Nga IRINI ASQERI
Memorie.al / Njohja ime e parë me foto provat, shesh xhirimet dhe mjediset e Kinostudios daton që në fillimet e viteve ‘80. Lidhja ime me kinematografinë shqiptare do të ishte e vazhdueshme dhe e veçantë. Krahas punës së përditshme si mësuese e gjuhës frënge në shkollën “Lef Sallata” Vlorë, përpiqesha të arkivoja çdo dokument, dramë, skenar letrar, artikuj gazetash, postera, foto, ftesa në lidhje me rolet e tim shoqi, në teatër e kinema. I gjithë ky fond arkivor personal është shfrytëzuar për realizimin e këtij botimi. Në vitin 1998, fillimisht në Arkivin Qendror Shtetëror pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave mora mësimet e para në fushën arkivore dhe fitova një të drejtë studimi në Francë në Stazhin Teknik Ndërkombëtar të Arkivave (STIA) në vitin 2002.
Më pas, në vitin 2010-2020, si arkiviste, redaktore dhe Përgjegjëse e Sallës së Leximit, Bibliotekës dhe Fototekës në AQSHF u përballa me një punë të madhe voluminoze për sistemimin e sekretari-arkivit të Kinostudios “Shqipëria e Re” (dokumente që i siguroja vazhdimisht nga kërkimet e mia dhe nga thirrjet e herëpashershme që u drejtoja kineastëve) si edhe dokumentet e sekretari-arkivit në AQSHF.
Krahas detyrës funksionale kam lexuar e sistemuar materiale të nxjerra nga konsultimi i librave, gazetave dhe revistave të shumta e gjithçkaje tjetër që unë e quaja me vlerë, në Bibliotekën e AQSHF dhe Bibliotekën Kombëtare, që do të më ndihmonte për të pasuruar, analizuar e argumentuar temën e trajtuar në këtë enciklopedi.
Paralelisht me krijimin nga zero të 204 Fondeve personale, dosjeve të Festivaleve të Filmit Shqiptar dhe përpunimit të Fondit të skenarëve të parealizuar u mora edhe me përpunimin tekniko-shkencor të dokumenteve arkivore dhe krijimin e mjeteve të kërkimit. Pas përpunimit dhe inventarizimit të fototekës, bibliotekës dhe sekretari-arkivit më lindi ideja të shkruaja diçka për të ndarë me lexuesit gjithçka që mua më jepte shumë kënaqësi.
Një shkrim i botuar në Gazetën “Shqip” të datës 15 maj 2012 me titull “Shtëpia e Filmit në përvjetorin e ditëlindjes së saj” do të ishte guri i parë i ngrehinës së veprës që po sheh dritën e botimit. Sigurisht në fillim modest, jo në përmasat e këtij botimi, duke shfrytëzuar edhe të dhënat që po grumbulloja përditë e që kishin lidhje jo vetëm me një punë të mirëfilltë arkivore, por edhe shpesh studimore, në kohën e lirë fillova të mbaja shënime të sakta në lidhje me premierat e filmave, të dhëna për censurimin e tyre, vendet e xhirimit, premierat, festivalet, dokumentacionin shoqërues, bibliografinë, etj. Çdo ditë shikoja filma kronikalë, dokumentarë, artistikë, e të animuar, pjesë e fondeve filmike të AQSHF, të realizuar në kohë të ndryshme, me producentë të ndryshëm, me financime të ndryshme.
Kjo Enciklopedi e Filmit Shqiptar e shtrirë gjatë 75 vjetëve të krijimit të saj (prill 1947 – prill 2022), shpalos gjithë aktivitetin kinematografik shqiptar pjesë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë, por jo vetëm. Duke trajtuar me kujdes gjithë prodhimin kinematografik shqiptar të ndarë në kapituj të veçantë për të gjithë gjinitë e filmit, ky libër mëton të shërbejë si një udhërrëfyes shkencor për t’u njohur nga afër me të vërtetat e pathëna të pelikulës shqiptare, si bazë referimi i shumë punëve studimore që do të lindin në vazhdim, por edhe për të apasionuarit e Artit të 7-të, për të plotësuar më së miri imazhin e tij nga një film në tjetrin, krahas punës së madhe profesionale të qindra kineastëve dhe interpretimit mjeshtëror të aktorëve.
Kjo histori e kinemasë shqiptare e grumbulluar në një libër të vetëm është një përpjekje për të trajtuar bashkë të gjitha etapat nëpërmjet të cilave ka ecur kinematografia botërore në fillimet e saj dhe ajo shqiptare në veçanti, në një radhitje përfundimtare sipas parimeve krejtësisht shkencore, studimore dhe arkivistike e bazuar tërësisht në dokumente arkivore, gazeta, kartela, dosje filmi dhe filma origjinalë: filmat e parë me subjekt shqiptar, realizimi i filmave të parë kronikalë e dokumentarë nga kineastë të huaj, ndërtimi i kinemave të para, krijimi i shoqërive të para kinematografike, institucionet shtetërore që krijuan bazën ligjore që do të mbështeste këtë art magjepsës dhe mbrojtjen e aktivitetit të tyre privat, trajtimi i filmave sipas kategorive dhe treguesi emëror i ndarë në degë veprimtarie.
Vepra u hartua duke pasur parasysh lexuesin shqiptar e të huaj, studiues e të apasionuar pas kinemasë me synimin që t’i paraqitej kjo kulturë filmike shqiptare si pjesë e kulturës evropiane e botërore. Besojmë se lexuesit shqiptarë dhe vetë kineastët do të na falin ndonjë pasaktësi në emrat apo titujt e filmave që mund të gjejnë në këtë punim, që ka ardhur si rezultat i mungesës së dokumentacionit të shkruar, por edhe pakujdesisë në ruajtjen me besnikëri të emrit e mbiemrit të krijuesve të filmit dhe aktorëve. Ky punim shkencor gjithëpërfshirës dhe gati shterues lë hapësirë për studime të tjera nga më të ndryshmet në të ardhmen, që mund ta plotësojnë atë.
Gjatë fazës përgatitore të mbledhjes, përzgjedhjes së dokumenteve, pikturat, fotot, shkresat shfaqeshin flesh para meje përditë duke më dritësuar këtë vepër me shumë përmasa që t’ua bëja të njohur lexuesve, studiuesve, studentëve, artdashësve por edhe kineastëve. Kështu ditë pas dite fillova të shkruaja në kohën e lirë dhe lindën kapitujt e parë të pasqyrës lëndore të cilën e kam ndryshuar vazhdimisht, në varësi të materialeve dokumentare që siguroja dhe filmave që do të trajtoja.
Në fillim u përqendrova te filmat artistikë, pastaj te filmat e animuar, më pas filmat kronikalë e dokumentarë për të vazhduar më tej me filmat artistikë dhe dokumentarë televizivë, te filmat me iniciativë private, filmat e kanaleve televizivë dhe filmat e huaj që kishin lidhje në përmbajtje, te prania e aktorëve shqiptarë që kanë konkuruar në festivalet e filmit shqiptar që organizohen në rrethe të ndryshme në Shqipëri. Në këtë enciklopedi kanë zënë vend edhe filmat diplomë dhe filmat fundviti të studentëve të Universitetit të Arteve, të Akademisë Marubi, të Universitetit Europian të Tiranës; kjo gjeneratë e re e kineastëve që po na dhuron sot filma të arrirë.
Për të sqaruar së pari në mendjen time këtë rrëmujë të madhe, pasi skenarët letrarë, albumet e fotoprovave, albumet e xhirimit të filmave, procesverbalet e mbledhjeve të Sektorit të Redaksisë, të Këshillit Artistik dhe Drejtorisë së Kinostudios flisnin me tituj të tjerë, që unë i kam quajtur “tituj pune” ose “tituj paralelë”, fillova të mbaj shënime të cilat do të më vlenin më pas për t’ua bërë të ditur lexueseve se çfarë kishte ndodhur me ndryshimin e titujve dhe si do të trajtoheshin ato brenda formatit të një Enciklopedie të mirëfilltë.
Në AQSHF dhe RTSH ekziston një regjistër themeltar ku janë regjistruar të gjithë filmat sipas fondeve përkatëse, me kode reference për çdo film. Por për çudinë time këto kode reference nuk ishin përmendur e shkruar në asnjë botim, të cilin unë e pata si synim parësor në renditjen kronologjike të filmave me kodin e referencës përkatëse të çdo filmi, i cili bëhej i detyrueshëm në këtë rast, pasi kodet e referencave të filmave do të përdoreshin edhe në treguesin emëror.
A do të ishte i plotë botimi nëse do të trajtoja vetëm filmat kronikalë, dokumentarë, artistikë dhe të animuar? Unë mendoj se jo. Në AQSH, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, prisnin me qindra dosje që jepnin të dhëna mbi kinematografinë shqiptare të cilat futeshin në kokën time si turjelë dhe më dukej sikur thoshin “po ne, do të na lësh jashtë?”. Kështu ditë pas dite më forcohej ideja që të trajtoja edhe pjesën historike që kishte lidhje me kinemanë shqiptare: baza ligjore; ndërtimi i rrjetit të kinemave private shqiptare dhe shtetëzimi i tyre; krijimi i institucioneve të para kiematografike dhe, për çudinë time, ato kishin një lidhje të pazgjidhshme me filmat e trajtuar më parë, për ta pasuruar me të dhëna të veçanta edhe për filmat, por edhe për skenarët e parealizuar.
Kështu 2120 dosje të përzgjedhura gjatë një studimi një vjeçar në AQSH do të ishin baza e një studimi më të thelluar për 490 dosje me 27 deri 337 fletë secila, të cilat do të më ndihmonin me të dhëna interesante që unë i kam trajtuar në pjesën historike, duke ruajtur dokumentin të paprekur. Kapitulli I, II, III, IV është ndërtuar tërësisht i bazuar në pasqyrimin besnik të dokumenteve arkivore me referencat përkatëse. Kështu hidhet dritë mbi historikun e ngritjes së kinemave (me të dhëna edhe me foto) deri në shtetëzimin e tyre në prill 1947, që solli dhe krijimin e Ndërmarrjes së parë Kinematografike Shqiptare.
Formati i trajtimit të një filmi, si element themelor i një baze të dhënash të ndërtuar prej meje, me synimin për të depozituar informacione të verifikuara e të plota për çdo film, u konceptua në këtë mënyrë: titulli origjinal, titulli paralel ose titulli i punës (kur ka), sipas cilit roman, novelë është bazuar (kur ka); financimi, producenti, viti, sa metra, sa minuta, ekipi realizues (regjisor, skenarist, operator, kompozitor, montazhier, operatorë zëri, etj, etj,) aktorë (rolet), përmbajtje, premierë, ku është shfaqur, informacione, dokumentacioni shoqërues, bibliografi.
Një burim tjetër informacioni ka qenë edhe konsultimi i shtypit të kohës (1913-2022), i cili përveç se më shuajti një kuriozitet gjuhësor, më mundësoi edhe një plotësim e verifikim informacionesh. Për realizimin e këtij botimi janë shfrytëzuar jo vetëm dokumente të Arkivit Qendror Shtetëror por edhe gazeta e revista nga Biblioteka Kombëtare, Biblioteka e Aqshf, Biblioteka e AQSH, Biblioteka e QKK, Biblioteka Shkencore e Universitetit të Arteve, Bibliotekat e rretheve Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Shkodër.
Sigurisht, janë realizuar edhe botime të ndryshme, por këto botime nuk i përfshijnë të gjitha gjinitë e filmit, dhe të gjithë periudhën 1947 – 2022. Nga verifikimi më ka rezultuar se edhe në katalogë, fletëpalosje a broshura që trajtojnë filmat artistikë, dokumentarë e të animuar, filmat janë renditur gabim si pasojë e mungesës së kodeve të referencave, si dhe mungesë informacioni për realizuesit e filmit. Hasen shumë gabime edhe në emrat e aktorëve, kineastëve, titujt e filmave, etj.
Në këtë enciklopedi është trajtuar i plotë fondi filmik shqiptar të cilin e kam vizualizuar krejtësisht përveç 303 filmave dokumentarë (vështirësisht të konsultueshëm në formatin 35 mm) ende të pahedhur në format digjital.
Janë vizualizuar për nevoja të kërkimit e studimit nga Fondi filmik shqiptar:
– 1007 filma kronikalë/kinozhurnalë; (1006 kartela) ;
– 974 filma dokumentarë në format 35 mm; (1173 kartela);
– 22 filma dokumentarë në kasetë të depozituara në QKK;
– 77 filma dokumentarë në format digjital;
– 325 filma artistikë me metrazh të mesëm dhe të gjatë në 35 mm; (249 kartela: filmi “Yllka” i fundit i trajtuar me kartelë);
– 15 filma në kategorinë bashkëprodhim në minorancë;
– 90 filma artistikë me metrazh të shkurtër në format digjital;
– 201 filma të animuar në 35 mm; (171 kartela filmi + filmi me nr.185; total 172 kartela)
– 38 filma të animuar në format digjital.
Gjithashtu për realizimin e këtij botimi kam vizualizuar 198 filma artistikë televizivë, 490 filma dokumentarë televizivë. Dua të theksoj që bashkëpunimi me kineastët realizues të filmave artistikë e dokumentarë televizivë ka qenë shumë frytdhënës.
Kam shfrytëzuar gjithashtu fondin e skenarëve të parealizuar, 80 skenarë për film artistik dhe 40 skenarë për film dokumentar; 32 blloqe të procesverbaleve të mbledhjeve të sektorit të redaksisë, të Këshillit Artistik të Kinostudios dhe drejtorisë, si dhe dosjet e 13 festivaleve të filmit artistik, dokumentar e të animuar shqiptar dhe 5 dosje të festivaleve të filmit dokumentar të organizuar më vete respektivisht një vit pas festivalit të filmit artistik (festivali 4, 5, 6, 7, 8) dhe 102 katalogë të festivaleve të tjerë të organizuara në Tiranë dhe rrethe të tjera të vendit.
Studimi i fondeve personale (total 204) në AQSHF dhe dhjetëra fonde personale në AQSH do të vlente për krijimin e treguesit emëror i ndarë në 25 kategori që ka për bazë degë veprimtarie dhe brenda saj një renditje alfabetike.
E gjithë kjo punë ka kërkuar shumë mund e energji dhe e ndiej të domosdoshme t’u shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë atyre që më mbështetën në këtë realizim: kineastë, aktorë, arkivistë, redaktorë, studentë, kolegë, miq e familjarë për ndihmën me inkurajimin e tyre. Ndër ta në radhë të parë janë: Merita Sauku-Bruci, Bujar Asqeriu, Bujar Leskaj, Gëzim Zilja, Esat Musliu, Shpëtim Çuçka, Miranda Haxhia, Merita Gruda, Ilir Keko, Ylli Pepo, Mevlan Shanaj, Pluton Vasi, Esat Teliti, Leon Qafzezi, Gjergji Pano, Skënder Jaçe, kineastët e rinj, etj.
Jam e bindur se vepra “Enciklopedi e Filmit Shqiptar”, të cilën po ua ofroj studiuesve të historisë së artit, punonjësve të artit kinematografik, pedagogëve e studentëve, mësuesve e nxënësve, gazetarëve të kulturës e artdashësve, qendrave arkivore e bibliotekave, do të jetë një libër pune dhe një burim i sigurt informacioni lehtësisht i shfrytëzueshëm. Memorie.al