Pjesa e shtatë
Memorie.al/publikon një studim të kryer nga AIDSSH (Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish – Sigurimit të Shtetit), të titulluar; “ZHDUKUR – SIGURIMI NË FJALËT E VETA”, 19 DEGË SIGURIMI, 3.299 JETË, 1 HISTORI’, në të cilin është shfrytëzuar ‘Historiku i Sigurimit të Shtetit’, që i përket një periudhë kohore nga viti 1943, deri në 1991-in, ku janë përfshirë 19 degë të Sigurimit të Shtetit, të rretheve: Durrës, Kolonjë, Burrel, Krujë, Lushnje, Dibër, Gramsh, Pogradec, Korçë, Tepelenë, Elbasan, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Tropojë, Skrapar, Librazhd dhe Tiranë.
SIGURIMI NË FJALËT E VETA
“Ata që mendojnë se regjimet komuniste janë vepër vetëm e kriminelëve, lënë në hije një të vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u formuan nga kriminelët, por nga entuziastët e bindur…”!
Milan Kundera, “Lehtësia e padurueshme e qenies”
POGRADECI
“Veprimtari të ethshme kanë ndërmarrë zbulimet e huaja kapitalisto-revizioniste, të cilët janë munduar me çdo lloj mënyre për të penguar dhe errësuar sukseset tona. Karakteristikë e viteve të fundit, ka qenë organizimi i grupeve armiqësore sabotuese e komploteve…! I tillë ka qenë grupi i komplotit, i kryesuar nga tradhtarët e Partisë, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Piro Gusho nga Pogradeci”.
Lidhur këmbë e kokë, përballja babë e bir
I ikur në Jugosllavi që në vitin 1942, D. C., rezulton të jetë kthyer disa herë në Shqipëri pas instalimit të komunizmit dhe të ketë takuar disa të njohur, por Sigurimi nuk kishte arritur ta kapte derisa, siç pranon, “organet tona shfrytëzuan një moment tjetër, që në dukje është i thjeshtë, por dha rezultatin e duhur”. D. C., një natë kishte bujtur në shtëpinë e V. H., i cili nga frika se do të merrej vesh dhe do ta arrestonin, tregon vetë, duke zbuluar se pas tij, kishin shkuar te D. M. Për të arritur te babai, Sigurimi kap të birin, duke e thirrur zyrtarisht për zbor, por; “me të ardhur në Degë, u arrestua sekret, duke i bërë një hetuesi intensive, pohoi se i ati strehonte këta diversantë, por që të ndihmonte në kapjen e tyre, duhej të binte dakord me të atin”.
Babai i H., D., u thirr në mënyrë sekrete, “për t’u ndodhur para presionit e ballafaqimit me të birin. lidhur këmbë e kokë. I hutuar para kësaj dhe nga presioni që ju bë Dervishit, ai pranoi se i strehonte dhe kontribuoi për kapjen e tyre”. Kurthi i takimit që inskenoi Sigurimi, ishte që takimin e D. C. e R. Sh., me V. H., ta linte në një arë në të dalë të fshatit dhe parulla do të ishte; goditja tre-herë e dy gurëve, derisa të merrnin përgjigjen. D. C. mbet i vrarë.
Barkë, lecka dhe një lopatë
Eshref Zagorçani, ishte shkolluar në Itali dhe Austri e ishte rikthyer në Shqipëri, duke marrë me vete manierat dhe ëndrrat vjeneze. Po errësira do të binte shpejt. I ati, Beqir Zagorçani, oficer i lartë, ishte vrarë në një atentat të ngritur kundër tij në Pogradec. Ditën e arrestimit, e kujtonte në këtë mënyrë; “Duhej të merrja udhëzime për Grupin e Rezistencës që organizohej në Pogradec. Ishim një grup intelektualësh, të tërë të ardhur nga jashtë.
Adresën e vendit të takimit do ta merrja nga sportelisti i hotel ‘Dajtit’. Njeri i besuar. Familje e mirë dhe me taban, nga zona jonë. Njiheshim familjarisht. E njihja edhe vetë. Ishte i infiltruar në organizatën tonë sportelisti. Nuk kisha arritur te shkalla e fundit në dalje të hotel ‘Dajtit’, kur pesë oficerë të Sigurimit më mbërthyen nga krahët dhe më futën me forcë në makinë”. Eshref Zagorçani u torturua për ditë e netë, në forma të ndryshme, për dy vjet radhazi. Ata donin emra dhe ai nuk i jepte. E dënuan me vdekje, pushkatim.
Rrëfente se; “pritja për t’u pushkatuar, ishte tortura më e rëndë psikike dhe fizike që kam kaluar. Lidhur duar e këmbë me zinxhirë, më varnin orë të tëra në një çengel, në murin e qelisë me kokë poshtë, si bagëtia”. Muç Xhepa, që i ka marrë këtë rrëfim, shkruan se; Eshrefin e mbajtën të lidhur me hekura në pritje të pushkatimit, për njëqind e tridhjetë e shtatë ditë dhe gjatë kësaj torture psikologjike, brenda një qelie, fare i vetëm, ai kishte kaluar kriza të forta mendore.
“Ishim dy Eshrefë: ai fiziku, që do ta pushkatonin dhe ai shpirtërori, që jetonte në Vjenë, i dashuruar…! Ditën e fundit, togeri më tha: Të është kthyer me burgim të përjetshëm, dënimi”.
Për Sigurimin, ngjarja ka një qasje krejt të rezervuar: “Eshref Beqir Zagorçani nga Pogradeci, element i deklasuar dhe në pozita armiqësore, shfrytëzoi pakënaqësitë e shokut të punës T. R. dhe së bashku, kryen tentativën për arratisje…! Barka ju futi ujë në liqen, nëpërmjet të çarave midis dërrasave dhe pas disa përpjekjesh për t’i zënë me copa leckash, u kthyen dhe e fshehën barkën…”! Kur barka u gjet nga njësiti kufitar, Sigurimi pretendon se arriti te të dy, përmes llojit të drurit, leckave që i përkisnin zonës së Mokrës dhe një lopate me emrin “P”, që i përkiste një furrxhiu, i cili tha se ia kishte dhënë T. R.
Hetuesia intensive
Termi “hetuesi intensive”, del disa herë në rrethe të ndryshme, në historikët e Sigurimit të Shtetit. Shpesh në paragrafin vijues, pasi të arrestuarit kanë kaluar; “hetuesi intensive a të rrufeshme”, ose implikojnë të tjerë, ose pranojnë të bëhen bashkëpunëtorë. Megjithatë, ka prej tyre që qëndrojnë, si në rastin e vëllezërve H. Emri i F. H., del në procesin e M. H. dhe këtë të dhënë, Sigurimi vendos ta shfrytëzojë.
“Për takime me bandën në majin e vitit 1962, u parashikua në plan që të shfrytëzohej ky fakt dhe F. H., të arrestohej sekret, me qëllim tërheqje në bashkëpunim të vëllait të tij G. H., ku si garanci, do të shërbente i vëllai i arrestuar…! U thirr në Degë sekret, G. H., por gjatë procedimit, mbajti qëndrim armiqësor, duke deponuar se vetëm sa kishte biseduar me M. T. (denoncues). Për vërtetimin e të dhënave të B.p. “Lajmëtari” dhe “Molla”, u organizua kombinacioni me T.O. (Teknikë Operative, përgjues), në prezencë të B.p., “Molla”, ndërkohë vazhdonte intensivisht hetuesia e F. H. Por nuk zbërthehet plotësisht, për krimin e takimit me diversantët. Tërheqja e G. H. nuk u realizua dhe u mor në P.P. (përpunim paraprak) për kontrollin e mëtejshëm”!
Në vitin 1972 u demaskua dhe arrestua Dh. F. A. me pseudonimin “Matufi”, si agjent i Zbulimit Amerikan. Ai ishte një i riatdhesuar dhe zhvillonte aktivitet në agjitacion e propagandë, duke bërë gjithmonë krahasime, me botën e huaj.
KORÇA
Sigurimi i Shtetit, i kishte përpiluar një tipologji për kundërshtarët e tij politikë në Korçë. Në “tipologjinë e armiqve”, sipas organizimit në vitet 1941-‘44, përfshihen:
- Fetarët – si “çifti Kenedy”, për një çift protestantësh që kanë ardhur në vitin 1920 në Korçë;
- Profesorët francezë të Liceut të Korçës (po ashtu nxënësit) që, sipas Sigurimit, ishin pjesë e Zbulimit francez, dhe përhapnin “hegjemoninë e kulturës franceze” në qytet;
- Konsullatat e huaja të ngritura në Korçë;
- Studentët, përfaqësues të borgjezisë, që ndiqnin studimet e larta jashtë vendit, cilësoheshin si të dërguar për t’u bërë kuadro të aftë, që zbulimet e huaja t’i përdorin për qëllimet e tyre;
- Tregtarët, nëpunësit e administratës së Zogut, intelektualët borgjezë dhe “njerëzit e korruptuar”;
- Rojet e financës që ruanin kufirin nga kontrabanda, ishin edhe “të komprometuar nga zbulimet e huaja”.
Ngjarjet kyçe që shënuan historinë e Korçës në komunizëm, ishte ekzekutimi i inxhinierëve të kënetës së Maliqit, sulmi ndaj Liceut të Korçës, ku u dënua një pjesë e profesorëve dhe asgjësimi i kundërshtarëve politikë.
Porosi e Enver Hoxhës
“… të organizohen burgjet dhe fushat e përqendrimit. Dhe të burgosen të gjithë ata elementë të akuzuar me faje të rënda, me tradhti të lartë, me bashkëpunim të hapur me okupatorin, gjithashtu kriminelët e dorës së parë…duhet lënë përshtypje se s’jemi të frymëzuar nga pasione të paformuara, por të matur dhe të drejtë ndër veprime….”!
“Me çlirimin e qytetit të Korçës…u krijuan grupe të veçanta me njerëz komunistë dhe aktivistë të lagjeve, të cilët përpiluan listat e kriminelëve të luftës, spiunëve dhe tradhtarëve të vendit, që nuk mundën të shkonin dot me forcat armike dhe që ndodheshin të fshehura”!
Ushtaraku i Monarkut, tek “I teti në bronz”!
Lefter Ruço, ishte njëri nga pesë djemtë ushtarakë të tregtarit kolonjar, Refail Ruço. Pas “Normales” së Elbasanit dhe shkollimit në Itali, në kohën e Monarkisë punoi si ushtarak. I angazhuar në luftën italo-greke, ai u tërhoq (çka më vonë përdoret si pretekst), si shumë shqiptarë të tjerë, dhe më pas u angazhua me partizanët në Rezistencën Antifashiste. Pas konfliktit me ta, kaloi me “Ballin”. Komunistët e thërrasin në takim dhe tentojnë ta vrasin, por e shpëtojnë fshatarët. Ndonëse mezi u shpëtoi, ai vazhdoi aktivitetin me “Ballin”, ku një pjesë të takimeve, i mbanin në kafen e Qirinxhinjve në Korçë.
Në këtë pikë, rrëfimi i nipit të tij, Armando Ruço, përputhet në vend-ndodhje me atë të Historikut të Sigurimit Korçë, ku thuhet se Lefter Ruço; “vritet në nëntor të vitit 1943, nga Selman Vishovica në dyqanin e Kostaq Qirinxhiut. Selmani (njësiti informativ) vret dhe një milic, i cili ishte vënë në ndjekje të tij”. Lefteri, sipas Sigurimit, ishte pajtuar nga Zbulimi Italian, për të dëmtuar Lëvizjen Komuniste, shënohet në faqet 21-24, të Historikut të Korçës. Figura e Lefter Ruços, i njohur edhe si Lefter Lefteri, del si personazh në filmin “I teti në bronz”, por nipi i tij, Armandoja vëren se; “gjithçka jepet në atë film për Lefterin, është trillim i propagandës dhe historiografisë së regjimit komunist të asaj kohe”.
Kryeministri vdes në burg
Koço Kota ishte shkolluar për shkenca politike në Universitetin e Athinës, kishte qenë kryesekretar për Arsimin me Ismail Qemalin, dhe për shkak të një marrëdhënieje të afërt me Ahmet Zogun, ai do ta emëronte ministër të Brendshëm dhe më pas kryeministër. Si besnik i Mbretit, në prill 1939, kur Zogu u largua nga Shqipëria, ai e shoqëroi drejt Greqisë. Kur Zogu e la shtetin helen, Kota, nga Athina, u vendos në Selanik. Ndërsa Greqia ishte përfshirë në luftë civile, Shqipëria kishte nisur spastrimet. Mbesa e Koço Kotës, ka rrëfyer se xhaxhai i saj, u rrëmbye në Selanik nga tre oficerë të Sigurimit, që iu prezantuan si nacionalistë.
Ngjarja është pak a shumë e njëjtë edhe në versionin e Historikut të Sigurimit Korçë. “Në dhjetor 1944, nga SEMP-i i Korçës u dërgua shoku Nevzat Hasnedari në Selanik të Greqisë, i cili, i ndihmuar nga disa shokë që njihte dhe një shok i informacionit të demokratëve grekë të EAM-it, arrestoi ish-kryeministrin e qeverisë së regjimit të Zogut, Koço Kotën, që qëndronte i arratisur jashtë shtetit dhe u suall në Shqipëri, i cili u gjykua dhe u dënua si kriminel lufte”.
Ajo që Sigurimi nuk e thotë, por mbesa e tregon më hollësisht, është se ai ai u soll me një makinë të mbyllur dhe vdiq në mënyrë tragjike, në burgun e Burrelit, më 1949.
Përçmimi dhe gjuha e urrejtjes ndaj “sabotatorëve” të Maliqit
Masakra ndaj inxhinierëve të kënetës së Maliqit është e njohur në opinioni publik. U dënuan me vdekje, Abdyl Sharra (varje në litar), Kujtim Beqiri (varje në litar), Vasil Mano (pushkatim), Zyrika Mano (pushkatim) dhe italiani Eugenio Scaturo, si sabotatorë.
Nga Historiku i Sigurimit Korçë, ndonëse e interpretuar me retorikë komuniste, del se; “sabotimi”, në fakt, ishte pamundësi mjetesh dhe punë e parealizueshme. Sigurimi i lidh me amerikanët dhe shkruan se Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, raportonin te misionari amerikan dhe, me përçmim, shton “për të marrë udhëzime u përdorën Zyrika Mano dhe inxhinier Vasil Mano. Zyrika, duke qenë dhe grua pa punë, e qejfeve dhe liberale, shkonte vazhdimisht në Tiranë, direkt në misionin amerikan…”!
Duke dashur të zhvlerësojë figurën e Zyrika Manos, e cila, kur u pushkatua, ishte shtatzënë, Sigurimi orienton me gjuhë urrejtjeje, ku e mbështeti përndjekjen ndaj saj. “Për Zyrikën, organet tona disponojnë të dhëna të dyshimta. Ajo kishte qenë gruaja e priftit serb, Popoviç, ky i fundit u kap dhe u ekzekutua nga gjyqi partizan. Pas kësaj, Zyrika, si femër simpatike dhe imorale, u lidh me oficerët italianë dhe më vonë me misionarët”.
Armët, nga kulakët te besnikët
“Gjatë periudhës 1945-1948 në rrethin e Korçës u zbuluan, dorëzuan e grumbulluan 1600 armë. Krahas grumbullimit të armëve, sipas një dekreti të Presidiumit të Kuvendit Popullor, armët u shpërndanë përsëri në popull, por iu dhanë personave besnikë dhe të vendosur të pushtetit popullor…i përdornin në mbrojtje të pushtetit popullor, në luftë kundër kriminelëve, bandave diversante”!
Arrestimi i priftit
“Në fillim të vitit 1947, organet e Sigurimit u njoftuan se do të vinte komisioni i OKB-së në Korçë…kishim të dhëna se elementi armik, kur të vinte ky komision, do i paraqisnin pretendimet e tyre…! Përveç masave të mësipërme (arrestime), u muarën masa vëzhgimi. Nga vëzhgimi u fiksuan disa takime që morën disa persona me anëtarët e këtij komisioni, si At Thoma Shkurti, Dhimitër Konopulli, etj., që më vonë u arrestuan”!
TROPOJA
Vrasja e fshehur e priftit
Kur Shqipëria u pushtua nga Italia, prifti françeskan, Patër Lek Luli, e kundërshtoi hapur fashizmin. Kapet nga forcat fashiste në Jugosllavi dhe dërgohet në internim në Itali. Kur kthehet, vendi ishte nën një tjetër pushtues. Si shumë pjesëtarë të tjerë të klerit, edhe ai do t’i dilte kundër një të ardhmeje të errët.
Megjithatë, ai nuk mundi të ndryshojë, as fatin e Shqipërisë e as fatin e vet. Fundi i tij ishte fatal dhe fshehja e tij, po aq. I vrarë në Valbonë, Sigurimi i Shtetit, e pranon që e ka pushkatuar dhe se e ka fshehur vrasjen e tij, në mënyrë që të mos ashpërsonte marrëdhënien me klerin, ndërsa Qarkori i Shkodrës, tek njofton se është zhdukur, zbulon veten, kur thotë i janë gjetur dokumente me rëndësi.
Për vrasjen e tij, Historiku i Sigurimit Tropojë, përmend detajet kyçe; “Nga Shkodra dërgohet në rrethin tonë, agjenti i Gestapos dhe eksponent i organizatës tradhtare të ‘Legalitetit’, Patër Lek Luli…! Ky, me t’u diktuar që mbërriti në rrethin tonë, kapet në mënyrë të fshehtë dhe pushkatohet në Valbonë. Ky agjent i vjetër i Zbulimit Italian, më vonë i Gestapos gjermane, ishte i pajisur me dy lloj dokumentesh personale”.
Ndërsa Sigurimi e thotë hapur vite me vonë, Qarkori i Shkodrës, pak ditë pas vrasjes, rrekej ta fshihte, duke tradhtuar veten “Nga këtu u nis për në rrethin e Tropojës, Patër Lekë Luli, për të ushtruar influencën ndaj fetarëve atje. Është zhdukur, por është konspirativ dhe nuk e din kush mënyrën e zhdukjeve së tij, sepse do të egërsohej shumë kleri. Ju kanë gjetur dokumente me rëndësi. Ndërsa shefi i misionit englez, u përcoll nga Çeremi për në Malin e Zi”!
Partizani që vrau Patër Lek Lulin
“Vrasja u krye në pyllin e errët të Valbonës. Patër Lekë Luli ishte dërguar nga armiku i popullit, Abaz Kupi, që të lidhte veprimet e Gani Kryeziut, me reaksionin e Dukagjinit dhe me partitë e tjera reaksionare të Lumës e të Mirditës, për të ndaluar forcat e ushtrisë Nacional-Çlirimtare, për çlirimin e krahinave të veriut. Kufoma e tradhtarit të popullit Patër Lekë Luli, u vu në zjarr të madh, ku iu dogjën edhe eshtrat. Më vonë shkuan 100 reaksionarë të shtyrë nga kleri reaksionar i Shkodrës, për t’i gjetur shenjat, por pluhuri i tij ishte zhdukur”.
Besa e preme
Komunizmi, shënoi në disa forma fundin e kodit të nderit në male. Tradhtia në bukë, e nxjerrja në pritë, zëvendësuan besën e fjalën e dhënë. I arratisuri Mujë Halili, ishte kthyer nga Jugosllavia në Shqipëri. Sigurimi, në dokumente e akuzon se ka vrarë një operativ të zonës. Halili pranon të dorëzohet, me kusht që t’i dorëzohet vetëm kryetarit të Degës, natën në shtëpinë e tij dhe askujt tjetër. “Gjoja”, thotë Sigurimi, “këtij do t’i dorëzohet në besë, për të mos e futur në burg”.
Organet e Sigurimit, duke marrë parasysh kërkesën e tij, dyshojnë se duhej të kishte qëllime të caktuara dhe se nga ana tjetër “ndryshe ai kriminel, nuk shtihej kollaj i gjallë në duart e organeve tona”. U vendos që t’i thuhej që të dorëzohej te shtëpia e nënkolonelit, duke u marrë masa për asgjësimin e tij në oborr. “Kështu, krimineli kapet në flagrancë, ashtu siç ishte menduar, i gjallë, e në këtë rast thotë; “Më pretë në besë”!
Në vijim, Sigurimi tregon se gjatë kohës në hetuesi; “lidhur këmbë e duarsh me litar dhe vendosur në korridorin e lokalit të Degës”, tenton të arratiset dhe vritet në oborrin e Degës.
“Ia ngopën barkun me plumba”
Më 1953, Sadik Mani, i arratisur më herët, ishte rikthyer në Tropojë. Ardhja e tij ishte vënë re dhe një vrasje e sekretarit të këshillit e një njeriu të qeverisë në Luzhë, i ngarkohej atij nga Sigurimi i Shtetit, i cili dërgon dy punëtorë operativë dhe dy policë në fshat, që të mësojnë bazën e tij.
Në vende kyçe në fshat, ishin vënë forca policore dhe të Brigadës së Sigurimit. “Me t’u errue, gjenden në vendin e caktuar për veprime. Nata ishte shumë e errët, sa që mezi dallohej njeriu, vetëm kur afrohej te këmbët. Baza i kishte përgatitur darkën bandës, duke i qitur byrekun e ngrohtë dhe bucelën me ujë, në baçe afër shtëpisë. Në këtë kohë, banda fillon e del nga strofka e arës, ku ishte diktuar dhe niset në drejtim të baçes ku do hante byrekun dhe pastaj do nisej për në Jugosllavi. Mirëpo byreku, mbeti pa ngrënë…! Takohen ballë për ballë me operativin, duke ju ngopur barkun me plumba pushke e automatiku, mbeti i vrarë Sadik Mani nga Gria dhe plagoset Ali Alia”.
Bashkëpunëtori vdes në burg
Nga ndërlidhës në Degën e Brendshme të Tropojës dhe Punëtor Operativ i Sigurimit të Shtetit në Dragobi, më 1952, Mujo Bajram Martinaj, del në lirim dhe shkon pranë familjes në Kam, ku merret me punë bujqësore e prej aty, përfundon në burg, ku humb edhe jetën. Në intermexon mes Sigurimit dhe burgut, ai ka njohur të arratisur të rikthyer në atdhe dhe është bërë pjesë e grupeve kundërshtare të regjimit. Kur arrestohet më 1953, një sërë akuzash ishin ngritur ndaj tij, ku kryefjala ishte; agjent i UDB-së.
Pas arrestimit, në dosje shkruhet se; “edhe si efektiv i organeve të Sigurimit, ishte me moral të dobët e vese të këqija, nuk zhvillonte luftë ndaj armikut të klasës”. Ai akuzohet se ka takuar disa diversantë, si pjesë e grupit të Shaqo Hajdarit, është paguar me napolona flori, ka marrë plumba dhuratë, ka qenë 3 orë në Jugosllavi në takim dhe ka treguar informacione sekrete për Sigurimin.
Raportimet që fundosën disa familje
Në vitin 1946, grupi i Tahir Hoxhës dhe ai i Zaj Bregut, kundërshtarë të regjimit, ishin vënë në fokusin e Sigurimit të Shtetit, për t’u eliminuar. Në grupin e Hoxhës, përveç kundërshtarëve politikë të sistemit, Tahir Hoxha, Ali Braha e Mal Shabani, ishte futur edhe R.Q., për të cilin ishte legjenduar (termi legjendim, nënkupton përhapje të lajmit të rremë) dezertimi. I legjenduari vret Zaj Bregun, plagos disa të tjerë dhe largohet nga ky grup me detyra të tjera.
Kundërshtarët politikë e kuptuan kush ishte tradhtari, ndaj Sigurimi merr masa për mbrojtjen e familjes së tij, “por masat ishin të ngadalta”, ndaj hakmarrja u bë. Pas përndjekjes së vazhdueshme, disa prej këtyre kundërshtarëve politikë, u dorëzuan, gjë që i çoi para pushkatimit, Ali Brahan, Ago Batushën dhe Mal Shabanin.
R.Q., shpëton dhe deri vonë mbetet një prej bashkëpunëtorëve më të fortë të Sigurimit, duke u bërë një prej atyre që me raportimet e veta fundosi disa familje në Tropojë
Teqeja dhe dervishët, kundërshtarë të regjimit
Sigurimi i Shtetit akuzon si rezidenturë të huaj një teqe të tërë dhe disa dervishë të saj. Bëhet fjalë për Teqenë e Gris, të tarikatit Rufai. Në Historikun e Tropojës, Sigurimi e rendit me diversantët e Can Males në fshatin Bujan dhe akuzon se u vunë në shërbim të Zbulimit Jugosllav, në fillim Dervish Bajrami; “i cili në këtë kohë drejtonte Teqenë e Gris, që përfaqësonte sektin Rufai, ku më vonë shtrihet sipas udhëzimeve të UDB-së jugosllave, kjo rezidenturë shtrihet nga rrethi Tropojës, në thellësi të tokës sonë”.
Sigurimi ndërton një historik edhe të tarikatit Rufai, ndërsa shënon së në fillim, në Tropojë ka ardhur nga Gjakova Sheh Adem Musaj, i cili organizon myhyb dhe vesh me uniformë dervishë në Krasniq, krijon këshillin e Teqesë në Gris, “kjo rrymë fetare u përhap shumë, duke komprometuar pjesën më të madhe të parisë dhe personave me influencë dhe duke i komprometuar këta, rritet edhe influenca e dervishizmit”.
Nga tarikati Halveti, tre dervishë ishin në përpunim. Duke qenë se flasin kundër regjimit, “organi jonë duke parë që kjo rrymë po merrte shtrirje, godet me arrestim, Uk Man Qerimin, Sadik Tahirin dhe Haxhi Ibrahimin”
Dervishët kundër pushtetit
“Ky pushtet do të përmbyset, Zoti nuk e ka thënë që të zgjasi shumë kjo punë, Jugosllavia është në rrugë të drejtë, shteti jonë është sot për nesër. Siç po na e punon kjo qeveri, me kolektivizimin, nuk na e ka bërë asnjë shtet deri më sot, klerikët i dënojnë se nuk i vijnë pas qejfit kësaj qeverie, tanë po na e mohojnë, jemi keq neve dhe i gjithë populli me këtë pushtet”, etj
“Efektivi, megjithëse nga ana arsimore ishte me nivel të ulët, kishte fituar aftësi dhe besnikëri ndaj vijës se Partisë, gjë që, siç e treguan faktet, se puna e tyre me bindje ndaj vijës se Partisë, po i çonte nga fitorja në fitore, duke zbuluar e goditur veprimtarinë armiqësore, në çdo fushe e aspekt që ajo dilte”!/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm