Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, që bën fjalë për diskutimin e Enver Hoxhës, të mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, më 6 shtator të vitit 1966, ku u diskutua dhe u vendos suprimimi i Ministrisë së Drejtësisë, e cila ishte krijuar që nga fundi i vitit 1944, me ardhjen e komunistëve në pushtet. Po çfarë thuhet më tej në raportin e mbajtur nga Enver Hoxha lidhur me atë problem, cilët ishin avokatët që ai përmendi si shembull më i keq dhe si e argumentoi ai suprimimin e Ministrisë së Drejtësisë?!
“Kë mbron avokati te ne? Në esencë te ne parashikohet që drejtësia popullore të mbrojë fill e për pe, interesat e popullit, pa harruar edhe interesat e atij që gjykohet. Kur është kështu, përse të lëmë ne avokatë të tillë si Suad Asllani ose Koço Dilo që, në kundërshtim me provat, me ligjin, me interesat e Partisë e të popullit thërresin në gjyq që hajduti është “i ndershëm”, që vrasësi është pafajshëm”!? Ç’i duhen drejtësisë njerëz të tillë? Në Perëndim është ndryshe, avokati atje mbron njerëz, që politikisht dhe ekonomikisht janë të shtypur nga pushteti borgjez. Kushdo e di se Partia çështjet, bile probleme shumë më të rëndësishme e delikate, i zgjidh pa avokat. Atëherë, gjersa në gjykatat tona kemi organizatë dhe njerëz të Partisë, të vendosur e të ndërgjegjshëm, të drejtë dhe objektivë për të zbatuar drejtësinë popullore, përse është e domosdoshme të kemi avokatë? Këta të fundit një kriminel, për shembull, edhe kur faji i tij është i provuar katërcipërisht, përpiqen ta nxjerrin të pafajshëm. Pra nuk veprojnë drejt. Kur është rasti për të marrë parasysh rrethanat lehtësuese në një vepër të kryer, ose kur provat nuk janë të mjaftueshme për të provuar fajësinë, këtë gjë e bën vetë gjykata jonë popullore, njerëzit tanë të drejtësisë, të cilët, duke e gjykuar çështjen me frymë partie dhe me ndërgjegje të pastër, mund të vendosin t’i jepet një dënim më i lehtë një njeriu ose ta deklarojnë të pafajshëm atë kur provat nuk janë bindëse. Atëherë përse të dëgjojmë në gjykatat tona zërin e avokatëve, midis të cilëve edhe ata që përmenda”? Kështu u shpreh ndërmjet të tjerash Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, të mbajtur më 6 shtator të vitit 1966, kur ai kishte vendosur, që të mbyllte dhe suprimonte Ministrinë e Drejtësisë, e cila ishte krijuar që nga fundi i vitit 1944, kur komunistët sapo kishin ardhur në fuqi. Po çfarë thuhet më tej në raportin e mbajtur nga Enver Hoxha lidhur me atë problem, cilët ishin avokatët që ai përmendi si shembull më i keq dhe si e argumentoi ai suprimimin e Ministrisë së Drejtësisë. Lidhur me këtë bën fjalë ky dokument arkivor që Memorie.al po publikon .
Diskutim i Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH
VEPRIMTARIA E GJYKATAVE TONA VARET NGA PARTIA DHE POPULLI
6 shtator 1966
Ne po diskutojmë sot çështjen nëse duhet të ekzistojë më Ministria e Drejtësisë. Si një vend socialist në dinamizëm, në bazë të parimeve të marksizëm-leninizmit dhe të eksperiencës që kemi fituar, për Ministrinë e Drejtësisë ne sot kemi arritur në disa konkluzione që i konsiderojmë të drejta, në bazë të të cilave do të duhet të marrim masa përkatëse. Duke u nisur nga kompetencat që ka kjo ministri dhe nga detyrat që kryen në rendin tone socialist, ne gjykojmë nëse duhet ta mbajmë më këtë dikaster apo jo. Dhe nëse duhet suprimuar apo duhet mbajtur, kjo duhet argumentuar mirë. Në qoftë se vendosim të suprimohet ky dikaster, kjo nuk do të thotë se ne hedhim poshtë të kaluarën, domethënë anën pozitive të tij.
Kushtetutën dhe dhënien e drejtësisë në vendin tonë i kemi të vendosura mbi parime të drejta. Në rast se pranohet që Gjykata e Lartë mund të marrë vendime, po për aktivitetin e saj gjyqësor nuk ndërhyn dot askush tjetër, sepse vetëm Ministria e Drejtësisë mund ta udhëheqka drejtësinë, atëherë del se kjo ministri, që është një pjesë përbërëse e Qeverisë, duhet të ketë kompetenca në këtë drejtim. Një shtruarje e tillë e problemit mendoj se atakon legjislacionin tonë, atakon ligjet deri edhe parimet e Kushtetutës. Ministria e Drejtësisë, gjatë kohës së ekzistencës së vet, natyrisht, ka luajtur rolin e saj pozitiv dhe kjo jo pse në krye të saj ka qenë njëri ose tjetri, por sepse organet e drejtësisë sonë popullore kanë zbatuar vijën e drejtë të Partisë dhe aspiratat e popullit, që janë sintetizuar dhe e përbëjnë atë, sepse, si çdo sektor të veprimtarisë shtetërore, edhe organet e drejtësisë kurdoherë i ka udhëhequr Partia.
Ministria e Drejtësisë ka pasur të drejtë të bënte kontrolle e të nxirrte edhe konkluzione për veprimtarinë e gjykatave kur shikonte se kjo ose ajo punë nuk ecte. Në një rast të tillë ajo e kishte për detyrë t’i sugjeronte kryetarit të Gjykatës së Lartë me fakte, se ligji në këtë apo në atë rast, në këtë apo në atë vendim që ka marrë gjykata nuk është zbatuar drejt. Por përsëri vetëm kryetari i Gjykatës së Lartë do të vendoste nëse duhej prishur ose duhej lënë në fuqi vendimi që atakonte ministria. Sipas udhëzimeve të Komitetit Qendror të Partisë, të gjitha dyert kanë qenë dhe janë të hapëta për çdo njeri apo organizëm shtetëror e shoqëror që të shkojë në Parti të ankohet, të ngrejë probleme, të japë mendime për punën e kuadrove dhe të institucioneve të ndryshme.
Këtë të drejtë e ka pasur edhe Ministria e Drejtësisë për gjykatat dhe puna e saj ka dhënë rezultate pozitive për një kohë. Pra, jo vetëm Ministria e Drejtësisë, po edhe çdo organ tjetër shtetëror, Partia dhe Qeveria e këshillojnë të shikojë me vëmendje si është zbatuar ky ose ai ligj, përse është dëmtuar pasuria socialiste, për shembull, në Sharrat e Pukës, si kanë qëndruar gjykatat ndaj këtij rasti etj., etj. Në rast se mendohet që po u suprimua Ministria e Drejtësisë na u dobësoka diktatura e proletariatit, kjo do të thotë se nuk kuptohet cilat janë funksionet e njërit dhe të tjetrit organ në sistemin e diktaturës së proletariatit.
Ministria e Drejtësisë nuk është shtabi i diktaturës së proletariatit. Ky shtab përbëhet nga Partia, nga Kongresi dhe nga Komiteti Qendror i saj. Këto u kanë dhënë direktiva Byrosë Politike, Qeverisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Gjykatës së Lartë, Ministrisë së Drejtësisë etj., që të veprojnë në bazë të tyre. Pra, koka udhëheqëse e diktaturës së proletariatit te ne është Kongresi i Partisë dhe Komiteti Qendror i zgjedhur prej tij, prandaj nuk ka përse të dobësohet asnjë hallkë e kësaj diktature në qoftë se suprimojmë një organ të administratës shtetërore siç është Ministria e Drejtësisë. Të mendosh se gjykatat në bazë dhe Gjykata e Lartë qenkan të pavarura nga kurrkush dhe të thuash, nga ana tjetër, që ato duhet të jenë të varura nga Ministria e Drejtësisë, kjo do të thotë të mohosh drejtimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor mbi Gjykatën e Lartë dhe, ca më keq, të mohosh rolin e Partisë për të orientuar korrigjimin e vendimeve që merr gjykata, kur ato nuk janë të drejta, të mohosh, pra, rolin e Partisë dhe të Presidiumit të Kuvendit Popullor për drejtimin e sektorit të drejtësisë.
Si duhet t’i kuptojmë kompetencat e Byrosë Politike, të Presidiumit dhe të Kuvendit Popullor? Në rast se Byroja Politike do të merrte, për shembull, një raport në lidhje me gabime në veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, ajo do të kërkonte që çështja të shtrohet në rrugë shtetërore, mbasi kemi shtet dhe bazohemi në ligje. Prandaj, në një rast të tillë, Byroja Politike, pasi shqyrton çështjen, ngarkon ata anëtarë të saj, të cilët janë njëkohësisht edhe anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, që, kur të venë në mbledhje të Presidiumit, mbasi të kenë folur më parë për vendimin e Byrosë Politike me kryetarin e Presidiumit, që është edhe ai anëtar i Komitetit Qendror, në emër të Byrosë, ta shtrojnë çështjen në Presidium, ku merret vendimi përkatës për punën e gjykatës, është Presidiumi i Kuvendit Popullor ai që ka të drejtë të thërresë drejtuesit e Gjykatës së Lartë në raport dhe t’u kërkojë atyre llogari për punën, për rastet kur nga ana e tyre janë shkelur ligjet etj.
Presidiumi ka gjithashtu të drejtë, po ta gjykojë të arsyeshme, të thërresë mbledhjen e Kuvendit Popullor, të cilit t’i raportojë se Gjykata e Lartë ka shkelur ligjet, ka cenuar kështu interesat e shtetit të diktaturës së proletariatit dhe, në varësi nga shkalla e gabimit, ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit që të merren masat përkatëse. Vendimin e merr pastaj Kuvendi Popullor. Në bazë të frymës së Partisë dhe të Kushtetutës, të ligjeve të pushtetit popullor socialist, dhe duke përfituar nga mësimet e Leninit dhe nga eksperienca e Bashkimit Sovjetik të kohës së Stalinit, këtyre organeve, domethënë gjykatave në bazë dhe Gjykatës së Lartë, ligji u ka dhënë kompetenca, të cilat ato kanë të drejtë dhe janë të detyruara t’i zbatojnë. Ne kemi sanksionuar në Kushtetutë dhe kjo është drejtë, që gjykatat të jenë të pavarura në vendimet që marrin për gjykimin e çështjeve konkrete.
Por dihet se Gjykata e Lartë zgjidhet nga Kuvendi Popullor, ashtu sikurse zgjidhen edhe organet e tjera të tij. Edhe gjykatat në bazë nuk i ka zgjedhur Ministria Drejtësisë, por populli, prandaj nuk mund të thuhet se gjykatat janë të pavarura dhe të papërgjegjshme edhe nga ata që i zgjedhin. Asnjë nga ne nuk është i pavarur përpara Partisë dhe popullit. Kushtetuta ka zgjidhur drejt raportin midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve. Pa kujdesin e Partisë gjykatat mund të bëhen fare lehtë organe represive ndaj popullit. Dihet si bëhen te ne ligjet, të cilat organet e drejtësisë janë të detyruara t’i zbatojnë. Në veprimet e gjykatave nuk mund të ndërhyhet në rrugë të padrejta, por parimi i pavarësisë së gjykatave duhet të kuptohet drejt. Edhe këto organe kurdoherë janë e duhet të jenë nën kontrollin dhe drejtimin e Partisë së Punës të Shqipërisë dhe frymëzohen prej saj.
Kjo do të thotë se gjykatat tona janë nën kontrollin e ligjeve të shtetit dhe të Partisë, prandaj veprimtaria e tyre nuk varet nga Ministria e Drejtësisë, nuk varet nga asnjë organizëm tjetër, por nga gjithë Partia dhe populli. Ne themi vija e masave mbi të gjitha, opinioni i përpunuar nga Partia mbi të gjitha. Nga këto parime nuk bëjnë përjashtim as vendimet e gjykatave. Në qoftë se kjo që thotë Partia nuk do të kuptohej drejt e nuk do të veprohej kështu në praktikë, atëherë parimi i vijës së masave do të mbetej vetëm një shprehje e thatë, pa vlerë. Gjykatat në rrethe e në bazë nuk janë të pavarura nga vija e Partisë. Gjykatësin, kur ta shohë të nevojshme, mund ta thërresë dhe duhet ta thërresë sekretari i Partisë, apo kryetari i komitetit ekzekutiv i rrethit dhe këta t’i shpjegojnë atij, për shembull, situatën që ka krijuar në Parti dhe në popullin e rrethit një ngjarje e hidhur kriminale që mund të ketë ndodhur dhe cili është opinioni i Partisë dhe i popullit për këtë ngjarje.
Nuk mund të mendohet kurrë që gjykatat tona, njerëzit e popullit dhe të Partisë të mos influencohen nga opinioni publik, nga opinioni i Partisë, se ato nuk jetojnë jashtë shoqërisë. Gjersa gjykatësi pranon që në gjykatat tona të dëgjohet zëri i një dëshmitari, dhe kjo është e detyrueshme me ligj, atëherë ca më shumë këto organe janë të detyruara të dëgjojnë, në radhë të parë, zërin e gjithë masës dhe, mbi të gjitha, zërin e Partisë. Pikërisht në bazë të këtij opinioni të shëndoshë gjykatësi mund dhe duhet të vendosë drejt e në mënyrë revolucionare. Kjo do të thotë që gjykatësi të dëgjojë ç’thotë masa dhe njëkohësisht të ketë parasysh ligjet, që në përgjithësi janë të drejta, dhe që te ne nuk mbrojnë interesa të tjera, veç atyre të masave punonjëse. Nuk përjashtohet që ndonjë ligj edhe të mos jetë i plotë, po këtë mangësi gjyqtari duhet ta vërtetojë pikërisht me opinionin e Partisë dhe të masave.
Një gjyqtar me partishmëri të lartë, pasi të dëgjojë me vëmendje opinionin e masave dhe të Partisë, do të merrte kurdoherë vendim në përputhje me frymën e Partisë dhe me interesat e popullit, edhe në rast se ligji mund të ketë ndonjë boshllëk. Ai pastaj menjëherë do të shkonte të raportonte në Parti për vendimin që mori, por njëkohësisht do të vinte në dukje edhe disa pasaktësi që sheh në ligj, për të cilat bën sugjerime si duhen ndrequr, do t’i drejtohej për këtë qëllim bile edhe Presidiumit të Kuvendit Popullor, edhe Qeverisë, për t’u bërë korrigjimi i nevojshëm dhe do t’ua argumentonte këtyre instancave të larta mendimet e tij. Ky është kontrolli i parë vendimtar i masave që nuk e zëvendëson dot as Ministria e Drejtësisë, edhe sikur kjo të kishte kompetenca më të mëdha, as Gjykata e Lartë, as Presidiumi i Kuvendit Popullor, bile as edhe Komiteti Qendror i Partisë.
Kur kryhet një veprim i dënueshëm me ligj, gjykatat nuk kanë si japin një gjykim të drejtë për shkallën e fajit pa e shqyrtuar çështjen. Kur del nevoja pyesin edhe Partinë, kërkojnë ndihmën e saj dhe ajo ua jep mendimin për këtë çështje. Edhe Gjykata e Lartë, gjersa ka të drejtën e shqyrtimit të ankimit në shkallë të dytë, nuk mund të privohet nga e drejta për të vajtur në bazë që të kontrollojë, të ndihmojë, të orientojë dhe të frymëzojë gjykatat me vijën e Partisë. Në qoftë se Gjykata e Lartë nuk e ka bërë një gjë të tillë gjer tani, mendoj se ka lënë mangët detyrat që i janë ngarkuar. Vendimet që marrin gjykatat në rrethe, përveç kontrollit nga Gjykata e Lartë, janë edhe nën kontrollin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili ka të drejtë të falë një të dënuar me heqje të lirisë, të falë jetën e një të dënuari me vdekje etj., dhe parimisht kjo është e drejtë.
Kongresi i Partisë, Komiteti Qendror, Kuvendi Popullor dhe Kushtetuta ia kanë dhënë këtë të drejtë të madhe Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Për veprimtarinë e gjykatave ekziston opinioni i Partisë dhe i pushtetit. Janë bërë kërkesa, janë ndryshuar gjer edhe dekrete nga Presidiumi i Kuvendit Popullor kur kanë pasur të bënin me veprimtarinë e gjykatave, mund të jenë bërë edhe gabime, por përgjithësisht është pozitive se megjithatë çështjet nuk kanë mbetur pa u zgjidhur. Shumë prej tyre i kanë zgjidhur Partia dhe Qeveria pa shkuar fare në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Pastaj vetë gjykatat kanë qenë të arsyeshme. Ato, duke vepruar si organe revolucionare, nuk kanë lënë që këto çështje të zgjidheshin në kundërshtim me ligjet, me Kushtetutën. Por, pa shkelur kompetencat, shumë çështje i kanë zgjidhur jo vetëm gjykatat, nëpërmjet konsultimeve me njëra-tjetrën, por edhe Presidiumi i Kuvendit Popullor, ku anëtarë jemi edhe ne që na kanë zgjedhur Partia e populli dhe ku merren vendime kolegjiale. Në qofte se, nga një studim i kryer nga ana e Partisë, rezulton se një kriminel, një vjedhës apo dëmtues i pasurisë socialiste etj., nuk goditet në masën e duhur, atëherë ne vijmë në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe kërkojmë nga organet e drejtësisë përse po ndodhin këto gjëra, përse gjykatat po tregohen të buta etj. Pastaj Presidiumi i Kuvendit Popullor u jep orientim organeve të drejtësisë.
Natyrisht, Presidiumi duhet ta bëjë më mirë këtë punë. Për këtë qëllim ne duhet t’i japim edhe disa kuadro të tjerë që t’i ushtrojë si duhet kompetencat që i janë dhënë. Por këto kompetenca nuk duhet të jenë të atilla që t’u zënë frymën gjykatave, ashtu sikurse kompetencat e Komitetit Qendror ose të Qeverisë nuk duhet t’u zënë frymën respektivisht komiteteve të Partisë dhe komiteteve ekzekutive të këshillave popullorë të rretheve. Prandaj Presidiumi i Kuvendit Popullor duhet të ketë kujdes që të ruajë esencën e ligjeve dhe të Kushtetutës në bazë të metodës së kontrollit dhe të verifikimit. Të drejtë të kontrollojë ka edhe Qeveria. Po si? Kur themi Qeveria, nuk kuptojmë vetëm Ministrinë e Drejtësisë, por gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe, në radhë të parë, Kryeministrin. Brenda ligjeve dhe në bazë të vijës së Partisë, kur Qeveria konstaton se gjykatësit bëjnë lëshime, ajo nuk duhet dhe nuk mund të qëndrojë indiferente, po vepron me të gjitha kompetencat që i jep Partia, jo vetëm si institucion në tërësi, po edhe nëpërmjet çdo anëtari të saj, veç e veç. Ajo ndihmohet për këtë qëllim nga të gjithë punonjësit, duke filluar nga hetuesi. Po kjo nuk mjafton. Qeveria që ka syrin kudo, mund të shohë se në këtë apo në atë rast plani nuk po realizohet, se në këtë apo në atë sektor ka këto të meta apo shpërdorime, prandaj këto i ngre, i bën probleme.
Kur një anëtar i Qeverisë konstaton, për shembull, se disa detyra nuk realizohen, mbase për arsye se edhe puna e Partisë nuk ecën si duhet, se aty-këtu ka fenomene negative që bëhen pengesë, çështjen ia referon Qeverisë, e cila e shqyrton problemin dhe propozon të merren masa edhe nga kjo anë. Këtë punë po e bëjnë ditë e natë si Qeveria ashtu edhe anëtarët e saj dhe mendoj se e bëjnë shumë mirë. Kështu ata respektojnë vijën e Partisë dhe nuk dalin jashtë formave të caktuara, megjithatë kush i ka ndaluar, për shembull, anëtarët e Qeverisë që të venë t’u flasin qoftë edhe në mënyrë shoqërore shokëve të drejtësisë? Kryeministri edhe në mbledhje të Qeverisë mund t’u bëjë vërejtje drejtuesve të organeve të drejtësisë, kur ndonjë vendim që merret prej tyre nuk është i bazuar. Qeveria lidhet me gjykatat edhe në forma të tjera.
Për shembull, kur hetuesia konstaton se gjykata një fajtor e dënon lehtë, ta zëmë me pesë muaj heqje të lirisë, kur duhet dënuar më shumë, atëherë këtë vërejtje, nëpërmjet dikasterit të saj, ia bën të ditur Qeverisë, e cila njofton organet përkatëse eprore, se filan gjykatës nuk po punon mirë. Ja, pra, një formë kontrolli e Qeverisë për gjykatat. Në qoftë se merr përsëri një raport të njëllojtë për një rast analog, atëherë Kryetari i Këshillit të Ministrave mund t’i drejtohet edhe Byrosë Politike, edhe Presidiumit të Kuvendit Popullor, të cilit i jep drejtpërsëdrejti edhe mendimin e tij për këto raste. Është e vërtetë që ne nuk kemi kryer studime për drejtësi, por kemi 25 vjet që merremi me zbatimin e politikës së drejtë të Partisë, aprovojmë edhe ligje, prandaj shkolla 25-vjeçare e Partisë, që kemi bërë ne, nuk mund të krahasohet as me disa fakultete juridike.
Lidhja e veprimtarisë së organeve të drejtësisë me Qeverinë, me organin më të lartë ekzekutiv dhe urdhërdhënës, nuk varet pra vetëm nga një formalitet që është në konformitet me parimin që kemi vendosur në zbatimin dhe në kontrollin e drejtësisë sonë. Pavarësia e gjykatave nuk do të thotë pavarësi nga populli dhe nga Partia, prandaj kjo nuk e bën asnjeri të mbyllë sytë në zbatimin e drejtë të ligjeve nga ata që janë ngarkuar me këtë punë. Gjykatat e rretheve varen nga Gjykata e Lartë, prandaj kjo ka të drejtë të kontrollojë çdo vendim të tyre. Duke pasur të drejtën e shqyrtimit të rekursit, ajo ka të drejtën të futet edhe në çështjet më të hollësishme të gjykatave. Në qoftë se për të zbatuar këtë të drejtë Gjykatës së Lartë do t’i duhen edhe disa kuadro, atëherë t’ia japim edhe këta. Për sa i përket avokatisë, prej kohësh kam qenë i mendimit që ky institut të suprimohej.
Kë mbron avokati te ne? Në esencë te ne parashikohet që drejtësia popullore të mbrojë fill e për pe interesat e popullit, pa harruar edhe interesat e atij që gjykohet. Kur është kështu, përse të lëmë ne avokatë të tillë si Suat Asllani ose Koço Dilo që, në kundërshtim me provat, me ligjin, me interesat e Partisë e të popullit thërresin në gjyq që hajduti është «i ndershëm», që vrasësi është pafajshëm»!? Ç’i duhen drejtësisë njerëz të tillë? Në Perëndim është ndryshe, avokati atje mbron njerëz që politikisht dhe ekonomikisht janë të shtypur nga pushteti borgjez. Kushdo e di se Partia çështjet, bile probleme shumë më të rëndësishme e delikate, i zgjidh pa avokat. Atëherë, gjersa në gjykatat tona kemi organizatë dhe njerëz të Partisë, të vendosur e të ndërgjegjshëm, të drejtë dhe objektivë për të zbatuar drejtësinë popullore, përse është e domosdoshme të kemi avokatë?
Këta të fundit një kriminel, për shembull, edhe kur faji i tij është i provuar katërcipërisht, përpiqen ta nxjerrin të pafajshëm. Pra nuk veprojnë drejt. Kur është rasti për të marrë parasysh rrethanat lehtësuese në një vepër të kryer, ose kur provat nuk janë të mjaftueshme për të provuar fajësinë, këtë gjë e bën vetë gjykata jonë popullore, njerëzit tanë të drejtësisë, të cilët, duke e gjykuar çështjen me frymë partie dhe me ndërgjegje të pastër, mund të vendosin t’i jepet një dënim më i lehtë një njeriu ose ta deklarojnë të pafajshëm atë kur provat nuk janë bindëse. Atëherë përse të dëgjojmë në gjykatat tona zërin e avokatëve, midis të cilëve edhe ata që përmenda? Në vendet borgjeze, për shembull, në Francë, ligjet përbëjnë një pyll të madh. Atje është në fuqi Kodi i Napoleonit, po në fuqi atje ka akoma edhe shumë ligje të tjera të hartuara shekuj më pare, nga ata të shekullit të 16-të e 17-të. I pandehuri në Francë s’ka si të ketë dijeni për të dalë nga ky pyll i dendur i këtyre ligjeve, që të jetë në gjendje të mbrohet e të shpëtojë nga akuza.
Sa ndryshe është gjendja në vendin tonë! Ne luftojmë, së pari, që ligjet të jenë sa më të thjeshta. Për njohjen e tyre, që të kuptohet esenca nga të gjithë njerëzit bëhet propagandë e madhe. Te ne bëhen, gjithashtu, përpjekje për ngritjen politike dhe ideologjike të masave. Plus gjithë këtyre, Partia i rekomandon edhe gjykatës që këtë ose atë ligj ta zbatojë në mënyrë revolucionare, pra, me drejtësi të plotë në interes të popullit. Të gjitha këto avantazhe nuk ekzistojnë në regjimet borgjeze, ku është i justifikuar instituti i avokatisë. Megjithatë ne mund ta studiojmë edhe këtë çështje, po e logjikshme është që të gjykohet në këtë mënyrë. Me heqjen e institutit të avokatisë, si institut i mbrojtjes profesionale, ne nuk cenojmë aspak parimin për të drejtën e mbrojtjes që Kushtetuta i njeh të pandehurit. Secili ka të drejtë të mbrohet para gjykatës. Siç doli nga diskutimet, të gjithë jemi dakord që Ministria e Drejtësisë të suprimohet, vetëm duhet menduar ç’organizim do të krijojmë paskëtaj brenda në Gjykatën e Lartë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016