• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Thursday, June 5, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Si nuk i vjen turp, kryetarit të Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, kur shkruan te revista ‘Drejtësia Popullore’, se te ne, zbatohen të drejtat e njeriut, liria e shtypit dhe…”?! / Letra nga burgu i Burrelit, shkurt, 1990

“Pas akuzave të Enverit, folën Mehmeti, Hysniu, Ramizi e Manushi, por një tip rrugaçi, si Hekuran Isai, tha; të lidhen të dy për këmbësh e duarsh, e të futen në një thes…”/ Kujtimet e Fadil Paçramit
“Gjatë 15 muajve, nuk jam nxjerrë në ajrosje, veç një ditë, për 10 minuta, me qëllime presioni, duke kërkuar të më shkatërronin nga sistemi nervor dhe të pranoja se…”/ Kujtimet e Fadil Paçramit
“Pas akuzave të Enverit, folën Mehmeti, Hysniu, Ramizi e Manushi, por një tip rrugaçi, si Hekuran Isai, tha; të lidhen të dy për këmbësh e duarsh, e të futen në një thes…”/ Kujtimet e Fadil Paçramit
“Familjarët e mi, prej vitesh, po vuajnë poshtë e lart, nga Fushë-Arrësi në qytetin e Lezhës dhe tani në fshatin Fishtë, pa asnjë faj, pasi….”/ Letra e Fadil Paçramit nga Burgu i Burrelit, në ’85-ën
“Enveri, ishte egoisti pasionant’ i etur për fuqi e lavdi, diktatori i pashpirt e i egër, por, a do të qe ky një mendim disi i…”? / Refleksionet e ish-funksionarit të lartë, që vuajti 15 vjet në Burrel
“Pas Enverit që s’më fliste dhe Mehmetit, që shpërtheu për qafleshët në Tiranë e gjokset e zbuluara të aktoreve, pinjolli i mbrapshtë prej rrugaçi i Hysni Kapos…”/ Kujtimet e ish-funksionarit të lartë, që vuajti 15 vjet në Burrel

Nga Fadil Paçrami

Pjesa e tetë

Memorie.al / Ç’është burgu? Eshtë vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.

                                                         Vijon nga numri i kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Kur Mao në Kinë udhëhiqte ‘Revolucionin Kulturor’, sipas parullës; ‘Të sulmojmë shtabet’, Enveri, korrespondentëve vullnetarë të shtypit të fshatit Fier-Shegan, u thoshte…”/ Refleksionet e akademikut të njohur  

“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

Dhe dhunues dy herë me faj të ligjeve, përgjegjës për dënime e veprime të paligjshme që kanë shkatërruar kaq jeta njerëzore, krahas ministrave të Brendshëm, janë edhe të tjerë që nga kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm me zëvendësit e tyre, të cilët në vend që të ishin mbrojtësit e ligjit, siç i ngarkon Kushtetuta, u bënë dhunuesit e tij dhe të vetë Kushtetutës. Veç ata s’mund të dalin të larë, vepra e tyre është kriminale. Por e çuditshmja është, se ka që vazhdojnë të qëndrojnë ku ishin dhe kanë bllokuar rishqyrtimin e dosjeve hetimore e gjyqësore, duke njollosur, sistemin juridik të vendit dhe duke e çuar më tej dhunimin e ligjit. Pse ndodh kështu?! Kjo është e pakonceptueshme!

-Kohëve të fundit, flitet përherë e më shumë për lirinë, të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Me vend, duhet një raport tjetër, më i drejtë, në mes lirisë, ligjit dhe forcës. Duhet njohur, ka mbi sunduar kjo e fundit – forca. Edhe sot ka organizma dhe drejtues që priren e kapen fort, vetëm te forca. E pra, vendi dhe populli kërkojnë liri e të drejta, respektim të ligjeve dhe demokraci. Zhvillimet dhe njerëzit i kanë pritur këto me kohë, tjetër që nuk janë dhënë. Me një fjalë, është quajtur më komode, që të sundohet me anë të forcës e të frikës. Po deri kur?!

Të jemi realiste, derisa këto pikëpamje, veprime e praktika, metoda pune, organizma shtetërore etj, për të cilat u fol më lart, nuk denoncohen, kritikohen e dënohen hapur, nuk bëhen edhe ndreqjet e duhura, nuk mënjanohen njerëzit që vazhdojnë ende të bëhen pengesë, nuk bëhen edhe të qarta e të kuptueshme për masat, as që mund të ketë vendosje të lirisë, të ligjit e të demokracisë. Fjalët e thirrjet të pashoqëruara me vepra, nuk janë mjaft, nuk i garantojnë ato, nuk ndreqin punë e nuk bindin njeri.

-Ne shekuj është luftuar tek ne, luftohet edhe sot për pavarësinë e vendit. Ajo ka frymëzuar breza të tërë, njerëz të shquar, flamuri i saj u ngrit drejt majave më të larta gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe drejt. Por ajo – pavarësia në të vërtetë, nuk është e shkëputur nga përparimi në tërësi, nga zhvillimet ekonomike, kulturore, shkencore e politiko-shoqërore te vendit, nuk është veçim, mbyllje e izolim. Duhet këtu një kuptim i drejtë i çështjes edhe nga ana teorike e parimore, edhe si praktikë. Nuk janë mjaft këto, ose ato deklarata. Prirje të tilla – për të mbetur të fjalët, duhen lënë pas një orë e më parë.

Theksimi rast e pa rast, nga një herë deri në tepri, që vihet re jo vetëm në shtyp, por edhe në fjalimet zyrtare, për të vënë në dukje zhvillimet e bujshme kudo e kurdo, veç nga të tjerët, si vend dhe në fusha të veçanta, me të cilat lidhen gjithë arritjet e derisotme, nuk është me vend, sepse e vërteta nuk është kështu. Nga ana tjetër, është edhe me pasoja për ecjet përpara në të ardhmen. Prandaj, çdo prirje për fryrje të njëanshme, për vetë lavdërime ose lavdërime, nga kushdo tjetër jashtë, nuk kanë asgjë të përbashkët, me pavarësinë dhe origjinalitetin shqiptar.

Nga shtypi bie në sy një lloj ngurrimi e kujdesi, për t’i matur fjalët dhe frikë, lidhur me ndryshimet që duhet të bëhen në këtë ose atë fushë, metodat dhe praktikat e punës së partisë e të shtetit, format e organizimit dhe të drejtimit, të legjislacionit; edhe në koncepte për çështje të veçanta. Po nga shtypi krijohet përshtypja se, ves thirrjeve, ka pak gjëra konkrete, se për çështje thelbësore nuk ndihen as thirrje, pale masa e veprime. Pse ndodh kështu?

Duke lënë mënjanë se deri ku shtrihen orientimet e dhëna, e vjetra, rutina, tabutë, burokratizmi, të mirëqenurit, të paaftët frenojnë, janë kundër, kanë frikë nga ndryshimet kudo e në çdo masë. Mirëpo ecja përpara është mohim i asaj që i ka ikur koha dhe futje e të rejave të cilave u përket e ardhmja. Gjithmonë, diçka vdes e diçka lind, bëhen ndryshime, ky është ligj.

-Ka disa kohë që flitet, dhe me të drejtë, për mosvënien e nofkave kur bëhen debate, mos politizimin kur shprehen mendime dhe mos ngatërrimin e unitetit me unanimitetin. Më parë këto nuk thuheshin, pra janë vënë nofka për hiçgjë, është politizuar edhe për një fjalë goje, mendime të ndryshme janë quajtur cënime të unitetit. Tani këto denoncohen, pra s’duhet të ndodh më ashtu. Mendja ta do që njerëzit duhet ta ndiejnë veten më të sigurt tani, se duhet të ketë më shumë debat, rrahje mendimesh, kërkime për gjetje të reja në çdo fushë, diskutime krijuese.

Mirëpo në shtyp, kjo nuk duket, qoftë si pasqyrim, i asaj që duhet të ndodhë poshtë në bazë, qoftë edhe si rrahje mendimesh për çështje të caktuara, duke përjashtuar disa cicërima për gjëra të dorës së tretë, e të pestë, duke përsëritur po të njëjtat gjëra. Si shpjegohet kjo?! Nga një anë bëhet thirrje, nga ana tjetër ngurrohet.

Diçka pengon: njerëzit nuk janë të çliruar nga ajo frymë që ka sunduar për vite të tëra, nuk kanë fituar besim, e nuk kanë bindje për sa u thuhet. Kanë frikë. E kuptueshme: vite me radhë nuk guxoje të shprehje një mendim disi ndryshe ndaj atij zyrtar, ose nga ato të presidiumeve të mbledhjeve, pale të bije në kundërshtim me një porosi, vendim e orientim nga lart, se e pësoje keq, siç edhe e kanë pësuar. Njerëzit këto i kanë parë, kanë nxjerrë edhe konkluzionet: mbylle gojën, ç’të duhet; ose mbaj iso…! Këtu i kanë rrënjët edhe indiferentizmi, heshtja, pajtimi pa bindje me shefat dhe politikën zyrtare. Dhe këto bien në sy më shumë tek intelektualët, pasi mbi ta ka rënë, jo pak; “shi e breshër”.

Thuhet se tani nuk do të ndodhë më kështu. Mirë. Thuhet, por këtu dalin disa pyetje: së pari, sa kanë hequr dorë nga mendimet, metodat e praktikat e mëparshme, shumë nga ata të organizmave partiake e të atyre shtetërore, të presidiumeve e të tjerë. Së dyti, Kodi Penal (i tej ngarkuar me nene, për aq dënime të rënda, në rreth gjysmën e të cilëve parashikohet ai me vdekje), do të mbetet ai që është, me nenet për “agjitacion e propagandë”, “sabotim”, të veprimtarisë shtetërore e të partisë dhe të tjera – nocione të papërcaktuara këto, në bazë të të cilave mund të dënojnë krejt kot, për një fjalë goje?

Së treti, do t’i vazhdojë të ekzistojë e të veprojë famëkeqi super komision i internimeve, antikushtetues e mbi ligjor, që jep dënime pa gjyq, që ka kalbur internimeve gra e fëmijë, krejt të pafajshëm, vetëm e vetëm pse kanë qenë familje të burgosurish?! Tjetër: po me ata që e pësuan në sajë të atyre mendësive, me të cilat u veprua për një kohë të gjatë, ç’do të bëhet, do të mbeten ku janë, apo gjërat do të vihen në vend?! E drejta e kërkon këtë të fundit, dhe doemos. Po s’u bënë këto, fjalët nuk kanë asnjë vlerë, nuk bindin.

9 shkurt 1990

Nga letra e dytë

Po ju shkruaj këtë letër, kësaj radhe për disa çështje nga zhvillimet e fundit, që marrin një shtrirje në lëmin politik e më gjerë. Shumë pretendues, mund të thuhet mbase. Por, siç jam shprehur edhe herë tjetër, kur është fjala për interesat e vendit, nuk ka monopole. Së dyti, nga ballafaqimi i mendimeve edhe atyre të kundërta, del e vërteta. Në këtë kontekst, le të shihen si vetë dërgimi i kësaj letre, ashtu edhe gjithë sa po ju shkruaj. Dhe për të qenë i saktë, më duhet të flas hapur. Në letrën dërguar më 9.2.1990, aty nga fundi, i shkruaja:

“Si do ta vini re, nuk qëndroj në çështjet që u ngritën në Plenumin e VIII-të, e në atë të IX-të, të Komitetit Qendror…! Mendova: e para, të mos diskutoj e të shprehem rreth tyre, para kohe; e dyta, të pres rezultatet dhe pastaj…”! Tani, pas Plenumit të X-të dhe mbledhjes së fundit të Kuvendit Popullor, mendova se është koha. Dhe më duhet ta kryej, këtë detyrë.

Një sqarim; Meqë nuk jam në gjendje të flas, jo se nuk e çmoj, përkundrazi, por ngaqë nuk e ndiej veten të angazhuar e të azhurnuar sa duhet, do të lë mënjanë çështjet lidhur me ndryshimet e menduara e të projektuara, për mekanizmin ekonomik, rreth të cilit ka nisur të flitet kohët e fundit, po kaloj drejtpërdrejt, në ato të marrëdhënieve me jashtë, lirive e të drejtave të njeriut dhe të legjislacionit që, në kushtet e sotme, marrin pa diskutim një rëndësi të veçantë në proceset për demokratizimin e vendit, për të cilat jemi jo pak të vonuar, e për çka nuk po kursehen fjalët sot.

.. Duke hedhur sytë në të shkuarën, nga vitet ‘60-të e këtej, del se synimi si plan strategjik, në politikën e jashtme, ka qenë ai i qëndrimit në mes dy blloqeve – në konfrontimin midis tyre, por edhe në ekuilibrin e krijuar, si pasojë e këtij konfrontimi, ku ndihej garanci, se asnjëra palë,as Perëndimi, as Lindja, mund të ndërmerrnin, (njëheri as mund të binin në ujdi), për të vepruar kundër Shqipërisë. Mbi këtë bazë, u ndërtua edhe qëndrimi ndaj këtij konfrontimi, si dhe ndaj dy të mëdhenjve: e donim atë dhe ishim kundër këtyre të fundit, siç ishim edhe kundër cilësdo prirje stabilizuese, e për afrim, pra edhe nuk morëm pjesë në Helsinki.

Këto çuan në vetizolim, edhe në mbylljen, edhe në mungesën e kontakteve me botën në të gjitha fushat, si ato politike, ekonomike e kulturore, në një mosbesim të plotë ndaj të tjerëve, deri në armiqësi e fobi, por edhe në një ngadalësim në ritmet e zhvillimit, deri në amulli, njëheri edhe në kalimin drejt masave të skajshme represive, brenda vendit, ngushtimin e demokracisë e moszbatimin e të drejtave të njeriut. E vërteta është kjo; duhet njohur, tjetër si shprehemi, se; “kemi qenë e jemi”, se mbyllja “nuk ka qenë e, nuk mund të jetë vija jonë”, etj., etj.

Pak histori. Gjithë e kaluara, si vend e si komb, në këto pesë shekujt e fundit të paktën (por edhe më parë) nga koha e Skënderbeut, te rilindasit, e deri më sot, flet se jemi ndodhur e përplasur, në mes të evropianizimit e orientalizmit, çka rridhte edhe nga pozita jonë gjeografike: e para, më progresive, që na tërhiqte drejt zhvillimeve të gjithanshme ekonomike, kulturore e politike; e dyta, më regresive, që na mbante prapa. Për këtë, flasin lufta e gjatë skënderbejane e, marrëdhëniet me vendet e Evropës, si dhe gjithë veprimtaria e humanistëve tanë, të shekujve që pasuan. Flet edhe periudha e Rilindjes, për identitetin e kombit, shtetin e pavarur dhe kulturën kombëtare.

Edhe fakti që patëm tri fe, me përparësi, herë të njërës e herë të tjetrës, për atë flet. Si flasin edhe përpjekjet e njerëzve më të shquar në kohëra të ndryshme, për zhvillimet demokratike e përparimtare në luftë, të përhershme kundër obskurantizmit e despotizmit, duke filluar nga ai bizantin e deri tek ai osman e zogollian, deri te ndikimet e mëvonshme centralizuese, e jo demokratike ruso-sllave. Duhet njohur se ndikimi i këtyre të fundit (pleksur me rrugën e socializmit totalitar dhe në kushtet e një vendi ballkanik e të pazhvilluar), me prirje diktatoriale, ka qenë jo i vogël atëhere kur hidheshin hapat e parë pas çlirimit, thellohej edhe lufta e ftohtë Lindje- Perëndim, dhe çdo përpjekje drejt evropianizimit në kulturë, etj., quhej mëkat. Po kështu edhe drejt demokratizimit të jetës.

Kjo ka qenë një luftë e ashpër. Tani po flitet, si dhe po veprohet për lidhje më të gjëra me Evropën, në të gjitha fushat: ato kulturore, ekonomike, politike etj., si dhe me organizmat të saj, po ashtu edhe për zhvillimet demokratike, respektimin e plotë të lirive e të drejtave të njeriut, etj., të cilat do të shpejtojnë proceset e çorientalizimit të mbetjeve nga e shkuara, si dhe ato të progresit, në përmasat e një shteti modern, e të përparuar. Hapat e deritanishëm, janë vetëm fillimi, është e domosdoshme të ecet më tej.

Lufta në mes dy prirjeve, për të cilat u fol më lart, do të vazhdojë, por fitorja është e së parës, e dyta vetëm mund të nxjerrë pengesa që të frenojë, të cilat duhen mënjanuar, se boll kanë penguar deri më sot. Koha kërkon që lufta kundër tyre, të bëhet e vendosur, këmbëngulëse dhe e argumentuar, duke u angazhuar fort hapur, duke thënë të vërtetën edhe për shkaqet, pasojat dhe zhvillimet e ardhshme…!

Konceptet e shprehura, pale të zbatuara, deri tani tek ne për liritë e të drejtat e njeriut, janë: nga një anë, të kufizuara e të mangëta; nga ana tjetër lihet përshtypja se fitet si nga zori e më shumë për propagandë shpjegohem: flitet “për të drejtat e njeriut punonjës”, “për raportin ndërmjet shtetit e qytetarit, shoqërisë e individit”, për “mbrojtjen dhe shprehjen sa më të plotë të personalitetit të njeriut tonë”, për “qytetar të emancipuar në një shkallë sa më të lartë, e me të tjera si këto, por vetëm kaq, flitet.

Më larg akoma, jemi me vënien e tyre në jetë. Flas lidhur me kuptimin e vërtetë e të plotë të nocionit; “mbi të drejtat e liritë e njeriut”. Mjaft të kujtojmë se ndjekjet e dënimet për hiçgjë, si rastet për “agjitacion e propagandë”, e të tjera pa faj, nga ligje në thelb të gabuara, e interpretime arbitrare të tyre, internime e dëbimet e panumërta, mungesën e çdo statusi për të burgosurit politik dhe trajtimin e tyre, qenien e një Kodi Penal, me aq shumë nene fajësimi, dënimet e rënda e absurditete që arrijnë ta shtrijnë sabotimin, deri te veprimtari në fushën e ideve, aq sa kohët e fundit, u pa e domosdoshme të bëhen disa ndryshime, por që më shumë se ndreqje, u bënë thjesht emërtime, pa prekur thelbin, si në përmbajtje edhe në formë, me sa kam patur rast të njihem me to.

E pra, në “Deklaratën e të Drejtave të Njeriut” të miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 (dhe që ritheksuan fort në Mbledhjen e Helsinkit, më 1975) ato janë formuluar që dhe gjenden të shprehura saktë, në dokumente të ndryshme ndërkombëtare dhe në çdo enciklopedi të huaj…!

Por ndryshe i shpreh ato, i cungon, i manipulon dhe i shtrembëroni, si kryetari i Gjykatës së Lartë, për një kohë të gjatë, Aranit Çela, në një artikull me titull; “Mbrojtja dhe zhvillimi i të drejtave të njeriut, në Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, botuar në Nr. 4 të vitit 1989, të revistës “Drejtësia Popullore”, pra ndryshe edhe janë zbatuar ato te ne, deri më sot. Me një mungesë të theksuar zgjuarsie dhe cinizëm, që zbulojnë, si ka menduar e vepruar në praktikë, thotë atë vërtetë të madhe, që askush nuk mund ta fshehë tashmë, duke i kufizuar e paraqitur ato, ndryshe për ndryshe:

-Në barazinë e shtetasve, që përfshin para së gjithash atë para ligjit të gruas me burrin dhe barazinë kombëtare…!

-Pjesëmarrjen e shtetasve në qeverisjen e vendit, në veçanti të drejtën për zgjedhje e për t’u zgjedhur, të drejtën e sigurimit personal ose, siç quhet; të paprekshmërisë së personelit, të banesës, fshehtësinë e korrespondencës, të drejtën e ankimit kundër veprimeve të organeve shtetërore, të drejtën e mbrojtjes, etj.

-E drejta e lirisë së mendimit, të shtypit, të mbledhjes etj., vazhdon më poshtë ai, shoqërohet në vendin tonë, me vënien në duart e punonjësve, të mjeteve konkrete të realizimit të tyre, siç janë shtypi, radioja sallat për mbledhje, në qendra pune, lagje e fshatra, etj., etj.

Si nuk i vjen turp?! Askush më mirë se ai, nuk e di që edhe kështu si i paraqet ato, nuk janë zbatuar në jetë, janë shkelur e dhunuar në mënyrën më brutale. E vërteta, pra, është ndryshe për shumë çështje e, nga më thelbësoret. Dhe kjo duhet thënë ashtu siç është. Derisa të mos bëhet kjo, nuk do të bëhen as ndreqje reale, nuk ka asnjë garanci, se me të vërtetë, do të ecet në rrugën e vendosjes e të zbatimit të të drejtave të njeriut, si njihen e shprehen ato, në “Deklaratën…” e OKB-së dhe siç kërkoi Mbledhja e Helsinkit. Nuk do t’u besojë njeri edhe fjalëve të hedhura për qëllime të tjera, si për vënien në vend të gjithçkaje, që është bërë keq më parë. Nuk mënjanohet, edhe rreziku i përsëritjes në të ardhmen.

Më lejoni të shtoj edhe këtë: Në mbledhjen e dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të 22 tetorit 1944, siç dihet, u miratua “Deklarata mbi të drejtat e qytetarëve”, një dokument me rëndësi e vlera për kohën e vet, që duhet të vinte duke u thelluar e zgjeruar, por në fakt, erdhi gjithnjë duke u lënë në harresë, aq sa edhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar, nuk e boton të plotë, por jep vetëm pjesë të tij, duke bërë vërejtjen se ai, nuk dilte nga kuadri i shndërrimeve demokratike, dhe flitet për zgjerimin e të drejtave të punonjësve, (pra jo të njërit) çka vërteton sa u fol më lart.

Kuptohet, kjo nuk është as një harresë, as një lënie pas dore e thjeshtë, por ka lidhje me atë të vërtetë të njohur se ato- të drejtat e liritë e qytetarëve, nuk erdhën duke u zgjeruar, por përkundrazi, u ngushtuan nga koha në kohë e përherë e më shumë. Memorie.al

                                                    Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kur ishim maleve të Mirditës, Nikoll M., na braktisi dhe iku, kurse H. Sh., ishte i futur te ne nga Sigurimi dhe nga Jugosllavia, shkoi në Perëndim...”/ Dëshmia e rrallë nga SHBA-ës, e ish – ‘diversantit’!

Next Post

“Zv/kryetari i Degës së Beratit, më këshilloi; t’u shmangesha bisedave me Viktor Stratobërdhën, se ai ishte armik dhe të ulja volumin e radios, kur dëgjoja RAI-n...”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur

Artikuj të ngjashëm

“Biseda me Agim Popën, ku më tregoi të vërtetën rreth akuzës së Enverit për takimin e Mehmet Shehut me Titon në ‘Queen Elizabeth’…”/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së
Dossier

“Kur Mao në Kinë udhëhiqte ‘Revolucionin Kulturor’, sipas parullës; ‘Të sulmojmë shtabet’, Enveri, korrespondentëve vullnetarë të shtypit të fshatit Fier-Shegan, u thoshte…”/ Refleksionet e akademikut të njohur  

June 5, 2025
“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Dossier

“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

June 3, 2025
“Jorgo, i burgosun si ne, kur të binte fjala për luftimet e 1949-ës, na thoshte: Ne grekërit, luftonim në këmbë dhe jo shtrirë si ju shqiptarët, që i kemi vënë para…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Dossier

“Jorgo, i burgosun si ne, kur të binte fjala për luftimet e 1949-ës, na thoshte: Ne grekërit, luftonim në këmbë dhe jo shtrirë si ju shqiptarët, që i kemi vënë para…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

June 2, 2025
“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! / Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali
Dossier

“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! / Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali

June 1, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Dossier

“Profesor Foto Bala na tregonte, se Enver Hoxha, ishte i vetmi shqiptar, që për orë e orë të tëra, do të pozonte pa turp, në nji bar të Parisit, në pritje të ndonji…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

June 1, 2025
“Në vjeshtën e 1988-ës, në Durrës pati një reprezalje policore në port dhe jashtë tij, ku gjatë natës, shumë persona përfunduan në Degën e Brendshme, pasi…”/ Historia e panjohur e kontrabandës me marinarët e huaj
Dossier

“Në vjeshtën e 1988-ës, në Durrës pati një reprezalje policore në port dhe jashtë tij, ku gjatë natës, shumë persona përfunduan në Degën e Brendshme, pasi…”/ Historia e panjohur e kontrabandës me marinarët e huaj

May 31, 2025
Next Post
“Zv/kryetari i Degës së Beratit, më këshilloi; t’u shmangesha bisedave me Viktor Stratobërdhën, se ai ishte armik dhe të ulja volumin e radios, kur dëgjoja RAI-n…”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur

“Zv/kryetari i Degës së Beratit, më këshilloi; t’u shmangesha bisedave me Viktor Stratobërdhën, se ai ishte armik dhe të ulja volumin e radios, kur dëgjoja RAI-n...”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!