• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, January 15, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Pasi u lirua nga burgu i Burrelit, ajo mori guximin dhe iu drejtua me një letër Hysni Kapos, ku i shkruante…”/ Historia e panjohur e vlonjates së doktoruar në Marsejë, që fshinte rrugët e Tiranës

“Pasi u lirua nga burgu i Burrelit, ajo mori guximin dhe iu drejtua me një letër Hysni Kapos, ku i shkruante…”/ Historia e panjohur e vlonjates së doktoruar në Marsejë, që fshinte rrugët e Tiranës
“Pasi u lirua nga burgu i Burrelit, ajo mori guximin dhe iu drejtua me një letër Hysni Kapos, ku i shkruante…”/ Historia e panjohur e vlonjates së doktoruar në Marsejë, që fshinte rrugët e Tiranës
“Pasi u lirua nga burgu i Burrelit, ajo mori guximin dhe iu drejtua me një letër Hysni Kapos, ku i shkruante…”/ Historia e panjohur e vlonjates së doktoruar në Marsejë, që fshinte rrugët e Tiranës
“Ildishane Kalo na tha se; kryetari i Këshillit urdhëroi të mbyllej dera e së vdekurës me çelës, deri sa të vinin ata të Degës, të cilët i morën Musinesë, rreth…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik
“Shërbimi Sekret Jugosllav, tregoi interes të madh për emigracionin antizogist shqiptar dhe Konsulli jugosllav në Bari, mori 4.000 monedha ari…”/ Dosja e UDB-së, për mërgatën politike shqiptare
“Sapo u futa në sallën e gjyqit, gjykatësi Sofokli Papajani, për t’u bindur se deklaratën e kisha firmosur vetë, gjoja konfidencialisht, më tha…”/ Dëshmia e rrallë nga SHBA-ja, e ish-të dënuarit politik 

Nga Nini Mano

Memorie.al / Portreti i Erifili Bezhanit, në vitet e fëmijërisë sime të hershme, në imazhin e përftuar ashtu, vjedhurazi bisedave të kujdesshme të të mëdhenjve, ishte thuajse i pakapshëm. E rritur dhe e shkolluar fillimisht në Greqi, e më pas në Francë, fotografitë e Erifilit në albumet e familjes, më kishin ofruar imazhin e personazhit magjepsës të tregimeve dhe novelave, treguar nga motra e saj, Evrinomi ne të vegjëlve, mbrëmjeve të gushtit, buzë detit, në lagjen ‘Skelë’, në Vlorë në mes të viteve ‘60-të. Vizioni i kalorëses së shkëlqyer, që rrugën nga lagja ‘Gorricë’, ku banonte gjyshja, deri në ‘Kala’ tek tezja, në Berat, e merrte me galop të shpejtë, shumë ndryshe nga vajzat e tjera të së njëjtës moshë, më afronin zanën e bukur të përrallave. 

Me kalimin e viteve, kur e rritur, fillova të merrja pjesë në bisedat e më të mëdhenjve, portreti i Erifilit nisi të paraqitej ashtu, siç ishte në të vërtetë: plot vitalitet, ëndrra dhe ambicie profesionale, që u thyen në mes papritur, për një shkak shumë të pakuptimtë: kundërvënia e shtetit ndaj koncepteve, përpjekje intelektuale të saj për shoqëri demokratike të vërtetë në Shqipëri.

Familja ku u rrit Erifili

Gjithashtu mund të lexoni

“Albert dhe Elena Gjika, dy prej figurave të mëdha të familjes, Elena ose Dora D’Istria, një ndër personalitetet më të rëndësishme në Bukuresht…”/ Historia e panjohur e tre shqiptarëve që drejtuan Rumaninë

“Në qershor 1853, Grigori shkoi në ekzil në Vjenë dhe kur trupat pushtuese u larguan në vitin që pasoi, ai mori përsëri në dorë drejtimin e Moldavisë, pasi…”/ Tre pinjollët e familjes Gjika që drejtuan Rumaninë

Me jetën e Erifili Bezhanit lidhen histori të spikatura karakteresh shqiptare, por shumë të dhimbshme dhe tragjike të një familje me prejardhje të hershme intelektuale. Të tilla janë jetët e fëmijëve të Pavllo Bezhanit nga Vlora dhe Amalia Kolea nga Berati. Pavllo ishte bir i familjes së njohur Bezhani, familje e madhe, e pasur, me aktivitet të madh tregtar eksport-import në Vlorë, Greqi, Itali deri në Egjiptin e largët. Bezhanët njihen në historinë e zhvillimit të tregut financiar shqiptar, pasi që nga viti 1850, hapën të parën bankë private në Shqipëri, e njohur fillimisht si “Banka Pandeli & Lefter Bezhani”.

Ndërsa Amalia Kolea ishte vajza e vogël e avokatit nga Berati, Kristo Kolea, përfaqësues i Monopolit francez të duhaneve “La Regie Des Tabac” në perandorinë Otomane në territorin Shqipëri, Greqi, Maqedoni. Amalia Bezhani ka qenë poete, e para vajzë shqiptare, e cila ka botuar poezitë e saj në revistën “Bleta Shqiptare”, botim i komunitetit shqiptar të Misirit në Egjipt, në fund të shekullit XIX-të, kur jetonte me të vëllanë, patriotin Sotir Kolea.

E mbetur e ve shpejt, në vitin 1918, Amalia Bezhani me mençuri të veçantë, jo vetëm që drejtoi dhe zhvilloi biznesin e familjes brenda dhe jashtë vendit, por u kujdes për shkollimin sa më të mirë të tre fëmijëve. Ndërsa vajzat, Erifili dhe Evrinomi studiuan dhe u diplomuan në universitetet e Francës, djali Aleko studioi për Ekonomi në Romë, Itali në mes të viteve ‘30-të. Për të tre ushtrimi i profesionit në vendlindje, bashkë me idealin për të ndryshuar dhe përmirësuar bashkë me jetën, edhe konceptet e vjetra fanatike shqiptare, u ndërprenë në moshën më produktive me ardhjen e PKSH-së në fuqi.

Cila ishte Erifili Bezhani?

Erifili Bezhani lindi në Vlorë në 16.11.1910. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, e ëma e dërgoi për shkollim në Korfuz. Pas mbarimit të shkollës së mesme, shkon në Francë me të motrën, ku studion fillimisht për Letërsi Frenge dhe më pas kryen studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Alix-en-Provence, në 1939. Vazhdon me studime të mëtejshme deri sa merr edhe “Licenciee en Droit”. Ushtron dy vjet profesionin e avokates në Marsejë, në vitet 1941-‘42, ku fejohet me një avokat të njohur aristokrat francez.

Kur ishte në kulmin e lumturisë, nga një fatkeqësi e së motrës Evrinomi, e diplomuar edhe kjo si “Profesorë e D’Etudes Francaises” në të njëjtin Universitet, Erifili Bezhani lë pas gjithçka dhe e shoqëron atë për në Shqipëri. Ishte kohë lufte, dimër i vitit 1943, kur dy motrat zbritën në Portin e Vlorës për të mos u larguar më kurrë prej luftës, deri në vdekje. Pas një qëndrimi në qytetin e lindjes, së bashku me nënën, dy motrat Bezhani largohen nga Vlora dhe në vitin 1944 vendosen në Tiranë. Gjenden shumë shpejt në qendër të grupeve me intelektualë të dalluar shqiptarë, shkolluar në vende të ndryshme të Europës. Në vitet e para të çlirimit, me fillimin e pushkatimeve të nacionalistëve, Erifili kupton se ardhja e Partisë Komuniste Shqiptare në krye të vendit, nuk ishte rruga që do të vendoste sistemin pluralist demokratik.

Ajo ishte si shumë intelektualë, që bashkë me shkollimin universitar jashtë atdheut, kishin përvetësuar, për fatin e tyre të keq e tragjik, bashkë me normat e edukimit perëndimor, edhe modelin e shoqërive të vërteta demokratike. “Është një reprezalje e frikshme, jashtë shembullit të vendeve europiane, ndaj duhet ndalur”, – shprehej tek të afërmit e vet, Erifili Bezhani. Ajo aktivizohet në lëvizjen antikomuniste të grupimit “Bashkimi Demokrat”, ku bënin pjesë anëtarë të grupit të Deputetëve, Liberal-demokrateve, social-demokratët, etj.

Miqtë e saj të përhershëm me të cilët shoqërohej, ishin intelektualë të njohur të kohës si Gjergj Kokoshi, Thoma Orogollai, Doktor Isuf Hysenbegasi, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Qenan Dibra, Musine Kokalari etj. Veterania e Luftës Nacional-Çlirimtare, Andromaqi Noçka, kujton: “Erifili ishte demokrate në shpirt, ashtu siç duhet të jenë sot politikanët.

Unë vija nga zonat e lira, rreth vitit 1945, kur takova pas shumë vitesh Erifili Bezhanin, ishte me Dhimitër Paskon, u ulëm në një lokal dhe të dy, mbaj mënd që bisedonin për politikë, rreth rrugëve për vendosjen e demokracisë. Jo vetëm në atë rast, por asnjëherë Erifili, nuk më tërhoqi vëmendjen për bindjet e mia politike, sepse dinte të respektonte çdonjëri.

I vetmi faj për të cilin u dënua Erifili, ishte se guxoi të fliste hapur, me zë të lartë vazhdimisht për vendosjen e demokracisë dhe për nevojën e pluralizmit politik në Shqipëri. Kishte një fjalor të pasur që shoqëronte argumentet rreth këtyre ideve. Aty u kapën edhe në dënimin e saj”. Për guximin dhe burrërinë që e karakterizonte Erifilin, ish-i dënuari politik, Dr. Isuf Hysenbegasi, ka lënë këtë kujtim: “Mes viteve 1945-‘46 një përfaqësues anglez bëri një takim me inteligjencën e Tiranës. Midis të tjerave, ai tha: Ne Shqipërinë nuk do ta lëmë në duart e komunistëve.

Në atë moment ndërhyri Erifili Bezhani duke thënë: Shikoni Egjiptin që po ju rrëshqet nga duart, sa për fatin e Shqipërisë, ai është përcaktuar tashmë. ‘Kush jeni ju zonjë’, e pyeti anglezi. ‘Jam një grua shqiptare’, – ju përgjigj Erifili Bezhani”. Në 16 maj 1947, pas arrestimeve të bujshme të “Grupit të Deputetëve”, të “Liberal-demokratëve”, etj., Erifili Bezhani arrestohet dhe nga fundi i vitit, dënohet me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit, duke u rreshtuar në historinë e burgimeve antikomuniste në të katër femrat e para shqiptare antikomuniste, që provuan bashkë me burgimin, edhe shijen e hidhur, torturat çnjerëzore.

Ish – i burgosuri politik, vlonjati Hysni Alimerko, shkruan në kujtimet e tij: “Erifili u dënua pothuajse në të njëjtën kohë me Musine Kokolarin, Shega Këlcyrën dhe Nurie Koculin, bijë e Qazim Koculit. Ishin katër femrat e para që u futën në burgun ferrë të Burrelit. Më vonë erdhën Drita Kosturi dhe Raile Luzi. Të gjitha ishin me karakter të fortë dhe të papërkulura”. Drita Kosturi në kujtimet e saj rreth torturave që hiqnin të burgosurat gra në burgun e Burrelit, përmend qëndresën e Erifili Bezhanit dhe shoqeve të saj: “Kam takuar shumë gra të burgosura me akuza politike, gra që përmbanin brenda vetes virtyte të larta të gruas shqiptare, të ushqyera nga tradita e brezave të tërë.

Gra me karakter të fortë, me shpirt të gjerë demokratik, në të cilat krenaria mbyste dhimbjen për kushtet në të cilat ndodheshin. Janë nga ato gra të cilave lotët u gëlltiteshin nga sytë pa mundur t’u rrëshqisnin faqeve, mes tyre Musine Kokalari, Erifili Bezhani, Frida Sadedini e mjaft të tjera”. Në nëntor, 1951, kur vuante burgimin në Burrel, emri i Erifili Bezhanit përfshihet në listat e amnistisë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, falë ndërhyrjes së miqve të vjetër të familjes, si Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, por edhe sepse familja e saj kishte mbështetur financiarisht Luftën Nacional-Çlirimtare. Që nga kjo kohë dhe deri në vdekje, nis etapa e dytë e mundimeve të Erifili Bezhanit për mbijetesë, me shumë mundime poshtërime dhe privime.

Privacionet pas burgut

Në vitin 1952, pas shumë ndërhyrje miqsh, hyn në Kolektivin e Avokatëve të Tiranës, ku nis punën si e para femër avokate. Thoma Haxhistasa, një nga avokatët e mbetur gjallë të brezit të vjetër, i diplomuar në Firence, Itali në vitet ‘30-të, djalë teze me Erifili Bezhanin, kujton: “Erifili ishte në ato vite e vetmja avokate femër në punë. Si femër, dallohej për qetësi, burrëri dhe elokuencë të shkëlqyer, ndërsa si profesioniste, ndiqte vijën e ashpër të logjikës juridike në argumentimin e fakteve dhe provave. Falë aftësive intelektuale të lindur dhe të kultivuar me finesë, të forcës së brendshme të veçantë, dinte të bënte mbrojtje të pakundërshtueshme. Brenda një viti në punë, u bë ndër avokatet më të kërkuara në Kolegjin e Avokatëve në Tiranë nga klientët”.

Në atë kohë u shfaqën hapur xhelozitë profesionale tek pjesa më maskiliste e kolegëve burra, që nuk mund ta konkurronin as profesionalisht. Punon vetëm një vit si avokate, pasi e përjashtojnë nga puna me motivacionin; “e pa denjë dhe e pa zonja”. Mban datën 13 tetor 1953 Promemoria, që e para avokate femër, tepër e fyer, por edhe me krenari të veçantë, i drejton Këshillit Mbikëqyrës të Avokatisë, ku me argumente logjikë, kundërshton vendimin për përjashtimin nga puna, duke kërkuar që të dëgjohet mbrojtja e saj: “Unë nuk jam e paaftë! Aftësia dhe zotësia ime provohet prej sukseseve që kam pasur unë në punë, suksese morale dhe materiale.

Kurrë nuk më është tërhequr vërejtja për punën time, për studimin e dosjeve, për përgatitjen e mbrojtjes, për paraqitjen e provave. …Prej punës sime, të gjitha paditë kanë ardhur në preferim nga njerëz të panjohur, të cilët nuk dinë as emrin tim, por vijnë e kërkojnë në Kolektivë ‘avokaten e trashë’…! Përveç punës sime si avokate, kam punuar edhe për Ministrinë, pasi të gjitha përkthimet prej shqipes në frëngjisht, i kam bërë unë jashtë orarit të punës dhe pa asnjë shpërblim. Gjithashtu jashtë orarit të punës, kam bërë edhe përkthime prej gjuhës ruse në shqip, prej nga ka përfituar e gjithë Kolektiva, si p.sh., Kodi Civil Sovjetik, që ka trajtë me të drejtën e trashëgimit. … Unë nuk jam e padenjë!

Përsa i përket moralitetit, mua më njohin shumë dhe të gjithë e dinë se kam kaluar një jetë austere dhe monastike, një jetë të pastër dhe të qetë, kushtuar vetëm studimeve. Fama ime personale nuk ka as njollën më të vogël në këtë pikë. Përsa i përket çështjeve politike, unë vërtetë kam qenë në burg, por në kolektivat e avokatëve të Shqipërisë, janë të shumtë ata që kanë qenë nëpër burgje për faje shumë më të mëdha se faji im, sepse unë me regjimet e së kaluarës nuk kam pasur asnjë lidhje dhe me okupatorët jo vetëm që nuk kam punuar, por i kam luftuar duke ndihmuar me të gjitha fuqitë e mia moralisht dhe materialisht Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Deri sa pushteti më rehabilitoi duke më kthyer të gjitha të drejtat, edhe të votës, nuk ka asnjë arsye që të më ndalohet e drejta e profesionit. Drejtonjësi i Kolektivës… u kishte thënë disa kolegëve, se unë u përjashtova se nuk kam triskën e Frontit…”!

Erifili Bezhanit nuk j’u dha triska e Frontit, ç’ka e shpallte në fakt “armike të popullit”, por e mbante edhe nën presionin e internimit, apo ri dënimit. Që nga vitit 1953, Erifili Bezhani nuk mundi të punojë më asnjë ditë si avokate, profesion, të cilit i kishte kushtuar studimet, si dhe përvojën 2-vjeçare si avokate në një nga qytetet më të mëdha të Francës, në Marsejë. Atë të drejtë që i dha shteti demokratik Francez, Erifili Bezhanit ja mohoi në vendlindje regjimi komunist.

Përpjekjet për t’u rifutur në Drejtësi, Erifili Bezhani nuk i rreshti deri në fund të jetës së vet. Në familjen Bezhani ruhet edhe një letër e saj e vitit 1956, drejtuar Hysni Kapos, mik i vjetër i familjes, ku i kërkon marrjen e triskave të Frontit për vete, mëmën dhe motrën, si dhe ri futjen në punë si avokate.

Pas përvojës së tmerrshme të burgjeve komuniste, aspak e frikësuar, Erifili Bezhani nuk nguron t’i drejtohet Hysni Kapos me krenari, duke i vënë në dukje të vërtetën e familjes Bezhani për ndihmën materiale për luftën Nacional-Çlirimtare si dhe aftësinë e saj profesionale si avokatja, që nuk humbi asnjë proces gjyqësor gjatë ushtrimit të profesionit:”… Unë dua që ju ta dini çështjen mirë, se nuk vij tek ju si mik i familjes për të kërkuar një favor, por si udhëheqës për t’i kërkuar që të ushtrojë influencën e Tij, me qëllim që të më jepen të drejtat që më takojnë në bazë të ligjeve të pushtetit popullor…”!

Erifili përkthyese

Nevoja për jetesë, kur dyert e drejtësisë ju mbyllën, e futën Erifili Bezhanin në botën e përkthimeve. Falë njohurive të shkëlqyera të disa gjuhëve, si frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe rusisht (të cilën e mësoi shkëlqyeshëm gjatë burgut), punon si përkthyese për disa institucione të ndryshme. Lidh kontrata përkthimi me Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, me institucione të tjera shkencore, me Legata të huaja në Tiranë. Botimi “Terminologji e Drejtësisë”, “Metoda e gjuhës shqipe për të huajt”, “Kodi Civili i BRSS”, shumë të tjera që gjenden në Ministrinë e Drejtësisë, “Studime të Akademisë Shkencave të BRSS”, “Punime të Stalinit mbi Linguistikën”; “Historia e teatrit “Balshoi”, “Historia e muzikës ruse”; recensione filmash, artikuj shtypi për Legatën Hungareze; “Kodi penal i RPSH”, Ligje të ndryshme për Legatën e Polonisë; librin “Bota e atomit”, botime në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe në shumë organe të tjera të shtypit të kohës, mbajnë përkthimet e Erifili Bezhanit.

Shumë miq dhe dashamirës, që vlerësonin vlerat dhe mençurinë e saj, i hapën rrugën e kontratave. Por nuk ishte e thënë që të vazhdonte me përkthimet. Pas burgimit të saj, familjen e Erifilit, nënën dhe motrën, organet e pushtetit i larguan nga “Rruga e Elbasanit”, ku jetonin në një vilë dhe i çuan në bodrumet plot lagështirë të një shtëpie të vjetër në Lagjen “1 Maj”, rruga “4 Dëshmorët”, Nr.36 në një dhomë të vetme, ku me komshinjtë e tjerë përdornin të njëjtin korridor si vend për gatim dhe një çezme të vetme. Njëri prej tyre, Sh.Z., polic injorant, por që për militantizëm komunist, dinte të bënte shumë mirë luftën e klasave, i shqetësonte vazhdimisht, deri sa në mes të vitit 1958, nuk i lejoi më të përdornin as çezmën, as vendin e gatimit.

E ndjerë e privuar deri në poshtërim, Erifili Bezhani, pas shumë ankesash zyrtare në organet e pushtetit lokal, që ranë në vesh të shurdhët, nuk mundi ta përballojë atë dhe e hodhi në gjyq. Por mori vendimin vdekjeprurës më të fundit të pushtetit komunist: dënimin që të bënte punë të detyruar si fshesaxhije nëpër rrugët e Tiranës dhe vetëm në turnin e tretë! Pas 6 muajsh pune të tillë poshtëruese për nivelin e saj intelektual, sëmuret nga ulçera, shtrohet me urgjencë dhe në operim e sipër, vdes.

Ishte data 15 Shkurt, 1959 kur Erifili Bezhani mbylli sytë në në sallën e operacionit në spitalin e Tiranës. Ishte vetëm 49 vjeç, avokate, e diplomuar për Drejtësi në Francë, por jeta i rezervoi në vendlindje fat tragjik, si rrallë pak femra të shkolluara jashtë vendit. Përveçse kontributit si intelektuale në vendosjen e demokracisë pluraliste perëndimore në Shqipëri, apo dënimit politik dhe burgimit si shumë të tjerë, Erifili Bezhani vlen të kujtohet dhe njihet si shembull i rrallë emancipimi, për brezin femëror shqiptar të viteve ‘30-të. / Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 15 Janar 2026

Next Post

“Albert dhe Elena Gjika, dy prej figurave të mëdha të familjes, Elena ose Dora D’Istria, një ndër personalitetet më të rëndësishme në Bukuresht...”/ Historia e panjohur e tre shqiptarëve që drejtuan Rumaninë

Artikuj të ngjashëm

“Albert dhe Elena Gjika, dy prej figurave të mëdha të familjes, Elena ose Dora D’Istria, një ndër personalitetet më të rëndësishme në Bukuresht…”/ Historia e panjohur e tre shqiptarëve që drejtuan Rumaninë
Personazh

“Albert dhe Elena Gjika, dy prej figurave të mëdha të familjes, Elena ose Dora D’Istria, një ndër personalitetet më të rëndësishme në Bukuresht…”/ Historia e panjohur e tre shqiptarëve që drejtuan Rumaninë

January 15, 2026
“Në qershor 1853, Grigori shkoi në ekzil në Vjenë dhe kur trupat pushtuese u larguan në vitin që pasoi, ai mori përsëri në dorë drejtimin e Moldavisë, pasi…”/ Tre pinjollët e familjes Gjika që drejtuan Rumaninë
Personazh

“Në qershor 1853, Grigori shkoi në ekzil në Vjenë dhe kur trupat pushtuese u larguan në vitin që pasoi, ai mori përsëri në dorë drejtimin e Moldavisë, pasi…”/ Tre pinjollët e familjes Gjika që drejtuan Rumaninë

January 14, 2026
“Familja Gjika, me origjinë nga Përmeti, emigroi në Vllahi dhe e sundoi atë për disa breza radhazi, që nga viti 1660, duke e bërë…”/ Historia e panjohur e familjes së famëshme shqiptare që la emër të madh
Personazh

“Familja Gjika, me origjinë nga Përmeti, emigroi në Vllahi dhe e sundoi atë për disa breza radhazi, që nga viti 1660, duke e bërë…”/ Historia e panjohur e familjes së famëshme shqiptare që la emër të madh

January 12, 2026
“Në periudhën e Monarkisë, revista ‘Shqiptarja’ shkruante se këto zonja organizuan disa gara noti dhe një garë të madhe të automobilave në Korçë…”/ Historia e panjohur e publicistes Ikbal Çika
Personazh

“Në periudhën e Monarkisë, revista ‘Shqiptarja’ shkruante se këto zonja organizuan disa gara noti dhe një garë të madhe të automobilave në Korçë…”/ Historia e panjohur e publicistes Ikbal Çika

January 11, 2026
“Në gjyqin e Koci Xoxes, përveç rastit të avokat Myzafer Pipa, që pasi e torturuan me hekur të skuqur e hodhën nga shkallët, u fol dhe për Koço Kotën…”/  Si e mbytën në Burrel, ish-kryeministrin e Mbretit Zog
Personazh

“Në gjyqin e Koci Xoxes, përveç rastit të avokat Myzafer Pipa, që pasi e torturuan me hekur të skuqur e hodhën nga shkallët, u fol dhe për Koço Kotën…”/ Si e mbytën në Burrel, ish-kryeministrin e Mbretit Zog

January 10, 2026
“Më 1 janar 1945 në Selanik, tre persona u paraqitën në derën e shtëpisë të z. Gjik Dallamanga, vjehrri i Koço Kotës, duke u paraqitur si…”/ Dëshmia e rrallë se si u rrëmbye ish-kryeministri i Shqipërisë
Personazh

“Më 1 janar 1945 në Selanik, tre persona u paraqitën në derën e shtëpisë të z. Gjik Dallamanga, vjehrri i Koço Kotës, duke u paraqitur si…”/ Dëshmia e rrallë se si u rrëmbye ish-kryeministri i Shqipërisë

January 11, 2026
Next Post
“Albert dhe Elena Gjika, dy prej figurave të mëdha të familjes, Elena ose Dora D’Istria, një ndër personalitetet më të rëndësishme në Bukuresht…”/ Historia e panjohur e tre shqiptarëve që drejtuan Rumaninë

“Albert dhe Elena Gjika, dy prej figurave të mëdha të familjes, Elena ose Dora D’Istria, një ndër personalitetet më të rëndësishme në Bukuresht...”/ Historia e panjohur e tre shqiptarëve që drejtuan Rumaninë

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme