Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetekatër
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Proçes – verbal
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Tuk Jakovës nga ana e dy hetuesve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri dhe kapiten i I-rë, Ferhat Matohiti
Më Tiranë, në dt. 9 janar 1958. Neve hetuesit e Drejtorisë Sigurimit Shtetit Irfan Shaqiri dhe Kapiteni i I-rë Ferhat Matohiti, morëm në pyetje të arrestuarin Tuk Jakova.
Pyetja filloi ora 9.30
Pyetja mbaroi ora 14.00
Pyetje: Në proçesin datë 8 janar 1958, na shpjeguat lidhur me tentativat që kanë bërë funksionarët e legatës Jugosllave për t’u takuar nëpërmjet Dhora Lekës. Tregoni më pas u takuat me funksionarët e legatës?
Përgjigje: Unë Tuk Jakova, personalisht me funksionarët e lartë jugosllav nuk kam takuar.
Pyetje: Atëhere vazhdoni të na tregoni veprimtarinë tuaj armiqësore mbas përjashtimit t’uaj nga partia?
Përgjigje: Mbas nja dy tre javëve të kthimit të Mitës nga Tirana, hapet Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe materialet e tij fillova t’i studioja me kujdes, këto përsëri nga pozita që isha unë, nxora konkluzione të gabuara, mendova se në dritën e këtij kongresi, duhej që edhe udhëheqja jonë të rishikonte gabimet e sajë, sidomos në çështjen e masave të marra në Parti, në çështjen e kultit të individit dhe në çështjen e normave në Parti dhe në çështjen e normave Leniniste.
Kur lexova edhe fjalimin e përshëndetjes së shoku Enver në kongres, ku thoshte se; kongresi ka qenë një shkollë e madhe për neve, mendova se më në fund edhe shoku Enver mendon që në dritën e këtij kongresi, të rishikohen nga udhëheqja jonë gabimet. Po prisja një gjë të tillë, koha po kalonte por Partia jonë nuk po merrte një iniciativë të tillë. Kur pashë se çështja po vonohej dhe nuk kish shenja për një gjë të tillë, erdha në konkluzionin se; këtë çështje e pengon shoku Enver, mbasi nuk është i predispozuar për të bërë autokritikë dhe për të ndrequr të metat që ekzistonin.
Pasi kaloi një kohë filloi të bëhen konferencat e rretheve për zgjedhjen e delegatëve në Kongresin e III-të. Mendova përsëri se mos çështja e të metave të ngrihej në kongres, mirëpo në këto interval u zhvillua Konferenca e Tiranës. Për Konferencën e Tiranës, unë nuk kam patur dijeni mbi ato mbrapa skenën që ish-pregatitur, me përjashtim të asaj dite, ose një ditë përpara të hapjes së konferencës, nuk më kujtohet mirë më ka ardhur në shtëpi Xhafer Vokshi edhe më ka thënë se; kishte marrë vesh që disa shokë atje në Tiranë, do të ngrinin çështjet nën frymën e Kongresit XX-të dhe me qenë se ai të nesërmen do të kthehej në Tiranë, më tha që në qoftë se do të kishe ndonjë letër për konferencën, ta shkruaja dhe t’ja jepja atij, sepse si më tha ai ishte i porositur nga Muhamet Demani dhe ky i fundit kish mundësi që t’ja jepte konferencës, i thashë Xhaferit, se letër nuk kam nevojë të shkruaj, por ç’ka kam për të thënë në konferencë ose në kongres, i them vetë në rast se thërritem, ai ndeji pak në shtëpinë time dhe sa mbaruam muhabetet e sipërme, iku, po se ku nuk e di.
Xhaferi kish ardhur me një shok tjetër me shërbim, më duket për çështjen e gazetës, ai kish gjetur Mitën, së cilës i kish thënë se, do të vinte nga shtëpia për të pirë një kafe dhe erdhi.
Se çfarë u bë në Konferencën e Tiranës, unë nuk mora vesh, më vonë kur Komiteti Qendror kish lëshuar një letër organizatave të rretheve, mora vesh se kish ndodhur diçka, për këtë më tha në ndërmarrje një anëtar Partie i quajtur Qemal Karaj, ky më tregoi se; u a bëri mirë shoku Enver, Pëllumb Dishnicës me shokë, se ishin ngritur kundër Partisë. Më pas kam parë edhe në gazetë një diçka të shkurtër, që fliste për Konferencën e Tiranës.
Mbas ca kohe vajti Mita në Tiranë dhe Dhora ia kish shpjeguar me hollësi rreth ngjarjeve të konferencës dhe se nga Partia kishin filluar të merreshin masa, duke përjashtuar nga partia. Përsa u përket çështjeve që ishin ngritur në konferencë, me përjashtim të atyre gjërave diskreditojnë, me ato çështjet kryesore që ishin ngritur atje, isha dakord, d.m.th., çështja e rehabilitimit tim, të Bedriut, të Koçi Xoxes, me çështjen e normave Leniniste në parti, me çështjen e kultit të individit dhe përsa u përket marrëdhënieve me Jugosllavët, unë isha për një gjë të tillë, por jo në atë mënyrë, sepse pa tjetër edhe jugosllavët duhesh të bënin autokritikë dhe të justifikonin çështjen e ndërhyrjes, në lidhje me këtë pike, kam qenë dakord me konkluzionin që ka dhënë shoku Enver në kongres.
Më 24 Maj 1957, u mora nën vërejtje dhe më shpunë në Porto- Palermo, pastaj në Kaninë dhe më vonë në ishullin e Zvërnecit. Gjatë kësaj kohe kam qenë vazhdimisht i dëshpëruar dhe sidomos mbasi u hetua çështja ime deri në detaje dhe unë dhashë letër që të flisnin Dhora Leka, Franoja dhe Mita, të gjitha ato që dinin rreth meje, mendova se të gjithë këto do ta sqaronin pozitën time dhe do të vërtetonin se unë nuk po e gënjeja Partinë, me përjashtim të detajeve, por kryesoret dhe ato që ngrinin peshë, ja thashë partisë.
Ajo që influencoi në dëshpërimin tem, ka qenë gjithashtu edhe çështja e familjes, të cilën e kisha lënë në një gjendje të vështirë, kërkova që të më jepej mundësia që të jetoja me familjen, duke mu dhënë mundësia të punojë zanatin në çfarë do kondita qoftë edhe izolimi, vetëm të ndihmoja familjen, por kjo dëshirë nuk m’u plotësua. Po kështu vonesa e takimeve dhe e korrespondencës me gruan, të gjitha këto më dëshpëruan.
I arrestuari Hetuesit
Tuk Jakova Kapiteni I-rë Ferhat Matohiti, Irfan Shaqiri
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Tuk Jakovës nga ana e dy hetuesve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri dhe kapiten i I-rë, Ferhat Matohiti
Proçes – Verbal
Në Tiranë me 10 Janar 1958. Neve hetuesit e Drejtorisë Sigurimit Shtetit, Irfan Shaqiri dhe Kapiteni i I-rë Ferhat Matohiti, morëm në pyetje të arrestuarin Tuk Jakova.
Pyetja filloi ora 9.30
Pyetja mbaroi ora 14.00
Pyetje: Gjatë kohës që keni qenë në Berat, keni vajtur në Elbasan, kur dhe sa herë?
Përgjigje: Në Elbasan nuk kam shkuar me iniciativën tim, por për nevoja pune. Sa mbërritëm në Elbasan, kemi shkuar drejt e në kombinat, ka qenë ora dy mbas dite. Roja më tha se kanë ikur, por drejtori mund të vij prap mbas darke. Kur dola nga kombinati, zuri një shi dhe për tu mbrojtur, qëndrova në stacionin e trenit. Këtu mu afrua një djalë i ri dhe më pyeti në se unë isha Tuk Jakova, kur unë e pyeta se ku më njeh, ai më tha se; vëllai i tij Saf Kavaja, ka qenë në Brigadën e I-rë.
Pasi shiu pushoi, e pyes djalin që më shoqëronte për shtëpinë e Bedri Spahiut dhe ai ma tregoi. Unë sipas tregimeve të tij vajta në shtëpinë e Bedriut, ku edhe fjeta.
Pyetje: Kur ishit në shtëpinë e Bedri Spahiut, çfarë bisedimesh keni bërë?
Përgjigje: Kur m’u tha për të shkuar në Elbasan, unë e mendova në se duhet të takohem apo jo me Bedriun dhe me qenë se nuk e ndjeja veten fajtor ndaj Partisë, vendosa të shkoj.
Në shtëpinë e Bedriut, mbasi u takova me Bedriun dhe familjen e tij, erdhi edhe një grua plakë, nënë dëshmori, me të cilën bëmë muhabet deri vonë, deri sa iku plaka, pastaj hëngrëm dhe mbas buke, nëna e gruas së Bedriut, së bashku me gruan e Bedriut dhe fëmijët, shkuan në dhomën tjetër për të fjetur, unë e Bedriu mbetëm vetëm dhe ja nisëm muhabetit.
Duke folur unë i pari, i them Bedriut: More Bedri, po ç’qe kjo fatkeqësi që na ndodhi, Bedriu tha se shkaktar i fatkeqësisë tonë është shoku Enver dhe jo vetëm i fatkeqësisë tone, por kështu janë bërë goditje të vazhdueshme në Parti. Shikuam që nga koha e Luftës dhe deri në Berat, si dhe goditjet që janë bërë edhe më vonë, i morëm jo nga ana e personave, por si forume dhe na rezultoi se nga Komiteti Qendror provizor, nga Byroja që u zgjodh në Konferencën e Labinotit dhe nga Byroja që u zgjodh në Berat, në udhëheqje nuk ka mbet asnjë për veç shokut Enver, ndërsa përsa i përket plenumit që u zgjodh ne Konferencën e I-rë në Labinot, kanë mbetë vetëm shokët Enver, Hysni dhe Gogo. Këtë ne quajtëm anomali dhe erdhëm në konkluzionin se; përgjegjësia për këtë, rëndon kryesisht mbi shokun Enver. Biseduam çështjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe mbasi të dy ishim të mendimit se këto marrëdhënie ishin të dobishme, erdhi çështja se në këto marrëdhënie, do të jetë vullneti i mirë i të dy palëve, sepse i thashë unë edhe jugosllavët kanë përgjegjësitë përpara partisë edhe vendit tonë.
Në këtë kohë, unë i thashë Bedriut se ai Jugosllavi, i kishte thënë Dhorës të më pyeste mua për këtë çështje dhe unë kështu i jam përgjigjur atij, por Jugosllavi, i thashë Bedriut, nuk e kish gjet të drejtë mendimin tim dhe kish thënë se; kjo çështje duhet të rregullohet në mes të dy partive, pa ndërmjetësin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Pas kësaj, pyeta Bedriun dhe i thashë: Si është çështje e Koçi Xoxes, ti duhet ta dish më mirë se ke qenë vetë aty. Bedriu më tha; Koçi Xoxe shkoi viktimë e situatës. Në ato rrethana, nuk mund të veproje ndryshe, veç ashtu si u veprua. Koçi Xoxe ka shkuar viktimë e situatës dhe çështja e tij duhet rishikuar, tha Bedriu dhe ai duhet rehabilitue. Bedriu më tha se i kishte ardhur Dhora, e dërguar nga Jugosllavi Cveto dhe i kishte kërkuar mendimin përsa i përket Koçi Xoxes, në se kishte Bedriu materiale në lidhje me këtë çështje, mendimin se si i shikon marrëdhëniet me Jugosllavinë.
Bedriu më tha se ju përgjigj kështu: Marrëdhëniet i shikoj mirë, të dobishme, për Koçi Xoxen i kam thënë se ai ka shkuar viktimë e situatës, se material për këtë çështje nuk kam, por është botuar në gazetë.
Pyetje: Tregoni lidhjet armiqësore me Xhafer Vokshin?
Përgjigje: Xhafer Vokshin e kam takuar këtu në Tiranë në Janar të vitit 1956, e kam takuar në shtëpinë e nënës (Filipit). Xhaferi dhe Franoja i kanë gratë motra, ai kish ardhur aty një natë për vizitë. Me Xhaferin atë natë kemi biseduar këto gjëra: I kam thënë që; pse je kaq i dëshpëruar, Xhaferi më tha se; jam shumë i dëshpëruar për gabimin që kam bërë që kam ardhur këtu në Shqipëri, kam qenë mirë atje, u gënjeva se udhëheqja Jugosllave ka tradhtuar. I thashë; pse nuk kërkon të shkosh përsëri në Jugosllavi, me qenë se ti për këtë je penduar, ai më tha se; më vjen turp dhe s’kam si të kthehem.
Pyetje: Tjetër çfarë është biseduar me Xhaferin kur u takuat?
Përgjigje: Xhafer Vokshi më ka folur keq për shokun Enver, sigurisht tha ai se edhe goditja jote, do të ketë ardhur prej tij. Unë ju përgjigja se; Enveri ka influencuar për goditjen time. Ai pastaj më tha se; po dalin fjalët që më ka thënë Miladini kur është kthyer nga Shqipëria në Kosovë, se Miladini gjoja i ka thënë këtij që; e ndjej gabim dhe populli shqiptar nuk do të ma falë, që në krye të Partisë kam influencuar që të zgjidhet shoku Enver.
Kështu shpjegohet edhe goditja që i është bërë Koçi Xoxes. Unë duke ditur se Enveri ka qenë në marrëdhënie të mira me Miladinin, jam çuditur kur e dëgjova për herë të parë nga goja e Xhafer Vokshit. I them, more flet kot apo të ka thënë vërtetë Miladini një gjë të tillë, ai më siguroi se kjo ishte e vërtetë, duke më thënë se të betohem për këtë. Memorie.al
I arestuari Hetuesit
Tuk Jakova Irfan Shaqiri, kapiten i I-rë Ferhat Matohiti
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016