Nga Dashnor KALOÇI
Pjesa e katërt
Memorie.al / Më 23 shtator të vitit 1979, 45 vite më parë, ndërroi jetë në një klinikë mjekësore të Parisit, Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PPSh-së, i cili që nga mesi i viteve ’50-të, (kur Enver Hoxha eliminoi fizikisht apo, burgosi e internoi disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë), konsiderohej figura nr. 2 e regjimit komunist, pas Enver Hoxhës. Hysni Kapo, apo “Besniku i Partisë”, siç i pëlqente Enverit ta quante në librat dhe veprat e tij, (kryesisht pas vdekjes) , në shtatorin e vitit 1979, ishte i shtruar për vizita e mjekime në klinikën e Parisit, shoqërohej nga Ramiz Alia, ndërsa një vit më parë, në periudhën tetor-dhjetor 1978, kur ai ishte po për vizita dhe mjekime në Paris, e shoqëronte Kadri Hazbiu. Vdekja e Hysni Kapos, ishte e dyta që ndodhte në radhët e udhëheqjes së lartë të PPSh-së, (pas asaj të Gogo Nushit në 1970-ën), dhe ajo vdekje është përfolur gjatë, madje që ato ditë, kur Vito Kapo, bashkëshortja e tij, i tha ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut: “…Na e vranë Hysninë…”?! Dhe Hazbiu aty për aty, iu përgjigj: “Pse më thua mua…, drejtoju atij”, – duke i bërë shenjë me dorë, nga vila e Enver Hoxhës.
Ky fakt, apo kjo dëshmi lidhur me bisedën e Vito Kapos me Kadri Hazbiun, është bërë e ditur publikisht, nga ish-kuadri i lartë i Zbulimit Shqiptar, Hasan Luçi (që mbulonte mërgatën politike shqiptare në Perëndim), në një intervistë (në fillimin e viteve 2000, në “Gazeta Shqiptare”), ku ai ka hedhur dyshimet e tij, se vdekja e Hysni Kapos, nuk ishte natyrale, nga ajo që u tha zyrtarisht, “kanceri në pankreas”! Nuk dihet me saktësi, nëse Vito Kapo, e kishte biseduar me njeri tjetër, atë që i tha Kadri Hazbiut, por dy tre ditë më pas, ajo u thirr në një takim nga Enver Hoxha, ku ai, (Enveri), pas i bëri të ditur edhe njëherë Vitos, variantin zyrtar të vdekjes së Hysniut, i kërkoi që; “të kishte besim te Partia” dhe; “të mos besonte fjalët që përhapte armiku”! Pra; “të mos kishte asnjë dyshim për vdekjen e Hysniut, për të cilën Partia bëri të pamundurën”!
Takimin që bëri me Vito Kapon, Enveri e ngriti dhe në një mbledhje të Byrosë Politike, duke u bërë me dije “shokëve të Byrosë”, “lidhur me fjalët që përhapte armiku për Hysninë, gjë të cilat fatkeqësisht, i merrnin si të mirëqena, edhe familjarët e tij, madje deri te shoqja Vito”! Po kështu, dyshime, apo rezerva, mbi vdekjen e Hysni Kapos, kanë hedhur edhe disa nga pjesëtarët e grupit të tij të shoqërimit, që gjendeshin në Paris. Dyshimet e tyre, ata i kanë dhënë me shkrim dhe me gojë, pranë grupit operativ special që kryesohej nga Zylyftar Ramizi, (Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht zv/ministër i Punëve të Brendshme në atë kohë), i cili u ngrit në vitin 1982, menjëherë pas arrestimit të “Grupit armiqësor” të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. Si p.sh., Nexhip Pajo, shoqëruesi i Hysni Kapos, i cili në letrën drejtuar ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, më datën 29 tetor 1982, midis të tjerash i shkruan: “Jam Nexhip Pajo, ish-oficer i Drejtorisë së Dytë të Ministrinë së Punëve të Brendshme, tani pensionist. Në vitin 1979, kur shoku Hysni Kapo ishte në Paris (Francë) për t’u kuruar, unë bëja pjesë në grupin e oficerëve shoqërues të tij.
Mbas vdekjes së tij, kur u kthyem që andej, unë kam informuar në Komitetin e Partisë së Ministrisë, ish-sekretarin e atij Komiteti, Bato Karafili, për disa të meta dhe veprime të dënueshme në drejtim të shërbimit ndaj udhëheqësit Hysni Kapo dhe familjes së tij, që ndodhej atje në Paris, nga ana e ish-zv/drejtorit të Drejtorisë së Dytë, për shërbimin tonë atje, Servet Backa, të Fejzo Bijos, zv/drejtorit të Drejtorisë së Pritjes, të Llambi Ziçishtit, përgjegjës për Shëndetësinë. Ditën e fundit të konkluzioneve që do të bënim në zyrën e Feçor Shehut, mua më ka marrë në telefon nga shtëpia e shokut Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, i cili më kishte kërkuar me urgjencë, duke lënë porosi të personeli i shtëpisë, që unë ta merrja në telefon. Me të më njoftuar, unë e mora Kadriun në telefon dhe ai menjëherë, m’u drejtua: “Dëgjo, sot ju keni atë mbledhjen e fundit, lidhur me shërbimin tuaj në Paris, prandaj ki kujdes dhe tregohu më i arsyeshëm dhe më me partishmëri, për ato që ke ngritur, sepse i ke fryrë shumë dhe në mënyrë tendencioze”.
Atëhere iu përgjigja po në telefon: – Nga i keni verifikuar këto, që nuk qenkan të vërteta? “Unë i di mirë këto, e njoh shumë mirë Servet Backën, se ai është komunist i ndershëm dhe i sprovuar dhe nga ana tjetër, ai i biri i botës (d.m.th., Serveti), është bërë si i çmendur dhe vjen e më qan në zyrë si fëmijë”, – m’u përgjigj ai. – Do të ishte mirë që ai të mos qante aty në zyrën tënde, por të qante atje në Paris, ku qanim të gjithë ne, për fatkeqësinë që na kishte gjetur, por ne atje qanim dhe pinim lot, ndërsa Servet Backa, Feçor Shehu, Fejzo Bijo dhe Llambi Ziçishti, pinin raki dhe hanin bërxolla”.
Të gjitha sa më sipër, (si dhe letra e Nexhpip Pajos që është botuar e plotë nga Memorie.al), apo të tjera dëshmi ku flitet apo bëhet e ditur mbi vdekjen e Hysni Kapos, janë të njohura nga dokumentet arkivore të ish-Komitetit Qendror të PPSh-së, (që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, fondi 14, aparati dhe organet drejtuese), të cilat janë botuar në shtyp, pas viteve ’90-të dhe ndër të vetmet gjëra që nuk janë bërë publike deri më sot, janë letra e Kadri Hazbiut drejtuar Enver Hoxhës, (25 faqe me makinë shkrimi), për shërbimin që kishte bërë në Paris pranë Hysni Kapos, si dhe dosja voluminoze me kartelën përkatëse mjekësore të Hysni Kapos, e konsideruar dhe cikluar, si; “Tepër sekret, e një rëndësia të veçantë” e cila fillon në 16 maj të vitit 1959 dhe mbyllet më 23 shtator 1979, ditën që ai vdiq.
Ndërsa letra e Kadri Hazbiut, dërguar Enver Hoxhës në janarin e vitit 1979, pas kthimit nga Franca bashkë me Hysni Kapon (në fund të saj, midis të tjerash ai ka shkruar: “Disa gjëra nga shërbimi im në Francë, me urdhër epror, nuk i kam pasqyruar në këtë raport-informacion…”!), thuhet se nuk gjendet në Arkivin e Shtetit, Memorie.al, ka siguruar dhe e disponon të plotë (në frëngjisht dhe në shqip), dosjen mjekësore të Hysni Kapos, të cilën po e publikojmë pjesërisht, në disa numra, bashkë me faksimilet përkatëse, ku ndodhen kartela dhe raporte mjekësore, nga mjekë shqiptarë dhe të huaj, shënime të ndryshme, epi-kriza, elektrokardiogram, rezultate dhe përgjigje analizash, konsulta mjekësh, etj., etj.
Po ashtu, aty ndodhen dhe shënimet e Enver Hoxhës, të cilat po i publikojmë bashkë me faksimilet dhe fotot përkatëse, që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit, si ato të bërë në Paris, ashtu dhe ato të bëra në aeroportin e Rinasit, kur u soll arkivoli me trupin e tij, si dhe varrimin e tij, ku mori pjesë Enver Hoxha dhe e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së.
RAPORT-INFORMACIONET SEKRETE TË DREJTORIT TË KLINIKËS SPECIALE, DR. PAVLLO MILO, NË VITET 1975 – 1978, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS DHE REKOMANDIMET E EKIPIT TË MJEKËVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë më 29.12.1975
POLIKLINIKA SPECIALE “SEKRET”
Nr.__1/35___
KOMITETIT QENDROR P.P.SH.
TIRANË
Shoku Hysni Kapo është operuar dy herë në duart, gjatë 12 ditëve intervali, një operacion nga tjetri. Pas dy operacioneve pati komunikacione: një herë bronkopneumoni dhe mbas operacionit të dytë, një humbje të ndërgjegjes, me kriza lipotimie.
Tani gjendja e tij e përgjithshme, është dobësuar.
Duke marrë parasysh se vuan nga diabeti me koronaropati, është e domosdoshme të bëjë një pushim shëndetësor, prej 2 (dy) javësh.
PËR KOMISIONIN MJEKËSOR
(Dr. Pavllo Milo)
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë më 16.1.1977
POLIKLINIKA SPECIALE “SEKRET”
Nr.__1/1___
KOMITETIT QENDROR P.P.SH.
TIRANË
Shoku Hysni Kapo, në fund të muajit Nëntor, pati një hematuria mikroskopike e cila, vazhdoi për një kohë të gjatë. Në datën 28.12.1976, pati një kolik renale të djathtë e cila, u përsërit dhe dy ditë më vonë. Si rrjedhim i kësaj, u shfaq një infeksion i rrugëve urinare, që u dominua me antibiotik. Në datën 7.1.1977, pacienti pësoi një bronkopneumoni bilaterale, që sot duket e resorbuar.
Duke marrë parasysh se pacienti është diabetik, me hipertrofi të prostatës, gjendjen e infeksionit urinar që kaloi para dy jave, bronkopneumoninë bilaterale të ditëve të fundit, është e domosdoshme të bëjë të paktën dy javë pushim shëndetësor, duke u mbajtur në kontroll mjekësor.
DREJTORI
Dr. Pavllo Milo
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë më 25.4.1978
POLIKLINIKA SPECIALE “SEKRET”
Nr.__15/6___
KOMITETIT QENDROR P.P.SH.
TIRANË
Shoku Hysni Kapo, kohët e fundit ka paraqitur shqetësime në formë dhimbjesh në regionin e zemrës. Konsulta mjekësore e përbërë nga Prof. Fejzi Hoxha, Doc. Ylli Popa, Dr. Dine Abazi, e mbledhur më datën 24.4.1978, konkludoi se këto dhimbje nuk kanë karakter koronarian, por megjithëatë, duke marrë parasysh punën e lodhshme e të vazhdueshme që ka pas pacienti, për një kohë të gjatë, sëmundjen e tij të diabetit, të kaluarën e tij me kriza të stenokardisë dhe shenja të insufiçensës koronare, rekomandon që; duke filluar nga këto ditë, të bëjë rreth dy javë pushim dhe në të ardhmen, të bëjë një regjim jete më të rregullt, duke evituar punën me orar të zgjatur dhe sidomos natën.
DREJTORI
(Dr. Pavllo Milo)
RAPORT-INFORMACIONET E MINISTRIT TË SHËNDETËSISË, LLAMBI ZIÇISHTI, TË VITIT 1978, MBI GJENDJEN E RËNDË SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS DHE REKOMANDIMET E MJEKËVE, PËR KURAT DHE DIETËN
INFORMACION
Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo
Gjatë natës pacienti ka qenë relativisht i qetë. Ka pasur temperaturë deri në 38.5, e cila nuk i ka vazhduar gjatë, pasi i janë dhënë antipiretikë. Pulsi është luhatur nga 90, deri në 100 në minutë, por pa çrregullime të ritmit. Tensioni arterial mbahet në shifra të kënaqshme. Frymëmarrja është e qetë dhe normale për gjendjen. Deri tani, nuk ka shenja të insuficiencës kardiake.
Në ekzaminimin elektrokardiografik të sotëm, duken qartë të dhënat e infarktit akut anteroseptal të gjerë, me tendencë për shtrirje laterale. Mjekimet vazhdojnë sipas skemës së përcaktuar nga konsulta mjekësore. Si konkluzion, infarkti i gjerë, i murit të përparshëm, gjer tani po bën ecurinë e zakonshme, pa ndërlikime, por situata mbetet akoma kërcënuese, për arsye të komunikacioneve eventuale.
Tiranë
24.6.1978 MINISTRI I SHËNDETËSISË
Llambi Ziçishti
INFORMACION
Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo
Nga të dhënat e konsultës mjekësore të orës 10.30, të datës 25.6.1978, rezulton se gjatë 24 orëve të fundit, pacienti ka bërë disa episode febrile, me temperaturë deri 38.5, e cila është dominuar me anë të antipiretikëve. Gjatë episodeve febrile, ka pasur aritmi ekstrastolike, me faza të shkurtra, që janë zhdukur në mënyrë spontane. Nuk ka pasur dhimbje stenokardike.
Në orët e vona të natës, janë dëgjuar rale staze në dy bazat pulmonare, të cilat janë interpretuar si shenja të insuficiencës kardiake. Tensioni arterial mbahet në shifra normale, me maksimale 120-130 mmhg, dhe minimale 70-80 mmhg, frekuenca e pulsit 88-100, në minutë, frymëmarrja e shpejtuar, nga 22-26 në minutë.
Në regjistrimin e fundit elektrokardiografik, vihet në dukje një shtrirje e infarktit në murin lateral, si dhe disa shenja jo të sigurta, për shtrirjen e murit inferior. Kjo mbetet për t’u konfirmuar në ekzaminimet e ardhshme. Si konkluzion infarkti, vazhdon procesin dinamik, dhe nuk ka të dhëna që zona e prekur të jetë e kufizuar.
Këto të dhëna, si dhe shenjat e insuficiencës kardiake të lehtë, që u shfaqën në mënyrë kalimtare mbrëmë, tregojnë se gjendja është kërcënuese dhe jemi në një fazë ndërlikimesh, të cilat janë të parashikuara, për të cilat janë marrë masat.
Tiranë MINISTRI I SHËNDETËSISË
25.6.1978 Llambi Ziçishti
INFORMACION
Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo
Nga të dhënat e konsultës mjekësore të datës 26.6.1978, nga ora 8.00. Gjatë 24 orëve të fundit, gjëndja e pacientit ka qënë e qëndrueshme. Ka pasur vetëm një orë temperaturë 37.5, gjatë natës. Janë regjistruar vetëm 6 ekstrasistola.
Tensioni arterial dhe pulsi, janë mbajtur në shifrat e djeshme. Në ekzaminimin elektrokardiografik, reparti mbetet njësoj si ai i djeshmi. Si konkluzion mendojmë, se në krahasim me 24 orët e kaluara, gjëndja mbetet e qëndrueshme.
Tiranë MINISTRI I SHËNDETËSISË
26.6.1978 Llambi Ziçishti
INFORMACION
Mbi gjendjen shëndetësore të shokut Hysni Kapo
Gjendja e pacientit gjatë 24 orëshit që kaloi, ka qenë si vijon:
Gjatë gjithë ditës, ka qenë pa temperaturë, ndërsa prej orës 22.00, temperatura u ngjit deri në 38 gradë dhe vazhdoi deri në orën 2.00, të datës 27.6.1978.
Tensioni arterial, ka qenë 120/70 mmhg, dhe në këto shifra, është dhe sot në mëngjes.
Pulsi është luhatur, nga 104, gjatë orëve me temperature, në 86, në orët e tjera.
Elektro kardiograma e sotme, tregon evolucionin e zakonshëm të infarktit.
Gjatë ditës së djeshme, pati një thellim të insuficiencës kardiake, të cilat sot janë tërhequr. Memorie.al
Tiranë MINISTRI I SHËNDETËSISË
27.8.1978 Llambi Ziçishti
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016