Nga Lek Pervizi
Memorie.al / Dielli po perëndonte dhe mbrëmja po bëhej gati me ia lanë radhën natës. Unë isha shtri mbi krevat për me pushue pakëz. Pensionist, nuk kisha ndonjë punë për të krye. Papritur u dëgjuan disa britma fëmijësh. Aureli erdhi duke vrapue i ndjekur nga tre fëmijë të moshës tij. Ata ishin të inatosur dhe e shanin Aurelin me fjalë fyese. Kur me panë mua te dera, u stepën bukur larg, përtej urës prej dërrase mbi kanalin para shtëpisë.
-Aureli na ka thye me llastiqe xhamat e shtëpisë – bërtisnin një zanit ato çunat –
-Do të ia tregojmë qejfin.
Ishin fëmijët e një mekaniku të cilin e njihsha prej kohësh.
– Ç’kërkoni? Leni rehat Aurelin. Kthehuni në shtëpinë t’uej – u thashë dhe iu ktheva djalit tim.
– Aurel, çdo me thanë kjo ngatërresë? Mos ke thye vërtet xhamat?
– Po jo babi, të betohem se nuk kam bë asgjë. Xhamat e asaj dritareje janë thye para një muaj. Janë ata vetë që i kanë thye duke u gjuajt me gurë me shokët e tyre. Nuk e di pse kërkojnë të më akuzojnë tashti, që unë nuk kam mbajt as mbaj llastiqe kurrë.
Ndërkaq, katër-pesë çunakё të tjerë dhe seç flisnin mes tyre. Kisha përshtypjen se e kishin caktue at takim para banesës sonë për nji qëllim…bile, patjetӫr se dikush i kishte organizue. Pak ma vonë u kthye nga puna Doriani, djali i dytë, i cili u çudit kur i pa atë grup djemsh njaty para shtëpisë, afër urës. E urdhërova të futej në shtëpi e të mos dilte, e mos t’u thoshte asnjë fjalë.
Djem të tjerë iu bashkuan atyre dhe tashmë u bë njëfarë turme. Ishin diku nja pesëmbëdhjetë vetë. Vendosa me iu fol mbasi ata pretendonin se Aureli, u kishte thye xhamat. Po pse me e bë problem? Të gjithë e dinin se unë merresha edhe me punë xhamash. Mjaftonte të më kishin thanë dhe unë do t’ua kisha rregullue dritaren. M’u krijua përshtypja e nji rreziku të mundshëm. Dhe mendova se duhej me pazë kujdes me kësi horrash. U fola atyre qё pretendonin pёr thyerjёn e xhamava nga Aureli.
-Ndigjoni djema, unë e njoh mirë babën tuaj. Kam punue me të si shok pune, për gati 20 vjet. E kemi kalue mirë si në punë ashtu në shoqëri, dhe baba juaj asht mekanik e traktorist i zoti. E sa për xhamat, pse me e bë problem? Mjafton t’më kishit thanë dhe unë do i kisha rregullue. Kështu ndreqën punët midis nesh, e nuk asht nevoja me krijue ngatërresa e me u mbledh kёtu turmё para shtёpisё sonё. U përpoqa unë me e zbutë pak gjendjen.
Nuk mora asnjë përgjigje prej tyre. Veçse pashë që fjalët e mija kishin ndikue. Kur ja, të ardhurit e ri, ma të rritur, filluan me shfaqë nji sjellje agresive. E kuptova që ishte nji provokim i qëllimshëm. Filluan të shajnë.
-Armik i popullit! Agjent i imperializmit amerikan! Titist! Reaksionar! Carist dhe të tjera marina.
N’at kohë erdhi edhe djali im i madh, Leonardi.
-Ç’po ndodh këtu? – tha ai i shqetësuem.
Siç veprova me Dorianin, i thashë edhe Leos të hynte në shtëpi e të mos dilte prej andej.
-Me këta merrem unë…- i thashë.
Kur hodha sytë nga pallatet përballë, pashë se në dritare kishin dalë disa nga banorët me bë sehir. Pse? Sigurisht dukej se diçka ishte e kurdisur ndaj nesh. Dramë a tragjedi? Duhej me ruajt gjakftohtësinë deri në fund. Disa nga çunakёt ishin fёmijё tё tyre. Ç’donin aty? Pse s’i thirrnin e s’i qortonin ?
-Ndigjoni këtu djema! Ta merrni vesh njëherë e mirë, qё s’ju ka hije tё pёrdorni fjalё fyese. Ta merrni vesh mirё, se ne, megjithëse jemi të dënuem politikë si t’interrnuem, ne kemi të drejtën e mbrojtjes nga Shteti. Ne s’e kemi zgjedhë vetë me ardhë e me banue e punue këtu, përkrah baballarëve, nënave, vllazënve e motrave t’ueja. Në varemi nga Ministria e Brendshme, dhe ajo na ka sjellë këtu në Pluk. Po tё keni vërejtje, shkoni e takoni operativin.
-E po, ti din të flasësh, sepse ke bë shkollë në Itali, foli ma i rrituni ndër ta, por Partia na ka mësuar që të jemi vigjilentë me ju dhe mos të biem në rrjetin e merimangave të fjalëve të sheqerosura të armiqve tanë.
-Pa shiko, pa shiko. Ti mos je i biri i brigadierit Myrto? Nana dhe motrat e tua a nuk punojnë vallë me gruan time? Ti e di se sa mirë e çojnë me të. Pastaj janë afro 30 vjet që njihemi me fëmijën tënd, pa pasë asnjë mosmarrëveshje. Ua thashë edhe shokëve të tu, se ne varemi nga Ministria e Brendshme, vetëm asaj i japim llogari.
Në qoftë se ti, ke gjë për t’u ankue për ne, mbasi e mban veten vigjilent, kape operativin e zonës, kapiten Bardhin dhe shko e i thuaj se ti, na njeh ma mirë se ai dhe Ministria e Brendshme.
E ndjeja se isha i detyruar me u dhanë të tilla sqarime, sepse e kuptova se ky ishte nji provokim i ndytë i krijuar kastën, e me pasoja të këqija, e në rastin konkret ndaj meje e familjёs.
Ishte koha kur situata politike në vend kishte fillue me marrë nji kthesë të keqe për regjimin komunist. Tash ne ishim të ekspozuem nji rreziku të ri: goditjes së fundit të bishtit të përbindëshit që po ngordhte. Këta të rij patjetër ishin të nxitur prej ndonjë komunisti fanatik, me peshë në parti. Tashmë dritaret e pallateve përreth, ishin përplot me spektatorë për «filmin» që do të zhvillohej para syve të tyre.
Isha bë gati me përballue nji sulm të tyre, i mbrojtur nga ura, ku mund të kalonte vetëm njeni prej tyre. E pashë se qëllimi i tyre ishte me sulmue kundӫr meje dhe ndoshta me i vu zjarrin banesës sonë. Duhej me u tregua i vendosur, por edhe i matur. Grupit iu shtuan edhe do djem të tjerë, edhe ata ashtu me kërcënime.
-Ç’kujtoni ju, se ne do t’ju lemë të merrni pushtetin pa u derdhë gjak? Kurrë! Ju jeni armiqtë e popullit e të partisë! Partia jonë është e fortë dhe do të ua thejë kokën me grushtin e saj të hekurt!
-Namiku ka të drejtë, ndërhynë nja dy të tjerë,duhet t’i heqim qafë këta agjentët e imperializmit amerikan e të revizionizmit titist.
U detyrova me ndërhy. -E mora vesh. Ju thashӫ. Thirreni oficerin operativ, kapiten Bardhin, që përgjigjet për ne, dhe tregojini atij për sa paskeni vendosë të bëni. Shkoni dhe informojeni për këtë punë. Po kini kujdes, mos asht ky nji provokim i gabuar i juaj, dhe pasojat do të bien mbi ju dhe shokët tuaj.
Ti aty, a s’je i biri i traktoristit Sako? Ka tridhjetë vjet që njihemi e punoj bashkë me tët atë. Mos vallë asht ai që të ka mësuar me u sjellë me kaq arrogancë? Do ta pyes atë dhe ti e di mire se, do të më përgjigjet negativisht. Djaloshi e uli kokën, dhe ra në heshtje.
Nuk po kuptoja nga ishte sebep kjo punë. Dyshoja, por nuk i dihej. Mund t’ishte edhe nji akt i vetë këtyre vagabondëve. Por tashmë ishin shumë. Mbrëmja po binte ngadalë dhe dritaret e pallateve u ndriçuan, po asnjeri nuk po tërhiqej nga dritarja e vet.
Si duket ata ishin nё dijeni tё diçkaje dhe prisnin që të mbaronte filmi i programuar. Si do të ishte fundi? Edhe drita elektrike mbi shtyllën para shtëpisë sonë u ndez. Gruaja ime Beba, po vinte. I bana shenjë që të mos ndërhynte. Ajo më pyeti se ç’donin gjithë ata çuna aty. I thashë të futet brenda e tӫ rrinte me fӫmijӫt. Asnjeri prej tyre të mos lëvizte prej banesӫs.
Njeri prej të rinjve e ngriti zanin: -Ja Beba, kjo armikja e popullit dhe e partisë. Princesha Beba. Hahhahaha! Mbesa e Kral Nikollës të Malit të Zi! Ha, ha, ha, ç’princeshë…?!
Po, po, prandaj ajo asht shoqja ma e ngushtë e dy motrave të tua, me të cilat punon prej disa vjetësh! Pa pyeti ato se kush asht Beba. Dëgjoni tashti: po qe se ju keni ardhë për xhamat e thyem, kam dhanë fjalën që do t’i rregulloj qё nesër, e po patët ndonjë arsye tjetër, kthehuni të prindërit dhe te familjet tuaja.
Asnjërit prej tyre nuk ia mbajti me bë nji hap drejt meje. Ata prisnin njashtu të palëvizur, duke hedhë ndonjë fjalë fyese. Banesa jonë ishte pak si e izolueme. Nga nji anë rruga që na ndante nga pallatet. Nga veriu, 100 metra larg kalonte rruga e makinave. Nga ajo rrugë po vinte me vrap nji djalë, duke ulëritë e sha, dhe duke gjuajt me gurë drejt meje, që për fat asnjë s’më goditi.
Ishte Çimi, nji vagabond i njoftur që mbahej edhe si kapobandë i të rinjve të Plukut. Ai njihej si djali i dalur doret, rrugaç e i çakërdisur nga trutë. Kur u gjet midis grupit, vazhdoi të shante, por ma i përmbajtur, sa me thanë. Unë ia njihja mirë familjen, lushnjarë ortodoksë. Nji familje e qetë. I ati dhe xhaxhai ishin komunistë, kurse e ama e motrat, punonin edhe ato ne nji brigadë me Bebën, dhe shkonin mirë. Vetë Çimi, më përshëndeste sa herë me shihte, dhe tregohej dashamirës me fëmijët e mi.
-Pa dëgjo ti Çimi. Ti tregohesh aq i njerëzishëm kur me takon rrugës e më përshëndet. Sillesh mirë me fëmijët e mi. Dhe e di se sa mirë e çoj me babën dhe axhën tënd, që njihemi prej 30 vjetësh. Po motrat e tua, a s’janё shoqe tё ngushta tё gruas sime, qё punojnё tash disa vjet se bashku?
Si guxon ti të më gjuash me gurë, nji njeri që njerëzit e tu edhe ti vetë, e respektoni dhe asht ndër familjet e para bashkë me tëndën, që kanë ardhë me banue e me punue në Pluk? Kush ta ka mbushë mendjen, me u sjellë kaq harbutçe? Nuk e kam pritë prej teje këtë sjellje. Të të vijë turp!! Ai nuk u përgjigj.
Nga pallatet gjithë shikimet ishin përqendruar n’at skenë me të papritura. Shfaqja vazhdonte. Dramë a tragjedi. Drita e dobët e llambës së rrugës, para banesës sonë, i jepte skenës nji pamje të denjë për penelin e Rembrandit. Ra nata. Për çudi asnjeri nuk kaloi asaj rruge at natë. Dukej se njerëzit ishin të lajmëruam se diçka do të ndodhte aty, e kurdisur kundra familjes sonë.
Çimi, seç foli me shokët e vet, dhe befasisht nisi të vrapojë drejt sektorit. E gjithë banda vrapoi mbas kryetarit të saj dhe sa hap e mbyll sytë, u zhdukën si me shkop magjik. Unë mbeta i çuditur me atë ndryshim të papritur të bandës. Shfaqja kishte marrë fund. Dritaret e pallateve u mbyllën dhe u përplasën si me inat.
Unë u bashkova me të mijtë në kuzhinë, të gjithë ishim ende të shqetësuam për atë çka ndodhi e që mund të kishte kalue edhe në nji tragjedi. Gruaja ime Beba, e kishte kuptue menjëherë rrezikun që peshonte mbi ne atё mbrëmje. Dhe në mendjen e saj, ishte e vendosur me i bë ballë me sa të mundej me djemtë. Dy duar për nji kokë. Rreziku kishte kaluar papritur. Sigurisht kishte ndikue edhe gjakftohtësia ime përballë asaj turme rrugaçësh, të nxitur. Nuk u isha trembë kopesë së zagarёve…!
E ndërsa ne këmbenim mendimet tona, dëgjuam zanin e kojshijës mbas banesës sonë.
-Beba! Beba…! Dil në dritare, se kam diçka për të thënë.
Mbas disa minutave Beba u kthye gjithë vajë. Ç’kishte ndodhë vallë? Përmes lotëve ajo nisi të na tregonte:
-Kanë vra vëllanë e Faik Gjyshes, i shkreti djalë! Kojshija më tregoj. Kur Çimi mori vrapin e u largue me bandёn e tij, kishte shkue e ra nё qafё vёllait tё Faikut, duke e therё me thikё, pastaj të tjerët e kishin mbytë me tulla…!
E gjithë ajo që ishte përgatitë për ne ose për mua personalisht, si duket kishte shkua me u zbatue te ai djalë i ri. Tragjedia që po i përgatitej familjes sonë, shkoi dhe u realizua te nji familje tjetër, nji familje e urtë, edhe e afërt me partinë. I ati i të vramit, mbante pushkë dhe ishte roja e depos së armëve. Ai kishte dashtё me gjuejt mbi bandёn, por s’e kishte lanё djali i madh, Faiku.
Krejt sektori kishte mbetë i tronditur. Ç’po ndodhte? Ç’ishte ky shpërthim kriminaliteti? Viktima ishte e njoftur si nji i ri i urtë, i qetë dhe zemërmirë. Po gjithkush e kuptonte se ajo tragjedi, kishte ndodhë nga mosrealizimi i tragjedisë së parë ndaj nesh. Tuj mos mundë me krye misionin e tyre kriminal, kundra nesh, kishin shkue dhe kishin shfry mbi shokun e tyre moshatar, pa asnjë shkak. Njashtu kot. Si të ishte nji lojë e fatit.
Nji flijim qӫ duhej bë patjetӫr. Drejt me thanë, edhe pse po jetonim ditë plot shpresë, ishim tejet të shqetësuem. Rrëzimi i parashikueshëm i diktaturës komuniste i kishte shty disa individë të organizuar prej Partisë dhe Sigurimit, të kryenin reprezalje kundër shtresës kundërshtare si e jona.
Nji situatë e tensionuar anarkie kishte filluar me u përhapë me shpejtësi gjithandej. Populli po e kuptonte se sistemit të terrorit absurd, që kishte sundue për 46 vjet, i kishte ardhë fundi. Flitej se po ta merrnim ne fuqinë në dorë tё pёrdjekunit, do të hakmerreshim ndaj tyre. Atëhere pse mos të na hiqnin qafe qysh tani, të parët?
Ajo natë kaloi pa ngjarje të tjera. Të nesërmen në mëngjes, ndërsa isha i vetëm në shtëpi e po përgatitsha kafen, dikush më thirri nga rruga. Ishte Hyseni, nji mekanik me të cilin mbaja nji miqësi tӫ mirӫ, ndonëse formale. Ai ishte komunist, e kështu kishte zanë nji punë të mire si tornitor, po njeri i drejtë. Kishte respekt e konsideratë për ne, sepse nji axhё i tij, ish- oficer, kishte shërbye me babën tim, me gradën toger, pra kishte simpati për të, si nji nga oficerët ma të ngritur të ushtrisë dhe figurë e shqueme e patriotizmit shqiptar.
-Të lumtë Lekë! Ti e more vesh se ajo që e gjeti vëllanë e Faikut, ishte përgatitë për ty. Ke ditur të kontrollosh situatën në sajë të gjakftohtësisë sate dhe të shpirtit tënd fisnik. Ti arrite t’i çarmatosësh me fjalën tënde, atë grup vagabondësh e keqbërësish të organizuar. Patjetër e ke kuptue se nga të vinte ajo goditje. Ti e kupton se unë nuk mund të them më tepër. Por mos u shqetëso, sepse pas kësaj ngjarje tragjike, çështja është mbyllur. Atij që kupton, thuaj fjalë pak. Lamtumirë mik!
Ishte më të vërtetë nji lamtumirë, sepse mbas asaj dite ne nuk u pamë as u dёgjuem ma kurrё. Mbasi ai u largua, unë rrija i mendueshëm. Komunistët, si duket tashmë ishin pendue që s’na kishin shfarosë ma përpara, qysh kur e morën pushtetin para 46 viteve. Gjithë sa ju kallëzova ma sipër, ishte kurdisё pёr njё tragjedi qё do tё pёrfundonte patjetёr nё tragjedi. Vetëm se fati s’ kishte dashtë që të ndodhte në familjen tonё. Ishte e drejtё thënja: Njeriu bën çmos, Zoti vendos. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016