Nga Dashnor Kaloçi
Viktor Eftimiu: “Dëshiroj të përkthej romanin ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, të Ismail Kadaresë, që është një nga veprat letrare më të mirat e letërsisë së sotme botërore”!
Memorie.al / Në fundin e qershorit të vitit 1971, shkrimtari dhe dramaturgu i njohur rumun me origjinë shqiptare, akademiku Viktor Eftimiu, ish-kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rumanisë, (i lindur në fshatin Boboshticë të Korçës më 24 janar 1989), bëri një vizitë miqësore në vendin tonë, ku ju rezervua një pritje mjaft e ngrohtë, jo vetëm në vendlindjen e tij në Boboshticë, por edhe nga kolegët e tij në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Para largimit nga Shqipëria, shkrimtarit të njohur rumun, iu rezervua edhe një pritje nga diktatori shqiptar, Enver Hoxha, ku midis të tjerash, ata diskutuan dhe vlerësuan edhe letërsinë shqiptare, duke përmendur me emër, vetëm shkrimtarin e njohur Ismail Kadare dhe romanin e tij, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, i sapo përkthyer dhe botuar edhe në Francë. Për më shumë rreth kësaj, etj, po publikojmë, bisedën e Enver Hoxhës, me shkrimtarin dhe akademikun e njohur rumun, i cili një vit më pas, ndërroi jetë në Rumani, në moshën 83 vjeçare.
DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E BISEDËS SË BËRË NDËRMJET ENVER HOXHËS DHE SHKRIMTARIT E AKADEMIKUT TË NJOHUR RUMUN ME ORIGJINË SHQIPTARE, VIKTOR EFTIMIU
Nga biseda me shkrimtarin Viktor Eftimiu
2 korrik 1971
Shoku Enver Hoxha e priti shkrimtarin rumun me origjinë shqiptare në selinë e Komitetit Qendror të Partisë dhe zhvilloi me të një bisedë të ngrohtë.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë se na erdhët. Jemi shumë të gëzuar që erdhët në vendin tonë, që është edhe vendi juaj i lindjes. Populli ynë ka dashur që ju të vinit edhe më përpara në Shqipëri, në vendlindjen tuaj, të cilën nuk e keni harruar.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Edhe dëshira ime ka qenë që të vija më përpara. Megjithatë vazhdimisht kam ndjekur me admirim përparimet e vendit, patriotizmin e popullit shqiptar, rininë e mrekullueshme, të thjeshtë, të vullnetshme e krenare, njerëzit tuaj të zotë me një disiplinë të fortë, që nuk marrin parasysh asnjë vështirësi dhe që vënë mbi të gjitha interesat e popullit. E gjithë kjo situatë e krijuar në Shqipërinë e re është arritur në sajë të udhëheqjes suaj të mrekullueshme e të lavdishme.
SHOKU ENVER HOXHA: Ju jeni i njohur nga të gjithë njerëzit tanë jo vetëm si njeri me vlerë e kulturë të madhe, që keni dhënë një kontribut të madh edhe për popullin rumun, por edhe sepse nuk e harruat kurrë vendin tuaj. Sigurisht ju keni dashur dhe keni pasur mall për Shqipërinë, keni pasur besim se kjo do të fitonte pavarësinë, për të ndërtuar pastaj një jetë më të mirë për popullin. Këtë ju e keni ndier dhe e keni shkruar.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Ju jeni sot një nga njerëzit e mëdhenj të Evropës. Jam shumë i lumtur që erdha t’Ju shoh Ju dhe vendin tim që e kam dashur gjithmonë dhe më vjen keq, që nuk kam mundur të vij këtu shumë kohë përpara.
SHOKU ENVER HOXHA: Unë vetë kam jetuar në Korçë, ku kam mbaruar edhe studimet e mesme, prandaj e njoh mirë Boboshticën, vendlindjen tuaj. Kur ishim të rinj, të shtunave shkonim në Dardhë, në Boboshticë, në Dvoran e fshatra të tjera pranë qytetit. Shkoja nganjëherë me disa shokë te një fshatar në Boboshticë dhe qëndronim shtrirë në bar bashkë me të. Ai kishte dy mana, me të cilët kënaqesha kur ishin mbushur plot me kokrra. “Pse nuk hani mana”, na thoshte ai, megjithëse ishte shumë i varfër dhe ndoshta jetonte me prodhimin e rakisë, që nxirrte nga këta dy mana. Ai kishte dëshirë të na jepte dhe të na kënaqte, gjë që provonte se zemrën e kishte shumë të mirë.
Kur të shkoni nga Korça në Boboshticë, do të shihni se atje ka shumë mana. Për popullin e Boboshticës, do të jetë një ngjarje me rëndësi të presë në gjirin e vet shkrimtarin e madh. E mjeruar ishte para çlirimit gjendja te ne. Por kjo gjendje e varfër e klasës punëtore, e fshatarësisë dhe e gjithë popullit tonë kaloi përgjithmonë, se populli luftoi vetë dhe fitoi. Edhe ju keni luftuar për popullin, prandaj armiqtë e tij ju kanë bërë të vuani, por ju, me ndihmën e popullit, keni triumfuar gjithmonë. Këtë populli, me Partinë tonë të Punës në krye, nuk e harrojnë kurrë.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Duhet ta duam dhe të punojmë që ta çojmë popullin gjithnjë përpara, se ai ka dhënë gjithçka për ne.
SHOKU ENVER HOXHA: Ne u themi shokëve të rrojmë të gjithë gju më gju me popullin, ta dëgjojmë dhe ta kuptojmë atë, t’ia kuptojmë dhe t’i zbatojmë gjithmonë dëshirat e tij. Partia na mëson të mos e harrojmë kurrë këtë. Lidhjet me popullin na e dhanë neve fitoren dhe, i udhëhequr drejt nga Partia, populli ynë patriot fitoi besim në vetvete dhe ushqeu besim të pakufishëm te Partia. Gjatë kohës së luftës, ne nuk e preknim pasurinë e popullit, prandaj vetë masat e popullit bukën që kishin, qoftë edhe një kafshatë, e ndanin me ne, me komunistët dhe partizanët. Pas çlirimit patëm vështirësi të mëdha, por në një kohë shumë të shkurtër i kapërcyem ato, pse populli, ashtu siç u mobilizua në luftën për çlirim, iu përvesh edhe punës ndërtimtare me një entuziazëm të madh, të papërshkrueshëm.
Kjo, forca e popullit, ishte diçka e mrekullueshme. Në fillim ne nuk kishim shumë gjëra, na mungonin edhe sendet më të domosdoshme, nuk kishim as kuadro, inxhinierë, specialistë e të tjerë dhe i bënim pyetjen vetes: “Si t’ia bëjmë që të ndërtojmë vendin, rrugët, shkollat, ndërtesat etj”? Atëherë i bëmë thirrje rinisë dhe në më pak se dy vjet, rindërtuam çdo gjë që qe shkatërruar gjatë luftës.
Njëkohësisht iu vumë mësimit. Partia dha direktivën që kush dinte të shkruante, të shkonte të organizonte punën e mësimit në popull, t’i mësonte atij gjithçka që dinte për vete. “Merrni pllakën e zezë dhe shkoni në popull ta ishte thirrja që u bëri Partia të gjithë atyre që dinin shkrim e këndim. Dhe tash kemi arritur një përparim të përgjithshëm, ngritëm Universitetin tonë dhe një numër shkollash të tjera të larta; krijuam një brez të mirë shkrimtarësh dhe artistësh popullorë.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Të gjitha të shkëlqyeshme.
SHOKU ENVER HOXHA: Shumica e këtyre nuk janë profesionistë, ata janë më tepër kuadro me talent, të dhënë pas krijimtarisë, që akoma e kanë jetën përpara, që frymëzohen dhe si shembull të madh kanë popullin.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Ju keni folur shumë mirë dhe keni shumë të drejtë për këtë.
SHOKU ENVER HOXHA: Ne tash jemi në pragun e shtrimit të direktivave të planit të pestë pesëvjeçar, i cili i hap popullit tonë perspektiva edhe më të mëdha. Gjatë këtij pesëvjeçari, do ta zhvillojmë më tej industrinë, do të ndërtojmë hidrocentrale të tjera, fabrika e kombinate të reja, rrugë e hekurudha të tjera do të përshkojnë Shqipërinë, do të shtohen më shumë prodhimet bujqësore. Në fillim punuam për të tharë kënetat në zonat fushore, tani u jemi qepur më shumë kodrave e maleve, për t’i bërë ato pjellore si dhe fushat. Qysh në fillim ne u nisëm nga synimi fisnik, që populli ynë të mos vuante më për kafshatën e gojës. Ju ndoshta nuk keni vuajtur ndonjëherë ekonomikisht, por ne e dimë se babai juaj, ka qenë i varfër, prandaj e kuptoni lehtë ç’do të thotë të luftosh për të zhdukur varfërinë.
Populli rumun, ka ushqyer gjithnjë ndjenja miqësore, për popullin shqiptar. Gjatë periudhës së Rilindjes shqiptare, patriotët tanë që kanë punuar në atë kohë në Rumani, kanë gjetur lehtësi për të zhvilluar veprimtarinë e tyre patriotike, me botime etj., që të zhvillohej kultura e popullit dhe, nëpërmjet saj, të mbaheshin lart ndjenjat kombëtare. Ëndrra e rilindësve në këtë drejtim është bërë sot realitet te ne. Partia ka bërë që të zhvillohen në masë kultura dhe arsimi jo vetëm në qytet, por edhe në fshat dhe jo vetëm në zonat e pasura fushore, por edhe në majë të maleve. Partia punon që jo vetëm këta 2 milionë ose 2.5 milionë njerëz, sa do të bëhemi në mbarim të këtij pesëvjeçari, por edhe kur të arrijmë të jemi 5 milionë dhe më shumë, të gjithë të punojnë dhe të jenë në gjendje të jetojnë mirë.
Te ne gjithçka bëhet për lumturinë e popullit, për të siguruar drejtësinë dhe demokracinë në vend, pse drejtësia dhe demokracia janë çështje të popullit, të cilat nuk lejojmë që t’i shkelë kush. Partia jonë punon shumë me rininë, i bën asaj të ditur fatet e të parëve dhe baballarëve, se brezi i ri, sheh vetëm atë që sot njerëzit në vendin tonë rrojnë të lumtur dhe nuk ka njohur as vuajtjet dhe as luftën e shkuar. Nga ana tjetër, ne e mësojmë rininë të mos harrojë se imperializmi synon ta prishë lumturinë e popullit, lirinë tonë, prandaj barutin duhet ta mbajë, siç bën tërë populli, kurdoherë të thatë. Populli shqiptar, nuk ka frikë të luftojë dhe këtë e ka treguar gjatë shekujve. Unë të konsideroj vëlla, se në fakt vëllezër të një gjaku jemi, shoku Viktor, prandaj të flas hapur.
Ne u themi të rinjve e të rejave të punojnë, të studiojnë, të mësojnë dhe të sakrifikojnë për popullin, që ai të jetojë i lumtur. Këto ua theksojmë atyre se ka edhe që mendojnë se, me të mbaruar studimet, u bënë të ditur, “dijetarë”. Partia u tërheq vëmendjen, i këshillon të mos mendojnë kështu. Njeriu duhet të mësojë tërë jetën dhe prapë duhet ta ketë të qartë se nuk ka më të ditur se populli, nuk ka më të urtë dhe më të mençur se ai, se gjithçka që është realizuar, ka dalë nga puna e nga eksperienca e madhe shekullore e popullit. Ne kemi akoma shumë për të bërë që të plotësojmë nevojat e popullit, të cilat janë të mëdha; kemi akoma shumë për të ndërtuar, prandaj na vihet detyrë që të punojmë gjithnjë pa u lodhur. Ju keni qenë shumë i vogël, kur jeni larguar nga atdheu, i cili që nga ajo kohë ka bërë ndryshime të mëdha.
Ndryshime të mëdha, pra, ka e sotmja me të djeshmen në vendin tonë. Me sytë tuaj, keni parë shumë vende në botë, po jemi të sigurt se Shqipërinë e shikoni me zemër. Te ne ka edhe të meta e gjëra që s’janë bërë akoma, por zemra juaj e ndien se ato boshllëqe që na ka lënë e kaluara, do të ndreqen dhe koha për këtë nuk do të jetë e largët. Marsel Kasheni, bëri një vizitë në Shqipëri 3-4 vjet para se të vdiste. E kam takuar dhe kam folur personalisht me të. Ishte njeri i mirë, një nga mbrojtësit më të vendosur të marksizëm-leninizmit në Francë. Kur u kthye në vendin e vet ai u thoshte francezëve: “Në qoftë se do të shkoni sot në Shqipëri, mos u tallni me rrugët e saj. Kini parasysh se edhe Parisi që është kaq i bukur, nuk u ndërtua në disa vjet, po janë dashur shekuj për ndërtimin e tij. Ndërsa Shqipërisë, i jepni 10-15 vjet kohë dhe atëherë gratë mund të venë të shëtitin në bulevardet e saj, me këpucë me taka”.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Sikurse u theksova të pranishmëve, dje, në mbledhjen që ishte organizuar për mua, sakrificat e secilit, sakrificat e njerëzve të thjeshtë e intelektualë për madhështinë e këtij vendi do të krijojnë kushte që ky popull i vogël të bëhet një komb i madh.
SHOKU ENVER HOXHA: Unë e lexova fjalimin tuaj të djeshëm. Ai ishte një fjalim i mrekullueshëm, i thurur me fjalë e ndjenja të dala nga mendja e një njeriu të zhvilluar e të kulturuar, e një njeriu që u flet masave me dashurinë e popullit, që u flet artistëve dhe shkrimtarëve me zemër, me ndjenja të thella vëllazërore. Prandaj, shkrimtarët dhe artistët tanë, kanë shumë respekt për ju, për talentin tuaj, që do të mbetet i pavdekshëm, sepse në veprat që keni krijuar, ju shprehni ide të qarta popullore, që prekin zemrat e njerëzve të thjeshtë dhe ai që bën të prekin zemrën e njeriut të popullit, nuk vdes kurrë. Ka edhe të tjerë që shkruajnë, por masat i hedhin në shportë veprat e tyre, kurse njerëz si ti ka pak.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Këtë unë e ndiej sinqerisht në fjalët Tuaja.
SHOKU ENVER HOXHA: Shqiptarët nuk dinë të bëjnë komplimente sa për sy e faqe, atë që kanë për të thënë e shprehin haptazi, pa druajtje dhe qartë, si ujët që del në burimin pranë shkëmbit. Ne që kemi vuajtur shumë, themi kurdoherë të vërtetën.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Tani që Ju pashë dhe po Ju dëgjoj vetë, e kuptoj edhe ca më mirë, përse i gjithë populli shqiptar, Ju ndjek pas, përse Ju do kaq shumë. Me këtë, Ju keni arritur një fitore të jashtëzakonshme.
SHOKU ENVER HOXHA: Ne na u bë shumë qejfi që erdhët dhe dëshirojmë që të qëndroni në Shqipëri sa më shumë, sepse duam t’ju kemi në gjirin tonë të ngrohtë, për një kohë sa më të gjatë. Por këtë e lëmë në dorën tuaj të vendosni.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Kam qenë një herë në Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit dhe jam takuar me të. Ai ka qenë njeri i madh. I thashë atëherë Stalinit, se më duhej një kohë e gjatë për të vizituar atdheun e tyre të madh dhe ai m’u përgjigj me buzëqeshje të këndshme: “Kush ju ndalon? Shikojeni, shikojeni”!
SHOKU ENVER HOXHA: Sidoqoftë, ju do të jetoni gjatë. Ne duam të rroni sa malet tona, që të vini edhe herë të tjera në Shqipëri, ku do të gjeni gjithmonë mikpritjen më të ngrohtë vëllazërore, si biri i këtij populli. Prandaj dëshirojmë të jeni i fortë, që shëndeti juaj, të jetë gjithmonë i mirë.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Që kur kam ardhur në Shqipëri, e ndiej sikur po më vijnë forca të reja, sikur po ripërtërihem.
SHOKU ENVER HOXHA: Populli shqiptar dhe populli rumun kanë nevojë për njerëz kaq të mirë si ju. Dashuria për popullin dhe atdheun të bën të ri, të rinon, sepse populli është gjithmonë i ri. S’ka dyshim që mbi organizmin, me kalimin e kohës, duam s’duam ne, veprojnë ligjet e natyrës, por, duke i njohur këto ligje, ne do të bëjmë që të jetojmë sa më shumë. Një profesor, i quajtur Rostand, ka shkruar mjaft për gjëra të tilla. Ai i këshillon njerëzit të kenë kurajë, të mos lëshohen kur kalojnë vitet. Prandaj kur të shkoni në rrethin e Korçës, në Drenovë e në Boboshticë, do të shikoni se si do të bëheni, fizikisht, edhe 30 vjet më i ri.
Kur isha student, siç ju thashë, shkoja shpesh me shokët nga Drenova e Boboshtica dhe e këndonim përherë “Një ditë shkova nga Drenova, pashë një vajzë të re…”. Ishim të rinj dhe na pëlqente mjaft kjo këngë. Atëherë ekzistonte edhe një kor që, midis të tjerave, këndonte këngë të tilla. Ky kor bile është edhe sot, por tash i thonë “Kori i pleqve”. Shumë nga ata që rrojnë akoma, por që dikur ishin të rinj, si, për shembull, Ilo Moskoja e të tjerë, aty këndojnë këngët e vjetra të Drenovës e të Boboshticës. Mos harroni, shoku Misto, tani që do të shkoni në Korçë me shokun Viktor, të organizoni një koncert për nder të mjeshtrit, me këngë të këtij kori, me këngë nga folklori i fshatit të tij të lindjes dhe atëherë të shohë miku i nderuar, se si do të bëhet vërtet më i ri.
Mistoja është vetë nga Korça, kurse unë jam nga Gjirokastra dhe na vjen mirë kur dëgjojmë të flitet për qytetet tona. Kam qenë edhe unë 2-3 herë në Rumani, kur jetonte Dezhi. Për herë të parë, atje shkova ilegalisht, por në aerodrom më priti Dezhi, i cili më mori në veturën e vet. Kur u ula në makinë, diçka e fortë më vrau prapa. Kur vë dorën, kujtohem se ishte pistoleta “Mauzer” që mbaja. Atëherë ishin kohë shumë të vështira, prandaj arma duhej mbajtur me vete. Dezhi më tha të shkonim te një miku i tij, jashtë Bukureshtit, për të biseduar. Ky qe një fshatar komunist, që kishte një shtëpi të bukur fshati dhe nënën shumë mikpritëse. Pikërisht në këtë shtëpi, diskutuam me Dezhin. Atë fshat dhe muzeun e tij, që ishte shumë interesant, ne i vizituam mirë. Muzeu, sidomos, ishte atje objekti i vetëm dhe përmbante mjaft gjëra karakteristike të fshatit.
Aty kishin të ekspozuara shtëpi të ndryshme të fshatit, objekte etnografike, etj. Populli rumun është i kulturuar. Pastaj prej andej shkuam në Komitetin Qendror. Kur hapëm portën, për të hyrë në dhomën ku ndodhej Kishinjevski, pamë se e gjithë dhoma ishte mbushur plot me bankënota, pse, siç na thanë ata, vetëm atje i kishin të sigurta. Pas diskutimeve shkuam në ish-Pallatin Mbretëror, një ndërtesë e vogël e bukur me harqe. Edhe atje bëmë një mbledhje, pastaj vajtëm për të fjetur. Më kujtohet që në një nga dhomat ndodhej mbi tavolinë një libër i madh, që ishte albumi Mbretëror.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Do të dëshiroja të bëja një përkthim nga veprat e letërsisë shqipe. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i shkrimtarit Ismail Kadare, më duket, është një vepër letrare burrërore shumë e lartë, nga më të mirat e letërsisë së sotme botërore.
SHOKU ENVER HOXHA: Duke i çmuar në këtë mënyrë shkrimtarët tanë, vlerësimi juaj është një inkurajim i madh për ta.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Ka shkrimtarë të tjerë të këtij rangu?
SHOKU ENVER HOXHA: Sigurisht, ka edhe të tjerë të këtij rangu, po ndaj letërsisë sonë, shtypi borgjez ka organizuar komplotin e heshtjes. Me botimin e këtij romani të Ismail Kadaresë, është hapur një dritare në botë. Megjithatë në letërsinë tonë ka edhe vepra të tjera letrare, po aq të mira sa edhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Po marr atëherë edhe një pjesë teatrale shqiptare ta përkthej, pastaj do të bisedoj për ta vënë në skenë, në teatrin rumun.
SHOKU ENVER HOXHA: Ka një interesim të madh jo vetëm brenda, po kudo edhe jashtë, për letërsinë tonë. Tani, kudo në botë, njerëzit interesohen më shumë për të dhe konstatojmë më në fund se shkrimtarët tanë po çajnë.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Do të jem i lumtur që do të jetoj këto ditë me popullin e vendlindjes dhe do të shikoj se si ka ndryshuar Boboshtica, që nga koha e rinisë sime.
SHOKU ENVER HOXHA: Edhe Korça ka ndryshuar shumë, janë ndërtuar rrugë të tëra të reja, me shtëpi banimi e dyqane, vepra të rëndësishme industriale, si Fabrika e Trikotazhit, Uzina e Instrumenteve dhe shumë fabrika të tjera. Bujqësia sidomos është zhvilluar mjaft në krahasim me të kaluarën. Korça është një nga rajonet më të zhvilluara të bujqësisë në Shqipëri. Në kooperativat bujqësore të këtij rrethi, tani fillon korrja. Siç do ta shikosh vetë, brigje të tëra që deri dje ishin djerrë, sot janë pyllëzuar,, me pemë frutore. Në Korçë ka shumë mollë, por ka edhe vreshta. Bile tani atje kanë mësuar ta prodhojnë verën, si duhet.
Një shkrimtar francez i quajtur Monmuso, një shok shumë i mirë, vizitoi njëherë Shqipërinë dhe, megjithëse në moshë të kaluar, shkoi edhe në Korçë, në kohën e vjeljes së rrushit. Ai kujtoi me këtë rast, stinën e vjeljes së rrushit në Shampanjën e tij. Në Korçë, Monmusoi këndoi e kërceu, si ndonjë i ri dhe mbeti shumë i kënaqur. Kur u takuam, biseduam për shumë gjëra dhe, për gjithçka pa në vendin tonë, më fliste me shumë entuziazëm, por për verën tonë, na bëri vërejtje. Më vonë prodhimi i verës është përmirësuar shumë, prandaj verën e eksportit tonë, e kërkojnë shumë në mjaft vende të botës se, është e pastër. Atë na e kërkojnë deri anglezët e francezët, po edhe të tjerë, se është e mirë.
Ata që ia kanë vënë synë ndonjërës prej llojeve të verërave tona dhe e kanë zgjedhur, nuk e braktisin më, sepse ne nuk bëjmë hile, sikurse bëjnë jashtë në industrinë e pijeve. Prodhuesve dhe punonjësve tanë të tregtisë u kemi vënë detyrë që të jenë kurdoherë të ndershëm, sepse në tregti ne nuk nisemi vetëm nga nevoja që të shesim produktet tona, por të ruajmë edhe zërin e mirë të Shqipërisë në drejtim të ndershmërisë dhe të pastërtisë. Duke vepruar kështu, ka shumë raste që tregtarë të ndryshëm, i lakmojnë prodhimet e vendit tonë, se kanë krijuar besim që prodhimet tona të eksportit, janë pa hile. Kësisoj vendi ynë do të bëhet edhe më i njohur. Ne kemi vuajtur shumë nga të huajt në këto drejtime, prandaj s’lejojmë t’u bëjmë dëm të tjerëve me produktet tona. Ne luftojmë për ndershmëri, në të gjitha drejtimet.
SHOKU VIKTOR EFTIMIU: Ju keni bërë shumë sakrifica për të arritur të gjitha këto suksese dhe në të gjitha fushat e jetës. Jam shumë i lumtur që erdha në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë, që Ju takova dhe Ju pashë me sy. Unë pashë në Shqipëri forcën e popullit dhe dashurinë e madhe që ka ai, dhe sidomos rinia, për Ju. sepse Ju bëni gjithë këto sakrifica, jo për lavdinë Tuaj personale, por për lumturinë e atdheut dhe për të mirën e popullit. Prandaj e shikoj me besim të ardhmen e lumtur dhe madhështinë e këtij vendi.
SHOKU ENVER HOXHA: Ju falënderoj për fjalët e ngrohta e të përzemërta, të cilat nuk do t’i harrojmë kurrë. Ato janë një inkurajim i madh për ne. Ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj. Jetë të gjatë dhe rrugë të mbarë!
(Botohet për herë të parë, sipas shënimeve të mbajtura në këtë takim, që gjenden në Arkivin Qendror të Partisë).
Kush ishte Viktor Eftimiu?
Më 27 nëntor 1972, në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, një nga qendrat më të njohura të veprimtarisë atdhetare, politike, shoqërore e kulturore të shqiptarëve në të kaluarën, vdiq shkrimtari i madh rumun me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu, i cili prej vitit 1905, kur botoi vjershën e parë, e deri në vdekje, shkroi më shumë se 120 vepra të ndryshme letrare (poezi, tregime, novela, drama, romane, kritikë letrare e teatrore, shënime udhëtimi, publicistikë, etj.), duke e pasuruar letërsinë rumune dhe atë të përbotshme, me vepra të një niveli të lartë artistik.
I lindur në janar të vitit 1889, në katundin Boboshticë të Korçës, Viktor Eftimiu që në moshën 9-vjeçare, ishte detyruar ta linte vendlindjen e të merrte rrugën e mërgimit bashkë me familjen. Qe vendosur në Rumani, ku asokohe kishin vajtur shumë bashkatdhetarë të tij, disa për të siguruar kafshatën e gojës, e një pjesë e mirë, për t’u marrë me veprimtari patriotike, meqenëse atdheun e tyre të pushtuar nga turqit e kishte pllakosur vuajtja e mjerimi i madh dhe çdo nismë e atdhetarëve për të bërë ndonjë lëvizje, mbytej me dhunë e me gjak.
Shkollën fillore që e kishte filluar në vendlindje në gjuhën greke, ngase shkolla shqipe vetëm mund të ëndërrohej gjatë pushtimit të egër osman (pushtues për të cilin disa trutharë sot thonë se ka bashkëjetuar me popullin shqiptar, ndërkaq pasardhësit e atyre hordhive të egra i quajnë vëllezër), Viktori e vazhdoi në Bukuresht, në gjuhën rumune. Ai nuk pati vështirësi me gjuhën. Për një kohë fare të shkurtër arriti ta përvetësonte rumanishten aq mirë, sa të mos dallohej nga bashkëmoshatarët e tij rumunë.
Që në moshë të re, u ballafaqua me vështirësitë e jetës, kështu që u detyrua të punonte dhe, njëherësh, të shkollohej. Nga mosha 16-vjeçare, kur kishte botuar vjershën e parë në revistën “Shpresa”, emri i tij kishte filluar të dukej gjithnjë e më shpesh nëpër faqet e gazetave e të revistave rumune të kohës. Krijimet e para poetike, poeti ia kushtoi plagës së rëndë shoqërore të kohës, mërgimit, ngase vetë ishte mërgimtar dhe më mirë se kushdo i ndiente dhembjet e kësaj plage. Shumë prej krijimeve të tij të para, i përshkon malli për vendlindjen, të cilën, megjithëse e kishte larg, e mbante vazhdimisht në mendje e në zemër. Veprat e periudhës para Luftës së Dytë Botërore, sikundër edhe ato të mëvonshmet, përshkohen nga fryma atdhetare e humanizmi i thellë shoqëror.
Gjatë afro shtatë dekadave, sa u mor me krijimtari letrare, Viktor Eftimiu, shkroi vepra gjinish të ndryshme, ndër të cilat, këtu po i përmendim vëllimet poetike ‘Poemat e vetmisë’,Kandilat e shuar’, ‘Mjellmat’, ‘Kënga e keqardhjes’,‘Nata e nëndheshme’, ‘Pasqyrat’,‘Himn gjuhës’ e të tjera, dramat; ‘Na ishte mos na ishte’ (kjo dramë është vënë në skenë më shumë se një mijë herë), ‘Këndesi i zi’,‘Akim’, ‘Glafira’,‘Mjeshtri Manole’,‘Don Zhuani’, ‘Thebaida’,‘Prometheu’ etj., komeditë; ‘Inspektori i bretkosave’,‘Fundi i botës’,‘Parada’ dhe ‘Njeriu që pa vdekjen me sy’ (kjo komedi është vënë në skenat rumune e të huaja më shumë se dy mijë here dhe e kanë vënë në skenë edhe teatrot shqiptare në Shqipëri e në Kosovë), romanet ‘Dy kryqe’,‘Njeriu pa emër’, ‘Një dashuri në Vjenë’, ‘Kimoni me yje’, etj., vëllimet me tregime; ‘Pa shpirt’,‘Dhuratë për dasmë’,‘Rrëfimi i një klouni’,‘Në burgjet e Stambollit’, etj., vëllimet publicistike; ‘Magjia e fjalëve dhe Akademos’, vëllimet për të vegjël ‘Fëmijët e Kinës’,‘Njeriu i vogël’,‘Lepuri i tortës së ëmbël’,‘Trimi i kodrave’ etj.
Vepra me brumë shqiptar, janë romani ‘Dy kryqe’, novelat ‘Risto Dardha’, ‘Katelina’, ‘Smail Dënusha’ dhe vjersha të shumta, të cilat i përshkon malli për vendlindjen dhe për bashkatdhetarët, me të cilët kishte pasur rastin të çmallej gjatë vizitës së tij të fundit, që kishte bërë në Shqipëri, në maj të vitit 1972. Kjo vizitë, pritja madhështore që i kishin bërë, sidomos bashkëfshatarët e Boboshticës, i kishin lënë mbresa të pashlyeshme. S’kishin kaluar as dy muaj të plotë nga kjo vizitë e tij në Shqipërinë e atëhershme socialiste dhe unë, bashkë me shokun tim të studimeve, Baki Ymerin (i cili aktualisht jeton në Bukuresht të Rumanisë, është kryeredaktor irevistës ‘Shqiptari’ krijues letrar, publicist, përkthyes dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare), kishim pasur nderin ta takonim këtë personalitet të madh në shtëpinë e tij, në lulishten Çishmixhiu.
Me ç’rast, përpos që kishim biseduar për letërsinë e për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar që po jetonte nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës dhe për popullin shqiptar në ish-Jugosllavi, i privuar nga të gjitha të drejtat elementare, jo vetëm kombëtare, e kishim parë gjithë udhëtimin e Eftimiut, përjetësuar në qindra fotografi. Duke i parë ato fotografi që kishin fiksuar atë pritje aq të ngrohtë, aq madhështore që i ishte rezervuar Viktor Eftimiut, ngado që kishte shkuar, që nga Boboshtica e tij e, deri te pritja e përzemërt në Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë, na dukej sikur dhe ne kishim qenë pjesë e asaj ngjarjeje, e atyre emocioneve të paharrueshme, në kohën kur Shqipërinë, nuk mund ta shihnim as në televizor.
Për ndihmesën shumë të madhe e të çmueshme që i ka dhënë letërsisë rumune, Viktor Eftimiu, është nderuar me tituj të lartë, si akademik, kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, ka qenë anëtar nderi i disa akademive evropiane dhe ka qenë shkrimtari i vetëm në Rumani, të cilit i është ngritur busti në të gjallë të tij. Memorie.al
Hajro HAJRA, Arizonë, SHBA
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016