Nga Namik Mehmeti
Memorie.al publikon disa kujtime të ish-gazetarit të njohur sportiv, Namik Mehmeti, me origjinë nga qyteti i Shkodrës dhe prej vitesh me banim në Firence të Italisë, lidhur me periudhën kur ai kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në një nga repartet e rrethit të Kolonjës, ku në fundjava, atë njësi që komandohej nga ish-ushtaraku madhor, Malo Harshova, e vizitonte jo rrallë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, ish-gjeneral-leitnant, Petrit Dume, që njëkohësisht ishte dhe zv/ministri i parë i Mbrojtjes dhe deputet i Kuvendit Popullor për rrethin e Kolonjës. Kujtimet e panjohura të Namik Mehmetit, për bisedat që bënte Shefi i Shtatmadhorisë me ushtarët dhe oficerët e atij reparti kur ai shkonte për të luajtur futboll, lidhur me përkatësinë e tyre si tifozë, ku sipas tij, gjatë periudhës që ata kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duhet të ishin patjetër tifozë me ekipin “Partizani”! Si dhe justifikimet e tij, kur shumë nga ushtarët e rretheve, i’u ankuan se: “Partizani”, me pa të drejtë, kishte marrë nga rrethet disa prej futbollistëve më të mire të asaj kohe, siç ishin: Shllaku, Rragami dhe Bizi, nga “Vllaznia” e Shkodrës, Karriqi e Dizdari, nga “Besa” e Kavajës, Mexhit Haxhiu, nga “Flamurtari” i Vlorës, etj.
Në Ersekë të Kolonjēs ku kreva shërbimin e detyrueshëm ushtarak, si në çdo repart tjetër, kishim një fushë futbolli ku luanim në kohen e lirë. Ishin ushtarë nga Kavaja, Shkodra, Tirana, Vlora, etj. Nuk mungonin të organizoheshin edhe ndeshje në mes tyre, duke u përfaqsue me emrat e klubeve të futbollit të qytetit si “Besa”, “Vllaznia”, “Flamurtari”, “17 Nëntori”, etj., por gjithnjē të maskuar se ishim tifozë edhe me “Partizanin”, gjë të cilën na e impononin komisaret.
Por fusha e futbollit në qendër të repartit ushtarak kishte dhe mysafirë që zbrisnin me uniforma sportive, sidomos të dielave. Këto ishin ish-gjeneralet të cilët pas heqjeve të gradave, (në vitin 1965), ishin bërë ma masovikë e modestë.
Një nga këto frekuentues i fushës së futbollit në repartin ushtarak të Ersekës, ishte ish-gjenarali Petrit Dume, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe njëherazi zv/ministri i parë i Mbrojtjes, i cili përveçse ishte një ‘tifoz i çmendur’ i ekipit “Partizani”, (siç quheshin asokohe tifozët e zjarrtë), ku ‘de facto’ ai ishte dhe Shefi Klubit, kishte shumë pasion për të luajtur futboll, sidomos me ushtarët. Ardhja e shpeshtë e Petrit Dumes pranë repartit tonë ku ai lunate futboll me ne, ishte e justifikuar edhe për faktin se ai ishte kolonjar dhe përfaqësonte edhe këtë rreth juglindor, si deputet i Kuvendit Popullor.
Dhe për ne ushtarët, ato orë që kalonim duke ndjekur stërvitjen e ish-gjeneralit, të cilin e thërrisnim pa ndrojtje ‘Shef’, ishin një thyerje e monotonisë së rregjimit të përditshëm në gazermë, ashtu si në çdo repart tjetër të Ushtrisë Popullore të asaj kohe. Ish-gjenerali Dume, pasi pritej sipas rregulloreve ushtarake, nga komandanti e komisari i Brigadës prej nga varej reparti ynë, në një nga dhomat e komandës, ndryshonte uniformen nga ushtarake, në sportive.
Tërheknin vëmendjen uniforma sportive me tuta të kuqe që ngjasonin me uniformen sportive të kombëtares sonë të volejbollit në fillimet e viteve ’60-të, kepucët atletike e te futbollit të markave ‘Adidas’, si topat e futbollit, tre kater cope, të cilët i përdorte sipas dëshirës së tij. Në një ditë të bukur pranvere, kur ushtarët ishin jashtë programit stërvitor, pasi ishte ditë e diel, në hyrje të repartit u dukë ‘VOLVA’ e ish-gjeneralit, dhe nuk vonoi që të grumbullohen ushtarët për rreth fushës.
Nuk hezitonte të na përshëndeste dhe të shkëmbente ndonjë pasim të topit, kur mbas portës rrinin gati tre-katër ushtarë, për të rikthye topat në fushë. Atë ditë kërkoi nga ushtarët, që dikush prej nesh t’i dilte për zot portës dhe atë gjë e mori përsipër një ushtar nga Shkodra, kujtoj që ishte, Xhevat Idrizi, i cili zuri mesin e portës.
Ish-gjenerali Petrit Dume, Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare, godiste rreptë topin, pra kishte një shut të fort, dhe shënjestronte gjithnjë në portë. Xhevati kishte luajtur portier në shkollë, e njihja për guximin që kishte, gjë që po e tregonte edhe atë ditë, duke bërë pritje të mrekullueshme e grushtime, gjë e cila nuk kaloi pa u duartrokitur nga ne ushtarët.
‘Shefi’, se kështu e thërrisnim edhe ne ushtarët, filloi të bëhej nervozë. Në një moment e ndaloi zbavitjen dhe i’u drejtue Xhevatit:
-Nga cili rreth jeni ju shoku ushtar?
-Nga Shkodra, – i’u përgjigje Xhevati.
-E ke vendosur të mos më lësh me bë gol?!
-Sa të jem unë në portë, nuk e koris “Vllazninë”.
Aq u desh dhe ushtarët shpërthyen në thirrje kori: “Besa’, ‘Besa’, ‘Tirana’, ‘Tirana’, ‘Vllaznia’, ‘Vllaznia’, ‘Flamurtari’, Flamurtari”.
Shefi i Shtatmadhorisë e ndaloi menjëherë argëtimin, por nuk shfaqi shumë shenja nervozizmi dhe për habinë tonë, ai filloi një bisedë që ne për momentin e dëgjuam duke ruajtur distancë dhe respect gjithashtu.
-“Ju, për sa kohë jeni ushtarë, duhet të jeni me ‘Partizanin”.
-“Partizani” merr futbollistët më të mirē nga klubet e futbollit, nga Vlora na morri Haxhiun”, ndërhyri një ushtar nga Vlora.
-“Edhe ‘Vllaznisë’ i keni marrë dy futbollistët më të mirë, Bizin e Rragamin”, ishte një tjetër ushtar nga Shkodra, i cili e vuri në siklet, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm.
-“Po edhe ‘Besës’ i keni marrë Karriqin, Dizdarin, etj., ishte ndërhyrja e një ushtari nga Kavaja
-“Po Panon e harruat’, foli një tjetër ushtar nga kryeqyteti.
Nuk ngurova të thoja edhe unë një fakt që i dha bisedës zjarr: “Lin Shllakun, shoku shef…”!
Ndërkaq, ai ndërhyri me një të folur, që shpesh e shfaqte kur bëhej nervoz, duke iu marrë pak goja.
-“Lin Shllaku është plotësisht i yni, Shkodra nuk e vlerësoi talentin e tij. Ju duhet ta dini se klubet e Europes Perendimore, sidomos Gjermania, e kërkojne për ta blerë, po ne i themi jo sportit borgjez. Gazetat e tyre kanë shkruar për Lin Shllakun”. Ne u befasuam nga kjo bisedë qw rrodhi natyrshëm, por ish-gjenerali nuk u mjaftua me kaq. Jo larg fushës së futbollit ishte komanda e repartit dhe ai lëshoi një zë: “O Malo, po hajde a derzi, ç’i keni këto ushtarë…”?!
Komandanti i repartit ushtarak, një ish-oficer madhor, Malo Harshova, u afrua pa patur ndrojtje ndaj eprorit.
-“Punoni më shumë në orët politike, ushtarët për sa kohë janë nën armë, duhet të tregojnë respekt për ekipin “Partizani”, jo kështu siç u shprehen sot. Po ato komisarët çfarë bëjnë…”?!
Pas kësaj, Shefi i Shtabit u afrua pranë autoveturës së tij të markës “Volva”, disi i mërzitur, hoqi këpucët e futbollit, veshi një palë atlete ngjyrë të bardhë dhe “Volva” ndaloi pranë zyrave të Komandës.
Komandanti Malo Harshova, pasi i tërhoqi vërejtjen ushtarëve për atë qëndrim që kishin mbajtur ndaj eprorit të tij dhe njëherazi figurës nr. 2 të Ushtrisë sonë Popullore (ai vinte pas ministrit, Beqir Balluku), i’u drejtua portierit shkodranë, Xhevatit, duke i thënë: “Edhe sikur të ishte ndeshje zyrtare, duhej të ja hapje portën, qoftë edhe për një gol…”!
Sakaq heshtja kishte pushtuar mjedisin sportiv dhe komandant Malo nxitoi hapat drejtë Komandës. Takimi me eprorin e tij nuk zgjati shumë, pasi komanda e oficerit të rojes “për nder armë”, sinjalizoi dhe largimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume.
Të nesërmen, sipas disiplinave ushtarake, komisaret filluan leksionet sipas porosisë që la Petrit Dume. Ishin muajt e fundit të shërbimit ushtarak dhe kujtoj se Shefi i Shtabit të Përgjithshem, Petrit Dume nuk u pa më në fushën e futbollit, por në ditën e sulmit të Izraelit ndaj Egjiptit, në qershorin e vitit 1967, ai ishte prezent në repartin ushtarak të Ersekës, për dy-tre ditë pasi e gjithë Ushtria Shqiptare kaloi në gadishmëri numër një. Në ato vizita që bënte në Ersekë, aty në fushën e futbollit nuk shoqërohej nga adjutantët e tij, bile as shoferi i tij, pasi atë ai vlerësonte si fund javë. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016