Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al / Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, dhe si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore, që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.
Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSh-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Poliike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së për propagandë, artin dhe kulturën), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gardës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Ilo Manushi (oficer madhor dhe shefi Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Mark Dodani (ish-nënkolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), etj., etj.
Nga letrat apo raport-informacionet në fjalë të dërguara në adresë të Grupit Operativ Special pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, (në vitet 1982-1983), apo personalisht ministrit Hekuran Isai, kemi përzgjedhur për botim në këtë shkrim letrën e ish-oficerit të lartë të Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Mark Dodanit, (i njohur edhe si skenarist i disa filmave të Kinostudios “Shqipëria e re” dhe shkrimtar e autor i disa librave), e cila është nxjerrë nga një dosje voluminoze, që gjendet në fondin arkivor të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ai e informon drejtuesin kryesor të ministrisë së Brendshme, me detaje dhe hollësi, mbi disa nga ngjarjet më kryesore, që ai ka pasur rastin të jetë vetëm prezent për shkak të detyrës, apo dyshimet që i kanë lindur për ato ngjarje dhe persona.
Si p.sh. arratisja dhe vrasja tragjike në shpellë me artileri, e kolonel Haxhi Hajdarit, (ish-deputet i Kuvendit Popullor), në 8 prill të vitit 1963, vdekja misterioze e kolonel Myslym Ketës, më 26 shkurt 1966 (ku Mark Dodani, shkruan se ishte ngarkuar nga ministrit Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu, ta eliminonte atë fizikisht, pasi ai kishte kaluar në tradhti dhe donte të arratisej), arratisjen në Greqi dhe misterin e vrasjes së Izet Osmanit, bashkëpunëtorit të Kundër admiralit të Flotës ushtarake Detare, gjeneral-major, Teme Sejkos, disa prej kombinacioneve që Kadri Hazbiu kishte bërë me agjenturën greke në Jug të vendit, ku implikohej edhe sekretari i Kadri Hazbiut, Xhelal Shaqiri, që u burgos dhe u lirua më pas nga Feçor Shehu, etj. etj. Për më shumë rreth këtyre, na njeh letra në fjalë e Mark Dodanit, që publikohet për herë të parë në disa numra, nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME LETRËN E ISH-OFICERIT TË LARË TË SIGURIMIT TË SHTETIT, NËNKOLONEL MARK DODANI, DËRGUAR MINISTRIT TË BRENDSHËM, HEKURAN ISAI, NË VITIN 1982
Ministrit të Punëve të Brendshme
Shokut Hekuran Isai
Tiranë
I dashur shoku Hekuran
Duke vlerësuar me tërë përgjegjësinë si komunist, mësimet jetë dhënëse të Partisë, të shokut Enver, mbi situatat e kohëve të fundit në luftë kundër armiqve të egër të Atdheut, sidomos për këto që njoha në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndjej detyrë t’u çoj informacionin që gjykoi, se mund të jetë i dobishëm dhe ta lë në gjykimin tuaj të partishëm.
Më përpara shtoi se jam A.P.P.SH. Mark Dodani nga një fshat mirditor që hyn në juridiksionin e Shkodrës, i organizuar i ri komunist në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare në Korçë dhe A.P. në Pukë, si dhe punonjës i organeve të Punëve të Brendshme që nga fillim i vitit 1946 në Pukë, dalur në lirim në kohën e plenumit të 8-të të Komitetit Qendror në vitin 1948, rikthyer përsëri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, menjëherë pas plenumit të 11-të më 1948, ku kam vazhduar punën pa u shkëputur (përfshi dhe kohën e transferimeve ndër rrethe) deri më 1975.
Në këtë vit më nxorën në lirim me firmën e Kadri Hazbiut, i shtyrë të kërkoja vetë unë, si i sëmurë, megjithëse pesë vjet para afatit të plotësimit të moshës, sido që kisha mbi 30 vjet shërbim. Në emër të Kadri Hazbiut, më patën premtuar që do të vazhdoja të merresha me punën studimore edhe si shkrimtar, por në vitin 1977, më thërriti Bato Karafili, i cili më detyroi që të merrja lidhjen e Partisë, jashtë organeve të Punëve të Brendshme, meqenëse këtu sikundër u shpreh ai, nuk mund të vazhdojë duke qenë në lirim, pavarësisht nga dëshira për shkrime e studime të ndryshme.
I kërkova në atë kohë Batos, që të më lejonte të bëja jetën e Partisë, pranë shkollës së lartë të M.P.B.-së, por refuzoi. Gjithësa dua të informoj, lidhet edhe me mendimin që ka qenë krijuar te unë, që as ëndërr nuk shikoja se paskësh patur tradhtarë e kriminelë të tillë, si: Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu etj., pasues të tyre, të cilët me mendjet e huaja deshën të na djegin vatrën, të na vrasin Partinë, të na shuajnë Shqipërinë.
Po paraqes faktet që njoh unë:
Për çështjen e Rrustem Furrikut. Kadri Hazbiu i kishe bërë një letër që Rrustem Purriku, ishte nga katundi Kabash i Pukës. Ishte njëkohësisht sekretar i organizatës bazë të Partisë në Kabash, si dhe familja e tij, konsiderohej në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, si bazë ku kanë qenë strehuar partizanët e krahinës.
Rrustemi më tha se dikush në Degën e Punëve të Brendshme të Pukës (nuk përmendi emër), e kishte shtyrë si këtë dhe vëllan e tij, Saliun, për të dhënë deponime të rreme, në adresë të një ish-oficeri të arrestuar. Bile për këtë gjë, tha se; veç Riza Kuçit, ish-kryetar Dege në Pukë, e kishte thirrur në Parti, Thoma Dine, ish-në atë kohë, sekretar i parë i Komitetit të Partisë në rreth, tani arrestuar si armik. Hollësisht, shoqëruar me një dokument origjinal (dokumenti ishte letër e shkruar nga dikush në Degë), Rrustemi ia ka dërguar në atë kohë (më duket nga viti 1978 ose 1979), Kadri Hazbiut, i cili asokohe ishte akoma në postin e Ministrit të Punëve të Brendshme.
Për hir të vërtetësisë së këtij informacioni, për të dokumentuar në se letra (ashtu siç pretendonte Rrustemi), shkoi ose jo në dorë të Kadri Hazbiut, nga ana ime, në letrën që dorëzova përpiqesha të shtjelloja intrigën, për të cilën pretendohet. Ndaj i kisha çuar edhe unë një informacion Kadri Hazbiut, përmes sekretarit. Në atë informacion, pata përmendur që; Rrustem Purriku, ankohej për shokë të Degës Punëve të Brendshme në Pukë, lidhur me shkelje të ligjit, përsa i takon detyrimit, që i kishin bërë të vëllait (Saliut) për të dhënë deponime të rreme.
Për këtë, shkruaja se kishin përpiluar një letër me thënie të improvizuara, kundër një të arrestuari ish-oficer. Në gjyq Saliu, (vllai i Rustemit), foli të kundërtën e asaj që prisnin të interesuarit në Degë. Deklaroi që letrën e shkruar me gënjeshtra, nga dikush në Degë, e ruante në një vend të fshehur dhe sapo të lirohej, do ta çonte lart në Parti. Për çudi Saliu vdiq pas disa ditësh, nga deklarata që dha mbi letrën në gjyq.
Për këtë informacion, Kadri Hazbiu, përmes sekretarit, duhet të ketë marrë njoftim, si nga unë ashtu dhe nga vetë i interesuari. Ky i fundit, sa di unë, ka shënime për datat dhe emrat e shokëve me të cilët ka komunikuar në ministri, mbi këtë problem, por deri tani (siç pretendonte), nuk ka marrë asnjë përgjigje. Është tepër i shqetësuar familjarisht, më tepër se nga vdekja e vëllait, për përjashtimit vëllazërisht nga Partia.
Rreth njohjes që kam për familjen e Rrustem Purrikut, lidhur me ngjarjen raportuar Kadri Hazbiut, kam dhënë informacion të detajuar me shkrim si komunist, edhe pranë Komitetit të Partisë në Pukë.
Lidhur me tradhtarin Haxhi Hajdari.
Në vitin 1963, kur u arratis ai ish-kolonel, armik, u ngarkova edhe unë me shërbim. Pasi krimineli vritet nga forcat tona, në shpellën e Lugut të Rrjollit, në malësinë e Shkodrës, unë u ktheva në Ministri. Mbaj mend, që duke qenë në zyrë bashkë me “Heroin e Popullit”, Asim Aliko, kam lexuar një shkresë të Degës Punëve të Brendshme Shkodër, me firmën e Feçor Shehut, i cili qe kryetar, ose me firmën e zëvendësit të tij.
Këtu raportohej dhe kërkoheshin veprime në drejtim të një rezidenture, që ndiqnim me pseudonimet sa më kujtohen, “Mustaqja” në Durrës (ishte fjala për A.P., oficer i organeve të Punëve të Brendshme, Halil Zenelin), për një tjetër me iniciale, s’mbaj mend se ç’inicjale, por kuptova që ishte fjala për A.P. -oficerin në ministri, shokun Xhemal Bejtja, si dhe për A.P., Dr. Sitki Bushatin, ky i fundit me emër të hapur.
Mora me mend, që këto veprime nuk mund të bëheshin pa miratimin e Kadri Hazbiut. Ky njëkohësisht, do të kishte miratim nga Parti, ndryshe kjo do të ishte një shkelje e rëndë e platformës. Tani dyshoj, që Kadri Hazbiu me Feçor Shehun, do të kenë shkelur edhe në këtë rast me qëllime të caktuara, Platformën Politike të Partisë, duke përpunua shokë besnikë, siç njoh unë ata që përmenda më sipër. Megjithatë, dyshimi që përmenda mbi këta shokë, është vetëm dyshimi im, sepse nuk di praktikën e mëtejshme të kësaj çështjeje.
Flitet që Feçor Shehu në atë kohë, “hiqej” sikur do të zbulonte një komplot të rrezikshëm, që kapte veriun, ashtu siç ndodhi me komplotin e Teme Sejkos dhe Panajot Plakut, në jug. Për veprimet e Feçor Shehut, në drejtim të Halilit, Xhemalit dhe Sitkiut, duhet të ketë patur dijeni edhe Rexhep Kolli, i cili ka marrë pjesë drejtpërsëdrejti, në operacionet kundër Haxhi Hajdarit, me cilësinë e drejtorit të Sigurimit të Shtetit? Ndërkohë Xhemal Bejtja, punonjës i Degës së Luftës kundër Bandave, pashë që lexoi vetë, shkresën për të cilën fola.
Në atë kohë, për këtë problem nuk mund të dija më gjatë, mbasi nuk kisha asnjë detyrë dhe si zakonisht, për gjëra të tilla, zbatoja rregullat e rrepta që kishim të përcaktuara nga Partia. Para Xhemalit dhe Lilos, kam heshtur, por Rakip Beqon, si zv/kryetar i Degës së Shkodrës, e kam pyetur i mbi atë shkresë. Rakipi më tha, që nuk dinte asgjë, veç një denoncuesi që ngatërronte dhe emrin e babait të Xhemalit, rreth arratisjes së Haxhi Hajdarit.
Gjithë kjo, lidhej në atë kohë, me ndjekjen e kriminelit Haxhi Hajdari. Mbas vrasjes së këtij krimineli, Haxhi Hajdarit, nuk di si dhe pse Dega e Shkodrës, pati çuar shkresën që përmenda në Degën ku punoja dhe unë bashkë me Asimin, Xhemalin, etj., dhe me kryetar Dege, Banushin. Ndërkohë, me pati bërë përshtypje, pse nuk na lejuan që Haxhi Hajdarin, ta kapnim gjallë, se kishte mundësira për këtë, (fjalia e fundit, në origjinal është shtuar me sa duket, pasi është bërë materiali. Shënimi im, Hasan Ulqinaku).
Djegia e shumë dokumenteve, u bë me urdhër nga lart, mesa mbaj mend rreth viteve të tradhtisë hrushoviane, gjë që ishte lënë në kompetenca të Degëve. Mendoj tani, që ky veprim është domethënës, përsa i takon zhdukjes së gjurmëve që komprometonin Kadri Hazbiun, e të tjerë pasues të tij, si shkelës të Platformës Politike të Partisë, si dhe të ligjeve e normave të përcaktuara. Këtë fakt, po e ngrij, se mbaj mend dosjen e “Heroit të Popullit”, me pseudonimin “Furtuna” (Pal Melyshi), që kërkohej dhe nuk di ç’a bë me të, veçse dëgjova që dikush e kishte djegur. Hollësira nuk di.
Në periudhën e ndjekjes së komplotistëve Teme Sejko, Panajot Plaku e të tjerë, i ngarkuar me detyrat që diktonte situata sipas porosive, seksioni i Kundërzbulimit Grek, që drejtoja unë, ruante të gjitha implikimet që dilnin. Bile thuhej, që kur të bëheshin kontrolle për punë operative, veç kartotekës, duheshin kontrolluar edhe listat me emra, pseudonime dhe numra që pregatiste seksioni ynë. Në këtë seksion në atë kohë, punonin, si Punëtorë Operativë drejtimi, këta shokë: Gezim Hila, Llazi Cici, Jorgo Kareco, Koço Agora dhe unë
Më kujtohet rasti i implikimit të Xhelal Shaqirit, ish-oficeri ynë. Më duket punonte në Degën e Vizave, a sekretar pranë Kadriut, në atë kohë, Xhelali ishte kthyer nga Parisi, si punonjës në ambasadë. – Implikimi ishte afërsisht kështu: “Xhelal Shaqiri, kishte lidhje të ngushta me grupin e komplotit, i cili ishte në shërbim të Zbulimit Grek. Ndërkohë, njërit prej pjesëtarëve të atij grupi, sikur i kishte dhënë revolver, apo kishte marrë një të tillë, nuk më kujtohet mirë”.
Veçse me kujtohet në ditën e implikimit, Kadri Hazbiu e ngarkon personalisht Xhelalin, për të vajtur me shërbim në Konispol, ku të bënte takime për arsyena operative. Unë nuk di ç’porosira mori Xhelali nga Kadri Hazbiu, veçse i interesuar që të ndalohej ky veprim, në këto kushte kur Xhelali implikohej, pata rastin të informoja urgjent. Më thërriti Rexhep Kolli. Arrestuam Xhelalin, pa e zgjatur, me legjendën sikur kishte shkelur rregulloren ushtarake. E si e sigurova në birucën e burgut Tiranë, kur më duket, ishte Feçor Shehu, Drejtor i Punëve të Brendshme. Mirëpo Kadri Hezbiu, e fali pas pak kohëve.
Në fakt përshtypja tek unë, u krijua e mirë, ngaqë mendova që Kadri Hazbiu, kushedi çfarë din më tepër në favor të Xhelalit. Tani ky punon në Spedicionin e Tiranës, është A.P., e takojë me konsideratën që kishte Kadri Hazbiu për të, gjë që e kam quajtur konsideratë partie. Natyrisht, përderisa Xhelal Shaqiri, është A.P., unë nuk ruaj asnjë iluzion, ama këtë fakt, po e ngre vetëm sa për t’u ditur, si fakt që lidhet me komplotistin Kadri Hazbiu. Për këtë çështje, shokët Rexhep Kolli dhe Pilo Shanto, duhet të dinë hollësira më tepër nga unë.
Po në këtë periudhë, mbaj mend një rast tipik që tani më bën përshtypje, në adresë të Kadri Hazbiut. Ky, nga pozita ministrit, duke më marrë me vete në Sarandë, për një kombinacion që drejtonte vetë, pasi dështuam, më pyeti: “Si mendon ti, pse na priten lidhjet, kontakti, me agjenturën dhe zbulimet armike, jashtë shtetit”?! Unë ju përgjigja çiltër, se ma merrte mendja se; “zbulimet armike, duhet të kishin agjenturë të fortë në radhët tona”. Këtë të vërtetë, e thonim të gjithë atëherë, ne që punonim në këtë sektor, se shihnim e merreshim me lloj lloj personash të implikuar.
Konkretisht Kadri Hazbiu, miratoi personalisht kombinacionin që realizuam në kufirin grek, me një objekt nga Mursia. Ky dyshohej si agjent. Në drejtim të këtij personi, vepruam kështu: “Asim Aliko, Jorgo Kareco dhe unë, u bëmë si diversantë, sikur gjoja vinim nga Greqia. Në një pikë diku larg, vendosëm shefin e Zbulimit, Nuri Kostën, të cilin e porositëm që të mos lëvizte nga vendi dhe në një orë të caktuar, pas mes nate, neve të na bënte sinjale drite, me anë të elektrikut të dorës, që iu la apostafat.
Ndërkaq Asimi, Jorgua dhe unë, si “diversant”, kapën befasisht objektin. U nisëm me objektin bashkë, drejt kufirit grek, gjoja për të kaluar jashtë shtetit tonë. Në rrugë e sipër, kërkuam nga objekti, të na fliste mbi “detyrat” që gjoja duhet të kishte realizuar në favor të “Vorio Epirit”. Objekti nuk u zbërthye. Jorgua i fliste greqisht, i kërkoi llogari, ndërsa Asimi dhe unë, i flisnim shqip, sikur gjoja ishim të arratisur shqiptar. Kur u bindëm që objekti s’po zbërthehej, bëmë lojën sikur “vendosëm”, për të çarë kufirin jashtë.
Këtë e koordinuam me orën që kishim parashikuar të jepeshin sinjalet nga Nuri Kosta, i cili qëndronte në vend pa zë. Në orën e caktuar, Nuri Kosta, bëri sinjalet e pritura me dritat e elektrikut të dorës.
Në kufi, sipas kombinacionit tonë, u ndezën batare të forta me armë, sikur diku plasi “përleshje” me diversantë. Grupi i shokëve, në rolin e diversantëve, u “detyruan”, të kthehen këtej kufirit. Në një vend të caktuar në shpat, u la një pikë ku do të shkëmbeheshin informatat. Objekti i tronditur, pranoi; grupi i ynë si “diversantë”, u largua. Me vete morëm edhe Nuri Kostën, me të cilin u takuam vonë, pas veprimeve. Ky (Nuriu) me të zbardhur të dritës, sapo vajti në shtëpi në Sarandë, kreu vetëvrasjen.
La një letër me shkrim për Kadri Hazbiun, i cili ishte në Sarandë. U vërtetua se ishte agjent i Zbulimit Grek, i penduar. Nuk di si e ka cilësuar këtë çështje Kadri Hazbiu, veçse u tha që Nuri Kosta, kërkonte në letër ndihmën e tij, të mos e quanin tradhtar. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016