Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.alpublikon ekskluzivisht dokumente të panjohura të Sigurimit të Shtetit, Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Komitetit të Partisë së Durrësit dhe Shkodrës të vitit 1970-të, ku ata kritikojnë ALBTURIZM-in për punën e dobët që po bënte me turistët e huaj që vinin në Shqipëri, pasi sipas vëzhgimeve të tyre, grupeve të huaja turistike, ku një pjesë kryesore zinin grupet marksiste-leniniste, nuk u krijoheshin kushtet më minimale të akomodimit dhe jetesës këtu për aq kohë sa qëndronin.
Në informacionin e Sigurimit të Shtetit, të shkruar nga Drejtori i Sigurimit dhe njëkohësisht, zv/ministri i Punëve të Brendshme, Feçorr Shehu, në adresë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Behar Shtylla dhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alisë, bie në sy preokupimi i madh i organeve tona kompetente, që ndjeheshin keq për stilin e kërcimeve, që bënin turistët e huaj të pista e Hotel “Adriatikut”- në Durrës, ku mblidheshin shumë njerëz të cilët shihnin me admirim. Po kështu, një nga problemet kryesore të shtetit shqiptar të asaj kohe, ishte dhe fakti se sapo turistët e huaj dilnin nga autobuzët, ata ndiqeshin nga turma fëmijësh kureshtarë, në një rast në Pogradec, shoqëruesit ishin detyruar që t’i fusnin turistët në një lokal dhe t’i nxirrnin vetëm pasi kishte ardhur policia dhe kishte larguar fëmijët. Për këto dhe të tjera fakte e ngjarje nga Shqipëria turistike e para viteve ’90-të, na njohin dokumentet arkivore që Memorie. al i sjell në këtë shkrim ekskluzivisht për lexuesit e saj.
Raporti
DISA PROBLEME TE PUNËS SE TURISTEVE QE VIJNË NE VENDIN TONE
- Biseda politike. Shpesh, turistë të ndryshëm, midis tyre gazetarë dhe publicistë, kërkojnë t’u flitet diçka mbi Shqipërinë, me qëllim që të zgjerojnë dijet e tyre, ose të sigurojnë materiale dhe të dhëna me qëllim që t’u flasin të afërmve dhe miqve të tyre dhe në ndonjë rast edhe për të shkruar në gazeta e revista. Për shumë nga problemet që interesohen, ata pyesin e diskutojnë edhe me shoqëruesit, ose sigurojnë ndonjë libër, por kjo është një punë e ngushtë, e paorganizuar, dhe për nivelin e shoqëruesve jo e kualifikuar. Mendojmë se do të ishte e frytshme që kjo formë punë në të ardhmen të vihet në baza të organizuara dhe të zhvillohet legalisht nga Albturizmi, duke caktuar dhe përgatitur për këtë punë disa lektorë të aftë, të cilët herë pas here të zhvillojnë biseda mbi tema të caktuara që u interesojnë të huajve, natyrisht, jo të gjithëve, por vetëm atyre që interesohen dhe në baza krejt vullnetare. Këto biseda duhet të jenë, të shkurtra, koncize, pa frazeologji e vetëmburrje, dhe të kuptueshme e të kapshme nga të huajt, në mënyrë që të bëjnë efekte dhe të lënë mbresa. Për një punë të tillë është e nevojshme që të caktohen njerëz kompetentë dhe një tematikë e zgjedhur dhe e përgatitur me kohë. Lektorë mund të jenë shik nga U.SH.T. (Universiteti Shtetëror i Tiranës) dhe institucione të tjera qendrore.
- Botimet tona turistike janë mjaft të kufizuara (guida, disa prospekte dhe fotografitë). Edhe këto me që botohen jashtë dhe me valutë, porositen në sasira të pakta dhe janë të mjaftueshme vetëm për një ose dy sezone turistike. Për shpërndarjen e tyre jashtë shtetit, as që bëhet fjalë, kështu që mbas një kohe del përsëri çështja e ribotimit. Kjo natyrisht kërkon shpenzime më të mëdha se sa botimi i tyre në tirazhe që të mjaftojnë për një periudhë pak a shumë të gjatë. Meqenëse se këto botime nga shitja në valutë i nxjerrin të ardhurat, bile sjellin dhe fitime, mendojmë se duhen të shtohen në të ardhmen.
Raport: Emisionet e RADIO-Tiranës, të mërzitshme, pa interes
- Me qendrën e zërit. Edhe kjo është një formë punë që mund të përdoret në propagandën me turistët, por ashtu si bëhet tani nuk jep rezultatet e dëshiruara. Tekstet e incizuara që transmetohen nga qendra, nuk janë të goditura, të përshtatshme siç duhet për të huajt, që të tërheqin interesin e tyre dhe të bëjnë efektin e duhur. Vetë transmetimet nuk janë tërheqëse, por të rëndomta dhe të mërzitshme, të përsëritura dhe në kohë jo të përshtatshme. Transmetimi i lajmeve nga Radio-Tirana në mënyrë të vazhdueshme na duket jo i përshtatshëm. Në përgjithësi kjo punë ka nevojë të organizohet më mirë e në nivel më të lartë. Radio-Tirana mund të ndihmojë Albturizmin në hartimin e këtyre programeve, sepse ka një eksperiencë të gjatë.
- Programet artistike. Këtë vit u bë një punë më e mirë me shfaqjen e filmave tanë artistikë e dokumentarë dhe me realizimin disa herë të koncerteve folkloristike, nga grupe të dërguara nga Tirana. Këto u pëlqyen dhe kërkohen shumë nga turistët. Kjo punë mund të bëhet më mirë në të ardhmen, veçanërisht programet artistike, të cilat mund të jepen në Tiranë, Durrës e plazh si mbas rastit dhe vetëm për turistët. Për turistët marksistë-leninistë, mund të jepen programe artistike edhe nga grupet diletante më të mira folkloristike të Durrësit ose rretheve të tjera. Një koncert që u dha në kooperativën e Shijakut, i entuziazmoi ata.
- Diçka mbi jetën argëtuese. Me përjashtim të programit muzikor të mbrëmjes që jepet në hotel “Adriatiku”, në këtë drejtim pothuaj nuk bëhet asgjë për argëtimin e turistëve. Nuk ka salla lojërash as kënde sportive të përshtatshme. Turistët nuk mund të shijojnë shëtitjen në det, sepse nuk ka auto barka. Edhe shërbimi social në plazh është i pamjaftueshëm. Për të blerë një pije freskuese, turistit i duhet të shkojë deri te hotel “Adriatiku”, në vend që të çelet ndonjë pikë shitje afër tyre. Të gjitha këto kanë të bëjnë jo vetëm me një shërbim të kulturuar, por edhe me sigurimin e sa më shumë të ardhurave nga turistët që për ngathtësinë e njerëzve tanë na ikin.
II. Mbi turistët e dërguar nga lëvizjet marksiste-leniniste.
Këtë vit erdhën 8 grupe me 310 vetë nga tre vende: (Suedi, Norvegji, Danimarkë). Përveç tyre erdhën edhe 10 grupe me 252 vetë nga Franca dhe Gjermania, të cilët e hiqnin veten si marksistë-leninistë, që gjatë qëndrimit këtu, me pak përjashtime, u treguan të disiplinuar, studiojnë dhe të vëmendshëm për të parë dhe mësuar nga vendi ynë njësoj si të parët.
Të gjitha grupet u dalluan nga këto gjëra të përbashkëta:
- Kishin unitet, bindje, rregull e disiplinë në sjellje dhe në punë.
- Punuan me programe për të studiuar materialet e partisë sonë e për të përfituar nga vizita.
- Sjelljet ndaj njerëzve e vendit tonë kanë qenë korrekte dhe pyetjet për çështje të ndryshme kanë qenë normale dhe të sinqerta.
- Kishin njohuri mbi vendin tonë dhe u munduan t’i thellonin ato. Vizitën në Shqipëri e konsideronin si shkollë për edukimin e tyre marksist-leninist. U larguan të entuziazmuar nga çka dëgjuan dhe panë këtu tek ne. Veçanërisht, përshtypje të thellë bënë kontaktet me masën. Vërejtjet e tyre ishin që këto të organizohen dhe të thellohen më shumë.
Raporti: Shokët gjermanë na sugjerojnë turizmin politik
Ndoqën me shumë interes bisedat e zhvilluara sipas kërkesave të tyre. Bënin shumë pyetje dhe mbanin shënime dhe këtë punë e vlerësonin mjaft. Grupet franceze dhe gjermane insistonin të dëgjonin më shumë biseda. Por meqenëse se nuk kishim garanci për ta, bëmë pak të tilla dhe u treguam më të përmbajtur me programet. Vitin e ardhshëm parashikohet të shtohet edhe numri i turistëve që vijnë në këtë rrugë. Ne na intereson të inkurajojmë dhe të përkrahim këtë lëvizje që po zgjerohet në Evropën Perëndimore dhe të marrim masa për ta organizuar më mirë punën me ta. Shokët e partisë marksiste-leniniste të Gjermanisë që ishin këtë verë në Shqipëri thanë se kjo është një ndihmë e madhe për forcat revolucionare dhe se ne duhet t’i japim turizmit më tepër karakter politik, që programet dhe vizitat e tyre të kenë thellësisht karakter të tillë.
III. Mbi disa çështje ideo-politike dhe organizative
Ardhja e turistëve të huaj padyshim hap edhe një sërë problemesh ideologjike siç janë çështjet e veshjes së tyre, sjelljet në rrugë dhe kontaktet direkt me njerëzit tanë. Deri tani janë marrë një sërë masash për të kufizuar efektet negative që rrjedhin nga kjo, por megjithatë, dalin mjaft probleme që duhen pasur parasysh në këtë punë dhe konkretisht:
- Albturizmi u ka vënë disa kushte për paraqitjen e turistëve shoqërive të huaja turistike. Në përgjithësi ato i respektojnë, por ndodh dhe turistë që vijnë të veshur keq. Në këto raste nuk duhen bërë lëshime por të zbatohen rregullat e vendosura.
- Problemi më delikat është kërcimi i turistëve në pistën e kërcimit të Hotel “Adriatikut” në Durrës. Shumica e turistëve aty kërcejnë keq, edhe kur orkestra ekzekuton muzikë normale. Ky problem bëhet serioz se para pistës grumbullohen me qindra njerëz nga tanët për të bëtë sehir. Janë marrë disa masa nga Komiteti i Partisë së Rrethit të Durrësit, Komunalja dhe Albturizmi, por ato nuk kanë dhënë rezultatet e duhura. Mendojmë se këto masa duhet të shtohen e të vazhdohen edhe në të ardhmen dhe në të njëjtën kohë, ashtu siç kemi ndaluar veshjen, të kufizojmë edhe kërcimin e keq, duke e bërë këtë punë me takt.
Raporti: Të mprehim vigjilencën ndaj fotografimeve
- Gati të gjithë turistët janë të pajisur me aparat fotografik dhe është një dëshirë e tyre e madhe për të fotografuar. Ka prej tyre që marrin edhe objekte të papërshtatshme dhe të dyshimta, ndaj tyre janë marrë edhe masa, por shumica sillet korrekt. Sidoqoftë në këtë problem ndodhin mjaft konflikte midis turistëve dhe shoqëruesve, ose të parëve dhe njerëzve tanë, të cilët në ndonjë rast revoltohen dhe reagojnë ashpër, ose refuzojnë të fotografohen. Edhe turistët zemërohen nga ana e tyre në këto raste, disa kanë shkruar dhe letra nisur nga qëllime të mira. Ne mendojmë se gjithmonë duhet mprehur vigjilencën ndaj fotografimeve me qëllim të keq, njerëzit tanë duhet të tregohen më korrekt ndaj ndjenjave të turistëve në këtë drejtim.
- Një nga shfaqjet më negative dhe më të pahijshme që dëmton gjithë punën e bërë me turistët, është qëndrimi agresiv i fëmijëve tanë ndaj tyre në disa qytete, sidomos në Shkodër, Krujë, Durrës, Elbasan, Pogradec e Gjirokastër. Përveç sjelljeve prej rrugaçi, ka pasur edhe raste që kanë goditur makinën e tyre me gurë dhe me sende të tjera. Kjo i ka indinjuar shumë turistët dhe ka pasur raste kur kanë reaguar ashpër dhe nuk kanë munguar as rastet e ankesave. Del nevoja që si Komitetet e Partisë në rrethe ashtu dhe Komitetet e Rinisë dhe veçanërisht në shkolla, të bëjnë një punë më të dendur me fëmijët në këtë drejtim.
- Kultura e shërbimit në lokalet e ALBTURIZMIT nuk është kurdoherë në nivelin e duhur, për arsye se personeli i shërbimit nuk është i zgjedhur dhe ka nivel të ulët kulturor, gjë që bie mjaft në sy të turistëve. Komitetet Ekzekutive nuk i zbatojnë si duhet udhëzimet e Këshillit të Ministrave për këtë çështje dhe nga ana tjetër ndërmarrja nuk punon mirë për edukimin e këtyre punonjësve./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016