Nga Uvil Zajmi
Memorie.al/Brezi i ri, kryesisht ata që kanë lindur pas viteve ’90-të, shumë pak mund ta dinë se cili ka qenë Niko Bespalla, futbollisti me gjuajtjen e tmerrshme e më të fuqishme që ka parë futbolli shqiptar? Djali i një familje të ardhur nga Rusia, fëmijëria, rinia, “Lokomotiva” e Durrësit, “Partizani” e “Dinamo”, te Flora, si dhe rrëmbimi e dashuria me bukuroshen e “Emin Durakut”. Ndëshkimi për një grusht kallaj, deri te puna në fermë. Golat spektakolarë, takimi me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, Muho Asllanin, drama për humbjen e djalit, futbollist. Çfarë bën sot Nikolla Bespallov, lojtari mit i viteve ’60-të? Historia e panjohur e një prej legjendave të futbollit shqiptar që kujtohet edhe sot me mjaft nostalgji nga të moshuarit durrsakë e jo vetëm, të cilët e kanë ndjekur dikur futbollin, si tifozë të zjarrtë.
Fëmija i një rusi të bardhë
Historia e Niko Bespallës (apo Nikolla Bespallov, siç është emri i tij i vërtetë), nuk është vetëm ajo sportive, por edhe familjare. Madje, shumë e veçantë…! I ati, Spiridon Bespallov, një rus i bardhë, shumë fisnik, oficer madhor, pas largohet me familjen nga Rusia rreth viteve ’20-të, vjen në Shqipëri. Fillimisht qëndron në Tiranë, pastaj në Durrës. I martuar me Varvarën, dasmë që e pati bërë në Titograd, lindin tre fëmijë: Nikolla është djalë i vetëm i dy motrave. Ashtu si shumë të tjerë, për pasoja që mund të kishte për kohën e më pas, mbiemri Bespallov u transformua në Bespalla. Kështu e kanë njohur dhe pak e dinë se ai i vërteti është Bespallov, mbiemër i rëndë i denjë për një sportist kalibri.
Rinia, shumë shpejt protagonist
I lindur në vitin 1938, Niko Bespalla, shumë shpejt ingranohet me skuadra futbolli të moshave në Durrës, ku dallohet nga të tjerët. Luante mirë dhe u aktivizua me të rinjtë e ekipit “Lokomotiva”. Në vitin 1956, federata organizoi një turne kombëtar dhe qyteti i Durrësit do të përfaqësohej me një skuadër të seleksionuar me futbollistë nga Kavaja, Shijaku e Durrësi. Të rinjtë e Durrësit janë kampionë, ai është kapiten skuadre dhe trajneri Adem Karapici e afron me skuadrën e parë të Lokomotivës. Është vetëm 19 vjeç, sezoni futbollistik 1957 luhet me tetë ekipe dhe papritur ai realizon 17 gola. I gjatë 1.72, ka një gjuajtje të fortë që e dallon nga të tjerët, si dhe një fizik robust, as sa konsiderohet nga specialistët si futbollist me të ardhme.
Shërbimi ushtarak, te Klubi Sportiv “Partizani”
Viti 1957. I zbuluar si talent ai merret për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak trevjeçar te Sport-Klub “Partizani”, ku qëndron deri në vitin 1960. Fiton dy herë titullin kampion, duke qenë pjesë e triumfit të skuadrës në Lajpcig, kur klubi zuri vendin e dytë dhe mori medaljet e argjendta në turneun e futbollit të Ushtrive Popullore të vendeve të Demokracisë Popullore, siç quheshin në atë kohë vendet e Lindjes Komuniste. Luan në krah të Sul Maliqatit, Fatbardh Deliallisit, Miço Ndinit, Besim Fagut, Rexhep Merjes, Mexhit Haxhiut, Dedës, Lin Shllakut, Panajot Panos, Refik Resmjes, Kolec Krajës, etj., me trajnerë Borinin dhe Xhep Spahiun. Mbante në fanellën numrin 8, që për kohën tregonte edhe pozicionin si gjysmësulmues që futbollisti kishte në fushë. Por, para transferimit një ngjarje sportive do të regjistronte një tjetër moment historik të karrierës së tij…!
Penalltia e humbur…!
Kur kanë mbetur edhe tri minuta lojë dhe rezultati është 0-0, arbitri e njohur kryeqytetas Ramazan Kuka, pati akorduar një penallti për “Lokomotivën”, që luante kundër “Partizanit” në Tiranë. Të pranishmit në Stadiumin “Qemal Stafa” kanë mbajtur frymën, kur Bespalla i është afruar pikës së bardhë, ka goditur fuqishëm, por topi është pritur nga portierë Maliqati. Ndërkohë, “Partizani” ka shfrytëzuar hutimin e durrsakëve dhe në pak çaste ka shënuar dy here, duke e fituar ndeshjen 2-0. Ka qenë 3 nëntori i vitit 1957 dhe Bespalla atë ditë nuk e harron, pasi një javë më vonë, do ta merrnin të kryente shërbimin ushtarak te “Partizani”. Por humbja e penalltisë ka lënë një shije jo të mirë te tifozët: “E dije që do të shkoje te Partizani, prandaj e ke humbur qëllimisht”, ishin akuzat ndaj tij. Por, ka qenë e kundërta: “Dy javë më ka dhembur dora nga pritja e gjuajtjes sate”, i ka thënë Sulejman Maliqati, kur u takuan së bashku në Klubin Sportiv “Partizani”. Dhe sfida e parë me fanellën e “Partizanit” në një miqësore ndaj rusëve të “Krilla Sovjet”. Një përballje krejt rastësore, por çuditërisht e lidhur edhe me prejardhjen e tij. Madje, nuk do të ishte as e para dhe e fundit ndaj rusëve.
Tifoz i “Dinamo”-s, ikën nga “Partizani”
Ndonëse e i’u lutën të qëndronte te “Partizani”, një ndjenjë tjetër e shtynte të shkonte te ekipi “Dinamo” që asokohe ishte nën vartësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ashtu si në të gjithë Lindjen Komuniste. Tifoz me këtë skuadër që në fëmijëri, pa mbaruar ushtrinë (viti 1960), ndërsa luhet faza e dytë, ai është pranuar te “Dinamo” dhe emri Niko Bespalla figuron i regjistruar si efektiv te ky klub. Në nëntor luhet një takim miqësor midis “Partizanit” dhe një ekipi rumun e, në banketin e organizuar mungon vetëm Bespalla, i cili tashmë e kishte shpallur ndarjen me “Partizani”-n, për të hapur një tjetër cikël, atë me “Dinamo”-n. Nuk pati presion nga titullarët e lartë ushtarakë të kohës, por vetëm Refik Resmja dhe Robert Jashari, ishin miqtë që tentuan t’ia ndryshonin mendjen, por pa dobi.
Largimi dhe kthimi surprizë
Janar, janë ditët e para pranë klubit të ri. Të gjithë lojtarët e skuadrës qëndrojnë të sistemuar dhe flenë në dhomat e stadiumit “Dinamo”, që për shumë vite ka shërbyer edhe si klub. I kanë caktuar një të tillë bashkë me portierin Mile Qoshe, por i mërzitur, i pa ambientuar me mjedisin gri e të ftohtë të stadiumit, vendos ta braktisë “Dinamon”. Bashkë me futbollistin A. Dume, pa njoftuar askënd, kthehet në Durrës dhe fillon stërvitjen me ekipin vendas, “Lokomotiva” Ndërkohë, kampionati ende nuk ka filluar dhe në prag të tij, “Dinamo” luan një ndeshje miqësore në Shijak me vendasit e “Erzeni”-t. Për të parë takimin, i pranishëm është edhe Bespalla. “Shkova për të ndjekur ndeshjen, – tregon ai. – Më vijnë tifozët e “Erzeni”-t dhe të “Dinamos” e më luten që të luaj në pjesën e dytë me “Dinamon”. Dikush i dha një palë këpucë, një tjetër mbathje dhe fanellë e, pamenduar gjatë, Bespalla shfaqet në fushë me “Dinamon”. Pas pak ditësh, në kryeqytet, skuadra dinamovite luan një tjetër miqësore me “Vllazninë” e Shkodrës, që mbyllet me një gol të Bespallës. “Niko Bespalla luan me “Dinamon”, por jo me dokumente të rregullta federimi. Ai është lojtar i “Lokomotivës” dhe duhet të kthehet në Durrës”, shkruante asokohe në mes të tjerash në një shkrim gazeta “Sporti Popullor”.
Transferim i rrallë, normal për kohën
Për të bërë kalimin zyrtar të Bespallës te “Dinamo”, klubi kishte projektuar një variant, krejt unik për kohën. Luhet një turne për Kongresin e 5-të të Partisë së Punës dhe në Durrës në një miqësore, janë përballë “Lokomotiva” dhe “Besëlidhja” e Lezhës. Me drejtorin e stadiumit “Dinamo” ai niset herët paradite për në Durrës, duke u paraqitur fillimisht në Degën e Brendshme, te kryetari i asaj kohe, Kolonel Kopi Niko. Pastaj në fushën e vjetër, atje ku do të realizohej edhe transferimi zyrtar: Sipas marrëveshjes, ai kishte veshur fanellën e “Lokomotivës”, duke bërë paraqitjen me skuadrën, si dhe shkelmimin simbolik të topit, për t’u larguar më pas nga fusha, pa kuptuar askush se çfarë po ndodhte. Nuk i foli njeri dhe ai u largua në heshtje nga Durrësi..! Te blutë e “Dinamo”-s, tashmë e prisnin Skënder Jareci, Skënder Halili, Selim Gjoci, Halluni, Aurel Verria, Tallushi, Mehdi Bushati, Stavri Lubonja, Duro, Shyqëri Rreli, Beliu, Vorfi, Bet Vila dhe trajneri Zyber Konçi.
Dashuria dhe rrëmbimi i vajzës bukuroshe…!
Ardhja në Tiranë te “Dinamo” është e lidhur me tri momente të paharruara për jetën e tij: Bespalla aktivizohet me klubin e njohur shqiptar, që e ka regjistruar në Politeknikumin “7 Nëndori”, por edhe dashurohet. Një dashuri jo si të tjerat. Ndërsa vinte në klub, duke kaluar pranë shkollës “Emin Duraku”, zbulon bukuroshen Flora, një atlete, pinjoll i familjes Dajçi, personazhe të njohur të sportit të atletikës. Ka mjaftuar një tingëllimë zileje e biçikletës (markë ruse, femrash) me të cilën ai lëvizte, për t’ia tërhequr vëmendjen, madje në këtë dashuri kanë kontributin e tyre edhe Taip Çutra, Aagim Janku, Lad Balluku, V. Lleshi e Faruk Sejdini, nxënës të një klase në ‘Polikum’, që e lajmëronin shoqen e tyre, se kishte ardhur Niko. Pastaj rrëmbimi, kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe, një histori dashurie si në filma, që e tillë është edhe sot. Lindën katër fëmijë, dy djem e dy vajza, nga të cilët djali…!
Në Bullgari, ndeshja më e bukur
Në karrierën e tij gati 20-vjeçare, Niko Bespalla ka luajtur më shumë se 400 ndeshje, kampionate, kupa, por edhe sfida ndërkombëtare. Por, atë të zhvilluar në Bullgari, sfida për Kupën Ballkanike ndërmjet “Levski” i Sofjes dhe “Dinamo” e Tiranës, e kujton dhe e vlerëson si ndeshjen më të bukur të karrierës së tij. Ndeshja përfundoi në barazim 2-2. Për “Dinamon” ishte Mehdi Bushati autori i dy golave. Megjithatë, për Bespallën kjo sfidë mbetet më e veçanta: e kujtuan si lojtar të marrë nga ‘Barcelona’, për atë çfarë demonstroi gjatë ’90-të minutave. Ndërkohë, me Kombëtaren nuk ka asnjë ndeshje. Janë vitet e mos përfaqësimit në aktivitetet europiane (1953-’57 dhe 1958-’63). Vetëm turne me ekipin përfaqësues të Tiranës, që konsiderohej në mjaft takime si ekipi kombëtar, si dhe me klube në Bashkimin Sovjetik apo vendet e tjera të Lindjes Komuniste të asaj kohe. Nga 1 maji i ’58-ës, kur në Tiranë u luajt kundër Republikës Demokratike Gjermane (1-1) gol i Kolec Krajës, skuadra kombëtare u rikthehet takimeve zyrtare. Kjo ndodhi në vitin 1963, saktësisht më 29 qershor, në Kopenhagë 4-0 me Danimarkën.
Me Bylykun, dyluftimi i paharruar
Niko nuk ka pasur frikë nga asnjë mbrojtës dhe asnjë kundërshtar. Vetëm kundër Nuri Bylykut të ekipit “17 Nëndori” e ka pasur mjaft të vështirë. Ai ishte një lojtar fanatik për trajnerin, i fortë dhe me një markim të “bezdisshëm” për kundërshtarin. Gjithmonë trajneri e vendoste në mbulimin e lojtarëve më problematikë që kishte skuadra tjetër. (Një duel i tillë historik është edhe ai Pano-Bylyku, i njohur për rivalitetin sportiv midis futbollistëve). I tillë ka qenë edhe dyluftimi Bespalla-Bylyku. Ndërsa “Besën” e kishte skuadrën, së cilës i shënonte në vazhdimësi. Madje, edhe rekordin me katër gola në një ndeshje e ka regjistruar pikërisht, me “Besën” në Kavajë.
Goditja, e cila i hoqi nishanin nga trupi
Sezoni 1963-1964, dhe Bespalla është vendosur përfundimisht në Durrës, madje si titullar me “Lokomotivën” që luan kundër “Partizanit”. Në një çast të lojës tenton, t’i shkëputet mbulimit të Miço Papadhopullit, i cili ndërhyn rëndë, duke e goditur me taka në bel, i gris fanellën, njëkohësisht i shkëputet nga trupi një nishan, që i shkaktoi një plagë në trup të cilën i’a mjekuan. Nuk e harron atë moment kur nuk pa nishanin, pasi pati një çast hutimi dhe tronditje nga gjaku që i rridhte. Fanellën e asaj ndeshjeje e qepi dhe për shumë takime luajti me të, madje për një kohë të gjatë e ruante si të vetmin trashëgim nga jeta sportive. Por, koha, rrethanat, moskujdesi, indiferenca, bënë që ta humbiste për të mos e gjetur kurrë atë, si të vetmin kujtim që i kishte mbetur nga karriera sportive.
Pse më ngjason me Sivorin e famshëm…?!
Nuk e di, por Niko Bespalla të kujton Omar Sivorin e famshëm, ish-argjentinasin e Juventusit të viteve ’60-të. Një karrierë thuajse e afërt në mjaft aspekte: E njëjta shtat lartësi dhe paraqitje, i njëjti pozicion në fushë, inteligjencë natyrale, aftësi dribluese, ego, agresivitet loje, protagonist për skuadrat dhe kohën që luajtën, rebelë në fushë dhe jashtë saj. Edhe Bespalla i kundërshtonte vendimet e arbitrave, duke protestuar me dorën lart që e kishte si shenjë mos aprovimi të vendimeve të tyre. Me arbitrin e njohur shkodran, Baki Dibra, ka edhe largimin më spektakolar nga fusha e lojës…! Sezoni 1963-’64, në Durrës, luhet “Lokomotiva” – “Besa”. Gjyqtari i takimit, Dibra, e thërret, i kërkon numrin për ta këshilluar. Nga nervozizmi, Bespalla i kthen kurrizin…! E dënuan të mos aktivizohej në 5 ndeshje, pasi sjelljen e tij Komisioni i Disiplinës e konsideroi me të drejtë si gjest antisportiv.
Kur e kujtuan të arratisur…!
Viti 1962, ndodhet në Stamboll me skuadrën e “Dinamo”-s për Kupën Ballkanike. Krejt papritur në Tiranë, u hap fjala se Panajot Pano e Bespalla janë arratisur. Të shqetësuara, dy motrat e tij trokasin në dyert e Ministrisë së Brendshme, për t’u informuar. Nuk i presin e as i japin informacion, pasi edhe ata dyshonin për lajmin që qarkullonte. Natyrisht që në pak ditë situata u qetësua dhe u sqarua se lajmi nuk ishte i vërtetë. Por, duhej të vinte vapori “Partizani”, me të cilin udhëtonte skuadra në kthim, që në portin e Durrësit, dy motrat që prisnin anijen, të përqafonin vëllanë e tyre.
Braktisja e kryeqytetit
Te “Dinamo”, Bespalla luajti në dy vite, 1961 dhe 1962. Largimi i tij përfundimtar nga klubi dhe kryeqyteti, ishte i papritur. Ka një gjendje të mirë fizike, është në formë dhe me “Dinamon” është titullar. Në stadiumin “Dinamo”, do të luhet për Kupën Ballkanike, midis “Dinamos” dhe “Levskit” të Sofjes, kur trajneri e thërret dhe i komunikon se do të qëndrojë në stol, për të qenë më i freskët për pjesën e dytë. I revoltuar, qëndron në dhomë, kundërshton të zhvishet e të ulet në stol e ndërsa i nervozuar lëviz në korridorin e katit të dytë të stadiumit, përballet me ministrin e Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiun. Të nesërmen, zhvillohet një mbledhje urgjente dhe vjen urdhri që e përjashton nga aktiviteti sportiv. Rikthehet pas një viti, por jo më me “Lokomotivën”, por e lejojnë të luajë në Shijak, me “Erzeni”-n, në kategorinë e dytë. Luan në finale ndaj “Traktori”-t të Lushnjës, një ndeshje e paharruar: tension, madje thuhet se edhe krisma armësh u dëgjuan. Fitoi “Erzeni”, por federata përsëriti ndeshjen që u ri luajt në Tiranë dhe Lushnja fitoi takimin. Vetëm në sezonin 1963-’64, Bespalla do të jetë titullar me Lokomotivën, ku gjen miqtë e tij, trajnerin Tom Gjini, por edhe Telin, Cikon, P. Konomin, Dajën, Golashin, Gramin etj.
Goli që e bëri të famshëm…!
Goli më i bukur, që i dha më shumë famë, është ai i realizuar kundër Partizanit, në Durrës në sezonin futbollistik 1964-’65. Ja si e kujton Mikel Janku, portieri i njohur atë moment: “Arbitri akordoi një goditje dënimi për “Lokomotivën”, ballore, rreth 30 metra larg. Organizova murin mbrojtës, duke i lënë një hapësirë të vogël pozicionit tim. Pasi ka vendosur topin, Bespalla fillon numërimin mbrapsht, pra me kurriz nga topi që shoqërohej në kor gjithmonë nga publiku. Vetëm 16 hapa, kthehet merr vrull dhe godet. Ka qenë një gjuajtje rrufe, predhë e vërtetë, të cilën nuk munda ta ndal dhe topi përfundoi në rrjetë”. Për Bespallën, ai ritual ka qenë sistematik në ndeshje kur jepej një goditje dënimi. “Ishte një distancë vrulli që më jepte shpejtësi e forcë goditëse, pas së cilës topi merrte një parabël, që ishin karakteristike për goditjen time. I gjithë stadiumi e priste me padurim një moment të tillë. Por edhe Teliti ka pasur një gjuajtje të tillë”, tregonte Bespalla.
Ndaj gjermano-perëndimorëve të Këlnit, për një gjuajtje
Ishte viti 1964 kur “Partizani” u ndesh në Kupën e Kampioneve ndaj Këlnit të famshëm ku luante i madhi Overat. Në shtator shtator të atij viti, në Stadiumin “Qemal Stafa”, i tejmbushur si rrallë ndonjëherë, luhej takimi i parë dhe Bespalla është marrë si përforcim me një motiv: vetëm për gjuajtjen bombë që zotëronte. Dhe çasti erdhi. Ishte dhënë një goditje për “Partizani”-n, në një pozicion shumë të favorshëm për Bespallën, te porta nga kodrat e liqenit. Ndërsa ai po përgatitej të godiste, Pano e Jashari, janë kombinuar midis tyre, duke i’a humbur këtë mundësi shënimi. Madje ajo sfidë ka edhe dy detaje të veçanta, por, për t’iu shmangur çdo verifikimi, edhe radio kronistët ishin udhëzuar të mos ia përmendnin emrin, por vetëm: “Topin e ka gjysmësulmuesi…”. Dhe në takimin e kthimit në Këln, ai nuk udhëtoi me skuadrën, pasi ishte dhënë një urdhër për të mos e marrë me vete në atë takim. Të njohur të familjes kërkuan ta takojnë, duke menduar se do të ishte pjesë e skuadrës, por të zhgënjyer janë larguar nga hoteli kur janë njoftuar se: “për arsye dëmtimi”, Bespalla nuk ka ardhur në Këln.
Më 1967-ën, shtatë vjet heqje lirie
I kanë privuar lirinë për një grusht me kallaj, vlefta e të cilit shkonte deri në 25 mijë lekë. Punonte si magazinier në Ndërmarrjen Industriale të Prodhimeve dhe ishte një mik që ia kërkoi. Por e kanë “zbuluar” dhe sipas nenit 80 të Kodit të Procedurës Penale, ai veprim konsiderohej përvetësim i pronës së pasurisë socialiste. E kanë dënuar me 7 vjet heqje lirie, një vit në Spaç, pastaj në kampe pune. Karriera e tij tashmë kishte përfunduar njëherë e përgjithmonë. Drama kishte goditur atë, familjen, miqtë, opinionin sportiv. Askujt nuk i besohej se njëri nga futbollistët më të famshëm, Niko Bespalla, ishte ndëshkuar nga gjykata për një grusht kallaj. “Mundet të ishte edhe si një hakmarrje nga braktisja që i bëra klubit “Dinbamo”, një veprim që acaroi zyrtarët e dikasterit”, gjykon Bespalla.
Në Fermën e Sukthit, e kërkon Muho Asllani…!
Pas daljes nga burgu, Niko me bashkëshorten, sistemohen me punë në sektorin e Fermës Bujqësore të Sukthit. Në atë kohë, Muho Asllani, sekretar i Parë i Komitetit të Partisë, vizitonte fermën. Bespallën e largojnë për të mos e takuar, ndërsa shoferi i tij, Petrit Pullazi, për një çast ka parë Florën, gruan e tij dhe i thotë shefit të tij, Muho Asllanit: “Kjo është gruaja e Niko Bespallës”. “Po Niko ku është”?, iu drejtua ai. “E kanë fshehur”, ishte përgjigjja hazërxhevap e shoferit. Pa mbaruar mirë fjalën ai, Sekretari i Parë i Durrësit, ka urdhëruar t’ia sjellin aty për ta takuar. Shpejt e kanë njoftuar dhe me një biçikletë ka mundur të vijë. Pasi e ka parë të rënë moralisht, të dëshpëruar, Muho Asllani e ka përqafuar atë, në shenjë respekti dhe mirënjohje për të gjithë kontributin që kishte dhënë si futbollist i atij rrethi. Niko Bespalla me bashkëshorten punoi në atë ndërmarrje bujqësore deri sa doli në pension në vitet ’90-të, duke trashëguar vetëm një pasuri monetare prej saj, shumën prej 125 mijë lekësh të vjetër, të një pensionisti tashmë…!
Sa afër dhe larg vdekjes
Fusha, kundërshtarët, asgjë nuk e ka mposhtur, por viti 1981 ka qenë më i trishtuari për të, gruan, familjen, kur papritur i ndahet nga jeta djali në moshë të re, i cili, pas një viti në gjendje kome, nuk mundi të jetonte më. Vitet e fundit, vetë ai u godit nga një shqetësim, një plagë në këmbën e djathtë, pikërisht tek ajo që i dha famë. Luftë disamujore për t’a mposhtur dhimbjen e për të jetuar. Ka kaluar një kalvar të pa treguar, nga njëri spital te tjetri. Një angazhim i madh i mjekëve, në tentativë për ta shpëtuar, kanë mundur t’ia kthejnë shëndetin, entuziazmin dhe dëshirën për të jetuar e treguar. Trashëgimtari i vetëm, djali i tij, Justini, ka luajtur me “Teutën” e Durrësit, ndërsa ka shpresë tek i nipi. Tashmë 75-vjeçar, Niko Bespalla është shumë simpatik, ruan një kujtesë të mahnitshme, të shtang kur dëgjon t’i tregojë ngjarjet, personazhet deri në detaje.
Niko ka qenë një mit i vërtetë për kohën dhe ashtu i thjeshtë, jetoi së bashku me bashkëshorten, Florën, në një apartament modest në Durrës, deri sa u nda nga jeta më 27 mars të vitit 2017. Nuk do të kishte bërë asnjë sport tjetër përveç futbollit, edhe pse detin e ka pasur shumë pranë. Pak vite, (1993-’97) punoi si trajner i moshave në qytetin e Shijakut. Nuk shkoj në stadium edhe pse deri sa u nda nga jeta, në tribunën VIP të “Niko Dovana”-s ka qenë një ndenjëse me emrin e tij, vendosur nga i famshmi Tut Leshteni (ish-kapiten i “Lokomotivës”) e Presidenti Soport-Klub “Teuta”, Mon Hasanbelliu. Nga ajo kohë, pak relike i kishin mbetur. I vinte keq për fanellën e famshme dhe medaljet e argjendta që nuk i kishte më. Diku të dhëna e të pakthyera, diku të falura, arkivin e kishte me pak kujtime të mbetura. Ishte njeriu që jetoi kohën e futbollistëve ikona të viteve ’50-të, luajti në krah me legjendarët e viteve ’60-të, duke qenë edhe ai protagonist i padiskutueshëm midis tyre. Në veçanti, edhe për gjuajtjen e famshme! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016