Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Panajot Plakut me origjinë nga fshati Hoçisht i Devollit të Korçës, i cili pasi u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit në vitin 1936, u kthye në qytetin e Korçës ku u lidh me grupet komuniste dhe në periudhën e pushtimit të vendit 1939-1944, ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe për aktivitetin e tij u arrestua e u burgos nga autoritetet italiane në qytetin e Durrësit e pasi u lirua, doli në radhët partizane, duke u emëruar si zëvendës komisar i Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu, që me formimin e saj në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës. Si i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake Panajot Plaku pas mbarimit të Luftës, duke filluar nga komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu? Si mundi të arratisej nga Panajot Plaku nga Shqipëria në qershorin e vitit 1957 (kur mbante funksionin e zv/minister i brendshem per kufirin ministrit dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë) duke kaluar fshehurazi kufirin shtetër në afërsi të liqenit të Pogradecit dhe të dilte në Jugosllavi, ku u vendos në Beograd si azilant politik dhe i dërgoi një letër udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, duke denoncuar të gjitha krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij?! Misteri i vdekjes së Panajot Plakut në vitin 1966 në hotelin ku banonte në Beograd, çfarë shkruante ai në kujtimet e tij për Enver Hoxhën dhe udhëheqjen e lartë të PPSH-së të cilat u botuan menjëherë pas vdekjes së tij në Beograd në librin me titull “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, libër që më pas u botua në Prishtinë në vitin 1971?
“Kështu në Komitetin Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, u formuan grupe të mëdha farefisnore, ndër të cilat një nga grupet më karakteristike është padyshim ky: Vito Kapo, kandidate për anëtare të Komitetit Qendror të PPSH-së, kryetare e FGA-së (Forumit të Gruas Antifashiste), bashkëshorti i saj, Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike, sekretar i dytë i Komitetit Qendror, vëllai i gruas së tij, Pirro Kondi, anëtar i Komitetit Qendror, vëllai i gruas së Pirro Kondit, Sadik Bekteshi, anëtar i Komitetit Qendror, dhëndri i Sadik Bekteshit, Manush Myftiu, anëtar i Byrosë Politike dhe nënkryetar i qeverisë, dhëndri i Manushit, Pilo Peristeri, kandidat për anëtar i Byrosë Politike, dhëndri i Pilos, Rita Marko, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror, etj.
Me valle të këtilla farefisnore ishin të lidhur edhe më shumë disa gjeneralë, ndihmës ministra, ambasadorë, etj. Por numërimi i lidhjeve të tyre reciproke do të na çonte shumë larg. Mirëpo në esencë, rrethi nuk mbyllet në këtë mënyrë. Anëtarët dhe kandidatët për anëtarë të Byrosë Politike të PPSH-së, jetojnë në të ashtuquajturin “Bllok” që është i njohur me emrin “Tirana e re” dhe që gjendet m’u në qendër të qytetit. Në kuadër të “Bllokut” janë vilat e rrethuara me kopshte plot gjelbërim dhe tërë kjo pjesë, e cila të kujton ndonjë zonë ushtarake, është e mbushur plot me mbishkrime ku lexohet: “Hyrja është e ndaluar”. Rreth e qark janë baraka mjaft të rralla të rojave dhe shumë gardistë-rojtarë, të cilët shëtisin me automatikë në kraharor, për të siguruar respektimin e urdhrave të shkruara në tabela. Natën, numri i gardistëve është më i madh.
Nga “Blloku” hyhet drejtë për drejtë në ndërtesën e Komitetit Qendror. Vetë ndërtesa është projektuar në funksion të hierarkisë të udhëheqjes së lartë dhe me mosbesimin që mbretëron aty, ka katër hyrje: për anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, për anëtarët e kandidatët e Komitetit Qendror, për funksionarët dhe nëpunësit e Komitetit Qendror dhe e fundit, për personelin që shërben aty. Të gjitha hyrjet kontrollohen në mënyrë rigoroze nga Sigurimi i Shtetit, pjesëtarët e të cilit kontrollojnë me shumë kujdes që asnjë anëtar i Komitetit Qendror, të mos hyjë e dalë në hyrjen që është caktuar për anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të atyre rasteve kur ai është i shoqëruar me ndonjë nga anëtarët e Byrosë. Në fund të zonës, është një institucion shëndetësor special për udhëheqjen e lartë, pastaj foshnjorja për fëmijët e udhëheqjes dhe shkolla e tyre për të rritur.
Në atë zonë është dhe “Shtëpia e Partisë”, në të cilën gjendet kinemaja, salla për lojëra argëtuese dhe bufeja e pasur, ku nuk paguhen ato gjëra që hahen e pihen. Në “Bllok” gjenden edhe dy dyqane tregtare: njëri për anëtarët e kandidatët e Byrosë Politike dhe tjetri për anëtarët e kandidatët e Komitetit Qendror. Asortimenti në to është i mirë dhe aty ka mjaft mallra të vendeve të jashtme, si atyre socialiste ashtu dhe atyre kapitaliste, kurse çmimet janë mjaft më të ultë se në qytet dhe janë të caktuara në bazë të privilegjeve që i gëzojnë kategoritë e ndryshme të blerësve. Një “Bllok” i tillë ekziston edhe në plazhin e Durrësit, me një zonë speciale ku shumica e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, kalon aty pjesën më të madhe të vitit me pushime. Anëtarët e Komitetit Qendror, jo vetëm nuk paguajn qera, por kanë dhe një personel të tërë në shërbim të tyre.
Mirëpo një direktivë e Byrosë Politike, u ndalon të gjithë udhëheqësve, anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të qeverisë, që të paraqiten jozyrtarisht në popull, të shëtisin në rrugët e Tiranës dhe kudo në Shqipëri. Atyre u lejohet që të qarkullojnë vetëm me automobilat dhe përherë të shoqëruar nga rojet e tyre, që kryejnë një detyrë të dyfishtë: t’i ruajnë udhëheqësit, dhe edhe më shumë, të kontrollojnë çdo hap të tyre. Kështu rrethi mbyllet në mënyrë të pamëshirëshme. Izolimi, në të cilin ka rënë sot shoqëria shqiptare, është i plotë. Ky është para së gjithash një izolim politik, por njëkohësisht edhe fizik i udhëheqjes së lartë prej popullit të Shqipërisë. Likuidimi fizik i njerëzve më të mirë të revolucionit, terrori masiv, ngritja e kampeve të për qëndrimit, shtimi jashtëzakonisht i madh i aparatit burokratiko-policor dhe ushtarak, këto janë padyshim, rezultat konkret nga më të rëndat të fillimit të stalinizmit në vendin tim”.
Kështu shkruhet në mes të tjerash në kujtimet e gjeneral-major Panajot Plakut, ish-ministrit pa Portofol të qeverisë shqiptare të kryesuar prej Mehmet Shehut dhe anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili u arratis nga Shqipëria në majin e vitit 1957 dhe u vendos në Jugosllavi, ku fitoi edhe azilin politik, nga ku më pas i shkroi një letër të gjatë udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, në të cilën ai denoncoi pa mëshirë të gjithë dhunën shtetërore të regjimit komunist të Tiranës, krimet monstruoze të Enver Hoxhës në eliminimin e bashkëpunëtorëve të tij, intrigat, privilegjet e nepotizmin e udhëheqjes së lartë që jetonte në vilat e “Bllokut” etj., etj.
Po kështu në atë letër të gjatë të shkruar më 15 qershor të vitit 1957, ish-ministri, gjeneral-major Panajot Plaku, (i cili ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” të Bashkimit Sovjetik në fillimin e viteve ’50-të), i shpjegon kreut të Kremlinit, Nikita Hrushov, të gjitha arsyet që e detyruan atë që të arratisej nga Shqipëria, duke filluar që nga ndjekjet e Sigurimit të Shtetit që pak kohë më parë i kishte helmuar vëllanë e tij, Kalo Plakun, (drejtorin e Fermës Bujqësore të Sukthit), vrasje e cila ishte bërë me miratimin direkt të Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, të cilët në vitet e Luftës, po ashtu i kishin pushkatuar edhe vëllanë tjetër: Jorgo Plakun!
Kush ishte Panajot Plaku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij, ku kishte studiuar ai dhe si i kishte ngjitur shkallët e karrierës, duke filluar nga periudha e Luftës Antifashiste ku ai ishte zv/komisar i Brigadës së Parë Sulmuese (të komanduar prej Mehmet Shehut) komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu në vitet 1956-1957?
Përse që nga periudha e mbarimit të Luftës e deri sa u arratis në vitin 1957, Panajot Plaku shoqërohej vazhdimisht me: Omer Nishanin, (President i Shqipërisë që u vetëvra në vitin 1955) Dali Ndreun, (ish-zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm me gradën gjeneral-major i pushkatuar në vitin 1957) Teme Sejkon, (Kundëradmiral i Flotës Luftarake Detare të Shqipërisë, i vdekur në tortura në vitin 1961, pasi ishte dënuar me vdekje), Tahir Kadarenë (gjeneral-major i burgosur për vite me radhë si “armik i popullit”), Maqo Çomon (ish-ministër i Bujqësisë i burgosur politik për 25 vite), Rrahman Përllakun, (gjeneral-major, ‘Hero i Popullit”, ish-zv/ministër i Mbrojtjes Popullore), të cilët si për koincidencë fatale, vite më pas do të pushkatoheshin, burgoseshin në burgun e tmerrshëm të Burrelit, nga ku do të liroheshin vetëm deri në vitin 1991, me shembjen e regjimit komunist?!
Përse kur vdiq Stalini në marsin e vitit 1953, Panajoti i ndaloi njerëzit e familjes së tij që të qanin, duke u thënë: “Ai jetoi sa deshi, ç’ka këtu për të qarë”?! Ku dhe si mundi të arratisej Panajot Plaku nga Shqipëria në atë kohë që ai survejohej rregullisht nga Sigurimi i Shtetit dhe kush e detyroi nënën e tij, Kostandinën që të firmoste deklaratën publike që u botua në shtyp (gazeta “Zëri i Popullit”) ku ajo e kishte “mallkuar” djalin e saj? Si u persekutua familja e Panajotit, duke filluar nga nëna, Kostandina, motrat Meri e Theodhora (Lola Katragjini), bashkëshortja, Vjollca Plaku (Taja) e tre fëmijët, Donika, Besniku e Kristaqi? Përse udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, i kërkoi Enver Hoxhës që ta rishikonte qëndrimin e tij ndaj Panajot Plakut dhe përse Enveri i’u përgjigj atij, duke i thënë: “Jo vetëm që nuk do e rehabilitojmë Panajot Plakun, por na e sillni këtu, që ta varim në mes të Tiranës”?! Me çfarë u mor Panajot Plaku gjatë qëndrimit të tij si azilant politik në Jugosllavi dhe a kishte gisht Sigurimi i Shtetit në vdekjen e tij në korrikun e vitit 1966?
Lidhur me këto dhe shumë fakte e ngjarje të tjera nga jeta e Panajot Plakut, do njihemi në disa shkrime radhazi që i kemi përgatitur nga dëshmitë ekskluzive të familjarëve të tij, si dhe kujtimet që ai ka lënë të shkruara gjatë periudhës që jetoi në Beograd, të cilat u publikuan në librin me titull “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, të botuar fillimisht në Beograd pas vdekjes së tij dhe më pas në Prishtinë në vitin 1971.
Letra që ish-ministri i Enverit, gjeneral-major, Panajot Plaku, i dërgoi udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovit, në vitin 1957
Sekretarit të parë të Partisë Komuniste të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, shokut Nikita Sergejeviç Hrushov
Unë i nënshkruari, Panajot Plaku, ish-ministër pa portofol në qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, që e kam kaluar kufirin shtetëror të Shqipërisë natën ndërmjet 15 e 16 majit të këtij viti dhe kam kërkuar azil në Republikën Federative të Jugosllavisë, Ju drejtohem me këtë lutje.
Unë e kam filluar veprimtarinë time revolucionare nga fundi i vitit 1936, si djalosh shtatëmbëdhjetëvjeçar, kur ekzistonin në Shqipëri vetëm grupe të izoluara komuniste. Në atë kohë unë kam qenë i lidhur me Grupin Komunist në Korçë. Deri në formimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, kam marrë pjesë të kufizuar në luftë kundër regjimit të Zogut. E kam urryer fashizmin dhe para okupacionit, e aq më parë edhe pas okupacionit.
Kam marrë pjesë aktive në demonstrata, të cilat organizoheshin në kohën e agresionit italian dhe, bashkë me nxënësit e shkollës së mesme ‘Normale’ të Elbasanit, ku kam mësuar në atë kohë, kam bërë përpjekje të sigurojë armë me qëllim që të luftoja kundër okupatorit. Kurrë nuk jam pajtuar me politikën fashiste në Shqipëri dhe kam marrë pjesë në të gjitha aksionet antifashiste edhe para se të formohej Partia jonë.
Pas formimit të Partisë sonë kam qenë pjesëmarrës i radhëve të para ilegale luftarake në Durrës dhe kam marrë pjesë aktive në të gjitha aksionet antifashiste, të cilat i ka organizuar organizata e Partisë në Durrës. Kam ndihmuar rreth organizimit të demonstratës antifashiste, që u mbajt më 14 prill 1942 në Durrës dhe kam qenë në radhët e saj të para, për ç’arsye kam qenë arrestuar dhe mbyllur në burg, ku kam mbetur mëse tre muaj e gjysëm.
Në burg kam pasur qëndrim të fortë. Menjëherë pas daljes nga burgu jam pranuar në Parti, e disa ditë më vonë kam kaluar në ilegalitet, meqenëse në gusht të vitit 1942, fashistët e burgosën tërë familjen time, për shkak se vëllai im më i madh, Jorgo Plaku (i cili më vonë u vra trimërisht në Luftën Nacionalçlirimtare) ishte partizan dhe komandant i çetës partizane porsa të formuar në Devoll të qarkut të Korçës.
Pasi u këshillova me shokët në Komitetin Qarkor të Partisë në Durrës, edhe vetë shkova në çetën partizane të Devollit. Vlen të përmendet se në atë kohë në Shqipëri, kishte fare pak çeta partizane, kryesisht në rajonin e Pezës, të Korçës, të Vlorës dhe të Gjirokastrës.
Gjatë luftës kam qenë partizan i mirë, kam marrë pjesë në disa dhjetëra aksione luftarake dhe kam luftuar mirë. Kam qenë jo vetëm personalisht luftëtar guximtar, por edhe udhëheqës mjaft i mirë. Gjatë tërë kohës së luftës, kurrë nuk jam larguar nga njësitë, në të cilat kam qenë.
Kam kryer detyra të ndryshme, prej komisarit të çetës e deri te zëvendës-komisari i Divizionit. Në kohën prej vitit 1948 deri në vitin 1950, e kam kryer Akademinë e Lartë Ushtarake, e cila e mban emrin e Voroshillovit, në Moskë.
Pas kthimit në Shqipëri, kam qenë komandant i divizionit, krye shef i Drejtorisë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, komandant i Korpusit, zëvendës i parë i ministrit dhe krye shef i Drejtorisë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, e në kohë të fundit kam qenë ministër pa portofol dhe kryetar i Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë.
Gjatë tërë jetës sime partiake, kurrë nuk jam larguar nga vija e përgjithshme e Partisë dhe përherë më kanë konsideruar punëtor të mirë të Partisë. Në Kongresin e Dytë kam qenë zgjedhur anëtar i Komitetit Qendror, e gjithashtu edhe në Kongresin e Tretë.
Kur isha krejt i ri, megjithëse ishte e ndaluar madje edhe të përmendet Bashkimi Sovjetik, unë jam interesuar për jetën sovjetike dhe, duke u interesuar te shokët në Grupin Komunist të Korçës, kam qenë i informuar për të. I kam dëgjuar përherë emisionet e Radio Moskës, duke iu shtruar rrezikut që për këtë arsye të më arrestojnë.
Prej çastit të parë të sulmit të nazistëve kundër Bashkimit Sovjetik, kam bërë përpjekje që t’i sjell dëm fashizmit duke e rrezikuar për këtë arsye edhe jetën time, me qëllim që ta çlirojë popullin tim prej shtypjes fashiste dhe t’i ndihmoj Bashkimit Sovjetik. Kam bërë përpjekje të pa rreshtuara për t’i bindur partizanët dhe popullin se Bashkimi Sovjetik është përkrahja jonë e sigurt.
Isha i bindur se pushka ime, si dhe të gjitha pushkët partizane, e mbron popullin dhe, njëkohësisht, i jep kontribut likuidimit të fashizmit, duke e lehtësuar me këtë edhe luftën e Bashkimit Sovjetik. Kur nuk e kam ndarë luftën dhe punën e popullit të Shqipërisë prej Bashkimit Sovjetik, i cili ka qenë dhe është faktori më i rëndësishëm i çlirimit dhe i zhvillimit të popullit të Shqipërisë.
Tërë familja ime dhe të gjithë pjesëtarët e farefisit tim kanë marrë pjesë aktive në luftën çlirimtare dhe në ndërtimin e socializmit. Prej farefisit tim sot janë komunistë vëllai dhe motra, përveç meje dhe dy vëllezërit të cilët janë vrarë. Ndër kushërinjtë e mi janë disa dhjetëra komunistë, shumica e të cilëve janë pranuar në Parti në kohën e luftës…!/Memorie.al
Kush ishte Panajot Plaku?
1919. U lind në fshatin Hoçisht të Devollit, rrethi i Korçës.
1936. Diplomohet në shkollën ‘Normale’ të Elbasanit.
1936. Anëtar i grupit Komunist të Korçës.
1942. Arrestohet nga italianët dhe burgoset tre muaj në Durrës.
1943. Zëvendës komisar i Brigadës së Parë Sulmuese.
1943. Ekzekutohet vëllai i tij, Jorgo Plaku, partizan në Korçë.
1945. Komandant dhe Komisar Divizioni në Korçë.
1948. Në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” në Moskë.
1949. Drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes,
1950. Komandant Korpusi, zv / ministër i parë i Ministrisë Mbrojtjes.
1956. Ministër pa Portofol dhe Kryetar i Komitetit për Gjeologjinë.
1957. Sigurimi helmon vëllanë, Kalo Plakun, drejtor Ferme në Sukth.
1957. Arratiset nga Shqipëria dhe merr azil politik në Jugosllavi.
1957. I shkruan një letër Hrushovit ku denoncon krimet e Enverit.
1966. Vdes në rrethana të panjohura në një hotel të Beogradit.
1974. Ekzekutohet vëllai tjetër, Koço Plaku, inxhinier nafte.
1991. Familja e tij rikthehet në Durrës pas 34 vjet internimi.
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016