Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa shkrime të panjohura të shtypit të periudhës së Monarkisë së Zogut të fundit të viteve ’30-të, të cilat i kushtonin një rëndësi të veçantë promovimit të resurseve turistike që ofronte Shqipëria, ku Enti Kombëtar i Turizmit zhvillonte një propagandë të madhe nëpërmjet shtypit për disa nga vendet më të frekuentuara, nga turistët vendas dhe të huaj, siç ishin qytetet e Pogradecit apo Korçës, me fshatrat e saj piktoreske, si: Mborja, Drenova, Morava, Bozdoveci, Boboshtica, Dardha, Voskopoja, Vithkuqi, etj., ku midis të tjerash thuhej: “Në të 17-in kilometrin nga Korça. Pa u mbushur edhe një kilometër, duhet të ç’lodhemi në Dardhë. Rruga kalon tani përmes pyllesh. Një pamje piktoreske jashtëzakonisht e bukur, zhvillohet para syve kur automobili kthen edhe një bërryl rruge dhe le të duket një pjesë e Dardhës. Koria e Shën Pjetrit, guri i vjeshtës për karshi, kodrat suare në Perëndim dhe kodrinat pranë rrugës së Devollit në Lindje dhe në mes Dardha. Natyra është treguar shumë dorëlëshuar, i ka falur Dardhës klimë të mirë dhe e ka stolisur me ngjyrat më të bukura. Dardharët nuk kanë prishur asgjë nga kjo bukuri, përkundrazi janë kujdesur me kohë ta ruajnë”
“Qyteti i Korçës të ofron jo vetëm një klimë ideale, jo vetëm ajër të dëlirët, jo vetëm ujë të lehtë, të shëndetshëm dhe të ftohtë, por edhe gjithë lehtësirat e jetës. Me 12 deri 15 fr. ar në muaj, gjen njeriu në Korçë, një dhomë të mirë, të mobiluar bukur, me një ose dy shtretër. Ushqimi nuk është i shtrenjtë. Mishi i Korçës shumë i shijshëm, vezë, pula dhe qumësht boll, gjalpi i parfumuar, fruta dhe zarzavate më mirë se kudo gjetkë. Edhe dëfrimet nuk mungojnë. Hyrja në kinema ku luhen po ata filma, që sillen edhe në Tiranë, kushton 2 lekë në lozhë dhe 1 lek në parter”. Kështu shkruante në mes të tjerash për qytetin e Korçës, e përditshmja “Drita”, një nga gazetat e shumta të periudhës së Monarkisë së Zogut, në fillimin e verës së vitit 1938, kur përgatitej të fillonte sezoni turistik i verës dhe ai qytet, popullohej nga vizitorë dhe pushues të shumtë, vendas dhe të huaj. Po cilat ishin resurset e tjera që u ofronte qyteti i Korçës dhe fshatrat e tij turistëve dhe vizitorëve të shumtë, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut dhe me çfarë problemesh përballej ai qytet asokohe? Cili ishte roli dhe puna që bënin asokohe bashkitë, komunat si dhe Enti Kombëtar i Turizmit, për nxitjen dhe zhvillimin sa më të madh të turizmit, në atë qytet me një klime të shkëlqyer? Lidhur me këto dhe të tjera probleme të kësaj natyre, na njohin disa shkrime dhe reportazhe, të cilat Memorie.al i ka shkëputur nga shtypi i Monarkisë së Zogut të vitit 1938.
Te kopshti i Petraq Osmanlliut
Është me të vërtetë një kënaqësi e thellë të kalosh disa orë në kopshtin e Petraq Osmanlliut që ndodhet në rrugën e Mborjes dhe disa hapa më larg nga ndërtesa e re e Liceut Kombëtar. Me rastin e panairit të shesteve, një shumicë e madhe nga populli, që gumëzhinte në rrugët e Mborjes, u ndal në këtë kopsht ose më mirë, në këtë pyll të vogël dhe të sistematizuar. Këtu sheh një ndërtesë të bukur në mes, të mbuluar me degët plot hije të pemëve të shumta dhe plot tryeza dhe karrige të shpërndara në rregull, ndër kënde të bukura të këtij pylli magjik. Vetë korçarët e kanë ngjitur emrin “Paraja” kësaj natyre tërheqëse, që soditet në këtë kopsht. Më shumë se 600 veta gjetën këtu duke u kthyer nga panairi, një vend se ku të ulen dhe pije të ftohta dhe të zgjedhura. Të grumbulluar në hijet e dendura të pemëve të mëdha, paret e ndryshme shijojnë muzikën e orkestrës, thëthijnë erën e pastër dhe të freskët midis një natyre të zbukuruar me lule dhe me ngjyra jeshile që e zotëron kudo këtë park madhështor. Me të tilla lokale, Korça, qytet i madh, është edhe një qendër verimi. Për ata që nuk janë në gjendje të largohen prej qytetit, të tilla parqe janë një shpëtim i vërtetë. Gjejnë një vend ku ta kalojnë kohën e pushimit dhe të forcojnë shëndetin.
Në Drenovë
Në Drenovë, këtë ditë, u shtrua një drekë e pasur nga këshilla (Këshilli i Kishës, shënimi ynë), katedrale për pjesëtarët e korit të Mitropolisë, kor i cili vepron nën drejtimin e palodhur të të prof. Sotir Kozmo. Në këtë drekë muarën pjesë, përveç korit miks, i përbërë prej 60 vetash, djem dhe vajza. Mitrofori i Math, At Vasil Marko dhe këshilla e kishës. Muarën pjesë këtu edhe gjithë nxënësit e Seminarit Orthdoks “Jovan Banka”. Njëkohësisht në fabrikën e alkoolit “Merkur” të z. Llambi Mano, drejtor i shoqërisë në fjalë dhe Kryetar i Odës së Tregtisë, shtroi një drekë të pasur për këshillën e Odës, ku muarën pjesë, përveç këshilltarëve, edhe poeti Asdren. Të Dielën që vjen, shoqëria jashtëshkollore “Rinia Korçare”, dega teatrore, do të bëjë një ekskursion të madh familjar në Bradvicë, ku do të marrin pjesë afro 200 vetë. Këto lëvizje ekskursioniste po shënojnë në Korçë një gjallëri të dalluar.
Shëtitja e madhe turistike e degës teatrale të shoqërisë “Rinia Korçare” në Shën-Kostandin të Bradvicës. Muarrë pjesë 200 djem e vajza.
Një lëvizje e brendshme turistike është duke u ringjallur në qytetin t’onë: ekskursionet turistike nëpër malet dhe vendet turistike të Korçës, janë organizuar shpesh në këto javë. Dhe është mëkat që korçarët, dhe sidomos djalëria, në ditët e pushimit, të mbyllen nëpër kafenetë ose brenda qytetit, kurse këto ditë kanë mundësi që t’i kalojnë në kontakt me natyrën, në ajrin e pastër dhe plot shëndet. Drenova, Boboshtica, Dardha, Voskopopja, Vithkuqi dhe Pogradeci, janë vise të bukura dhe të shëndetshme ku djalëria korçare mund të dëfrehet pa masë. Sidoqoftë lëvizjet turistike të kësaj vere, dhe sidomos ekskursioni i madh i pardjeshëm i organizuar nga dega teatrale e shoq, “Rinia Korçare”, na japin shpresë për nj fillim të vazhdueshëm në zhvillimin e turizmit të brendshëm të qarkut t’onë.
Shëtitja turistike e Degës Theatrale të Shoq. “Rinia Korçare”
Është e para herë që u realizua një shëtitje turistike kaq madhështore prej rinisë Korçare. Zakonisht shëtitjet turistike dhe piknikët organizohen midis shokësh dhe të njohurve; por ekskursioni i pardjeshëm, nuk ish i tillë sepse kish edhe qëllim vëllazërimi midis rinisë: shumica syresh nuk njiheshin aspak midis tyre, por në sajë të këtij ekskursioni u njohën dhe kaluan një ditë të lumtur dhe me këngë e valle në pyllin romantik të Shën-Kostandinit të Bradvicës. Shën-Kostandini i Bradvicës, ndodhet vetëm nja 20 km. larg Korçës, në malet e “Moravës”. Me qenë se në grupin madh prej 200 vetash merrnin pjesë afro 70 Zonja dhe Zonjusha, u vendos që nisja nga Korça të bëhet jo më vonë se ora 2, ditën e Dielë, para mëngjesit me qëllim që udhëtimi të bëhej ngadalë për të mos i lodhur vajzat. Pikërisht në orën e caktuar, të 200 ekskursionistët muarën udhën e Bradvicës; nata ishte shumë e bukur dhe hënë e plotë; nën jehonat e këngëve kombëtare, që tingëllonin të fuqishme në qetësinë e natës, karvanë njerëzore kaloi përmes katundit Mborje dhe hyri në grykën e skërkës. Ndonëse rruga ishte mjaft e përpjetë, djemtë nuk pushonin së kënduari. Me të dalë nga gryk e thatë dhe e zezë, u përshkuan pyjet e dendura të Moravës. Pas dy orësh udhëtimi në vendet piktoreske dhe të veshura me pyje, u arrit në “Çezma e Gjergos”, ku ish i paracaktuar stacioni i parë. Këtu i gjithë grupi u ndal për të ngrënë mëngjesin. Uji i “Çezmës së Gjergos”, vlen sa për gjysëm birre, me qenë se prej këtij uji fabrikohet birra e shijshme e Korçës. Këtu Shoqëria “Birra Korça” ka instaluar një depo të madhe dhe së këtejmi me sulina (tuba, shënimi ynë), e shpije deri në fabrikë. Në lëndinën e çezmës, të rinjtë e grupit u njohën midis tyre. Pas një çlodhje prej gjysëm ore, udhëtimi rifilloi për të prekur majën e Moravës, nja 1.700 m. e lartë; ja Bozdoveci plot pishë; pak më tutje nga perëndimi, Skërkat e thata. Në fund shumë larg të përshëndesin me madhështi malet e Ostrovicës, të mbuluara akoma me dëborë. Nga Juga; “Guri i mprehtë” dhe malet e Dardhës, ja “Guri i Capit”.
Në Shën-Kostandin
Një pyll i dendur me drurë ahu shekullorë, një çezmë me ujë të ftohtë, disa lëndina të bukura dhe kisha, i plotësojnë bukuritë e këtij vendi romantik. Disa shokë, që kishin ardhur që të Shtunë me ushqimet e nevojshme i presion ekskursionistët. Njëzet minuta pushimi në lëndinën e bukur, qe e mjaftueshme për t’u çlodhur nga udhëtimi i katër orëve. Zonjat dhe zonjushat u zunë dorë pas dore duke kënduar, filluan të lozin valle, kurse djemtë nisën lodra të ndryshme. Për gëzimin e të gjithëve një grup sazexhinjsh të paftuar mbërriti pas pak. Vallet kombëtare hiqeshin me krenari nga djemtë dhe me elegancë nga vajzat. Pak më tutje, dy grupe të vogla ja kishin shtruar shqiptarçe. Me këngë, raki dhe birrë. Ora më 11 dreka ish e shtruar nënë hijen e drurëve dhe të gjithë zunë vend. Nga dy kupa uzo-jo për të hapur oreksin, pse asnjëri nuk e ndiente këtë nevojë-por për të uruar njëri tjetrin, u zbrasnë. “Brom, Akim”, të kam gjetur. ”Krainar”, të gjetshin të mirat “uratë” dhe e gjeç nga njerëzia, kështu djemtë thërriteshin me emra e ndryshme të roleve që kishin lojtar në skenë. Dreka nuk vazhdoi shumë pse sazexhinjtë i vazhdonin pa lodhur avazet e kërcimit dhe rinisë i ziente gjaku. Dëfrimi vazhdoi i pareshtur deri më ora 3 pas dite; u dha shenja e nisjes dhe mbas 10 minutash, grupi mori rrugën për në Korçë. (KTONA)
Dardha e Korçës: Vendi më i bukur për verim-Bukuri natyre të pashoqe-Jeta e zhvilluar e Dardhës
Nuk është bërë gjer më sot një propagandë sistematike për viset e bukura të Shqipërisë. I detyrohet mbase këtij shkaku, fakti që natyra tërheqëse dhe plot shëndet e vendit t’onë nuk njihet sa duhet prej shumicës. Qëllimi ynë nuk është që t’u shërbejmë atyre pak familjeve, të cilat mot për mot, shkojnë për verim në anëdet a në mal. Këto, prej provës që kanë bërë, i njohin cilësitë e këtyre viseve. Përveç kësaj do të ishte një shërbim i kufizuar po të ndaleshim vetëm këtu. Mendojmë pra, t’i japim lëvizjes së verimit një lloj popullariteti. T’i njohim vendet t’ona klimaterike sa më shumë dhe dhe të shkaktojmë kështu një lëvizje më të dendur. Lëvizja është shenja e gjallërisë dhe forcimi i kësaj sjell me vete mirëqenien. Po cilat mund të jenë viset më të bukura të verimit? Ja, për shembëll, Dardha e Korçës përmbush të gjitha kushtet që i japin të drejtë kësaj të zërë një vend nderi në vargun e viseve t’ona verimi. Ka dy të mira: natyrë shumë të bukur dhe shoqëri të zhvilluar. Vjet, në këto kohë, një nga redaktorët t’anë që e vizitoi Dardhën, botoi një përshkim të gjatë mbi jetën dhe natyrën e këtij vendi shumë tërheqës klimaterik. Po ribotojmë këtu një pjesë të atij reportazhi.
Duke vajtur në Dardhë
Filloi e përpjeta për në Dardhë. Kalojmë pak kilometra dhe ndjen se një natyrë e shumëllojshme të rrethon. Asgjë nuk është monotone. Udha, që shkon rrëzë maleve të Bigllës, le në të dy anët pamje të bukura. Po bëhen më të bukura kur nis e gjelbëron i tërë vendi. Malet nuk janë të thatë, janë pylle. Ngjyra jeshile, që dominon tani kudo, të shplodh syrin. Vijat e maleve, që diku përfundojnë më ndonjë të pjerur të egër, diku përkulen vetëm, formojnë vijën e horizontit të ngushtë. Nuk është si në fushë këtu, ku vështrimi shtrihet në hapësirë. Në të 17-in kilometrin nga Korça. Pa u mbushur edhe një kilometër duhet të ç’lodhemi në Dardhë. Po pse nuk duket, ku është Dardha? Rruga kalon tani përmes pyllesh. Një pamje piktoreske jashtëzakonisht e bukur zhvillohet para syve kur automobili kthen edhe një bërryl rruge dhe le të duket një pjesë e Dardhës. Koria e Shën Pjetrit, guri i vjeshtës për karshi, kodrat suare në Perëndim dhe kodrinat pranë rrugës së Devollit në Lindje dhe në mes Dardha. Natyra është treguar shumë dorëlëshuar. I ka falur Dardhës klimë të mirë dhe e ka stolisur me ngjyrat më të bukura. Dardharët nuk kanë prishur asgjë nga kjo bukuri, përkundrazi janë kujdesur me kohë ta ruajnë. Po si është krijuar ky nivel jetese në Dardhë? Është i pasur vendi në vet-vete. Jo, vendi asgjë nuk prodhon. Dardharët shkonin në mërgim, themi shkonin se tani askush nuk mund të lëvizë vendit. Dyert e kurbetit u mbyllën. Dardharët duhet të rrojnë në Dardhë. Po ç’të bëjnë këtu? Është për t’u çuditur se si nuk u shpërngul fare populli nga ky vënd! Dikur përmbi 2000 banorë, sot afro 1100 frymë janë të shtrënguar të rrojnë në këtë vend shumë të bukur si pozicion, po të varfër nga pasuria e tokës. T’i shfrytëzojmë pyllet? Do të ishte një krim. Do të shembej, do të humbiste tërë bukuria e Dardhës, tërë vepra e piktores Natyrë që e stolisi me ngjyrat më tërheqëset në këtë vend klimaterik me vlerë të madhe. Dhe tani Dardha çmohet si vend i tillë dhe prandaj, vijnë këtu nga të gjitha vendet e Shqipërisë për ta kaluar stinën e verës. Dardha u bë një vend verimi me rëndësi në qarkun e Korçës. Për këtë kontribuoi natyra dhe Dardharët. Bënë sakrifica, shkrinë mendime jo vetëm dardharët që banojnë sot në këtë katund-qytet, por edhe bijt e Dardhës që ndodhen në Amerikë, Rumani dhe Greqi. Këto kanë qenë kurbetet e Dardharëve. Aje kanë formuar shoqëri, kanë mbajtur të pasur zjarrin e dashurisë për Atdhenë e tyre, kanë ruajtur kombësinë dhe i kanë ndihmuar Shqipërisë dhe Dardhës. I pari klub shqiptar në Amerikë u themelua nga Dardharët më 1909, në E Cabridge, Mass. Sot Shoqëria “Bleta” e Dardharëve të Rumanisë kanë dërguar të holla, me të cilat është ndërtuar shkolla, janë hapur rrugë, janë bërë çezma. Ujët për të pirë, është i bollshëm në Dardhë.
Si e kalojnë kohën ata që verojnë në Dardhë?
Pranë pyllit të Shën Thanasit, në një pozicion të përshtatshëm dhe të bukur, ndodhet hoteli “Tursit-Park”. Kopshti i bukur i këtij lokali mbledh të gjithë sa verojnë në Dardhë. Lark nga fshati në një lartësi 1344 m. (qendra e Dardhës ka lartësinë 1316 m.), “Turist-Park” u fal vizitorëve vendin më të përshtatshëm për të kaluar ditën. Ata që banojnë nëpër shtëpitë dhe hotelin që ndodhet brenda në fshat, e kalojnë pjesën më të madhe të ditës në kopshtin e bukur të “Turist-Park”-ut. Vizitorëve të Dardhës nuk u mungon asgjë. Dardharët e kanë të zhvilluar shumë ndjenjën e hospitalitetit, u ndihmojnë dhe u sjellin lehtësira atyre që vijnë për verim. Si të zhvilluar që janë, e kanë kuptuar se për vendin e tyre turizmi përbën një të ardhur me rëndësi, e vetmja e ardhur që mund të ketë sot Dardha. Aq privatët sa edhe shoqëria “Shpresa” e Dardharëve bëjnë çmos për t’a bërë Dardhën të vizitohet sa më shumë nga shqiptarët dhe nga të huajt. Kjo shoqëri mban në disa të ndara të ndërtesës së shkollës zyrat e saj dhe bibliotekën. Librat e kësaj biblioteke janë botime shqipe të vjetra dhe të reja. Një shumicë e tyre janë prej bibliotekës së klubit të të “Rinjve Dardharë të Amerikës”, me qenë se pas shpërndarjes së këtij klubi, pasuria shkoi në posedim të Shoqërisë “Shpresa” të Dardhës. Qenia e kësaj biblioteke me një rregullim të vogël, mund t’u shërbejë për studime jo vetëm Dardharëve, por edhe vizitorëve që vijnë këtu. Nuk duhet lënë pa u përmendur edhe ujët mineral që ndodhet 10 minuta larg qendrës dhe që përdoret si pas rekomandimeve të mjekëve për sëmundje të stomakut dhe të veshkave. Si përfundim duhet thënë se Dardha qëndron në radhë e parë të vendeve t’ona klimaterike si klimë dhe si shoqëri e zhvilluar./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016