Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e aktorit të madh të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Prokop Mima, të cilën në periudhën e Monarkisë së Zogut, familja e kishte dërguar që të studionte për Farmaci, në Padova të Italisë. Pas tre vitesh studimi, ai u detyrua që të kthehej në atdhe, pa marrë dot diplomën, pasi ishte dhënë pas filmave, muzikës, dëfrimeve dhe kitarës, nën shoqërinë e miqve dhe familjes së aktores dhe këngëtares shqiptaro-amerikane me famë botërore, Eleni Qirici, me origjinë nga Korça. Dëshmitë e bashkëshortes së tij, Eleni Karalliu Mima, vëllait, Miltos, kunatit, Robert Shvarc, poetit Koçi Petriti, si dhe regjisorit e aktorit të madh të kinematografisë shqiptare, të ndierit Rikard Ljarja, etj., për “Princin e fjalës artistike”. Duke filluar nga periudha e Luftës në Radio-Tirana, ku ai realizonte emisionin “Ora gazmore” me të madhin Pjetër Gjergji, arrestimi nga komunistët në nëntorin e ‘44-ës së bashku me shokun e tij të ngushtë, Sandër Prosi, të akuzuar si pjesëtar të Rinisë së Ballit Kombëtar, lirimi nga burgu dhe rikthimi në Radio-Tirana ku me dy partnerët e tij, Besim Levonja dhe Behije Çela, vazhduan “Ora gazmore”, karriera e gjatë në teatër dhe kinematografi. Incidenti në Kosovë që do t’i kushtonte jo pak, pasi propozoi të ngrinte dolli për Nexhmije Pagarushën dhe nxjerrja në pension në vitin 1976, në kulmin e karrierës së tij, nga ku u vra rëndë shpirtërisht dhe u mbyll brenda vetes e shtëpisë së tij, duke u kujdesuar për lulet, deri sa ndërroi jetë në 1986-ën, pasi Manush Myftiu “nuk mundi” që ta nxirrte dot jashtë për kurim…?!
Student i farmacisë në Padova
Prokopi lindi në qytetin e Durrësit në vitin 1920 dhe ishte fëmija i parë nga dy djem e tre vajza, që kishte ajo familje. Pasi mori mësimet e para në qytetin e lindjes, Prokopi i vazhdoi ato në Tiranë, pranë gjimnazit klasik në vitin 1938. Pas mbarimit të shkollës në verën e atij viti, ai u rikthye përsëri në qytetin e Durrësit, ku vazhdonte të banonte familja e babait. Arsyeja e rikthimit në qytetin e Durrësit, ishte se familja Mima kishte pronë të tyre një farmaci, dhe asnjë prej asaj familjeje, nuk kishte diplomën e duhur për të punuar aty. Prokopi u zgjodh prej familjes së babait tij, që të shkonte për të studiuar në degën e Farmacisë në Universitetin e Padovas, në Itali. Ai fitoi një të drejtë studimi nga ana e qeverisë së Monarkisë së Zogut ku kryeministër ishte Mehdi bej Frashëri. Në shtatorin e vitit 1938, i përcjellë nga të afërmit e tij në portin e Durrësit, Prokopi 18-vjeçar u nis për në drejtim të Italisë. Në bankat e auditorëve dhe laboratorëve të atij universiteti, ai qëndroi për tre vite, por, pa mundur që të kthehej në Shqipëri me diplomën e farmacistit. Prokopi i ri dhe me pasionet e moshës u dha i tëri pas filmave, teatrove dhe muzikës, me kitarën që e kishte mësuar dhe luante si një profesionist i vërtetë, duke lënë kështu disi pas dore, mësimet e farmacisë. Asokohe ai lidhi një miqësi të ngushtë me familjen e aktores së njohur Eleni Qirici, nga qyteti i Korçës, e cila jepte shfaqje të ndryshme në qytetet italiane. Ai, nën shoqërinë e tyre kalonte së bashku me ta mbrëmjet nën tingujt magjik të kitarës dhe serenatave korçare, me një ndjenjë nostalgjie të madhe për vendin e tij, që kishte kohë pa e parë. Në korrik të vitit 1941, Prokopi u kthye në Tiranës, pranë familjes së tij, nga ku ishte larguar prej afro tre vitesh.
Arrestohet nga komunistët
Pas kthimit në Tiranë, Prokopi u morr me disa lloje punësh për t’i ardhur në ndihmë familjes, por pa harruar për asnjë çast, pasionin e tij kinematografinë dhe teatrin. Kështu asokohe, me anë të dy – tre shokëve të tij që punonin në Radio-Tirana, ai mundi të afrohej aty dhe të punonte për një kohë të gjatë, duke bërë emisione të ndryshme. Pas kthimit nga Italia, Prokopi u aktivizua me korin e Kishës Ortodokse në Tiranë, gjë e cila e ndihmoi mjaft për të filluar punën në Radio-Tirana. Nga fundi i vitit 1942, Prokopi me Sandër Prosin, shokun e tij të ngushtë, thirren nga rinia nacionaliste e Tiranës (simpatizantët e Mit’hat Frashërit), për të interpretuar në pjesën “Vilhelm Tel”, që ata po përgatisnin ta shfaqnin. Provat për këtë shfaqje ata i bënin në kinema “Rex” nën kujdesin e Fiqiret Fterës, që kishte marrë përsipër rolin e regjisorit. Thirrja që rinia nacionaliste e Tiranës iu bëri Prokopit e Sandrit, nuk ishte thjeshtë prej talentit të tyre, por pasi ata të dy ishin dhe simpatizantë të atij grupimi politik dhe kalonin një pjesë të mirë të kohë,s në atë rreth shoqëror. Kjo gjë do të ishte dhe arsyeja kryesore e arrestimit të tij nga komunistët, pak ditë përpara çlirimit të Tiranës. Lidhur me këtë, vëllai i tij Milto tregonte: ”Ka qenë fundi i tetorit të vitit 1944, ndonëse lufta për çlirimin e Tiranës nuk kishte mbaruar, pjesa lindore e qytetit ishte e lirë dhe kontrollohej krejtësisht nga partizanët. Në shtëpinë tonë erdhën disa partizanë (oficer me grada) dhe kërkuan Prokopin, ‘Kemi pak punë me të sa për një sqarim, dhe përsëri ai do të kthehet në shtëpi’, thanë ata. Por ai nuk u kthye, pasi u dërgua i lidhur dhe u izolua në malin e Dajtit, ku partizanët kishin disa kazerma, që i kishin përshtatur si burg. Në atë kohë kishin izoluar shumë nga ish-politikanët e ushtarakët e lartë, që kishin shërbyer në qeveritë e mbretit Zog dhe atë të periudhës së pushtimit të vendit. Pak ditë pas mbarimit të Luftës, të gjithë ata i zbritën në Tiranë dhe i dërguan te “Burgu i vjetër”. Prokopi ishte nga të fundit që shkoi në atë burg dhe ato ditë, atë e liruan pasi nuk kishin mundur të gjenin prova komprometuese për të”. Sipas Miltos, arsyeja e vërtetë e arrestimit të Prokopit nuk ishte vetëm dyshimi që ata kishin për të, si pjesëmarrës në rininë nacionaliste të Ballit Kombëtar, por dhe fakti tjetër se një i afërmi i tyre, (Jovan Mima), kishte marrë pjesë në radhët e rinisë Ballit dhe ishin vrarë në përpjekjet me forcat partizane, në mesin e vitit 1944, në luftën e Prezës.
Në Radio-Tirana e Teatrin Popullor
Pas mbarimit të Luftës, me kërkesën e shokëve të tij që punonin në Radio-Tirana, Prokopi u thirr që të punonte përsëri, në atë vend ku kishte punuar dhe gjatë Luftës. Një ndihmë të madhe për këtë gjë, i dha atij Pjetër Gjergji me origjinë nga Shkodra. Po kështu, me krijimin e Teatrit Popullor, në vitin 1945, Prokopi ishte nga të parët që krijuan bërthamën e tij, së bashku me Besim Levonjën, Gjon Karmën, Loro Kovaçin etj. Në atë kohë në Radio- Tirana, Besimi, Behije Çela dhe Prokopi, realizonin emisionin e njohur humoristik, që quhej “Ora gazmore”. Ky emision vazhdoi për afro tre vite dhe ishte shumë i mirëpritur nga dëgjuesit e asaj kohe. Në vitet e para të pasluftës, Prokopi bënte pjesë në Korin e Shtetit (së bashku me vëllanë, Milton dhe motrën Pavlinën) dhe bëri disa turne në vendet e Evropës Lindore. Pas ardhjes së regjisorit të njohur sovjetik, Kiriçkov, pranë Teatrit Popullor, Prokopi ishte nja nga ata që fitoi besimin dhe ndihmën e madhe të tij. Ndonëse ai nuk u dërgua jashtë shtetit, për të vazhduar studimet e larta në artin dramatik si shumë koleg të tjerë (për arsye biografie), me një vullnet dhe këmbëngulje të madhe, duke studiuar vetë, arriti që të bëhej një nga shtyllat kryesore të teatrit, duke fituar të drejtën e shumë roleve, që i spikasnin karakterit dhe portretit të tij të veçantë. Nga fillimi i vitit 1951, Prokopin e marrin për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak në një repart pune. Pas mbarimit të ushtrisë, atë nuk e pranojnë më në Teatrin Popullor, “për mungesë vendi”. Kështu, ai për të mos u shkëputur nga skena, pranoi që të shkonte në Gjirokastër, ku do të ngrinte Estradën e atij qyteti. Lidhur me këtë, bashkëshortja e tij, Eli Karalliu, kujtonte: “Atëhere, kur Prokopi ka ardhur në Gjirokastër për të ndihmuar ngritjen e Estradës Profesioniste, jemi njohur bashkë. Unë isha në grupet amatore dhe aty u lidhëm. Ai, ndonëse erdhi për një ditë atje, qëndroi shumë më tepër dhe u desh ndërhyrja e Bedri Spahiut (Ministri i Arsimit dhe Kulturës) që ai të kthehej në Tiranë, pranë Teatrit Popullor në vitin 1954”.
Rikard Ljarja: Kopi ishte “Princi” i fjalës artistike
Që me krijimin e Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1958, Prokopi ishte një ndër pedagogët e parë, që u thirrën për të dhënë mësim në atë shkollë. Ai për shumë vite deri sa doli në pension, dha për studentët “të folurin skenik”, gjë për të cilën nuk do të mjaftohej vetëm me atë ç’ka jepte në klasat e auditorët e Institutit, por dhe në shtëpinë e tij. Lidhur me këtë, bashkëshortja, Eli tregonte: “Prokopi ishte njeri i papërtuar dhe me një vullnet të admirueshëm. Atij, përveç përgatitjes me vokalet që bënte për rolet e tija, në shtëpi i vinin gjithnjë studentë që i mësonte për mbrojtje diplome, apo dhe ata që donin të konkurronin për në Institut. Ai punonte me durim të madh me ta, duke harxhuar shumë kohë. Një nga ata studentët që ka punuar shumë Prokopi, është dhe Mario Ashiku. Një nga regjisorët dhe aktorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, i ndieri Rikard Ljarja, tregonte: “Prokopi me të vërtetë ishte mjeshtër i madh i fjalës. Etika profesionale në këtë drejtim shkonte deri në skruplozitet dhe përputhej me etikën e tij vetjake. Ai kurrë nuk të lejonte ta haje fjalën, siç bëhet dhe sot rëndom nga shumë aktorë. Për këtë ai na thoshte shpesh: Çdo germë ka të drejtë të ekzistojë. Një nga “pasuritë” më të mëdha që kishte Prokopi dhe që e bënte atë mjeshtër të vërtetë, ndoshta të pa zëvendësueshëm në gjininë e saj, ishte recitimi i fjalës artistike, që siç thonë kolegë të tij “atë art ai e ngriti në art” dhe u quajt si “Princi” i fjalës artistike. Lidhur me këtë, poeti i njohur, Koçi Petriti, kujtonte: “Kam pasur fatin të punoja me Prokop Mimën, sepse ai zgjodhi për të recituar disa nga poemat e mija. Ai kurrë nuk i merrte ato për t’i recituar në mënyrë mekanike. Ai i studionte thellë dhe shpesh herë më thërriste, që të rregullonim ndonjë varg që nuk shkonte. Për një gjë të tillë ai ka ardhur deri në Librazhd dhe më ka kërkuar”.
Incidenti në Kosovë
Në fillim të viteve 1970, gjatë një turneu në që Teatri Popullor bëri në Kosovë, morri pjesë dhe Prokopi me një nga rolet e tija të arrira, atë të Dom Markut, te “Cuca e Maleve” e Loni Papës. Gjatë darkës që artistët kosovarë shtruan për nder të vëllezërve të tyre nga atdheu amë, Prokopi u ngrit dhe propozoi që të ngrihej një dolli për këngëtaren e famshme Nexhmije Pagarusha, e cila po këndonte atë mbrëmje, për të nderuar artistët nga Shqipëria. Pas fjalëve të Prokopit për dollinë e Pagarushës, shoqëruesit e delegacionit shqiptar u nxinë dhe i bënë me shenja e shkelje këmbe nën tavolinë, që ai të mos fliste. Pa mbaruar mirë ajo darkë, shoqëruesit e delegacionit me marifet e tërhoqën pak mënjanë dhe i thanë: “A nuk e di ti, se ne dollitë i ngremë vetëm për partinë dhe shokun e Enver”?! Lidhur me këtë ngjarje, bashkëshortja e tij, Eli na tregonte: “Në turneun e dytë që do të bënte ai grup në Kosovë, Prokopin nuk e planifikuan. Atë e zëvendësuan me një aktor tjetër. U lodh shumë, duke shkuar disa herë zyrave të administratës shtetërore për ta rregulluar atë gjë. Më në fund e lejuan që të shkonte, por rolin e tij më shumë e interpretoi ai aktori tjetër. Atë dolli, Prokopit ja mbajtën “vath në vesh”, dhe ja kujtonin shpesh. Prokopin e nxorën në pension në vitin 1976, kur ai ishte në kulmin e karrierës dhe aftësive të tija aktoreske. Ai u largua zemërthyer nga skena e atij teatri ku kishte interpretuar më shumë se 80 role”, kujtonte bashkëshortja e tij, për fundin e karrierës së Prokopit. Ndër rolet më të arrira të tij, mbahen mënd: Zbisheku, te “Morali i znj. Dulskaja”, Dom Marku te “Cuca e Maleve”, gjenerali gjerman te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Xhivola te “Arturo Ui” dhe Stefan Ahurja te filmi televiziv “Emblema e dikurshme”, (realizim i Radio-Televizionit Shqiptar), etj. Lidhur me rolin e Zbishekut regjisori i njohur, Mihallaq Luarasi, është shprehur: “Zbisheku i Mimës, është një trupëzim origjinal. Me atë rol Mima vërtetoi rishtazi talentin e tij dhe ndjenjën e hollë të nuhatjes së stilit të autorit, duke na dhënë një krijim aktorial që nuk do të harrohet lehtë”.
I harruar…
Pak kohë pasi Prokopi doli në pension, Teatri Popullor rivuri në skenë “Arturo Ui” të Brehtit. U detyruan dhe e thirrën Prokopin që të lunate përsëri Xhivolën. Lidhur me këtë, regjisori dhe aktori tashmë i ndierë, Rikard Ljarja, ish-student i tij, kujtonte: “Kur erdhi momenti që Kopi do të dilte në skenë, salla shpërtheu në duartrokitje. Publiku i shumtë e kishte ndjerë largimin e tij nga skena dhe si rrallë në ndonjë vepër, roli i tij “Xhivola”, u luajt me aq mjeshtëri, sa e eklipsoi rolin kryesor të asaj drame”. Nga viti 1976, kur ai doli në pension e deri në vitin 1986, kur mjeshtëri i madh u nda nga jeta, ai u mbyll brenda vetës në shtëpinë e tij, duke mos e duruar largimin e detyruar nga teatri. Sipas dëshmisë së bashkëshortes, nga shokët dhe kolegët e tij, ishin të pakët ata që e vizitonin në shtëpi. Vetëm Dhimitër Anagnosti me bashkëshorten e tij, Rozën, vinin shpesh për ta parë, po kështu dhe Ndrek Luca nuk e harroi kurrë. Ato dhjetë vite, Prokopi rrinte në shtëpi, duke u marrë me librat dhe lulet, pasionin e tij të vjetër”, kujtonte Eleni. Lidhur me këtë, vëllai i tij, Milto, kujtonte: “Aty nga viti 1960, më kujtohet një rast kur nëna ndjeu se dikush na kishte hyrë natën në oborr. Unë mbusha armën e gjahut që kishim në shtëpi (çiften) dhe dola nga prapa banesës për të parë. Kur hapa portën, ç’të shihja: Prokopi me një qiri të ndezur në dorë, kontrollonte degët e trëndafilave nga një krimb, që i brente ato natën. Përveç pasionit të luleve, që ai i dinte të gjithë emrat e tyre në latinisht, shtëpia e tij, ka qenë një “Kopsht i vërtetë botanik”, ai shkonte rrallë dhe për peshkim, me disa nga shokët e kolegët e Teatrit”. Nga fundi i vitit 1985, Prokopi u sëmur rëndë nga zëmra. Me gjithë ndërhyrjen e kunatit të tij (Robert Shvarc) pranë sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe anëtarit të Byrosë Politike, Manush Myftiu, për të nxjerrë jashtë shtetit për kurim, kjo gjë nuk u bë e mundur. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij më 18 gusht të vitit 1986, dhe në varrimin e tij nuk morri pjesë asnjë përfaqësues zyrtar i shtetit./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016