Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al / Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me zinxhirë e të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë dhe ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.
Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!
Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!
Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!
Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe furtunë?
Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?
Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?
Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?
Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij?!
Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!
VËRTETIMET E LËSHUARA NGA KRYETARI I KËSHILLIT POPULLOR TË LAGJES “PARTIZANI”, DHE DREJTORI I NDËRMARRJES SË PESHKIMIT, PËR HAMIT MYRTJA, I CILI JETONTE NË KUSHTE TË VËSHTIRA BANIMI, ME PESË ANËTARË TË FAMILJES NË NJË DHOMË!
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Shkodër, më 10.10.1975
KËSHILLI POPULLOR I LAGJES “PARTIZANI”
Vërtetim
Vërtetojmë se qytetari Hamit Arifi, banor kësaj lagje, ka përbërje familjare prej 5 frymësh dhe banojnë në një dhomë të vetme pa anekse, në kushte të vështira. Është paraqitur në Këshillin Popullor të lagjes dhe ka kërkuar t’i jepet mundësia me e strehue në ndonjë banesë tjetër, këtë e kemi në evidencë, por për kushtet e krijuara, ai duhet të strehohet sa më shpejt nga qendra e punës ku punon. Ne si Këshill Popullor të lagjes, tash për tash nuk kemi mundësi ta strehojmë, se nuk kemi kontingjent strehimi.
Ky vërtetim lëshohet për ta paraqitur për efekte kërkim strehimi.
Për Këshillin Popullor të lagjes
Kryetari
Ibrahim Stankaj
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
Ndërmarrja e Peshkimit Shkodër, më 5.6.1976
Vërtetim
Me anën e së cilës vërtetojmë se kjo ndërmarrje nuk ka detyrë nga Komiteti Ekzekutiv i rrethit, për ndërtim banesash me kontribut vullnetar, për arsye të vetë zonës ku ajo vepron dhe që shumica e punëtorëve janë nga Shiroka dhe Zogaj.
Prandaj i lëshohet ky vërtetim punëtorit Hamit Arif Myrtja, për ta paraqitur në Këshillin Popullor të Lagjes ku banon, për efekt planifikimi strehimi sipas rregullave që disponohen.
Drejtori
Thoma Liti
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË HAMIT ARFIF MYRTJA, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU
PROCES-VERBAL
I pyetjes së të pandehurit, Hamit Arif Myrtja, Shkodër më 7.10.1976.
Unë Jake Tefiku, hetues në Degën e Punëve të Brendshme, marr në pyetje Hamit Arif Myrtja.
Pyetje: Çfarë mund të na shpjegoni, në lidhje me akuzat që ju bëhen?
Përgjigje: Akuzat që më komunikohen, unë i dëgjova dhe i kuptova. Lidhur me akuzat që më bëhen, unë nuk pranoj vetëm propagandën armiqësore, kurse me dy akuzat e tjera, jam dakord dhe shpjegoj si më poshtë:
Një muaj para se unë të arratisesha në Jugosllavi, më lindi mendimi për të kaluar në Jugosllavi. Duke menduar gati një muaj për mënyrën e arratisjes, se me çfarë drejtimi dhe me çfarë mënyre. Mendova që rruga më e mundshme për arratisje, ishte marrja e ndonjë sule, për të kaluar nëpër liqen. Mendova gjithashtu që të merrja shërbimin e dezhurnit, që të kisha mundësi për të marrë lundrën, ose të peshkimit, ose të ndonjë organi tjetër, se unë e dija që në molo qëndronin edhe ato të Shëndetësisë dhe të Degës Brendshme.
Tri ditë përpara i kam thënë gruas sime, Hasijes, për planin dhe mendimin që unë kisha për t’u arratisur jashtë shtetit, në Jugosllavi. Asaj unë i thashë se këtu nuk siguroj dot ushqimin e përditshëm, sepse kemi shumë pak të ardhura dhe me këto nuk kalohet dimri. Më në fund, sepse gruaja në fillim nguroi, por kur pa këmbënguljen time, menjëherë ra dakord. Unë i thashë asaj që të mos bisedonte me asnjë person, lidhur me bisedën. Unë i thashë gruas, se pa marrë juve, nuk mund të arratisem. Siç e thashë, ajo ra dakord dhe më premtoi se nuk do të bisedonte me asnjë person, për bisedën e zhvilluar midis meje dhe asaj.
Duke vazhduar punën si peshkatar, vazhdimisht mendoja për rrugën e kalimit, atë qysh më parë e mendova që me anën e rrëmbimit të ndonjë lundre të arratisesha, duke marrë dhe familjen me vete. Këtë gjë ja thashë gruas. Nga fundi i muajit të gushtit, brigada jonë e peshkimit me brigadier Qemal Ulkonjën, kishte radhën e shërbimit të dezhurnit të ndërmarrjes, unë duke pas në plan arratisjen, i kërkova atij të merrja në sahati 22.00, detyrën e shërbimit të dezhurnit, brigadieri më tha po. Unë atij ja paraqita sikur kisha nevojë dhe këtë ditë ta zëvendësoja me pushim të mëvonshëm. Kështu që, më datën 31 gusht 1976, deri më sahati 14, unë kam punuar në dajlan, së bashku me brigadën time, sa lashë punën jam kthyer e kam shkue në shtëpi.
Harrova të them, se plani im për arratisje dështoi njëherë, sepse unë kisha ndërmend që me anën e dezhurnit të arratisesha, mirëpo nuk ma dhanë këtë të drejtë. Kështu që gruaja ime, Hasija, e mori vesh. Posa shkova në shtëpi, i thashë Hasijes të përgatitesh se atë natë do të realizonim arratisjen dhe për këtë mendova të shkruaja një letër, duke shpjeguar arsyet që më detyronin të arratisesha. Hasija më pa që unë po shkruaja diçka, por nuk më pyeti se çfarë po shkruan! Përmbajtja e letrës kryesisht ka qenë probleme vetëm ekonomike, duke thënë se nuk mund të jetoj më me këto të ardhura, se na është ulur paga, se nuk na është dhënë strehim, e plot probleme të tjera, që mua të gjitha nuk më kujtohen.
Në përmbajtjen e kësaj letre unë kam shkruar që t’i drejtohet udhëheqësit kryesor të Partisë dhe t’i dorëzohet atij. Me këtë doja të thoja që të mësonte pse unë po arratisesha. Këtë letër unë e kam vendosur në një valixhe të vogël dhe e lashë aty, sepse mendoja se po të legalizohesh dhe të merrej vesh arratisja ime, do të vinin njerëzit e Degës së Brendshme dhe do ta gjenin.
Në sahati 20.00 të datës 31 gusht 1976, unë së bashku me gruan dhe tre fëmijët, vendosëm që të dilnim prej shtëpie, gruan e porosita që po të ndesheshim me njerëzit tanë në rrugë, të thoshte se po shkojmë tek vajza e hallës, që kemi në lagjen “Ndocaj”, Rakip Hoxha. Gruaja veshi fëmijët, me vete morën një pincë dhe një darë, një çantë të zezë, një çarçaf të bardhë që gruaja për ta nxirë e mori dhe e futi e bëri të zezë një ditë më përpara, për ta përdirur si velë për lundrën, mora një palë pantallona kadife të zeza në blu, mori sende për veshje vetë gruaja dhe për fëmijët dhe u nisëm.
Kemi dalë nëpër pjacë, para se të largoheshim prej shtëpie, kemi ndeshur në dy motrat e gruas, Bukurijen dhe Vjollcën dhe u dha dorën, unë e shikova gruan që të mos e lëshonte veten e saj para tyre, se mos ato kuptonin ndonjë send, gruaja Hasije e mbajti veten, dhe ato nuk kuptuan asnjë send. Edhe unë u thashë lamtumirë, por nuk jua dhashë dorën, sepse kisha biçikletën për dore. Kështu që u larguem. U thamë se sot mos na prisni, se sot nuk vijmë e do të qëndrojmë vërdallë nga vajza e hallës. Së bashku me gruen, kemi shkue te ‘Turizmi’, dhe aty unë kam pirë një gotë raki, fëmijëve u dhamë diçka, kurse ajo mori një gotë venë, por nga që mendonte punën e arratisjes, nuk mundi ta pinte. Tek Turizmi kemi qëndruar deri në sahati 21 e 45, pastaj jemi nisur me biçikletën time, duke ecur në këmbë deri te ndërmarrja e Peshkimit.
Pasi kaluam urën e Bunës, pamë dy ushtarë të zakonshëm të urës, dhe pasi na panë pasaportat, na thanë shkoni. Kështu që shkuam fill e te dezhurni. Kur shkuam aty, gjeta rojën Fadil, mbiemrin nuk ja di, u përshëndetëm me Fadilin, na tha; po ju, i thashë se më kanë caktuar dezhurn, ku ishit kështu vonë, i thashë se kena kenë tek daja në Oblikë, më tha çoje gruan në shtëpi dhe kthehu, jo i tha gruaja, se jam e lodhur dhe shkoj nesër, kurse unë nga ana ime i thashë Fadilit se kësaj i ka vdekur një halla e saj dhe nesër e qesin në dhe, këtë e bëra për ta rrejt.
Unë e mora dyshekun e dezhurnit dhe e çova sipër në korridorin e administratës, se gjoja do të flinte, gruaja ra së bashku me fëmijët, për t’i vënë ata në gjumë, unë fillova bisedën me Fadilin dhe u ulëm me ndenjë së bashku të dy. Kisha pak bukë dhe e hëngra atë në prezencë të tij e, u çova e piva pak ujë dhe përsëri u ula afër tij, pushka e tij ishte pas tij afër, nuk guxoja t’i thosha për mendimin që kisha, se kisha frikë se më kundërshtonte dhe më qëllonte me pushkë, në rast se i thosha hapur, se ja dija kryet atij. Ju afrova dhe i them: Fadil, unë kam një hall të madh, çfarë halli ke, më tha?
Unë i thashë se dua të arratisem në Jugosllavi, ai më tha se unë të vras dhe tentoi e mori pushkën për të më qëlluar, unë ja kapa pushkën, por ay e kishte kapë! Unë e mora me të mirë për ta bindur dhe i thashë; shiko mor Fadil, se unë kam hall të madh, për t’u arratisur në Jugosllavi, unë nuk jetoj dot këtu në Shqipëri, kurse Fadili më tha se; unë nuk të lë të shkoj gjallë. Ndërsa pushkën e kishim të dy dhe ai mundohej të ma merrte, e unë nuk ja lëshoja, se kisha frikë se më vriste, kemi shkuar lart, deri afër magazinës së brigadës për mbajtjen e rrjetave, këtë e bëra që unë të fshija gjurmët e arratisjes, prandaj e tërhoqa me marifet lart dhe jo poshtë, se këtej nga molo ishte rruga.
Kështu që duke hecur dhe duke u grindur, unë me të mirë për ta bindur dhe ay në kundërshtim të hapët, shkuam deri te hardhia, aty kisha ndërmend me e godit dhe me e lënë të gjallë dhe me e lidh. Kur vajtëm aty, përsëri ju luta që të mos më binte në qafë, dhe të më lejonte të kaloja në lundër, mirëpo ay nuk pranoi dhe po bërtiste, unë atëhere kur e pashë se nuk po bindesh, me me forcë i tërhoqa pushkën. Më tha se; unë nuk të lejoj. I thashë se e kam vendos me u arratis së bashku me gruan e me fëmijët dhe këtë do ta bëj patjetër.
Kur unë ja kisha tërhequr pushkën krejtësisht, ai tentoi dhe më qëlloi me shkelm, deshi të më godiste në organet, por nuk mundi atje dhe më qëlloi në kofshë, unë atëhere e rrëzova në tokë duke e vënë nën këmbë dhe me dorën tjetër mbaja pushkën, kur e rrëzova, me të mirë desha me e bind, por ay nuk bindesh dhe shtova duke i thënë se nuk jam nisur me të mbyt, ay bërtiste dhe atëhere nga frika se mos vinte kush, ose mos vinin rojet që ishin përqark, kur e pashë se nuk bindesh, i kam rënë me qytën e pushkës pas kreje, ay u çua përsëri dhe tentoi me më kapë, unë e qëllova për ta mposhtur dhe ay u rrëzua për tokë, pastaj i lidha duart me një copë rrjetë najloni, të cilën e kisha marrë qysh më parë për këtë qëllim, ndërsa pas lidhjes së duarve, i lidha dhe gojën për të mos bërtitur, me një boçe të gruas që e kisha marrë për këtë qëllim.
Unë me thikë nuk e kam godit, por vetëm më qytën e pushkës. Pasi e konstatova se ai nuk po luante më dhe mendova se e mbyta, ashtu të turbulluar e menjëherë kam shkue të gruaja dhe i thashë çoju shpejt, u çua gruja dhe mori djalin e vogël. Para se të niseshim, shkova me darë dhe çila kasafortën të merrja çilsat për me çilë sulat, e pastaj pasi bëra këtë veprim, mora gruan, ajo djalin e vogël, unë dyshekun dhe djalin tjetër, kurse vajza eci me këmbët e veta dhe me shpejtësi zbritëm në molo. Para se të largohesha për në molo, me shpejtësi këputa linjën telefonike, se mos vinte kush dhe lajmëronte, fika edhe dritën e prozhektorit dhe gjendja u errësua krejtësisht, lirova një siguresë për të fikur dritën e vend-rojes e, me shpejtësi u largova për në molo.
Kur shkova aty, fill me çelësat i shkova sulës së Degës, nuk e hapa dot çilësin e saj, e shkova e mora atë të Shëndetësisë që luftoheshin mushkonjat, mirëpo me çilsa, nuk munda ta hapja, por me darë munda, e preva dhe e hapa. Kurse çantën me pantallonat, nuk e mbaj mënd se ku e lashë dhe unë mendoja gjithnjë se e kisha në lundër, kur dola në liqen për të lundruar, filloi era, ishte sahatai rreth 24.00 të natës, pasi kisha kaluar pak, filloi era, i thashë gruas se shiko e më jep velën se e kam në çantë, mirëpo këtë nuk e kisha dhe e kisha lënë në çantë. Sa kam kaluar Shirokën, më kapi shiu dhe era dhe prej qendrës së Peshkimit e deri sa kam kaluar kufirin, kam kaluar gati dy tre orë.
Procesi u ndërpre dhe pasi u lexua, u nënshkrua. Memorie.al
I pandehuri Hetuesi
Hamit Myrtja Jake Tefiku
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016