Nga Dash Frashëri
Memorie.al / “Piktori i Merituar”, Shaban Hysa konsiderohet si një nga emrat më të rëndësishëm në skenografinë dhe pikturën shqiptare. Shaban Hysa u lind, më 30 shtator të vitit 1938, në Tiranë. Ndërroi jetë më 28 gusht të vitit 2005, në moshën 67-vjeçare. Një rrugë në kryeqytet mban emrin “Shaban Hysa” “Shaba” kreu studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja, në Tiranë, në degën e pikturës ne harkun kohor 1953-1957. Nga 1957 deri në vitin 1961, kreu studimet e larta ne Akademinë e Arteve të Bukura të Varshavës – Poloni, në degën e pikturës dhe specialitet skenografi-grafikë. Po, në këtë akademi studioi edhe piktori i njohur shkodran, Danish Jukniu.
Mbron diplomën me skenografinë e dramës “Mbi gërmadha” të Fadil Paçramit në Teatrin Popullor, ku edhe filloi punën si skenograf, arkitekt skene dhe kostumograf. Në shtator 1963, ai shkoi si skenograf ne Teatrin e Operës dhe Baletit deri më 1970. Në vitin 1970, emërohet pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ku ngriti për herë të parë në Shqipëri Atelienë e Skenografisë, të cilën e drejtoi deri në vitin 1979.
Ka punuar për një kohe në Lidhjen e Shkrimtareve si drejtues i komisionit te arteve te aplikuara dhe në vitin 1979, u rikthye në Teatrin Popullor. Piktori Shaban Hysa ka projektuar skenografi dhe kostume për thuajse të gjitha Teatrot profesionistë në Shqipëri, Teatrin Kombëtar, Teatrin e Operës, koncerte qeveritare, Koncertet e Majit, Festivalet e Këngës në RTSH dhe për skena në vende të ndryshme jashtë vendit.
Shaban Hysa është skenografi i Festivalit të Parë të Këngës në Radio, në vitin 1962 (21-23 dhe 26 dhjetor), të cilin e prezantuan Margarita Xhepa dhe Luigj Gurakuqi, por edhe disa të tjerëve. Hapësira kohore e veprimtarisë se tij shtrihet 40 vjet: në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, me me tepër se 250 realizime në skenografi dhe 600 të tilla ne kostumografi.
Ai punoi mbi 250 skenografi në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin e Operës dhe Baletit, ku veçohen pjesët: “Furrnalta”, “Epoka para Gjyqit“, “Monserati”, “Romeo dhe Zhulieta”, “Prometeu”, “Shkallët”, “Valsi i Titanikut”, “Vdekja e Dantonit”, “Rikardi III”, “Besa”, “Oportunesku”, “Tiranozauri”, “Gjethja”, “Streha e të harruarve”, “Halili dhe Hajrija” etj.
Shfaqjet dhe skenografitë në ditarin e Shaban Hysës
“Pas skenografëve të improvizuar të viteve ’50-të, si Vangjush Mio, Rrok Daberdaku e Ismail Hidri, vitet ’60-të kishin sjellë skenografët e parë profesionistë, si Shaban Hysa, Agim Zajmi, apo Hysen Devolli. Në vitet ’70-të, krijimtaria e këtyre artistëve kishte arritur kulmin, ndërsa kritika e kohës në vitet që do të pasonin, do të veçonte skenografi funksionale si ajo e Shaban Hysës në veprat “Shoqja nga fshati”, apo “Furrnalta”, atë piktorike të Agim Zajmit në veprat “Lumi i vdekur” e “Besa e madhe”, ku zgjidhjet volume-trike e funksionale të mizanskenave, përshtaten me veprën sipas kërkesës të kohës”, shkruan Dr. Ermir Hoxha në librin e tij studimor, “Arti në Shqipëri në vitet 1945-2000
Aktiviteti krijues i tij shtrihet në të gjitha gjinitë e skenografisë dhe pikturës, si pjesëmarrës në aktivitete teatrore, por edhe në ekspozita kombëtare, ku është nderuar me mjaft çmime.
OPERA DHE OPERETA
Opereta “Princesha e Çardashit”, premiera së cilës u shfaq më 2 korrik 1964. Kompozitor: Imre Kȧlmȧn. Libreti: Leo Stein & Bela Jenbach. Dirigjent: Rifat Teqja. Regjisor: Luigj Gurakuqi. Skenograf: Shaban Hysa. Mjeshtër kori: Kostandin Trako. Koreograf: Skënder Selimi. Në shtator të vitit 1964, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore shfaqi operetën “Vjeshtë e artë” të kompozitorit Tish Daija. Një operetë e realizuar me libret të Aleksandër Banushit, regji të Luigj Gurakuqit. Dirigjimi i shfaqjes iu besua mjeshtrit Milto Vako, koreografia Gëzim Kacelit dhe skenografia piktorit Shaban Hysa.
Opera “Rigoletto” u shfaq më 21 mars 1965. Kompozitor: Giuseppe Verdi, Libreti: Francesco Maria Piave, dirigjent: Mustafa Krantja, regjisor: Luigj Gurakuqi, skenograf: Shaban Hysa, mjeshtër kori: Kostandin Trako, koreograf: Agron Aliaj.
Opera “Dasma e Figaros” u shfaq më 26 shkurt 1966. Kompozitor: W.A Mozart, libreti: Lorenzo da Ponte, dirigjent: Rifat Teqja, regjisor: Jorgjia Truja, skenograf: Shaban Hysa, mjeshtër kori: Kostandin Trako.
Në 17 janar 1968, kompozitori Prenkë Jakova, libretisti Llazar Siliqi, dirigjenti Mustafa Krantja, regjisori Pirro Mani dhe piktori Shaban Hysa, vunë në skenë operën ”Skënderbeu”, e cila mbetet vepra e parë historike e plotë në muzikën shqiptare, që tregon një afresk të madh, të një epoke të lavdishme në historinë tonë kombëtare. Interpretuesit e parë në rolin e Gjergj Kastriotit kanë qenë Gjoni Athanas e Ibrahim Tukiçi, në rolin e Mamicës, Luzia Papa e Tefta Çavo dhe në rolin e Donikës Nina Mula dhe Irena Gjergjo.
Opera “La Boheme” u vu në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e Ansamblit Popullor, në muajin nëntor 2016. Nën dirigjimin e maestros Salvatore Percacciolo, regjisor Andrea de Manincor, skenografia dhe kostumet nga Shaban Hysa dhe interpretimin në rolet kryesore Eva Golemi, Jenish Ysmanov, Enkelejda Kamani, etj.
BALETE
Këto foto i përkasin baletit “Delina. Ishte 17 maj i vitit 1964, kur kompozitori Çesk Zadeja, mjeshtri Panajot Kanaçi, dirigjenti Rifat Teqja dhe piktori Shaban Hysa vunë në skenë baletin e dytë shqiptar “Delina”. Baleti për fëmijë “Petja dhe Ujku”, premiera e tij u realizua më 30 dhjetor 1964. Kompozitor: Sergei Prokofiev. Dirigjent: Mustafa Krantja. Baletmaester: Skënder Selimi. Skenograf: Shaban Hysa. Regjisore: Jorgjia Truja.
Drama “Halili dhe Hajria” është shkruar në vitin 1949 nga Kolë Jakova. Ajo pasqyron trimërinë e luftëtarëve të Malësisë së Madhe në ndeshje me pushtuesit turq, në shekullin XVIII. Baleti shqiptar “Fatosi partizan”, u shfaq më 27 tetor 1967. Kompozitor: Kozma Lara, libreti: Panajot Kanaçi, dirigjent: Rifat Teqja. Vënë në skenë nga: Panajot Kanaçi, Agron Aliaj Zoica Haxho. Piktor: Shaban Hysa. Më 14 dhjetor 1988 u shfaq premiera e baletit “Zhizel”. Muzika: Adolphe Adam. Libreti: Jules-Henri Vernoy de Saint-Georges, Théophile Gautier. Vënë në skenë nga baletmaestër: Agron Aliaj. Skenografia dhe kostumet: Shaban Hysa. Dirigjent: Rifat Teqja.
TEATRI KOMBËTAR
Shaban Hysa ka realizuar skenografinë e shume shfaqjeve teatrale. I respektuar gjithmonë nga aktorët dhe regjisorët me të cilët ka punuar. “Epoka para gjyqit”, vepër e Ekrem Kryeziut, regji të Piro Manit dhe skenografi të Shaban Hysës, është vënë në skenë, më 14 dhjetor 1980.
Në 1982, Teatri Popullor ngjiti në skenë dramën “Udha e flamurit”, kushtuar shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912. Autorë: Ruzhdi Pulaha dhe Mirosh Markaj, regjia: Pirro Mani, skenografia: Shaban Hysa, muzika: Sokol Shupo, interpretim: Edmond Budina (në rolin e Ismail Qemalit), Ahmet Pasha, Zef Bushati, Gjon Karma, Violeta Manushi, etj. Shfaqja “Prometeu”, e shkruar nga Viktor Eftimiu, u vu në skenë në vitin 1984. Regjisorë ishin Piro Mani dhe Fatos Haxhiraj, Skenograf & Kostumograf Shaban Hysa. Kryevepra e Shekspirit, “Romeo dhe Zhulieta”, u vu në skenë me regji të Dhimitër Pecanit, më 12 shtator 1987. Skenografia iu besua Shaban Hysës.
Shaban Hysa është gjithashtu, një piktor shumë i mire dhe me punë shumë të vlerësuara. Një nga kompozimet më të njohura të Hysës është “Besëlidhja”, “Më tej”, 1969, “Kur lindi Partia”, 1974, “Traktet”, 1976, etj. / Memorie.al

















