Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të vizitave që bënë motrat e Mbretit, Zog, princeshat, Myzejen, Maxhide dhe Ruhie, në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, si: Kavajë, Peqin, Qafë-Thanë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Progër, Hoçisht, Bilisht, Kolonjë, Leskovik, Përmet, Tepelenë, Kurvelesh, Sarandë, Delvinë, Dropull, Butrint, etj. I gjithë turi i motrave të Mretit Zog me vizitat e tyre në qytete dhe fshatra të Shqipërisë në prillin e vitit 1938, të cilat të shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Musa Juka, u pritën me nderime të mëdha dhe manifestime të shumta kudo ku ato shkuan, vizita të cilat u pasqyruan gjerësisht nga shtypi i kohës, siç ishte dhe revista ‘Diana’, që i kushtoi faqe të tëra atij evenimenti.
Para pak javësh, apo më saktë më 25 dhjetor të vitit të kaluar, u mbushën plot 95 vjet nga rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet, apo siç njihet ndryshe si “Triumfi i Legalitetit, kurse në 1 shtator të këtij viti, mbushen plot 93 vjet nga dita e themelimit të Mbretërisë Shqiptare, kur Parlamenti i asaj kohe, me anë të një Asambleja Kushtetuese, e shpalli kryetarin e shtetit shqiptar, Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve. Ndryshimi i formës së regjimit në Shqipërinë e asaj kohe, nga Republikë në Monarki Parlamentare, nga shumica e politikanëve të asaj kohe, u pa si një akt, i cili do të konsolidonte më shumë shtetin e ri shqiptar dhe një farë stabiliteti në qeverisjen e vendit, pasi deri në atë kohë, me atë formë regjimi që ishte, qeveritë i’a linin vendin njëra-tjetrës, duke u ndërruar shpesh në disa muaj, madje edhe për punë ditësh apo orësh, siç ishte qeveria e kryesuar nga Qazim Koculi, e cila e pati jetëgjatësinë vetëm një ditë (më 6 dhjetor të vitit 1921), dhe të nesërmen, ajo ndërrua me qeverinë e kryesuar nga Hasan Prishtina.
Lidhur me shpalljen e Mbretërisë Shqiptare, e cila siç thamë, nga shumica e klasës politike të asaj kohe dhe ithtarëve të Lëvizjes së Legalitetit, u cilësua si një akt i domosdoshëm për stabilizimin e shtetit të ri shqiptar dhe qeverisjes së vendit, ka ekzistuar dhe ekziston ende edhe sot, një tjetër këndvështrim, apo si të themi; ‘ana tjetër e medaljes’. Sipas propagandës dhe historiografisë së regjimit komunist të para viteve ’90-të, Ahmet Zogu u vetshpall Mbret i Shqiptarëve për të konsoliduar më shumë pozitat e tij në krye të shtetit shqiptar dhe për të pasur pushtet absolut. Sidoqoftë këtyre dy anëve të vështrimit të asaj ngjarje, pra, të krijimit të Mbretërisë Shqiptare, pothuaj të gjithë në një pikë bien dakord; Ahmet Zogu dhe klasa politike e asaj kohe, me anët pozitive dhe negative të tyre, vunë gurët e themelit në godinën e re të shtetit të porsaformuar shqiptar, duke e njohur atë kudo në botë.
Në këtë kontekst, edhe shpallja e Mbretërisë Shqiptare, më 1 shtator të vitit 1928, më së shumti shikohet si një ngjarje apo eveniment historik, në kuadrin e përpjekjeve për stabilitetin e shtetit shqiptar. Nisur nga kjo gjë, pas pak ditësh, me rastin e 1 shtatorit, i cili përkon me jubileun e 80 vjetorit të Mbretërisë Shqiptare, pritet të mbahen festimet zyrtare. Në këtë kontekst, ashtu si dhe me ngjarje apo data të tjera historike të periudhës së Monarkisë së Zogut, Memorie.al po publikon në këtë shkrim historinë e panjohur të vizitës së motrave të Zogut në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, në prillin e vitit 1938. Ky shkrim është marrë nga revista “Diana” e asaj kohe, dhe është përgatitur nga gazetari, botuesi dhe publicisti i njohur Medin Kamberi, i cili i shoqëroi vetë princeshat gjatë vizitës së tyre në disa prej qyteteve dhe rretheve kryesore të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Jugut. Këto pasazhe shkrimi po i publikojmë, pa i’u bërë asnjë ndryshim, duke i dhënë në gjuhën e shkruar të atyre viteve, për të sjellë më afër atmosferën e asaj kohe, duke i dhënë edhe me tituj e nëntitujt e revistës në fjalë.
Revista “Diana”; Vizita historike e Princeshave Mbretnore në Jugë
(Kudo pritjet madhështore harrijnë kulmin).
Gazetat lajmonin: “Naltësitë e Tyre, Princeshat Mbretnore, Myzejen, Ruhije, dhe Maxhide, të shoqëruara nga Ministri i P. të Brendshme, Shk. e Tij Musa Juka dhe nga Suita e Tyne, u nisën për një tour të Shqipris së Jugut. NN. TT do të përshkojnë Qarkun e Elbasanit, të Korçës, të Gjinokastrës, të Vlorës dhe të Beratit.
Në Kavajë dhe Peqin
Populli i madh e i vogël pret me lule, brohoritje dhe duartrokitje NN. TT. Princeshat Mbretnore. Kudo shenjë enthuzjazmi të papërshkrueshëm. Autoritetet civile, ushtarake, klerikale të vendit dhe të Komuneve, anëtarët e shoqnis “Gruaja Shqiptare”, nxanësit dhe rinija jashtëshkollore u bajnë homazhet e duhuna. Në Peqin, në një fjalim të bukur, z-sha Ballkis Tela theksoj, midis të tjerave: “Sot, ‘Gruaja Shqiptare’, i dërgon djemt dhe vajzat e veta për t‘i edukuar dhe për t‘i bërë ushtarë të denjë për Mbret e Atdhe, nëna të vlefshme për brezin e ri, tek i cili mbështetet lumnija e Atdheut”. Në mes të duartrokitjeve frenetike, të mbarë popullit, prej ballkonit të Bashkisë, N. S. Princesha Myzejen, përgjigjet me një fjalim të thekshëm, ku mbasi naltëson virtytet e nderit dhe të racës, falenderon nxehtësisht popullin fisnik dhe bujar të Peqinit. Fjalët e fundit të N. S. Princeshës Myzejen, priten me një breshëri duartrokitjesh ku u shpreh gëzimi i pashlyer për Vizitën Auguste.
Në Elbasan
I grumbulluar i madh dhe i vogël, përpara Postës së Bishqemit populli, burra e gra, qytetarë të katundeve të stolisur me kostumet e bukura të vendit, nxanës dhe nxanëse të reshtuara me flamure, afër një harku triumfi të madh ku figuronte e zbukuruar me lule fytyra e N. M. T. Mbretit, pret Personat Auguste të Familjes Mbretërore. NN. TT. afër Tri Urave, zbresin nga automobilët dhe ecin në këmbë në mes të brohoritjeve të pa-reshtura të popullit, deri në Grand-Hotel, ku presin homazhet e të gjithë klasave të popullit: të “Gruas Shqiptare”, të deputetëve, të Kryetarëve të Komuniteteve fetare, të Kryetarëve të zyrave, të Drejtorëvet të Shkollavet, t‘Anëtarëvet të Këshillit Administratës, të Kryetarit të Bashkis me anëtarët e Kuvendit, të Kryetarit të Odës së Tregtis bashke më anëtarët e Odës dhe Parin e vendit dhe të Këshillit të Shoqnis jashtëshkollore. Tri goca dhe një djalë të Shoqnis “Saide”, u ofrojnë NN. TT., kuti të bukura cigaresh të bëra apostafat dhe darovitën në një shumë prej 160 fr. ari. Si mbarohen shfaqet dhe homazhet NN. TT. admirojnë prej ballkonit vallet e bukura koreografike të gocave të shkollës femnore të veshura me kostume artistike. Në fjalimin që mbahet nga NN. TT. midis të tjerave thohet: “Vllahu i Jonë August, sado që nuk ndodhet në mes t‘onë në këtë çast, por Zemra e Tij asht midis jush dhe i shikon nevojat t‘ueja. NN. TT. të mallëngjyera prej ksaj pritje madhështore të vetvetishme e plot me ndjenja fisnike e adhurimit të qytetit të Elbasanit, mbasi lenë 1000 franga ari për të vobektit e qytetit, u hypin automobilave dhe marrin rrugën për Pogradec, duke u duartrokitur dhe duke brohoritë populli gjatë rrugës.
Në Pogradec
I dalur në Qafë të Thanës, populli, pa dallim, i përcjell NN. TT. Princeshat deri në qytet, ku mbërrijnë në mes duartrokitjesh dhe brohoritjesh frenetike për Mbret dhe Dinasti, dhe në mes të një enthuziazmi të pamasë. Populli i grumbulluar para banesës së NN. TT. Mbretnore, vazhdon duke brohoritë frenetikisht. Në këtë kohë, NN. TT. dalin në ballkon dhe me një fjalim të shkurtër të transmetuar prej Ministrit të Mbrendshëm, Shk. Tij Musa Juka, falenderojnë popullin për simpathinë dhe për ndjenjat adhuruese që shfaqi për N. M. Tij, Mbretin dhe për familjen Mbretnore. Fjala e NN. TT. Princeshave Mbretnore enthuziazmuan edhe më tepër popullin, i cili nuk di t‘u vej më kufi brohoritjeve enthuzjastike për Mbret e Dinasti. Krejt qyteti i Pogradecit shëndrohet në një pamje festimi ku shfaqen manifestime gëzimi të papërshkrueshëm.
Në Korçë
Naltësitë e Tyre, të përshëndetura prej Popullit të Pogradecit, nisen për në Korçë. Në Zemblak gjenden përpara fillesës së një apotheze dashurije dhe besnikërije tipike të Popullit krenar të Korçës. Këtu Princeshat Auguste, pritën nga një delegasjon të posaçëm i përbërë prej gjithë elitës së qytetit, duke filluar që prej autoriteteve më të nalta, e deri tek tregtarët e zejtarët e ndryshëm. Pa ekzagjerim mund të thohet se popullsia Korçare që brohorit Vizitoret Auguste, mbrrin më tepër se 20.000 frymë. Pranija e Princeshavet në gjirin e këtij qyteti pati një prekje t‘elektrizuar në shpirtin e kësaj mase e cila u ngrit si një shpirt i vetëm prej një bloku trupash, në një brohoritje aq të naltë, aq thellë, në një Rrofshi që e tundi gjithë Korçën. Në fjalimin e Kryetarit të Bashkis, z. Agathokli Xhitomi, midis të tjerash theksohet: “Si të mos gëzohet Populli Shqiptar, kur e vizitoni Ju Naltësi? Ky popull sheh te Ju, idolin e bashkimit Kombëtar, të njësisë Kombëtare, të fuqisë Kombëtare. “Jini motrat e atij që bëri Fiset Komb dhe Kombin, Shtet”. NN. TT. në mes t‘enthuziazmit spontan të popullit vizituan Zyrat e Prefekturës, të Komandës së Garnizonit, Bibliotekën, Spitalin e Shtetit dhe Shkollën Qytetëse Femnore, të pritura kudo me brohoritje dhe nderime të posaçme. Të shoqëruara prej Shk. Tij Musa Juka, NN. TT. vizituan Vidhkuqin, si dhe Komunën e Uzinën Elektrike.
Rinia, e grumbulluar në Bulevardin “Shëngjergji”, paradon me madhështi, dhe në fjalimet që u mbajtën, N. S. Mbretnore, Princesha Myzejen, në mes të tjerave theksoj: “Na e çmojmë Popullin Korçar si faktorin ma kryesor të rilindjes sonë Kombëtare, si prijës të qytetërimit. Jemi të bindur se ju do të jeni kurdoherë pionerë të këtyre idealeve, shtyllë e shëndoshë e fortesës së pathyeshme të Mbretnisë s‘onë. Përfitojmë prej rasës me i adresue dhe dy fjalë djelmnisë krenare të Korçës, e cila duhet të jetë shumë kryenaltë që Mbreti e ka në Zemër. Për këtë Ay kërkon prej saj si disiplinë, bindje dhe po atë patriotizëm që kanë tregue dhe tregojn sot etnit e tyne zamëdhej, sepse Vëllau i Jonë, N. M. T. Mbreti, për atdhe dhe Shtet, pret shërbimet ma të mëdha prej djalëris, si për kohën e tashme ashtu dhe për atë të ardhme”.
Rinia mbasandaj me bandën muzikale në krye vazhdoj manifestimet përpara pallatit të NN. TT. Princeshavet Mbretnore, duke kënduar këngë patriotike dhe duke mbajtur pankarta me mbishkrimin:
“Djalëria Korçare dëshiron të shohi edhe Mbretin këtu”, “Rroftë Mbreti”. “Princesha të dashtuna, ju adhurojmë si hyjnesha”. “Rroftë Familja Mbretnore”.
Në fytyrat e të gjithëve përshkruhet admirimi për N. M. e Tij Mbretin Zog. I. dhe për Familjen Mbretnore. NN. TT. i afruan një darkë Rinisë Korçare.
Në Bilisht, Kolonjë dhe Leskovik
Populli i gjithë Devollit, kudo që kaluan NN. TT Princeshat, kishte dalë në pritje i enthuziazmuar dhe i dehur nga gëzimi. NN. TT. Princeshat denjuan t‘i falin Komunës së Progrit 300 fr. ari, Nënprefekturës së Bilishtit 800 fr. ar për nxënësit e vobegtë, Manastirit të Shën-Ilis Hoçisht 200 fr. ari dhe për të vobektit 500 fr. ari.
Erseka e stolisur me flamur, dafina dhe lule, pret në mes brohorish frenetike, NN. Tyre princeshat Mbretnore, të cilat pritën vizitat e Kryetarëve të zyrave, të Përfaqësisë së Shoqënis “Gruaja Shqiptare”, dhe të Klerit, të Grave Kolonjare, të përfaqësisë së qytetit dhe të komunave. NN. TT. Princeshat, dhuruan 500 fr. ari për të vobektit e rrethit, Leskoviku gjithashtu, kishte përgatitur manifestime të shkëlqyeshme.
Në Përmet, Tepelenë dhe Kurvelesh
Hyrja e NN. TT. Princeshavet Mbretnore në Përmet qe me të vërtetë triumfale, në mes brohoritjeve të popullit, tingëllimit të kambanave dhe sidomos korit harmonik dhe melodik të djalëris jashtëshkollore, i cili plotësonte çfaqet e perzemërsis dhe i jepte pritjes një karakter veçanërisht madhështor. NN. TT. Princeshat zbritën në Bashki ku komisione të ndryshme dhe gra, të veshura me kostume kombëtare u parashtruan NN. TT homazhet, të cilat Ato i‘u përgjegjën duke çfaqë kënaqësin e tyre për këtë pritje enthuziastike. Gjithashtu edhe popullsia e Peshtanit dhe e Këlcyrës u bëri NN. TT. Pritje madhështore.
Në qytetin e Tepelenës pritja ishte me të vërtetë karakteristike. Vallet labërishte dhe këngët e vendit mahnitnin këdo. Dhe darovia e jataganët historikisht të pamposhtur dhe trashëgim i veteranit Zogist. Z. Vehip Runa, e bërë prej popullit të Kurveleshit. NN. TT. Mbretnore ishte, patetike.
NN. TT. Princeshat dhuruan 500 fr. ari për të vobektit e Kurveleshit, 500 fr. ari për të vobektit e rajonit të Urës së Subashit. 400 për ata të katundeve Sinanaj, Krahës e Buz.
Në Gjinokastrë
Ballkonet e ndërtesave të Sheshit “Çerçiz Topulli”, të mbushura krejtësisht me familje prej nga dëgjoheshin brohoritje frenetike për jetëgjatësinë e Mbretit dhe të Familjes Mbretënore; populli, i radhitur në dy anët e rrugës kryesore; e tillë asht pamja e ditës fatlume kur NN. TT. Princeshat Mbretnore, në mes duartrokitjeve të pareshtura të turmës së pamasë, hynë triumfalisht në qytet. Në mest të një demostrasjoni spontan q‘u zhvillua para banesës së vizitoreve të shquara, prej ballkonit, N. S. Princesha Myzejen, me anë të Shk. Tij, Musa Juka, mbajti një fjalim ku u theksuan në mënyrë të veçantë reformat që N. M. Tij, Mbreti ka caktuar të zhvillojë për Djalërinë Shqiptare.
Në Libohovë dhe Dropull
Të përcjellura nga i gjithë populli i Gjinokastrës, NN. TT. Princeshat, në mes të brohorivet dhe duartrokitjeve frenetike, u nisën për në Libohovë, ku u pritën plot entuzjazëm prej autoriteteve lokale, popullit, nxanësvet e nxanësevet, prej para-ushtarakëvet dhe prej grupeve të grave të ardhur apostafat prej katundeve të rrethit të Libohovës, të veshura me kostume origjinale.
Fjalimeve, demostratavet dhe nderimeve që i’u bënë nga ana e popullit, NN. TT, i’u përgjegjën me anën e Shk. Tij, Musa Juka, i cili theksoj gëzimin që ndiejnë NN. TT, për pritjen dhe adhurimin e treguar nga ana e popullit të Libohovës.
Po e njëjta pritje madhështore u-bë edhe në Dropull, ku NN. TT, shijuan kostumet dhe patën rastin të shihnin dhe të konstatonin afërsisht mallin e madh dhe admirimin që këto popullata ndjejnë për Dinastin dhe për N. M. T. Mbretin. Princeshat Mbretnore lanë për të vobektit e rrethit, 500 fr. ari.
Në Delvinë-Sarandë-Korfuz-Butrint
Një turmë e madhe populli, e ardhur edhe nga rrethet, burra, gra e fëmijë, duallën në pritjet të NN. TT. Princeshavet. Dhe mbarë ajo turmë shpërtheu e përnjëherëshme në brohoritjet enthuziastike duke uruar Mirseardhjen. Zunë jehimet e Hymnit Mbretnor, u mbajtën fjalimet e rastit dhe në emër të NN. TT. u përgjegj Shk. Tij, ministri Musa Juka, i cili theksoj në mënyrë të veçantë kënaqësinë e NN. TT. për pritjen bujare të popullit të Delvinës dhe shtoj se enthuziazmin e pritjes NN. TT. do t‘ja trasmetojnë N.M.T. Mbretit.
Në Sarandë, gjithashtu pritja ka qenë me të vërtetë triumfonte dhe entuziazmi arriti kulmin. Meriton rëndësi të veçantë vizita e NN. TT. Princeshavet në Korfuz dhe në Butrint, ku mbetën të impresionuar dhe të kënaqur mjaft, si nga bukuritë e vendeve, gjithashtu dhe nga pritjet e përzemërta që iu bënë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016