NGJARJEVE NË KOSOVË
Ngjarjet në Kosovë u trajtuan në botë si një sprovë më serioze e stabilitetit të Jugosllavisë në “periudhën post-Tito”. Një vlerësim i tillë çoi deri te një adaptim taktik i qasjes propagandistike të njërit e, të tjetrit bllok. Në propagandën perëndimore, me këtë rast në mënyrë të qartë dallohen dy lloj formash të veprimtarisë propagandistike: e para, ajo e cila e ndjek politikën e shpallur zyrtarisht të marrëdhënieve miqësore ndaj Jugosllavisë, dhe e dyta, e cila bie ndesh me të.
Në propagandën lindore, në të cilën edhe më herët pati një rishpërndarje të roleve në shfaqjen ndaj Jugosllavisë (veçanërisht pas ndodhive në Poloni), ngjarjet në Kosovë e theksuan edhe më shumë këtë dallim. Është karakteristikë se Perëndimi, duke i ndjek interesat e veta të Bllokut, deshi ta provokoj Lindjen, në konfrontimin propagandistik rreth Jugosllavisë (e cila qe shumë e shprehur gjatë kohës së sëmundjes të kryetarit Tito), mirëpo Lindja, kësaj radhe nuk reagoi ndaj asaj.
Nuk u kontestua nevoja për marrjen e masave të shpejta nga ana jonë për normalizimin e situatës në Kosovë. Mirëpo, qarqe të caktuara në botë u përpoqën që ngjarjet në Kosovë t’i shfrytëzojnë për diskreditimin e pozitës ndërkombëtare të Jugosllavisë. Reagimi i vendeve të pa inkuadruara ndaj ngjarjeve kosovare, ishte jashtëzakonisht i përmbajtur dhe i kujdesshëm. Mediat kineze kanë reaguar pozitivisht, duke i mbështetur informacionet e tyre në burimet tona.
Në suazat e qasjes globale të blloqeve, propaganda e disa vendeve fqinje, ngjarjet në Kosovë i kanë trajtuar varësisht edhe nga interesat e tyre të veçanta (situatës së brendshme politike e të sigurisë). Në këtë aspekt, qasja propagandistike e disa vendeve fqinje pësoi më pa apo më shumë ndryshime. Propaganda shqiptare nxori në pah pa mëdyshje synimet kryesore të politikës shqiptare: nga sulmet e mëhershme ideologjike, u kalua në përzierje të hapur në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe shprehje të pretendimeve të vazhdueshme ndaj pjesëve të vendit tonë.
I.
Në analizat dhe komentet perëndimore, ngjarjet në Kosovë, si zakonisht janë vendosur në kontekstin e situatës së përgjithshme në Jugosllavi, Ballkan e më gjerë. Lidhur me këtë, janë ripërtërirë spekulimet e vjetra për të ardhmen e Jugosllavisë “post-Titos” dhe për implikimet e shumta të ngjarjeve të Kosovës në marrëdhëniet midis blloqeve në rajonin e Ballkanit. Duke e lidhur situatën politike me atë ekonomike në vendin tonë, mediat perëndimore ngjarjet në Kosovë dhe masat e ndërmarra në Krahinë i konsiderojnë si një lloj prove të forcës dhe stabilitetit të Jugosllavisë.
Një pjesë e propagandës perëndimore spekulon me unitetin dhe efikasitetin e udhëheqjes sonë kolektive dhe e vë në pikëpyetje aftësinë tonë, që vështirësitë të tejkalohen në kuadër të sistemit ekzistues. Madje në disa qarqe jepet vlerësimi se ngjarjet e Kosovës e kanë lëkundur seriozisht stabilitetin e Jugosllavisë, se këtë “provë” e ka përballuar vetëm armata, ndërsa kanë dështuar Lidhja e Komunistëve, sistemi i vetëmbrojtjes shoqërore dhe milicia. Në qasjen e ngjarjeve të Kosovës, propaganda perëndimore nuk i shmanget drejtimit kryesor strategjik, (për ta “tërhequr” Jugosllavinë kah vetja dhe për t’i ofruar zgjidhjen e vet, jo vetëm për situatën në Kosovë, por edhe për problemet tjera), por në kuadër të kësaj vërehen dy qasje të ndryshme.
Kështu, propaganda amerikane dhe britanike karakterizohet në respektimin e politikës së shpallur zyrtarisht ndaj Jugosllavisë, me theks se Jugosllavia e ka fuqinë për ta zgjidhur këtë problem. Për nga toni i të shkruarit nga ana e shtypit amerikan, mund të konkludohet se gazetarët e tyre kanë qenë të informuar dhe të paralajmëruar të jenë korrektë në porositë e tyre propagandistike dhe të mos e irritojnë palën jugosllave. Kjo shihet edhe në sjelljen e ashpër të pushtetarëve amerikanë ndaj terroristëve ustash në SHBA-ve dhe publicitetit në shtyp, lidhur me procesin gjyqësor të grupit terrorist në Nju Jork. Në të njëjtën kohë, vërehet, në kuptimin pozitiv, edhe mënyra e raportimit ndaj procesit gjyqësor të nacionalistëve kroatë në Zagreb: me këtë rast nuk shtrohet çështja e “të drejtave të njeriut”.
Shtypi britanik, krahas shkrimeve kryesisht korrekte për Kosovën (spekulimet e njohura paraqiten në mënyrë sporadike dhe me një ton të përmbajtur), angazhohet që Jugosllavisë të mos i vështirësohet situata e tanishme politike dhe ekonomike, duke krijuar probleme në marrëdhëniet me BEE-në (Bashkimin Ekonomik Evropian – Q. L.) (kritikohet vetoja e Irlandës dhe Francës, për rritjen e eksportit të mishit nga Jugosllavia në vendet e BEE-së).
Qasja e tillë propagandistike e shtypit britanik dhe amerikan, përshtatet me interesin e shpallur zyrtarisht nga ana e këtyre vendeve, që Jugosllavia të ngelet ashtu siç është dhe për mos ndryshimin e kufijve të Ballkanit. Shqetësimi i tyre pasqyrohet në hipotezën që ngjarjet në Kosovë, mund të marrin një dimensionin internacional dhe se këtë mund ta shfrytëzonte Bashkimi Sovjetik. Lidhur me këtë, numër i madh i mediave perëndimore, vënë në dukje se në kohëve të fundit midis BRSS-së dhe RSFJ-së, është rritur shkëmbimi i mallrave, dhe se varësia ekonomike e Jugosllavisë, mund të ketë reperkusione serioze ndaj politikës së saj të pavarur.
Ndaj “rrezikut sovjetik”, paralajmëron veçanërisht shtypi i djathtë grek, i cili pas hyrjes së Greqisë në NATO, u bë eksponenti më i fortë i “pikëpamjeve” të NATO-së në territorin e Ballkanit. Kështu, pas stërvitjes së paktit të NATO-s në Greqi (në fillim të muajit mars para shpërthimit të demonstratave të para në Kosovë), publikoi një “skenar të mundshëm”, të Luftës së III-të Botërore. Sipas atij skenari, shpërthimi i trazirave në Kosovë do të çonte deri te konflikti midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, sovjetikët do t’i dilnin në ndihmë Tiranës, Bullgaria do ta pushtonte Maqedoninë, ndërsa Jugosllavia do ta ftonte për ndihmë Perëndimin.
Është karakteristikë se “International Herald Tribune” (Sulzberger) pikërisht në Athinë “erdhi te informacioni”, se pas trazirave në Kosovë, qëndron BRSS-ja, (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike). Krahas shtypit grek, edhe shtypi i shumicës së vendeve perëndimore, vë në dukje se Shqipëria ka pretendime territoriale dhe se kjo përbën rrezikun real për paqen në Ballkan e më gjerë. Në këtë kontekst, një pjesë e shtypit perëndimor gjen sqarimin, përse Kosova nuk mund të bëhet republikë, duke theksuar se kjo do të çonte kah bashkimi me Shqipërinë, që do të kishte pasoja të mëtejshme të paparashikueshme për balancën e fuqisë në këtë hapësirë.
Është me interes për t’u theksuar se shtypi suedez, i cili më herët shpesh lëshohej në shkrime tendencioze për vendin tonë, për ngjarjet në Kosovë ka njoftuar në mënyrë korrekte. Kjo, ndër të tjerave, ka kontribuar që qytetarët tanë në Suedi, të informohen në mënyrë më objektive për situatën e vërtetë në Kosovë dhe më me vendosmëri, t’u kundërvihen demonstratave anti-jugosllave të emigracionit shqiptarë dhe atij ustash.
Në shtypin e Republikës Federale të Gjermanisë, Austrisë, Belgjikës, Zvicrës (në gjuhën gjermane) dhe të Italisë (shtypi i djathtë), është shprehur tendenca e shkrimeve jokorrekte, madje edhe dashakeqëse për ngjarjet në Kosovë dhe për situatën në Jugosllavi. Një pjesë e shtypit belg, veçanërisht gjatë muajit prill, publicitet të madh u ka dhënë qëndrimeve të emigracionit anti-jugosllavë shqiptarë, ndërsa në Zvicër, gjatë muajit maj, është shprehur një sjellje toleruese ndaj aksionit anti-jugosllavë të emigracionit shqiptarë. Krijohet përshtypja se në këtë periudhë, ka ardhur deri te një koordinim i caktuar të aktiviteteve nga ana e forcave anti-jugosllave të këtyre vendeve.
Në shtypin e këtyre vendeve, ngjarjet në Kosovë shfrytëzohen si shkas që të ripërtërihen spekulimet për shpërbërjen e domosdoshme të Jugosllavisë, pas vdekjes së kryetarit Tito. Në të njëjtën kohë insistohet në mënyrë të hapur në tezën për jo efikasitetin e sistemit të vetëqeverisjes socialiste dhe të udhëheqjes kolektive, e cila, sipas vlerësimeve të këtij shtypi, nuk mund t’i zgjidh problemet komplekse ekonomike dhe marrëdhëniet e tensionuara ndërnacionale. Lidhja e Komunistëve, sulmohet për shkak “gulfatjes së lirisë politike”, “ndjenjave nacionale” dhe për shkak thellimit gjithnjë e më të madh të “hendekut ndërmjet ideologjisë zyrtare dhe zhvillimit të shoqërisë së RSFJ-së”.
Kjo pjesë e shtypit thekson se janë të drejta kërkesat e nacionalistëve kosovarë, dhe se është e drejtë mbështetja që për këtë çështje po e ofron Shqipëria. Te një pjesë e shtypit gjermano-perëndimor, austriak dhe zviceran, janë pranuar qëndrimet e Shqipërisë (duke iu referuar dokumenteve historike nga vitet 1943,-‘44 dhe ‘45) se shqiptarët në Kosovë janë “mashtruar” dhe “bashkangjitur” Serbisë. Sipas tyre, alternativë e vetme, është dhënia e statusit të Republikës së Kosovës. Në shtypin austriak, edhe për shkak interesit vetjak, në lidhje me pakicat, shtrohet teza se është e natyrshme interesimi i Shqipërisë për “pakicën” e saj në Kosovë, sikurse edhe Jugosllavia “shqetësohet së tepërmi” për “pakicën” e saj në Austri.
Me rastin e spekulimit për shpalljen e Kosovës republikë, spekulohet edhe për ekzistimin e dy rrymave brenda udhëheqjes jugosllave, prej të cilave njëra angazhohet për politikën e “dorës së fortë” ndërsa tjetra për gjetjen e zgjidhjes politike. Sipas vlerësimit të kësaj pjese të shtypit perëndimor, për momentin mbizotëron politika e “dorës së fortë”. Këto mediume, ngjarjet në Kosovë (veçanërisht ato gjermano-perëndimor), i kanë shfrytëzuar edhe për pohimin se në Jugosllavi, nuk është zgjidhur çështja nacionale. Në këtë kontekst përmendet çështja “maqedonase” dhe “kroate”, si dhe “asimilimi i hungarezëve në Vojvodinë”.
Vihet në dukje se popullsisë bullgare në Jugosllavi, nuk i lejohet ta shpreh përkatësinë e vetë nacionale (citohen tezat e Cola Dragojçevës, se nuk ekziston kombi maqedonas). Gjykimi i nacionalistëve kroatë në Zagreb, shfrytëzohet për ilustrimin e tezave se ndjenjat e veta kombëtare, nuk mund t’i shprehin as nacionalitetet tjera në Jugosllavi. Fajtori kryesor për një “situatë të tillë”, shpallet “shovinizmi serbomadh” dhe “jugosllavizmi” që u “imponohet” kombeve dhe kombësive tjera.
Ngjarjet në Kosovë dhe situata ekonomiko-politike në Jugosllavi në përgjithësi, disa mediume perëndimore e lidhin me trazirat në Poloni dhe nxjerrin konkluzionin se bëhet fjalë për krizë të përgjithshme të socializmit. Propaganda perëndimore ia zë për të madhe Jugosllavisë, edhe për shkak mungesës së informacioneve rreth Kosovës, veçanërisht për pamundësimin e vizitës së gazetarëve të huaj në Kosovë, për çka theksohet teza se në këtë drejtim, Jugosllavia nuk po i përmbush detyrimet e saj ndaj Kartës së Helsinkit. Mediat e partive komuniste perëndimore, për ngjarjet në Kosovë, kanë pasur qasje të diferencuar.
Me shkrime korrekte dhe objektive, veçohen mediat e Partisë Komuniste të Italisë (“Unita”, dhe “Rinashita”) dhe të Partisë Komuniste greke për vendin (“Avgi”). Ndryshe nga këto mediume, mediumet e partive marksiste-leniniste norvegjeze dhe suedeze, si dhe revista ultra majtiste italiane “Manifest”, raportuan për sulmet shqiptare ndaj Jugosllavisë. Është simptomatike që gazeta e Partisë Komuniste të Greqisë për botën e jashtme (“Rizospastis”), raportonte për sulmet shqiptare ndaj Jugosllavisë.
Në lidhje me këtë rast, “Avgi” polemizoi me “Rizostatis”-in, për shkak përshkrimit të njëanshëm dhe jo objektiv të ngjarjeve në Kosovë. Gazeta e Partisë Komuniste të Belgjikës, “Drapo Ruzh”, në kohën e fushatës anti-jugosllave në shtypin tjetër belg (i cili përcolli gjerësisht deklaratat dhe qëndrimet e emigracionit armiqësor shqiptarë), për ngjarjet shkroi në mënyrë korrekte. Mediumi i Partisë Komuniste të Francës, “Imanite”, për ngjarjet raportoi kryesisht duke i përcjell lajmet e agjencive AFP dhe Tanjug, duke mos publikuar komentet e veta. Nuk janë regjistruar shkrimet e organit të Partisë Komuniste të Spanjës, “Mundo Obrero”, e gjithashtu edhe të gazetës pro-sovjetike, të Partisë Komuniste të Austrisë, “Folkshtime”.
II
Karakteristikë themelore të trendit mbizotërues të propagandës lindore, janë: përmbajtja, selektiviteti, raportimi faktik bazuar në burimet tona, mungesa e komenteve të veta. Nga ky trend mënjanohen: Hungaria (raporton në mënyrë të hollësishme dhe i thekson anët negative të situatës së përgjithshme të Jugosllavisë), Polonia (pas Hungarisë me publicitet më të gjerë, me komentet e veta ku përfshihen edhe disa tone negative) dhe Rumania (nuk ka publikuar asnjë informacion për ndodhitë në Kosovë).
Në një qasjeje të tillë propagandistike-taktike të kampit (shteteve të Evropës Lindore – Q.L.), ndarje të veçantë të rolit propagandistik, me siguri se kanë ndikuar ngjarjet në Poloni dhe frika se ato mund të reflektojnë në formën edhe më të rëndë ndaj rrethanave të brendshme politike, te disa vende të Kampit Socialist.
Kjo u shpreh veçanërisht në propagandën hungareze e cila, u përpoq që te opinioni i vet ta kontestoj vlefshmërinë e sistemit vetëqeverisjes socialiste dhe mënyrën e zgjidhjes së çështjes nacionale në Jugosllavi. Për vendet tjera të kampit, me një shmangie të caktuar të Polonisë, motivet karakteristike në konceptimin e qasjes propagandistike ndaj Jugosllavisë, janë për sa më poshtë vijon: – kampi nuk ka dashur ta irritoj Jugosllavinë, e as që kanë dashur që në çfarëdolloj mënyre të merren me çështjen e Kosovës;
– janë bërë përpjekje që të krijohet përshtypja për “miqësinë e sinqertë” të bashkësisë socialiste ndaj Jugosllavisë; i është shmangur theksimi i dukurive negative në vendin tonë, sepse në atë mënyrë “do dëmtohej Jugosllavia dhe socializmi në përgjithësi”.
– në përjashtim të Hungarisë dhe Polonisë, roli i Shqipërisë në ngjarjet e Kosovës, nuk është apostrofuar sepse kampi, duke e mbajt “qëndrimin neutral”, ka dashur të lë hapësirë për afrimin eventual të Shqipërisë kampit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm