Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të Pjerin Kçirës, nga qyteti i Shkodrës i cili menjëherë pas mbarimit të Luftës, u mobilizua dhe shërbeu si gazetar, korrespodent i gazetës “Zëri i Popullit” dhe më pas hetues e nënoficer i Sigurimit të Shtetit, në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, ku punoi vetëm 13 muaj, deri në vitin 1948, kur u arrestua duke u akuzuar si “kryetar i një grupi antiparti që kishin shpërndarë trakte me përmbajtje kundër pushtetit popullor”. Dënimi fillimisht i Kçirës me 20 vite burg politik, pasi deklaroi në gjyq se armët në Kishën e Françeskanëve, duke u gdhirë data 17 nëntor e vitit 1946, i kishte futur vetë Sigurimi i Shtetit dhe më pas dënimi me vdekje e pushkatimi i tij, pasi kishte dekonspiruar inskenimin e Sigurimit të Shtetit. Dëshmitë e rralla të Padër Leon Kabashit, një prej dëshmitarëve të ngjarjes së “Armëve në Kishë” (e cila konsiderohet si një nga më të bujshmet e historisë së regjimit komunist në luftën ndaj Klerit Katolik) dhe disa prej ish-të dënuarave politik nga qyteti i Shkodrës, të cilët tregojnë se si ish-gazetari, hetuesi dhe nënoficeri i Sigurimit të Shtetit, Pjerin Kçira, i ka shpëtuar ata nga torturat dhe dënimet me vdekje, duke u’a manipuluar procesin hetimor në favor të tyre.
Karakteristika e Pjerin Kçirës: “Nuk asht besnik i punës, ka raste që ka dekonspirua sektorin e punës së vet në Sigurim”
PJERIN KÇIRA, MARSHALL CIVIL
I përmenduri nuk duket të jetë edhe aq besnik i punës, duke dasht me u shitë jashtë, si një njeri që ka një pozitë në Sigurim. Kanë ndodhë raste që ka dekonspiru edhe sektorin e punës së vet, si p.sh., tash së fundi me rastin që ndodhet në pushime verore në Theth Dukagjin, në mes të një rrethit shokësh, shtron bisedën në lidhje me Hetuesinë, se si ka torturua një Prift dhe në sajë të këtij mjeti, e ka bërë me kapitullue.
Si asht në korrent në lidhje me veprimtarinë e Riza Danit, personifikon punë të mëdhaja të Sigurimit, në forma të ekzagjerueme e tjera. Kjo e metë për me u shitë i madh e për këtë gjë detyrohet me dekonspirue, i është bërë si pekt. Për dekonspirimin dhe dëmin që sjellë, kjo e metë i është vënë në dukje qysh në çastin e parë që i përmenduri erdhi në Sigurim, ku edhe prej kësaj kohe e tutje, asht këshillue në këtë drejtim.
Nuk është edhe aq i sinqertë e kjo rrjedh siç u tha më sipër, nga se i pëlqen me u dukë mbi të tjerët, aq sa aty këtu ndër shokët e Sigurimit, ka fitue një antipati.
Ky asht hetues pranë Seksionit Sigurimit Shtetit në Qark. Sa për sektorin që ky ka sot duke qenë si i ri, akoma nuk e zotëron sa duhet, por që ka perspektiva që shpejt të zhvillohet në këtë drejtim. Duke qenë i ri, siç u përmend në këtë punë, nuk ka arrirë akoma të fitojnë një pjekuri të duhur, sa me u ngjitë më lart. Nga ana tjetër, ai pengesë kryesore, ka të metat që theksuam ma sipër, pos këtyre është edhe shumë feminist.
Është element i zgjuar dhe deri diku është i lidhur me punën.
Përsa i përket pakënaqësive, vetëm një gjë është vërejtje në të, në lidhje me gradën, i cili asht shprehë vetë, se si kur t’i vijë grada N/Oficer, nuk do veshet fare e në lidhje me këtë, kur shkoi nder ditët e para nëpër burgje, për me u bërë pyetje të burgosurve, rojeve të burgut i paraqitej Oficer me gradën N/Toger. Neve besojmë se ka për t’u prekë tash që të kthehet nga pushimi, kur neve kemi me ja komunikue gradën, si Marshall civil.
I përmenduri nuk është shfaqë as ndonjë herë në se i pëlqen a jo, puna në Sigurim, por që nga puna e tij e përditshme, konstatohet se e don këtë punë.
Përsa i përket qëndrimit të familjes së tij gjatë okupacionit, nuk asht kompromentuar që të ketë pasë ndonjë bashkëpunim me zaptuesit, por siç dimë, kjo ka mbajt një qëndrim indiferent, kurse mbas çlirimit, lidhet ngushtë me Pushtetin.
Përsa i përket gjendjes ekonomike, nuk e ka aspak të mirë dhe nuk ka të ardhura të tjera përveç rrogës që posedon.
Duke u mbështetur mbi sa u tha më sipër, i përmenduri mund të bënte shumë i vlefshëm për Sigurimin, sikur t’i zhduken të metat, që u përmendën ma sipër, gjë që ka probabilitet me ju dalë një gjëje të tillë, mbasi është i ri nga mosha.
PJERIN KÇIRA, Hetues ne Seksion Shkodër
Lindur në Shkodër me 1926, nga një familje e ulët punëtore me profesion nën punës. Ka simpatizue Lëvizjen Nacional Çlirimtare, qysh në fillim dhe është hedhë në aktivitet duke bërë agjitacion dhe shpërndarë trakte etj. Ka mbajt qëndrim të mirë mbas çlirimit dhe deri tash.
Politikën e Partisë e kupton, ka dashur për Partinë dhe sakrifikon për të. Është element i zgjuar dhe kupton shpejt. Ka eksperiencë në administratë të Pushtetit. Është bërë Anëtar Partie në vitin 1946 në Shkodër.
Sekretet e Partisë dhe të Pushtetit i mban mirë, me përgjegjëset dhe inferioret ka sjellë të mira, por i mungon autoriteti si A.P. Ka cilësira për të ecë përpara, por don dhe përkrahje, se është dhe i ri (i mungon pjekuria). Ka kryer 4 klasa Gjimnaz në shkollën Françeskane.
Zoi Themeli
d.v.
Komunikata me përmbajtje antikomuniste e Pjerin Kçirës dhe grupit të tij
Vdekje e Fashizmi Liri Popullit
K O M U N I K A T E
Marksizmi është një bazë teorike e botë. Lenini me mënyrat e tij të hodhi në teorinë e Marksit në mënyrën e aplikimit të veprave të Marksizmit, jo në kondita të veçanta pune, por që i ka rrënjët e tija në gjithë zhvillimin internacional.
Prandaj kemi mbështetje, dimë të orientohemi.
Shokë komunistë, Popull i Shkodrës.
Vetëm teoria na mëson si të orientohemi, na tregon… vigjilent që kurdoherë jemi, po shohim shtrembërime teorike, politike dhe ekonomike në këtë Shqipëri të vogël, ndaj këtij popull të uritur.
Disa koka të Internacionales së XX Komuniste, principialisht kanë vendosur atë që një popull që ëndërron të drejtën për….d.m.th. të drejtën e popujve të shtypur, për të patur…kulturale, duke lënë të gjithë pushtetin politik në duart e një pakice ndonjëherë.
E tilla gjë ngjet për Popullin Shqiptar nga nacionalistët jugosllav, për mos udhëheqjen e mirë nga ana e Komitetit Central të Partisë Komuniste Shqiptare, por këta nuk ishin shtyrë nga teoria Marksiste, por kopjuan teorinë me vepra nacionaliste të Jugosllavëve, të cilët janë devijatorë të teorisë Marksiste-Leniniste.
Paturpësisht, anëtarët e Komitetit Central të Partisë Komuniste…Pak flasin për politikën e tyre, deri tani me këtë Parti…dhe bazohen në …. e diktaturës së proletariatit….!
Përpara anëtarëve të Partisë Komuniste Shqiptare, shtojmë se Jugosllavia…! Tash pyesim si ngjet kjo, gjithë këto gabime nuk po i shohim? Thonë se peshku qelbet nga kryet, faktet flasin kështu.
Reaksioni i Komitetit Central të Partisë Komuniste Shqiptare, në mbledhjen e Plenumit të VII-të i studioj shtrembërimet e vijës së Partisë. Po për drejtimin e gabuar që kishin marrë disa shokë kundrejt marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe këtë gjë e dënojë rreptë.
Komiteti nuk pru…informacione nga Konsulta e 9 Partive, që i nxori të palarat Komitetit Central të Partisë Komuniste Jugosllave, për fjalët e Komitetit Central të Partisë Komuniste Shqiptare, duke e trashë veten e tyre për shtrembërime, të kujtoj me relacionin dhe ta ndal vrapin kundrejt Titos., kundrejt atyre që veç frika i duket se me vdekjen e…!
Por edhe brenda Komitetit të Partisë së Qytetit dhe të rrethit, në mes anëtarëve të tyre ka divergjenca dhe inate e ndërmjet tyre lozin shumë dallavere.
Partia organizativisht nuk asht ajo e para disa muajve dhe vjetëve, nuk ka kontroll, brenda mban element të degjeneruar, mjeran të tarafit që nuk lejohen.
Të vërejmë me vëmendje, të përcjellim format, të studiojmë teorinë e Marksit për të ecur në rrugën tonë…e mos me ra në greminën e udhëheqësve nacionalistë.
Neve, anëtarëve të Partisë që na dhimbset gjaku i derdhur…lufta dhe fitoret, do të jemi të pamëshirshëm kundër deviatorëve të tipit Tito me shokë.
(Shënim: Kjo është vetëm një pjesë e traktit dhe pjesa tjetër nuk lexohet e nuk kuptohet, pasi dokumenti është shumë i vjetër)
Dëshmia e Padër Leon Kabashit: “Pjerin Kçira, asht një hero, ai dha jetën për të nxjerrë në dritë të vërtetën që i shërben edhe Klerit Katolik”
Fakte rreth një të vërtete
Dihet, sidomos në Shkodër, është bërë një luftë e madhe kundër Klerit Katolik. Arrestime, dënime, burgime e internime, ka pas qysh në vitin 1944 -‘45, por si veprim me stil të gjerë dallohet viti 1946. Në këtë vit në Kishën Françeskane të qytetit tonë, ngjau krimi ma i madh i Sigurimit të Shtetit, kundër Klerit Katolik: futja e armëve në kishë dhe pastaj kontrolli i saj, dhe në fund arrestimi e dënimi i fretërve. U gjetën gjoja, shumë fakte që vërtetojshin fajësinë e tyre.
Më kujtohet një fotografi e Padër Çiprian Nikaj, me pushkë në dorë. Unë e di shumë mirë se e kut është ajo pushkë. Unë mbajshe çelësin e Muzeut të Kishës dhe ndër të tjera orendi, ishte dhe pushka e Dedë Gjon Lulit. Unë, po punojshe diçka të Kuvendit, kur po vinë, Çesk Kabashi, bashkë me dy të tjerë, më kërkojnë dhe më marrin çelësin, duke më thënë se nuk më përkiste më mua dhe kështu çelësi i Muzeumit Françeskan, ra në dorë të Sigurimit të Shtetit, i cili përfitoj nga rasti dhe, pushkën e Dedë Gjon Lulit i’a dha në dorë Padër Çiprian Nikës, me qëllimin diabolik, për t’a fotografue me armë në dorë.
Të parët që pësuan pasojat e egra të Sigurimit të Shtetit, qenë Padër Mati Prenushi dhe Çiprian Nikaj. Ata asnjëherë nuk ishin marrë me politikë, por me qenë se ishin drejtuesit e Kuvendit dhe ne si priftërinj, kemi pasur kulturën dhe edukimin e rinisë edhe për këtë, ata donin të na fajësonin më shumë. Ne si priftërinj shiheshim se diçka do të ndodhte, madje edhe disa figura, për t’i ruajt, i kemi shpërnda edhe nëpër shtëpia për të mos ra në duart e tyre.
Synimi i tyre ishte shkatërrimi dhe demaskimi i Kishës, por këtë, në atë kohë nuk e ka bërë direkt, por na kanë sulmue ne si persona, si individë. Por deshti zoti e vërteta mbi “armët në kishë”, doli qysh në vitin 1949, kur një ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit, hetues, i cili i dënuar në gjyq për fajet kundër partisë e pushtetit, si kryetar grupi dhe si përpilues traktesh, me 20 vjet burg, dënim të cilin nuk e pranon dhe ngrihet para trupit gjykues e para popullit dhe deklaron, se: armët në Kishën Françeskane nuk ishin të fretërve, por ishin armë të futura nga Sigurimi i Shtetit, për të fajsue totalisht Klerin Katolik dhe për këtë, dënimi nga 20 vjet, i’u kthye në vdekje dhe u pushkatue.
Shumë fjalë, poshtë e nalt janë bërë për këtë deklaratë të Pjerin Kçirës, të cilën unë e kam ndie me veshtë e mi. Ndoshta ndonjë për qëllime të veta edhe ja kanë ngjeshë Pjerinit këtë gjë, por unë them se sot, ka ardhë koha që e vërteta të dalë ashtu siç është. Unë jam dëshmitar i kësaj ngjarje. Sipas disa të dhanunave që unë kam marr, nga disa shokë të mi të besuar, urdhri për futjen e armëve në Kishë, ka ardhë direkt nga Tirana, disa herë sepse nuk asht zbatue menjëherë nga Dega e Brendshme e Shkodrës.
Siç e thashë ma parë, ne ishim të përgatitur për diçka se do të ndodhë, por faktikisht nuk e dinim. Për këtë, Padër Aleks Baqli, kishte disa net që ruante kishën. Në këtë periudhë u shtetëzua gjimnazi i fretërve. Punonjësit e Sigurimit, janë fut nga dera e gjimnazit, duke trokitur në dritaren e xhakonit, Ndoc Vasili, me një kallam në majën e të cilit ishte një letër. Xhakoni merr letrën ku ishte shkruar “dil e na hap derën”. Mbasi hapet dera, punonjësit e Sigurimit të Shtetit, bisedojnë me xhakonin, duke i thënë se: “këta kanë mbarue, prandaj ti bëju me ne. Ne do të japim ty edhe bursë për jashtë shtetit”.
Të gjitha këto janë fjalët e Ndoc Vasilit, që m’i ka thanë më vonë, kur jam takue me të. Mbasi Ndoc Vasili ka hap derën e Kishës, punonjësit Sigurimit të Shtetit, Elez Mesi, Mynyr Kurti dhe Ismail Lula, futën armët në kishë. Padër Aleks Baqli, i cili ishte i fshehur në sakristi, ka pa njerëz duke lëvizë nëpër kishë atë natë. Të nesërmen, doli fjala se u gjetën armët në Kishën e Fretërve. Kjo asht e vërteta që mbeti në errësirë deri në kohën e demokracisë.
Unë Padër Leoni, i kam ditë këto fakte por nuk kam mund me folë, për të mos kompliku çështjet, që do të rëndonin ma tepër në Klerin Katolik. Përsa i përket Pjerin Kçirës, unë e kam thanë dhe e them, se: ai dha jetën e tij duke nxjerrë në dritë të vërtetën e armëve dhe duke demaskue punën e Sigurimit të Shtetit.
Me aktin e tij, ai bëri njëherësh shërbim nacionalizmit dhe fesë. Në qoftë se këtij akti nuk duam me i dhanë ngjyra fetare, ky njeri asht një hero, që bëri një heroizëm të madh për kombin. Ndërsa, duke u nisur nga ana fetare, Pjerin Kçira, është një martir i së vërtetës, sepse dha jetën për një të vërtetë që i shërben aq shumë klerit katolik, para popullit dhe botës.
Padër Leon Kabashi
Dt.4.III.1995
Dëshmia: “Pjerin Kçira njoftoi vëllanë tim, Lecin, se do e arrestonin dhe ai u arratis e shkoi në Kanada”
D E K L A R A T E
Unë e nënshkruara Gjyljana Vasija, deklaroj:
Se në vitin 1990, jam takuar me vëllanë tim, Lec Vasija, në Kanada, i arratisur jashtë shtetit që në vitin 1948 dhe në mes të tjerash, informata që morra rreth arratisjes së tij dhe të tjera që nuk i dinim, më deklaroi si vijon:
Arratisja ime u bë për arsye se morra njoftimin prej Pjerin Kçirës, i cili më tha: Lec, deri këtu jam përpjekë për ta shtyrë, për të mos me të arrestue, por tash nuk kam se ça me të bë ma, bëji derman vetes
Me këtë njoftim të Pjerin Kçirës, vendosa të arratisesha pa i njoftue as njeriut, lajmin e marrë prej Pjerin Kçirës.
DEKLARUESI
Gjyljana Vasija
Dëshmia: “Kur Pjerini deklaroi në gjyq, se armët në Kishë i futi Sigurimi, u ndërpre seanca dhe popullin e nxorën jashtë”
D E K L A R A T E
Unë Gjovalin Mazreku, pjesëtar i “grupit antiparti”, i vetmi i mbetur gjallë, deklaroj sa më poshtë vijon:
Unë jam një anëtar i “grupit antiparti” të formuar në vitin 1948 dhe të drejtuar nga Pjerin Kçira. Jam dëshmitar i vuajtjeve dhe ngjarjes, e zhvillimit të gjyqit.
Shkaku i arrestimit tonë është veprimtaria antiparti dhe antipushtet e jona, si dhe përpilimi e shpërndarja e një trakti. Për këtë pas 11 muajve tortura, dolëm në gjyq dhe u dënuam me ma i pakti ,me 10 vjet dhe ma i shumti 20 vjet, që ishte Pjerin Kçira, kryetar i grupit.
Na kishim ma vonë të drejtën e fjalës dhe kur i erdhi radha Pjerinit me folë, pas disa minutash, i hoqën të drejtën e fjalës. Ai si ishte në këmbë, pshtyu trupin gjykues dhe u shpreh: “Mos mendoni me ma mbyllë gojën e me ma bë si ja kemi bërë priftërinjve, që ja kemi fut armët në kishë, e me tortura i kemi bërë me pranu se janë të tynet”.
Pas këtij deponimi, gjyqi u mbyll, populli u nxor jashtë dhe seanca tjetër e gjyqit, u bë me dyer të mbyllura, në të cilën Pjerin Kçira u dënue me vdekje, me pushkatim.
Atëhere lind pyetja Ku e dinte Pjerin Kçira që armët në kishë i kishte fut Sigurimi i Shtetit?
Gjithkush ka të drejtë me e bë këtë pyetje, së cilës unë do t’i përgjigjem.
Ky akt u krye në vitin 1946. Një ditë të bukur, Kisha Françeskane është e rrethueme dhe në kontroll të saj, gjenden armë. Pjerin Kçira, që në atë kohë punonte si korrespodent i “Zëri i Popullit”, dërgohet të shkruaj një artikull mbi këtë ngjarje, të cilën ai nuk pranoi ta shkruaj. Pse? Sepse me sytë e vet vërtetoi se armët ishin të bojatisura, e nuk kishin pamjen e armëve të futura në altar.
Në vitin 1947 Pjerin Kçirën e emërojnë në punë në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Emërohet me 1 maj dhe në fillim nuk pranon, mandej më 1 qershor, fillon punë dhe vazhdon për 13 muaj, deri më ditën që arrestohet. Gjatë këtyre 13 muajve, aty brenda ne mësuam në mes të tjerave se personat që kishin futur armët në kishë, ishin:
Kapterr, Elez Mesi
Rreshter, Mynyr Kurti
Tetar, Ismail Lulo
Këta të urdhëruar nga Zoji Themeli, natën, të veshur me pelerina, fusin armët në kishë.
Të nesërmen Dul Rrjolli dhe Dulaç Lekiçi me të tjerë, gjejnë pas lterit “armët e priftërinjve françeskanë”. Kjo është e vërteta mbi këtë ngjarje. Për traktin dhe veprimtarinë antiparti e antipushtet, Pjerin Kçira u dënue me 20 vjet burgim. Pas deklaratës mbi armët në kishë, ai u dënua me vdekje me pushkatim./Memorie.al
Deklaruesi
Gjovalin Mazreku
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016