Nga Fadil Paçrami
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të plant biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
– Dëshmitarët, gjithashtu, u përpunuan keq e për turp. Krejt në kundërshtim me ligjin (Neni 19), duke m’paraqitur dëshmitë e tyre në 2-3 variante, sipas nevojave të hetuesisë; edhe nga mënyra e formulimit e gjuha e njëjtë, kuptohej se ishte e njëjta dorë – ajo e hetuesit që i kishte hartuar. Kurse në gjyq, thëniet e këtyre “dëshmitarëve të mjerë”, që nuk qenë tjetër, veç kukulla në duart e hetuesisë, u rrëzuan plotësisht njëra pas tjetrës, kur u bëja vetëm këto dy pyetje: e para, “keni kuptuar gjë armiqësore në bisedat, diskutimet e shkrimet e mia, më parë”?
(Përgjigjja e secilit ishte; “jo”. Dhe kjo kuptohet, sepse në fakt, nuk ka patur. Ndryshe edhe ata, duhet të ishin në të njëjtën bankë të akuzuari, me mua; e dyta; “më keni kritikuar ndonjëherë më parë, për këto që thoni tani, kur dhe si? (“Përgjigjja ishte përsëri; “jo”. Dhe kjo kuptohet: në fakt nuk kishte ndodhur). Ja kështu u luajt, për të qarë e për të qeshur, për turpin e tyre dhe atyre që i sollën, s’mund te qe ndryshe, derisa të gjitha qenë trillime të hetuesisë.
– Ligji thotë: “I pandehuri gëzon të drejtën e mbrojtjes gjatë gjithë procesit penal”. (Neni 8 i Kodit të Procedurës Penale) Por kështu nuk ndodhi dhe nuk u veprua. Përkundrazi, u bë gjithçka në të kundërtën. Kërkova të më jepej Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, të asaj kohe, por nuk m’u dhanë; kërkova të më sigurohej një këshilltar ligjor, por edhe atë nuk ma sollën. Kërkova në fund, kur m’u dorëzua akt-akuza, e do ta dilja në gjyq, të më jepeshin të paktën tekstet e plota të Neneve 72-73 të Kodit Penal, me të cilat akuzohesha, që të mund të mbrohesha në gjyq, por edhe ato nuk m’u dhanë. Dhe të gjitha këto, në kundërshtim me ligjin (Neni 14) e të tjerë.
-Krejt papritur, në fund, vetëm kur m’u dorëzua akt-akuza, u gjenda i bashkuar si grup, në të njëjtën aktakuzë, pra edhe në të njëjtin proces gjyqësor e, akuza të përafërta, për “bashkëpunim” e “bashkëveprim”, në kryerjen e të njëjtave “vepra penale”, me Dashnor Mamaqin, me të cilin asnjëherë dhe për asgjë, nuk kam patur të bëj; madje viteve të fundit, që nga 1969-ta, as nuk i flisja, për ç’ka janë në dijeni edhe shumë të tjerë. Po kjo?!
Hetuesisë iu desh kjo lojë, në vallen makabre, njëheri edhe groteske e, për të qeshur, ku qe futur dhe disi duhet t’ia dilte në krye: duhet të më nxirrte medoemos “grup”. Dhe meqë “grupi”, për palën time nuk po dilte (nuk kishte patur, pa nuk dilte), më ngjitën nga pas këtë bisht, për të më lidhur, me anë të kësaj hallke, edhe me grupe të tjera, për të cilat unë as dija, e as kisha patur të bëj ndonjë here, e sado pak me to, siç u fol në atë kohë, në vazhdën e atyre trillimeve tashmë të qarta, pse e me ç’qëllime bëheshin. Fakti është, se trupi gjykues, nuk mundi të vërtetonte asgjë, nga Neni 13, i Kodit Penal, ku thuhet.
“Bashkëpunimi, është kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona, me marrëveshje midis tyre, nga një grup i organizuar, nga një bandë e armatosur, ose nga një organizatë kundërrevolucionare”, sepse nuk i doli asnjë lloj “marrëveshjeje”, në mes meje dhe atij, derisa ndodheshim edhe në të tilla marrëdhënie, si u fol lart; asnjë “grup i organizuar”, ose “një organizatë kundërrevolucionare”, ku të bëja pjesë unë, ç’ka u përjashtua që gjatë hetuesisë, kur m’u hoq Neni 64, për “tradhti ndaj Atdheut”.
– Në kundërshtim me ligjin (Nenet 74 e 111), m’u caktua si hetues, një i quajtur R. Hodo, për të cilin në një mbledhje të organizatës bazë, ku bënte pjesë ai dhe i deleguar nga Komiteti i Partisë i rrethit të Tiranës, isha unë, qe marrë masë e rëndë partie dhe qe vendosur të hiqej, bashkë me disa të tjerë, nga organet e Punëve të Brendshme, për shkak të një shkelje të rëndë të platformës për këto organe, e qe dërguar të punonte në fshatin e tij, si kooperativist i thjeshtë, ose në ndonjë punë tjetër. E çfarë garancie për; “pa anësi”, mund të kishte në këtë rast nga ky hetues?! Asnjë.
Madje kishte vend, si dhe pat, për keqdashje, keqtrajtim, etj., nga ana e tij. Vihet pyetja: kush tjetër veç atij, qe i pakënaqur nga ajo masë që u muar në atë rast, sepse pa kaluar veç një vit dhe e emëruan zëvendëskryetar të Degës së Punëve të Brendshme në Lushnje. Ma vunë edhe mua si hetues, duke e ditur mirë, atë që shpjegova me lart?! Kuptohet, këto ishin veprime të atyre, që jo vetëm ishin në kundërshtim me atë masë, por edhe nuk i lëshonin njerëzit e tyre, dinin edhe si, kur e ku, t’i përdornin. Ai hetues, qe pra, një këlysh, madje mjaft i besuar.
– Gjatë gjithë kohës që vazhdoi hetuesia, nuk u duk, e as u ndodh ndonjëherë i pranishëm, askush nga prokuroria. Vetëm natën e datës 27.3.1977, erdhi zëvendësprokurori i përgjithshëm i asaj kohe, A. Brati, i cili ishte caktuar edhe prokuror në procesin tim gjyqësor, që filloi të nesërmen. Ndejti vetëm 3-4 minuta, pa më treguar se kush ishte, më tha vetëm kaq; a e ke marrë akt-akuzën? dhe iku. E pra, në Nenin 17, të ligjit për Prokurorinë e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (Nr. 6295 datë 27.3. 1981, të mëparshmin nuk e gjeta dot, por aty – aty duhet të jenë detyrat,) thuhet shprehimisht:
“Prokurori, ka të drejtë të njihet në çdo kohë, me gjithë materialin e çështjes hetimore, si dhe të jetë i pranishëm në veprimet hetimore. Prokurori, ushtron kontroll për zbatimin e ligjeve, në vendet ku mbahen të ndaluarit, të arrestuarit e, të dënuarit”. Mirëpo nuk u veprua aspak kështu. Përse?!
– Kur përfundoi hetuesia, duhej të më jepej për ta parë të plotë të gjithë dosjen hetimore (Neni 102), por ajo nuk m’u dha. Hetuesi, ma tregoi duke më thënë: “Kjo është dosja jote, e kemi lidhur si libër” dhe ma lëshoi në duar. Bëra vërejtjen, se qenka goxha e trashë dhe ai shtoi se; ishte lidhur bashkë me dosjen e Dashnor Mamaqit. Kërkova ta lexoj pjesën time, por nuk më lejoi duke thirrur:
“Kush ka kohë të rrijë këtu me ty, një ditë të tërë, pastaj, ç’është nevoja”? Kaq qe e tëra, e gjithë kjo zgjati 10 minuta, e mori dhe u largua sado që protestova, po ku desh t’ia dinte ai? Se ç’dosje hetimore qe ajo, është mjaft t’i hidhet një sy, për të parë se nga kreu deri në fund, ishte dora e hetuesit, që nga mënyra e të folurit, e të shkrojturit të tij. Kjo mund të kuptohet lehte nga kushdo, edhe pa qenë ekspert. Për më tepër, andej nga fundi, kur po mbyllej hetuesia e, duhej ndryshuar akuza, nga Neni 64, në Nenet 72 e 73/2, mbi bazën e të cilave do të ndërtohej akt-akuza, u zëvendësuan mbi 30 faqe nga proceset hetimore dhe kur nuk pranova t’i firmosja, ky palo hetues, tha me cinizëm: “E po, se mos na bëhet vonë, se nuk i firmoske ti”. Me një fjalë, bënë si deshën vetë, si edhe në raste të tjera: se mos i jepnin kujt llogari dhe mos mendonin se mund të vinte një ditë, që të përgjigjeshin për veprimet e tyre, si këto që përmenda!
-Akt-akuzën, ma dorëzuan në këmbë, pa më dhënë syzat, për t’i hedhur një sy. Kur shkova në qeli, pashë se ishte bashkë me atë të Dashnor Mamaqi. Protestova dhe desha ta kthej, por si ngaherë nuk më vunë vesh, madje edhe u tallën. E lexova, veç, që ishte një ekzemplar i rrallë sajimesh e, akuzash pa baza ligjore, por binte në sy, se kishin mbetur shumë nga sa qenë kurdisur, për nenin 64, shartuar me disa shtojca, atje nga fundi, sidomos, për nenet 72. e 73/2. Për çudi edhe prokurori, edhe trupi gjykues, e pranuan ashtu, nuk mund të bëhej ndryshe, kush pyeste për ligje?
..Gjyqi u bë me dyer të mbyllura, megjithëse nuk kishte asnjë arsye, ruajtje sekreti shtetëror, etj. (në kundërshtim me Nenet 133 dhe 135), deri sa në fund, mbeti puna te çështjet e letërsisë e arteve. Por u bë kështu, se deshën të bënin si të donin edhe në gjyq, ashtu si në hetuesi, si dhe nga frika, se do t’u dilnin në shesh të palarat e një procesi fals, nga kreu deri në fund, me shkeljet më flagrante dhe banale të ligjeve, që nga Kodi i Procedurës, te Kodi Penal dhe te vetë Kushtetuta.
-Në gjyq gjithashtu, nuk u respektuan pothuaj asnjë nga nenet për zhvillimin e procesit gjyqësor (Neni 136, etj.), qoftë edhe nga ana formale. Kryetarja e trupit gjykues, nuk “shpjegoi” asgjë nga “të drejtat e detyrat” e të pandehurit, etj. (Neni 141), nuk më lejoi edhe të flisja në fund, për t’u mbrojtur, veç 15 minuta, në kundërshtim flagrant me ligjin (Neni 148 etj.) dhe në fund, lexoi një vendim jo të shtypur e të rregullt, por në copa letrash, një rrëmujë e tërë.
Kaq besoj se janë mjaft. Theksoj se të gjitha sa radhita më lart janë kështu, se nuk kam shtuar asgjë, veç ç’kma lënë mangut, se disa gjëra, mund të duken të pamundura, por janë të vërteta dhe jam gati t’i shpjegoj e t’i plotësoj, me të dhëna para kujtdo). Dhe në fund: janë paligjës këto, çfarë ishte ajo lloj hetuesie, ç’ishte edhe ai gjyq, apo thjeshtë dënimtore: a mund të mbahet në fuqi ende, një vendim gjyqi, i marrë në të tilla kushte dhe me të tilla dhunime të ligjeve?!
- “Të dhëna të tjera” në plotësim të hedhjes poshtë të gjyqit.
Nga data 30.3.1977, kur jam dënuar ka rrjedhur shumë ujë dhe kanë dalë në shesh “të dhëna të tjera”, që e bëjnë të ligjshme prishjen e vendimit të marrë, bēhet e mundshme edhe “kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë”, pra edhe ju drejtova afro 3 vjet më parë, kryetarit të Gjykatës së Lartë, që ushtronte këtë të drejtë, të cilën ia ngarkon ligji, me mënyrën më të përcaktuar: “Kundër vendimeve përfundimtare të formës së prerë, kur konstatohen ose kur dalin të dhëna të tjera, që tregojnë se vendimet janë të pabazuara, ushtrohet kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, kanë të drejtë ta ushtrojnë; Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm.” (Neni 179, i Kodit të Procedurës Penale, që ishte në fuqi).
Cilat janë këto “të dhëna të tjera”? – Gjithë sa radhita më lart, lidhur me interpretimin jo ligjor, të Neneve 72, e 73, të Kodit Penal, me të cilët jam dënuar, si dhe shkeljet e rënda të një sërë neneve të Kodit të Procedurës Penale, siç u përpoqa t’i shpjegoj, me aq sa arrij prej këtej, në kushtet që ndodhem.
– Nga ana tjetër, dalja në shesh e bëmave të “bandës” së Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, etj. në shumë drejtime të veprimtarisë shtetërore, e në mënyrë të veçantë, në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe në ato të Prokurorisë e të gjykatave, siç janë bërë tashmë të njohura, edhe botërisht. Kështu, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë, Simon Stefani, shkruan e shprehet qartë: “… në vitin 1973, hetuesia u unifikua pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme…. ky vendim i drejtë, gjatë zbatimit në praktikë, u sabotua me qëllimin kundërrevolucionar e keqbërës, nga armiqtë Kadri Hazibiu e Feçor Shehu…! Këta armiq, vepruan në kundërshtim me orientime e direktivat e Partisë. Praktika 10 vjeçare, që nga koha e përqendrimit të hetuesisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, vërtetoi se ky qëndrim, përveç sabotimit që u bë nga armiqtë, nuk krijoi kushte për të patur hetime të plota, të gjithanshme dhe objektive”! (“Drejtësia Popullore”, Nr.4 1983).
Po kështu, zëvendësprokurori i përgjithshëm, A. Brati, i cili ka qenë edhe prokuror në gjyqin tim, shkruan: “Nën drejtimin e shokut Enver Hoxha, u zbulua, u dënua dhe u demaskua, veprimtaria e organizatës kundërrevolucionare, të kryesuar nga poli agjenti Mehmet Shehu… të cilët, nisur nga qëllimi kundërrevolucionare, synonin ku indirekt, e ku hapur, të likuidonin prokurorinë, ose të paktën ta shndërronin atë, në një aparat shtojcë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për t’i patur duart e lira, në marrjen nēpër këmbë të ligjshmërisë socialiste” (“Drejtësia Popullore: Nr 2 1985) kështu, edhe kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Q. Lamaj shkruan:
“…Në kundërshtimin me vendimet dhe orientimet e direktivat e Partisë, armiqtë që ishin në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, iu kundërvunë mësimeve të Partisë dhe të shokut Enver, punuan për ta kthyer hetuesinë, në një shtojcë të sektorit operativ” (“Drejtësia Popullore” Nr. 2, 1985). Besoj janë mjaft dhe të thëna qartë. Duhet të ketë edhe të tjera.
-Meqë dëshmitari kryesor, ose “kyçi”, si quhen me gjuhën profesionale të hetuesisë, në procesin tim hetimor dhe atë gjyqësor. Dashnor Mamaqi, ka vdekur, ka plot të tjerë që kanë qenë kampeve të të dënuarve bashkë me të dhe sot ndodhen këtu në Burgun e Burrelit (ndonjë edhe ka dalë), të cilët tregojnë dhe mund të dëshmojnë, se vetë ai është shprehur: “Kam pranuar e kam thënë në hetuesi, e në gjyq, ato jo të vërteta e të paqena, që i’u deshën atyre që m’i ‘kërkuan’, si dhe ‘kam thënë kur më kërkonin gjëra për Fadil Paçramin, se kot lodheni me të, ai atë kokë ka’, e të tjera. Pra, ka thënë në hetuesi dhe në gjyq “ato jo të vërteta e të paqena”. Mund të pyeten këta njerëz, të cilit nuk janë një e dy.
-Po kështu, kam bindjen; se kanë shumë për të thënë, po të pyeten sot (dhe duhet të pyeten) edhe ata që m’u sollën si dëshmitarë të akuzës: si u përpunuan dhe u detyruan të lëshojnë “dëshmira” të tilla, të vijnë edhe në gjyq, ashtu edhe ato punonjës të institucioneve të asaj kohe, që u detyruan të bëjnë deklarata të gënjeshtra, për ç’ka me siguri, tani u vjen turp.
Mjaft këto besoj, më falni nëse u zgjata dhe u detyrova të përsëris disa gjëra, nga ato që i pata shkruar kryetarit të Gjykatës së Lartë, afro 3 vjet më parë, por kur ai s’deshi e s’do të dëgjojë, s’më mbeti rrugë tjetër.
- Konkluzione dhe kërkesa të fundit.
Siç shihet dhe besoj të jetë bërë e qartë, unë ngrej këtu anët ligjore lidhur me:
– Dënimin tim; për “Faje” të pabaza ligjore.
-Shkeljen e dhunimin e Kushtetutës dhe të ligjeve, gjatë procesit hetimor e atij gjyqësor.
– Mosveprimin nga Gjykata e Lartë, për të vënë në vend ligjin.
(Tjetër janë masat e marra, në rrugë partie, ato s’duhen ngatërruar, sepse tjetër është statuti i partisë dhe tjetër janë Kushtetuta, me ligjet e shtetit.)
-Vij t’ju them se; nuk kam kryer asnjë vepër penale, asnjë veprim; ose mosveprim; me faj të parashikuar nga ligji (Nenet 3,5,6 të Kodit Penal), pra, edhe e quaj se gjykata që më dënoi, ka dhënë një vendim fajësie të pabazuar, arbitrar e jashtëligjor, pa “vërtetuar”, në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme, se vepra penale është kryer dhe kjo vepër është kryer nga i pandehuri (siç e kërkon Neni 150 i Kodit të Proçedurës Penale).
Pra jam akuzuar e dënuar për “faje” të paqena, të pakryera, të trilluara për qëllime të errëta, duke dhunuar rëndë ligjet. Qartësoj se; në gjyq, nuk kam pranuar akt-akuzën, duke hedhur poshtë me këtë, të gjithë procesin hetimor dhe se në fund të gjyqit, kam kërkuar vetëm drejtësi, duke hedhur poshtë me këtë edhe proçesin gjyqësor.
-Vij të kërkoj, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, që në bazë të Kushtetutës:
“Kontrollon zbatimin e ligjeve” (Neni 78 i Kushtetutës) “Kontrollon e thënë në raport…! Gjykatën e Lartë” (po aty), të marrë në dorë vetë punën, e zgjidhjen e drejtë të çështjes, lidhur me vendimin e marrë nga gjykata, në 30.3.1977, që më ka dënuar me 25 vjet, heqje të lirisë, ku të bëhet e qartë se:
- Nuk është kryer vepra;
- Mungojnë elementët e veprës penale;
- I pandehuri nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016