Nga Tahsim Xh. Demiraj
Memorie.al / …Nga kundërshtimet e Shefqet bej Vërlacit, Elbasani e humbi shansin, nuk aprovohej si vend mbajtje e atij forumi…! Mustafa Kruja, kërkonte që të mbahej në Krujë, për të dominuar në vendimet e kongresit në favor të tij, por u kundërshtua nga Krahu Kombëtar. Krahu Kombëtar, iu drejtua Kombëtaristit, birit të popullit, Shehut të Karbunarës, tek ai burrë i pashëm – karizmatik edhe Perëndia, sikur kishte vënë daltën e skulptorit, kishte gdhendur shtatin e mermertë dhe shpirtin e patriotit të flaktë, Krahu Kombëtar, iu drejtua atij që për Shqipërinë, jepte gjithçka…! Nderi i vend-mbledhjes së Kongresit Kombëtar, i takoi dhe do t’i mbetej Lushnjes…! Janë të rrallë ata politikanë, që e duan, e nderojnë, e adhurojnë vendin sikur të ishte nënë dhe babë, sikur të ishte perëndia vetë…!
Të shumtit i hyjnë politikës si zanat, për të jetuar me të, pa pasur principin themeltar të asaj, se me çfarë duhet te merren! Ata – të rrallët, që gjakun e kanë të pastër dhe nderin e kanë virtyt, mbi vendin nuk venë asgjë, as një interes, ata për vendin, shkojnë deri në vetëmohim, pa asnjë mëdyshje, nuk bëjnë asnjë kompromis. Vetëm e nderojnë, i falen, i bien në gjunjë, e adhurojnë…! Të rrallë janë trimat, ata që ta thonë troç, e ëmbël apo e hidhur qoftë, të tjerët janë rrufjanët, ata që merren me dredha. Të parët janë Maratonomakët, që ecin të përpjetave dhe dishezave, të dytët janë ata që pa u djersitur, na hedhin ferra nëpër këmbë të parëve, na venë shkopinj nëpër rrota, karrove të maratonomakëve dhe na kalojnë në kthesa, e marrin kolltuqet e ngrohtë, postet e rehatshëm, privilegjet, kapardisen me djallëzitë e tyre dhe u tregojnë bërrylin te parëve…!
Shehu, Ibrahim Karbunara
Ndër të rrallët idealist, hyjnë fisi i Shehajve të Karbunarës dhe në krye të fisit, shkëlqen kleriku i kulturuar, Sheh Ibrahim Karbunara, i arsimuar në Universitetet më në zë të Stambollit dhe të Teheranit, i shëtitur dhe i pajisur me kulturën e Lindjes dhe atë Perëndimore – europiane, që në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të XIX-të. Sheh Ibrahim Karbunara, kur këtu ishin ende turqit, merrej me veprimtari patriotike, iluministe, përgatiste independencën dhe do ta pësonte për këtë veprimtari në shërbim të kombit, po ai ishte i vendosur, dhe u internua në Peqin…! Sado i hidhur të ishte haraçi, ai nuk do të kthehej mbrapsht.
Ai kishte mbi të gjitha; Zotin, Atdheun, Njeriun në qendër e Shqipërinë në ballë…! Me këtë platformë, në vitet e fundit të shekullit të XIX-të, patriarku edhe nëntë burrat e tjerë që e pasonin – Shehaj të Karbunarës, hynin udhëve të historisë…! Ishin vitet pas Lidhjes së Prizrenit, vitet e trazuara të disgregacionit të Perandorisë Osmane, do të rilindte Shqipëria. Me këtë platformë angazhoheshin për kohët që do të vinin e do të kacafyteshin me ngjarjet që do të shtjelloheshin. Baba Sheh Karbunara, nuk kishte bërë llogarira, kur hyri në politikë, nuk ëndërroi dafina, por as nuk u step në rast se do të arrinte ne abnegacion. Ai e kishte bërë zgjedhjen, iu kushtua besimit te Zoti, predikon te të mirën, virtytet, dashurinë për vendin dhe dashurinë për njeriun e do ta kryente këtë detyrë në shtëpinë e Zotit, në Teqenë rreth 400 vjeçare te Karbunarës.
Njëkohësisht si ideator pasrilindas, ai do të predikonte e ndiqte klasikët tanë, ata që me pendë dhe pushkë, nuk pushuan së punuari për Shqipërinë. Teqeja e Karbunarës me Sheh Ibrahimin, që kishte shëtitur dhe parë që andej nga lind dielli, e deri në perëndim, ishte bërë e njohur, në gjithë vendin dhe bashkë me teqetë e tjera helvetiane, nga Peshkopia në Tepelenë, nga Tirana në Kavajë e në Berat, në Përmet, qe bërë vatër e rëndësishme e ushqimit shpirtëror dhe e emancipimit të shoqërisë së kohës. Baba-Shehu ishte demokrat i lindur, i pajisur me kulturë orientale dhe oksidentale me besimin tek i madhi Zot…! Teqja e Tij, priste dhe përcillte, jo vetëm përkrahësit Bektashinj, nga e gjithë Myzeqeja, Dumrea dhe Darsia, por edhe këdo që do ta sillte rruga, ishte strehë e komiteve, e “çetave hajdute”, e gjithë popullit, pa dallime dogmatike, strehë e gjithë rebelëve në shërbim të kombit, dhe në vitet ’40-të, e çetave nacionaliste të luftës për liri, e që më pas, u inkuadruan në koalicionin Anglo- Sovjeto – Amerikan.
Sheh Karbunara, njihte vetëm Flamurin e Arbërve, ishte luftëtari i parë, kundër çdo pushtuesi e, kundër fqinjëve grabitqarë, që vetëm me thikë prapa shpine, na kanë ndenj…! I kish parë akrobacitë politike dhe pat zgjedhur krahun kombëtar. Ishte vetëm nacionalist, donte që vendi i tij, të shkëlqente në mes vendeve më të mirë të Europës, ëndërronte perëndimin, Europën, si mbështetje e vendit të tij, se në Europë, bënim pjesë edhe ne, që me Big Beng-un. Duke ndjekur këtë rrugë, kredibiliteti i tij, kishte hyrë ne mitizim e në legjendë dhe fjala e tij, qe ligj për këdo që e dëgjonte…! Ja kështu, me këtë platformë u gjend kleriku i shkëlqyer në politikë, në shërbim të vendit që e donte aq shumë, në shërbim të njerëzve që i donte, kjo do të qe e tëra e gjendjes së tij, në politikën Shqiptare.
Në fund të fundit, politika është besimi rreth një shkolle të caktuar, rreth një programi bindës, për ata që do ta pasojnë. Programi i Baba-Sheh Karbunarës, qe katërcipërisht human, bindës deri në hipnotizim, se ai nuk qe dogmatik dhe prandaj rreth tij, mblidheshin njerëzit e Zotit, dhe prandaj rrethi i tij miqësor, dhe i krushqisë edhe i politikës, do të qe me intelektualë me emër, si; Fan Noli, Bahri Omari, Kolë Kuqali, Rexhep e Mustafa Gjinishi, Kolë Tromara, Sejfulla Malëshova, Sejfi Vllamasi, Koli Rrodhe,…me Nebi Sefën, Syrja Selfo e, të tjerë e të tjerë, nga fise të dëgjuar dhe pari me emër…! Shehu qe kthyer në bajrak në gjithë atë hapësirë në Karbunarë, Darsi, Dumre e Lushnje e, reputacioni i tij, tanimë njihej nëpër gjithë Shqipërinë. Dhe prandaj, do të zgjidhej edhe në Kryesinë e Luftës Antifashiste. Sheh Ibrahim Karbunara, ishte ndërmjetës i Rilindjes dhe i kohës së re…1912…!
Kur Plaku i Vlorës, shpallte Pavarësinë, atje ishte edhe Shehu Ibrahim Karbunara, bashkë me Nehbi Sefën, përfaqësonin Lushnjen, në atë ngjarje të madhe…! Shehu do të mbetej në historinë e vendit edhe si shkruesi i Aktit të Pavarësisë…! Kohët e trazuara pas disgregacionit të perandorisë, pas independencës, akoma nuk jepnin shpresë formimi dhe kristalizimi, të shtetit të ri…! U provua që të mbretëronte edhe Princ Widi, por iku pas 6 muajsh…! Akoma Shqipëria ishte një plasdarm i pa organizuar, ku italianë, grekë e serbë, orvateshin të zhvatnin nga ky vend pa zot, nuk mjaftoheshin me copëtimet e 1913-ës, po të tjera grykësi. Ne strukeshim në veten tonë, ata – kush e kush, të rrëmbente nga ne, kush e kush, të na rrëgjonte…! Por…tanimë qemë zgjuar, na prinin bijt’ më të mirë, më të zgjuar dhe më të përgatitur të vendit…! Në të gjitha ngjarjet kyçe, që do të kalonte vendi, Ibrahim Karbunara, tashmë qe i angazhuar…1919.
Ndërsa grekë dhe italianë, nxitonin të vinin në jetë Traktatin e fshehtë të 1915-ës, atje në Teqenë e Karbunarës, Shehu kishte pritur Konsullin Eden, te Inteligjencie Services dhe Tomsonin. Dy personalitete Ingleze, bisedonin me Shqiptarin e Madh, shumë të interesuar për problemet Shqiptare, pasi Qeveria Britanike, donte formimin e një qeverie kombëtare – në vend të asaj që ishte në Durrës, filo italiane…! Ishte vitale mbajtja e një Forumi kombëtar…! Koha nuk priste! Po në mesin e dhjetorit 1919, në këtë tempull të perëndisë, në Teqenë e Karbunarës, u formua Komiteti me kryetar Sheh Karbunarën, nënkryetar Mihal Gramenon, me përbërje: Sali Butka, Vasil Tromara e, të tjerë, për mbledhjen e Kongresit historik të Lushnjes…! Ishte Sheh Karbunara, që u caktua Lushnja vend-mbajtja e Kongresit. Dhe vetëtimthi nga Lushnja, iu nisën ftesat – Bashkive të Shqipërisë, që të dërgonin delegatët e tyre në kohën e caktuar…! Vend-mbledhja e Kongresit historik, anti-imperialist e anti- grabitqar, do të mbahej në Lushnje…! Kështu ndodhi me Elbasanin, Krujën dhe Lushnjen dhe kështu mbeti në histori, Lushnja, do të mbante nderin e atij Kongresi Kombëtar. 21 Janar 1920, ora 10 paradite. Tek dera e shtëpisë së patriotit lushnjar, Kaso Fuga, Shehu bëri lutje, për hapjen e Kongresit. Lushnja siguroi punime të mbara e të frytshme, në të mirë të Kombit. Kongresi shpalli të rrëzuar Qeverinë e Durrësit, vuri bazat e shtetit të ri, ku populli shqiptar, për të parën here, kristalizohet në një komb. I dha fund epokës shekullore dhe historisë së fiseve, që përbënin popullin shqiptar…! Kërkoi të njiheshin kufijtë e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës dhe nuk e njohu Paktin e fshehtë, të 1915-ës…! Fuqitë e Mëdha u detyruan të njohin vetëm shtetin shqiptar të 1913-ës.
Me Kongresin e Lushnjes do të viheshin bazat e një shteti modern bashkëkohor.. Formoi Këshillin e Lartë, qeverinë dhe zgjodhi senatin… Kongresi i Lushnjes u kurorëzua me sukses, Ministri i Brendshëm A. Zogu, i shoqëruar nga një grup kombëtarista, u nis për në Kryeqytetin e vendit, ku do të niste punën Qeveria e shtetit më të ri të kohës…! Teqeja e Karbunarës – tempull që i viteve 1617 që kish hedhur rrënjët që me Sheh Mehmetin, i ardhur nga Kavaja, rritej vit pas viti e, kohë pas kohe, me Sheh Nuriun, Sheh Hasanin, Sheh Rushitin, në fillimet e shekullit të ri, me më të arsimuarin, me Shqiptarin e madh, të kulturuarin Sheh Ibrahim Karbunarën, do të qe tempulli i ideatorit dhe luftëtarit, në ngjarjet tronditëse që kalonte vendi dhe do të luante një rol të rëndësishëm, në jetën shoqërore politike që nga vitet e para të independencës, të themelimit të shtetit të ri, ashtu edhe gjatë viteve të Monarkisë dhe me pushtimin fashist, u bë çerdhe e luftës anti fashiste…!
Që nga Patriarku e pas tij, të gjithë burrat e fisit dhe më të rinjtë e Shehajve, dolën në luftën për liri. Shehu vetë do të qe në Këshillin e Luftës Nacionalçlirimtare…! Ndërsa Teqeja, digjej nga urët e zjarrit fashist, fisi i Shehajve merrte arratinë në Kosovën e Madhe e në Kadiaj…! Të mbaronte lufta, pra Teqeja do të ngrihej përsëri dhe përsëri fisi do të mblidhej atje ku kishte rrënjët…! Krimi është më i vogël, kur tradhton një qeveri, se sa kur tradhton njerëzit. Ka njëmijë mënyra, të tradhtosh popullin: Mund ta shtypësh me violencë, me terror e bastisje, të shfrytëzosh e të shpronësosh, të varfërosh me miliona burra e gra, të nxjerrësh ligje despotike dhe t’i bësh gjykatat, vegla ndëshkimi; të përhapësh një propagandë gënjeshtare, të ngreshë pa arsye, kundër njeri – tjetrit dy pjesë të shoqërisë; mund të bësh luftë dhe si ata alkimistët, të bësh ar me gjakun e njerëzve. Kështu tradhtohet populli… (Albert Kahn, “Tradhtia e lartë”)
Fatalitet…! Kryqi i Luftës së mallkuar Botërore, që filloi më 7 Prill 1939, mbi kombin tonë, me rreth 1 milionë banorë, do të rëndonte shumë, shumë më tepër se në çdo komb tjetër…! Ndërsa Kryqi i tyre, ishte i drunjtë me përmasa të zakonshme, Kryqi ynë, do të qe i çeliktë dhe me përmasa ciklopike…! Neve do të qemë të rrallët, në mos të vetmit në Europë, që paguam një haraç farmak të hidhur…! Djegiet, vrasjet e barbaritë e luftës, i paguan të gjithë, pooo…pas luftës, gjithë Europa, ashtu edhe bota, filluan të marrin frymë lirisht, përveshën krahët dhe filluan rindërtimin, zgjodhën në krye të vendeve të tyre,e atë që deshën, pra le ta jetonin si të donin pasluftën. Të gjithë ama jetonin në liri, në solidaritet me njeri tjetrin e, me shkëmbime ekonomike fqinjësie të mirë…!
Neve, neve që dolëm nga lufta të sakatuar, na ra mallkimi mbi kokë, as grekut, as italianit po neve, neve vetëtimthi, u ndamë nga aleatët e koalicionit të shkëlqyer Anglo – Sovjeto – Amerikan, neve që ishim përkrah fitimtarëve të luftës, refuzuam Planin “Marshall”, që rimëkëmbi gjithë Europën, përzumë diplomatët Anglo – Amerikanë dhe i shkëputëm marrëdhëniet me ta, mohuam Kosovën dhe u lidhëm dhe më shumë me Serbinë, ramë në të dytën shtypje, në të dytën luftë, në luftën e tmerrshme civile, për t’u vrarë me njeri – tjetrin dhe në të përjetshmen luftë të klasave, që do të na përçante deri në përçudnim, që do të na izolonte deri në mosbesim nga Europa dhe bota e qytetëruar, neve që bënim pjesë në Frontin Demokratik Nacional Çlirimtar, u tradhtuam dhe papritur u gjendëm nën kastën e kuqe komuniste-enveriste, që na bëri hatanë, aq sa filluam të flasim me veten…!
Shumica e të rinjve në atë fillim lufte, që u gjend e organizuar në Rininë Antifashiste, nuk ishin komunistë, jo, por si shqiptarë, që donin të luftonin okupatorin…! Mirëpo udhëheqja diabolike pro-sllave–komuniste, e indoktrinoi tërë atë pjesë…në fillim infiltronte të dërguarit e saj nëpër çeta dhe çetat akoma të pa ndërgjegjësuar, u gjendën të rekrutuara… më pas kur e panë se ç’po bëhej, se po tërhiqeshin për hundësh, nga një farë Dushan e Meladin dhe tanimë ishin përpara grackës dhe po binin në humnerën sllave, filluan të zgjohen dhe të kërkojnë të diferencohen, por tamam atëherë, ata ustallarët uzurpatorë dhe nxënës të mirë të Dushmanit, filluan me presion, prepotencë dhe arrogancë, me terror dhe masakër dhe kështu pa dashjen e tyre, të gjithë e panë veten të rekrutuar dhe mbetën brenda “Stanit të Kuq”.
Udhëheqja komuniste, tani më me revan përvetësonte tërë luftën, uzurponte vendin dhe u mënjanua fare, nga ndjekja e forcave gjermane, i abandonoi e vazhdonte luftën vetëm, brenda vendit dhe larg, shumë larg botës, haptas e në mënyrë të përbindshme, intensifikonte vetëm luftën vëllavrasëse…! Na kish rënë në kokë Mallkimi i Madh: Nacionalizmi që ishte përfshirë në grackë, i mashtruar nga propaganda gënjeshtare, nën flamurin e Frontit të përbashkët Nacionalçlirimtar të Pezës dhe Mukjes, tanimë doli jashtë loje…! Ata me emërtimin; Fronti Demokratik Nacional-Çlirimtar, pa u skuqur fare, gënjyen dhe e kthyen në; Front Demokratik, “Nacional-Shkatërrimtar”, deri nga viti 1948, kur dolën haptas me Partinë Komuniste Shqiptare…! Kur u kujtuan. Babë Sheh Karbunara dhe shumë nga ata, që pa dashje qenë inkuadruar me partizanët, qe bërë vonë dhe kur do ta shihnin që ishin futur thellë, nën urdhrat dhe nën komandën e dushmanëve serbë e malazez, qe bërë tepër vonë dhe nuk kishte më prapaktheu…!
Mjerë ata që u gënjyen, kujtuan se do të dëgjohej zëri i tyre në opozitë. Opozitarët, kombëtaristët që kishin qenë gjithmonë në krye të luftërave për lirinë kombëtare, ata që asnjë herë nuk qenë pajtuar me despotizmin anadollak dhe aziatik, dhe me Monarkinë, ata shqiptarë të mëdhenj, me vizione europiane…si; Bahri Omari, Kole Tromara, Sheh Ibrahim Karbunara, Kole Rrodhe….Enver Sazani, Shefqet Beja, kolonelët Mestan Ujaniku, Riza Dani, Rexho Plaku, Islam Radovicka, me nënkolonelët Baba Faja Martaneshin dhe Baba Fejzo Dervishin e, edhe të tjerë komandantë legjendarë të çetave e më pas të Brigadave, gati komandantët e të gjitha Brigadave, që habiteshin çfarë po ndodhte; “Në Shqipërinë e çliruar”, e ngritën zërin e, kërkuan që të mbaheshin premtimet, atëherë kur i thërrisnin dhe ngriheshin në këmbë shqiptarët, filluan t’iu bien kambanave të alarmit, por tradhtia e lartë, përhapte propagandë gënjeshtare, nxirrte ligje despotike dhe i bënte gjykatat vegla ndëshkimi…!
Tradhtia e lartë…!
Ka njëmijë mënyra të tradhtosh popullin: Mund ta shtypësh me violencë, me terror e bastisje…të nxjerrësh ligje despotike dhe t’i bësh gjykatat vegla ndëshkimi; të përhapësh një propagandë gënjeshtare, të ngresh pa arsye kundër njeri tjetrit dy pjesë të shoqërisë. Kështu tradhtohet populli…(A. Kahn “Tradhtia e lartë”) Përpara se të shkoje në Kinema “17 Nëntori”, nga lindja dhe perëndimi, qenë vendosur banderola të mëdha: “Rroftë Shqipëria Demokratike Popullore” dhe; “Neve jemi besnikë të popullit, deri në vdekje”…! Altoparlanti buçiste deri në çjerrje: “Zgjedhjet e para Demokratike, në Shqipërinë Demokratike Popullore, i fitoi Fronti Demokratik i Shqipërisë”, “Rroftë Fronti Demokratik i Shqipërisë”, “Rroftë Republika Popullore Federative e Jugosllavisë”…!
Formacione ushtarake si në ditë paradash, qarkullonin rreth kinemasë “17 Nëntori”, duke kënduar me zë të lartë:
“Po ngrihet një zë nga fundi i varrit,
Si zjarri kur shkrep e hapet mbi dhe
Hakmarrje o popull në grykë te barbarit,
Hakmarrje, hakmarrje, dëshmori thërret……!
Po ngrihet Flamuri i çlirimit,
Me gjak dëshmorësh i vaditur,
Po ngrihet dhe hovi i kushtrimit,
Të gjithë armiqtë ika goditur…”!
Megafonët udhëve të kryeqytetit, ushtonin me zë të lartë: Sot në Kinema “17 Nëntori”, hapet Gjyqi Special, kundër armiqve të popullit…!
“Bijt’ e Stalinit jemi ne,
Që derdhim gjakun anë e mbanë,
Sa të valojë për mbi dhe
Flamuri drapër dhe çekan…
Pararoja, pararoja…
Ju fashista të fëlliqur,
ja ku vjen ja ku po vjen…
Është lufta e fundit që nisi…
Është gjaku i vëllezërve o shok…
Është revolucioni që krisi…
Për shpëtimin e skllevërve,
mbi tok, përmbi tok…”!
Turmat ishin mbledhur dhe prisnin ne ankth të shikonin ata, deputetët pluralistë, që ishin arrestuar dhe do të dilnin në gjyq. Makina e tyre erdhi, ishte krejt e mbyllur. Ndaloi. Një ushtarak hapi derën e pasme dhe vetëtimthi, zbritën rojet të armatosur me automatikë, me shpejtësi u hapën dhe formuan një kalim, për ata që po i zbrisnin një e nga një…! Të qethur, ata të Kryesisë së Frontit Demokratik, të verdhë dhe të dobësuar, të veshur mirë, sikur do të shkonin në dasmë, se ashtu i kishin urdhëruar, krenarë e u rreshtuan dy e nga dy, se ashtu i kishin lidhur…! Hapnin sytë, si duket të shihnin ndonjë të tyren, apo ndonjë te njohur…!
“Rroftë Shqipëria Demokratike Popullore”! “Rroftëëë…Rroftëëë…” “Poshtë armiqtë e populliiiit”! “Poooshtëëë, Poooshtëëë, Poooshtëë”, “Rroftë Fronti Demokratiiik”! “…Rroftëëë”!…”Vini re, Vini re”! Ato ditë, në kryeqytetin e Shqipërisë Demokratike Popullore, klithej me të madhe; “Rroftë Shqipëria Demokratike Popullore” dhe shkonte në Kinema “17 Nëntori”, i lidhur, Sekretari i Përgjithshëm i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe miku i ngushtë i Myslim Pezës – Shefqet Beja…! Ato ditë, klithej me të madhe; “Neve jemi besnikë të popullit, deri në vdekje”, ndërsa Shehu legjendar i Karbunarës, zinte vend duarlidhur, në bankën e të akuzuarve, Kryetari i Përgjithshëm i Frontit Demokratik, Enver Hoxha, në lozhën e kadifenjtë ngjyrë gjaku, fërkonte duart me të keq dhe kujtonte kur shkonte nga Berati për në Tiranë dhe qenë kthyer për drekë, në Teqenë e Karbunarës:…
“Ai më tha atëherë: Mos e prish Bahriun…! Unë i thashë: “Rri urtë Baba-Sheh…! Ai vetë do të më shikojë, se çfarë do të bëj unë me të…! Ja tek është tani, ai i akuzuar…unë në lozhën e kadifenjtë…! Ai dhe i biri, Hyseni…po, po…pooo dale, dale se kam punë me gjithë fisin e tij, se janë gjithë ata burra…! Do të më shikojnë mirë të gjithë ata, që nuk do të më vijnë pas…”! Ai kapardisej me spaleta të arta të Gjeneral-Armatës, që ia dërgoi Titua nga Beogradi…! Para gjyqit, dilte deputeti nacionalist, Sheh Karbunara, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Luftës Nacionalçlirimtare e, bashkë me të edhe i biri Hyseni.
“Zhvillimi i ‘Gjyqit të Deputetëve’ u bë me “porta të hapura” në Kinema “17 Nëntori”, ku në sallë ishin të pranishëm vetëm “elita” me ftesa nga Sigurimi…! Edhe sot i kam të freskëta akuzat boshe, shpesh edhe fyese që ju drejtoheshin të pandehurve, për t’i demoralizuar. Shumë dinjitoz, ishte qëndrimi i Sheh Karbunarës, kur i lexuan deponimet e djalit te tij, Hysenit, (të cilin e kishin masakruar, gjatë torturave në hetuesi) kur thotë: “Jazek të kesh, për këto që ke thënë”! (Syrja Selfo- dëshmitar i kohës.) …E dëgjoi gjithë salla, Baba Shehu, sfidoi morbozin Enver Hoxha, që kapardisej në lozhën e kadifenjtë… e dëgjonin të gjithë nëpër altoparlantë…e dëgjonte e gjithë Shqipëria…! Ai titani Ibrahim Karbunara, dënohej me pushkatim, me pushkatim dënohej edhe i biri…! Dy mandatat e para, në fisin e madh të Shehut të Karbunarës…! Ai Karbunarasi, biri i këtij populli, bashkë me të birin, shkonte kryelartë drejt vdekjes.
…Ato ditë nëpër sheshet e qyteteve të Shqipërisë, instaloheshin altoparlantë, të lidhur direkt me Kinema “17 Nëntori”-n në Tiranë, që të ndigjonin turmat “Gjyqin e Deputetëve”, apo më saktë; fillimin e diktaturës dhe më saktë akoma, thonjtë në fyt Demokracisë në “Shqipërinë Demokratike Popullore”. Teneqexhiu-shkurtabiq, Koçi Xoxe (si Panço Vila, në filmin Meksikan “Rroftë Zapata”), po dënonte Sekretarin e Përgjithshëm të Frontit Demokratik, vetëm se kërkonte zgjedhje të lira e demokratike, në Shqipërinë Demokratike, dhe Prokurori i zi, Josif Pashko, këpuste romuze, për ta poshtëruar të pandehurin, merrte përgjigjen e merituar dhe vet demaskohej, përpara të pandehurit.
Por..duke qenë se ligji është me më të fortin, e dërgoi Sekretarin e Përgjithshëm të Frontit Demokratik, Shefqet Bejën në litar…! Në litar, martirin e pluralizmit dhe përpara plotonit te ekzekutimit, atë, që një jetë të tërë, i kish dhënë vendit, aq shumë, Shehun e Karbunarës, bashkë me të birin, Hysenin e edhe me të tjerë! Në pushkatim, Shehun legjendar të Rilindjes, Shehun që shkruajti Aktin e Pavarësisë më 1912, Shehun që hapi punimet e Kongresit të 1920-ës, protagonistin e viteve ’30-të, të periudhës së Monarkisë, Shehun që ishte edhe në Kryesinë e Luftës Nacional-Çlirimtare, Shehun që e njihte e donte dhe e respektonte, një popull i tërë…!
Fund-bota e Shehlerëve të Karbunarës…!
Duke gëzuar daljen nga burgu të çdo njërit prej tyre, ishte bërë zakon, që burrat e Shehajve, pyesnin njeri – tjetrin: Kush nga ne e ka rradhën…?! dhe te nesërmen, do të arrestohej tjetri…! Vini re! Vini re, o njerëz, se në çfarë makthi jetonin burrat e gratë, fëmijët, të rinjtë dhe nuset në fisin e shehlerëve: “Kush nga ne, e ka radhën nesër, për t’u nisur hetuesive, burgjeve, katakombeve, torturave, mundimeve, në gojën e ujkut, në fuçitë me ujë të ftohtë…?! Kujt nga ne, do t’i thyhen dhëmbët, nga të rënët me kobure në fytyrë, nga hetuesit trimosha…?! Ata e dinin, se njëri prej tyre qe caktuar. Prisnin me ankth, se kush do te qe ai…?! Kush nga ne e ka radhën?! E donin shumë njeri tjetrin, i dhimbte secilit për fatin e secilit, si për veten e tij…! Kush nga ne e ka radhën…?! Ku vallë, do ti nisin fëmijët tanë…?! Çfarë bëjnë, me atë që morën dje…?!
Po me tjetrin, që nuk e dimë ku është dhe nuk e lanë të marrë edhe ilaçet…?! Ku është vallë…? Pse nuk na tregojnë…?! Fëmijët harruan të qeshnin…vetëm qanin, për baballarët e xhaxhallarët, që i kishin marrë të lidhur, të ngrysur të vrenjtur, të rritur para kohe, fëmijët e fisit të Shehlerëve të Karbunarës…! Gratë hallemëdha u burrëruan…! Burrat e fisit, me nofulla të shtrënguara, pyesnin: “Kush nga ne e ka radhën”…?!
Më 10 Tetor 1947, 77 vjet më parë, pasi pushkatuan titanin e Karbunarës, bashkë me të birin Hysenin, fitimtarët e zijosur të asaj lufte, do të bënin të tjera zullume, mbi tetë burrat e tjerë të Shehajve, do të rrëmbenin edhe dy djemtë e tjerë, të Shehut, Rizain dhe Bakiun, dhe i nisnin qelive, të ndarë nga njeri tjetri, torturoheshin dhe ngriheshin e ngryseshin e gdhiheshin, çimentove me lagështirë dhe ja ku do të arrestonin edhe Njaziun- vëllain e Baba-Shehut e, edhe vëllain tjetër, më të riun Eminin, akoma duke qarë, gra e burra e fëmijë, për ata që ishin arrestuar e torturoheshin, njerëzit e zinj erdhën e rrëmbyen edhe djalin e të vëllait, Tajfurin, e edhe të nipin, Fahriun, dhe të tjerë njerëz të zinj, arrestuan njërin pas tjetrit, edhe dy djemtë e xhaxhallarëve, Ahmetin dhe Nesimin…!
Jo pak po dhjetë burra të një fisi, nuk dinin se ku ishte njeri dhe ku bëhej tjetri, e keqësia e tyre e pafeshme, do të shkonte edhe më tutje, kur pas arrestimeve të burrave, mbi gratë vajzat dhe djemtë e martirëve, do të kontrollonin e do të hidheshin, do të rrëmbenin e grabisnin, si të zijosur dhe do të sekuestronin gjithçka në Teqenë e Karbunarës, e një fis i madh, dhjetë familje dilnin në diell, zotërit e Teqesë së madhe, mbesnin muhaxhire në oborrin e Teqes së tyre e, ata si turmat mongole të Xhengis Khanit, rrëmbenin si të ishin trofe të një beteje të fituar mesjetare…! Dhe 20 vjet më pas, në përsosje të krimit të nisur, “Për të nxjerrë nga dheu ujin e zi”, pasardhës të tyre do të hiqnin edhe gurët e Teqes e të xhamisë që nga themeli e, deri në tjegulla e, deri edhe në minare, që ta fshinin nga memoria këtë shtëpi të zotit, Teqenë e Baba-Shehut, vatrën e një fisi me emër…!
Kështu e çonin deri në përkryerje, krimin e filluar që kryebanditi, gjak e, nip jeniçerësh, ta bënte gjumin të rehatshëm atje në kështjellën e tij të gjaktë, të Bllokut të zi, që turmat e mjera, të mos e hidhnin më shikimin nga Zoti por, besimet e lutjet, klithmat e britmat histerike, t’i drejtoheshin vetëm atij, të ishin pronë vetëm e tij…! Nga kështjellë fisnikësh shekullore, që bënte jetën tradicionale si e gjithë Europa Perëndimore bashkëkohore – dishepuj të Zotit që predikonin e përhapnin fjalën e mirë dhe udhën e zotit, virtytet në njerëzit, do të qëlloheshin me gurë që digjnin, komunistët qëllonin me gurë meteorikë Teqenë dhe po rrëmbenin çdo gjë, që fisi i Shehajve trashëgonte në breza, kamje, shtëpi e katandi, e mbetën Shehajt, me rrobat e trupit dhe me nga një batanije të fshehur gërmadhave, që kishin lënë flakët e zjarreve të fashizmit, flakët e zjarreve serbo-komuniste dhe merrnin rrugët e shpërndaheshin si zogjtë e korbit.
Familja e Rizait, u strehua tek miqtë në Tiranë, familja e Tajfurit, e Bexhetit dhe e Bakiut në Vlorë, familja e Njaziut e ndarë në Berat, Bobrat e Çanakaj, të tjerët u urdhëruan të merrnin rrugët, andej nga veriu – në Shkodër ose, në Tepelenë, nëpër njerëzit e tyre, e miq e shokë dhe shkoi Odisea, deri në Kukësin e largët, që në atë kohë, duheshin 10-12 orë për të arritur atje, ku gjetën solidaritetin e mikpritjen tradicionale të njerëzve të zotit…! Shpërndahej një fis, ndaheshin me njeri – tjetrin me lot e kuje, mëngjeseve të ftohta dhe merrnin rrugët nga sytë këmbët, duke iu mbetur shikimi mbrapa, duke i ngritur fytyrat e përlotura nga qielli e, duke ngritur duart e, duke u lutur tek Zoti i madh. Ndaheshin nga njeri – tjetri, nën krisma automatikësh ingleze – që qëllonin në qiell, nga bashkëkombësit e tyre.
“O shehlerë, o të mjerë,
ç’është kjo behdava?!
Një kuçedër, një panterë,
o e shtyp këtë dynja…?!
“Preji kokat e këtyre gjarpërinjve, ooo Zot! Preja gjuhën gjarprit, që nëpërgoi ty o Zot” – lutej Shehu, përpara se ta kryqëzonin…! “Marrsh hak ooo zot”, dëgjohej rënkima e dervishlerëve, shehlerëve e hoxhallarëve…! “Marrsh hak, ooo zot i madh e, i vërtetë”, dëgjoheshin thirrjet e burrave grave dhe fëmijëve…! “Aaaman jepi fund, ooo Zot i Madh e i vërtetë”! “Jepi fund ooo Zot, se na rrëzoi e na shtriu për dhe”, dëgjoheshin thirrjet e njerëzve të zotit…! “Mos e humbisni besimin tek Zoti i Madh, o njerëz…! Ka, ka Zot…! Të falemi ty o Zot i Madh dhe i vërtetë…! Amin…”!
PËRÇARJA E MADHE:
Mos rrini me Izet Shehun, birin e Teqesë së Karbunarës…! Nuk ia duam poezinë atij, nuk ia duam këngën atij…! Atij i ngjisnin Fletë-rrufetë historike kineze, në mes të qytetit, në qendër të Karbunarës, në zborin ushtarak, në Qafë Gjarpër e, kudo kudo që të gjendej…! I ishin qepur keq poetit te ri, Izet Shehut, jo për tjetër gjë, vetëm se ishte nipi i Shehut të Karbunarës, njërit nga figurat më të shkëlqyera të Kombit, shokut të Fan Nolit, shokut dhe bashkëluftëtarit Sejfulla Malëshova, vëllait për gjak të Bahri Omarit, mikut të idealit dhe shokut të armëve, Mustafa Gjinishit, Babait të Teqesë të traditës katër – shekullore të Karbunarës, Shqiptarit të madh, që kaloi mes furtunave të mëdha me gjithë shqiptarët, Shqiptarit të ditur dhe të respektuar brenda dhe jashtë vendit, në Shqipëri, në Europë dhe nëpër botë…!
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe…! Në Shqipëri, nuk mund të jetonin së bashku, ata që e donin vendin dhe ata që nuk e dinin, se ç’don të thotë; dashuri për vendin…! Nënat shqiptare, kishin bërë njerëz të mirë, por kishin bërë edhe “lanetër me brirë”…! Lanetërit, të pafetë, të padinë dhe imanet, u treguan djaj të vërtetë, ashtu siç i kishin bërë nënat e tyre, nënat e lanetërve…! “Jepi fund këtij terrori, ooo Zot…! Jepi fund se na rrëzoi, na futi në dhe, na fundosi”, dëgjoheshin lutjet e një populli…
104 vjet, pas Kongresit Kombëtar…!
Lushnja tanimë, është një qytet i kompletuar me shëtitore dhe sheshe, me institucione administrative arsimore kulturore, ekonomike dhe shoqërore politike, me një armatë artistësh, piktorë e skulptorë, të cilët e kanë pasqyruar përherë e vazhdimisht natyrën me njerëzit e Myzeqesë së Lushnjes dhe nuk më duket harresë, aq sa neglizhencë, apo do të qe e pafalshme, po të qe mosdashje e njërit partiak apo tjetrit, që akoma nuk i është ngritur monumenti atij, që e deshi vendin si Zotin, të parit të dhjetë burrave, të masakruar e burgosur e torturuar, të fisit të Shehlerëve, atyre burrave që për vendin, nuk kursyen pasuri, shtëpi e katandi, nuk kursyen as veten, ashtu siç nuk u tërhoq nga rruga e tij gjatë, një jete të trazuar, i pari i tyre, Titani i Karbunarës, figurë e shquar deri në martirizim, e pluralizmit, atëherë kur po pllakoste diktatura e zezë, nderit dhe krenarisë së Lushnjes e nderit dhe krenarisë së Kombit. Memorie.al