Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore ku hidhet dritë mbi historinë e panjohur të protestës së senatorit amerikan, Charles Kersten, i cili në vitin në 1953, me anë të një rezolute i bëri thirrje Presidentit të SHBA-ve që të mos njihte qeverinë komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri. Të gjithë detajet e asaj letre ku politikani i njohur amerikan akuzonte regjimin e Tiranës, i cili kishte shtypur me dhunë çdo lloj opozicioni, duke kryer arrestime, burgosje dhe pushkatime në masë, si dhe informacioni për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë lidhur me shtypin e diasporës antikomuniste në SHBA që nxirrte Komiteti “Shqipëria e Lirë”…
Qeveria e Enver Hoxhës, posa mori fuqinë në dorë, në fillim me forcë dhe pastaj me zgjedhje të fallsifikuara, ka shtypur çdo opozitë me arrestime, burgime dhe pushkatime, po ushtron mënyra brutale për të zhdukur çdo ndjesi njerëzore e kombëtare, ka grabitur pasurinë private, ka skllavëruar bujq e punëtorë në ferma dhe fabrika shtetërore, ka internuar burra, gra fëmijë, pleq e të rinj në kampe përqendrimi, me qëllim që të zhdukë fare racën shqiptare dhe kulturën e saj. Enver Hoxha po helmon gjithashtu rininë e Shqipërisë me një doktrinë amorale dhe ka zhdukur shumicën e klerit katolik, ortodoks e mysliman. Prandaj i lutem Presidentit që të urdhërojë përfaqësuesit amerikanë pranë Kombeve të Bashkuara, që të kërkojnë tërheqjen nga Shqipëria të organizatorëve rusë dhe të policisë sekrete dhe gjithë agjentëve të imperializmit sovjetik që janë grumbulluar atje me qëllim që të turbullojnë paqen botërore”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një prej pikave të rezolutës së senatorit amerikan Charles Kersten, të paraqitur para Senatit të SHBA-ve në shkurtin e vitit 1953, ku politikani amerikan, pasi i bënte një analizë të hollësishme, regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, i bënte thirrje zyrtare Presidentit të SHBA-ve që të formulonte një politikë të jashtme më të fortë, në mënyrë që Amerika të mos e njihte regjimin komunist në Shqipëri. Po çfarë thuhet më tej në rezolutën e senatorit amerikan Kersten, si e përshkruan ai gjendjen në Shqipëri dhe krimet e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës?
Senatori Miller: “Enveri spastroi deputetët”
Një nga informacionet e diplomatëve shqiptarë të përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtetet perëndimore, dërguar për Ministrinë e Jashtme në Tiranë, është edhe ai i titulluar:
”PJESË NGA SHTYPI SHQIPTAR I KRIMINELËVE TË LUFTËS GJATË MUAJVE JANAR DHE SHKURT 1953”,
me nëntitull:
“Mesazhe dhe deklarata të plota të personaliteteve amerikane”
(Arkivi i MPJ. Viti 1953. Dosja 291).
Në fillim të këtij informacioni, jepet mesazhi i admiralit amerikan Miller, kryetar i Komitetit “Evropa e Lirë”, drejtuar popullit shqiptar me rastin e Krishtlindjeve. Mesazhi i Millerit, i cili njëkohësisht ishte dhe një nga 96 anëtarët e Senatit të SHBA-së, është botuar nga gazeta “Shqipëria” (organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë) në numrin e saj të 1 janarit 1953. Në atë mesazh midis të tjerash thuhet: “Të dashur dëgjues shqiptarë. Sot, shumë prej jush bashkohen me qindra milion të krishterë në të gjithë botën për të festuar lindjen e Krishtit. Unë besoj se kjo ditë, megjithëse shumë prej jush jeni të ndaluar të shkoni në kishë, i mbush zemrat tuaja me gëzim, ditë lutje për çlirimin tuaj. Ju jeni të fortë dhe keni me vete historinë e gjithë njerizimit. Midis jush mund të ketë njerëz që nuk bashkohen me ne në festimet e sotme, se ata s’kanë Zot, se janë shërbëtorë të Stalinit. Këta duhet ta kuptojnë se sa të këqija vijnë nga Lindja dhe jeta e një njeriu të keq. Radio Europa e Lirë nuk është një organizatë propagandistike e ndonjë besimi fetar, por një organizatë që i kushtohet tërësisht idealit që njeriu duhet të jetë i zoti që të jetojë me liri dhe vullnet të mirë. Ky është mesazhi që ju dërgoj miqve shqiptarë për Krishtlindje dhe nuk do të pushoj kurrë së dërguari mesazhe të tilla. Unë jam një nga 96 anëtarët e Senatit amerikan. Shumë nga këta nuk janë dakord me këto që po ju flas sot juve, po natyrisht pa marrë parasysh politikën zyrtare të qeverisë s’onë, ata dhe unë kemi mundësi të shfaqim hapur parimet në të cilat jetojmë. Kjo është baza e qeverisjes demokratike. Me mbarimin e luftës u bënë zgjedhjet në Shqipëri, si dhe në vendet të tjera dhe qeveritë e Frontit Popullor, të formuara nga parti të ndryshme muarën frerët në dorë. Por me gjithë këtë komunistët nuk ishin fort të kënaqur, deri sa nuk kishin në dorë të tyre fuqinë totale. Nuk është nevoja t’ju kujtoj juve fatin e Eduart Benesë ose të Jan Masarickut. Spastrimi i anëtarëve të Asamblesë Popullore Shqiptare nga ana e Enver Hoxhës dhe i shokëve të tij është ende i freskët në mendjen t’uaj. Ëndrra juaj për një liri kombëtare, shpresat e juaja për një sigurim ekonomik, dëshira e juaj për një liri individuale, të gjitha janë të destinuara të përmbushen në një të ardhme jo të largët. Miliona amerikanë janë thellësisht të ndërgjegjshëm për faktin që tirania mbi Shqipëri është një kërcënim i lirisë dhe i demokracisë në mbarë botën. Sot populli amerikan shikon me keqardhje të madhe vuajtjen e popullit Shqiptar dhe shpreson më në fund se Shqipëria do të kthehet në Komitetin e Kombeve të Lira”. Po a ndikoi mesazhi i Kerstenit në qëndrimin e SHBA-së ndaj Shqipërisë? Ky mesazh i dhënë para Senatit amerikan në janarin e vitit 1953, duket se pati një ndikim jo të vogël në politikën amerikane ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës. Kjo gjë shihet qartë po të kemi parasysh se, pas asaj periudhe, qeveria e SHBA-së i rriti ndjeshëm financimet për Komitetin “Shqipëria e Lirë”, si dhe ato të grupeve të ndryshme të shqiptarëve të mërgatës antikomuniste në Perëndim, të cilët stërviteshin në bazat e Italisë, Greqisë, Gjermanisë dhe Maltës për të zbarkuar në Shqipëri. Kjo kohë përkon dhe me hedhjen në Shqipëri të grupeve të Hamit Matjanit, Halil Branicës, Zenel Shehut etj., të cilët, siç dihet, u kapën nga Sigurimi i Shtetit dhe për këtë disfatë (nga shumë analistë që janë marrë për vite me radhë me historinë dhe ngjarjet e Luftës së Ftohtë), është vënë gishti mbi tradhtinë e bërë nga Kim Filbi. Dhe ajo më kryesorja që bëri regjimi komunist i Tiranës në atë kohë pas protestave dhe rezolutës se senatorit Kersten, ishte mbyllja e kampit të internimit të Tepelenës, gjë e cila me shumë gjasa mendohet të ketë ardhur pikërisht nga presioni që ushtroi qeveria e SHBA-ve ndaj Tiranës zyrtare në lidhje me shtypjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, ky si shembull konkret merrej kampi i tmerrshëm i Tepelenës ku humbën jetën me dhjetëra të internuar.
Rezoluta e senatorit Kersten para Senatit të SHBA-ve
Pas mesazhit të senatorit Miller, në faqen e katërt të informacionit për Ministrinë e Jashtme në Tiranë, diplomatët e ambasadës shqiptare të akredituar në një nga shtetet perëndimore, japin të plotë edhe rezolutën e senatorit amerikan Josep Charles Kersten, të titulluar: “Për lirinë e Shqipërisë”, i cili ia ka paraqitur atë Senatit amerikan. Në atë mesazh, midis të tjerash, senatori Kersten ka shkruar: “Bashkimi Sovjetik ka shkatërruar mundësitë e lirisë dhe të independencës së Shqipërisë, që duhesh t’i kishte fituar që kur mori fund Lufta e Dytë Botërore, dhe e ka vënë Shqipërinë nën zgjedhën dhe kontrollin e një qeverie komuniste, kukull e Kremlinit. Ky regjim është munduar me premtime të rreme të sigurojë njohjen e tij nga ana e Amerikës dhe Anglisë. Qeveria e Enver Hoxhës, posa mori fuqinë në dorë, në fillim me forcë dhe pastaj me zgjedhje të falsifikuara, ka shtypur çdo opozitë me arrestime, burgime dhe pushkatime, po ushtron mënyra brutale për të zhdukur çdo ndjesi njerëzore e kombëtare, ka grabitur pasurinë private, ka skllavëruar bujq e punëtorë në ferma dhe fabrika shtetërore, ka internuar burra, gra fëmijë, pleq e të rinj në kampe përqendrimi me qëllim që të zhdukë fare racën shqiptare dhe kulturën e saj. Enver Hoxha po helmon gjithashtu rininë e Shqipërisë me një doktrinë amorale dhe ka zhdukur shumicën e klerit katolik, ortodoks e mysliman. Kundrejt Shqipërisë janë bërë gabime tragjike nga politika e disa shteteve të lirë, ndër to dhe Amerika, për arsye se në një kohë është shpresuar një bashkëpunim i sinqertë me Komunistët. Sot jemi të bindur dhe është provuar se Komunizmi në Shqipëri është mjet konspiracioni në duart e komunizmit ndërkombëtar dhe vë në rrezik paqen ndërkombëtare. Prandaj: I lutem kësaj Dhome të Deputetëve të vendosë që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bashkojë përsëri me miqësinë historike e tradicionale popullin amerikan me atë shqiptar, të cilët kanë aspirata të përbashkëta për liri, demokraci e drejtësi. I lutem këtij Kongresi të shprehë bindjen e patundur të popullit amerikan që populli shqiptar ka të drejtën e vet të qeverimit me pëlqimin e tij të plotë, me anë zgjedhjesh të lira dhe që asnjë komb tjetër nuk mund ta ndajë prej tokës së tij me forcë, as edhe që ta mbajë tokën shqiptare me forcë. I lutem Senatit të Shteteve të Bashkuara që të shprehë bindjen e popullit amerikan se populli shqiptar ka të drejtë të gëzojë të drejtat themeltare të lirisë për të cilat ai është hedhur në luftëra shekullore; midis këtyre të drejtave numërojmë këto:
- Të drejtën e fshatarësisë mbi zotërimin e tokës, që ta punojë ashtu si i pëlqen dhe të disponojë frytet e saj sipas dëshirës.
- Të drejtën e punëtorëve për të zgjedhur lirisht llojin e punës e për të përfituar nga rroga e tyre, si dhe për të caktuar ata vetë orët e punës me anë të sindikatave të lira.
- Të drejtën e intelektualëve për të krijuar lirisht aksione shkencore dhe artistike nëpërmjet institutesh edukative, shkencore dhe kulturale të pavarura nga shteti.
- Të drejtën e besimit, të fjalës, të shfaqjes së mendimit dhe të lirisë së shtypit. Përveç këtyre, për të ndihmuar popullin Shqiptar, Presidenti i Shteteve të Bashkuara është i lutur që:
- Të formulojë një politikë të jashtme të re më të fortë, në mënyrë që të mos e njohë regjimin komunist në Shqipëri.
- Të fajësohet regjimi komunist i Rusisë si agresor, regjim që ka shkelur parimet themeltare të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe marrëdhëniet ndërkombëtare duke robëruar Shqipërinë.
- Presidenti të urdhërojë përfaqësuesit amerikanë pranë Kombeve të Bashkuara që të kërkojnë tërheqjen nga Shqipëria të organizatorëve rusë dhe të policisë sekrete dhe të gjithë agjentëve të imperializmit sovjetik që janë grumbulluar atje me qëllim që të turbullojnë paqen botërore.
- Të kërkojë që të bëhen zgjedhje të lira në Shqipëri nën mbikëqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbas një periudhe përgatitore. T’i jepet mundësi popullit shqiptar që të shporrë terrorin komunist, që kështu të rivendoset atje paqeja dhe liria”./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016