Nga Bashkim Trenova
Pjesa e nëntëmbëdhjetë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
Vijon nga numri i kaluar
“Armiqtë e popullit”
Në Uznovë të Beratit për zborin ushtarak, ku na qethën zero se u mbushëm me morra !
Disi më mirë u njoha me Çlirimin në fillimin e vitit 1970 kur së bashku bëmë stërvitjen ushtarake tre mujore si oficerë rezervistë në Uznovë të Beratit. Në flinim në një sallë të madhe me 300 apo 500 të tjerë të grumbulluar aty nga e gjithë Shqipëria, nga qyteti, fshatrat e malësitë. Edhe ata ishin në Uznovë për të njëjtën stërvitje si unë e Çlirimi. Në fjetore ajri rëndohej aq sa për të fjetur do të ishte mirë të përdorej kundër gazi. Higjiena ishte shqetësimi i fundit i repartit ushtarak 5458 ku ishim vendosur. Pa kaluar shumë kohë të gjithë u mbuluam me morra, të cilët me humor ne i quanim «repartet tankiste». Pa na pyetur na vunë të gjithëve në radhë si bagëtia dhe na qethën zero, deri në rrënjë të flokëve. U bëmë si të burgosur. Në të vërtetë edhe në këto kushte humori nuk na mungonte në Uznovë.
Më kujtohet një mbrëmje komanda organizoi një stërvitje në kushtet e errësirës. Marshuam gjatë në kodrat që rrethojnë qytetin e Beratit. Në një pjesë të stërvitjes qëndruam në varrezat e Uznovës, në mos gaboj. Ndjehesha aq i lodhur sa nuk ngurova të shtrihesha mbi pllakën e një varri që ndodhej pranë këmbëve të mia. Në mbarim të stërvitjes u kthyem në repart dhe u rreshtuam para mensës për të ngrënë darkë. Në tavolinë, për darkë, na servirej gjithnjë një gotë e palarë mirë alumini e mbushur me çaj të vakët, një copë e vogël bukë e papjekur mirë, e lagësht dhe një copëz e vogël djathi, që ne e quanin “aspirinë”. Hyrja në mensë shoqërohej gjithnjë me njëlloj vrapi nga të gjithë ne. Secili synonte të ishte i pari në tavolinë. I pari apo të parët kishin mundësinë të “inspektonin” dimensionet e bukës e djathit dhe të zgjidhnin më të mëdhatë. Edhe kjo mbrëmje nuk bëri përjashtim nga të tjerat. Varfëria dhe humori ishin me bollëk në tryezë.
Tavolina e ngrënies e kompanisë ku bëja pjesë ishte në fundin e sallës. Në një moment ndjej se po goditesha në distancë me copa të vogla buke të ngjeshura e të rrumbullakosura si një arrë. Goditjet u përsëritën disa herë dhe, më në fund, shikoj nga larg Çlirimin, që po qeshte me të madhe. Në atë gjendje të dërmuar, siç isha, nuk ia kisha fort qejfin. I thashë të ndalonte. Ai vazhdoi të tijën. Në një moment, kur ai nuk e kishte mendjen, u ngrita, u afrova pranë tij dhe ia zbraza në kurriz të gjithë gotën e çajit, shkurt – darkën e asaj mbrëmje. Çlirimi u befasua, por nuk u zemërua. Ndërkohë vazhdonte të më ngacmonte duke thënë se unë, kisha një «portret romak» dhe se do të dëshironte ta realizonte këtë portret në studion e tij, etj., etj.
Pas disa javësh Çlirimi shkoi me leje dy apo tri ditore në Tiranë. Rastësisht në rrugë ishte takuar me shokun tonë të përbashkët, Rinush Idrizin. Ai i kishte treguar Rinushit edhe «historinë» e gotës së çajit. Në një letër që më dërgonte Rinushi me 20 mars 1970, midis të tjerave, më shkruante: «Po e kaloni mire dhe kjo është pozitive në karakterin tënd. Çlirimi kështu thotë…. Përsa i përket banjës me çaj, që hëngri kurrizi i Çlirimit, kjo gjë sigurisht dëshmon për qetësinë që keni fituar». Në të vërtetë gjatë qëndrimit tim në Uznovë, unë isha i heshtur njëlloj si ajo pllaka e varrit ku u shtriva për t’u çlodhur, por nuk isha aspak i qetë. Një fqinj dhe shok i imi, Agim Tola, shpesh më tundte e më shkundte kur qëndronim në radhë para mensës. “Lëviz pak më thoshte ai. Dije se po vdiqa, do të vdes prej teje se do të bëhem kanceroz nga qetësia e jote”. Agimi kishte takuar në Tiranë një ditë Enver Muçën. Pas këtij takimi, më arrin një letër nga Enveri. Ai më shkruante: “Gim Tolës ia qaj hallin që i ka rënë fati të ketë një ‘mumie’ me kokë Çezari, për më tepër në ushtri”!
Persekutimi i Çlirimit, si dhëndri i Dashnor Mamaqit, që u shpall “armik i popullit”!
Rreth katër vjet më pas, nuk do të mbetej asgjë nga humori, nga gëzimi, që gjente në jetë Çlirimi. Në vitin 1974 vjehrri i tij, Dashnor Mamaqi, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe Sekretar i Partisë për Tiranën, do të deklarohej “armik” dhe do të vihej në arrest shtëpie nga regjimi diktatorial. Në këto kushte, duke mos arritur të realizojë se tani ai ishte “armik”, një ditë të bukur, Dashnor Mamaqi vendos të bëjë një shëtitje në qytet. Me këtë naivitet të Dashnorit u bashkua, po aq naiv, edhe Çlirimi. Ai e shoqëroi të vjehrrin në shëtitjen e tij, i bindur se Dashnori jo vetëm nuk e kishte tradhtuar diktatorin, por se ai e adhuronte atë. Kaq do të mjaftonte për të nisur persekutimi i tij.Them “për të nisur ” sepse, gjithsesi, ai nuk do t’i shpëtonte dot atij.
Familjen e Dashnor Mamaqit e internuan në kampet e punës së Tepelenës. Këtë fat pati edhe Sonia, bashkëshortja e Çlirimit dhe dy vajzat e tij, njëra pesë vjeçare dhe tjetra vetëm 9 muajshe. Vajza e vogël, me të arritur në kamp, u sëmur shumë rëndë. Ajo i shpëtoi vdekjes pasi Çlirimi e mori nga kampi dhe e çoi në spitalin e qytetit të Elbasanit, ku gjendeshin edhe prindërit e tij. Për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej, nëse vërtet edhe mund të shpëtohej diçka, Çlirimi dhe Sonia bënë një marrëveshje të heshtur dhe pranuan të ndahen nga njeri-tjetri.
Në Institutin e Lartë të Arteve, ku Çlirimi ishte pedagog, sekretari i Partisë së Institutit, Fazlli Luarasi, e thërriti disa herë në zyrën e tij. Në rolin e hetuesit, ai e terrorizonte Çlirimin, duke i kërkuar informacion për Dashnor Mamaqin dhe bashkëshorten e tij Shpresën. Në një mbledhje të kolektivit, atij i’u bënë ndonjë 100 pyetje nga mjaft kolegë, të cilët ishin porositur të denigronin figurën morale të Dashnor Mamaqit dhe të bashkëshortes së tij. “Në mbledhje’, tregon Çlirim Ceka në një intervistë, që ka dhënë në shtypin shqiptar në majin e vitit 2009, ‘kam përplasur grushtin mbi tavolinë kur dëgjova për herë të parë pallavrat e tyre për degjenerimin dhe imoralitetin e Dashnorit e të Shpresës. Ishin inskenime policeske dhe politike, të rënda, të ndyra, për të poshtëruar dhe dënuar një familje të tërë. Ata ia arritën qëllimit dhe mua më dhanë motivacionin se isha i papjekur politikisht e ideologjikisht dhe duhet të edukohesha në gjirin e klasës punëtore”! Kështu, gjatë viteve 1975-1985, Çlirim Ceka nis punën si punëtor e shkrues parullash në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”.
Pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri shumë plagë të tij nuk u mbyllën kurrë. Kështu edhe familja e Çlirim Cekës, njëlloj si qindra e mijëra familje të tjera, nuk u ri ngrit më kurrë! Çlirimi në vitin 1998 u largua nga Shqipëria për të jetuar në Selanik të Greqisë me dy djemtë dhe gruan e dytë, Biku Vaqarin. Aktualisht ai është piktor i pavarur, anëtar i SKETBE (Shoqata e Artistëve Figurativë të Greqisë së Veriut), ku bëjnë pjesë artistë grekë, rusë, holandezë, indianë etj. “Familja ma kupton dëshirën për të pikturuar dhe këtë, thotë Çlirimi, ma kanë lejuar, pra nuk më kanë detyruar të bëj punë të rënda në Selanik. Jam munduar ta ndihmoj atë duke pikturuar. I jam mirënjohës”.
Një familje e rrënuar, një rini e humbur, një pleqëri në emigracion, që shpreh mirënjohje pse nuk e “kanë detyruar të bëjë punë të rënda”! Sa pak gëzim të merituar dhe sa shumë dhimbje të pamerituar në jetën e shokut tim të mirë, Çlirim Ceka! Por, le të kthehemi sërish në Radio Tirana ku vazhdova punën edhe disa vite të tjera pasi u ktheva nga Berati.
Vera Zheji dhe punonjësit e tjerë të Radio-Tiranës, “me njollë në biografi”!
Në Radion e Brendshme kishte edhe të tjerë që ishin me “njollë në biografi” dhe që i’u nënshtruan njëlloj “seleksionimi natyral”. E tillë ishte edhe folësja e pakrahasueshme Vera Zheji.
Nuk ka shqiptar të brezit tim dhe të brezave që erdhën më pas, që të mos e ketë dëgjuar dhe admiruar zërin e saj në mikrofonin e Radio Tiranës çdo mëngjes, çdo ditë, çdo mbrëmje për disa dhjetëvjeçarë radhazi. Zëri i saj u bë shumë shpejt popullor, një zë familjar, që depërtonte në shtëpitë tona, pothuajse të zbrazura, dhe mbushte hapësirën e varfër kulturore të kohës me intonacionet dhe ngjyrat e tij karakteristike, të papërsëritshme.
Ndodhte që herë pas here, ndonjë shënim politik apo ndonjë koment i përgatitur nga gazetarët e Drejtorisë së Jashtme të Radio Tiranës, të transmetohej edhe për dëgjuesit e brendshëm. Ka ndodhur që Vera të ketë lexuar edhe ndonjë koment politik që kam shkruajtur. Ishte kënaqësi ta dëgjoje leximin e saj. Duke e ndjekur në Radio kishe përshtypjen se ajo dinte t’i rriste vlerat e shkrimeve tona, të mendimeve tona edhe pse unë dhe kolegët e mi të kësaj kohe ishim ende në hapat e para të gazetarisë.
Duke qenë “e prekur” apo me “njollë në biografi”, kuptohet se Vera Zheji bënte punën e saj dhe vetëm kaq. Kur flet për pasionin e saj ajo thotë: “Pasioni im ka qenë teatri, të cilin nuk e realizova dot kurrë”! Endrra e saj e parealizuar, rolet e zemrës së saj janë “Nëna Kurazhë” e Brehtit dhe mbretëresha fatkeqe Gertrudë tek “Hamleti” i Shekspirit.
Mbi Vera Zhejin si edhe mbi dy vëllezërit e saj, ka rënduar gjithnjë hija politike e babait të tyre. Familja Zheji ka qenë, sikurse shprehet Vera, “e seleksionuar”. Vera mund të bënte folësen në Radio Tirana, por jo aktoren në Teatrin Popullor, apo në ndonjë teatër tjetër. Ajo mund të fliste brenda mureve të studios së Radio Tiranës, por jo të ngjitej në skenë. Vera Zheji e quan “racizëm brenda racës, racizëm brenda të bardhëve” atë çfarë ndodhi për 45 vjet me shqiptarët gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. I vëllai i saj, Gjergji, i shpëtoi për mrekulli, një “seleksionimi” edhe më të çmendur. E kam njohur atë kur isha pionier dhe isha anëtar i rrethit të Letrarëve të rinj në Pallatin e Pionierëve.
Gjergji Zheji që do pushkatohej me urdhrin e Enverit, me 22 të tjerë!
Gjergji ishte me një temperament krejt të ndryshëm nga e motra, Vera. Në vitet 1957-1958, në mos gaboj, ai ishte drejtuesi i këtij rrethi artistik. Tepër vonë, në vitin 2002 ai mëson se në shkurtin e vitit 1951 , sipas një urdhri të dhënë nga diktatori, ai ishte “zgjedhur” për t’u pushkatuar bashkë me 22 të rinj të tjerë. Të gjithë u akuzuan arbitrarisht nga Sigurimi i Shtetit, për hedhjen e një bombe në Ambasadën Sovjetike. Këtë pohim e ka bërë vitet e fundit në një të përditshme shqiptare një ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit. Të 22 të tjerët u pushkatuan. Gjergj Zheji, i 23-ti, shpëtoi. Ai ishte në atë kohë rreth 20 vjeç. “Se përse donte të më vriste ai, këtë nuk e di”, do të thotë Gjergji në moshën 75-76 vjeçare, kur u njoh me këtë të vërtetë tronditëse.
Vera, Gjergji dhe vëllai i tyre Petro, ishin fajtorë vetëm sepse babai, Spiro Zheji, kishte kryer Akademinë Ushtarake në Itali dhe kishte shërbyer si oficer i Mbretit të shqiptarëve, Zogut të I-rë. Në kohën e pushtimit ai u internua me të gjithë familjen e tij nga italianët, pra nuk mund të akuzohej si “bashkëpunëtor i fashizmit”, si tradhtar, por ky fakt nuk kishte rëndësi për regjimin komunist. Mbreti Zog do të trajtohej nga hierarkët komunistë si “satrap” dhe “atdheshitës”. Oficerët e kohës së Monarkisë rrjedhimisht ishin në shërbim të një “satrapi”, apo “atdhe shitësi”. Spiro Zheji duhet të “paguante” për këtë së bashku me fëmijët e tij. Kjo ishte logjika e palogjikë e luftës së klasave, që në doktrinën komuniste vlerësohet si “lokomotivë e historisë”. Në shinat e kësaj “lokomotive” të përbindshme, rrezikoi jetën edhe Gjergj Zheji. Jeta e tij do të vazhdonte, sikurse ka treguar oficeri i Sigurimit të Shtetit, i përmendur më sipër, vetëm në sajë të një rastësie dhe të mëshirës së pa kërkuar.
Drejtori Thanas Nano, që e masakronte Vera Zhejin!
Ndryshe nga i vëllai, Vera ka pasur një “engjëll mbrojtës” në momente të vështira politike, kur zemërimi i Partisë dhe udhëheqësit të saj të madh qetësohej vetëm duke sakrifikuar jetë në altarin e pushtetit të tyre. Ka qenë Petro Kita, drejtori i parë i Radio Tiranës, pas Çlirimit të vendit, ai që e mbajti atë si folëse, përndryshe Vera do të kishte përfunduar arsimtare fshati kush e di se ku! Një tjetër “engjëll mbrojtës” i Verës ka qenë edhe Nefo Myftiu. Vera kishte shumë “engjëj mbrojtës”. Ajo kishte shumë admirues. Përjashtim bënte drejtori i përgjithshëm i Radio-Televizionit, i preferuari i diktatorit, Thanas Nano dhe ndonjë servil i tij. Ai nuk i adresoi, qoftë edhe një herë të vetme, një fjalë të mirë Vera Zhejit për punën e saj, që ka lënë gjurmë edhe pas kaq dekadash. Ai gjeti rastin edhe të hakmerrej në mënyrë meskine me të, duke urdhëruar që të mos vazhdonte leximi i ciklit të emisioneve letraro-artistike nga Vera Zheji.
Pas viteve ’90-të, Vera emigron në Greqi. Askush nuk i braktis pa dhimbje vendin e tij, familjen, miqtë, shokët, një jetë të tërë edhe nëse ka qenë e mallkuar. Vera, si edhe të tjerë shqiptarë, morën rrugët e Evropës për t’u siguruar fëmijëve të tyre atë që aq shumë u mungoi atyre vetë, një jetë. Jeta e saj tani është ndarë midis Shqipërisë, Greqisë dhe Gjermanisë, ku banon e bija dhe mbesa e saj Nadia Frenzke. “E ndjej veten të huaj këtu, të huaj në Greqi, të huaj në Gjermani. Këtu nuk shkon proverbi ‘më mirë vonë se kurrë”, do të thotë Vera në një intervistë dhënë gazetës shqiptare “Shekulli”. Nuk mund të mos ndjesh trishtim kur dëgjon këto fjalë, nga ajo që me fjalën e saj në mikrofon na ka imponuar respekt dhe dashuri, që ka transmetuar jo thjesht një fjalë, por dije dhe kulturë, enciklopedinë e jetës dhe të shpirtit të saj. Në Shqipëri, presidenti i Republikës dekoron personalitete shqiptare me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Vera Zheji jo se nuk e meriton këtë dekoratë, por asaj do t’i shkonte më së tepërmi një tjetër që edhe nuk ekziston, pra titulli “Mjeshtre e Madhe e Fjalës” ose “Artiste e Madhe e Fjalës”.
Në ceremoninë e organizuar nga Radio Tirana me rastin e 70 vjetorit të saj, ishte e ftuar edhe Vera Zheji. Të pranishmit, punonjës veteranë dhe të rinj të Radio-Tiranës, ju lutën të thotë disa fjalë dhe ajo, ashtu si vite e vite të tëra të shkuara, tha vetëm tri fjalë: “Ju flet Tirana” ! Kaq mjaftoi që emocionet, kujtimet, duartrokitjet të mbushnin sallën. Këtë e bëri me tri fjalë dhe zërin e saj magjik Vera Zheji, kjo grua me karakter dhe personalitet të fortë që, pa dyshim, qe një dhuratë e paçmuar, një fat i rrallë për Radio Tiranën, dëgjuesit e saj dhe ne kolegët e saj.
Udhëtimi im i parë jashtë Shqipërisë, në Francë me Ansamblin e Shtetit!
Unë ruaj në një CD një regjistrim rreth 30 minuta me zërin e Vera Zhejit. Në vitin 1980, kam shoqëruar si gazetar një turne të Ansamblit Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore në Francë. Ky ishte edhe udhëtimi im i parë jashtë Shqipërisë. Dhjetë vjet më parë, më ishte paraqitur rasti për të bërë një udhëtim në Zvicër. Në fillim të nëntorit të vitit 1970, prindërit e Renée Andersonit, zoti dhe zonja Pierre Vuillemin, që jetonin në Lozanë të Zvicrës, më kanë dërguar një ftesë të përbashkët me zotin dhe zonjën Edgar Noz. Ata më ftonin në dasmën e fëmijëve të tyre Vincent, vëllai i Renéesë, me Mireille Notz, të cilën nuk pata kurrë rastin ta njoh. Unë as që bëra ndonjë hap për të mundur që nëpërmjet kësaj ftese, të udhëtoja si dasmor për në Zvicër. E dija se ky udhëtim ishte i pamundur, krejtësisht i pamundur, në mos, përse jo edhe i rrezikshëm. Jo të pakta do të ishin pikëpyetjet që do të vendosnin njerëzit e diktaturës thjesht për faktin që unë kisha një ftesë private nga dikush në Perëndim!
Sidoqoftë isha i gëzuar edhe që dhjet vjet më vonë mu dha rasti të shihja një tjetër botë. Turneu, në fakt, ishte një sukses i plotë. Atë e filmuan Pali Kuke, operator i Radio-Televizionit Shqiptar, në atë kohë djalë i ri, i gëzuar e bujar dhe Petraq Lubonja, operator i Kinostudios “Shqipëria e re”, gjithnjë serioz dhe i shqetësuar për punën e tij. Pasi u bë montazhi në studio, mua më kërkuan të shkruaj tekstet e këtyre filmimeve. Vera Zheji lexoi tekstin, që shkruajta për realizimin e Petraq Lubonjës. Nuk jam i sigurt nëse ajo lexoi edhe tekstin që shkruajta për realizimin e Pali Kukes. Herë pas here e dëgjoj zërin e ngrohtë të Vera Zhejit, që vjen nga larg, nga vitet kur ende ëndërronim, kur unë në skenën e Teatrit të Champs – Elysées, pas një alarmi të rremë për vendosjen e një bombe në këtë Teatër, do të deklaroja: «Populli shqiptar nuk ka frikë, nuk trembet nga bombat»! “Le Monde”, duke shkruajtur për këtë ngjarje do të më prezantonte të nesërmen në botimin e saj, si “zëdhënës i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve”!
Haki Bejleri, zëri brilant i Radio-Tiranës, që e larguan barbarisht pas 30 vitesh pune!
Një tjetër zë brilant i ofroi Radio Tiranës edhe Haki Bejleri. Në të vërtetë kur flitet për Vera Zhejin nuk mund të mos shkojë mendja natyrshëm edhe tek Haki Bejleri apo edhe e kundërta. Ata ishin së bashku për afro 30 vjet në studiot e Radio Tiranës. Secili kishte ndoshta admiruesit e tij, por në emisionin e lajmeve të orës 20.00 ata duhet të ishin të dy, dëgjuesit i donin të dy. Secili ishte i përsosur para mikrofonit, por të dy i shtonin diçka më tepër kësaj përsosmërie. Të dy ata krijuan një traditë, një shkollë të fjalës shqipe para mikrofonit.
Sigurisht e kisha “njohur” Hakiun para se të filloja punën në Radio-Televizionin Shqiptar. I tërhequr gjithnjë nga jeta politike e vendit dhe ajo e jashtme, i kam ndjekur gjithnjë me besnikëri emisionet e orës 20.00 të Radio Tiranës dhe më vonë të Televizionit Shqiptar. Hakiu spikaste, sidomos, në leximin e shënimeve dhe komenteve politike. I paarritshëm ishte në leximin e komunikatave dhe të artikujve redaksionalë të botuar në gazetën «Zëri i popullit». Këto artikuj u kundërviheshin atij, që u cilësua si revizionizmi modern apo revizionizmi hrushovian, sipas emrit të Hrushovit, kreut të atyre viteve të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Haki Bejlerin e mbaj mend edhe sepse ai, në fillimet e mia si gazetar në Radio Tirana, ka lexuar një artikull, që e kisha shkruar për U Thant, ish Sekretar i Përgjithshëm i O.K.B.-së.
Isha në redaksi dhe e ndoqa leximin e tij me mjaft kënaqësi. E prita në korridor kur doli nga studio dhe e falenderova. Ai më përgëzoi me mjaft mirësjellje për artikullin, duke shtuar edhe disa fjalë që, sigurisht, si i ri më përkëdhelnin sedrën. Në këtë artikull unë trajtoja personalitetin e U Thant, si centrist, si të pa pozicionuar, si njëlloj oportunisti që flet me fjalë të rrumbullakosura, për të mos thënë hapur të vërtetën. Ishte edukimi im komunist që më poziciononte në këtë mënyrë, pavarësisht se as e kisha haberin se cili ishte roli i Sekretarit të Përgjithshëm të O.K.B.-së, pavarësisht se, si kudo, edhe në politikë, shikimi im ishte i kufizuar, dalloja vetëm dy ngjyra, të bardhën e të zezën, dy pozicionime, me ne ose kundër nesh. U Thant, duke mos qenë me ne, ishte kundër, duhej goditur. Këtë bëja edhe unë në artikullin tim. Haki Bejleri, në të vërtetë, besoj se më përgëzoi jo për përmbajtjen, por për origjinalitetin e artikullit, për një mënyrë ndryshe të të shkruajturit.
Hakiu ishte violinist në orkestrën e Teatrit të Operës dhe të Baletit të Tiranës. Ai ishte edhe përkthyes i operave të tilla si “Madamë Baterflai”, “Toska”, “Rigoleto”, “Peshkatarët e perlave”. Në Radio punonte si folës i jashtëm. Me një biçikletë të vjetër nuk mungonte të vinte mëngjeseve dhe mbrëmjeve për të folur para mikrofonit të Radio Tiranës, korrekt njëlloj si ditën e parë ashtu edhe në atë të fundit, në të ftohtë dhe në shi. Vazhdoi kështu deri sa i’a përplasën derën përpara fytyrës, siç dinë të bëjnë të pafytyrët.
Një mbrëmje, si çdo mbrëmje, Hakiu arrin në Radio Tirana për të filluar emisionin e tij të lajmeve. Polici në hyrje të studios nuk e lejon të futet në studio si zakonisht, si rreth 30 vite rresht! Ai zbatonte një urdhër. Hakiu, kur nuk kishte më shumë se 55 vjeç, duhej të zbriste shkallët për të mos u kthyer kurrë më në ambientet e Radio Tiranës. Atë e kishin larguar edhe një herë më parë, por tani nuk do të kishte më rikthim. Ai, siç ishte dinjitoz para mikrofonit, u largua me dinjitet prej tij, duke thënë vetëm një “natën e mirë”! Nuk mjaftoi kaq, por atë e larguan edhe nga Teatri i Operës dhe Baletit. Vendimi për ta goditur atë ishte marrë diku lart, prandaj edhe merrte këto përmasa, nuk ishte vendim i një drejtori hakmarrës apo i një drejtorie të pakujdesshme, të burokratizuar.
Hakiu kishte patur një vëlla, që ishte vrarë nga forcat partizane gjatë luftës si nacionalist. Për këtë atij i është dashur të paguajë në rininë e tij dhe, pas një “harrese” edhe tani, pesë vjet para se të bëhej pensionist. Në vitin 1955 u krijua në Shqipëri reparti ushtarak i punës Nr.1242. Në këtë repart u mobilizuan për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak të gjithë ata djem e burra, që cilësoheshin si “armiq” dhe që shfrytëzoheshin për 2-3 vjet si kafshë pune për të gjitha llojet e punimeve ushtarake dhe civile. Ky repart ishte si një lloj burgu apo gulagu. “Ushtarët” e tij ishin të veshur si mos më keq, me rroba të vjetra të ushtrisë jugosllave e më vonë të asaj ruse, me opinga llastiku të bëra nga gomat e kamionëve. Reparti ose batalioni përbëhej nga tri kompani. Kompania e dytë me qendër në guroren e Brarit, rrëzë malit të Dajtit, ishte ajo e skëterrës. Aty punohej nga 14 deri në 18 ose 20 orë në ditë. Ushqimi përbëhej nga llapa preshi dhe fasule. Një herë në javë në menu ishin galetat e ushtrisë ruse të Luftës së Dytë Botërore, të thata shkëmb e që duheshin thyer me sqepar. Në “menu” në çdo galetë, “servireshin” gratis edhe 20-30 krimba. Në këtë repart u dërgua të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak edhe violinisti i talentuar, Haki Bejleri, si edhe emra të tjerë të njohur të artit dhe të kulturës shqiptare.
Hakiu ishte një burrë i zgjuar dhe dinte ta vlerësonte drejt regjimin, kthetrat e tij gjithnjë të gatshme për të zënë “gjahun”, e për t’i treguar vendin armikut të popullit! Ai nuk mund t’ia linte harresës vitet e shërbimit ushtarak në repartin 1242. Korrektesa ishte pjesë e natyrës së tij, e karakterit të tij, por ajo nuk mund të mos reflektonte herë pas here edhe nota shqetësimi e ankthi. Hakiu, folësi i pazëvendësueshëm, që para mikrofonit nuk bëri asnjë gabim, nuk i shpëtoi megjithëkëtë ndëshkimit. Ai jo vetëm u zëvendësua në fronin para mikrofonit, por edhe të gjitha regjistrimet e tij u zhdukën nga Arshivi i Radios, sepse ishin regjistrime të zërit të armikut!
Pas viteve ’90, Agron Çobani dhe Ilir Buçpapaj, bënë një dokumentar televiziv kushtuar Haki Bejlerit si folës i rrallë i Radio Tiranës. Në mbrëmjen e transmetimit në televizion, pasi mbaroi dokumentari, ai mori në telefon Agron Çobanin për ta falenderuar. “Më mburre shumë”, i tha. “Meriton më tepër”, i’u përgjigj Agroni. Me siguri ai meritonte shumë më tepër në jetë dhe jo vetëm një ngushëllim në fund të saj. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016