Nga Elmas Guga
Pjesa e dytë
Memorie.al/ Duhet kuptuar mirë që Enver Hoxha nuk erdhi në krye të PKSH-së për të promovuar marksizëm-leninizmin dhe për të na u shpallur, siç pretendonte regjimi, si një fanar ndriçues në Evropë dhe në botë, për shoqërinë e parajsës që po ndërtonte te ne. Nuk u ngjit në krye të PKSH as edhe për ta shpallur si një udhëheqës legjendar të LANÇ-it siç duan ta “pudrosin” ndjekësit e tij të sotëm. Për ta kuptuar më mirë sa më sipër duhet të pyesim: A ishte Enveri interpreti i ëndrrave, shpresave, sakrificave dhe luftës, i të gjithë atyre komunistëve shqiptarë, të cilët përfaqësoheshin me njerëzit e tyre më të mirë në mbledhjen themeluese të PKSH-së dhe që zgjodhën (de jure) Enver Hoxhën në krye të saj? E vërteta për atë që ka ndodhur jep përgjigje negative: Enver Hoxha bashkë me ëndërrat, shpresat dhe luftën varrosi një e nga një të gjithë komunistët e atij brezi që aspironin për një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe demokratike. Këtë e bëri gjatë luftës dhe pas çlirimit duke i vrarë e burgosur për dekada nga ku mundën të dilnin gjallë një numër i vogël i tyre, vetëm pas rënies së regjimit.
Studiuesit tanë mund të na japin një përgjigje edhe më shteruese, jo thjesht dhe vetëm për kuriozitet, po të na japin listën për fatin e “Dyqind petritave-komunista lule” me këngën e të cilëve mburrej aq shumë regjimi! Kemi bindjen se mbi 80% e tyre e pësuan këtë eleminim. Të tjerët i shërbyen regjimit dhe prej tyre jo të gjithë shkuan në botën tjetër jo me urdhrin e Zotit. Në gjykimin tonë, si është thënë më herët, eleminimi i komunistëve dhe jo vetëm i tyre, është bërë në kuadrin e strategjisë së luftës për shtypjen e frymës kombëtare të shqiptarëve. Kësisoj Enver Hoxha u vendos në krye të PKSH-së për ta përdorur statusin e saj si “Kalë beteje” për realizimin e synimeve të veta dhe të Titos si padronin e tij, të shtypte frymën kombëtare deri në nivelin e individëve, që pas çlirimit të siguronte një regjim diktatorial, sikundër ndodhi. Sepse vetëm kështu Shqipëria mund të celebrohej nën Jugosllavi! Dhe kur kësaj nuk ja doli dot, i shtoi edhe më tepër armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm duke e bërë edhe më gjakatar regjimin e tij.
Le të kthehemi te argumenti ynë, që komunistët shqiptarë dhe jo vetëm ata të brezit që themeluan PKSH kanë qenë diametralisht ndryshe nga ç’mendonte Enver Hoxha si i pari tyre. Në librin “Kur lindi Partia” Enveri kritikon të gjithë grupet komuniste për, me ç’thotë, frymë grupi dhe vizioni. Gjykoj se këtë e bën në rolin e një ideologu të madh për të treguar jo vetëm pse ishte mbi të tjerët por dhe për të justifikuar (në heshtje) masakrën që bëri me të gjithë ata që e zgjodhën. Shpërfill dhe shigjeton fort sidomos Grupin komunist të të rinjve. Mesa duket, si ka ndodhur, ky grup ka qenë prioritet i tij për ti eleminuar. Sadik Premte e Anastas Lula ishin drejtues të grupit që kishin mes tyre djem kosovarë me idetë e një bote të re për një Shqipëri e Kosovë të lirë e të pavarur. Kësisoj këta nuk mund të shiheshin ndryshe veçse si armiq në sytë e emisarëve të Titos në atë mbledhje. Ndërkaq Premtja dhe Lulo do ishin rivalët politikë të Enverit. Ndaj, siç kujton Sadik Premtja, që në ditët e themelimit, Enveri i këshilloi të dy të shkonin në bazë për punën e partisë dhe të edukoheshin!!!
Sadiku e kuptoi djallëzinë e Enverit dhe i sugjeroi Lulës të mos shkonte se do ta eleminonin, siç ndodhi. Ndërsa Sadik Premtja pas shumë peripecish në rrethin e Vlorës i shpëtoi vrasjes dhe u arratis në Itali. Komunistët italianë nuk arrinin të kuptonin çka u thoshte Sadiku lidhur me klimën e terrorit që ishte mbjellë mes komunistëve në Shqipëri. “Nuk prita të më kuptonin italianët’-thotë Sadiku, ‘dhe shkova në Francë”. Atje ai ishte dhe mbeti me bindje komunist deri në fund të jetës në 1991. Kështu pra ishin komunistët në perëndim veçse paqësorë por kurrsesi mizorë! Ata nuk e kuptonin dot komunizmin malinj të Lindjes i cili u vlente vetëm diktatorëve. Tek ne komunizmi qoftë dhe si term, është sinonim i së keqes për shkak të persekutimit gjysëm shekullor pse jo edhe tani për shkak të mendësive të tij. Por duhet të dimë dhe kuptojmë mirë se komunistët shqiptarë që themeluan PKSH-së dhe jo vetëm ata, kishin ide perëndimore për komunizmin si alternativë zhvillimi. Për këtë na mjafton ti referohemi pleniumit të KQ të PKSH-së që u mblodh në Berat në 23-27 nëntor 1944.
Atje Enver Hoxha u kritikua ashpër dhe për këtë me votë thuajse unanime u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake. Në atë plenium Sejfulla Malëshova, një nga udhëheqësit e lartë të PKSH-së, u tha të pranishmëve se Enveri kishte edhe shumë gabime të tjera që ata nuk i dinin. “Megjithatë’ – u tha delegatëve-‘shkarkimin duhet ta diskutojmë në Tiranë”. Mendimin e tij e mbështeti edhe Dali Ndreu dhe ashtu u bë. Kryefjala e kritikave në plenium ishte politika personale që kishte ndjekur Enver Hoxha në lidhje me Frontin Antifashist. Ai kishte mbajtur larg Frontit familjet e mesme dhe të pasura, grupet opozitare dhe intelektualë të shquar nga e djathta. Gjykoj se kjo sentencë e pleniumit të Beratit tregon shumëçka në ndihmë të argumentit tonë. Që PKSH-ja në Berat nuk e shikonte Shqipërinë si një “parcelë” të vetën të nesërmen e çlirimit të vendit.
-Se atdheu u përkiste të gjithë shqiptarëve që duhet ti dilnin zot vendit, sikundër u vendos në Pezë.
-Shtresat e mesme dhe të pasura, grupet opozitare duhet të ishin pjesë e Frontit, që pas çlirimit të ishin në pushtet me përfaqësuesit e tyre.
Gjykoj se këto mesazhe e bëjnë pleniumin e Beratit, ngjarjen më të ndritur në historinë e PKSH, gjatë jetës së saj 1941-1948. Ka qenë ky shkëlqim që Enveri e quajti “njolla e zezë” në historinë e PKSH-së. Në 1945 kur nacionalistët e Frontit Antifashist u inkurajuan të jenë kandidatë për deputet nën siglën e Frontit Demokratik, Sejfulla Malëshova vijonte të besonte tek pluralizmi politik dhe te një e ardhme e ndritur e Shqipërisë. Në ato kohë Mestan Ujanikut që ishte mysafir në shtëpinë e tij në Tiranë, Malëshova i pat thënë se Shqipëria do të bëhej më e begatë se Zvicra sepse kishte pasuri edhe më shumë. Dhe ashtu si Zvicra edhe Shqipëria si vend i vogël duhej të mbante lidhje politike edhe me perëndimin.
Por nuk qe e thënë të fitonte filozofia e Sejfulla Malëshovës dhe komunistëve idealistë, të fitonte Shqipëria dhe shqiptarët. Atdheut i qe caktuar të bëhej kurban për Titon dhe Enverin, i cili vijonte në udhën e revanshit politik. U godit Sejfulla Malëshova në plenumin e shkurtit 1946 si njeri me pikëpamje perëndimore. Vijoi me eleminimin e 16 deputetëve të opozitës përfshi edhe nacionalistin Mestan Ujaniku në 1947-1948. Siguroi eleminimin e Nako Spirut e Tuk Jakovës (1955). Tukut ndërsa ishte i burgosur i shpejtoi eleminimin duke e helmuar. Dhe vjen viti 1956 më Konferencën e partisë për qytetin e Tiranës. Ishte ngjarja më kulmore politike e pas çlirimit që kundërshtoi regjimin e Enver Hoxhës. Fryma e kësaj konference u shtyp me egërsi nga regjimi ku nuk munguan të shkëlqejnë ndjekësit e Enverit (që më vonë do bëheshin kurbani i radhës për diktatorin). U burgosën dhe internuan dhjetra komunistë dhe familjet e tyre. Në vitet e mëvonshme vijuan burgosjet dhe eleminimet për komunistë e nacionalistë për llogari të regjimit.
Por le të kthehemi tek plenumi i Beratit i cili, sipas meje, konfirmoi faktin se Enver Hoxhën nuk e lidhte asgjë shpirtërore me PKSh dhe komunistët shqiptarë. Nën ombrellën e PKSH kishte punuar dhe i bëri aq mirë punët sa, ndoshta i tejkalonin edhe pritshmëritë e padronit të tij. Me ndihmën e Titos, ai kishte paraprirë jo vetëm pleniumin e Beratit por edhe aleatëve anglo-amerikanë, me fuqinë e pushtetit që kishte fituar në Përmet e Berat. Në Përmet Shqipëria u xhvesh nga hipoteka e të qenurit shtet i para pushtimit fashist. U trajtua si “Tokë e lirë” për të kaluar si “tokë e xanun” për ata që do e dëshironin pas çlirimit. Historiografia komuniste e ka sheqerosur fort kongresin e Përmetit dhe qeverinë provizore të Beratit për triumfin e idealeve të LANÇ dhe pushtetit të popullit. Në fakt ka ndodhur e kundërta: VARROSJA E TYRE! Po për lotët dhe lutjet e Enverit për të mos e shkarkuar në plenumin e Beratit ç’mund të thuhet?!
Sigurisht që lotët nuk ishin shprehje e pendesës së tij por thjesht marifet për t’i shpëtuar shkarkimit. Madje më shumë se kaq, së brendshmi lotët, sipas meje, shprehnin ngazëllim e kërcitje dhëmbësh për të gjithë ata që e kritikuan. Shprehem kështu sepse ai kishte fituar shumë pushtet dhe mund t’i përballonte të gjitha qoftë edhe shkarkimin. Sidoqoftë qënia në krye të PKSH do ja lehtësonte kryerjen e planeve të zeza, ashtu si bëri, në periudhën 1945-1948. Në atë periudhë ai e fshehu me djallëzi PKSH pas Frontit Antifashist (E.G. Fronti Demokratik pas gushtit 1945), duke e bërë pothuajse inekzistente në popull. Këtë marifet politik e bëri për të qëndruar larg përgjegjësive të ndërsjellta të PKSH-së dhe vetë atij përballë krimeve monstruoze që kryheshin në popull në emër të Frontit. Në vitin 1948 kur plasi letra-bombë e Stalinit, Enveri shpejtoi që bashkë me terrorin e pashembullt në popull edhe fshehjen e PKSH ja faturoi grupit të Koçi Xoxes. Sipas Enver Hoxhës, Koçi e Tito ja kishin pasur me hile PKSH dhe Enverit që i kishin futur në “vrimën e miut”! Vërtet mashtrim i madh, por që ja doli paq dhe sundoi edhe 40 vjet të tjera.
E vërteta është se Enveri që kur u vendos në krye të PKSH nuk e kishte mision forcimin politik dhe organizativ të partisë. Argument për këtë përveç pleniumit të Beratit ishte dhe plenumi i radhës i K.Q. të Partisë i prillit 1945. Kadri Hoxha i cili prej vjeshtës 1944 vijonte të kryesonte misionin tonë ushtarak pranë shtabit aleat në Itali, e kritikoi ashpër Enver Hoxhën në atë plenium. Ai kritikoi politikën e ndjekur nga Enver Hoxha ndaj aleatëve anglo-amerikanë nga e cila rrezikonim mosnjohjen e qeverisë sonë nga qeveritë e tyre (siç ndodhi). Kadri Hoxha kritikoi politikën e fshehjes se partisë pas Frontit dhe mospasjen e një evidence për anëtarësinë e Partisë Komuniste. Kritikat e tij ranë në vesh të shurdhët sepse misioni i Enverit ishte dhe mbeti nëpërkëmbja politike dhe organizative e PKSH deri në kongresin e parë i cili në gjykimin tim ishte edhe kongres i fundit i kësaj partie. Dhe ja pse:
Në kongresin e parë të PKSH-së, Enver Hoxha nga mëkatari i madh u kthye në shpëtimtarin e madh me shumicën mbështetëse. Partia u quajt PPSH. U tha se deri atëherë komunistët kishin luftuar dhe tash e tutje duhej të punonin. Gjithsesi thelbi nuk ishte ka qenë kaq i thjeshtë! Aty u miratua statuti i partisë ku ai sanksionoi për herë të parë modelin e vet të të qënit komunist. Sipas këtij modeli komunistët duhet të betoheshin nga mëngjesi në darkë për partinë dhe Enverin. Se do të ishin të gatshëm të punonin e sakrifikonin kudo ku ti thërriste atdheu, partia (nënkupto Enveri) dhe populli! Se komunistët e këtij modeli nuk do të mendonin sipas kokës së tyre por sipas kokës së Enverit! Ndryshe ishte puna me komunistët e PKSH-së. Ata i bashkonte ideali për një Shqipëri të lirë, të pavarur e demokratike. Shkurt: Komunistët e PKSH I bashkonte ideali për “Kokën” e Shqipërisë ndryshe nga të dytët (e PPSH-së) që i bashkonte ideali për kokën e Enverit! Ky është dhe thelbi i ndryshimit mes tyre. Gjykojmë se Enveri në krye të PKSH ka qënë në konflikt interesi me ta. Edhe ai e kishte ideal “kokën” e Shqipërisë por jo për shqiptarët por për “xhepin” e Titos dhe te vetin, Në këtë kuptim raportet e tij me PKSH-në kanë qënë armiqësore. Eleminimet prioritare në parti, mungesa e statutit dhe evidencës së anëtarësisë deri tek futja në “vrimën e miut” kanë qënë disa nga masat kryesore që i siguruan agoninë e PKSH-së.
Kështu Enver Hoxha realizoi politikat projugosllave në krye të lëvizjes në emër të PKSH-së. Hipotekoi asetet e LANÇ-it dhe pushtetin në emër të të sëmurit në ikje (PKSH) dhe kur e futi në arkivol i kaloi të gjitha në emrin e vet në 1948. Kjo ka qënë beteja e madhe e Enver Hoxhës me PKSH-në, popullin dhe vendin e vet për tu ulur në kolltukun e sundimtarit.
Raportet e LANÇ-it me Enver Hoxhën dhe ballistët
Në këto tridhjetë vjet LANÇ është kthyer në fushë-betejë mes të djathtëve dhe të majtëve në Shqipëri. Ballistët pretendojnë se ajo ka qënë luftë civile mes shqiptarëve. Ndërsa mbrojtësit e saj të majtë përmes argumentave të shumtë hedhin poshtë akuzat dhe u kujtojnë ballistëve xhelozinë për LANÇ-in si palë e mundur dhe bashkëpunëtorë të pushtuesve.
Në thelb debati për LANÇ-in ka qënë i motivuar për interesa politike të ditës, me intensitet të lartë sidomos në vitet 90’ që sa më shumë kalon koha zbehet dhe nuk po sjell asnjë produkt. Sot debati për luftën ngjan me lojë luftash mes adoleshentëve të lagjes që vetëm luftë nuk është. Kësisoj debati për LANÇ-in vetëm LANÇ-in nuk po ndihmon!
LANÇ-i si realitet historik i ka të gjitha potencialet të ndihmojë vetveten për tu dëshmuar si luftë çlirimtare. Çka do të thotë se nuk u trembet akuzave të ballistëve sikundër nuk ngazëllehet edhe nga avokatët mbrojtës të saj.
Ja disa prej argumentave:
- LANÇ-i e bëri Shqipërinë pjesë të koalicionit të madh botëror antifashist në Luftën e dytë botërore.
- Mbi 5% e shqiptarëve u bënë pjesë e luftës çlirimtare që finalizuan formimin e 25 brigadave partizane.
- Mbi 400 komandantë e komisarë çetash, batalionesh, grupesh, brigadash, divizionesh dhe korparmatash udhëhoqën këtë luftë.
- Nga korriku 1943 deri në tetor 1944 ushtria antifashiste shqiptare u drejtua nga një shtab i përgjithshëm dhe nga shtabet e luftës në qarqe.
- Shqipëria bën pjesë midis pak vendeve të koalicionit botëror antifashist që e çliroi vendin e vet me forcat e veta, madje ndihmoi dhe për çlirimin e popujve të ish-Jugosllavisë.
- Ushtria e LANÇ-it zhvilloi mbi një mijë beteja të ashpra në luftë kundër pushtuesve kudo në Shqipëri dhe ish Jugosllavi. Që kanë rënë mijëra dëshmorë nga të cilët 750 në territoret e ish Jugosllavisë.
- Sot vepra e LANÇ-it dëshmohet nga varrezat e dëshmorëve, muzetë e luftës, lapidarët kudo ku është luftuar.
Megjithatë këto dëshmi dhe vlera të LANÇ-it si vepra madhore të popullit shqiptarit, dita-ditës po rrezikohen dhe dëmtohen për sa kohë, prej treçerek shekulli vazhdojmë të mbajmë të fshehur mjaft nga të vërtetat e LANÇ-it. Në vlerësimin tonë lufta antifashiste ka dy anë të medaljes:
– Ana e ndritur që shkëlqen si drita e diellit apo ngjyra e artë që mishëron lavdinë e popullit shqiptar në luftën e dytë botërore, idealet e lirisë që frymëzuan atë luftë heroike, sakrificat e një populli të tërë me djemtë dhe vajzat e tij partizane. Kjo medalje ka dhe anën e zezë si katrani që mishëron intrigën politike që u përdor si thikë pas shpine në kurriz të LANÇ-it dhe popullit shqiptar. Ka qënë kjo pabesi e madhe që prodhoi regjimi komunist që përdhosi luftën dhe idealet e lirisë. Në gjykimin tonë kjo intrigë politike ka qënë dhe mbetet plaga më e madhe antishqiptare e realizuar nga shovinizmi serb ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar në të gjithë historinë e shtetit shqiptar deri më sot.
Kjo e keqe e madhe e manaxhuar nga Tito me duart e shqiptarëve na shkaktoi skllavërinë tonë pesëdhjetë vjeçare. Tashmë që prangat u këputën përpjekjet për fshehjen e së keqes për turpin e duarve tona janë antihistorike në raport me të vërtetën dhe po aq antikombëtare sa dhe vetë vepra e kësaj intrige. Beteja e të majtëve me të djathtët për LANÇ-in më shumë sesa për mbrojtjen e luftës e vlerësoj si largim të vëmendjes nga e vërteta që ka ndodhur me luftën dhe shqiptarët. Nuk mund të kuptohet ndryshe zelli i madh I të majtëve për t’u marrë me ballistët nga mëngjesi në darkë duke u kujtuar se kanë qënë bashkëpunëtorë të pushtuesit. Ky ka qënë dhe vazhdon të jetë bullizëm i pafre ndaj ballistëve duke i damkosur si delja e zezë dhe e keqja e madhe e këtij vendi jo vetëm për luftën. Pinjollët e Ballit sot e dinë shumë mirë edhe vetë se edhe sikur të shkruajnë dhjetëfishin e librave dhe njëqind fishin e artikujve që kanë shkruar deri më sot kundër LANÇ-it, Nuk ja zhbëjnë dot vlerat si luftë çlirimtare. Sikundër nuk mund të zhbëjnë dot të keqen e etërve të tyre si bashkëpunëtorë të fashizmit. Po atëherë pse “u digjet shpirti” avokatëve të mëdhenj të LANÇ-it?
Ja pse vazhdojnë të thërrasin: “Ballistët, ballistët”, teksa nuk duan “të lexojnë” titistët që bënë kërdinë me gjëmën që i shkaktuan LANÇ-it dhe shqiptarëve! Në vlerësimin tim pinjollët e ballit sot janë më të sinqertë sa i takon debatit për luftën. Ata e dinë mirë se etërit e tyre dje, më së pari kanë qënë viktima të politikës titiste dhe më pas viktima të vetvetes teksa u bënë palë me pushtuesit. Kësisoj ballistët dhe jo vetëm ata por e gjithë shoqëria ka nevojë të hapet kutia e Pandorës për të vërtetat e LANÇ-it. Një rivlerësim i tillë i të vërtetave të luftës do të rritë shumëfish lavdinë e kësaj lufte deri më sot të përbaltur nga regjimi komunist dhe njëherësh dot ti japë fund përçarjes absurd mes shqiptarëve që na sundon prej një treçerek shekulli.
Studiuesit e Ballit sot po na dëshmojnë falsitetin e të dhënave të regjimit komunist sa i takon numrit të përgjithshëm të dëshmorëve të LANÇ-it si dhe për numrin e përgjithshëm të forcave partizane në atë luftë. Ndryshe qëndron puna me të majtët të cilët fshihen pas gishtit kur vjen puna për të vërtetat e luftës dhe regjimin komunist. Ka ndodhur që në debatet për luftën të majtët u kanë treguar të djathtëve se pas luftës së dytë botërore, mijëra kolaboracionistë në Itali, Francë, Belgjikë e gjetkë kanë marrë dënime të rënda me varje, pushkatime dhe burgosje afatgjata. Duke lënë të kuptohet se edhe etërit e tyre në Shqipëri e kanë merituar dënimin. Deri këtu mirë! Po pse nuk thonë se fëmijët, nipërit e mbesat e tyre në ato vende kanë qënë qytetarë të lirë, që nuk u persekutuan kurrë për veprën e të parëve ashtu si ndodhi në Shqipëri!
Historianët tanë duket se e kanë të lehtë të japin përgjigje “Ajo që ndodhi tek ne pas çlirimit ishte çështje tjetër”! Aferim u qoftë! Apo mendoni se u bëmë diktatorë për shkak të gabimeve anglo-amerikane në Shqipëri! Në vlerësimin tim nuk kemi të bëjmë me “çështje tjetër” por me vazhdimin e së njëjtës çështje me çka ndodhi tek ne gjatë dhe pas luftës (deri në 1948). Në kohën kur tanët dhe Tito “pështynin” në gojën e njëri-tjetrit. Ajo “çështja tjetër” e servirur nga profesorët tanë që ka ndodhur pas çlirimit (në fakt pas 1948) nuk është gjë tjetër vetëm akti i dytë i tragjedisë shqiptare që u parapri nga akti i parë në periudhën 1941-1948. Intriga politike e kohës së LANÇ-it që në thelbin e vet përbëhej nga korpusi i politikave titiste në Shqipëri, goditi të gjitha strukturat e shoqërisë sonë me prioritet goditjen e palcës së ndërgjegjes kombëtare. Në sajë të kësaj politike u dizenjua akti i parë i tragjedisë. Në këtë periudhë u promovua goditja dhe eleminini i komunistëve, nacionalistëve antifashistë dhe atyre të Ballit, goditja e shtresave të mesme dhe të pasura. Shkurt, u promovua përçarja kombëtare. Dhe të gjitha sa ndodhën pas çlirimit (pas 1948) në thelb nuk ishin “çështje tjetër” por vazhdim i misionit titist (diktatorial) të nisur gjatë luftës. Kështu persekutimi i pasardhësve të Ballit pas luftës, ka qënë vazhdim i goditjes së etërve gjatë luftës. Kështu mund të shpjegohet edhe fati tragjik pas çlirimit i shumicës së mbi 400 komandantëve dhe komisarëve që udhëhoqën luftën.
Ç’mund të na thonë historianët tanë për fatin tragjik të këtyre kapedanëve, sikundër edhe për fatin tragjik të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë dhe drejtuesve lokalë të strukturave të luftës? Si do t’i justifikojnë dhe mbulojnë kontributet e këtyre qindra udhëheqësve të LANÇ-it me atë marifetin e “çështjes tjetër”?!
Historia e kontributeve të këtyre komandantëve dhe komisarëve dhe udhëheqjes së shtabit të përgjithshëm duhet të përbëjnë palcën e historisë së LANÇ-it. Se heronjtë e mëdhenj të kësaj lufte heroike janë me qindra mes të cilëve mund të përmendim emra të tillë si: Spiro Moisiu, Dali Ndreu, Tahir Kadare, Tuk Jakova, Gjin Marku, Mestan Ujaniku e Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malëshova, Bedri Spahiu, Nako Spiru, Nexhip Vinçani, Rrahman Uruçi, Iljaz Sevrani e Mane Nishova, Rrahman Parllaku, Petrit Dume e Hito Çako, Muhamet Prodani, Vaskë Gjini e Todi Naçi, Sadik Bekteshi, Teme Sejko, Panajot Plaku. Të gjithë këta e dhjetëra të tjerë si këta kanë qënë jo vetëm kontribues të mëdhenj në LANÇ, por edhe atdhetarë të pashoq në patriotizmin e tyre.
Të gjithë ata i vlerësoj si heronj të mëdhenj të luftës sepse bënë gjithçka për lirinë e Shqipërisë dhe nuk bënë asnjëherë Pazar me titistët për ta falur Shqipërinë të tjerëve, që ishin kundër politikës diktatoriale të Enver Hoxhës. Pikërisht pse ishin të tillë ata u eleminuan nga regjimi komunist.
Se sa shqiptarë ishin këta heronj të mëdhenj mjafton të sjellim në vëmendjen e lexuesit një copë dëshmi nga debati i Enver Hoxhës me Tuk Jakovën në plenumin e K.Q. të vitit 1955. Kritikave të ashpra të Tukut, Enveri u përgjigjet me tone të forta. Jo-i thotë Tukut- ne së pari jemi internacionalistë, pastaj jemi komunistë dhe në fund jemi shqiptarë! Jo-i përgjigjet Tuku – e kundërta është e vërtetë: Së pari jemi shqiptarë, pastaj komunistë dhe në fund (po teproi ca-E.G) internacionalistë!
Kështu ishin të gjithë ata heronj të mëdhenj të LANÇ-it. Për të gjithë ata Shqipëria ishte e para ndërsa për Enverin ….e fundit! Kohët e fundit dëgjojmë të thuhet se Tito ka ndihmuar në formimin e PKSH por na “qetësojnë” kur thonë se gjithsesi vendimtar ka qënë faktori i brendshëm! E kuptojmë merakun e një ligjërate të tillë. Në thelb ky është manipulim i pastër madje shumë i hidhur sidomos kur artikulohet nga profesorë të historisë!
Jo zotërinj historian kushdo qofshi që ndani opinione të tilla! Tito nuk ndihmoi formimin e PKSH-së për të ndihmuar shqiptarët por për ti skllavëruar. Tito nuk ndihmoi po i hipi në qafë PKSH dhe Frontit Antifashist. Tito minoi platformën kombëtare të Konferencës së Pezës për të minuar LANÇ-in dhe idealet e lirisë së popullit shqiptar. Tito promovoi regjimin diktatorial që në ditët e themelimit të PKSH-së sepse vetëm kështu mund të siguronte aneksimin e Shqipërisë në Jugosllavi.
Shkurt: Tito ka qënë faktor vendimtar në përcaktimin e fatkeqësisë sonë kombëtare gjysëm shekullore. Kjo është e vërteta që duhet të thuhet e shkruhet. Megjithatë për fatin tonë të keq historianët tanë duken shumë të njëanshëm ndërsa pretendojnë të shkruajnë historinë shqiptarëve në kuadrin e një projekti të Akademisë së Shkencave. Kuptohet lehtë ngazëllimi i tyre teksa publikojnë për herë të parë ndonjë dokument kompromentues të krerëve të Ballit si bashkëpunëtorë të fashizmit apo të qarqeve reaksionare të fqinjëve.
Mirë bëjnë por ju kujtoj historianëve se tashmë karta e Ballit ka dalë boje. Ballistët me atë që bënë nuk kanë qënë e keqja e madhe e vendit tonë. Më së shumti ata i bënë dëm vetes. E keqja e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët ka qënë Tito dhe titizmi që i nguli thikën pas shpine LANÇ-it dhe idealeve të lirisë së popullit shqiptar. Nëse diktatori e shfrytëzoi kartën e Ballit si ushqim gjaku për të sunduar, historianët tanë të njëanshëm me gjasë do ta përdorin për të manipuluar historinë tonë të lavdishme!
Me gjithë skepticizmin tonë, urojmë që paratë e taksapaguesve të mos shkojnë për promovimin e veprës së mercenarëve por për atë të shqiptarëve! Të presim e të shohim! /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016