Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzet
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret me raport-informacionin e hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Shëndet Bardhi, i cili ka bërë zbardhjen e bisedës ndërmjet, Myrteza Bajraktarit, me të motrën, Mysere Hoxha Bajraktari, dhe të birin e saj, gjatë takimit të tyre, në një nga dhomat e Hotel Turizmit të qytetit Sarandës
DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME SEKRET
Nr. 24 Ekzemplar i vetëm
Sarandë, 21/8/1974
Legjenda:
B – Myrteza Bajraktari
G – Mysere Hoxha Bajraktari
D – Djali i Myseretit
NDALOHET RIPRODHIMI
INFORMACIONI T. O.
Mbi bisedën e zhvilluar ndërmjet objekteve kosovar: Myrteza Bajraktari, Mysere Hoxha dhe djalit të saj, më datën 8 dhe 9 gusht 1974, në dhomën nr. 409, të Hotel Turizmit.
G – E humbëm gjithë ditën sot atje për leje kufiri, u ngritëm që në orën 7.
B – Pastaj u pa edhe ajo, të tjerëve ju dhanë qysh dje, qysh e kishin kërkuar, ata e morën para nesh, ja ai djali që ishte me atë vajzën, e kishin marrë.
G – Kur ra ajo sëmundja kolera atëherë.
B – Shqipëria e mbylli kufirin me Jugosllavinë, me Greqinë dhe me Italinë dhe u vaksinua i gjithë populli.
G – Të gjithë dhe atje.
B – Edhe atje, ëëë!
G – Po, nëpër shkolla dhe kudo.
D – Si e quajnë atë burrin e shëndoshë që takuam ne në rrugë?
G – Rexho.
D – Po gruaja?
B – Gruan, Myzejen.
G – (duke parë hartën), prej këtu jemi larg nga Tirana, sa afër është kufiri këtu!
B – Po.
G – Le që ne vijmë në Strugë, të shohim se çfarë ka barë Mehmeti (burri), në qoftë se do të realizohet, ajo që të kemi një shtëpi në Strugë, aty të vish menjëherë, për tre katër orë.
B – Jo, për mua nuk është ajo punë.
G – Edhe të hapet kufiri?
B – Jo.
G – Pse, edhe të hapet kufiri dhe ti nuk vjen?
B – Jo, për mua nuk është ajo punë.
G – Edhe të hapet kufiri!
B – Jo, jo.
G – Prapë jo?
B – Jo, jo.
G – Pse jo?
B – Sa jam i arratisur andej, po mjafton të vini ju herë e pas here, të vini ju njëherë njëri dhe njëherë tjetri, vetëm po të ndodh ndonjë ndryshim i madh në Jugosllavi, atëherë, tjetër punë. Më duket se nuk dhanë asnjë leje sot për në Butrint, edhe atij djalit, për pasnesër i thanë.
G – Ashtu?
D – Mos ka ardhur Enver Hoxha, që bërtasin kështu (bëhet miting).
B – Jo.
D – Ku është ai, në Gjirokastër?
B – Jo, në Tiranë, ai është më i madhi i shqiptarëve.
D – Në Tiranë është?
B – Po, në Tiranë.
D – E gjen dot Enver Hoxhën po të shëtisësh në Tiranë?
B – Jo, jo, ai rri në zyrë, punon, ka punë. Ke qejf ta takosh ti xhaxhi Enverin?
D – Po.
B – Sa shumë i do ai fëmijët, fëmijët që e duan si prind, i do shumë.
G – Kur na ndiqnin…!
B – Kush ju ndiqte?
G – Ata të Prishtinës, një autobus pamë aty, ne ishim para tyre, ata ndiqnin, dje kur u ndalëm në Bari, shkonim për në Gjakovë, në ato malet që kanë shumë kthesa.
B – Unë kujtova Barin e Italisë, pastaj kur morëm vesh që qe shqiptar?
G – Pastaj u ndalën aty.
B – Edhe Mehmeti, i jepte me Fiqon forca.
G – Dhe thanë se: ju qenkeni shqiptarë, ne kujtuam se ishit maqedonas.
B – Programi pengon asimilimin e lëndës për arsye të mbingarkesës në gjuhë të huaja dhe kohë të pamjaftueshme për lëndë kryesore, siç është gjuha dhe matematika, gjuha shqipe që ka një program të ngjeshur, nuk mund të asimilohet me katër orë në javë, kështu që nxënësit, mbeten gjysmakë. E drejtë është kjo…?!
G – E drejtë.
B – Dy orë të gjuhës shqipe, i janë vënë maqedonishtes. Po kjo a është e drejtë? Maqedonishtes i janë vënë, apo jo?
G – Maqedonishtes, shkruaj ti ashtu.
B – Punë e madhe, kërkesa jonë që të shtojmë orët e gjuhës, nuk është parë, tani, të shkruajmë kur janë bërë kërkesat.
G – Këto janë mendimet e mija më në fund, unë që të kam thënë, dhe po të mos jenë krejt të sakta, po kështu është.
B – Jo, është puna të jenë të sakta dhe të studiohen në Ministrinë e Arsimit dhe në rast nevoje, këta shkruajnë në gazeta, fap, këto gjëra kemi lidhur me shkollat, me katër orë nuk mund të asimilohet gjuha.
G – Kurrsesi.
B – Në këtë përparimin e shkollës, kush është? Bajram Krifca, Idajeti, tjetër…?
G – Ata janë në Tetovë, janë anëtarë, është këtu një Selaudin Meçe, është Stefa Zorga.
B – Selaudin Meçe është?
G – Jo Selaudini, i vëllai, Rexhep Meço.
B – Ai, Zorga, do të jetë i poshtër…?
G – Ai është shumë i poshtër.
B – Ai, është vërtetë i ardhur nga Shqipëria, po ata që vijnë nga Shqipëria, më të degjeneruar, më sllavë, nuk ka, asnjë besim tek ata, ai është njësoj si Umjani, edhe Umjani, është shqiptar.
G – A e di sa bukur flet ai shqip, toskërisht, shumë i poshtër, shumë i lig!
B – Unë dua të përmend, atë Bajram Krifcën, edhe atë të poshtrin tjetër, Servet Saliun, këta janë në arsim?
G – Ky Serveti, është në pushtet, ndërsa Bajrami, është në arsim, të kujtohet Bajram Krifca?
B – Shumë pak, dibran është ai?
G – Dibran.
B – Serveti më kujtohet, s’ka njeri më pak të përgatitur se ai, është shumë i dobët!
G – Edhe Bajrami, ashtu është. Është një i zi me qime si të derrit, që luan role të rëndësishme në kohën e demonstratave, në fushata, kur kanë të bëjnë me çështje politike, ky del në televizor, flet mendimin e vet, maqedonisht flet, shqip nuk flet, nuk i përvishet punës të mësojë shqipen.
B – Po si, po ai e ka gjuhën amtare shqip.
G – Një Jetë Ramadani, të kujtohet?
B – Hysen Ramadani?
G – Hysen Ramadani është i zoti, di maqedonisht, flet, ka fol edhe shqip në televizor.
B – Po përse?
G – Ky është shkupas, Hysen Ramadani dhe ky Jetë Ramadani, është në Këshillin Ekzekutiv, Hysen Ramadani, është në Komitetin Qendror, unë njihesha me ta. Shumë vetë kanë pasë shpresë prej Hysen Ramadanit, se ai një kohë sikur donte të përkrahte popullin shqiptar, prej asaj situate, aty u ndanë shumë njerëz, njerëzit i panë se ç’janë, ai u përfaqësua, mori pozitë të rëndësishme. Nuk kam vënë veshin të di, ku është, ç’punë bën, gabim i madh, duhen ato gjëra, duhej t’i dija. Ky dibrani, Rexho Sllavku dhe ai çfarë pisi?!
B – E ka vëlla Avniu?
G – Po, motra erdhi, ndenji dy tre netë dhe iku në Tiranë.
B – Ne këto do t’i shkruajmë.
G – I shkruajmë. Unë kur të vij, kismet herën tjetër, do t’i di, krejt këto më hollësishëm.
B – Ku punojnë?
G – Ku punojnë dhe ndonjë gjë që tani s’më kujtohet dhe atje do më kujtohet, do të ha veten se nuk ta kam thënë, për diçka me rëndësi, kam lënë kush e di çfarë gjërash me rëndësi, unë dalëngadalë, do t’i kem të gjitha si material.
B – Në fund do të shkruajmë kërkesat e patriotëve, më kujto, se unë harroj.
G – Jo, se nuk harrojmë.
B – Kështu do të shkruajmë në fillim, dy fjalë mbi gjendjen aktuale në Maqedoni dhe aspiratat e shqiptarëve.
G – Të shkruash edhe për atë dallkaukun, Hasan Myftari, ai ka qenë nënkryetar, njeri i madh.
B – Ku është tashti, Hasan Myftari, në Shkup?
G – Në Shkup, në gjyq.
B – Në Gjykatën e Lartë?
G – Posi.
B – Kur të vish radhës tjetër, do të flemë në shtëpinë time dhe me gjysmën e këtyre shpenzimeve, do të kalojmë të gjithë. Ne i kemi të gjitha shumë mirë.
G – Shumë mirë i keni?
B – Jo, jo, ne kështu, nuk kemi vuajtur asnjëherë, që të themi që kemi vuajtur për ushqime, a për diçka, jo, jo, asnjëherë. Tashti kuptohet, me një rrogë, merrja unë 4.800, tani marr 7.600, po edhe ju keni dërguar diçka, s’kam vuajtur ndonjëherë.
G – Ne jemi bërë pishman, që të kemi çuar,- kështu thoshte Mediu, po prandaj hesht, po si kujton se do të linim ne pa paketa, po ne thonim që kemi bërë gabim, që ja kemi çuar, edhe Mehmeti kështu thoshte, shumë gabim kemi bërë, që i kemi dërguar, ata kanë.
B – Po mirë keni bërë që s’keni dërguar gjatë kohës që kam qenë unë në Ballsh, e di pse, pse e paguaja me doganë të plotë.
G – Ti ku ishte, kur thoshe se: – më nuk kam të drejtë të marr pa doganë nga Semani?
B – Jooo, jo nga Semani.
G – Para se të hysh për së dyti?
B – Tashti, arsyetohet plotësisht, kanë shitur mallin dhe ma dërgoj.
G – Po edhe unë erdha, më panë me ty, d.m.th., ka njerëz, ekzistojnë?
B – Tashti ndryshon puna, pastaj unë Xhemalit i kam treguar të gjitha, para se të arratisem këtej, unë i tregova Xhemalit, se si e kam punën, sigurisht edhe Xhemali ka treguar, d.m.th., është dhe një vërtetim ky.
B – Di emrin e ndonjërit që është arrestuar kohët e fundit, 5-6 muaj a një vit?
G – Këndej ka ardhur…?
B – Jo, jo, atje në Tetovë, ata studentët që janë arrestuar.
G – Që kanë ardhur këtu në Shqipëri?
B – Jo, jo, që kanë ardhur këtu.
G – Këta që kanë ardhur këtu, u dënuan, njërin pyeta, ma thanë edhe emrin, po e kam harruar.
B – Studentë ishin?
G – Studentë i vitit të tretë në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë. Ai ka qenë kryetar i organizatës me disa shokë, këtë e kanë dënuar 7 vjet, po ka vuajt shumë dhe sikur paskan gjetë armë, s’ja di emrin.
B – Prej Tetove, veç sa vjet ka?
G – Mund të ketë dy vjet.
B – Më vonë, për ndonjë arrestim, ke dëgju?
G – Jo, s’kam dëgju.
B – A i njeh ata më të poshtrit që janë në Shkup, Tetovë, ata shqiptarët që janë më të poshtrit?
G – Po ja, ata që të thashë……..J.R., H.B.
B – Janë të poshtër hëëë…?
G – Po, janë. J.R., H.R., S.M., B.K., që janë të poshtër.
B – Xhevdet Qaniu?
G – Ka edhe që s’mund të t’i them.
B – Për ty s’janë gjë pa…?!
G – Jo, unë jo, po m’u bë për një tjetër.
B – Ky Bajram Krifca, është aty në Tetovë?
G – Po, eee, kur fillon këngën me atë të poshtrin, S.S.?!
B – Në pushtet është ky?
G – Në pushtet, posi.
B – Nuk është në arsim Sadik Sadiku, Xhemal Nushi?
G – Xhelal Nushi në Shkup. Këto thuaj, në qoftë se të kërkojnë më shumë.
B – Xhelal Nushi, çfarë bën në Shkup?
G – Në Radio punon, në emisionet e jashtme, për politikën e jashtme.
B – Po ku merr vesh ai moj?!
G – Po ai flet, diçka merr vesh, ai bile, nuk ka marrë shtëpi për familjen dhe në hotel fle.
B – Mbaroi ndonjë shkollë ky?
G – Shkollën politike.
B – Shyqëri Hoti, a është kuadër ai qen?!
G – Ahh, ai, ku di unë a është kuadër ai, po shumë spiun i madh, është bë!
B – Ç’të kujtohet gjë?
G – S’më kujtohet gjë hiç.
B – Po atë rusin, atë qenin?
G – ……….(nuk kuptohet)
B – Ky Jetë Ramadani, ku punon?
G – Ku e di unë!
B – Po Hyseni?
G – Në Komitetit Qendror.
B – Po, Sali Miftari, në Gjykatën e Lartë?
G – Në Gjykatën e Lartë.
B – Bajram Krifca, ç’punë bën?
G – Në Hartim.
B – Dhe Saliu është në Komitet të Partisë në Tetovë?
G – Po.
B – Më thuaj tani, kuadrot që janë më të mirët.
G – Beqir Zhyta (Zhuta).
B – Nga është?
G – Dibranë është, është në fakultet.
B – Dhe çfarë është?
G – Ai kishte ekonominë, ai ka qenë në Komitet dhe tani e kanë hequr, por prapë është kuadër.
B – Po burri i Verës?
G – Meti, nënkryetar është, ai është negativ, Mezat Mustafa, ka qenë sekretar i partisë, shumë njeri i mirë.
B – Mirë, tjetër?
G – Sejdi Mani, më duket se është në pushtet.
B – Mos ka shkruajt roman ky?
G – Jo, ai ka shkruajtur mbi lëndën “Ç’është estetika”. Ai ka qenë kryeredaktori i Shtëpisë Botuese “Flaka”, ka qenë edhe në Komitet Qendror, tani doli nga “Flaka”, njëkohësisht, jep mësim në fakultet në Prishtinë.
B – Ndonjë tjetër?
G – Xhevdet Xheka, ka një farë pushteti.
B – Fli se vajti vonë, mos u mendo, sikur s’të pyes dot nesër unë ty?! Shiko interesohu, sa para kemi marrë ne prej atij, ta dimë.
G – Ehee, po sa para të ka dhënë ai?
B – Ka dhënë njëherë 500.000, di pastaj dhe për 600.000 dinarë.
G – Kë të pyes unë, Mediun?
B – Mediun të parin, pastaj atë…!
G – Dhe si e kemi hesapin?
B – Jo, jo, asnjë hesap s’kemi ne hiç. Kam paguar unë atë që kam marrë, kam për t’i dhënë dhe diçka pako gjë, po të pyesësh Mediun, se ka harruar.
G – Jo, tash më kujtohet, po ç’u bënë ato pare?
B – Ato pare na i kini dërguar, pak muaj.
G – Po.
B – Këta janë borxhli karshi meje, në qoftë se s’ka marrë Mediu. Do të më dërgosh një duvak me vello të gjatë të bukur, mirë është të ma sjellësh vetë kur të vish, se nuk paguan as doganë dhe të mos nxjerrim telashe, jo pse jo, qysh….!
G – Mirë.
Shënim:
Në këtë informacion, janë përshkruar momentet me interes operativ. Memorie.al
Incizoi dhe deshifroi
Punëtori Operativ
Shëndet Bardhi
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016