Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/Gjatë gjithë periudhës që Sadik Premtja qëndroi në Francë, prej vitit 1946 e deri sa ndërroi jetë në 7 prillin e vitit 1991, ai pati një jetë aktive në angazhimet politike si anëtar i Partisë Komuniste Franceze dhe gjithashtu si kryetar i Internacionales së IV-të, Komuniste për seksionin shqiptar. Si rezultat i kësaj, ai herë pas here botonte dhe artikuj të ndryshëm në revistën që nxirrte Internacionalja e IV-të Komuniste dhe në dy nga numrat e kësaj reviste të vitit 1988, redaksia e saj ka botuar kujtimet e Sadik Premtes me titull “Enver Hoxha një shitës duhani” dhe nëntitull “Kujtime të Sadik Premtes, një komunist shqiptar”. Këto kujtime janë përgatitur nga gazetari Maurice Najman, duke i paraqitur ato pak a shumë në formën e një interviste. Ndërsa periudha e botimit të tyre disa vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe kur në Europën Lindore po fillonin ndryshimet politike, me shumë gjasa ka të bëj me faktin se ai nuk ka dashur që t’ju sillte pasoja të mëtejshme familjarëve dhe të afërme që kishte lënë në Shqipëri. Siç do t’i shikojmë më poshtë në këtë kapitull të librit, kujtimet e Sadikut, janë të pajisura me shpjegime nga ana e redaksisë së revistës dhe që në fillim të tyre flitet për Enver Hoxhën, duke e cilësuar atë “shitës duhani”. Lidhur me këtë aty shkruhet: “Tregimi që po botojmë më poshtë është një dëshmi thelbësore kundër shtrembërimit të historisë së lëvizjes komuniste në Shqipëri. Shoku ynë, Sadik Premtja, tregon se çfar ndodhte, në vitin 1941, gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, u krijua Partia Komuniste Shqiptare, një prej themeluesve të së cilës ishte dhe ai vetë, se si, që prej fillimit, kjo lëvizje ishte pre e gangrenës staliniste, gjë që i dha mundësi shitësit të duhanit, Enver Hoxha, të shtinte ne dorë pushtetin”. Më poshtë kujtimet e Premtes vazhdojnë me një kronologji të jetës dhe veprimtarisë së tij, duke filluar që nga fshati i tij i lindjes, Gjormi, familja dhe të afërmit, shkolla Teknike Amerikane e Fultz-it në Tiranë, njohja me idetë komuniste, aderimi në Grupin Komunist të të Rinjve, mbledhja themeluese e Partisë Komuniste Shqiptare, kontradiktat me Enver Hoxhën dhe lufta që ai i bëri për ta eliminuar fizikisht gjatë periudhës së Luftës në vitin 1943-’44, duke i përmbyllur ato me atentatet që iu bënë Sadikut nga ana e Zbulimit Shqiptar në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Paris, etj., etj. Gjëra të cilat do t’i shohim të zgjeruara ashtu siç i ka botuar revista franceze organ i Internacionales së IV-të Komuniste duke i dhënë ata të plota dhe pa asnjë shkurtim.
Enver Hoxha, një shitës duhani
Kujtime të Sadik Premtes
Një komunist shqiptar
Dhe për të qenë i qartë, isha unë që mbajta fjalimin e fundit dhe që, për këtë arsye, më ndoqi me sa mundi policia. Ai mori pjesë, në atë manifestim, thjesht si mijëra të tjerë e si qindra komunistë. Gjatë themelimit të partisë, në nëntor 1941, ai bënte pjesë në delegacionin e fraksionit të tij. Gjithsej ne ishim 6 herë 3, domethënë 18 delegatë, plus dy të dërguarit e partisë jugosllave, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, “tutorët” tanë. Kur duhej zgjedhur Komiteti Qendror, Popoviçi kërkoi dorë të lirë për të zgjedhur anëtarët, nga listat e paraqitura prej tre grupeve. Vetëkuptohej që në të nuk do të figuronin udhëheqësit e grupeve, mosmarrëveshjet e kaluara të të cilëve, të kristalizuara në armiqësi të përhershme, rrezikonin të destabilizonin funksionimin e partisë. Enver Hoxha u caktua nga Miladin Popoviçi, sekretar i përgjithshëm provizor. Kjo ishte shumë e qartë dhe na u duk mjaft “normale“, të paktën neve, përfaqësuesve të “Grupit të të Rinjve”, më të pavarur se të tjerët dhe jo konformistë. Miladini ishte një Stalinist i vërtetë dhe donte një sekretar të përgjithshëm, në varësi të tij. Ai peshoi gjithë të tjerët, por më servili ishte Enver Hoxha. Drejtuesit e tjerë u zgjodhën nga pjesëmarrësit në takim. Të vetmet zgjedhje, ato për komitetet krahinore, u zhvilluan duke votuar për numra, pas të cilëve, vetëm Miladini e dinte se ç’personalitete fshiheshin. Gjatë gjithë periudhës së rezistencës së armatosur, Enver Hoxha, si “shef I shtatmadhorisë”, rrinte më tepër i fshehur, në një vend të sigurt. Në fakt ai nuk e ka shkrehur asnjëherë armën! Për herë të fundit e kam takuar në qershor të vitit 1942. Anastas Lulua, udhëheqës i grupit të vjetër “të të Rinjve” dhe unë, ishim nëpër fshatra, ku merreshim me organizimin e celulave të reja. Kur menjëherë na thirrën në Tiranë. U shqetësuam, sepse nuk na kishin pajisur me dokumente të falsifikuara për të qarkulluar lirisht. Ndërkohë vendi ishte në gjendje shtetrrethimi dhe italianët i kishin shumëfishuar kontrollet, arrestimet në masë dhe bastisjet. Me të mbërritur në Tiranë, na nxorën para një gjyqi të vërtetë, që kryesohej nga Miladini. Anastasi u dërgua si ushtar i thjeshtë në një batalion dhe disa muaj më vonë, e zvarritën pas një muri duke e pushkatuar si “spiun” dhe trupin e tij e nxorën ta shikonte i gjithë fshati. Ndërsa mua më dërguan në shumë fshatra si “propagandist”, i shoqëruar si prej hijes sime, nga një partizan, i ngarkuar me detyrën “për të më mbrojtur”… Komisari politik i batalionit të Mallakastrës, shumë i lidhur me mua, mori vesh që më kishin dënuar me vdekje dhe që prisnin rastin për të më vrarë, për t’ia hedhur pastaj fajin për vrasjen time “armikut të klasës”. Ai më tregoi gjithçka dhe unë munda të ikja në Vlorë, ku miqtë e mi kontrollonin forcat guerile. Aty, shefi i batalionit, Difi, më këshilloi të hidhesha në sulm e të asgjësoja të dërguarit e Hoxhës, që do të vinin për një kontroll. Raporti i forcave ishte në favorin tonë. Batalionët e jugut, pjesa më e zhvilluar nga pikëpamja kulturore dhe politike e vendit, ku rezistenca ishte më e fortë, ishin me ne. Pra kush e mbante jugun e Shqipërisë? Mirëpo të rinj e pa përvojë, ne mendonim se terrorizmi i “shumicës”, ishte një dukuri e veçantë e një vendi të prapambetur si Shqipëria dhe që Internacionalja, sapo ta merrte vesh, do të rivendoste normat e demokracisë punëtore. Pra sipas nesh, jo vetëm nuk duheshin përdorur metodat e tyre, por duhet të përpiqeshim t’i bindnim militantët. Prandaj duhet të respektonim “ligjshmërinë e partisë”. Kështu që kërkuam të mbahej një mbledhje…, e cila nuk u mbajt kurrë. Atëherë ofensiva kundër grupit tonë u dyfishua. Mehmet Shehu, i ekzekutuar disa vjet më parë si agjent amerikan, anglez e sovjetik në të njëjtën kohë, pas 40 vjet shërbimesh e besnikërie, sajoi idenë e një operacioni të forcave italiane kundër batalionit të Mallakastrës dhe i dha urdhër batalionit të Vlorës, që t’i shkonte në ndihmë. Me të mbërritur atje, dy shefat kryesorë të batalionit i arrestuan e i nisën për në mal. Shehu kishte nxjerrë në rrugë një grup fshatarësh të armatosur, të cilëve u kishte dhënë urdhër të vrisnin “spiunët që duhet të kalonin andej”. Gjithçka ndodhi siç ishte parashikuar, por njëri prej dy të dënuarve, Vangjua, mundi të shpëtojë. Mirëpo e kapën përsëri dhe, me kobure në kokë, e detyruan të nënshkruajë një letër, në të cilën pranonte t’ia dorëzonte komandën e batalionit të Vlorës Mehmet Shehut. Bataljoni u shpërbë, ushtarët e tij u shpërndanë dhe ish-shefi i tij, i thyer, firmosi pohimet e tij, duke akuzuar “trockistin” Xhepi (pseudonimi im) për të gjitha të këqijat. Atëherë unë isha në fshatin tim. Aty më paralajmëruan se ish-miku im i vjetër, do të vinte të më vriste. Ishte maj i vitit 1943. e mbaj mënd sikur të ishte dje. Me pesë a gjashtë shokë, shkova në kasollen ku ai banonte. Kur më pa Vangjua, m’u hodh në krahë duke qarë. U pajtuam dhe i dërguam Mehmetit një letër të titulluar “Tradhtarë jeni ju”. Kjo nuk ishte e para tentativë për të më vrarë mua. Një herë tjetër detyruan një nga partizanët e mi të më fuste në një kurth. Unë duhet të shkoja në një takim të fshehtë dhe aty do të më vrisnin. Rasti më shpëtoi: rrugës takova një grup militantësh, ish-anëtarë të “Grupit të të Rinjve”. Ata më vunë në dijeni të arrestimit të atij që kishte caktuar takimin sekret. Në gusht 1943 bënë edhe një tentativë tjetër për të më vrarë gjatë një udhëtimi nëpër fshatra. Mëse njëqind nga partizanët tanë ishin vrarë në këtë mënyrë. Për të shmangur shfarosjen tonë, mblodha kuadrot e fundit për t’u folur mbi situatën. “Nuk mund të vazhdojmë më. Do të na shfarosin të gjithëve. Ata që duan le ta vazhdojnë luftën me partinë. Unë po nisem për në Perëndim për t’u shpjeguar me Internacionalen”. Doja me çdo kusht të jetoja për të qenë dëshmitar i kësaj tragjedie. Munda të dal nga vendi dhe u gjenda në Barletta, një qytet i vogël në jug të Italisë. Shkova menjëherë tek sekretari i seksionit të P.K. dhe i shpjegova gjithë ndodhitë e mia, pa lënë mangët asnjë hollësi. Shoku i shkretë nuk më kuptonte. Ai më vështronte i shastisur, duke më pyetur se si është e mundur që komunistët të vrasin njëri-tjetrin në mënyrë kaq të egër. Përpilova një raport, që ai ia dërgoi Komitetit Qendror. Dy muaj më vonë më thirrën në seksion: Komiteti Qendror ishte i detyruar t’i kërkonte të dhëna më të zgjeruara Tiranës. E kuptova. S’ishte nevoja të prisja përgjigjen. E dija para se të vinte. Duhej të nisesha. Më ndiqte policia qëkurse një grup fashist kishte njoftuar në fletushkat e varura në mure, ekzistencën e “një celule komuniste shqiptare që kishte për detyrë vrasjen e patriotëve të vendit”, brenda kampit të personave të zhvendosur, ku jetoja unë. Sekretati i seksionit të P.K. përpiloi një letër për federatën torineze të partisë, e cila më fshehu gjatë një jave në një nga apartamentet e saj klandestine. Pastaj kalova kufirin me ndihmën e disa fshatarëve dhe dola në Modanë e pastaj në Chambery. Që prej përgjigjeve të Komitetit Qendror Italian, unë i fshihja me kujdes arsyet e pranisë time në Perëndim. Prandaj nuk i kërkova përgjegjësit të sindikatës lokale, që takova, i cili sigurisht ishte komunist, veçse një farë ndihme për të gjetur punë sa për të paguar trenin deri në Paris, ku, gjoja, do të gjeja shokët e mi në legatën shqiptare. Kështu që punova tre muaj në një uzinë të vogël tekstile dhe më së fundi mbërrita edhe në Paris. Po ku të shkoja? Kujt t’i qaja hallin? Nuk njihja askënd. Sidoqoftë munda të shkoj në qendrën e Kryqit të Kuq Italian, me ndihmën e një gazete të antifashistëve italianë në Paris, Italia Libre. Ky vend, i mbushur me klandestinë, vizitohej rregullisht nga policia, e cila një mëngjes, më mori në pyetje. Natyrisht nuk kisha asnjë dokument identiteti dhe prefektura, që kërkonte të paktën një certifikatë kombësie, më dërgoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në përpjekje për të gjetur ndonjë zgjidhje. Por më kot. Kështu që policia më çoi në legatën shqiptare! Nga t’ia mbaja? T’u tregoja të vërtetën ishte shumë e rrezikshme. Me të hyrë në atë ndërtesë do të isha në territorin shqiptar, në mëshirën e kushedi cilit funksionar të ndërgjegjshëm? Por edhe po të mos shkoja, ishte rreziku tjetër i riatdhesimit. Ishim në vitin 1947 dhe gjendja ishte akoma e turbullt. Anova nga ky mendim i fundit dhe u futa në legatë. Kur i dhashë emrin, nëpunësi u zbeh dhe ngjiti shkallët me vrap. Njëzetë minuta më vonë, sekretari i parë më ftoi ta shoqëroja në zyrën e tij. Njiheshim që më parë. Ai ishte një nga të vjetrit e grupit të Korçës. Më dha kafe (që e piva, pasi ngurova ca…) dhe, për çudinë time, ai më shpjegoi që “historitë e shkuara do të sqarohen me kalimin e kohës”, që “punët shkojnë mirë në vend”, që “duhet patur besim”, e kështu me radhë. Për ta mbyllur më dha adresën e një shqiptari të vendosur në Paris, i cili mund të më gjente punë. Dy muaj më vonë, këtë militant, që, ndryshe nga ç’pritej, ishte treguar i gatshëm të mirëpresë një “tradhtar” të deklaruar, e kishin thirrur në Tiranë. Që nga ajo kohë s’është dëgjuar më për të. Në Paris e kuptova se ç’kishte ndodhur me ne. Ne nuk ishim viktimat e një grupi të kalbur të veçantë. Të gjitha partitë komuniste, ishin si e imja dhe në të gjitha vendet komuniste, jo konformiste të përkushtuar demokracisë së vërtetë, janë sakrifikuar edhe kur nuk kanë pasur mosmarrëveshje të hapura politike lidhur me ndërtimin e mekanizmave besnike ndaj interesave të shfrytëzuesve të rinj. Që kur u largova, nuk kam mbajtur më lidhje më Shqipërinë. Në atë kohë, vajza ime ishte vetëm tre vjeçe. Tërthorazi kam marrë vesh që ajo ishte lejuar të mbaronte vetëm shkollën fillore. Inati i Hoxhës ishte kokëfortë! Vetëm një herë jam përpjekur të rivendos kontakte me komunistët shqiptarë, në vitin 1956, pas Kongresit të Njëzetë të P.K. të Bashkimit Sovjetik. Dërgova një shkrim prej disa faqesh, ku i bëja thirrje popullit të përmbyste burokracinë. E dërgova në të gjitha adresat që kisha: ambasada, sindikata, organizma kulturorë, etj. E di që disa e kanë lexuar atë. Vetë Hoxha shkruan në një libër të tij: “Tradhtari Sadik Premtja, na dërgon nëpërmjet armiqve tanë jugosllavë, një manifest, ku u bën thirrje komunistëve dhe popullit të përmbysin burokracinë”. Ai përsëriste fjalë për fjalë frazat e mia! Besoj që disa kuadro e mbajnë mënd të kaluarën dhe që kjo ishte një sëmundje e Hoxhës, pasi në çdo libër të tij, pa përjashtim, ai përmend shumë e shumë herë “veprimtarinë time fraksioniste”, “tradhtinë time”, etj. Rekordin e ka arritur në librin e tij mbi lindjen e P.K., ku ai e përmend emrin tim 175 herë. Ai bile është përpjekur të më vrasë në Paris. Kjo ka ndodhur një të diel më 6 maj 1951. Po kthehesha nga kinemaja në hotelin ku banoja, në rrugën Charonne. Nja njëqind metra larg portës, diktoj një hije të hyjë në ndërtesë. Pas tij hyj edhe unë në korridorin e zhytur në errësirë pas një ndërprerjeje të papritur të elektricitetit. Fshehur pas një shkalle, i panjohuri kërceu dhe më goditi në kokë me nagaçe. Për fatin tim të mirë, dora e tij nuk ishte e sigurt dhe arma i rrëshqiti mbi kafkën time, pa më cënuar. E kapa pas fëshfëshes duke bërtitur: “Policial Policial” Gjaku kullonte gjithandej. Ai mundi të ikë, por unë e njoha. Ai që më sulmoi ishte Xhemal Cami, dikur anëtar i Brigadave Ndërkombëtare, njeriu që mund të bënte gjithçka, i Legatës shqiptare në Paris. Të nesërmen ai i hipte avionit për në Pragë. Me të mbërritur në Shqipëri u emërua komisar policie në Durrës. Kjo nuk e pengoi të paguajë për gradën e tij, meqenëse, sipas gjasave, i infektuar nga qëndrimi i tij i gjatë në Francë, ai u arrestua dhe vdiq në burg. Dy vjet më vonë, një ngjarje tjetër e të njëjtit lloj. Befas, një miku im shqiptar, u bë objekt i vëmendjes së ambasadës shqiptare. Ditën kur menduan se ai ishte “gati”, i propozuan të më fuste në një kurth: “Ti je një punëtor i mirë, njëri patriot, por ke marrëdhënie me spiunin Xhepi. Duhet të na ndihmosh ta demaskojmë. Ftoje ndonjë mbrëmje në shtëpi dhe na paralajmëro. Për kusurin kujdesemi ne…”Ai m’i tregoi të gjitha. Për të mos i krijuar probleme, e lashë punën dhe i preva marrëdhëniet me të. Atëherë i shkrova një letër ambasadës duke i paralajmëruar se do ta shisja shtrenjtë lëkurën time. Tani tirani ka vdekur dhe njerëzit duhet të ndihen të lehtësuar. Sigurisht Hoxha përgatiste pasardhësin e tij që prej dy vjetësh. Por diktatori i ri nuk ka autoritetin e tij. Monolitizmi është një trillim. Mund të ndrydhesh shprehjen e ideve të ndryshme, por nuk mund t’i asgjësosh ato, as edhe në Shqipëri. Kushedi, ndoshta mund të kemi një Krushov shqiptar…?!/Memorie.al
Përmbledhur nga Maurice Najman
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016