Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Baba Reshat Bardhit, ish-Kryegjyshit Botëror të Bektashinjëve me origjinë nga fshati Lusen i Çajeve të Kukësit, të cilit në shtatorin e vitit 1944, forcat partizane i dogjën shtëpinë duke qenë të gjithë pjesëtarët e saj brenda dhe më i vogli nga tetë fëmijët, mezi mundi të dalë jashtë më ndihmën e prindërve pasi ishte përzhitur nga flakët.
Shpërngulja e familjes Bardhi nga vendlindja e tyre pasi babai i Reshatit iu tha atyre se një mynxyrë tjetër më e madhe pritej të binte mbi familjen e tyre në se ato do të rrinin më aty dhe ardhja në Tiranë pas disa ditësh e netësh rruge të gjatë nëpër male, deri sa u vendosën në një shtëpie përdhese fare pranë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në periferi të Tiranës, ku Reshati teksa ruante disa dele rreth saj, shikonte me habi njerëz me mjekra dhe veshje të gjata deri në fund të këmbëve që hynin e dilnin aty.
Dëshmia e rrallë e Baba Reshat Bardhit për të kaluarën e tij, që nga koha kur ai u dorëzua Dervish pranë asaj Krye gjyshate ku shërbente Baba Ahmet Brahimaj me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës, i cili nga kërcënimet e Sigurimit të Shtetit, në vitin 1958-të u shpërngul nga aty dhe u vendos në Teqenë e Drizarit në Mallakastër, ku pranoi të merrte me vete dhe Dervish Rexhepin, që më pas me një dekret të veçantë, do t’i dorëzonte detyrën e shenjtë, duke e emëruar në vend të tij si Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Detyrë të cilën ai e përmbushi me besnikëri deri në fund kur do mbyllte sytë, pasi kishte kaluar një jetë të trazuar nën kërcënimet e Sigurimit të Shtetit dhe punës së rëndë në Ndërmarrjen “Gjergj Dimitrov” në Tiranë ku punoi në vështirësi për më shumë se 20 vite me radhë.
Djegia e shtëpisë në Lusen nga partizanët?
Baba Reshati u lind në vitin 1936 në fshatin Lusen të Kukësit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Lidhur me këtë dhe fëmijërinë e tij në ato kohë të vështira, Baba Reshati, na tregonte: “Që në moshë fare të vogël kur nuk isha më shumë se nëntë vjeç, u detyrova që të dilja për të kullotur ato pak bagëti që kishte familja jonë e varfër, pasi në atë kohë ne ishim tetë fëmijë dhe unë isha i gjashti nga vëllezërit e motrat. Përveç varfërisë së madhe, që e kishte pllakosur asokohe familjen tonë, ishte dhe një e keqe akoma edhe më e madhe, që na kishte rënë të gjithëve. Ajo ishte Lufta vëllavrasëse që kishte filluar në mes shqiptarëve dhe fitilin e saj e kishin ndezur jugosllavët, me anë të emisarëve të saj, që kishte sjellë në Shqipëri. Në atë vorbull të asaj lufte civile, që kishte nisur pas vjeshtës së vitit 1943, u gjet dhe familja jonë e varfër, në fshatin Lusen të Çajeve të Kukësit. Megjithëse në atë kohë unë nuk kam qenë më shumë se nëntë vjeç, e mbaj mënd si tani mynxyrën që ra mbi shtëpinë tonë në vjeshtën e vitit 1944. Ndërsa isha duke ruajtur bagëtinë në mal, vura re një shtëllungë të madhe tymi, që po dilte nga shtëpia jonë. Menjëherë i lashë bagëtitë vetëm dhe u nisa në drejtim të shtëpisë, prej së cilës vazhdonin të dilte tym. Kur u afrova pranë shtëpisë, vura re se ajo ishte përfshirë nga flakët e mëdha, vëllezërit e motrat e mia filluan të dilnin jashtë . Deri në atë kohë nuk kisha parë skenë më të tmerrshme dhe menjëherë zura të qaja na frika. Ndërkohë që disa nga vëllezërit dhe motrat e mija kishin dalë në oborr dhe qanin me zë të lartë, nana jonë, Hania, fillo të bërtiste, duke thërritur emrat e fëmijëve të tjerë, që akoma nuk kishin dalë nga shtëpia. Kur dolën edhe ata, e nana jona na numëroi shtatë fëmijë në oborrin e shtëpisë, ajo ia dha bërtiti me të madhe: “Rexhepi, Rexhepi”, dhe u fut në mes flakëve, që po shtoheshin akoma më shumë. Rexhepi ishte vëllai ynë i vogël, që në atë kohë nuk ishte më shumë se tre vjeç dhe nëna u fut për ta nxjerrë. Pas pak minutash ajo doli nga shtëpia me Rexhepin në krah dhe flakët e zjarrit e kishin përpirë, duke iu shpërndarë nëpër trup. Pas shumë përpjekjeve ne arritëm që ta shuanim zjarrin që i kishin përpirë trupin e nënës me gjithë vëllanë e vogël në krah. Ndërsa ne shpëtuam të gjithë, kulla jonë u dogj dhe atë pasdite vjeshte ishim duke ikur për t’u strehuar tek një kushëriri ynë, rrugës unë mësova se shtëpinë na e kishin djegur me qëllim. Dhe përpara se t’i vinin zjarrin asaj, ata kishin hyrë brenda duke kontrolluar dhe kthyer përmbys gjithçka ndodhej aty. E gjitha ajo kishte ardhur si pasojë e luftës vëllavrasëse që kishte nisur asokohe në Shqipëri dhe yshtjen asaj ia kishin dhënë jugosllavët. Ndërsa ishim mbledhur të gjithë në shtëpinë e kushëririt tonë, vëllezërit më të mëdhenj i thanë nënës që të mos mërzitej, pasi ata do t’ua merrnin hakun atyre që na i kishin vënë flakën shtëpisë. Por nëna jonë, Hania, e cila ishte një grua fisnike që rrezatonte vetëm mirësi, iu drejtua duke u thënë: ‘Jo bijtë e mi, nuk ia vlen që shqiptarët të hakmerren me njëri tjetrin”, Baba Reshat Bardhi, atë histori të largët dhe të trishtë të ndodhur në vitin 1944, që për pak do ishte kthyer në një tragjedi të vërtetë për familjen e tyre të varfër. Edhe pse ai nuk ka dëshirë që t’i përmend autorët e asaj ngjarje, nuk është e vështirë të kuptohet se atë gjë ia bënë brigadat partizane, pasi shtëpia e tyre njihej si bazë e mbështetëse e forcave nacionaliste.
Nga Kukësi në Tiranë
Po si rrodhi fati i familjes së Reshat Bardhit pas djegies së shtëpisë së tij nga forcat partizane? Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Pasi na u dogj shtëpia, babai na tha se ne do të iknim që andej, pasi për familjen tonë priteshin mynxyra të tjera, ndoshta dhe më të mëdha se ajo e djegies së shtëpisë. Jo vetëm babait, por edhe ne fëmijëve nuk na vinte mirë që po largoheshim nga shtëpia jonë, por babai na tha se nuk kishim rrugë tjetër. Ai na tha se do të vendoseshim në një qytet shumë të bukur, të cilit ne nuk ia kishim dëgjuar emrin ndonjëherë. Ikja nga fshati ynë ku kishim lënë kujtimet e fëmijërisë, nuk ishte fort e lehtë dhe që andej ne u nisëm me lot ndër sy. Por prindërit tanë na qetësonin duke na thënë se atje në Tiranë do të ishim më mirë dhe ne do të shkonim edhe nëpër shkolla. Ndërsa ishte i vendosur për t’u larguar nga Lusen, babai shiti bagëtinë bashkë me disa toka që kishim dhe pasi rregulluam ato pak plaçka në disa kuaj që na i dhanë të afërmit tanë, u nisëm duke ecur në një rrugë të gjatë. Pas disa ditësh ne mbërritëm në Tiranë dhe u vendosëm në një shtëpi përdhese diku në periferi të qytetit, rrëzë një kodre ku ndodhej Kryegjyshata Botërore Bektashiane”, kujtonte Baba Reshati, shpërnguljen e familjes së tij nga ai fshat i largët i Kukësit dhe vendosjen në Tiranë, afër atij vendi ku ishte ajo godinë kulti, me të cilën ai do të lidhte më pas të gjithë jetën e tij. Ato vite të largëta kur familja e tij u vendos në kryeqytet, Baba Reshatit i kujtoheshin shumë mirë dhe ai tregonte se përveç ruajtjes së bagëtive, asokohe atij i duhej që të vazhdonte edhe shkollën. Po kështu ai kujtonte shumë mirë ato vite që ai i quante “vite helmi”, pasi “shqiptarët po vrisnin dhe vriteshin nga shqiptarët”. Atij i kishin mbetur në mëndje gjyqet e asaj kohe dhe turmat që bërtisnin “Tradhtarët në litar”. Baba Reshati na thoshte se i kujtohesh si tani ajo kohë kur nuk ishte më shumë se 11-vjeçar dhe në një nga rrugët ku po kalonte ai, turma të mëdha njerëzish që ishin duke dëgjuar me altoparlant një gjyq, shpërthyen në duartrokitje kur u dha vendimi me vdekje për ata që po gjykoheshin aty. Lidhur me këtë ai shton: “Nuk e di sepse në ato çaste ndjeva një si zbrazëtirë dhe m’u kujtua shtëpia jonë e djegur në Lusen. Ajo kohë ishte një kohë e mallkuar, si një mallkim gjaku”, kujtonte ai vitet e para të pasluftës kur u vendos me familjen në Tiranë.
Në 1954-ën, Dervish në Kryegjyshatë
Ndërsa Reshati i vogël 11-vjeçar ruante bagëtitë e familjes së tij në kodrat përreth Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, shikonte me habi njerëz të ndryshëm që hynin e dilnin vazhdimisht nga ajo godinë që ai akoma nuk e kuptonte mirë se çfarë ishte. Lidhur me këtë dhe hyrjen e tij më vonë si Dervish në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, Baba Reshati kujtonte: “Aty nga viti 1948, në krye të Kryegjyshatës kishte ardhur Dede Ahmeti nga fshati Brataj i Vlorës. Ai ishte një njeri shumë i dëgjuar për urtësi dhe sidomos për forcën e tij sugjestionuese që kishte. Në atë kohë që erdhi në Tiranë, ai mblodhi rreth vetes shumë besimtarë të rinj, duke u përpjekur që të ngjallte tek ata jo vetëm bektashizmin, por edhe ndjenjat e thella të mirëkuptimit dhe dashurisë midis shqiptarëve. Ndër ata djem të rinj që patën rendur për “të marrë dorë” tek Dede Ahmeti, isha edhe unë”, kujtonte me nostalgji Baba Reshati për Dede Ahmetin, njeriun e mirë e çudibërës që e futi atë në botën hyjnore të bektashizmit. Lidhur me këtë, ai shtonte: “Dede Ahmeti më merrte shpesh dhe të dy shkonim tek varri ku preheshin eshtrat e Naim Frashërit, këtu në oborrin e Kryegjyshatës. Ai më fliste gjatë për Naimin dhe dinte përmendësh pjesë të tëra të poezive të tij dhe sidomos të “Qerbelasë” të cilat m’i recitonte herë pas here. Kur mbaronte së recituari, përkëdhelte një gurë të bardhë dhe më uronte: ‘Paç fat dhe punofshi për vatanë, siç kanë punuar martirët e Qerbelasë”, kujtonte Baba Reshati, fjalët e Dede Ahmetit dhe dobësinë e tij për Naim Frashërin. Shtatë vjet më vonë, në gushtin e vitit 1954, Reshat Bardhi u vesh Dervish pranë Kryegjyshatës dhe bekimin atij ia bëri Dede Ahmeti. Atë ditë ai e kujtonte si një nga ditët më të shënuara të gjithë jetës së tij dhe shprehej se ishte shumë i emocionuar, sepse po merrte mbi supe një barrë të rëndë. Lidhur me këtë ai shprehej: “Bektashizmi si rrymë dhe si predikim, ka vullnete tepër të mbara, por këto vullnete realizohen përmes mundimeve të mëdha. Dy ditë më pas ndërsa Dede Ahmeti më shihte tepër të menduar, më pati thënë: ‘Edhe unë kur u dorëzova Dervish, kështu kam qenë i menduar”, kujtonte ai fjalët e Dede Ahmetit, i cili më pas do të bëhej një nga idhujt e tij.
Emërimi si Kryegjysh i Bektashinjve
Po si rrodhi më pas jeta e Dervishit të ri, Reshat Bardhi dhe cila ishte karriera e tij në grigjën e bektashinjve: “Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Në vitin 1958, Dede Ahmeti u thirr dy herë nga Sigurimi i Shtetit dhe iu bënë presione të mëdha. Pas kësaj atij i thanë që duhet të shkonte në Teqenë e Drizarit në Mallakastrën e Egër. Sipas fjalëve që dëgjova në Kryegjyshatë, Dede Ahmetit i kishin thënë që, atje ku do të shkonte, ai e kishte të ndaluar që të takohej me njerëz dhe duhej të lëvizte nga teqeja, vetëm me urdhër të Degës së Brendshme të Fierit. Sapo dëgjova këto fjalë unë vajta menjëherë në dhomën e tij dhe pasi i putha duart, e shikova drejt e në sy. Ai ishte shumë i trishtuar. Menjëherë i kërkova që të shkoja edhe unë me të në Drizar. Pasi u mendua ca, ai më pa drejt e në sy dhe më tha: ‘Po edhe t’i do të vish me mua në Drizar’. Pas kësaj ne shkuam të dy në fshatin Drizar, ku teqeja e tij ndodhej në majë të një mali. Brenda një kohe të shkurtër ambienti përreth asaj teqeje u shëndrua në një bahçe me dhjetëra rrënjë pemësh, sepse baballarët e dervishët që ishin aty, me nxitjen e Dede Ahmetit, punuan me një përkushtim të madh. Pas kësaj Teqja e Drizarit në krahasim me shtëpitë e varfra të atij fshati, dukej si një gjë e bekuar dhe aty nisën që të vinin me qindra besimtarë nga Kukësi, Bulqiza, Kruja, Burreli, Vlora, Kolonja, Delvina dhe rrethe të tjera të vendit. Por e gjithë ajo punë që ne kishim nisur me aq devotshmëri, nuk ishte e thënë që të vazhdonte gjatë. Sepse aty nga viti 1967, filloi ndalimi i fesë dhe prishja e objekteve të kultit. Më 30 qershor të vitit 1967, Dede Ahmeti me dorën e tij shkroi Dekretin e Shenjtë dhe në mënyrë ilegale ma bëri të ditur atë. Me anë të atij dekreti ai më njihte mua si zëvendësin e tij dhe me atë rast ai u tregonte të gjithë besimtarëve bektashian, se donte apo nuk donte Partia, donte a po nuk donte komunizmi, ky besim do të mbetej deri sa mbi dhe të mbetej me frymë edhe bektashiu i fundit. Dhe desh zoti e ato fjalë të tija u vërtetuan”, kujtonte Baba Reshati lidhur me emërimin e tij në funksionin më të lartë të Bektashinjve, duke na treguar dhe tekstin origjinal të atij dekreti ku shkruhet:
“Urdhëroj të gjithë klerikët dhe besimtarët bektashinj, jo vetëm të Shqipërisë, por dhe të gjithë globit tonë, ta njohin Haxhi Dede Reshat Bardhin, në vendin tim, sepse ky është pasqyra më e ndritur që do të prijë denjësisht. Të diturit do ta nderojnë me diturinë e tyre, trimat do ta mbrojnë me trimërinë e tyre, bujarët do ta mbrojnë me bujarinë e tyre. Të gjithë besimtarët pa përjashtim, t’i përulen dhe të marrin dritë prej Tij, ashtu siç yjet marrin dritë nga dielli”.
Ahmet Dede, Vlorë 30 qershor 1967
Punëtor në fermën “Gjergj Dimitrov”
Pas vitit 1967 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaloi lirinë e ushtrimit të besimeve fetare dhe mbylli në mënyrë të dhunshme teqetë, kishat, xhamitë, manastiret dhe objektet e tjera të kultit, Baba Reshat Bardhi u dërgua të punonte si punëtor në Ndërmarrjen Bujqësore “Gjergj Dimitrov” në Tiranë, ku atij ia dha lopata dhe gërshërët e krasitjes. Lidhur me këtë ai kujtonte: “Rreth 20 vjet punova në punët më të rënda fizike, gati gjymtuese dhe nuk pranova që të bashkëpunoja me Sigurimin e Shtetit, duke refuzuar kategorikisht dy herë “ofertat” që më bënë ata. Në ato kohë tepër të vështira, disa nga miqtë e mi të ngushtë më ndihmuan që të mbaja gjallë besimin tek zoti. Zakonisht unë punoja me orar të zgjatur apo me akord siç thuhej atëhere, dhe natën, në shi e në dëborë, i hipur mbi makina, shkoja dhe takoja Dede Ahmetin e kujdesesha për të. Ai më ngrohte shpirtin. Dhe përsëri unë largohesha prej tij, sepse detyrohesha që të hënën të paraqitesha përsëri në punë. Por unë nuk ligështohesha, sepse vuajtjet e fisnikërojnë më shumë njeriun”, kujtonte Baba Reshati, vitet e tija të punës në Fermën “Gjergj Dimitrov” dhe vuajtjet për të cilat nuk kishte dëshirë të zgjatej më shumë. Pas vitit 1990-të, kur regjimi komunist u detyrua që të lejonte lirinë e besimeve fetare dhe hapjen e objekteve të kultit, Baba Reshati u rikthye pranë Kryegjyshatës, të cilën e kishin kthyer në Azil pleqsh. Ndonëse me një shëndet të drobitur nga vitet e shumta të punës së rëndë fizike, me devocionin dhe përkushtimin e tij, Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede, Baba Reshat Bardhi, arriti që ta kthejë atë objekt kulti ashtu si në ditët më të mira të saj. Po me atë përkushtim ai vazhdonte të punonte duke u shërbyer besimtarëve të shumtë që frekuentonin çdo ditë atë vend të bekuar në veri-lindje të Tiranës, që vazhdon të rrezatoi vetëm mirësi dhe mikpritjen bujare të atij sekti që veç të tjerash, njihet dhe si simbol i shqiptarizmit të vërtetë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016