Nga Dr. Gjon Boriçi
Pjesa e parë
Memorie.al / Debati i madh që është zhvilluar përgjatë dy shekujve të fundit pas lindjes së teorisë marksiste dhe Krishtërimit, padyshim që do të linte gjurmët e veta në përplasje të ashpër politike ndër vendet ku ideali komunist i frymëzuar nga mësimet e Marksit, do të persekutonte shoqëritë e vendeve me sistem një partiak komunist. Në Evropën e shekullit të XIX – të, pas përfundimit të Kongresit të Vjenës dhe të vendosjes së sistemit të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare që i dha fund luftërave të Revolucionit Francez, në kontinentin e vjetër filluan të lulëzonin një larmi idesh radikale, republikane dhe socialiste. Vitet 1830-1840, ishin vite të frymëzimeve politike dhe ambicioze duke patur si shembull Frederikun e Madh, idetë jakobine, mendimet e Kantit dhe Fihtes dhe inovacionin e epokës së re. Mendimi politik i Marksit u formësua pikërisht në këtë epokë. Trashëgimia racionale ishte veçanërisht e rëndësishme për të ndarë identitetin nga ajo çka u bë e njohur në vitet 1830-1840 me emrin ‘socializëm’.
Në vend të hyrjes – Marksizmi vs. Krishtërimit
Kriticizmi i Marksit ndaj fesë bazohej mbi ballafaqimin ndërmjet “Shtetit të Krishterë” dhe “Shtetit të arsyes”. Në kundërshtim me të parin, që sipas tij nuk ishte një bashkim moral i qenieve njerëzore, por një bashkim besimtarësh, filozofia kërkonte që “shteti të ishte shtet i natyrës njerëzore”.
Identifikimi i shtetit prusian të epokës së Marksit me Krishtërimin dhe shoqërinë civile, shtyu vetë Karl Marksin të mendonte një rrugë për përmbysjen e madhe. Për Marksin, shoqëria e krishterë, ishte e njëjtë me shoqërinë civile dhe rendin feudal që ai quante ‘rendi kafshë’.
Do të ishte Fojerbahu i cili do të shtonte se “Krishtërimi edukonte individualizmin dhe nuk lejonte lindjen e një etosi (karakteri) komunal (të përbashkët)”. Sipas tij, Krishërimi kishte ndarë unin nga ti, me bashkimin e veçantë të çdo individi me qenie personale të jashtme: me Krishtin.
Do të ishte kjo përplasje e fortë idesh për të “rrëmbyer” sa më shumë mbështetës të cilët do t’i hapnin udhë përmbysjes së madhe me një aleancë të pandershme ndërmjet atyre që mendojnë dhe atyre që vuajnë.
Identifikimi i klerit katolik si kundërshtari nr. 1 i regjimit komunist në Shqipëri
Që në vitin 1945, posaçërisht pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit, Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, në mbledhjet e mbajtura nga data 6 deri më 10 dhjetor 1945, filloi identifikimin e tendencave oportuniste që kishin dominuar vijën e Frontit Demokratik.
Sipas përfundimeve të këtyre mbledhjeve kishte qenë gabim që në zgjedhjet për në Asamble, të lejoheshin të konkurronin edhe ata “rryma” që sipas Byrosë Politike të Partisë Komuniste Shqiptare, kishin luftuar kundër fitores.
Tre ishin forcat të cilat qysh në fillim të pushteti komunist dhe ligjërimit të tij me anë të zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, që u identifikuan si kundërshtarët më potencialë të regjimit që u instalua: borgjezia, Kleri Katolik dhe intelektualët reaksionarë.
Leksionet e mbajtura kundër Klerit Katolik ishin të gjitha të mbështjella me pasaktësi të mëdha historike çka tregon nivelin tepër të ulët teorik të atyre që i mbanin. Shumë prej dokumenteve që kam hulumtuar nuk kanë emër mbiemër se kush i ka referuar dhe as të nënshkruara në fund. Në këto ligjërata ngrihej në qiell lufta e Bashkimit Sovjetik (më tej: Bashkimi Sovjetik) dhe largpamësia e këtij të fundit ndaj rrezikut nazist që i kanosej botës.
Kjo nuk është aspak e vërtetë pasi ishte Bashkimi Sovjetik ai që nënshkroi më 23 gusht 1939 paktin e mossulmit me Gjermaninë naziste, duke i lënë dorë të lirë Hitlerit në copëtimin e Polonisë me Bashkimin Sovjetik dhe të Evropës Lindore. Interesant është fakti se Partia Komuniste Shqiptare kishte kërkuar të bënte aleancë me klerin katolik për rrethin e Shkodrës për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945.
Për këtë arsye, për të bërë fushatën elektorale, PKSH-së, dërgoi në Shkodër Sejfulla Malëshovën i cili e filloi fjalimin e tij në Shkodër duke evokuar punën e madhe të rilindësve shkodranë Vaso Pasha, Abat Doçit, Fishtën, Mjedën e Luigj Gurakuqin.
Por, përpjekja e PKSH-së për të lidhur aleancë me katolikët në Shkodër dështoi, pasi Kleri Katolik kishte refuzuar madje edhe kërkesën e Sejfulla Malëshovës për të themeluar një Parti Demokristiane, sipas at Zef Pllumit. Kjo parti të krijohej me kushtin që të bënte pjesë në Frontin Demokratik, por Ipeshkvi Gaspër Thaçi e kishte refuzuar pasi nuk dëshironte që Kleri Katolik të përzihej në çështje politike.
Në një leksion/instruksion partie i Qarkut Berat, vihen në dukje problemet që do të kishte pushteti komunist me Klerin Katolik. Edhe pse në këtë leksion thuhet se çështja e Klerit Katolik nuk ishte problem në qarkun e Beratit, ai ishte një problem me rëndësi për partinë. Sipas leksionit, Kleri Katolik ishte bërë boshti i reaksionit në Shqipëri, sidomos në veri të vendit. Mjaft domethënëse është pjesa ku shkruhet:
“Ata (katolikët) kanë organizimin e tyre, ata nuk janë me ne. Duke marrë parasysh nivelin e tyre të ngritur, kapacitetet e tyre dhe frymën e tyre anti popullore ata janë sot një rrezik për ne”. Në leksion jepej udhëzimi që asnjë komunist të mos hynte në polemikë me Klerin Katolik, pasi kjo gjë nuk ishte e favorshme, por të përpiqeshin t’i ndalonin për të mos luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen reaksionare të vendit.
Pamundësia për të lidhur aleancën me Klerin Katolik dhe nëpërmjet tij me shumicën e katolikëve të Shqipërisë, ndezi propagandën më të ashpër komuniste kundër kësaj strukture mijëravjeçare shqiptare. Nga strukturat e aktivit të partisë në Shkodër, vijuan të “vërshojnë” në Komitetin Qendror të PKSH-së, qindra njoftime ndaj punës armiqësore të Klerit Katolik në vitet e luftës.
Një fakt interesant që vjen nga ky dokument është fakti se qyteti i Shkodrës sipas arkivit të partisë ishte çliruar pa luftë. Një tjetër fakt interesant në këtë dokument është shtesa në informacion me shkrim dore: “Karakteristikë është qëndrimi i ftohtë i shtresave katolike”.
Në informacionin që paraqiste më 16 janar 1945 për qytetin e Shkodrës i dërguari i PKSH-së Mihal Prifti, situata paraqitej aspak shpresëdhënëse për komunistët. Sipas Mihal Priftit, populli në qytet ishte i ftohtë, indiferent dhe spektator mbi gjithçka ngjante përqark tij. Populli nuk merrte pjesë në asgjë e për më tepër elementi katolik ishte shumë i lidhur me Klerin e me reaksionin.
Elementi katolik në Shkodër ishte i organizuar në shoqata të ndryshme çka përbënin edhe ndarjen më të madhe ndërmjet elementëve të ndryshëm me parullat kundër lëvizjes dhe për të sabotuar mobilizimin. Shtresat e ulëta sipas Mihal Priftit duhet të ishin baza nga ku duhej të fillonte mobilizimi për të afruar popullin me lëvizjen.
Klerit katolik dhe katolikët si kundërshtarë të regjimit
Që në fillim të vitit 1946, në raportet që vinin nga qarku i Shkodrës, shikohet se theksi vendosej tek fushata kundër elementëve të Klerit Katolik. Nga raporti i datës 3 tetor 1946 i dërguar nga Komiteti Qarkor i PKSH-së për Shkodrën, informohej se koka e reaksionit ishte Kleri Katolik i mbështetur nga shërbimi i fshehtë britanik.
Por, sesi e mbështeste shërbimi britanik Klerin Katolik në qytetin e Shkodrës nuk jepet asnjë fakt. Thjesht, Kleri Katolik ishte armiku kryesor që punonte natë e ditë për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. Sipas raportit Kleri Katolik punonte në heshtje dhe në mënyrë shumë konspirative. Kleri mundohej ta paraqiste sipas raportit pushtetin e PKSH-së si anti fetar.
Sipas statistikave të Sigurimit të Shtetit përpiluar në Shkodër në janar 1979 (dokumenti është pa datë), në vitin 1945 në Shqipëri kishte 145 meshtarë katolikë. Në raportin e 2 nëntorit 1946, deklarohej se Kleri Katolik me gjithë tërheqjen e tij mbetej kokë drejtuese e reaksionit dhe se nuk ishte goditur aq fort sa duhet.
Deri në muajin nëntor 1946, Kleri Katolik ishte elementi që kishte pësuar goditjen më të rëndë nga pushteti komunist në Shqipëri. Nga dosjet që kam hulumtuar të deklasifikuara së fundmi, më rezulton se nga viti 1945, deri më 1946, ishin arrestuar dhjetëra priftërinj katolikë dhe mbi të gjitha ishin ekzekutuar gjashtë prej tyre. Ndërsa në burg kishin vdekur nga torturat katër priftërinj katolikë.
Kjo sipas Qarkorit të PKSH-së për degën e Shkodrës, nuk quhej goditje e fortë? Çfarë duhej të ndodhte që të quhej goditje e fortë? Deri në fund të regjimit komunist në Shqipëri, numri i klerikëve katolikë të pushkatuar, sipas një statistike të Sigurimit të Shtetit e përpiluar në Shkodër më 22 dhjetor 1978, është 26. Ndërsa numri i klerikëve katolikë sipas të njëjtit dokument, të vdekur në burgje, është 18.
Në muajin nëntor vijuan arrestimet e tjera të klerikëve katolikë, Imzot Frano Gjinit, për shkak se tek kisha e fretënvet (Kuvendi Françeskan) më 14 nëntor 1946, u gjetën armë. Si kishte mundësi? Të vërtetën e armëve në Kuvendin Françeskan e “plasi” një ish oficer i Sigurimit i quajtur Pjerin Kçira, më 19 maj 1949, kur vetë u arrestua dhe kishte dalë para gjyqit si anëtar i grupit të Koçi Xoxes. Në gjyq, Kçira do t’i shprehej kryetarit të gjyqit:
“Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë, duke ia futur armët në kishë, e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret…për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të Enver Hoxhës, ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm.
Ju keni qenë ata që më keni detyruar të torturoj priftërinj dhe rregulltarë katolikë, pasi i kishit akuzuar pa asnjë bazë. Ju keni qenë ata që më keni urdhëruar të vendos natën armë në kisha e kuvende dhe objekte kulti, me qëllim gjetjen e një preteksti për të eliminuar klerin dhe Kishën Katolike”.
Pushteti komunist nëpërmjet Sigurimit të Shtetit kërkonte të mbyllte çdo “çerdhe” katolike, siç i quante kuvendet dhe shtëpitë e murgeshave që të mos kishte asnjë mundësi të flitej kundër PKSH-së.
Megjithatë, Sigurimi vigjilonte edhe ndaj nëpunësve të vet, si me rastin e Brahim Shparit, oficer i Sigurimit në Shkodër, vetëm për faktin pse ishte shoqëruar me të rinj katolikë. Ndërsa për komunistin katolik Kol Ashta, përmes raportit thuhej se nuk mund të quhej i besueshëm për partinë, sepse ishte shpirtgjerë e i mëshirshëm.
Në goditjen ndaj klerit katolik nuk bënte përjashtim Tirana. Goditja që ishte dhënë në Shkodër në vitet 1945-1947 padyshim që do të ndihej edhe në Tiranë. Në raportin dërguar Komitetit Qendror nga aktivi i partisë së Tiranës më 4 mars 1947, informohet se tek katolikët e Tiranës, për arsye të goditjes që kanë pësuar, shikohet një frikësim i madh. Duke qenë se shumica e katolikëve të Tiranës ishin me origjinë nga Shkodra, padyshim që lidhjet me atë qytet ishin të forta, familjare dhe miqësore.
Të jetuarit në këtë qytet prej më shumë se 30 vjetësh, i kishte identifikuar ata si njerëz të biznesit e të kulturës. Sipas raportit, numri i katolikëve ishte i mirë, por që qëndronin larg aktiveve të partisë. Shumica e tyre sipas raportit ishin intelektualë dhe nëpunës të vjetër, që kishin pasur poste me rëndësi në shtet dhe ishin në kontakt të vazhdueshëm me njëri tjetrin dhe e ruanin miqësinë.
Radhët e partisë në Tiranë “mbusheshin” nga shtresa të varfra dhe të pa arsimuara dhe katolikët nuk bënin pjesë në asnjërën nga shtresat e lartpërmendura. Në asnjë rresht të raportit nuk flitet se ishin rekrutuar katolikë nga Tirana në radhët e PKSH-së. E gjithë kjo bëri që katolikët e Tiranës të quheshin kundërshtarë të regjimit. Ndër parullat sipas qarkorit të partisë së Tiranës që lëshonte Kleri Katolik, ishte se “feja katolike po luftohet ndërsa orthodoksëve dhe myslimanëve u jepet subvencion nga shteti”.
Megjithatë nga Shkodra në Tiranë raportet nuk reshtnin së informuari mbi aktivitetet “armiqësore” të reaksionit katolik kundra pushtetit popullor të PKSH-së. Çdo fjalë e pamatur qoftëedhe në formë shakaje (është i njohur humori shkodran për barcaletat e panumërta për regjimin) dhe e gjithë kjo veprimtari quhej çorientuese në punën e partisë.
Komiteti i Partisë i rrethit të Shkodrës, kërkonte një goditje edhe më të fortë ndaj klerit dhe reaksionit katolik, pasi nuk ishin goditur aq sa duhet. Para problemeve të fillimit të mosmarrëveshjeve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, raportet nga rrethi i Shkodrës për aktivitetin e klerikëve katolikë janë më të shpeshta.
Sipas tyre, ishte i vetmi rreth kundërshtar që megjithë goditjet e forta që kishte pësuar në vitet 1945-1947, përsëri fliste kundër Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes. Në fakt, me çfarëdolloj problemi politik që kishte pushteti komunist në Shqipëri me të huajt, Kisha Katolike e Shqipërisë patjetër që kishte gisht.
Në një raport të Sigurimit të Shtetit, për vitet 1944-1947, kisha katolike e Tiranës ishte nyje e ndërlidhjes midis reaksionit të brendshëm, Vatikanit e zbulimeve të huaja.
Në raportin e Sigurimit të Shtetit për Klerin Katolik, del se ky i fundit kishte qenë përgjegjës për të gjitha pushtimet e huaja që kishin ndodhur në Shqipëri që nga koha e pushtimi otoman (që në raport shkruhet Automan).
Thuajse në çdo gjyq që zhvillohej kundër klerikëve katolikë siç dëshmon edhe At Zef Pllumi, një nga akuzat ishte se; “jeni përgjegjës që nga kryqëzatat e deri tek përpjekjet për të përmbysur pushtetin popullor”.
Pra Kleri Katolik, ai që kishte ndërtuar shkollat e para shqipe në Shqipëri dhe që kishte mbajtur gjallë këtë gjuhë të lashtë, na ishte obskurant dhe i ishte kundërvënë në çdo kohë traditave dhe zakoneve më të mira të popullit shqiptar. Borgjezia katolike dhe Kleri Katolik ishin një dhe meqë ishin dukshëm anti komunistë, rrjedhimisht ishin edhe anti shqiptarë.
Megjithatë, sipas raportit të Sigurimit të shtetit edhe pse Kleri Katolik kishte pësuar goditje të forta, përsëri nuk e kishte ndërprerë veprimtarinë antikomuniste dhe rrjedhimisht tradhtinë ndaj atdheut dhe popullit. Por me gjithë goditjet e herëpashershme që kishte marrë Kleri Katolik, vijonte të ishte armik i betuar i rendit socialist. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm











