Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të librit për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u shkrua në gjuhën italiane në vitin 1584, nga prifti shqiptar, Dhimitër Frangu. Si u gjet ai libër para disa vitesh në një prej bibliotekave të Romës, nga Lek Pervizi, piktor, poet, publicist, studiues, shkrimtar etj., ish – i përndjekur politik që vuajti familjarisht për gati 45 vite në kampet e internimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili është dhe përkthyesi i asaj vepre të botuar para disa vitesh në Tiranë, nga Shtëpisë Botuese “Arbëria”. Disa pjesë nga libri i rrallë i Dhimitër Frangut i përkthyer nga Lek Pervizi, ku jepet korrespodenca e panjohur e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, me Sulltan Muratin!
E gjithë jeta, vepra dhe luftërat e lavdishme të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i konsideruar si “Atlet dhe mbrojtës i Krishtërimit”, apo “Parzmore në gjoks të Europës”, që prej kohës në të cilën ai jetoi, e deri në ditët e sotme, ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë ende interes. Si rezultat i kësaj, nga kronikanë, biografë, shkrimtarë, studiues dhe historianë të shumtë, vendas e të huaj, Skënderbeut i janë kushtuar me dhjetëra e dhjetra libra me studime të ndryshme të karakterit historik, pjesa më e madhe e të cilave janë të panjohura për shqiptarët dhe ndodhen në bibliotekat e shteteve të ndryshme të botës. Një nga ato libra është dhe ai me titull “Veprat e lavdishme të Skënderbeut”, i priftit shqiptar, Dhimitër Frangu, bashkëkohës, këshilltar, arkëtar dhe ambasador i Skënderbeut, i cili është shkruar dhe botuar prej tij disa vjet më përpara se të botohej libri i Marin Barletit.
Sipas studiuesit dhe përkthyesit të këtij libri, Lek Pervizi, (ish-i dënuar politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës, që prej vitit 1991, jeton në Bruksel), i cili disa vite më parë e ka gjetur atë rastësisht duke hulumtuar në bibliotekat italiane, libri i Dhimitër Frangut me titullin e pandryshuar “Gli illustri et gloriosi gesti et vittoriose imprese, fatte contra Turchi dal Sig. D. Giorgio Castriotto, derto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro”, është përkthyer nga latinishtja në italisht, nga Bernardino Vitale dhe është ribotuar mbi njëzet herë nga viti 1506 deri më 1679-ën, duke u përkthyer edhe në frëngjisht e gjermanisht.
Faktikisht, dorëshkrimet e para të Dhimitër Frangut për këtë libër, janë të vitit 1480, dhe që nga ajo kohë, të gjithë librat e tjerë që u botuan më pas, i referohen rrëfimeve të Frangut. Kjo gjë ka ndodhur edhe me Marin Barletin, i konsideruar si një nga biografët më të saktë të Skënderbeut, i cili në shumë raste në librin e tij, thuhet se i ka mbetur besnik rrëfimeve të Frangut.
Nisur nga fakti se ky libër (ashtu si dhe shumë të tjerë) për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është i panjohur për lexuesin shqiptar, (me dëshirën e Lek Pervizit, që na ka dhuruar një kopje të librit ekskluzivisht për Memorie.al, po publikojmë vetëm disa pjesë të tij, nga botimi që i ka bërë Shtëpia Botuese “Arbëria” në Tiranë, botim i cili fatkeqësisht në atë kohë u kalua në heshtje, si nga studiuesit e historisë, ashtu dhe shtypi.
Korrespodenca e panjohur e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, me Sulltan Muratin
Si u mbyll kjo ngjarje, Sulltan Murati, duke qenë shumë i inatosur me Skanderbeun, i çoi një ambasador me një letër me këtë përmbajtje: “Murati, Perandor i turqve dhe Princ i Lindjes, ty, Skanderbeg, njeriu ma mosmirënjohës në botë. Nuk mund të përshëndes as më shumë as pak, duke qenë se ti u bane anmik për vdekje i kunorës sime, ndërsa të rritsha me dashuni, si të ishte biri im, duke u mundue gjithmonë për me të nderue e me të ngritë në pozita të mëdha e të nalta, siç baj me miqtë e më dashamirët e mij.
Ti u rebelove e më ke shkaktue shumë dame, siç e di vetë dhe siç është njohur nga bota mbarë. Unë nuk mund ta marrë me mënd se si shkoi kjo punë; ndofta për fatin se nuk ta ktheva shtetin prindëror ose pse ti gjithmonë ke pas qëllim që të mohosh fenë e Profetit Muhamed dhe të kthehesh (siç ke veprue) në fenë kristiane, për të humbë shpirtin tand. Por s’ka dyshim, se po ta kisha ditë dëshirën tande, do të kisha ba gjithçka ti dëshiroje, sepse ti e di mirë (siç shpesh të kam thanë) që unë kam dëshirue së tepërmi me të plotësue çdo kërkesë.
Unë jam përpjekë me të dashtë ma shumë se këdo tjetër të oborrit tim, për virtytet e tua të rralla. Duke e ditë ti, se unë brenda pak ditësh do ta ktheja shtetin atënor, e duke e ditë se nuk do ta mohoja fjalën e dhanë, ti je sjellë kundër detyrës sate, duke u rebelue, veprim për të cilin meriton qortim të madh dhe dënim të rreptë, pra meriton mërinë dhe mohimin tim. Nga ana tjetër, duke pas parasysh veprat e tua të lavdishme që në të kaluemen (duke qenë në shërbimin tim) i ke krye për mbrojtjen dhe dhe naltësimin e shtetit tim, duke i shërbye besnikërisht kunorës sime, pothuaj s’jam i detyruem ta zbus inatin, që me të drejtë më ka pushtue ndaj teje.
Duke pas vendosë me veprue kështu, të them se due, që pas faljes sime, të vlejnë ma tepër shërbimet që kam pas prej teje, për me të shpërblye (që nga ana ime nuk do të mungojë) se sa hakmarrja që duhet të përdorsha ndaj teje për mungesat e tua, meqënse u rebelove ndaj meje pa asnjë arsye dhe që shkaktove aq damtime ndaj meje dhe ndaj njerzve të mi. Prandaj ta dish se ti mund të sundosh mbi shtetin tand, që të përket si trashëgim, por me një konditë, që të më rikthesh atë pjesë të Shqipnisë që kam përfitue nga tjetërkush dhe jo nga prindi yt, të cilën, kundër çdo të drejte, ma ke marrë e përvetsue.
Të them që ti të ma rikthesh, përndryshe betohem në Zotin, Profetin Muhamed, në shpirtin e babës tim dhe aftësinë dhe forcën e shpatës sime, që do ta përdor kundër teje, për me të dëbue nga ai vend për inatin tand. E në qoftë se do të shpëtosh gjallë, do të detyrohesh që të shkosh lypsar nëpër botë. Ti e di se unë mund ta ngrej një ushtri prej 150.000 vetësh, ndërsa ti ke pak ushtarë e nuk je në gjendje të më përballojsh. Këtë po ta them sepse nuk due me ta bë të keqen. Të kam paraqitë të mirën dhe të keqen. Ty të takon tani me zgjedhë si të kesh qejf dhe për këtë mund t’i besosh ambasadorit dhe shërbëtorit tim, Hajredinit, i cili do të flasë gojarisht në emën tim për gjithçka, sipas porosisë sime.
Në Adrianopol, më 16 Qershor 1444
Përgjigja e Skënderbeut për Sulltan Muratin
Pasi e kuptoi shumë mirë letrën dhe pasi e dëgjoi me kujdes fjalën e ambasadorit të Sulltan Muratit, Skanderbeu e falënderoi dhe e nderoi ambasadorin e pas pesë ditësh e nisi tuj i dhanë një letër për padronin e tij, në përgjigje të asaj të Sulltanit, me këtë përmbajtje:
“Gjergj Kastrioti, i quejtun Skanderbeg, Princ i Shqiptarëve, i çon të fala të shumta Sulltan Muratit, Princit të Turqve dhe Perandorit të Lindjes.
Prej shërbëtorit dhe ambasadorit tand, Hajredinit, e mora letrën që më kishe nisë, ku fillimisht ti më thoje se nuk mund të më jepshe as shumë dhe as pak të fala, sepse unë të qenkam rebelue dhe sepse unë të paskam ba (siç thye) shumë dame. Po të përgjigjem: megjithëse, çdo gja që kam ba kundër teje ngjan sikur të jetë ba prej ndonjë anmiku, të them, se çdo herë që ti do t’i shikosh punët mësynin e arsyes, në këtë rast, se çka e sa asht krye prej meje unë gjykoj se jam tregue (jo anmik) por shumë mik. Për këtë, them, se asgja nuk do të t’ishte e vështirë të bahej, të cilën unë të mos e bajsha, por që të mos ishte kundër vullnetit të Zotit.
E për sa thashë, duhet të bindesh, ngase unë pretendoj të jem mik. Por në qoftë se ti ankohesh se unë kam rifitue lirinë time, me shtetin e tim etj, gabohesh, sepse nuk mendoj të të kem fye, sepse më takon vetëm mue dhe jo ty, dhe jam përpjek të baj çka i takon nderit tim. Në qoftë se turqit, ushtarët e tu, që rrinë në viset e Shqipnisë, erdhën kundër meje që të luftojnë me armë në dorë, a nuk ishte e drejta ime me luftue kundër atyne që donin të më sulmonin? E në qoftë se e përvetësova atë pjesë, sepse i munda me trimërinë time, faji nuk është i imi, por i tyne, ose i atij që i shtyni kundër meje. E pse unë kam thye ushtrinë tande, të komandueme nga Ali Pasha, nuk besoj se kam veprue kundër detyrës sime, duke qenë se unë po mbrohesha nga ai që po më sulmonte.
Së fundi, në qoftë se unë e braktisa fenë e Muhamedit, e u ktheva në fenë time të vërtetë të Jezu Krishtit, jam i sigurtë që kam zgjedhë anën ma të mirë: sepse tue zbatue mësimet e tij të shenjta, jam i bindun se shpirti im do të shpëtojë dhe jo (siç thue) të humbë. Prandaj të lutem, që për shpëtimin e shpirtit tand, të dëgjosh prej meje një këshillë shumë të mirë. Po të lexosh me kujdes Kuranin, d.m.th., përmbledhjen e mësimeve hyjnore, do të kuptosh secili prej nesh e ka gabim. Nga kjo kam shpresë se në qoftë se ti do të arrish të gjykosh gjithçka drejt dhe të bindesh nga arsyeja, do të pranosh fenë shumë të shenjtë të Krishtenë, e vetmja në të cilën të gjithë njerëzit kërkojnë shpëtim, shpëtojnë, e jashtë saj çdokush tjetër sikterroset.
Dhashtë Zoti që ti të pranojsh që të ndriçojë Shpirti i Shënjtë e të vijsh e të pagëzohesh e të fillojsh me jetue si i krishtenë. Atëhere, unë, do të kisha kënaqësi me të njoh si Princin ma të madh të Botës e me t’u ba (siç kam qenë) një shërbëtor i mirë dhe mik. Për këtë ti do të bindesh shumë mirë, kur të shikojsh se sa me sinqeritet dhe mirësi unë të ftoj me të shpëtue shpirtin, për lavdinë dhe madhështinë e shtetit tand. Prandaj tuj të thanë, se megjithë se jam përpjek të mbrohem nga ty dhe nga forcat e tua, të mbetem mik, tue të premtue se kurdo që të bajsh atë që të këshillova, pra që të kthehesh i krishtenë, unë do të rikthej jo vetëm atë pjesë të Shqipnisë që ti më kërkon, por edhe gjithçka unë mbaj e kam në këtë botë dhe do të jem gjithnjë shërbëtori yt i mirë.
Përndryshe, të jesh i sigurtë, se unë nuk mundem, nuk due dhe nuk detyrohem, për shumë shkaqe dhe aryse, që të pranoj ato që ti shkruen. Kryesisht pse turqit nuk e mbajnë kurrë besën ndaj të krishtenëve dhe janë fqinj të kqinj të tyne, e nuk due që të rrezikoj e humbas atë që Zoti më ka dhanë. Prandaj mos u fodullos për sa më thue që me ta rikthye atë pjesë të Shqipnis që ti u ke marrë të tjerëve e jo babës sim. Ato vise që ti vetë thue se kanë qenë të të krishtenëve, edhe të mos kishin qenë të prindit tim, meqënse unë jam një Princ i Krishtenë, më takojnë mue dhe jo ty.
Si rrjedhim, asht ma se e volitshme dhe e arsyeshme që nji i krishtenë të zotnojë atë që ka qenë e të krishtenëve (mbasi nuk kanë një Princ të tyne) dhe jo ti, që ke një fe tjetër kundërshtare. Aq ma tepër më takojn mue, sepse i kam marrë me të drejtë e me armë në dorë. Duke qenë se ti don me përvetsue ato që kanë qenë të të krishtenëve, dhe jo të pafeve, duhet të bahesh i krishtenë, siç të lutem e të këshilloj, prandaj përsëri të lutem që të pagëzohesh, përndryshe unë do të përndjek dhe do të jem anmik për vdekje i yti.
Shpresoj me rimarrë sa më parë gjithçka që ti ke marrë nga pronat e të krishtenëve e jo që unë me të lshue një pëllambë tokë. Për sa i përket betimit që ke ba me më dëbue nga vendi im, përndryshe në qoftë se nuk vritem ose nuk kapem, do të jem i detyre me shkue si lypsar, ta diejsh se po të mos isha i krishtenë, nuk do të guxoja me t’u përgjigjë, por tuj iu drejtue fuqisë hyjnore, që mbahet nga Zoti që qeveris gjithë Mbretnitë, gjithmonë do të kënaqem me çdo gja që do të ndodh prej vullnetit të tij dhe do të jem gjithmonë shumë i kënaqun për gjithçka të më vij prej tij, si për të mirë si për të keq.
E për sa thue se do të më bajsh fatkeq, të përgjigjem se kam besim e shpresë se do të mbrohem nga forcat e shumta që me të cilat më kërcënon se do të më sulmojsh. Megjith atë duhet ta dijsh mirë se fitorja nuk përcaktohet nga sasia e njerzëve, por përparësisht nga vullneti hyjnor, tue pasë nga ana e vet madhëninë hyjnore dhe të drejtën, pastaj në aftësinë dhe urtësinë e Komandantëve. Në qoftë se deri tani unë i kam tregue ato cilësi, do të besoja se Pashallarët e tu do të kenë informue ma se nji herë.
(Letërkëmbimet e Gjergj Kastriotit, për herë të parë janë dhanë nga Dhimitër Frangu, prej të cilt më pas i kanë marrë autorët e tjerë. Shënim i përkthyesit Lekë Previzi).
Por të them se as lajkat dhe as kërcënimet e tua, nuk janë të mjaftueshme që të lëkundin shpirtin tim. Asht e vërtetë që, sikur ti të kthehesh i krishtenë, ateherë pa tjetër, do t’isha i detyruem me ba gjithçka që ti do të dëshiroje.
Megjithatë, i premtoj Madhnisë sate, se nuk do të ndërmar kundër teje asnjë veprim, pa qenë i ngacmuem dhe i provokuem ma përpara, prej teje ose njerzëve të tu.
Juve sa mund t’ju duket e pëlqyeshme, përunjësisht ju përfalem. Nga kampi ynë më 14 Korrik 1444”
Jetshkrimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut: Nga fëmiria, shërbimi i gjatë tek Sulltani, dhe braktisja e tij!
(Biografia e Skënderbeut, sipas Dhimitër Frëngut)
Në kapitullin e parë të librit të Dhimitër Frangut, “Veprat e lavdishme të Skënderbeut”, jepet një biografi e shkurtër e Heroit tonë Kombëtar, duke filluar që nga fëmijria e tij, koha e gjatë e qëndrimit në Turqi në shërbim të Sulltanit, e deri në ditën që ai braktisi atë për t’u rikthyer në atdheun e tij.
Lidhur me këtë, në mes të tjerash aty thuhet: “Princi Gjon Kastrioti, ishte ai që sundoi atë pjesë të Shqipnisë që quhet edhe sot e kësaj dite Emathia (Mati i sotëm. Shënim i përkthysit) ose Tumenishtia. Gjoni kishte për grue Vojsavën, të bijën e princit të Pollogut, pjesë e Maqedonisë dhe e Bullgarisë, me të cilën pati shumë fëmijë.
Ky Gjoni ishte një burrë i fortë, zemërmadh dhe shumë i zoti në artin ushtarak, që tue luftue kundër Sulltan Murat Osmanlliut, Princ i Turqve, e tue pa se ky Murati ishte ba shumë i fuqishëm në Shqipni dhe në Greqi, e se nuk mund t’i bante ballë ushtrive të tij, kërkoi të vendoste paqen me të (sikur dhe bani). Për realizmin e kësaj paqe, u detyrue me dhanë peng Sulltanit katër fëmijët: Reposhin, Stanicën (Jovanin), Konstandinin dhe Gjergjin.
Fëmijët u çuen para Sulltan Muratit i cili u gëzue shumë dhe mbasi u njoh me paraqitjen e mirë dhe fisnike të tyne, i ndali sytë mbi ma të voglin, Gjergjin, akoma tetë vjeç që paraqitj me trup dhe tipare të bukura e me gjymtyrë të rregullta. Ai mendoi se kur fëmija të rritej do të fitonte cilësi të mira dhe aftësi shumë të spikatuna. Prandaj vendosi mos me ja kthye ma prindit, e me e mbajtë në oborrin e tij. E bani synet dhe ja vuni emnin Skanderbeg, ku Iskander, do të thotë Aleksandër, e beg, fisnik. Mbas kësaj, vendosi ta edukojë sipas zakoneve të turqve dhe fesë myslimane, tue i caktua njerëz shumë të përgatitun që ta kishin kujdes, e që t’i mësonin traditën, kulturën dhe të gjitha rregullat e tjera turke. Ndërkaq atij do t’i plotësoheshin të gjitha nevojat jetësore, si ushqimi e veshëmbathja, si të ishte bir’i tij.
Ndërsa rritej kështu nën kujdesin e edukatorëve të tij, dita ditës ai shkonte tuj përparue në të gjitha gjanat që i mësonin. Ai stërvitej e kënaqej me shokët e tij, në vrapimet me kalë, në përdorimin e armëve ma të forta dhe në të gjitha ushtrimet e përshtatshme për një kalorës të nderuem e trim. Aq ishte prirja dhe dëshira e tij në këtë drejtim, sa që, jo vetëm barazohej me bashkëmoshatarët, por edhe ua kalonte atyne në të gjitha stërvitjet, si në kambë ashtu mbi kalë, kur stërviteshin mes tyne, e ku Skënderbeu shquhej gjithmonë. Veçanërisht në prani të Sulltan Muratit, i cili kënaqej shumë kur e shikonte aq të shkathët, guximtar e fitimtar në të gjitha ushtrimet luftarake. Ndërkohë në luftrat kundër mbretërve dhe princërve të tjerë, kudo që shkonte me ushtrinë e tij, Sulltani e merrte gjithnjë me vete Skënderbeun, i cili shpesh herë e luste atë që të merrte pjesë në luftime.
Por Murati, tuj gjykue akoma të ri dhe jo në moshën e duhun për t’u përfshi në vështirësitë e luftës, ia zgjaste pëlqimin e tij me fjalë të mira. Megjithatë, mbasi ky djalë trim, vazhdonte në kërkesën e tij, ma në fund Sulltani, pothuaj kundër dëshirës, i dha leje me marrë pjesë në të gjitha betejat, që mund të zhvilloheshin. Skanderbeu filloi të ishte i pranishëm në luftimet e ndryshme, ku dallohej për shpirt luftarak dhe trimëri, sa që për forcën dhe kurajën që tregonte çuditi jo vetëm oborrtarët por edhe vetë Sulltan Muratin, i cili bashkë me të tjerët pranonin se këtij djali, kur të arrinte moshën e përsosun, nuk do t’ja kalonte askush për guxim e trimni, e nuk do të gjendej një i tillë që t’i dilte përballë. Kur Skandërbegu mbushi 19 vjeç, u emnue nga Sulltani Sanxhak, që do të thotë komandant i 10 mijë kalorësve. Më vonë e emnoi Pashë dhe e çoi shpesh herë kundër anmiqve të tij, tue i dhanë me vete disa Sanxhakë të tjerë, të cilët duhej t’i bindeshin, e tua njohun autoritetin mbi të gjithë ushtrinë, siç u njihej Komandantëve të Përgjithshëm nga Princat e tyne.
I dërguem në atë pjesë të Azisë së vogël që quhet Anadoll, zhvilloi aty beteja të shpeshta kundër anmiqëve dhe korri gjithmonë fitore, tue u shkaktue atyne humbje dhe vdekje të mëdha, kështu që pushtoi shumë vende në atë provincë, të cilat i vuni nën zgjedhjen dhe pushtetin e Sulltanit. Ky, tue pa gjithë atë shkathtësi dhe trimni të Skanderbeut, e thoshte publikisht se Skanderbeu ishte krahu i djathtë i tij, syni dhe zemra e tij, ishte mbrojtësi i vërtetë dhe i sigurt se zmadhuesi i shtetit të tij. Prandaj të gjithë turqit e donin fort, e nderonin dhe e çmonin shumë. Kur Skanderbeu kishte mbushur moshën 25 vjeç, e qëndronte në Adrianopul pranë Sulltanit, bashkë me shumë pashallarë dhe fisnikë të tjerë, u paraqit në atë oborr një tartar shumë i madh me trup, i cili i ftoi në dyluftim të gjithë luftëtarët e Sulltanit.
Askujt nuk ia mbante të matej me të, sepse këtij tartari i kishte dalë nami se kishte fitue gjithmonë kundër atyne që kishin pranue dyluftimin, dhe shumë prej tyne i kishte vra. Kur Skanderbeu pa gjithë atë frikë të oborrtarëve të Sulltanit, tue mos e durue fodullëkun e tartarit, i kërkoi Sulltanit dhe gjithë të pranishënmve që ta lejonin të ndeshej me të. Por Sulltani dhe oborrtarët ma të shquem, të gjithë së bashku mundoheshin ta tërhiqshin nga ai vendim, të shqetsuem, sepse kishin frikë për jetën e tij, po të ndeshej me tartarin. Skanderbeu nuk tërhiqej nga kërkesa e tij, sa që ma në fund ia plotësuen. E kështu, në prani të Sulltanit, të gjithë Oborrit, e të një turme të madhe populli, me shpirt të vendosun dhe guximtar, i doli përballë tartarit, i cili filloi të tallej me të (si Golia me Davidin, se po i vinte keq se po luftonte me një të ri pa përvojë luftarake.
Skanderbeu shumë i inatosun filloi të luftonte dhe për mjaft kohë nuk dallohej se nga do të anonte fitorja. Kur e pa Skanderbeu se kundërshtari, aty mu para Sulltanit, po vazhdonte t’i bante qëndresë, u mbush me aq inat ndaj vetvetes, sa që filloi me i dhanë goditje të tmerrshme anmikut dhe brenda pak kohe e mundi dhe e vrau. Mandej, mes brohoritjeve të oborrtarëve dhe popullit u kthye nga Sulltani, që e priti me gëzim dhe hare. Në këtë kohë, Sulltani shkoi në Bursa, qytet i Bitinjës ku në prani të tij u paraqitën dy luftëtarë persianë, njeni i quejtun Jahja dhe tjetri Zampasa, të cilët kërkuen dyluftim si tartari, por me ndryshimin se do të luftonin mbi kalë, me shtizë me shpatë dhe mburojë. Kundër tyne kërkoi të luftonte Skanderbeu, të cilit iu dha pëlqimi. Filloi luftimi, së pari me Jahjen, e ndërsa luftonte kundër tij, pabesisht e sulmoi Zampasa, por Skanderbeu nuk u shqetësue fare dhe me besim në ndihmën hyjnore dhe në forcën e shkathtësinë e tij, mori ma tepër fuqi dhe shpirt luftarak, e tue luftue me guxim, pothuaj e njëkohësisht u dha vdekjen si njanit ashtu dhe tjetrit.
(Sipas Julian Pisko “Studim historik mbi Skënderbeun”, kjo ngjarje pavarësisht nga mënyra si mund të jetë tregue dyluftimi i Skanderbeut kundër kalorësve persianë, asht dhe mbetet një ngjarje historike.) Për këtë trimni të rrallë e të lavdishme. Skanderbeu u përgëzue e u nderue prej të gjithë të pranishmëve. Ndërkohë hungarezët kishin zbritë kundër Muratit për t’ia shkatërrue shtetin. Ai e nisi Skanderbeun kundër tyne me një ushtri të madhe, dhe në atë fushatë ai u suell me shumë kujdes e shumë urtësi, tue shmangë çdo luftim me hungarezët. Skanderbeu kishte mbajtë dhe mbante gjithmonë pranë vetes mjaft shqiptarë të krishtenë, besnik të prindit, të cilët vazhdimisht i mësonin fshehurazi për atë fe që e kishte fitue qysh në pagëzim. Prandaj bani si bani dhe me urtësi të madhe veproi që hungarezët, shumë të krishtenë, të ktheheshin pa u ndesh me të siç kishte qenë dëshira e tij.
Pastaj u rikthye shëndosh e mirë me gjithë ushtrinë e Sulltanit në Adrianopul, prej të cilit u përgëzue shumë dhe u nderue me dhurata të çmueshme. Murati thoshte në prani të njerëzve ma të shquem, oborrtarëve dhe familjes, se hungarezët ishin friksue nga aftësia dhe trimnia e Skanderbeut, prandaj ishin largue. E luste Skanderbeun, që t’i kërkonte ndonjë nder, por Skanderbeu me shumë respekt i përgjigjej se nuk donte asgja tjetër, përveç mirësisë së tij. Kjo i mjaftonte”.
Lek Pervizi: “Në Romë ndodheshin edhe 3 libra të panjohur për Skënderbeun”
Në parathënien e librit të Dhimitër Frangut, “Veprat e lavdishme të Skënderbeut”, përkthyesi, Lek Pervizi, i cili që prej vitit 1991 jeton e punon në Bruksel, ka përshkruar edhe momentin e gjetjes së këtij libri në bibliotekat e Italisë. Lidhur me këtë, në mes të tjerash ai ka shkruar:
“Si shumë shqiptarë të tjerë, isha i intersuem dhe jam, me e njofto thellë e ma shkoqitun historinë e kombit tonë, që nga origjina e deri në ditët tona. Por për konditat që ishin krijue për një pjesë prej nesh, të mbyllun nëpër burgje e kampe, një nismë e tillë mund të quhej e pamundshme dhe absurde vetëm me u mendue, e jo ma me u realizue. Ndërkohë librat dhe dokumentet që trajtonin historinë e vjetër shqiptare, qëndronin qetësisht të rradhitun në raftet e bibliotekave të ndryshme të Europës, posaçërisht të atyne të Italisë.
Mes atyne vëllimeve pushonte në pritje të heshtun prej 525 vjetëve dhe vepra at Dhimitër Frangut, mos dikush shqiptar vinte dorë mbi të. Në këtë zbulim bibliotekar, gjeta dhe dy libra të tjerë që flisnin për Skënderbeun, njani botue italisht në Palermo më 1845 nga një anonim, dhe tjetri i Austriakut Pisko, gjermanisht, botue në Vjenë në 1894, tue i shtue këtyne dhe veprën e francezit Duponect, Paris 1884. Të gjithë këta shkrimtarë ndjekin fillin tregues të Dhimitër Frangut, pa iu shmangur një fije, me shtesa të tjera plotësuese, me vend e pa vend.
Pra, ç’ishte kjo rastësi që më çoi pikërisht mue në atë bibliotekë dhe me ra në ato libra? Ndoshta sepse në ato kohna të vjetra, fisi im i Pervizit të Skurajve kishte qëndrue e luftue përkrah Skanderbeut? Ndoshta ky, kushtrimi i të parëve, më thirri dhe më caktoi të ndjek rrugën e ripërtërimjes së historisë shqiptare, ku Skanderbeu zinte vendin e nderit.
Përfundimisht, kënaqësia ma e madhe, si për mue si për lexuesit, asht ajo e njohjes ma mirë dhe vlersimit të t Dhimitër Frangut, si një shqiptar i ditun, ndonëse modest, që i vuni detyrë vetes me rradhitë historinë e Skandrbeut ashtu siç e kishte përjetue vetë, pranë tij, gjatë 25 vjetëve të epopesë së madhe e heroike të Shqiptarëve, që luftuan për liri dhe pavarësi nan udhëheqjen e njanit prej strategëve ma të shquem të historisë botore, siç ishte Princi Gjergj Kastrioti Skanderbeu”. /Memorie.al
Bruksel, prill 2005
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016